Nga Hajro Hajra
Pjesa e tretë
Memorie.al / Një rrëfim autentik, i jetuar dhe i pazbukuruar, i nxjerrë nga kujtesa e skalitur, por jo e fjetur, e shqiptarit që ka përjetuar ferrin komunist, por që ka arritur të ikën nga ai ferr falë shkathtësisë e besimit të madh se vetëm duke dalë nga ai purgatori, mund të luftohet ai dimër i acartë, ajo mjegullnajë e skëterrshme që kishte mbuluar Shqipërinë cep më cep, do të lexoni në këtë shkrim për Remzi Barollin, të dënuarin me 101 vjet burg, nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.
Në Amerikë
Ardhja në Amerikë ishte një nga ngjarjet më të rëndësishme të jetës së tij. Atë ditë të largët të 26 dhjetorit të vitit 1955, kur kishte arritur dhe ishte vendosur në Nju Jork, Remzi Barolli e ka shumë të freskët: – “Kur mbërrita në Amerikë, një kohë të gjatë nuk mund të besoja që isha i lirë. Dilja në oborr dhe çirresha aq shumë, sa fqinjët përreth apartamentit ku banoja kujtonin se kisha shkalluar. Ndoshta në atë mënyrë e nxirrja jashtë gjithë atë trysni, ndrydhje që kisha ndryrë në vete me vite të tëra, që nga fëmijëria.
I gëzohesha lirisë, po ajo ishte e mangët. E paramendoja nënën time në burgjet e Shqipërisë. Në burg ishte edhe motra, në burg ishin edhe vëllezërit dhe plot kushërinj. Burgjet e Shqipërisë ishin përplot të burgosur shqiptarë, po edhe ata që ishin jashtë burgjeve mbaheshin të ngujuar në burgun e madh të quajtur Shqipëri. Ai shtet që mbante lidhje të ngushta me shtetin e Stalinit, ishte shndërruar i tëri në një burg kolektiv dhe të burgosur ishin shtetasit e tij”.
Sa herë që e kujtonte Shqipërinë e katandisur si mos më keq, Remziu shqetësohej. Ishte një shqetësim që nuk e linte të qetë, që e çonte peshë shpirtin e tij të trazuar. I dhimbseshin gjithë ata njerëz të shpirtit që po jetonin çaste të rënda në kampet e në burgjet e Shqipërisë, prandaj liria që gëzonte në Amerikën demokratike i dukej si diçka e pavlerë. E njëmendtë ajo liri do të ishte sikur atë ta gëzonin edhe nëna e tij, edhe motra e tij, edhe vëllezërit e tij, edhe e gjithë Shqipëria.
Megjithatë, të mendonte për të tjerët, të bashkëjetonte me vuajtjet e të tjerëve do të mundte vetëm po qe se do ta siguronte veten. Duke pasur një energji të madhe e të pashtershme, ai i përvishet punës që në ditët e para pas mbërritjes në SHBA-ës. Nuk kalon shumë kohë dhe do ta takojë edhe shoqen e tij të ardhshme të jetës, zonjushën Meri, një vajzë e lindur në Amerikë, me prejardhje nga Sllovenia, me të cilën është martuar më 2 maj 1959, në moshën 29-vjeçare e me të cilën jeton edhe sot.
Fillimi, si çdo fillim në dhe të huaj, ishte i vështirë, por mjaftonte që këtu nuk i kishte mbi kokë policët e Enver Hoxhës.
Puna e parë që do të fillonte këtu ishte ajo e pjatalarësit në restorantin e dajës Nuri Mehmeti në Nju-Jork. Punonte me zell e me vullnet të madh, i vetëdijshëm se rruga drejt suksesit ishte tepër e gjatë dhe tepër e vështirë.
Kontaktet e para me antikomunistë
Shumica e shqiptarëve që kishin ardhur në Amerikë në vitet ‘40-’50-të kishin ikur nga atdheu i tyre, nga Shqipëria, sepse nuk ishin pajtuar me regjimin komunist. Disa prej tyre jo vetëm që nuk ia kishin mbajtur krahun, por edhe e kishin luftuar, të vetëdijshëm se ajo murtajë e kuqe do t’i sillte vetëm vuajtje popullit të varfër shqiptar. Ata kishin pasur dy mundësi: ose të rrinin në Shqipëri e të kalonin nëpër filtrin e “gjyqit të popullit”, ose të linin shtëpi e katandi dhe të syrgjynoseshin, të merrnin botën në sy.
Ata që kishin qenë më të vendosur, më të shkathët, më trima, ia kishin dalë. Kishte pasur edhe nga ata që e kishin gënjyer veten me shpresën se ajo fushatë e egër kundër “armiqve të popullit” do të pushonte sapo të ftoheshin kokat e trullosura nga ideologjia antikombëtare marksiste-staliniste. Por, ato koka nuk ishin ftohur për 50 vjet…!
Kontaktet e para Remziu i kishte pasur me njerëz të “Legalitetit”, si Abaz Kupi e të tjerë, të cilët kurrë nuk e kishin ndërprerë luftën për rrëzimin e komunizmit. Duke parë te Remziu një djalosh të shkathët e të guximshëm, një luftëtar të denjë, antikomunist, anëtarët e “Legalitetit” do të kujdeseshin për shkollimin e tij (në Shqipëri Remziu kishte arritur t’i mbaronte vetëm 3 klasa shkollë: dy para Luftës dhe një nëpër burgje).
Kështu, përveç që bënte punë të ndryshme, Remzi Barolli që nga dita e parë i ishte përveshur mësimit të anglishtes. Këmbëngulja e tij kishte dhënë rezultate. Pas tre muajsh qëndrimi në Amerikë, ai kishte filluar të komunikonte mirë anglisht.
Pastaj kishte filluar të shkollohej. Kishte mbaruar shkollën e mesme në Nju-Jork dhe po bëhej gati t’u hynte studimeve. Matematikën e kishte dashur më shumë nga të gjitha lëndët, mbase edhe për shkak se mësues matematike kishte pasur majorin gjerman, të cilin e kishte dashur shumë. Megjithatë, studimet mund të prisnin për më vonë. Ishte çështja e Atdheut të robëruar nga komunistët që priste ndihmën e bijve të tij, kështu që Remziu me gjithë qenien do të vihej në shërbim të Atdheut.
Në shërbim të CIA-s
Remziu ishte i vetmi nga familja Barolli që kishte pasur fatin të shpëtonte nga kthetrat e komunizmit. Të gjithë Barollinjtë e tjerë, po edhe farefis nga familje të tjera ose ishin nëpër burgje e kampe riedukimi socialist, ose ishin dënuar me vdekje e ishin ekzekutuar dhe për varret e tyre, edhe po të kishte kush të interesohej, nuk kishte as më të voglin guxim. Edhe këtu, në Amerikë, Remziu mësonte lajme të këqija: u arrestua akëcili kushëri, u pushkatua akëcili xhaxha, u dërgua të punojë në kamp akëcila kushërirë.
Këto njoftime që depërtonin herë pas here tek ai, ishin si goditje thikash në shpinë të njeriut të mbërthyer me pranga. Ai, i tronditur thellë me fatin e gjithë atij numri të familjarëve që po përjetonin net ferri, ishte i detyruar të duronte, vetëm të duronte.
Kontaktet e para me njerëz të CIA-s, ai i kishte pasur menjëherë pasi ishte arratisur në Greqi, në dhjetor të vitit 1953, me bindje të plotë se vetëm nëpërmjet një agjencie të tillë të fuqishme do të mund të realizoheshin ëndrrat e shqiptarëve për ta shporrur komunizmin nga foleja e shqipeve, ndaj kishte vendosur të vihej në shërbim të saj me bindjen e thellë se një ditë edhe në Shqipëri do të valëvitej i lirë flamuri i demokracisë.
Kur iu hapën dyert e CIA-s, ai ishte i lumtur. Në mos për asgjë, për faktin se do të përleshej me ata njerëz, të cilët e drejtonin shtetin. Me ata njerëz që familjes së tij dhe atij vetë i kishin shkaktuar vetëm të këqija. Këtë nuk do ta bënte për të nxjerrë hak, se ata njerëz ishin futur aq thellë në mëkate ndaj Shqipërisë, sa ishte e pamundur të lanin borxh, por këtë ai dhe patriotë të tjerë të vërtetë e bënin se kishin detyrim moral, kishin borxh ndaj Atdheut.
Duke luftuar kundër atyre njerëzve që po ia zinin frymën Shqipërisë, Remziu me shokë nuk po i kthenin dorë Atdheut, por po u jepnin grusht për t’i trandur ata shqiptarë, të cilët të dehur pas marksizmit e stalinizmit, të mbërthyer nga darët e ideologjisë për ndërtimin e shoqërisë pa klasa, po ia gërryenin palcën Shqipërisë së prapambetur, Shqipërisë, e cila ishte katandisur aq sa ishte e detyruar ta hidhte trastën shpinës.
Ndonëse Shqipëria asokohe konsiderohej një bunker ku nuk mund të futej kush dhe nga i cili nuk mund të dilte kush, me përkrahjen dhe me mbështetjen pa rezerva të qarqeve të caktuara brenda saj, grupe të stërvitura në bazat amerikane të CIA-s në Greqi, në Qipro e gjetiu, kishte kohë që po futeshin brenda në Shqipëri dhe po kryenin aksione të shumta “diversante”, për përmbysjen e komunizmit.
Ilegalisht në Atdhe
Përafërsisht pas një muaj qëndrimi në Greqi, Remzi Barolli kishte rënë në kontakt me CIA-n dhe për 10 vjet rresht kishte qenë pjesë e Agjencisë Qendrore të Zbulimit të SHBA-ve. Gjatë dy vjet qëndrimi në Greqi, Remzi Barolli me grupin ishin futur disa herë në Shqipëri. Misioni i parë kishte qenë në maj 1954. Ishte një mision i shkurtër, i realizuar gjatë natës, me ç’rast ishin futur këmbë në një fshat afro 6 kilometra larg kufirit me Greqinë dhe pasi kishin përfunduar misionin, ishin kthyer në Greqi po atë natë.
Misioni i dytë ishte realizuar në gusht 1954. Kishte qenë një mision tri ditësh, duke përshkuar një rrugë mbi 50 km. deri në Korçë. Misioni tjetër 4-5 ditor i atij viti (dhjetor 1954) kishte qenë futja e grupit prej 3 vetash nja 80 km. në brendi të territorit shqiptar, diku në perëndim të qytetit të Maliqit. Grupi kishte për detyrë të shoqëronte 4 agjentë që do të kryenin misione në Shqipëri dhe vetë të kthehej në Greqi.
Gjatë kohës sa ishte në shërbim të CIA-s, punë që e kishte bërë deri në vitin 1964, dy vitet e para gjatë qëndrimit në Greqi dhe pastaj edhe tetë vjet të tjera pasi kishte ikur në Amerikë, Remzi Barolli ishte futur me mision në Shqipëri shumë herë (nja 8 herë e pakta ishte hedhur me parashutë).
Edhe sot Remziu i kujton ato vizita ilegale në Shqipërinë e tij të dashur, në Shqipërinë kamp të Enver Hoxhës, në Atdheun nëpër burgjet e të cilit po dergjeshin gjithë farefisi i tij:
–“Përgatitjet për të kryer aksione diversante e terroriste, siç i quante Enver Hoxha, bëheshin në fshehtësi shumë të madhe. Ishin përgatitje intensive që zgjatnin me javë, e nganjëherë edhe me muaj të tërë. Ushtrimet ishin të vështira dhe kërkonin angazhim të madh fizik e psikik, mirëpo ne kishim një vullnet të madh, kështu që i përballonim të gjitha. Në Shqipëri kam hyrë ilegalisht më shumë se 15 herë”.
Të shumtën e herëve grupet “diversante” hidheshin atje me parashuta. Aksionet përgatiteshin mirë dhe ato i kryenin njerëz që nuk e njihnin njëri-tjetrin. Veprimet gjithnjë bëheshin në grupe, të pajisura këto me armët më moderne të kohës, aso që ishin përdorur në Luftën e Koresë (1950- 1953). Rreziku që të vriteshin, të kapeshin të gjallë e të arrestoheshin, ishte i madh. Sa herë niseshin në aksione, ishin të vetëdijshëm se mund të mbeteshin atje, qoftë të gjallë, qoftë të vdekur.
–“Kur mendoj sot, – vazhdon rrëfimin Remziu,- çuditem me vetveten. Duhej të ishim të çmendur që ta pranonim atë detyrë. Natyrisht, qëllimet e larta na tërhiqnin andej. Përpos popullit të vuajtur, atje kisha gati tërë familjen dhe e dija fare mirë se në ç’gjendje ishin ata.
Kisha qenë vetë në lëkurën e tyre. Sa herë që isha duke ngrënë, duke shëtitur ose duke u larë në det a në pishinë dhe mendja më shkonte te ta, më krijohej një lëmsh i madh në fyt. Megjithatë, e mbaja veten. Me vaj s’arrihej asgjë, prandaj bëja përpjekje që të ecja përpara, se ashtu ishte më mirë edhe për mua, edhe për ata. Nëse unë do të isha i fortë, edhe për fatin e tyre mund të shpresohej”.
Në aksionet që kryente në Shqipëri, Remziu ishte i armatosur me mitraloz të vogël 8 mm, me 90 fishekë, një armë e lehtë dhe shumë e mirë e praktike për t’u përdorur në raste të tilla.
Përpjekjet për ta nxjerrë nënën
Gjatë atyre viteve të veprimtarisë ilegale, Remzi Barolli do të jetë pothuaj gjithnjë në lëvizje, në relacionin Amerikë-Greqi (ose Qipro) dhe anasjelltas. Sa herë hynte në Shqipëri, përpiqej të kontaktonte njerëz të njohur dhe të merrte informata për farefisin e vet. Kishte arritur të siguronte informatë të saktë për vendndodhjen e së ëmës. Ajo ishte në një kamp, diku në rrethin e Maliqit dhe Remziu, me gjithë rrezikun e madh, disa herë kishte bërë përpjekje për ta nxjerrë nënë Aishen nga kampi.
–“Kam shkuar disa herë në Shqipëri për ta nxjerrë nënën nga kampi’ – rrëfen Remziu, – ‘por pa sukses. E kam vështruar prej së largu dhe s’kam mundur t’i afrohem. Për ta nxjerrë atë më duhej ndihma e brendshme. Asnjeri s’kishte guxim të më ofronte ndihmë, por nuk ua zija për të madhe. Po të zbulohej ndonjë duke më ndihmuar, do ta pësonte shumë keq. Mund të dënohej edhe me vdekje, kështu që s’mund të kërkoja prej kurrkujt të pamundurën”.
–“Kur kam hyrë për të dytën herë në Shqipëri’, – vazhdon rrëfimin Remziu, – ‘kam shkuar në shtëpinë e dy vajzave të tezes. Jam futur fshehurazi në ashefin që gjendej afër shtëpisë dhe kam pritur. E dija se po i rrezikoja vajzat e tezes dhe familjet e tyre, e dija se po e rrezikoja edhe vetveten, por nuk kisha mundur të përmbahesha më. Doja me çdo kusht të takoja ndonjë njeri të njohur. Kur më pa njëra nga vajzat e tezes në ashef, u tmerrua fare:
– Si ke guxuar të vish? – m’u drejtua e lemerisur. Po ta marrin vesh komunistët se ti je në shtëpinë tonë, do të na përpijë e liga”.
Me gjithë frikën e madhe që kishte, ajo nuk i kishte treguar kujt për Remziun. Ndërkaq, Remziun e kishte informuar për çdo gjë që dinte për Barollinjtë dhe për mbarë farefisin.
–“Kur jemi takuar me të pas 40 vjetësh, – thotë Remziu, – ajo më ka thënë: plot dyzet vjet e kam ruajtur sekretin për vizitën tënde. As burrit s’i kam treguar. Net të tëra kam kaluar pa gjumë”.
Vrasja e Kenedit – fundi i misionit të CIA-s
Tentativat e amerikanëve për ta rrëzuar komunizmin në Shqipëri ishin pjesë e një strategjie që lidhej me interesat amerikane në botë. Në të njëjtën kohë, perandoria e kuqe e Moskës po përpiqej ta zgjeronte fushën e saj të ndikimit në shumë vende të botës. Siç dihet, deri më 1960 Shqipëria ishte e lidhur me Moskën si mishi me thoin.
Pas mbledhjes së Bukureshtit të përfaqësuesve të partive komuniste e punëtore të vendeve të kampit socialist (24-26 qershor 1960) dhe pas Mbledhjes së përfaqësuesve të 81 Partive Komuniste e Punëtore (10.11.-1.12.1960), Shqipëria do të prishej përfundimisht me Bashkimin Sovjetik revizionist, siç qe quajtur atëherë, për t’u lidhur me një shtet tjetër të kampit socialist, me Kinën e Mao Ce Dunit.
Komunistët shqiptarë ishin betuar dhe bar të hanin, por nga komunizmi të mos hiqnin dorë. Deri më 1963-in, vit ky kur në Dallas të Teksasit u vra Presidenti amerikan, Kenedi (John Fitzgerald Kennedy), CIA kishte bërë disa përpjekje për ta shembur komunizmin në Shqipëri, por pa sukses. Atentati kundër Presidentit Kenedi dhe ardhja në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Presidentit Xhonson (Lyndon Baines Johnson), shënojnë fundin e përpjekjeve amerikane për ta rrëzuar komunizmin në Shqipëri.
–“Pas vrasjes së Presidentit Kenedi, – rrëfen Remzi Barolli, – interesimi i Amerikës për ta hequr qafe komunizmin në Shqipërinë e Enver Hoxhës u zvogëlua dukshëm. Të fundmin aksion e kishim ndërmarrë në qershor të vitit 1964. Ishte një plan i bërë në kohën sa ishte gjallë Presidenti Kenedi. Këtë plan amerikanët e mbanin në fshehtësinë më të madhe. Ishim gjithsej 4 mijë veta (të ndarë në disa divizione) që do të zbarkonim në Shqipëri. Caku ynë ishte kryeqyteti, Tirana.
Sipas planit, do të sulmoheshin ndërtesa e Komitetit Qendror të PPSH-së, Radio – Televizioni e të tjera, mirëpo edhe kjo përpjekje qe e pasuksesshme. Unë vetë i shtati ishim hedhur afër Tiranës. Prej atyre 7 vetave, vetëm 3 kishin arritur të ktheheshin gjallë në Greqi dhe kurrë nuk kishin marrë vesh për fatin e 4 agjentëve të tjerë, mirëpo edhe kjo përpjekje qe e pasuksesshme.
Aktiviteti dhe shkollimi në Amerikë
Ndonëse aksionet “diversante” në Shqipëri ishin ndërprerë, Remzi Barolli nuk do ta ndërpriste kurrë aktivitetin e tij patriotik, antikomunist. Luftën për vendosjen e një sistemi demokratik që domosdo do të ndërtohej një ditë mbi gërmadhat e sistemit komunist, zoti Barolli e zhvillonte në mënyra të ndryshme dhe atë e bënte në përshtatje me rrethanat dhe me momentin.
Që nga viti 1966, ai ishte angazhuar në Shoqatën Fetare-Politike të Nju-Jorkut, e cila, më shumë se me veprimtari fetare, merrej me veprimtari patriotike. Shkelja e të drejtave të shqiptarëve në Shqipëri nga regjimi komunist dhe në Kosovë nga sunduesi serb ishin dy objektiva nga drejtohej veprimtaria e kësaj shoqate. Ishin 28 veta, në mesin e tyre edhe Remzi Barolli, që zhvillonin një veprimtari të dendur politike në kuadër të shoqatës, e cila kishte jo më pak se 25 mijë anëtarë.
Dy ishin qëllimet politike të kësaj shoqate: të rrëzohej sistemi komunist me Enver Hoxhën ne krye dhe të çlirohej Kosova nga Serbia. S’kishte asnjë tubim të Shoqatës ku të mos zihej ngoje Kosova. Dy vjet më vonë Remzi Barolli ishte zgjedhur kryetar i Shoqatës, post të cilin e kishte mbajtur për 13 vjet. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016