Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të familjes së madhe shkodrane, Dedaj, ku i pari i tyre, Shan Deda, kishte kryesuar delegacionin e Shkodrës në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit në vitin 1878 dhe më pas, ata u bënë shumë të njohur si një nga familjet e aristokrate të atij qyteti, me pasuri dhe prona të shumta që erdhën si rezultat i aktivitetit të tyre tregtar. Si u shkollua Lin Deda në shkollat dhe akademitë ushtarake në Hungari dhe Austri, emërimi i tij nga Mbreti Zog si përfaqësues ushtarak pranë Prefekturës së Shkodrës, miqësia me profesorin francez, Pol Guzhon dhe elitën aristokrate të qytetit të Shkodrës, e deri tek miqësia e ngushtë me Mbretin Zog që e dërgonte Linin me detyra të posaçme edhe jashtë Shqipërisë dhe në ballon që u organizua në qytetin e Shkodrës me rastin e festimeve të martesës së Mbretit Zog, atij iu rezervua vallëzimi i parë. Si qëndroi Lin Deda në detyrën e tij si ushtarak edhe gjatë periudhës së pushtimit të vendit dhe si arriti ai të shpëtonte qytetin e Shkodrës nga minat e gjermanëve dhe përse komunistët e dënuan me vite të gjata burgu dhe internimi atë dhe vëllezërit e tjerë, ku pas lirimit nga burgu, për të nxjerrë bukën e gojës, ai u detyrua që të bënte kafaz zogj dhe çarqe minjsh…
Në ajkën e aristokracisë shkodrane
Lin Deda, pasi mbaroi studimet në Vjenë, u kthye në vendlindjen e tij në Shkodër, ku fitoi një autoritet të madh në atë qytet, duke u futur në elitën aristokrate shkodrane. Sipas dëshmive të bashkëkohësve të tij, ai vishej gjithmonë me uniform ushtarake që i shkëlqente dhe ecte gjithmonë rrugës nga Prefektura për te Zyra e Rekrutimit, i shoqëruar nga dy ushtarë që ishin rojet e tij. Domenika Daragjati vajza e motrës së Linit (Angjes) kujton: ”Nëna ime Angjia së bashku me motrat Matildën, Lizën dhe Pinën, mburreshin me vëllanë e tyre, Linin, që ishte ushtarak dhe që gëzonte një autoritet të madh në gjithë qytetin e Shkodrës. Në atë kohë ishte një kënaqësi e madhe sepse oficerët me uniformë ishin të pakët”.
Lini e kujtojnë si një njeri tepër të zgjuar dhe që kishte fituar një kulturë evropiane duke njohur dhe disa gjuhë të huaja. Ai në Shkodër kishte një miqësi të ngushtë me francezin, Pol Guzhon, i cili së bashku me zonjën e tij, jepnin mësime në gjimnazin e qytetit. Lini vazhdimisht rrinte me Guzhon-in në Kafen e Madhe dhe flisnin frëngjisht, duke diskutuar për letërsinë franceze dhe atë botërore, për të cilat Lini kishte një njohuri të madhe dhe të thellë. Po kështu nga mesi i viteve 30-të kur këngëtarja e famshme Tefta Tashko Koço, bëri një turne në qytetin e Shkodrës, e shoqëruar prej Asdrenit e Lasgush Poradecit, gjatë gjithë atyre ditëve ata qëndruan nën shoqërinë e Lin Dedës, me të cilin zunë një miqësi të ngushtë. Gjatë vizitës që sopranoja Tashko, me Asdrenin e Lasgushin bënë në shtëpinë e Linit, ata u habitën me librat e shumtë në frëngjisht, italisht dhe gjermanisht që ai kishte në bibliotekë. Thuhet se Lasgushi me Asdrenin e vlerësuan shumë atë për kulturën dhe njohuritë e thella që ai kishte për letërsinë botërore.
Miku i ngushtë i Ahmet Zogut
Kur Zogu erdhi në fuqi në dhjetorin e vitit 1924, e emëroi Linin si përfaqësues ushtarak pranë Prefekturës së Shkodrës me gradën e majorit, ku ai punoi për vite me radhë. Që nga ajo kohë, Lini u lidh me një miqësi të ngushtë me Ahmet Zogun, duke qenë kofident i tij dhe pas Musa Jukës dhe Serreqve, Lin Deda ishte mbështetja më e madhe e Kryetarit të Shtetit në atë qytet. Kjo dëshmohet dhe nga fakti se Mbreti Zog në vitin 1938 kur bëri ceremoninë e martesës, i bëri Lin Dedës një ftesë të veçantë. Zogu e priti Linin në shtëpi me rrethin e ngushtë të oborrit të tij dhe ai mori pjesë në ballon e darkës së martesës. Para kësaj, kur në të gjitha rrethet u organizuan ceremonitë me rastin e martesës së Mbretit Zog, në qytetin e Shkodrës, Mbreti ja besoi Linit atë gjë, i cili hapi dhe dancingun e mbrëmjes zyrtare duke kërcyer vetë i pari. Lidhur me miqësinë e ngushtë me Mbretin Zog, në kujtimet e tij midis të tjerash, Lini ka shkruar: ”Në harkun kohor të shtatë viteve, unë e kam njohur karakterin e fortë të Mbretit Zog në momentet më ekstreme të jetës së tij. Njëherë në Vjen në 1931-in kur ju bë atentati, që mbeti i vrarë major Llesh Topollaj dhe në vitin 1938 gjatë martesës me Geraldinën, ku si i ftuar kam qenë prezent dhe kujtoj dancingun e parë e shumë ngjarje të tjera të këndshme të asaj dite. Në vitin 1938 në festimet e bujshme që bëri Mbreti Zog me rastin e 15 vjetorit të Monarkisë, unë kisha një barrë jo të vogël në qytetin e Shkodrës, për vetë mënyrën e organizimit dhe mbarëvajtjen e atyre aktiviteteve që u konsideruan me sukses. Në mbrëmjen madhështore në Kafen e Madhe ku ishte ftuar elita e Shkodrës, si profesorët e gjimnazit, doktorët, inxhinierët, artist e tregtar etj., ku shumica e tyre kishin mbaruar studimet e larta në universitetet e Evropës, pas shumë urimeve që u bënë në shqip, ato filluan të bëhen dhe në gjuhët ku ata kishin studiuar”.
Në Paris me kostum kombëtar
Gjatë viteve që major Lin Deda shërbeu në qytetin e Shkodrës, nisur dhe nga gjendja e kënaqshme ekonomike e familjes së tij, ku vëllezërit vazhdonin tregtinë e suksesshme, ai bëri shumë vizita në shtete të ndryshme të Europës. Sipas disa dëshmive, bëhet e ditur se në më të shumtën e rasteve ai shkonte i ngarkuar me misione kofidenciale nga Mbreti Zog. Lidhur me këto vizita të shpeshta në kujtimet e tij Lini ka shkruar: ”Pak ditë pasi përfunduan festimet e 15 vjetorit të Monarkisë, u nisa për në Paris për të kaluar Vitin e Ri në atë kryeqytet që unë e kisha vizituar disa herë. Për mua ishin të njohura shumica e rrugëve, monumenteve dhe shumë kurioziteteve që mbante në vete ai qytet, prej të cilave mua shpesh herë më dukej vetja i shkëputur nga realiteti. Mbasi arrita në Paris dhe zura vend në hotelin që më kishte rekomanduar miku im Pol Guzhon-i, dola duke shëtitur e parë vitrinat ku ndjehej aroma e një vendi të kulturuar. Në restorantin e hotelit ku çdo vit organizohej mbrëmja e vitit të ri, nën tingujt e muzikës filloi të këndojë këngëtarja e famshme Josefin Beker, këngët e së cilës unë i kisha në pllakat e gramafonit në shtëpinë time në Shkodër. Shikoja që në atë mbrëmje mua nuk më kushtonte asnjeri vëmendje, e u ngjita lart në dhomë ku vesha kostumin kombëtar shqiptar. Hyrja ime me atë kostum, elektrizoi gjithë sallën saqë të gjithë m’u afruan e më pyesnin, kush isha e nga vija. Unë ju përgjigja krenar se isha major i ushtrisë Mbretërore Shqiptare dhe kisha shkuar aty për të kaluar natën e Vitit të Ri. Kjo dhe diksioni që i jepja gjuhës frënge, ngjalli dhe më shumë kuriozitetin tek të pranishmit në atë sallë, që nuk m’u ndanë deri në orët e para të mëngjesit. Disa prej tyre mu lutën që unë të rrija përgjithmonë në Paris, por unë ju thashë se isha ushtarak dhe atdheu im ishte Shqipëria”.
Takimet me anglo-amerikanët
Lin Deda qëndroi në radhët e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare me gradën e majorit dhe pas pushtimit të vendit nga Italia fashiste. Po kështu edhe në kohën kur në Shqipëri hynë trupat gjermane, Lini qëndroi si ushtarak me gradën e majorit dhe u bë mik i gjermanëve, sidomos me majorin Hauzding, që ishte shefi i Gestapos në Shkodër. Ndonëse Lini u lidh me gjermanët, për shkak të simpative dhe kulturës së tij që kishte fituar në shkollat austriake, ai kurrë nuk u bë vegël e tyre. Miqësia e tij me majorin e Gestapos, Hauzding dhe me oficerët e tjerë gjerman, nuk kishte asnjë lidhje tjetër. Bindjet e Linit ishin monarkiste dhe ai ishte nacionalist i vendosur. Po kështu asokohe gjatë pushtimit Italian dhe gjerman edhe vëllezërit e tjerë e gjithë familja Dedaj, nuk u përzien fare me punët e politikës. Ndonëse kishte një kulturë gjermanike, Lini ishte simpatizant i flakët i forcave aleate anglo-amerikane. Kjo dëshmohet dhe nga fakti që kur misioni anglo-amerikan shkoi e u vendos në fshatin Bardhaj aty nga fundi i 1943-it, major Lin Deda së bashku me djalin e motrës së tij, Simon Daragjatin, shkuan dhe u takuan gjatë me ta. Takimin e fshehtë të Linit me ushtarakët anglo-amerikanë e zbuluan njerëzit e Gestapos dhe gjermanët deshën ta pushkatonin atë. Por rreth kësaj ngjarje nuk ka të dhëna dhe dëshmi që të hedhin dritë e të tregojnë se si mundi të shpëtojë Lini nga pushkatimi i gjermanëve, pas takimit që bëri me misionin ushtarak anglo-amerikan në fshatin Bardhaj.
Shpëton Shkodrën nga gjermanët
Gjatë gjithë periudhës së pushtimit gjerman, Lin Deda qëndroi në Shkodër ku vazhdonte të kishte një popullaritet të madh sidomos në radhët e parisë nacionaliste të atij qyteti, ku pjesa më e madhe aderonin me Ballit Kombëtar. Kështu gjatë atentatit që komunistët shkodranë i bënë major Ndrec Prengës, Komandantit të Xhandarmërisë së Shkodrës dhe nënkolonel Adem Boletinit, (djali i Isa Boletinit), Lini së bashku me një grup oficerësh u ndodh në Kafen e Madhe, para së cilës u krye dhe atentati. Pas këtij atentati paria nacionaliste e “Besëlidhjes së Shkodrës” me në krye Gjon Markagjonin, donin të bënin reprezalje tek komunistët për të marrë hakun e tyre, por mes të tjerash ishte dhe ndërhyrja e Lin Dedës, gjë e cila bëri të uleshin deri diku gjakrat dhe të mos merrej haku ashtu siç dhe ishin betuar disa besnikë të Kapidanit të Mirditës!
Në ditët e fundit të nëntorit të 1944-ës kur gjermanët po largoheshin nga qyteti i Shkodrës, ata bënë dhe minimin e qytetit. Por sipas disa dëshmive, pas kësaj, Lin Deda ndërhyri pranë komandës së tyre dhe ju lut që të çminoheshin të gjitha objektet në qytetin e Shkodrës, që ishin gati për tu hedhur në erë. Pas fjalëve të Linit, gjermanët ndryshuan mendimin dhe në çastet e fundit para se të largoheshin, dërguan një ushtar me motoçikletë, i cili bëri çminimin e objekteve kryesore që do të hidhnin në erë. Një dëshmi tjetër bën të ditur se për takimin që Lini bëri me gjermanët, u nxit nga krerët e forcave partizane që ishin dislokuar në periferitë lindore të qytetit. Po kështu gjermanët gjatë largimit nga Shkodra, ju lutën atij që ta merrnin me vete, por ai nuk pranoi sepse nuk e ndjente veten aspak të kompromentuar.
Vëllezërit Dedaj, pushkatohen nga komunistët
Mbas përfundimit të Luftës, me ardhjen e komunistëve në pushtet, për familjen Deda-j, do të fillonin ditë të vështira. Kështu hapi i parë që bëri shteti komunist ndaj tyre ishte sekuestrimi i pasurisë, si shtëpitë dhe dyqanet, e llogaritë bankare. Lini, duke e ndjerë veten të pastër, nuk u fsheh dhe fillimisht komunistët nuk e trazuan. Ndryshe nga Lini, vëllai tjetër Pjetri, doli në mal duke u bashkuar me forcat e rezistencës antikomuniste dhe ai ishte një nga krerët kryesor që mori pjesë me armë në dorë në Lëvizjen e Postribës në vitin 1945 dhe u vra duke luftuar në mal me Forcat e Ndjekjes në një shpellë së bashku me gruan e tij. Pas vrasjes së Pjetrit, u arrestua dhe vëllai tjetër Keli, i cili u pushkatua në vitin 1947. Vëllai tjetër Deda u arrestua e u dënua me 10 vite burg politik e ju sekuestrua dhe pasuria që kishte në emër të tij.
Pas vrasjes së Pjetrit dhe arrestimit të Dedës, nga fillimi i 1946-ës komunistët arrestuan dhe Linin, e bashkë me të u arrestua dhe nipi i tij (djali i motrës) Zef Tirifoni dhe të dy u dënuan me nga 15 vite burg. Fati tragjik prej furisë komuniste nuk përfundoi vetëm me djemtë e Shan Dedës, por ajo vazhdoi dhe me vajzat e tij. Pas dënimit të Zef Tirifonit, djalit të Pinës (babai tij Toni kishte punuar në konsullatën angleze në Durrës), motrës tjetër Lizës, i dënuan burrin Gjon Serreqin, me burg të gjatë politik, duke e lënë pa asnjë përkrahje vetëm me dy fëmijët e vegjël Agetinën e Guljelmin. Po kështu dhe djali i Angjes (motra e madhe e vëllezërve Dedaj), Simon Daragjati, u arrestua dhe duke mos duruar dot torturat, u hodh nga kati i tretë i hetuesisë në Shkodër, (sipas versionit zyrtar), por thuhet se e hodhën vetë hetuesit. Lidhur me arrestimet e dënimet e familjes Deda, nipi i tyre Pjetër Çoba kujton:”Nëna ime shpesh qante për fatin e vëllezërve të saj, e sidomos më të voglit, Linit, që ishte i vetëm, pse fati e deshi të ngelej pa u martuar. Nëna e ndoqi Linin gjithmonë nga burgu në burg e në internime, me sakrifica të mëdha duke i çuar ndonjë strajcë me ushqime që e hiqnim nga racioni jonë”.
Lini doli nga burgu në vitin 1960-të dhe më pas bëri dhe pesë vite të tjera internim në Tragjas të Vlorës, ku për të jetuar, rregullonte çadra e çarqe minjsh,”zanat” të cilin e kishte mësuar në burg. Kur u kthye në qytetin e Shkodrës, Linin e mori ta mbante në shtëpi motra Matilda. Por ai duke mos dashur t’i bëhej barrë asaj, filloi të punonte me “zanatin” e vjetër të rregullimit të çadrave. Përveç rregullimit të çadrave, Lini përgatiste për të shitur disa skulptura me modele italiane, të cilat i kishte ruajtur që nga vitet 1930-të. Po kështu dhe Deda gjatë kohës që kishte qenë në burg, duke mos pasur asnjë ndihmë, bënte çarqe minjsh e kafaze zogjsh për t’i shitur. Pas shumë vitesh burg, Deda shkoi në Lezhë dhe vdiq tek vajza e tij që punonte pastruese shkallësh. Lini, duke qenë më i vogëli i fëmijëve, pati fatin të jetonte më gjatë nga e gjithë familja e Shan Dedës, njeriut që udhëhoqi delegacionin e Malësisë së Shkodrës në Lidhjen e Prizrenit, gjë e cila u përjetësua dhe nga Padër Gjergj Fishta në “Lahuta e Malëcisë”. Ky ishte fati tragjik me pushkatime, burgje e internime që përjetoi nën pushtetin komunist të Enver Hoxhës, familja e tregtarëve Dedaj, që dikur shkëlqenin me madhështinë e punës së tyre, në të gjithë qytetin e Shkodrës. I fundmi i tyre Lini, që jetoi deri në vitin 1982, teksa qëndronte në Kafen e Madhe të qytetit të Shkodrës, thuhet se sillte ndërmend gjithë historinë e tij dhe të familjes, e me ndonjë mik të rrallë që i bashkohej në vetminë e tij, ai kujtonte dhe i përsëriste fjalët e Dante Aligerit, që thoshte:”Nuk ka dhimbje më të madhe se kur kujton ditët e lumtura në mjerim”./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016