Dashnor Kaloçi
Pjesa e dymbëdhjetë
Memorie.al publikon një dosje që është siguruar para pak kohësh nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet dosja hetimore, gjyqësore dhe ajo e përpunimit të shtetasit Kasëm Hoxha, me origjinë nga fshati Markat i Sarandës dhe me banim, në SHBA që nga viti 1985, kur ai mundi të arratiset nga Shqipëria për në Greqi, pasi kishte vuajtur dhjetë vite në kampin e Spaçit, i dënuar për “agjitacion e propagandë, ndaj pushtetit popullor”. Në momentin e arrestimit, më 21 qershor të vitit 1973, nga ana e organeve të Sigurimit të Shtetit, të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Sarandës, në shtëpinë e tij i’u gjetën disa “materiale komprometuese”, si poezi dhe trakte, ku ai bënte thirrje “për përmbysjen e pushtetit popullor”., etj. Dosja në ngarkim të shtetasit Kaso Hoxha, (tashmë e de-klasifikuar) fillon me atë të përpunimit, ku organet e Sigurimit të Shtetit dhe Dega e Punëve të Brendshme e rrethit të Sarandës, bëjnë të gjithë përpjekjet, për të gjetur autorin e letrës “me përmbajtje të thellë armiqësore”, që ishte hedhur në qendër të fshatit Markat (me banorë të komunitetit çam), ku pas shumë kohësh, me ndihmën edhe të Laboratorit Qendror Kriminalistik, pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë, u bë e mundur, që të saktësohej dhe identifikohej se shkrimi në atë letër, ishte i Kaso Hoxhës, kjo solli edhe arrestimin e tij. Dosja në fjalë vazhdon me procesin hetimor dhe gjyqësor ndaj tij, ku ai pasi vuajti dhjetë vite në burgun e Spaçit, në nëntorin e 1982-in kthehet në fshatin e lindjes, Markat, ku që në ditët e para, ndaj tij fillon ndjekja dhe survejimi nga organet e Sigurimit të Shtetit, që kishin angazhuar jo vetëm disa bashkëpunëtorë të Sigurimit, por edhe familjarë të afërt të tij, kjo e detyroi Kaso, për t’i shpëtuar arrestimit, të arratisej nga Shqipëria, duke kaluar kufirin shtetëror, për në shtetin fqinjë, Greqi. Pas disa kohësh qëndrimi në Kampin e Llavros, fitoi statusin e azilantit politik, për të shkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku edhe atje, ndaj tij vazhdoi ndjekja e survejimi, nga ana e organeve të Sigurimit të Shtetit (Zbulimit Politik Shqiptar, që ishte i kamufluar me rezidenturën e tij, pranë Misionit Diplomatik në Organizatën e Kombeve të Bashkuara) dhe disa agjentëve të saj të fshehtë, deri në vitin 1991, që u shemb regjimi komunist në Shqipëri. Historia e Kaso Hoxhës, u bë e njohur pas botimit të librit të tij “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar”, që ai ia besoi në dorëshkrim Memorie.al, vjen tashmë nëpërmjet dokumenteve të Sigurimit të Shtetit, (ku ndodhen, raporte bashkëpunëtorësh të Sigurimit të Shtetit, me pseudonimet e tyre, letra, shënime, informacione, relacione, raport-informacione, përgjime me teknikë operative, etj., të oficerëve të Sigurimit të Shtetit, hetuesve, titullarëve të Degës së Punëve të Brendshme, të rrethit të Sarandës, etj., deri te rezidentura e Zbulimit Politik në SHBA, e agjentët e saj atje), të cilat fillojnë në vitin 1973 dhe përfundojnë në vitin 1991, kur dosja e tij u arkivua njëherë e përgjithmonë.
Vijon nga numri i kaluar
Dokumenti me letrën e Kaso Hoxhës, dërguar nga SHBA-ës, motrës së tij në Shqipëri, Fatbardha Hoxha Kushti
BATAVIA 5.III.1986
E dashur motër Bardhë!
Të kam shkruar edhe dy letra të tjera, por asnjë përgjigje. Pse? Psesë, mund t’i përgjigjem unë: Ke të drejtë motër, por më beso, se më detyruan njerëzit e ligj, që t’ju braktis, duke ju shtuar hallet, e ju shkaktova dhembje shpirtërore.
Por duhet të dish një gjë, se: unë jam Kasua, që s’i kam bërë keq kurrë njeriu, dhe as që ma qas shpirti një ndjenjë të tillë barbare, edhe pse s’më deshën njerëzit, unë do t’i dua më shumë dhe mbi të gjitha atdheun tim, baltën time.
Siç të kam shkruar edhe në letrën tjetër që unë do të krijoj familje së shpejti, thuaj nënës në qoftë se rron, të gëzohet dhe të mos mendojë, se djali i saj, është aventurier e rrugaç.
Po deshe, shkruam letër me këtë adresë të kësaj letre dhe thuam se ç’bën nëna tonë e verbër, apo mos vallë mbi varrin e saj ka mbirë bar?
Më shkruaj po deshe, unë s’kam tjetër njeri kujt t’i drejtohem, më shkruaj në qoftë se do t’ju dërgoj ndonjë gjë, apo lekë, mos mendo keq, se janë djersa dhe gjaku tim, unë kam detyrime ndaj jush dhe duhet t’i shlyej.
Mohomë sa të duash, unë jam vëllai yt, i mirë, ose i keq.
S’kam ç’të shkruaj më, të uroj shëndet në familje dhe fat!
Puthe për mua Mirelën dhe gjithë ca të dojë zemra ty!
I përunjur, vëllai yt, Kasua.
Dokumenti sekret i hartuar nga Punëtori Operativ, Aleksandër Thana dhe i miratuar nga Zv / Drejtori i Degës së III-të, Razip Leli dhe kryetari i Degës së IV-të të Sigurimit të Shtetit pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, Mëno Dedaj, lidhur me ndjekjen e survejimin e të arratisurit Kaso Hoxha, nëpërmjet agjenturës së Zbulimit Politik Shqiptar në SHBA-ës
MIRATOHET Sekret
ZV/DREJTORI I DEGËS SË III-të Ekzemplar i vetëm
RAZIP LELI Tiranë, më 30.3.1986
V E N D I M
PËR TË MARRË NË PËRPUNIM AKTIKV 2/A KASËM HOXHËN
Unë Punëtori operativ, Aleksandër Thana, efektiv i Degës IV të Drejtorisë së III-të, pasi studiova materialet në ngarkim të të arratisurit, Kasëm Hoxha
GJETA
Kasëm Hoxha është i biri i Çerçizit dhe e Nanes, i dt. 1951, lindur në Markat të rrethit të Sarandës, me arsim 8-vjecar, ish-kooperativist, i martuar me katër fëmijë, i dënuar njëherë, më 1974-ën, me dhjetë vjet heqje lirije, për agjitacion e propagandë armiqësore, me shtetësi dhe kombësi shqiptare.
Të afërmit e Kasos, nuk kanë mbajtur qëndrim të mirë. Rreth vitit 1956, është arratisur në Greqi, kushëriri i parë, Rexhep Hoxha, më vonë, kushëriri tjetër, i parë, Hiqmet Hoxha, është kapur në tentativë arratisjeje dhe është dënuar. Më 1967-ën, arratiset në Greqi, kushëriri i dytë, Zeqo Kola, dy vjet më vonë, arratiset një kushëri tjetër i parë, Selfo Hoxha.
Kasua është martuar me Mejdo Tare Bejkatin, nga Markati, familje me qëndrim të mirë. Kasua ka një motër të quajtur Fatbardha, e cila është e martuar me Idriz Kushtin – ky aktualisht në burg, shtatë vjet heqje lirie për përvetësim të pasurisë socialiste.
Vetë Kasua, më 1972-in është marrë në përpunim aktiv për agjitacion e propagandë dhe në 1973-in, është dënuar me dhjetë vjet heqje lirie, dënim të cilin e ka vuajtur në kampin e Spaçit, prej nga lirohet më 1982-in, duke përfituar nga amnistia. Pas kësaj kohe, ka qenë në përgjim 2/B, nga Dega e Punëve të Brendshme Sarandë.
Me datën 29.7.1985, Kaso Hoxha, është arratisur në Greqi. Fill pas arratisjes, atje ka dhënë intervistë me shprehje shumë armiqësore për shtypin grek, kundër vendit tonë. (Këto nuk janë evidentuar në dosjen e tij).
Sipas udhëzimeve tona, rezidentura e New Yorkut, ka porositur B.p. “6856”, për të biseduar me Kaso Hoxhën, që ta bindte e të kthehej në atdhe, gjatë kohës që ndodhej në Greqi, por ai, (Kasua), nuk ka pranuar.
Në Greqi, ka ndenjur rreth tre muaj në kampin e Llavrios, dhe pas kësaj kohe, ka shkuar dhe është vendosur në SHBA-ës, në Çikago, gjë për të cilën e ka ndihmuar kushëriri i tij, i parë, Rexhep Hoxha, me banim atje. Edhe në SHBA-ës, qëndrimi i tij ndaj vendit tonë, është armiqësor.
Më 26.11.1985, ka dërguar një letër në adresë të Komitetit Qendror të PPSH-së, dhe Presidiumit të Kuvendit Popullor, në të cilën shpreh pakënaqësitë e tij, për gjoja trajtimin e keq, që i është bërë, nga organet e disa persona të pushtetit në rreth, si dhe për gruan, të cilën e konsideron si shkaktare të fatkeqësive të tij.
Veç këtyre, në fund të letrës, ai shprehet se jetën e tij personale, që sipas tij, është e mbushur me vuajtje në vendin tonë, parashikon ta shkruaj e ta botojë në një libër me përmbajtje armiqësore, kundër vendit tonë.
Për sa sipër,
V E N D O S A:
Që të arratisurin Kasëm Hoxha, ta marrë në përpunim aktiv 2/A, për të zbuluar, përpunuar e parandaluar veprimtarinë e tij armiqësore, kundër vendit tonë. Duke bërë edhe ndryshimet përkatëse në Kartotekë.
PUNËTORI OPERATIV KRYETARI I DEGËS SË VI
ALEKSANDËR THANA MËNO DEDAJ
Dokumenti me letrën operative dhe planin e detyrave të përgatitur nga Punëtori Operativ i Sigurimit të Shtetit me pseudonimin “Gjahtari” dhe i miratuar nga rezidenti i Zbulimit Politik Shqiptarë në New York, me pseudonimin “Vullkani”, lidhur me ndjekjen e survejimin e Kaso Hoxhës në SHBA-ës
LETËR OPERATIVE SEKRET
EKZEMPLAR I VETËM
POZITË, MË 28.7.’86
PLAN DETYRASH NË DREJTIM TË KASO HOXHËS
Për të zbuluar dhe parandaluar veprimtarinë e Kaso Hoxhës, kundër vendit tonë, do të kryhen këto detyra:
- Të zbulojmë lidhjet e mundshme të Kaso Hoxhës, me Zbulimin Grek dhe atë Amerikan, udhëzimet e marra dhe detyrat e caktuara, për veprime kundra nesh.
- Të thellohet përpunimi i tij, nëpërmjet burimit “6856” dhe “6854”, për të siguruar hollësira rreth kohës së tij në burg në vendin tonë, për periudhën pas daljes nga burgu, personat që ai ka dijeni, e që kanë shfaqur tendenca për t’u arratisur, për kohën pas arratisjes në Greqi dhe SHBA-ës, kontaktet që ka marrë dhe bisedat që ka zhvilluar.
- Lidhjet e tij me Ilia Lekën, bisedat që ka zhvilluar me të, për çfarë personash ka treguar Ilia Leka në vendin tonë, çfarë i ka premtuar Kasos dhe për çfarë veprimesh kundër nesh është biseduar.
- Bisedat e bërë me Kryepeshkopin Serafin, për çka është interesuar Serafini, për të mësuar për vendin tonë, nëpërmjet tij, çfarë porosish e premtimesh, i ka bërë, me cilat lidhje e ka rekomanduar të takohet në Greqi, etj.
- Të dhëna për lidhjet e Kaso Hoxhës në Filat të Greqisë me personat që ka qenë në burg në vendin tonë, çfarë marrëdhëniesh ka pasur me ta, çfarë bisedash ka zhvilluar gjatë kohës në burg me ta dhe gjatë kohës kur është takuar me ta në Greqi, etj.
- Hollësira rreth bisedës së Kaso Hoxhës, me ambasadorin amerikan në Greqi, çfarë porosish e detyra i ka ngarkuar ai, për në SHBA-ës, kundër vendit tonë. Të dhëna të mëtejshme rreth bisedës së tij me dy punonjësit jugosllav që ju hoqën si gazetar dhe që kishin ardhur direkt nga Beogradi, për t’u takuar me të, për çfarë e kanë pyetur dhe për çfarë janë interesuar, etj.
- Të ndiqen nga afër lëvizjet e kontaktet e tij në SHBA-ës, dhe t’i bëhet presion nga ana e burimit “6856”, për të mos e shkruar librin, kundër vendit tonë, e ta shkëpusë nga shoqëria me Bilal Xhaferin.
- T’i bëhet presion nga ana e familjes, vajzës, gruan, nënën, dy motrave, që të mos angazhohet në veprimtari armiqësore kundër vendit tonë.
Për realizimin e këtyre detyrave, do të angazhohen burimet “6856” dhe “6854”, dhe burime të tjera të rezidenturës. Memorie.al
PUNËTORI OPERATIV REZIDENTI
“GJAHTARI” “VULLKANI”
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016