Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të një prej vrasjeve më të bujshme në Vlorë të ndodhur në Drashovicë në vitin 1944, nga ana e krerëve komunistë të Qarkorit të Vlorës, të cilët u urdhëruan nga Enver Hoxha. E gjithë historia e dhimbshme e Fejzo Gjomemës, ish-komunist me Grupin e të Rinjve të Anastas Lulës dhe Sadik Premtes që nga koha e shkollës Teknike Amerikane e Fultzit në Tiranë, i cili s’pranoi urdhrin e krerëve komunistë të qarkorit të Vlorës që të vriste me atentat, Qazim Çakërrin, komisarin e Çetës Plakë të Vlorës, që ishte mbështetja kryesore e Sadik Premtes. Kush ishte ai që qëlloi pas shpine Gjomemën dhe karriera ushtarake që bëri pas mbarimit të Luftës si shpërblim për atë vrasje…?!
Kush ishte Fejzo Gjomema?
Fejzo Gjomema u lind në fshatin Tragjas të rrethit të Vlorës në vitin 1919, prej nga është dhe origjina e hershme e asaj familje tepër të njohur në të gjithë atë krahinë. Që në moshë fare të re, Fejzos i vdiq babai Xhaferri, një burrë tepër fisnik që merrej vetëm me punët e bujqësisë për të mbajtur familjen e tij. Pas vdekjes së të atit, nëna e Fejzos u kthye tek prindërit e saj dhe për Fejzon u shtua akoma dhe më shumë pesha e dhimbjes, duke mbetur pa asnjë nga prindërit. Pas kësaj Fejzon mori për ta rritur xhaxhi i tij, Selam Gjomema, që asokohe ishte oficer i Monarkisë së Zogut, i cili së bashku me gruan e tij Sadon, u kujdesën për të njëlloj si për fëmijët e tyre. Për Fejzon u kujdes dhe gjyshja e tij, (nëna e babait, Xhaferrit) e cila kur vdiq, ia la amanet Selamit, që ai të bënte gjithçka për Fejzon. Selam Gjomema, i cili ndikoi në formimin e Fejzos, ishte një njeri shumë i kulturuar, pasi ai kishte mbaruar gjimnazin në Shën Mitër Korona të Kalabrisë në Itali dhe pasi kishte punuar disa kohë si mësues në fshatrat e Vlorës, kishte shkuar përsëri në Itali ku kishte mbaruar Akademinë e Lartë Ushtarake në qytetin e Modenas. Më pas ai u kthye në Shqipëri ku u caktua si oficer me gradën e kapitenit në degën e Ndërlidhjes në Tiranë, ku bashkë me djalin e tij Ahmetin, ai mbante dhe Fejzon, për të cilin kujdesej akoma dhe më shumë. Selam Gjomema gëzohej për Fejzon që ishte shumë inteligjent, gjë të cilën e kishte treguar që kur hyri në shkollë në Tragjas, ku shquhej si një nga nxënësit më të shkëlqyer nga të gjithë bashkëmoshatarët e tij.
Student në shkollën e Fultzit
Lidhur me periudhën e studimit të Fejzos në Tiranë, djali i xhaxhait të tij Sazan Gjomema, dëshmon: “Pas mbarimit të shkollës fillore dhe tetëvjeçares në qytetin e Vlorës, me ndihmën e xhaxhait tonë Selamit, Fejzua përfitoi një bursë shtetërore për të ndjekur mësimet në shkollën Teknike Amerikane të Fultzit në Tiranë. Edhe gjatë periudhës së studimeve në atë shkollë ku Fejzo ishte në degën e Përpunim Drurit, ai ra në sy nga të gjithë studentët e tjerë për inteligjencën e tij dhe korrektesën e lartë si në ambientet e shkollës ashtu dhe me të gjithë shoqërinë e tij. Gjatë asaj kohe në rrethin shoqëror të Fejzos, përveç shokëve të ngushtë që ai kishte nga Vlora, si Sadik Premtja, Perlat Rexhepi, Selim Alimerko, Gjon Banushi, Dilaver Poçi etj, bënin pjesë dhe Sadik Staveleci, Qemal Stafa, Isuf Keçi, Anastas Lula me të cilët ai shoqërohej vazhdimisht dhe kishte një miqësi të ngushtë. Shkollën Teknike Amerikane të Fultz-it në Tiranë, Fejzo e mbaroi në vitin shkollor 1936-‘37 me nota shumë të mira dhe pas mbarimit të saj, ai u kthye në qytetin e Vlorës, ku hapi një punishte private për përpunimin e Drurit. Pasi punoi disa kohë në atë punishte të vogël ku ai mezi siguronte jetesën e tij, e mbylli atë dhe u nis për në Tiranë, ku përsëri hapi një punishte druri si ajo që kishte pasur në Vlorë. Arsyeja kryesore e largimit të Fejzos nga Vlora, ishte angazhimi i tij në Grupin Komunist të të Rinjve, të kryesuar prej miqve të tij më të ngushtë si: Sadik Staveleci, Sadik Premtja, Anastas Lula dhe Isuf Keçi, ku ai bënte pjesë që nga koha që vazhdonte studimet në shkollën e Fultzit”, kujton Sazani, lidhur me kushëririn e tij Fejzo Gjomemën, i cili u angazhua me lëvizjen komuniste që me krijimet e saj në Tiranë në vitet 1936-‘37 nga studentët e shkollës Teknike, që njihet ndryshe dhe si shkolla e Harry Fultzit.
Përgjegjës politik në fshatrat e Vlorës
Në fundin e nëntorit të vitit 1941, pak kohë pasi ishte formuar Partia Komuniste Shqiptare, Fejzo Gjomema u dërgua në Vlorë për të organizuar demonstratë e madhe që do të bëhej me rastin e përvjetorit të Shpalljes së Pavarësisë. Lidhur me këtë, kushëriri i tij, Sazan tregon: “Sipas shumë dëshmive që unë kam arritur të mbledh nga bashkëluftëtarët e Fejzos, të cilët jo vetëm që e kanë njohur atë nga afër, por e kanë pasur dhe shok të ngushtë, largimi i Fejzos nga Tirana për në Vlorë ka qenë i qëllimshëm. Kështu Hamit Keçi më ka treguar se në atë kohë kur shumë nga komunistët kryesorë të Tiranës prisnin që Fejzo, i cili ishte më i përgatituri nga ana teorike, të zgjidhej në forumet e larta drejtuese të Partisë Komuniste të Shqipërisë-së që sapo ishte formuar, ai u transferua për në Vlorë. Largimi i Fejzos nga Tirana u bë për arsye se ai ishte një nga miqtë më të ngushtë të Anastas Lulës dhe Sadik Premtes, të cilët Enver Hoxha i shihte si kundërshtarë potencialë në ambiciet e tij karrieriste për të zënë kreun e Partisë, i cili në atë kohë për disa muaj u la vakant. Fejzo nuk e kundërshtoi urdhrin e Partisë për të shkuar në Vlorë, por përkundrazi ai shkoi atje dhe organizoi demonstratën e madhe të 28 nëntorit të vitit 1941, ku ai jo vetëm u përplas hapur me Kryeministrin Mustafa Kruja, por duke hipur mbi supet e dy shokëve të tij, Shyqëri Alimerko dhe Skënder Muço, grisi flamurin italian dhe ngriti flamurin shqiptar. Në atë demonstratën Fejzo Gjomema doli hapur dhe ra në sy si një nga udhëheqësit kryesorë të Qarkorit Komunist të Vlorës dhe për këtë arsye autoritetet italiane nxorën urdhër-arrestin dhe e burgosën atë. Pasi u mbajt disa kohë në Vlorë, italianët e sollën Fejzon në burgun e Tiranës ku asokohe ndodheshin shumë nga eksponentët kryesorë të lëvizjes komuniste. Në atë kohë Qarkori Komunist i Tiranës urdhëroi njësitin gueril që të organizonte aksionin për lirimin me çdo kusht të Fejzos. Pasi u njoftua Fejzo për atë gjë, ai simuloi duke u bërë i sëmurë dhe teksa po e dërgonin për ta kuruar në spitalin e burgut, ai mundi të arratisej me ndihmën e shokëve të njësitit të cilët realizuan aksionin e arratisjes së tij. Pas kësaj Fejzo u detyrua të shkonte përsëri në Vlorë, ku në fillimin e majit të vitit 1943, Qarkori Komunist e ngarkoi me detyrën e përgjegjësit politik për fshatrat Tragjas-Dukat Rradhimë”, kujton Sazani lidhur me aktivitetin politik të Fejzos në vitet e para të Luftës.
Nuk zbaton urdhrin e Hysni Kapos
Nga fundi i pranverës së vitit 1943, kur një pjesë e Qarkorit Komunist të Vlorës me në krye Sadik Premten, doli hapur kundër politikës së terrorit dhe dhunës që po ndiqte Partia Komuniste Shqiptare e drejtuar nga Enver Hoxha e dy emisarët jugosllavë Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha, filloi dhe çarja e madhe ndërmjet Fejzo dhe krerëve të lartë komunistë. Lidhur me këtë, Sazan Gjomemo dëshmon: “Në majin e vitit 1943, Enver Hoxha shkoi vetë në Vlorë për të asgjësuar “Fraksionin e Sadik Premtes”. Ditën që shkoi Enveri aty i shoqëruar nga Hysni Kapo dhe Bedri Spahiu, sipas porosive që kishte marrë nga “Besniku”, Fejzo u caktoi detyra të veçanta Kastriot Muços, Shyqëri Alimerkos dhe Hydai Bejos. Enver Hoxha u takua me Fejzon dhe gjatë gjithë kohës që ata ecën bashkë bisedonin me njëri-tjetrin në frëngjisht. Sipas dëshmive që më ka dhënë Gjovarf Banci, i cili i ka shoqëruar vetë atë në atë kohë, gjatë gjithë bisedës që bënë Enveri me Fejzon, përmendnin vazhdimisht emrat e Sadik Premtes, Pali Terovës, Qazim Çakërrit, e të tjerëve që ishin përfshirë në atë kohë në ngjarjet e Tragjasit. Pas asaj bisede që bëri me Enverin, Fejzo e kuptoi se situata e marrëdhëniet në mes “Grupit Fraksionist të Sadik Premtes” dhe krerëve të lartë të PKSH-së të kryesuar prej Enver Hoxhës, ishin acaruar jashtë mase, sa që në mes tyre nuk kishte më asnjë pikë mirëkuptimi. Nisur nga kjo, Fejzo i cili qëndronte jashtë të dy klaneve, u përpoq me të gjitha mundësitë e tij që t’i sheshonte ato kontradiktat që kishin ata në mes tyre, gjë të cilën jo vetëm nuk e arriti dot, por dhe fitoi urrejtjen e të dy palëve që të drejtën e shihnin tek vetja. Në ato ditë në të gjithë zonën u hap fjala se Fejzos i ishte dhënë urdhër nga Hysni Kapo që ai të vriste Qazim Çakërrin. Këtë urdhër Hysniut i’a kishte dhënë Enver Hoxha dhe dy emisarët jugosllavë që qëndronin pranë tij. Por Fejzo nuk e zbatoi urdhrin edhe pse Hysni Kapo ia dha atë me shkrim. Po sipas dëshmisë së Gjovarf Bancit, Fejzua i ka thënë atij arsyet se pse nuk donte ta vriste Qazim Çakërrin, ku midis të tjerash i ka thënë: ‘Unë jam përgjegjës politik i krahinës dhe nuk kam për detyrë që të vras njerëz të cilët nuk i kanë ngritur armët kundër Luftës Nacional-Çlirimtare dhe forcave partizane’. Po kështu Fejzo nuk i lejoi dy shokët e tij, Thanas Gaba dhe Hydai Bejo, të cilët i sugjeruan atij që ta zbatonin urdhrin e Partisë për vrasjen e Çakërrit. Pasi nuk e zbatoi atë urdhër për vrasjen e komisarit të Çetës Plakë, Fejzon e transferuan si partizan të thjeshtë në zonën e Mallakastrës, gjoja për riedukim, ndërsa qëllimi i vërtetë i transferimit të tij ishte që ta eliminonin fizikisht. Përpara se ta dërgonin në zonën e Mallakastrës, në popull ishte hapur fjala se Fejzon e kishin përjashtuar nga Partia dhe të gjitha ato bëheshin për ta denigruar figurën e tij. Ndërsa ai vetë nuk dinte asnjë gjë sepse nuk ishte thirrur dhe nuk ia kishin komunikuar asnjëherë përjashtimin nga Partia që ishte fakt i kryer”, dëshmon Sazan Gjomema, lidhur me çarjen e madhe ndërmjet Fejzo Gjomemos dhe krerëve të lartë të PKSH-së pasi ai nuk pranoi të zbatonte urdhrin e tyre për vrasjen e Qazim Çakërrit.
Vrasja misterioze e Fejzos
Edhe në krahinën e Mallakastrës ku e dërguan Fejzon gjoja për riedukim, ai bëri një punë të madhe sidomos me ngritjen e çetës partizanë në zonën e Fratarit e cila konsiderohej si një nga bastionet më të fuqishme të Ballit Kombëtar. Më pas Fejzon e kthyen përsëri në krahinën e Tragjasit në Vlorë, ku ai kishte mbajtur detyrën e përgjegjësit politik. Lidhur me këtë, Sazani dëshmon: “Qëllimi kryesor i dërgimit të Fejzos në atë zonë ishte që ta eliminonin fizikisht. Kjo gjë u pa pas një atentati që i bënë atij teksa ishte duke fjetur në një arë me misra, ku një breshëri automatiku me shtatë plumba ia bëri shoshë xhaketën e tij, por fatmirësisht pa e prekur asnjë në trup. Në atë kohë u hapën fjalë se ai u qëllua nga njerëzit e “Grupit Fraksionist të Sadik Premtes”, por e gjitha ajo ishte një mjegull që e hodhën atentatorët e vërtetë të tij për ta mbuluar atë tentativë vrasjeve që iu dështoi. Fraksionistët e Grupit të Sadik Premtes nuk kishin asnjë arsye që ta vrisnin Fejzon, sepse ai nuk kishte asnjë hesap për të larë me ta. Por atë që krerët e lartë komunistë nuk e bënë dot në atë kohë, e realizuan në 16 shtatorin e vitit 1943, kur Fejzon e vranë pas shpine, ndërsa kishte mbaruar beteja me gjermanët në Drashovicë. Në atë betejë Fejzo luftoi me heroizëm të rrallë, sidomos pasi mësoi për plagosjen e Hysni Kapos, udhëheqësit kryesor të asaj beteje. Dëshmitarët të cilët janë gjallë edhe sot, me kanë treguar se Fejzon, plumbat e kishin marrë nga pas shpine dhe ai ishte qëlluar nga shokët e tij teksa beteja kishte mbaruar dhe nuk dëgjoheshin më krisma. Për të mbuluar gjurmët e asaj vrasje u tha sikur ai u qëllua nga një gjerman që kishte hipur tek minarja e xhamisë, por atë gjë pak njerëz e besuan. Të gjithë dëshmitë që kam mbledhur nga bashkëluftëtarët e Fejzos që kanë qenë në atë betejë, rezultojnë se njeriu që zbatoi urdhrin e krerëve të lartë të PKSH-së dhe qëlloi mbi Fejzon, ishte partizani M. J. i cili pas lufte mbajti disa funksione të larta ushtarake në disa rrethe të vendit. Që vrasja e Fejzo Gjomemës ishte e urdhëruar nga lart, vërtetohet edhe nga qëndrimi që u mbajt karshi tij pas Luftës, ku emri i tij nuk u lejua t’i vihej një shkolle fshati dhe u hoq nga një rrugë kryesore në Vlorë, të cilën deshën ta pagëzonin disa shokë të vërtetë të tij. Po kështu edhe Enver Hoxha, njeriu që urdhëroi vrasjen e Fejzos, nuk e përmendi në kujtimet e tij asnjëherë dhe sa për të humbur gjurmët e vrasjes, ai u la një dëshmor i thjeshtë, ndërsa shokët e tij të vërtetë të Luftës disa herë e propozuan që ai të bëhej “Hero i Popullit”. Kështu e mbyll rrëfimin e tij Sazani, për vrasjen makabre të kushëririt të tij, Fejzo Gjomemo, një nga personalitetet e lëvizjes antifashiste në zonën e Vlorës gjatë periudhës së Luftës që u eliminua me urdhrin e Enver Hoxhës./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016