Nga Edward Anders (Alperovichs)
Memorie.al/ “Geht,” i tha polici gjerman 15 – vjeçarit Eduards dhe vëllait të tij më të madh Georgs që, qëndronin në oborrin e mbushur të burgut me njerëz, “ikni”. Kjo fjalë i shpëtoi ata nga i njëjti fat me të, 2.749 hebrenjve nga qyteti port i Letonisë, Liepāja, të cilët u vranë nga xhelatët nazistë në ditët në vijim. Babai i tyre, Adolfs Alperovichs, ishte ekzekutuar disa ditë më parë. Ishte ideja e tij për të shpëtuar familjen, duke shpikur historinë se gruaja e tij, Erika, ishte me prejardhje gjermane dhe kështu dy djemtë ishin vetëm gjysma hebrenj.
I ndihmoi dhe fati që as nëna dhe as djemtë, nuk dukeshin “hebrenj”, sipas standardeve naziste. Ndihmoi gjithashtu fakti që ata letonezë që e dinin të vërtetën i ndihmuan ta fshihnin këtë të vërtetë, kurse ata që nuk e dinë, kurrë nuk e morën vesh. Georgs, vdiq nga ethet tifoide dhe difteria. Ndërsa Erika dhe Edwuards ishin, të vetmit anëtarë të familjes që i shpëtuan Holokaustit. Kjo është historia e Eduards Alperovichs, i njohur tani si Eduard Anders. Të dielën herët në mëngjes, 22 qershor 1941, u zgjuam nga shpërthime të përsëritura. Radioja na tregoi arsyen: Gjermania naziste kishte sulmuar BRSS-në!
Ne ishim të kënaqur. Një vit më parë, BRSS-ja kishte pushtuar dhe aneksuar Letoninë, duke e kthyer vendin tonë të lire në një koloni të shtetit policor sovjetik. Njerëzit arrestoheshin në mes të natës, për t’u vrarë ose për t’u dëbuar në Siberi. Shtëpitë dhe bizneset u konfiskuan – jo vetëm biznesi i eksportit të babait tim, por edhe një dyqan i vogël artizan. Hapësira e banimit ishte e kufizuar, duke detyruar shumë familje ti pranonin këto banesa. Vetëm 8 ditë më parë, më 14 qershor të vitit 1941, policia sekrete sovjetike (KGB-ja), kishte internuar më shumë se 15.000 njerëz në Gulag ose, në mërgim të përhershëm në Siberi. Edhe neve na urdhëruan të bënim valixhet gati dhe të prisnim të na merrnin. Fatmirësisht strehuesi ynë, një punëtor i ri letonez, ishte bërë major në Rojet Kufitare Sovjetike dhe pas disa shakash, pranoi të na hiqte nga lista!
Ne e dinim për antisemitizmin e Hitlerit dhe duhet të ishim shumë të shqetësuar, por ne u besuam gjermanëve. Pjesa më e madhe e Letonisë ishte sunduar nga fisnikët gjermanë për shekuj, gjermanishtja flitej gjerësisht nga njerëzit të arsimuar, dhe në Luftën e Parë Botërore, Letonia Perëndimore, ishte pushtuar për tre vjet nga trupat gjermane të disiplinuara dhe të civilizuara. Pas një viti sundimi sovjetik, ne menduam se Gjermania do të ishte e keqja më e vogël. Po ashtu mendonin edhe refugjatët hebrenj nga Gjermania naziste. Askush nuk e priste një Holokaust; më së shumti mund të ketë punë të detyruar dhe humbje të disave të drejtat civile.
Viti vdekjeprurëse 1941
Trupat gjermane pushtuan qytetin tim të lindjes, Liepāja, më 29 qershor, një javë pas fillimit të Luftës. Pjesa më e madhe e qendrës së qytetit u shkatërrua. Rrugët ishin shndërruar në gërmadha të djegura, të mbuluara nga kratere bombash dhe të spërkatura me xham të thyer.
Brenda pak orësh gjërat u bënë shumë të ashpra. Nuk e dinim që në fillim të vitit 1941, Hitleri kishte vendosur të vriste të gjithë hebrenjtë në Bashkimin Sovjetik gjatë pushtimit të tij. Kjo duhej të bëhej nga skuadrat speciale të vrasjes – katër ekipet, Einsatzgruppen, prej rreth 600-900 burrash të stërvitur për “Zgjidhjen Përfundimtare” dhe që vinin direkt mbas Ushtrisë. Ata organizuan masakra dhe ekzekutime të inskenuara për t’u dukur si: veprime hakmarrjeje spontane e banorëve vendas kundër “shtypësve të tyre çifutë-bolshevik”. Einsatzgruppe A, u caktua në shtetet Baltike dhe një nga ekipet e saj mbërriti në Liepāja në ditën e parë të pushtimit. Ai menjëherë qëlloi disa hebrenj, duke përfshirë kushëririn tim Alya, dhe organizoi një forcë vullnetare letoneze “Vetëmbrojtje”, për të çrrënjosur komunistët dhe për të shërbyer si ndihmëse e policisë.
Nazistët morën menjëherë kontrollin e shtypit Letonez, duke fajësuar hebrenjtë për të gjitha të këqijat e pushtimit të Sovjetikëve. Shumë letonezë, veçanërisht ata që kishin njohur personalisht hebrenj, e hodhën poshtë këtë propagandë. Por një pakicë Letoneze besonte, të paktën një pjesë të saj, – veçanërisht që hebrenjtë ishin përgjegjës për dëbimet sovjetike, torturat dhe vrasjet – dhe u bënë armiqësorë ndaj hebrenjve.
Komandanti i Marinës Gjermane, lëshoi një sërë rregullash për hebrenjtë, duke i urdhëruar ata të vendosnin shenja të verdha në gjoks dhe kurriz, duke vendosur shtetrrethimin, duke i ndaluar ata nga në plazhet, parqet, pedonalet e këmbësorëve dhe në transportin publik, si dhe duke u kërkuar meshkujve nga mosha 16-60 vjeç, të raportonin çdo ditë në Sheshin e Qendrës së Zjarrit, për punë të detyruar. Hebrenjtë kapeshin çdo ditë, torturoheshin dhe merreshin me vete nga gjermanët. Dëshmitarët okularë, shpejt raportuan se ata dërgoheshin në një park ose në plazh, urdhëroheshin të gërmonin varret e tyre dhe ekzekutoheshin. Disa hebrenj u përpoqën të shpëtonin jetën e tyre duke konvertuar fenë dhe u kthyen në të Krishterë, por kjo nuk i ndihmoi…!
Në këtë situatë dëshpëruese, babai im Adolf, shpiku një plan për të shpëtuar të paktën gruan e tij dhe dy djemtë, duke përfituar nga pamja jonë ariane. Nëna ime Erika, duhej të pohonte se ajo nuk ishte fëmija biologjik i prindërve të saj hebrenj, por një pasardhëse e krishterë, e braktisur në pragun e derës së tyre. Kjo do ta bënte vëllain tim, Xhorxhin dhe mua gjysmë hebrenj: qytetarë të dorës së dytë, por që përjashtoheshin nga shumica e rregullave naziste për hebrenjtë. Sikur ta dinim se lufta do të zgjaste katër vite të tjera, nuk do t’i kishim pasur kurrë guximin për të provuar planin e babait tim. Shumë njerëz në qytetin tonë të vogël me 60.000 banorë, ishin në dijeni që historia jonë ishte një gënjeshtër. Doli që njerëzit që e dinin, nuk donin të na lëndonin dhe njerëzit që donin të na lëndonin, nuk e dinin.
Tani na duhej të bindnim nazistët mbi historinë tonë. Për fat të mirë, në vitet 1930, Erika kishte mbajtur korrespondonte me një sekt të krishterë, shoqërinë “Rosicrucian” në Kaliforni, për shëndetin e saj dhe problemet me vjehrrën e saj. Për shëndetin e saj, ata i dërguan asaj receta për ‘sallatë selino’ etj. Lidhur me vjehrrën e saj, ata sugjeruan të kthente faqen tjetër dhe të besonte në Jezu Krishti. Kjo tani mund të ndihmojë për të provuar orientimin e saj të krishterë.
Pasi bënë prova mbi përrallën e birësimit, Erika dhe George, shkuan te Shërbimi Gjerman i Sigurisë (S.D.). Ndihmuar nga pamja e saj e bukur, sharmi dhe talenti i saj në aktrim, ajo e bindi shefin e SD-së që, të na përjashtonte nga rregullat për hebrenjtë. Lejet e lëshuara nga S.D.-ja, na shpëtuan nga arrestimi dhe ekzekutimi. Ne i morëm ato pothuajse ditën e fundit, pasi vrasjet masive të burrave hebrenj, ndodhnin çdo ditë, duke arritur kulmin në një “gjueti” të madhe njerëzore më 22-25 korrik, gjatë kohës së cilës u vranë 1.100 burra.
Xhorxhi dhe unë arritëm të mbanim punët tona të verës, por kur ato mbaruan, ne nuk na lejua të rifillonim shkollën dhe as nuk gjenim dot punë. Babai ynë, Adolf, punonte si fermer në një fermë të izoluar, gjë që e mbajti të sigurt gjatë kërkimeve, por pas korrjes, nuk ishte më i nevojshëm për fermerin. Tani babait i duhej të paraqitej për punë në ‘Sheshin e Qendrës së Zjarrit’, por për shkak të vrasjeve, kjo ishte shumë e rrezikshme për hebrenjtë e spikatur. Kështu që ai vendosi të fshihej në banesën tonë. Ne përgatitëm një vend të fshehtë në qilar, diku pas një pirgu me dru zjarri.
Sa herë që binte zilja, ai duhej të ngjitej mbi dru dhe të fshihej. Por kjo rezultoi e padobishme. Kujdestari në bodrum kishte dëgjuar zërin e babait tim dhe e raportoi atë në polici. Më 2 dhjetor, kur u ktheva në shtëpi një mesditë, pas një tjetër kërkim të pafrytshëm pune, dëgjova zhurmën e druve të zjarrit duke u rrëzuar në dysheme dhe një gjerman që i bërtiste babait. Ai u përgjigj: “Unë nuk jam kriminel”. Ishin fjalët e fundit që i dëgjova të thoshte. Nëntë police, të udhëhequr nga një rreshter gjerman, kishin kontrolluar apartamentin dhe ishin gati të largoheshin, kur dikujt prej tyre i lindi ideja të shikonte pas druve të zjarrit.
Menduam që mbetëm jetimë!
Policia i mori të dy prindërit e mi. Unë dhe Xhorxhi menduam se tani ishim jetimë, por një javë më vonë u hap dera dhe Erika hyri brenda, dukej shumë e zbehtë. Ajo ishte liruar, por Adolf do të pushkatohej. Siç rezultoi, ai do të vritej mbas gjashtë ditësh. Shefi i SS-ve, Heinrich Himmler, kishte urdhëruar një përshpejtim të Holokaustit në shtetet Baltike, kështu që pasi u vranë 25.000 hebrenj të Rigës, në fund të nëntorit dhe në fillim të dhjetorit, radhën e kishte Liepāja.
Në orën 4 të mëngjesit të 15 dhjetorit u zgjova nga drita që po ndriçonte dhomën time të gjumit. Dy policë Letonezë qëndronin në dhomë, me pushkë mbi supe. Më thanë mua dhe Xhorxhit të visheshim dhe ndiqni ato. Duke ditur se po shkonim drejt një varri masiv, protestuam dhe treguam leje-kalimin, por kjo hajmali e kishte humbur papritur fuqinë e sajë. Megjithatë, policia nuk e mori Erikën, e cila kërkoi të vinte me ne. Na u deshën rreth 2 orë e gjysmë për të arritur tek Burgu i Grave në qytet, vetëm 10 blloqe larg. U desh të ndalonim në çdo bllok pak a shumë dhe të ktheheshim me fytyrë nga muri. Disa nga policët e armatosur me pushkë, qëndronin prapa nesh për të na ruajtur, ndërsa të tjerët hynin në shtëpi për të mbledhur familje hebreje, kryesisht gra dhe fëmijët.
Vazhduam të flisnim me policët që na ruanin ne, duke protestuar se leje-kalimet tona na përjashtonin nga arrestime të tilla. Një polic i ri u zemërua shumë, na shau dhe i kërkoi rreshterit që ta linte, të na qëllonte në vend si paralajmërim. Ne nuk e dëgjuam përgjigjen e rreshterit, por ajo u duk sikur e qetësoi të riun për momentin. Ne ishim ndër të fundit që arritëm në burg dhe na urdhëruan të rreshtoheshim pranë portës, me fytyrë nga muri. Në këtë orë, duhet të ishte mjaft errësirë, por oborri ishte shumë i ndriçuar nga prozhektorët. Atje ishin të mbledhur rreth 500 hebrenj, duke dëgjuar me vëmendje teksa një polic gjerman bënte apelin. Kur ne mbërritëm, ai kishte arritëm te shkronja K.
Pak minuta më vonë, u afruan disa prej policëve Letonezë që na kishin arrestuar, të udhëhequr nga një polic gjerman. Duke i shpjeguar pse kishim protestuar kundër arrestimit tonë, i thamë se nëna jonë, ishte gjermane dhe i treguam leje-kalimet tona. Ai na nguli sytë për 5 sekonda, ndoshta duke kërkuar për tiparet tona hebreje të listës së tij dhe më pas na largoi me fjalën e vetme “geht” (shkoni), ndërsa i bëri me shenjë portierit të na linte të iknim. Porta u hap, ne dolëm në rrugë dhe gati sa nuk u përplasëm me nënën tonë. Duke na menduar të vdekur, ajo po përpiqej të futej në burg, për të patur të njëjtin fat me ne. Përgjatë tre orëve e gjysëm që nga arrestimi, kishim qëndruar krejtësisht të qetë, edhe pse e dinim se ku po shkonim. Por tani që ishim të lirë, patëm ca të dridhura të mira.
Për tre ditë, viktimat marshuan ose u çuan në grupe të vogla në ish – poligonin e qitjes të ushtrisë letoneze Šķēde, 11 km. në veri të burgut, ku 2.749 hebrenj u ekzekutuan, mbi bazën e akuzave zyrtare gjermane. Ne i kishim shpëtuar vdekjes falë tekave të çastit të një polici gjerman. Fatmirësisht nuk e dinim që lufta do të zgjaste edhe 1.240 ditë të tjera. Siç do të zbulonim, mbijetesa kërkonte disa mrekulli, shumë fat dhe vendimin e duhur në momentet kritike – sipas instinktit, rastësisë ose zgjuarsisë.
Të luash për kohën…!
Menjëherë pas masakrës së dhjetorit, SD-ja na konfiskoi me shpejtësi kartat e identitetit dhe na tha që të zgjidhnim statusin tonë në zyrën e Komisionerit Gjerman të Qarkut për Letoninë. Zyrtari që trajton çështje të tilla, Zoti Buttgereit, na dha një leje 3-mujore me kusht që nëna ime të divorcohej nga babai im, të merrte dy deklarata që konfirmonin historinë e saj të birësimit nga njerëzit që e kishin njohur atë shumë kohë përpara luftës, dhe të dorëzonte një çertifikatë pagëzimi që vërtetonte origjinën e saj të krishterë. Kështu filloi jeta jonë “në këste 90-ditore”.
Divorci ishte i thjeshtë, pasi babai im ishte vrarë, një muaj më parë. Dëshmitë ishin krejtësisht të lehta, pasi dy gra Letoneze të guximshme dhe të dhembshur – Herta Kārkliņš dhe Sofija Zīverts – ranë dakord të shkruanin histori imagjinare që mbështetnin pretendimin tonë. Asnjëra prej tyre nuk mori para edhe pse e dinin që po rrezikonin jetën e tyre.
Çertifikata e pagëzimit ishte më e vështira. Buttgereit, mendoi se regjistrat e kishës Balltike Gjermane, ishin zhvendosur në një arkiv në Poznań (Posen) në 1939-‘41, kur shumica e gjermanëve baltik (gjithashtu të referuar ndonjëherë si “Baltikët gjermanë”), u zhvendosën në zonën e dikurshme polake. Postës në fillim të vitit 1942, i duheshin 4-6 javë për secilën rrugë, kështu që 3 muajt tanë kishin mbaruar ndërkohë, ne kishim thjesht një letër, që thoshte se të dhënat e Kishës nuk ishin në adresën e parë, që i kishim shkruar fillimisht. Zoti Buttgereit, na dha një zgjatje 3-mujore, por kur ne përsëri nuk kishim asgjë përfundimtare për t’i treguar, ai me zor të madh na e zgjati lejen tonë me 3 muaj, duke na paralajmëruar se kjo ishte hera e fundit
Së shpejti mësuam se të dhënat ishin në Zyrën e Gjendjes Civile në Riga, por që ishte e mbyllur për momentin. Dyshonim nëse Buttgereit do të zgjaste përjashtimin tonë, ne filluam të mbyllnim llogaritë tona me botën meqë afatit 3-mujor po afrohej. Megjithatë, kur nëna dhe vëllai im shkuan në zyrën e Buttgereit në ditën e takimit, mësuan se ai ishte transferuar. Pasardhësi i tij, z. Pusill, nuk dinte asgjë për të kaluarën, dhe kështu Erika me ndihmën nga George, e tregoi historinë në një dritë pozitive dhe mori një tjetër zgjatje afati.
Kjo taktikë funksionoi të paktën edhe një herë, kur edhe Pusill u transferua. Ndërkohë, Zyra e Gjendjes Civile ishte rihapur. Në verën e vitit 1943, ne zbuluam se jo vetëm një, por dy vajza ishin pagëzuar Erika, 3 muaj para ditëlindjes së nënës sime (pretendohet ditëlindje të jetë caktuar dita kur ajo u gjet nga prindërit “birësues”). Por burri i ri në Zyrën e Komisariatit të zonës (Gebietskomissar), Gutschmidt, ishte mjaft i zgjuar për të kuptuar se një kërkim i tillë, veçanërisht pasi ajo vetë po e kryente atë, mund të vazhdonte përgjithmonë. Në fund të vitit 1943, ai nuk pranoi të rinovojë lejekalimet tona.
Pritëm të na binte shpata e Damokleut mbi krye, duke hamendësuar nëse policia do të na arrestonte në punë apo në shtëpi, dhe nëse ndodhte kjo e fundit, do të ishte ditën apo natën. Por asgjë nga këto nuk ndodhi. Arsyet mbetën të panjohura për ne, mbase Gutschmidt duke mos dashur të kishte gjak në duart e tij, nuk e kishte njoftuar Shërbimin e Sigurisë. Antisemitët vendas që na kishin denoncuar vazhdimisht në polici në vitet 1941–42, dukej se kishin hequr dorë, duke menduar se kishim lidhje me rangun më të lartë dhe sipas një thashetheme që dëgjuam, me dikë nga stafi i Hermann Göring!
Pse kishim ne lidhje me Reichsmarschall Göring, i cili ishte i dyti pas Hitlerit, nuk e morëm vesh. Ajo që mund të ketë filluar këtë thashetheme, ishte se Erika punoi si një nëpunëse dosjeje me kohë të pjesshme në një zyrë të vogël me katër persona, e quajtur me madhështi: Ostland Eisenhandelsgesellschaft Gmb Hder Reichsëerke “Hermann Göring”. Kompania Tregtare e Hekurit Ostland Ltd. E Punët e Rajhut “Hermann Göring” ishte thjesht një zyrë blerëse që kanalizonte prodhimin e fabrikës lokale të telit, në një kompleks gjigant industrial në Gjermani me emrin Göring. Por një letonez mesatar që shihte Erikën të hynte dhe të dilte nga një ndërtesë që kishte këtë tabelë dhe matufepsja nga fjalët e mëdha gjermane, mund të konkludonte se ajo kishte një lidhje të drejtpërdrejtë me Göring. Unë do të doja të falënderoja personin që i filloi thashethemet, pasi as vetë ne nuk mund të kishim shpikur një gjë më të mirë.
Duke qenë se situata e tyre ushtarake u përkeqësua gjatë viteve 1942-‘43, gjermanët u bënë më të gatshëm të pranonin ndihmë nga grupet etnike të përbuzura. Hitleri kishte thënë në korrik 1941 se, midis Gjermanisë dhe Uraleve, vetëm gjermanët do të mbanin armë. Ky rregull u bë më elastik në fund të vitit 1941, kur Himmler filloi të krijojë “Batalionet e Policisë Vullnetare Letoneze”. Shumica e anëtarëve të tyre ishin rekrutë, por fjala “vullnetar” anashkaloi Konventën e Hagës, e cila ndalon rekrutimin e civilëve në zonat e pushtuara. Ne shkurt 1943, menjëherë pas Stalingradit, Hitleri urdhëroi formimin e një “Legjioni Vullnetar SS Letonez”, me termin “vullnetar”, shërbeu përsëri si ‘gjethe fiku’ (maskimi).
Në nëntor 1943, George u rekrutua në Batalionin e 20-të të Policisë Letoneze. Si një “gjysmë çifut”, ai u caktua në një “kompani pune”, mes të ashtuquajturve “raca të llumit”, si romë, ukrainas, lituanezë dhe polakë. Pesë javë më vonë, George u shkarkua, pasi oficeri ndërlidhës gjerman i batalionit përcaktoi, se gjysmë-hebrenjtë nuk kishin të drejtë të shërbenin në njësitë bashkëpunuese me policinë gjermane. Ai u kthye në shtëpi, por vdiq i rrënuar nga ethet e tifos dhe difteria. Ajo bombë na goditi më fort sesa, vdekja e 24 të afërmve tanë të mbetur në vitin 1941. Tani ishim vetëm nëna ime, Erika dhe unë.
Vajtja në Perëndim
Situata ushtarake gjermane vazhdoi të përkeqësohej. Aleatët Perëndimorë zbarkuan në Normandi më 6 qershor 1944 dhe sovjetikët filluan ofensivën e tyre verore më 23 qershor. Ushtria e Kuqe kaloi kufiri letonez më 18 korrik. Tani lufta po përparonte në oborrin tonë të pasmë.
Me sovjetikët përsëri në tokën letoneze, gjermanët ofruan të linin refugjatë të besueshëm të kërkonin azil “të përkohshëm” në Gjermani, deri në “fitoren përfundimtare” të pritur. Unë e arsyetova këtë si mundësinë tonë të vetme për t’u çliruar nga Aleatët Perëndimorë, sepse nuk kishte asnjë shans që amerikanët apo britanikët, të shkonin në Liepāja përpara Ushtrisë së Kuqe. Një vit nën Stalinin kishte mjaftuar!
Refugjatët e ardhshëm duhej, të merrnin leje politike për t’u siguruar që vetëm njerëzit e besueshëm me një histori të pastër, do të futeshin në Gjermani. Megjithatë, ne nuk kishim më një leje-kalimi që na përjashtonte nga ligjet kundër hebrenjve dhe unë nuk kisha pasaportë, edhe pse më kërkohej ta kisha një të tillë, që kur kisha mbushur 16 vjeç në vitin 1942. Pavarësisht kësaj, ne aplikuam. Nuk e dimë se si ndodhi, por ne e morën dëshminë. Në lejen time, ishte ngjitur një pusllë ku thuhej se, si mashkull, midis grupmoshës 16 dhe 60, nuk më lejohej të largohesha. Por të paktën tani, ishim në gjendje të aplikonim për nënën time.
Disa kohë më parë, unë e pata “Arianizuar” pasaportën e Erikës duke fshirë emrin e saj të mesëm hebraik, Rachel, me hipoklorit natriumi. Reagenti zbardhi bojën, por gjithashtu ndryshoi dhe sfondin blu të zbehtë. Kështu që e shpërndava hipoklorit mbi të gjithë këndin e poshtëm të djathtë, për ta bërë atë të dukej si njollë derdhje kafeje. Edhe pse e dija që shoku im i klasës, George Spektor dhe familja e tij, ishin pushkatuar në vitin 1941, për një falsifikim të ngjashme, si adoleshent tipik moskokëçarës, nuk e mendova për së dyti. Kjo ende e la mbiemrin e dyfishtë të vajzërisë së mamasë time (Šeftelovics-Leventals), nga të cilat pjesa e pare, dukej shumë hebre ose sllave, dhe pjesa e dytë, ndoshta hebre për një Letonez, por më pak për një gjerman, i cili mund të mos e dinte që shqiptimi në letonisht tingëllonte shumë hebre “Löëenthal”. Por eksperimenti i mëtejshëm ishte, përtej aftësive të mia modeste të falsifikimit.
Në zyrën e Gebietskomissar nga katër nëpunësit, zgjodha atë që ishte më i ngarkuari, kalova në radhën e saj dhe e binda lehtësisht të mos e përfshinte “Šeftelovics” dhe shkruante “Volksdeutsche” (gjerman etnik), për përkatësinë etnike. Shefi i saj që do të firmoste dokumentin e qortoi, për shkrim “Volksdeutsche”, meqë Erika nuk ishte regjistruar siç duhet. Por, inat e sipër, ai nuk arriti të vërente se vajza gjithashtu kishte lënë pa shkruar “Šeftelovics”. Tani ne kishim një kartë idenditeti të përshtatshme të arjanizuar për Erikën.
Në fillim të tetorit, ndalimi i largimit të burrave u hoq për pak kohë, dhe ne menjëherë bëmë aplikimin për kalim. U nisëm më 15 tetor 1944 me rreth 2.000 refugjatë të tjerë në një anije transporti të mbushur me pleshta, për në Gdansk. Me të mbërritur, Dogana Gjermane na vulosi në letër-njoftimet tona shqiponjën naziste, duke legjitimuar kështu kopjen time të dyshimtë për një pasaportë: një ID jozyrtare, nga një shkollë me korrespondencë në Potsdam.
Një tren na çoi në Stargard, Pomerania, ku na vendosën në një kamp kalimtar. Unë u sëmura me difterinë – një fat i mirë, siç rezultoi më vonë. Tre jave më vonë u regjistruam në një hotel dhe ndërsa plotësoja formularin e regjistrimit të policisë, më pyetën nëse isha gjysmë apo çerek çifut. I mësuar nga babai im për të thënë të vërtetën, isha gati të shkruaja “po”, kur befas më erdhi shkëndija që askush nuk më njihte këtu. Unë shkrova “gjerman”, grisa të gjitha dokumentet që i referoheshin nga prejardhja jonë hebreje dhe i hodha në tualet e zbraza ujin.
Disa ditë më vonë, ne morëm një tren për në Komotau në Sudetenland, ku familja e një ish-strehuesi – një zyrtar hekurudhe, i quajtur Fischer – na kishte ftuar të qëndronim me ta. Ne ishim të mirëpritur për aq kohë, sa zgjati proshuta jonë letoneze. Pas kësaj, duke u paraqitur si refugjatë gjermanë etnikë, ne morëm një dhomë në një apartament.
Shpejt u sëmura nga miokardit – një ndërlikim i zakonshëm kur të rriturit sëmuren nga difteria – dhe kalova dy muaj në spital. Zyra Shtetërore e Punësimit, më dërgoi njoftime për t’u paraqitur për punë si roje i armatosur për, punëtorët skllevër dhe robërit e luftës. Për sa kohë që isha në spital, mund t’i shmangesha thirrjeve javore, por sapo të lirohesha, më duhej të paraqitesha te mjeku i Zyrës së Punësimit. Pas disa përthyerjesh të gjurit, pulsi im u rrit në 200, gjë që e bindi doktorin të më justifikonte nga puna deri më 15 maj 1945. Si për fat, Lufta përfundoi më 8 maj 1945.
Vetëm 2 % e hebrenjve në Letoni i mbijetuan pushtimit nazist. Rreth 90 % u pushkatuan në vitin 1941, duke kursyer kryesisht tregtarë të rëndësishëm dhe familjet e tyre. Seleksionimet e mëtejshme eliminuan të moshuarit, fëmijët nën 12 vjeç, dhe hebrenj të tjerë “të padobishëm”, duke lënë vetëm një pjesë prej rreth 4 % të cilët, u dëbuan në kampet gjermane të përqendrimit, në vjeshtën e vitit 1944. Kushtet brutalisht të vështira në kampe dhe gjatë marshimeve të vdekjes, lanë gjallë deri në fund të Luftës, vetëm më të fortët, rreth 1.5 %, së bashku me 0.5 % që u fshehën nga letonezë të dhembshur.
Një mësim që kam marrë në Luftën e Dytë Botërore është, të mos bëj përgjithësime fyese për asnjë grup etnik ose fetar, por t’i gjykoj njerëzit si individë. Gjatë Luftës, kam takuar mjaft letonez të denjë, fisnikë dhe të guximshëm, gjermanët dhe rus të drejtë, kundër paragjykimeve. Eduardi dhe nëna e tij Erika, emigruan nga Gjermania në Shtetet e Bashkuara në vitin 1949. Ai ndryshoi mbiemri e tij në Anders, dhe më pas u bë një profesor i Kimisë dhe një specialist i mirënjohur shkencor në fushën ezoterike të kimisë së meteoriteve. Tani është në pension dhe jeton në Kaliforni. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016