Nga Uvil Zajmi
Memorie.al/ Historia e numrave 1 shqiptarë është e gjatë, e shtrirë në vite, dekada, ndeshje, klube dhe kombëtare. Nga Pozeli te Vogli, Bonati, Maliqati, Topi, Janku, Metani, Ndoja, Dinella, Muhedini, Rama, Ahmedani, Luarasi, Musta…! Janë shumë. Të gjithë kanë karrierën e tyre, jo të ngjashme me tjetrën. I bashkon fakti që kanë qenë kolosë në portë. Por, ajo e Jani Kaçit, e një sarandjoti lindur në Korçë, një histori 20-vjeçare e pa treguar është krejt e veçantë. Nga babai që i shpëtoi pushkatimit, te pasioni për boksin, student për Agronomi, mësuesja e historisë, ushtar në Xhenio dhe ndeshja që habiti Petrit Dumen. Bluza me nr. 20 e Llazi Sërbos, dëshira e Bamir Topit, ndeshja me Austrinë dhe takimi me Shumakerin. Çfarë bën sot një ndër portierët më modernë, titullar i “Partizani”-t, “Skënderbeut” dhe Kombëtares që, përcaktoi se Etrit Berisha, do të ishte e ardhmja e portës shqiptare?
Sarandjot me origjinë, por korçare vendlindja
Shumë pak e dinë që Jani Kaçi është sarandjot, ndonëse gjithë jetën, karrierën, familjen e ka të lidhur me Korçën. Babai nga Shën Vasili i Sarandës, lindur e jetuar në Athinë, shkon për të parë nënën dhe motrat në Sarandë, në vitet e Luftës dhe gjermanët e dërgojnë në kampet e për qëndrimit në Gjermani, ku qëndron 18 muaj. Pasi vranë 45 burra dhe e panë djalë jetim, i cili fliste gjermanisht dhe me gradë kolonel në qeverinë e Venizellos, e kthejnë në vendlindje. Lufta sapo kishte mbaruar. Atij i kishin shitur gjithçka në Athinë dhe, në kushte të atilla, vendos të qëndrojë në Shqipëri ku fillon punë në Ndërmarrjen Riparim Frigoriferit në Durrës. E shoqja, një vajzë tregtari, shkonte me pushime në plazh. Aty njihen, dashurohen dhe ajo e tërheq në Korçë, ku martohen e lindin 5 fëmijë, të gjithë djem.
Rastësisht portier, ndonëse i pëlqente boksi!
Është bërë portier nga rastësia, sepse në të vërtetë, i pëlqente boksi. Ka qenë vetëm nuhatja dhe një vështrim i trajnerit Trajan Verika, kur luante me moshatarët, i cili i ka thënë: “Ti do të bëhesh portier”. Aktivizohet me të rinjtë dhe në një ndeshje në Konvaleshencë në Durrës, Skënderbeu-Besa. Pandi Peleshi, këngëtar i Ansamblit në Tiranë, por edhe daja i tij, po e ndiqte takimin bashkë me Boriçin, me të cilin kishin pas qenë studentë në Bullgari. Aty, Loro i madh e pyet: “Pse këtu?”. – “Kam një nip që po luan”, ishte përgjigja…! Loro e sheh, e pëlqen dhe e regjistron në memorie. E thërrasin te “Partizani” i madh, ku qëndron pesë muaj bashkë me Muhedinin, Lelën, Ismailin dhe me në krye, Panon legjendar. Ishte pranvera e vitit 1967, kur ai ishte vetëm 15 vjeç, gjimnazist në vitin e dytë të “Raqi Qirinxhi”.
Këshilla e mësueses: “Jani, ik në Tiranë…”
Sapo kishte filluar stërvitjen, me dëshirën për t’u sistemuar në Tiranë, por nuk ka mundur të regjistrohet në Institutin e Lartë të Kulturës Fizike “Vojo Kushi”, por as edhe në Shkollën e Bashkuar “Skënderbej”. Çështje biografie…! “Je djalë i grekut”, i thoshin dhe Komiteti i Partisë i Korçës, i’a përcillte negativisht dokumentet. Kthehet në Korçë, mbaron gjimnazin duke bërë dy klasë bashkë dhe fillon Institutin Bujqësor për Agronomi, por nuk i pëlqente. Mësuese në “Historinë e Partisë”, Liri Lubonja, një tip modern, duke parë pasionin e tij, si dhe luftën e klasave që e pengonte sistematikisht, i thotë: “Jani Kaçi, mundohu të ikësh në Tiranë….”. E la Institutin dhe më 12 dhjetor 1971, shkon të kryejë shërbimin ushtarak trevjeçar. Duhet të shkonte direkt te “Partizani”, por Korça e dërgoi në Rinas, në Repartin e Xhenios, për të humbur adresë. “Partizani” ndodhej në Kinë, në një turne miqësor 6-mujor. Sidoqoftë, qëndron pak javë në Rinas, e transferojnë në repartin pranë Kodrave të Rrashbullit, repart artilerie në periferi të Durrësit. Qëndron tre muaj për të marrë transferimin e tretë që do të ishte deciziv për karrierën e tij.
Spartakiada, humbja e “Partizani”-t, urdhri i Petrit Dumes
Kur mendonte se ishte i pafat dhe gjithçka për të ishte e mbyllur, zhvillohet Spartakiada e Ushtrisë. Reparti ‘Shqiponja’, ku Jani luan portier, përballet me Shkollën e Bashkuar. Luan mirë dhe dikush kujtohet se ai është marrë për te “Partizan”-i. Sapo aktiviteti përfundon, e transferojnë ushtar në Elbasan, në repartin kundërajror, me kushtin që të aktivizohej portier, duke luajtur për 15 muaj me Labinotin në Kategorinë e Parë, ku janë Jorgaqi, Ibërshimi, Rudini etj. Vjen takimi Labinoti-Partizani, për kampionat dhe fitore 3-0 e elbasanasve. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Petrit Dume, i ndodhur në shkallë pas ndeshjes, ka pyetur: “Cili është ky kokëqethuri?”. – “Është ushtar i yni, – i thonë. – E kemi marrë nga Korça”.
Kaq ka mjaftuar që ai të jepte urdhër për ta rikthyer në klub. I grumbulluar me ekipin kombëtar Shpresa, ku trajner ishte rumuni Bolonesku, ndërsa në portë luante Ahmedani, sapo avioni mbërriti në Rinas pas kthimit nga Bukureshti, ku ishte zhvilluar Ballkaniada me 21-vjeçarët dhe Shqipëria u renditet në vendin e dytë, me një makinë ushtarake, e dërgojnë në Durrës, ku qëndronte skuadra e “Partizani”-t. Jemi në qershor-korrik të vitit 1973 dhe, ndonëse shërbimi ushtarak ka filluar në vitin 1971, deri në janar të 1976-ës ai do të jetë ushtar dhe futbollist i “Partizani”-t. Trajner në atë sezon ka korçarin Ilia Shuke. me ndihmës Boloneskun. E fillon si rezervë e Muhedinit dhe, kur duhej një javë para përfundimit të fazës së parë, ndaj ‘17 Nëntorit’, Muhedini nuk është gati dhe Shuke aktivizon Kaçin. Fiton “Partizani”, 2-0 me gola të Muratit dhe Berishës, ndërsa Jani fiksohet stabël në formacion.
Bluza me nr. 20, ide e aktorit Llazi Sërbo
Fanellën e zezë nuk e ka mbajtur asnjëherë, pasi e konsideronte si jo me fat. Ka preferuar të gjitha ngjyrat e ndezura dhe, në veçanti, numrin 20 pas shpine. Me të parën uniformë që ka veshur ka një kujtim: “Ditën që do të luash në formacion do të të jap një bluzë të kaltër kineze, një gjysmë golfi, – i ka thënë një aviator, Sabri quhej, me të cilat pajiseshin aviatorët. – Ndërsa nr. 20, e bëri me disenjatorin e klubit dhe e vendosën në diell që të thahej boja. Idenë për atë numër, i’a dha Llazi Sërbo, aktor-piktor, të cilin e ka pasur shumë mik, në sport dhe jetë”. Sapo shkoi te “Partizani”, Llazi Sërbo i bëri një propozim: “Jani, do të përdorësh fanellë të gjerë, pasi je trupmadh. Ti do të luash me numrin 20”. “Më pëlqente ky numër, ndonëse as sot nuk e di si ma kanë lejuar, pasi rregullorja ishte nga 1 deri te 11-ta. Gjithmonë kam luajtur me uniforma, fanella që më vinin nga Greqia”, rrëfen Kaçi.
I gjithanshëm në çdo sport
Mund të ishte bërë një boksier, një basketbollist, volejbollist apo një mundës i mirë. Kur skuadra kombëtare e mundësve do të udhëtonte në Rumani, takim ndërkombëtar, vetëm dy ditë para nisjes, nuk kishte konkurrent për peshën e Stefan Gjeneralit dhe Ali Kastrati, lajmëroi Jani Kaçin që të shkonte për t’u ndeshur. Ndonëse ishte vetëm një ditë para sfidës ‘Partizani’-‘17 Nëntori’, në tapetin e Pallatit të Sportit “Partizani” ishin përballë Jani Kaçi, një portier, ndaj një kampioni legjendar si Stefan Gjenerali. Askush nuk e kishte menduar se një kapje e Kaçit, do ta hidhte për një çast në tapet kampionin e madh. Pastaj, ndeshje e dytë dhe një supleks i Gjeneralit, e ka lënë pa frymë kundërshtarin, duke i dëmtuar edhe shpatullën. Shqetësim i madh për klubin dhe të nesërmen ndaj tiranasve në derbi, ka luajtur me shpatull të dëmtuar, duke qenë lojtari më i mirë në fushë. Në karrierën e tij ka pritur, por edhe ka gjuajtur penallti. Në Kupë Republike, i ka shënuar Perlat Mustës, në takimin ‘Skënderbeu’-‘Partizani’, ndërsa dy penalltitë e gjuajtura nga Tomorri e Skuro të Partizanit, janë pritur prej tij.
Kthimi i padëshiruar në Korçë
I kishte ardhur koha për t’u liruar, ndonëse kishte bërë disa vite më shumë të shërbimit ushtarak. Grupi i gjeneralëve sapo ishte goditur, “Partizani”, nuk kishte më forcën e mëparshme, ndonëse Jani dëshironte të qëndronte dhe “po të ishin ende gjeneralët, – thotë ai, – karriera do të kishte vazhduar te ‘Partizani”. Vetë Mihallaq Ziçishti, një admirues i tij, ndonëse me dëshirën që të qëndronte në Tiranë, e njoftoi se duhej të nisej. Nuk kishte çfarë të bënte, pasi kishte presion në Korçë dhe tifozët e donin të kthehej. Ishte fillimi i vitit 1976, janar, “Skënderbeu” luante në Kategorinë e Dytë, por pasi kishte eliminuar Lushnjën dhe “Dinamo”-n, del në finalen e Kupës së Republikës. Ishte skuadra e Xhambazit dhe përballë kishin ‘17 Nëntorin’, duke zhvilluar një ndër ndeshjet e famshme në historinë e këtij trofeu, ku protagonist është edhe Jani Kaçi, tashmë i kthyer në vendlindje.
Dinella, Kaçi shkolla e njohur korçare
Tre janë lojtarët korçarë, protagonistë, të famshëm të Kombëtares shqiptare: I pari Teodor Vaso, më pas Koço Dinella e Jani Kaçi, pa harruar shumë vite më parë edhe Klani Marianin. Të tre në mbrojtje, të tre edhe titullarë te skuadrat e njohura “Partizani” e “Dinamo”, madje asnjëri prej tyre nuk qëndroi në kryeqytet. Gjithçka në harkun e një dekade, thuajse nga mes vitet ’65 deri në ato ’75. Ndërsa Dinella, pas “Dinamo”-s, vjen në Korçë, te Skënderbeu, Kaçi sapo ka ardhur në Tiranë, për të luajtur me “Partizani”-n. E gjen aty Dinellën kur kthehet në vitin 1976, qëndrojnë për pak kohë bashkë. Të dy i kanë kulmet me Gjermaninë: Dinella në barazimin 0-0 dhe humbjen 0-1, ndërsa Kaçi më 1 mars të vitit 1981, Shqipëri-RF Gjermane 0-2 (Shuster dy gola). Kur iku nga “Partizani”, bashkë me të ishte edhe Muhedini. Drejtuesit e klubit e kanë pyetur kush mendon ta zëvendësojë: “Shoh Mustën e Lekbellon me perspektivë. Musta është shumë elastik”, pat thënë, duke i hapur rrugën një tjetër legjende të kuadratit partizanas, e atij shqiptar.
Vitet e stili modern i portierëve!
Janku, Dinella, Ndoja, Rama, Muhedini, Ahmedani, të një stili, portierë ajri. Por, Jani Kaçi, i gjatë 1.86 cm., me një fizik e konstrukt të rrallë, potent, elegant mbetet një ndër talentet e mëdha të futbollit kombëtar. Një kolos i vërtetë, pasi ishte vetëm 20 vjeç kur shkëlqeu. Elastik në lëvizje, një interpretues modern i këtij roli. Një portier tipik “Majeri” me një sens pozicioni natyral dhe kapje të mirë të topit. Fluturonte në zonë duke pushtuar dhe zotëruar ajrin në tërësinë e zonës. Nuk linte asnjë hapësirë bosh brenda saj, aq sa të shtinte frikën në dalje. Një ndër pikat më të forta, një lider për skuadrën. Mjafton që në portë të shihje Jani Kaçin dhe kishe një garanci më shumë. I vetëm kundër të gjithëve. Një tip i rezervuar, i thjeshtë, shumë i edukuar, me karakter të fortë, modest për çfarë realisht demonstronte në fushë e jashtë saj. Mik i të gjithëve te “Partizani” dhe në Kombëtare, flinte me Ali Kastratin në një dhomë.
Ka respekt të madh për Gjergji Thakën, pastaj Muhedinin, Mit’hat Shehun, Astrit Ziun, Safet Berishën, Agim Muratin, por edhe me Ilir Përnaskën, Mujo Targajn, Agustin Kolën e Kreshnik Çipin, mjekët, futbollistët e drejtues korçarë, masazhatorë, shoferë etj. Për një çast, ndalet dhe kujton Arjan Hoxhën, ish-portierin e “Shkëndijës”, “Partizanit”, që nuk jeton. E ka pasur si vëlla…! Gjatë karrierës nuk e ka njohur pasigurinë, ndonëse emocionet i ka vuajtur. Në fillimet e tij, “frikë” kishte nga Ramazan Rragami, pasi gjuante nga larg dhe saktë. Kur fitoi eksperiencë, kërkonte sfida dhe përballje me titanët e golit: Tit Dibrën, Përnaskën, Muratin, por edhe Mir Himën, sulmuesin e “Lokomotivës”. Kur luante me “Skënderbeun”, si një skuadër modeste, ka qenë i vetëm kundër të gjithëve, në veçanti në sfidat ndaj “Partizanit”, “Dinamos”, “17 Nëntorit” e “Vllaznisë”, pasi luhej thuajse në një portë. As cigare, as pije, regjim gjerman në karrierë…! Asnjëherë te mjeku, duke e fshehur çdo dhimbje e dëmtim, një regjim profesionist tipik gjerman. Gjysmë orë përpara shkonte në fushë, lagte me ujë vendin ku stërviten portierët. I pëlqente koha e vranët, diellin e ka pasur kundërshtarin e 12-të. Asnjëherë debat, polemika dhe ndëshkime nga arbitrat.
Karriera, Kombëtarja dhe… Austria e Vjenës
I konsideruar një ndër numrat 1 më të famshëm shqiptarë, skuadra e parë dhe e fundit është “Skënderbeu”, ndonëse ka mbrojtur edhe portën e “Labinotit”, “Partizani”-t, Kombëtares në kulmin e momentin e tyre magjik. Ka luajtur me shumë futbollistë të mëdhenj të kohës, duke punuar edhe me trajnerë si: Ilia Shuke, Loro Boriçi, Refik Resmja etj. Mbi 300 ndeshje kampionat e Kupë, por pa dalë asnjëherë kampion dhe kur “Skënderbeu” ka qenë një hap pranë tij. Sezoni 1978-1979, ka përfunduar faza e dytë dhe janë me pikë të barabarta me “Dinamon”, kur FSHF-ja hedh në lojë fazën e tretë, pra nuk ka titull, por ideon këtë formulë. Ndeshja e fundit, në Durrës “Dinamos” i hapet porta, fiton pa vështirësi dhe merr trofeun.
Me Shpresën vetëm pak takime, në vitin 1970, grumbullohet si rezerva e Gud Tafajit në ndeshjen me Turqinë, zhvilluar në Vlorë, me trajner Refik Resmen. Pastaj në Rumani, rezervë e Met Ahmedanit dhe më pas disa sfida ballkanike me Shpresën dhe klube. Mungesë ndeshjesh dhe vite të gjata pezullimi e godasin edhe karrierën e Jani Kaçit, pikërisht në majën e formës. Në portën e përfaqësueses, e rifillon me fitoren 3-0, takim miqësor i luajtur në Tiranë më 10 tetor 1976, ndaj Algjerisë, kur trajner është Loro Boriçi, me të cilin edhe do ta mbyllë. Pastaj një tjetër pauzë dyvjeçare dhe sërish në portë në të parën zyrtare, Shqipëri-Finlandë për EKB, me 3 shtator 1980, në “Qemal Stafa” 2-0 (Braho, Baçi), për të vijuar edhe në pesë sfida të tjera, me trajner Zyber Konçin: Ndaj Bullgarisë, Austrisë, për ta mbyllur me Gjermaninë, në Tiranë, prill i vitit 1981, kur në stol është rikthyer Boriçi. Vetëm 6 ndeshje me përfaqësuesen.
Kujtimin e fundit e ka me portierin Shumaker, pikërisht në takimin në “Qemal Stafa”, pas të cilës nuk luajti më me ngjyrat kuqezi për t’ia lënë vendin Mustës, ashtu si kur iku nga “Partizani”. Tri herë e kanë marrë klubet si përforcim: Vllaznia-Austria e Vjenës, e luajtur në Shkodër 2-0 dhe në Vjenë 1-4. “Dinamo”-“Dinamo” e Zagrebit dhe me “Labinoti”-n në Kupën Ballkanike, kundër “AS Tergu Muresh” në Rumani. Një herë kampion i Ballkanit, me ekipin kombëtar Shpresa, ndonëse 27 vjeç, moshë e madhe, pasi lejoheshin dy lojtar në ekip.
Golat që e bënë Gëzdarin të famshëm!
Është e lidhur me takimin final të Kupës së Republikës, viti 1977, në momentin kur “Skënderbeu” është duke kaluar një ndër sezonet më të mirë të historisë së klubit, gjithçka në pak muaj, menjëherë pas kthimit të Kaçit në Korçë, ku si trajner është sërish Ilia Shuke. 3-0 ndeshja e parë në Tiranë, humbet thellë “Skënderbeu” me tre gola realizuar nga Gëzdari. Në Korçë, pas një jave, interesim i jashtëzakonshëm, “17 Nëntori” fiton 1-0 po me gol të Gëzdarit. “I kam thënë: ‘Të bëra të famshëm me golat që më ke shënuar mua’”, tregon Kaçi sot. Tirana luante me topat gjysmë të lartë duke harkuar në zonë nga krahët me Tit Dibrën e Llambin, për Mond Gëzdarin që me guxim godiste me kokë.
Fundi i padëshiruar!
Karriera e tij është ndërprerë papritur dhe pabesisht! Ka mjaftuar vetëm një episod që shkaktoi ndarjen e tij me “Skënderbeun”, futbollin, shkëputjen përfundimtare me portën, klubin, stadiumin. Vitet kalojnë, por nuk e harron. “Nuk ma bënë gjatë luftës së klasave, por pritën vitet e fundit të karrierës. Sajuan se kisha grisur foton e Enver Hoxhës, ndërkohë që te “Partizani”, kam qenë i respektuar shumë, pikërisht nga fëmijët e Enverit dhe nuk kishte arsye për një veprim të tillë”, thotë Kaçi. E la në vitin 1985, kur ishte 32 vjeç, me dëshirën dhe pasionin të luante deri në moshën 40-vjeçare, pasi regjimi dhe forca fizike i’a garantonin një gjë të tillë.
Miqësitë, të gjithë e kanë vlerësuar
Nga trajnerët e moshave, mësuese Liri Lubonja, gjeneral Petrit Dume, drejtuesit, futbollistë e trajnerë të klubit “Partizani” e kombëtares, oficerë madhorë, deri te Bamir Topi, që edhe sot e kujton kur i thoshte: “Jani, sa do të doja të ishte te Tirana”. Por edhe Jashar Menzelxhiu, kur e sistemoi në Elbasan me “Labinotin”, apo Mihallaq Ziçishti, deri tek Enver Halili, që kur ishte në Vlorë, kërkoi me insistim ta merrte portier te “Flamurtari”. Pa harruar edhe Foto Çamin, që i bën një ftesë për t’u aktivizuar me “Vllazninë”. Por, për Janin, i martuar dhe me fëmijë e ka të vështirë të lëvizë. Ka refuzuar edhe pse ende mbi kurriz ka hijen e biografisë.
Çfarë bën sot gjiganti i portës?
Askush nga familja nuk do ta kishte menduar sportist, madje portier e të famshëm. I martuar dhe me dy djem që luajtën pak futboll, në nivele amatoreske në Gjermani, pa trashëguar askush prej tyre Jani Kaçin. Nuk ka tentuar asnjëherë të shkojë për të punuar e jetuar jashtë vendit pas ’90-ës, ndonëse në Greqi vjen e shkon sistematikisht, pa preferuar asnjëherë të qëndrojë në vendin fqinj. “Ata që më lexonin biografinë, kanë ikur dhe jetojnë atje, me emrat të ndryshuar”, thotë. Ka drejtuar klubin për disa vite, ndërsa aktualisht jep lëndën e Edukimit Fizik në shkollën e mesme “Ymer Dishnica”. E njohin kudo: “Kam luajtur futboll pa interesa dhe jam krenar që kam qenë titullar me “Partizani”-n, “Skënderbeun”, kombëtaret që në moshën 15-vjeçare”.
Nuk e ka mbyllur përfundimisht me futbollin, duke i’u rikthyer vite më vonë si trajner me skuadrat e të rinjve të “Skënderbeut”. Madje, ka qenë ai që ka marrë rrugën për në Prishtinë, kur i kërkuan të jepte një mendim për Etrit Berishën: “Sa e pashë, më pëlqeu, kishte plastikë, nuk ishte portier i ngurtë dhe rekomandova ta grumbullonin menjëherë te skuadra Shpresa e të ndjerit Artan Bushati”.
Edhe pse vitet kalojnë, është po ai, si dikur simpatik e shumë madhështor. Për të mund të flitet gjatë dhe kjo që treguam është një pjesë e vogël e dossierit të madh të një prej kolosëve të portës shqiptare të shekullit të kaluar, Jani Kaçi, me origjinë nga Shën Vasili i Sarandës, lindur në Korçë, ku jeton e punon edhe sot. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016