Nga Prof. Dr. Muhamed Mufaku
Memorie.al / Personaliteti i Salih Muftisë (1891-1978) përmbledh dy figura që u formuan në saj të zhvillimeve historike të kohës, përkatësisht si Hoxhë Salih Myftia që u shqua si drejtor i Medresesë së Re në Shkodër dhe si Myfti i Shkodrës (1931-1939), dhe si atdhetar gjatë okupimit fashist dhe aktivist antikomunist në mërgatën shqiptare në Lindjen e Mesme (1947-1965) dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në periudhën e viteve 1965-1978.
Salih Myftia u lind në Shkodër në një familje të njohur fetare, ku e kreu Medresën e, më vonë shkoi në Vlorë, për të përvetësuar më shumë dituri. Me reformimin e arsimit pas stabilitetit të Shqipërisë më 1920-ën, u themelua në Shkodër Medreseja e Re, me program të ngjeshur laik-fetar në krye me Salih Myftinë, e cila u bë qendër e rëndësishme arsimore, pasi ishte drejtori Salih Myftia, i cili tërhoqi aty klerikë të mirënjohur.
Në vitin 1931, u emërua kryemyfti i zonës së Shkodrës dhe Kosovës (që përfshinte Kuksin, Hasin, Krumën dhe Tropojën) deri në vitin 1939. Me pushtimin e Shqipërisë më 7 prill 1939, u paraqit figura atdhetare e Salih Myftisë, pasi që u arrestua si kundërshtar dhe u internua në Kalanë e Gjirokastrës. Si pasojë, Salih Myftia u shndërrua në figurë atdhetare, duke apeluar dhe organizuar rezistencën antifashiste. Në këtë kontekst, Salih Myftia mori pjesë në themelimin e partisë “Lëvizja e Legalitet” me në krye me Abaz Kupin, në 21 nëntor 1943, ku do të mbetet figurë e shquar deri në vdekje.
Vizioni i Mbretit Zog
Në vjeshtë 1944, me paraqitjen e rrezikut të sundimit komunist, Salih Myftia, si shumë atdhetarë të tjerë, u detyruar të largohen prej vendit, duke kaluar në Italinë që ishte atëherë nën kontrollin e aleatëve anglo-amerikanë Në fillim u vendos përkohësisht në kampin Grumo në Bari, kurse më vonë kaloi në kampin Reggio- Emilia, ku u grumbulluan shumë personalitete, politikanë e ushtarakë shqiptarë, duke kaluar aty dy vjet deri në vitin 1947.
Në atë kohë u bë kthesë në mërgatën shqiptare, me kalimin e Mbretit Ahmet Zogu nga Londra, ku jetonte si person privat me shpenzimet e veta, në Kajro, ku u trajtua si Mbret legjitim dhe i’u dha në disponim Ambasadën Shqiptare e para luftës, me ç’ka Kajroja, u shndërrua shumë shpejtë në qendër të rigrupimit të mërgatës dhe të organizimit të rezistencës shqiptare antikomuniste në rajon.
Ç’është e vërteta, SHBA-të dhe Britania e Madhe, injoruan gjatë Luftës II-të Botërore Ahmet Zogun, për shkak të zotimeve të tyre ndaj Greqisë dhe Bashkimit Sovjetik. Kështu, Londra refuzoi të pranojë Zogun si Mbret në exile, sikurse të tjerët në Evropën e mesme, madje ia kushtëzoi qëndrimin e tij në Londër, si person privat me moslejimin e asnjë veprimtari a deklarata politike. Mirëpo, me fillimin e Luftës së ftohtë më 1946-ën dhe shpërthimin e luftës civile në Greqi (1946-1949), Mbreti Ahmet Zogu parandjeu ndryshimet që do të vijojnë në rajon dhe e pa të udhës shpëtimin e elitës politike-ushtarake prej kampeve të refugjatëve në Itali, ku jetonin në kushte mizore, duke shfrytëzuar miqësinë e tij me shtetarët arabë (Mbreti egjiptian Faruk, Mbreti jordanez Abdulla, kryetari sirian, Shukri al-Quwatli etj.) që t’i pranojnë këta refugjatë në vendet e tyre. Këta shtetarë shprehën mirëseardhjen dhe gatishmërinë që t’ua afrojnë ndihma financiare, madje Mbreti Faruk, ofroi anije që t’i transportojë shqiptarët nga Italia deri në portat e vendeve arabe. Ç’është e vërteta, kjo niciativë ishte një pjesë e një vizion largpamës i Zogut, sipas të cilit ai me sjelljen e elitës politike-shqiptare në vendet arabe e, me ndihmën e tyre, mund të përgatitej për çlirimin e Shqipërisë prej regjimit komunist, siç dëshmonte Mbretëresha Geraldina, e cila qe prezent në shumë biseda të Zogut me krerët shqiptarë dhe shtetarë arabë.
Për këtë mision, Mbreti Zogu e dërgoi në Itali krye-adjutantin e tij, Hysen Selmani, në verën e vitit 1947, për të takuar me elitën politike-ushtarake shqiptare në kampet e refugjatëve, me qëllim të formohet një Komitet Kombëtar prej të gjitha partive, që do të merrej me organizimin e dërgimit të refugjatëve shqiptarë për në vendet arabe, por u bë de facto bërthamë të Komitetit Politik (Shqipëria e Lirë), që do të formohet më 1949-ën. Kështu në këto takime me përfaqësuesit e partive politike në kampet e refugjatëve, na paraqitet Salih Myftia, si përfaqësues i partisë ‘Lëvizja e Legalitetit’ në takimin e mbajtur në kampin Reggio – Emila, më 7 shtator 1947, me kolonel Hysen Selmanin, në të cilin morë pjesë rreth 100 veta, kurse më 17 shtator 1947, u mbajt takimi për ta aprovuar anëtarët e “Komitetit të refugjatëve”, i cili sipas fjalëve të Hiqmet Devinës në këtë takim” mori rolin e komitetit politik, që të afrojë gjithë kontributin dhe sakrificat për hir të interesave të larta të atdheut”. Në krye të këtij komiteti, ishte Mitat Frashëri (me propozim të Zogut), kurse si anëtarë, pasojnë: Salih Myftia, Ernest Koliqi, Ali Këlcyra, Koço Muka, Dr. Qemal Jusufati, Rakip Frashëri dhe Vasil Andoni.
Më të kthyer në Aleksandri, që u bë selia e Pallatit Mbretëror, Hysen Selmani informoi Mbretin për formimin e Komitetit për refugjatët dhe u vendos të fillojë aksioni me ardhjen e tyre. Kështu, më 22 tetor 1947, arritën me anije në Aleksandri, anëtarët e komitetit me në krye Salih Myftinë, pasi nuk erdhi Mit’hat Frashëri, për arsye objektive. Pasi që u takuan me Mbretin Zog, anëtarët e Komitetit në krye me Salih Myftinë, shkuan në Siri, ku u takuan me Kryetarin e Republikës, Shukri al-Quwatli. Sipas Hysen Selmanit, anëtarët e Komitetit “ishin të kënaqur me atë që e dëgjuam prej kryetarit, por nuk ishin të kënaqur me sjelljen e autoriteteve”, sepse refugjatët e arritur në Damask, nuk ndienin veten mirë, sepse nuk i’u sigurua puna atje ,ndonëse ka pasur inxhinierë, profesorë e agronomë, etj., në mesin e tyre.
Takimet me ‘Grupin Kosovar’
Këtu vlen të përmendet se gjatë qëndrimit të tij në kampet e refugjatëve në Itali, Hysen Selmani u takua edhe prijësit e ‘Grupit Kosovar’ me në krye Xhafer Devën, Xhelal Mitrovicën dhe Tahir Zajmin, si dhe me Salih Myftiun, si përfaqësues i Legalitetit. Me shkuarjen e anëtarëve të Komitetit për refugjatët në Damask , në krye më Salih Myftinë, në tetor 1947 dhe takimi i tyre me kryetarin sirian, Shukri al-Quwatli, u akreditua Salih Myftia që t’ua paraqesë autoriteteve siriane, lista me emrat e refugjatëve shqiptarë që dëshirojnë të vijnë në Siri dhe t’ua merrte dokumente të udhëtimit, që pranoheshin nga autoritetet sirianë. Kështu, gjatë qëndrimit të tij në Damask, erdhën në këtë mënyrë, krerët e ‘Grupit Kosovar’: Xhafer Deva, Rexhep Krasniqi dhe Tahir Zaimi, të cilët nxorën në fillim të vitit 1948, gazetën “Bashkimi i Kombit”.
Siç shihet prej burimeve, Salih Myftia kishte mbetur një kohë në Damask, për të sjellë më shumë refugjatë shqiptarë prej kampeve të Italisë. Me atë autoritet që e kishte tani, ai i paraqiste ministrit të Brendshëm sirian, lista me emra e atyre që dëshironin të vinin në Siri, duke kërkuar që ata të pajisen me dokumente udhëtimi që pranohen nga autoritetet siriane. Kështu, në një kërkesë që e kemi në dispozicion, Salih Myftia e paraqit një liste me rreth 100 figura të elitës civile e ushtarake shqiptare që dëshironin të vinin në Siri, me një notë në arabishte të pastër me dorën e tij, që e lut ministrin që: “këta të poshtëshënuar në listë, të shpejtohen me dhënien e dokumenteve të udhëtimit, sepse kanë më shumë nevojë për to”, duke e nënshkruar si “Myfti i Shqipërisë”. Ai mbeti një kohë në Damask, për ta përcjellë gjendjen e refugjatëve shqiptarë atje. Sipas kujtimeve të djalit të tij, Dr. Fuad Myftia, që e shoqëronte në Damask, ai tanimë kishte lidhje të mirë me presidentin sirian, Shukri al-Quwatli.
Kështu, ai përshkruan gjendjen e rëndë të refugjatëve shqiptarë që gëzonin njëfarë ndihmë prej qeverisë, por thotë se qeveria siriane, nuk kishte mjete të mjaftueshme për çka “nuk u realizuan premtimet në disa raste”. Megjithatë, në saj të lidhjes së tij me presidentin sirian, ai kishte autoritet që t’ua dërgojë refugjatëve shqiptarë në Itali dhe në Greqi, dokumente të udhëtimi që pranoheshin në Siri, sipas marrëveshjes me autoritetet siriane. Kështu, në nëntor 1947, arriti në Pallatin Mbretëror në Aleksandri një letër nga Salih Myftia në Damask, ku tregon se Koloneli Fiqri Dine, u paraqit nga Greqia me kërkesë që të vijë në Siri me 700 refugjatë shqiptarë nga Greqia, dhe pyet: ”A t’u dërgojmë dokumente udhëtimi që i pranojnë autoritetet lokale këtu, ose t’u kërkojmë që mos të vijnë në bazë të urdhrave të mëparshme?”.
Përgjegjia ishte negative, pra për shtyrjen e ardhjes së tyre, sepse Mbreti Zog me një profeci e pa se, rajoni po futej në tensione si pasojë e përleshjeve midis arabëve dhe hebrenjve në Palestinë, sepse me ardhjen në refugjatëve palestinezë në Amman dhe Damask, autoritetet lokale nuk ishin më në gjendje t’i përmbushin premtimet për refugjatët shqiptarë. Ndaj, Mbreti Zog, filloi të konsultohej me Organizatën Ndërkombëtare për Refugjatët (I.R.O.), e themeluar në vitin 1947, për transportimin e refugjatëve shqiptarë nga Lindja e Mesme në vende tjera, si SHBA-të, Kanadaja dhe Australia.
Gjendja e refugjatëve shqiptarë në Damask
Mirëpo, me kalimin e kohës gjendja e refugjatëve shqiptarë në Damask u keqësua me ardhjen e refugjatëve palestinezë dhe mungesën e mjeteve financiare qeveritare siriane për ta. Kështu, më 15 janar 1948, erdhi në Pallatin Mbretëror në Aleksandri një letër nga Salih Myftia, në emër të Komitetit për Refugjatët nga Damasku, në të cilën ankohet për gjendjen atje: ”Tani erdhën në Siri më shumë se 2000 refugjatë palestinezë dhe nuk dinë ç’të ofrojnë për ne. Ne kemi 500 refugjatë shqiptarë në gjendje të rëndë. Ekselenca e tij, Presidenti Shukri al-Quwatli nuk kursen interesim për ne, por ata nuk kanë më mjete në buxhet për të shpenzuar. Ju lutemi ndërmerrni diçka urgjentisht”. Si pasojë, Mbreti Zog, u takua atë ditë me z. Peterson, përgjegjësi për refugjatët në Evropë në I.R.O. ii cili u zotua që t’i sigurojë për refugjatët shqiptarë strehim në New Yelan, Australi, Kanada, etj.
Gjatë qëndrimit të tij në Damask, 1947-1948, Salih Myftia kishte edhe përgjegjësi politike, si një ndër krerët e partisë Legalitetit. Në mesin e refugjatëve shqiptarë në Damask, vepronin tri parti kryesore: ‘Legalitetit’,’Balli Kombëtar’ dhe ‘Grupi Kosovar’. Përveç ‘Grupit Kosovar’, që e kishte udhëheqjen në Damask (Xhafer Deva, Rexhep Krasniqi, Tahir Zajmi), partia ‘Lëvizja e Legalitetit’ kishte prani të mirë. Një një foto të asaj kohe, kemi “grupin e Degës se ‘Legalitetit’ në Damask”, gjithsej 26 burra e gra.
Pasiqë I.R.O., arriti t’i transportojë shumicën e refugjatëve shqiptarë nga Damasku e t’i vendosë në vendet tjera (New Zeland, Australia, Kanada e SHBA-të), Salih Myftia u kthye në Aleksandri, ku vazhdoi të shërbente si këshilltar i Mbretit Zog dhe si anëtarë i Këshillit Mbretëror, bashkë me: Mehdi Frashërin, Hiqmet Delvinën, Musa Jukën, Mustafa Krujen, Hysen Selmanin, Qemal Mesareja, Omer Beqirin, Ago Agajin e Bajazit Boletinin. Këshilli Mbretëror u formua pasi që Mbreti Zog u vendos në Aleksandri dhe mblidhej kohë pas kohe, për shqyrtuar ngjarjet kombëtare.
Pajtimi i krerëve të politikës shqiptare në mërgim
Në këtë kontekst, qëndrimi i z. Salih Myftia në Aleksandri në vitet në vijim (1948-1955) kishin rëndësi për atë moment historik: pajtimi i krerëve politike shqiptare në mërgim për t’a formuar një komitet politik (në vend të qeverisë në exil), që do të përfaqësonte shqiptarët në rrethanat të reja të Luftës së Ftohtë. I vetmi që e përmendi kalimthi kontributin e Salih Myftisë për këtë iniciativë të madhe, ishte Zef Pashku, në fjalën e tij me rastin e vdekjes së Sali Myftisë. Kështu, duke treguar meritat e tij, ai tha se: “në mërgim, qe ndër këshilltarët më të afërm të Mbretit Zog dhe njeri që e ndihmoi më tepër në realizmin e lidhjes midis Mbretit Zog dhe krerëve të mërgatës politike shqiptare, e njohur si “Marrëveshja e Aleksandrisë”.
Ç’është e vërteta, Protokoli ose Marrëveshja e Aleksandrisë, më 12 gusht 1948, ishte një kthesë me rendësi, pasi që opozita politike-ushtarake shqiptare antikomuniste, u shpartallua më 1944-1945 dhe u nda në disa parti politike në kampet e refugjatëve në Itali, Greqi, Turqi etj. Në atë kohë (1947), Salih Myftia shërbente si përfaqësues i partisë ‘Legaliteti’ ( në kampin Reggio – Emilia në Itali) dhe në saj të autoritetit që e kishte në mesin e elitës politike-ushtarake shqiptare, arriti t’i afrojë paritë dhe grupet politike shqiptare që të pranojnë ftesën e Mbretit Zog e, të mblidhen në Aleksandri në gusht të vitit 1948. Në këtë mbledhje, u takuan përfaqësuesit e katër parive (‘Legaliteti’, ‘Bali Kombëtar’, ‘Blloku Kombëtar Indipendent’ dhe ‘Grupi Kosovar’). Pas shumë mbledhjeve, u arrit “Besëlidhja” që u shpall më 12 gusht 1948, që e hapi rrugën për themelimin e Komitetit Shqiptar “Shqipëria e Lirë” më 1949, me një krah politik në krye me Mit’hat Frashërin dhe një krah ushtarak në krye me Abaz Kupin që, merrte me rekrutimin e stërvitjen e vullnetarëve shqiptarë dhe hedhjen e tyre në Shqipëri gjatë viteve 1950-1951, me ndihmën e shërbimeve sekrete amerikane dhe britanike.
M’u për këtë, Salih Myftia gëzonte një autoritet në Pallatin Mbretëror në Aleksandri, përkatësisht në familjen Mbretërore, saqë, nipi i Mbretit Zog, Skënder Zogu, e quan atë në kujtimet e tij: “Myfti legjendar”. Në ato vite, Salih Myftia shërbente si këshilltar i Mbretit Zog për lidhjet me rrethin egjiptian, e sidomos me rrethin fetar mysliman. Kështu, në shkurt 1950, Mbreti Zog e vizitoi Az-harin me Salih Myftinë, ku ishte në pritje Shehu i Az-harit në krye të stafit, i cili e përshëndeti Mbretin me një fjalë, duke e fokusuar “marrëdhëniet vëllazërore midis popullit shqiptar dhe popujve mysliman në Lindje”. Pas kësaj fjale, Mbreti shëtiti nëpër Universitetin, ku ishin atje edhe studentë shqiptarë e Muzeun Islamik dhe i’u afrua në fund një mirënjohje e lartë. Pa dyshim, prania e Salih Myftisë me autoritetin e tij fetar, shërbente mirë në promovimin e Zogut në Lindjen e Mesme si, Mbret legjitim që lufton për çlirimin e vendit të tij prej sundimit komunist.
Dështimi i “Operacionit të Madh” në Shqipëri
Mirëpo, ambiciet e Zogut u tkurrën më 1951-in, me dështimin e “Operacionit të madh” në Shqipëri dhe më 1952-in, me grusht-shtetin ushtarak kundër Mbretit Faruk, i cili ofronte çdo ndihmë të mundshme për Mbretin Zog gjatë viteve 1946-1952. Me suprimimin e Mbretërisë në Egjipt në qershor 1953, autoritetet e reja egjiptiane vendosen mbylljen e Ambasadës Mbretërore Shqiptare në gusht 1953. Me ardhjen e kolonelit Gamal Abdulnaser në krye të pushtetit, filluan presionet kundër Mbretit Zog, duke përfshirë një fushatë e kurdisur në shtypin kundër Mbretit, i cili ishte në krizë materiale për shkak se mbulonte shpenzimit e elitës shqiptare që kishte mbetur atje, derisa u largua nga Aleksandeia, më 28 korrik 1955, për në Francë, bashkë me shpurën e tij.
Pas largimit të Mbretit Zog, mbetën në Aleksandri disa figura shqiptare, në mesin e të cilave ishin Salih Myftia, por tani në kushte të reja pasi që, regjimi i ri egjiptian e njohu Republikën Popullore të Shqipërisë, me në krye Enver Hoxhën . Sipas kujtimeve të djalit Fuad Myftia, i cili më 1958-ën u largua për në SHBA-ve, me pëlqimin e të atit, Salih Myftia, kishte vazhduar të punonte si profesor në shtëpi, ku i vinin studentë për mësim, ose në ndonjë kolegj, deri sa edhe vet u largua për në SHBA-të më 1965, ku do të vazhdojë me aktivitetin e tij atdhetar e fetar, deri në vdekje, më 1978./Memorie.al
*Fragmente nga referati i paraqitur në tryezën shkencore e mbajtur në Institutin për Hulumtime e Studime Islame në Prishtinë më 30 qershor 2022.
**Historian kosovar, anëtar i jashtëm i Akademisë Arabe në Damask, e themeluar në vitin 1919.
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016