Dashnor Kaloçi
Pjesa e shtatë
Memorie.al publikon një dosje që është siguruar para pak kohësh nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet dosja hetimore, gjyqësore dhe ajo e përpunimit të shtetasit Kasëm Hoxha, me origjinë nga fshati Markat i Sarandës dhe me banim, në SHBA që nga viti 1985, kur ai mundi të arratiset nga Shqipëria për në Greqi, pasi kishte vuajtur dhjetë vite në kampin e Spaçit, i dënuar për “agjitacion e propagandë, ndaj pushtetit popullor”. Në momentin e arrestimit, më 21 qershor të vitit 1973, nga ana e organeve të Sigurimit të Shtetit, të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Sarandës, në shtëpinë e tij i’u gjetën disa “materiale komprometuese”, si poezi dhe trakte, ku ai bënte thirrje “për përmbysjen e pushtetit popullor”., etj. Dosja në ngarkim të shtetasit Kaso Hoxha, (tashmë e de-klasifikuar) fillon me atë të përpunimit, ku organet e Sigurimit të Shtetit dhe Dega e Punëve të Brendshme e rrethit të Sarandës, bëjnë të gjithë përpjekjet, për të gjetur autorin e letrës “me përmbajtje të thellë armiqësore”, që ishte hedhur në qendër të fshatit Markat (me banorë të komunitetit çam), ku pas shumë kohësh, me ndihmën edhe të Laboratorit Qendror Kriminalistik, pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë, u bë e mundur, që të saktësohej dhe identifikohej se shkrimi në atë letër, ishte i Kaso Hoxhës, kjo solli edhe arrestimin e tij. Dosja në fjalë vazhdon me procesin hetimor dhe gjyqësor ndaj tij, ku ai pasi vuajti dhjetë vite në burgun e Spaçit, në nëntorin e 1982-in kthehet në fshatin e lindjes, Markat, ku që në ditët e para, ndaj tij fillon ndjekja dhe survejimi nga organet e Sigurimit të Shtetit, që kishin angazhuar jo vetëm disa bashkëpunëtorë të Sigurimit, por edhe familjarë të afërt të tij, kjo e detyroi Kaso, për t’i shpëtuar arrestimit, të arratisej nga Shqipëria, duke kaluar kufirin shtetëror, për në shtetin fqinjë, Greqi. Pas disa kohësh qëndrimi në Kampin e Llavros, fitoi statusin e azilantit politik, për të shkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku edhe atje, ndaj tij vazhdoi ndjekja e survejimi, nga ana e organeve të Sigurimit të Shtetit (Zbulimit Politik Shqiptar, që ishte i kamufluar me rezidenturën e tij, pranë Misionit Diplomatik në Organizatën e Kombeve të Bashkuara) dhe disa agjentëve të saj të fshehtë, deri në vitin 1991, që u shemb regjimi komunist në Shqipëri. Historia e Kaso Hoxhës, u bë e njohur pas botimit të librit të tij “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar”, që ai ia besoi në dorëshkrim Memorie.al, vjen tashmë nëpërmjet dokumenteve të Sigurimit të Shtetit, (ku ndodhen, raporte bashkëpunëtorësh të Sigurimit të Shtetit, me pseudonimet e tyre, letra, shënime, informacione, relacione, raport-informacione, përgjime me teknikë operative, etj., të oficerëve të Sigurimit të Shtetit, hetuesve, titullarëve të Degës së Punëve të Brendshme, të rrethit të Sarandës, etj., deri te rezidentura e Zbulimit Politik në SHBA, e agjentët e saj atje), të cilat fillojnë në vitin 1973 dhe përfundojnë në vitin 1991, kur dosja e tij u arkivua njëherë e përgjithmonë.
Dokumenti me vendimin e Gjykatës të rrethit të Sarandës në vitin 1973, i kryesuar nga kryetari Telemak Kaçi, mbi dënimin e Kasëm Hoxhës, me dhjetë vjet heqje lirie, me akuzën e agjitacionit e propagandës, kundër pushtetit popullor
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
GJYKATA POPULLORE SARANDË
VENDIM N’EMËR TË POPULLIT
Gjykata Popullore e Sarandës, e përbërë prej:
Kryetarit të seancës gjyqësore, Telemak Kaçi
Nd/gjyqtar të seancës gjyqësore, Lare Xhai
Nd/gjyqtar i senacës gjyqësore, Rustem Qerimi
Të asistuar prej sekretares, Irini Voda, me pjesëmarrjen e prokurorit Spiro Peçi, më datën 29/8/1973, shqyrtohet në seancë gjyqësore me dyer të hapura, çështjen penale, nr.84, që i përket të pandehurit KASËM HOXHA, biri i Çerçizit dhe i Hanes, me dt.1951, lindur dhe banues në Markat, i martuar me dy fëmijë, i padënuar, pa parti, me arsim 8-vjeçar, shërbimin ushtarak të kryer, me origjinë shoqërore të varfër, e gjendje kooperativisti, i arrestuar më 21.6.1973.
I akuzuar: Se ka agjituar e propaganduar kundër pushtetit popullor, duke kryer krimin e parashikuar nga neni 73/1 të Kodit Penal.
Gjykata pasi shqyrtoi materialet e Hetuesisë, provat e marra gjatë zhvillimit të gjykimit, pasi dëgjoi prokurorin i cili kërkoi dënimin e të pandehurit me 10 vjet heqje lirie, fjalën e fundit, të të pandehurit, që kërkoi mëshirë:
V Ë R E N
I pandehuri Kasëm Hoxha, duke qenë armik i pushtetit popullor, ka filluar qysh nga viti 1969, të agjitojë e propagandojë, kundër Pushtetit Popullor.
U provua se ky, i pandehur, para se t’i arratisej kushëriri i parë i tij, Selfo Hoxha, ka zhvilluar me të biseda ku shfaqte pakënaqësitë e tij kundër pushtetit popullor.
Më vonë, kur ky shkoi për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak, ka biseduar me Thoma Miçonin, duke i thënë se, bën mirë kushërinjtë e tij që janë arratisur në Greqinë Monarko-fashiste, se nga katundi i tij, janë arratisur shumë njerëz dhe se në këtë regjim, janë mbushur burgjet dhe kampet.
Mbasi i pandehuri u kthye nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak, e ka shtuar më shumë aktivitetin e tij armiqësor. Kështu, i pandehuri, më datën 20.5.1973, mbasi shkroi në shtëpinë e tij një letër me përmbajtje shumë të thellë armiqësore dhe e hodhi këtë në qendër të fshatit Markat, duke bërë thirrje për ngritjen e fshatarëve kundër pushtetit popullor.
Në këtë letër, shkruante: “Vite të rinj, por vitet janë të zeza. Me këto pak fjalë, të dashur shqiptarë, dua të përshkruaj vuajtjet tuaja të panumërta. Me këtë titull, mund të shkruash një roman të gjithë. Kështu or vëllezër, nuk durohet, prandaj duhet të ngrihemi të gjithë në këmbë, që të fitojmë të drejtat tona. Besoj se më kuptoni. Poshtë Partia me Envert Hoxhën në krye. Lavdi grupit tonë me në krye Teme Sejkon e Tahir Demin”.
Sa sipër, u provua nga letra që ndodhet në dosje, që është shkruar nga i pandehuri dhe që ka një përmbajtje të thellë armiqësore, me aktin e ekspertimit grafik dhe me thëniet e dëshmitarit, Thoma Miçoni.
Në rrethanat e sipërme, i pandehuri ka kryer krimin e parashikuar nga neni 73/.1 i Kodit Penal.
Gjykata në masën e dënimit ka parasysh rrezikshmërinë e madhe të krimit, ka parasysh personalitetin e të pandehurit, përbërjen e tij shoqërore, ka parasysh mënyrën se si e ka kryer krimin e agjitacionit e propagandës, dhe si pasojë, në rastin konkret, ka vend të aplikohet maksimumi i dënimit që parashikohet në këtë krim.
P. K. A.
Trupi gjykues e në bazë të nenit 278 e 279 të Kodit Procedurës Penale
V E N D O S I
Të deklarojë fajtor të pandehurin Kasëm Hoxha, për krimin e agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor dhe në bazë të nenit 73/1 i K.P. e dënon me 10 vjet heqje të lirisë.
Vuajtja e dënimit, fillon nga data 21.6.1973.
Shpenzimet e gjyqit, të pandehurit.
Kundër vendimit, mund të bëhet ankimim në Gjykatën e lartë, brenda afatit ligjor.
U shpall në Sarandë, sot më datën 29.8.1973
Kryetari
Dokumenti i hartuar nga Punëtori Operativ Maksim Tase dhe Shefi i Seksionit të Kundër-Zbulimit të Kufirit, Enver Ademi, i miratuar nga Zv / Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të Sarandës, Sami Resuli, për marrjen nën survejim të Kasëm Hoxhës, në kontroll operativ 2/B
MIRATOHET SEKRET
ZV/KRYETARI I DEGËS P. TË BRENDSHME EKZEMPLAR I VETËM
SAMI RESULI SARANDË, MË 28.1.1983
V E N D I M
PËR MARRJEN NË KONTROLL OPERATIV 2.B, TË KASËM HOXHËS NGA FSHATI MARKAT
Unë Punëtori Operativ, Maksim Tase, pasi studiova materialet në ngarkim të Kasëm Çerçiz Hoxhës nga fshati Markat
GJETA:
Se Kasëm Hoxha, i dt. 1951, lindur dhe banues në fshatin Markat të rrethit të Sarandës, me arsim 8-vjeçar dhe me profesion bujk, i dënuar, i paorganizuar, i martuar dhe me dy fëmijë, me kombësi dhe me shtetësi shqiptare, me origjinë shtrese e varfër fshatare dhe me gjendje, anëtarë të Kooperativës Bujqësore, Konispol.
Qëndrimi politik i familjes së të përmendurit, para dhe gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, ka qenë i mirë.
Pas çlirimit të vendit, qëndrimi politik i familjes së tij, s’ka qenë i mirë, pasi në vitin 1956, i arratiset në Greqi, kushëriri i parë, Rexhep Hoxha, kurse, në ngarkim të vetë të përmendurit, në vitin 1972, dolën të dhëna se kishte shkruajtur një letër anonime armiqësore, kundër Pushtetit Popullor.
Mbi bazën e të dhënave të grumbulluara, për gjetjen e autorit të letrës anonime, i përmenduri, merret në përpunim aktiv 2/A, me datën 13.9.1972, pasi nga ekspertiza që i’u bë dorëshkrimit të tij, dhe letrës anonime, rezultoi se ishte shkruar nga vetë i përmenduri.
Gjatë procesit të përpunimit aktiv 2/A, aktiviteti armiqësor i të pandehurit, u dokumentua dhe nga ana ligjore……në vitin 1973, arrestohet dhe dënohet me 10 vjet heqje lirie, për krimin e agjitacionit dhe propagandës kundër Pushtetit Popullor.
Më datën 15.11.1982, i përmenduri, lirohet pasi përfitoi nga amnistia dhe aktualisht, është vendosur me banim në fshatin Markat, të rrethit Sarandë.
Meqenëse i përmenduri ka zhvilluar aktivitet armiqësor kundër Pushtetit Popullor, në formën e agjitacionit e propagandës, krim për të cilin është dënuar, është në moshë të re dhe në gjendje të mirë shëndetësore, dhe mund të riaktivizohet në veprimtari armiqësore:
V E N D O S A
Që Kasëm (Kaso), Çerciz Hoxhën, ta marrë në kontroll operativ 2/B, si i dënuan për agjitacion e propagandë armiqësore, kundrejt pushtetit popullor, duke marrë të gjitha masat, për zbulimin në kohë të çdo aktiviteti të tij të mundshëm armiqësor.
Sa sipër, të bëjë veprimet në Kartotekë.
PUNËTORI OPERATIV SHEFI I SEKSIONIT K.ZB.KUFIRIT
MAKSIM TASE ENVER ADEMI
Dokumenti sekret i hartuar nga Punëtori Operativ Maksim Tase dhe Shefi i Seksionit të Kundërzbulimit të Kufirit, Enver Ademi, i miratuar nga Zv / Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të Sarandës, Sami Resuli, me detyrat për kontrollin operativ 2/B, të Kasëm Hoxha
“SEKRET”
Ekzemplare i vetëm
Sarandë me 28.12.1983
DETYRA
NË DREJTIM TË OBJEKTIT NË KONTROLL OPERATIV 2/B KASEM HOXHA
Kasem Çerçiz Hoxha nga fshati Markat i rrethit Sarandë është në kontroll operativ 2/B për agjitacion dhe propaganda armiqësore kundër Pushtetit Popullor.
Me qëllim për tu sinjalizuar në kohë për riaktivizimin e tij në aktivitetet armiqësore në drejtim të objektit do të merren këto masa agjenturore operative:
- Në drejtim të objektit do të drejtohet B.p. “Elektriku”, për të mësuar se çfarë komenton lidhur me politikën e Partisë në fusha të ndryshme të jetës, për veprimtarinë armiqësore të M. Shehut dhe K. Hazbiut, nëse është i lidhur me punën dhe familjen etj.
Kryen Punëtori Operativ Maksim Tase në vazhdim.
Kontrollon shefi i Seksionit K. Zb. Kufirit.
- Në drejtim të objektit të drejtohet dhe B.p. “Teli”, për të mësuar se çfarë komenton lidhur me masën e dënimit që i është dhënë për krimin e kryer, për gjendjen ekonomike në vendin tonë, për marrëdhëniet që ka me kushërinjtë Rexhep Hoxha dhe Zeqo Kola, të cilët janë arratisur në Greqi etj.
Kryen Punëtori Operativ, Maksim Tase në vazhdim.
Kontrollon shefi i Seksionit, Enver Ademi
- Për të na sinjalizuar për lëvizjet e dyshimta të objektit mos lidhjen e tij me; punën dhe familjen etj., do të drejtohet B.p. “Luani” dhe patriotët Sh. Kapo e M. Kola.
Kryen Punëtori Operativ, Maksim Tase në vazhdim.
Kontrollon shefi i Seksionit, Enver Ademi.
- Të koordinohet puna me postën kufitare Janjar, me qëllim për t’ua bërë të njohur atyre, si element të dënuar për veprimtari armiqësore dhe meqenëse është në moshë të re, mund të kryejë dhe ndonjë akt të mprehtë armiqësore. Për këtë do të porositet patrioti Sh. Kapo që, sa herë do të marrë leje-kufitare për të shkuar në Janjar, të njoftohemi me qëllim për të forcuar masat.
Në fshatin Janjar, do të porositet dhe patrioti N. Mehmeti që, sa herë objekti të vejë në Janjar, të ketë nën kontroll lëvizjet e tij.
Kryen Punëtori Operativ, Maksim Tase në vazhdim.
Kontrollon shefi i Seksionit, Enver Ademi.
- Detyrat e ngritura të analizohen herë pas here dhe në bazë të materialeve që do të dalin, të vendoset se çfarë duhet bërë më tej. Memorie.al
PUNËTORI OPERATIV SHEFI I SEKSIONIT K.ZB. KUFIRIT
MAKSIM TASE ENVER ADEMI
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016