Nga Prof. Dr. Hazbi M. Shehu
Memorie.al / Një ditë isha ulur në kafene me një kolegun tim për të pirë kafe. Në bisedë e sipër ai me tha: “Do të tregoj një ngjarje që deri tani dhe vetes time, nuk doja t’ja përsërisja, sepse dhe sot në demokraci, kur e kujtoj dridhem”?! Atëherë i thashë: nëse krijon rrezik për ty apo për familjen, të lutem mos ma trego as mua. “Jo, jo u përgjigj ai, sot ajo ngjarje ka ngelur vetëm si kujtim i hidhur”. Kur është kështu, mirë atëherë, nëse lehtësohesh ma trego…! Pikërisht, ndershmëria dhe miqësia tënde, me lehtësojnë po të rrëfehem?!
“Mbas mbarimit të Fakultetit Gjeologji-Miniera, ministria me emëroi inxhinier gjeolog në Ndërmarrjen e Kërkimit te Naftës në Patos. Dhe në 2 maj të vitit 1957, fillova punë. Mbas nja 5-6 muajsh, shefi i Degës së Kuadrit, më njoftoi se me kërkonin në Degën e Brendshme të Patosit. E pyeta shefin: përse më kërkojnë? ‘Nuk e di’- u përgjigj ai. Të nesërmen në mëngjes, u nisa për në zyrën e Degës Brendshme. Duke ecur gjatë rrugës, m’u kujtuan porositë e babait: ‘Tani do fillosh punë; do të hysh në jetën e punës me shumë halle dhe çdo hap që të hedhesh në jetë; të jetë e matur. Regjimi ne të cilin jetojmë ne, është regjim komunist dhe ka si parim, Diktaturën e Proletariatit apo te klasës punëtore prandaj, duhet të punosh seriozisht dhe pa hile, sepse ky regjim, nuk bën shaka dhe nuk të falë, kushdo qofsh.
Në kafene apo në klube, të kesh kujdes mos të flasësh pa u menduar, duhet të ruhesh dhe nga shoku më i ngushtë, sidomos për problemet politike. Unë mendoj se rruga më e mirë dhe me e drejtë për ty, është të merresh me studime shkencore të profesionit tënd, sepse shkenca është pak më larg politikës dhe se si shtet në formim, qeveria ka nevojë për shkencëtarë të ndershëm dhe punëtorë. Kam dhe një porosi të veçante: Mundet, që Sigurimi i Shtetit, të kërkoi të bashkëpunosh. Në ketë rast, ka dy rrugë: Po të pranosh, do të spiunosh shokët dhe kolegët e t’u; po të mos pranosh, ata mund të fusin në burg.
Pra, është problem i vështirë. Ka dhe një rrugë të tretë, por është me shumë rrezik, të luash rolin e budallait. Por po të kuptuan mund, të përfundosh në çmendinë’?! (Babai im në kohën e Mbretit Zog, punonte sekretar në zyrën e rekrutimit, ndërsa në regjimin komunist, punonte teknik i qendrës së mobilizimit të ushtareve). Unë duke përpunuar në mëndje këshillat dhe mendimet e babait tim, pa pritur dëgjoj një zë: Hajde inxhinier. Hajde, se po te presim. Përpara meje qëndronte një mesoburrë me fytyrë të qeshur…! Më shtrëngoj dorën dhe me ftoi në zyrën e tij, duke u prezantuar: ‘Jam kryetari i Degës Brendshme të Patosit; ndërsa unë, ju përgjigja; Inxhinier gjeolog, Muhamed Sinjari, punonjës në Ndërmarrjen e Kërkimit të Naftës në Patos.
‘Shumë mirë’ u përgjigj ai dhe më ftoi të ulesha. Ai vazhdoi të më pyeste a isha i martuar, për prindërit, etj., dhe së fundi plasi bombën: ‘Partia dhe populli të dhanë mundësinë të bëhesh intelektual me profesion inxhinier gjeolog, për të cilën shteti ka shumë nevojë. Prandaj, duhet t’ja shpërblesh Partisë dhe popullit’.
Unë ju përgjigja se, jam gati të punoj me të gjitha forcat e mija atje, ku ka nevoje atdheu. ‘Bravo’ u përgjigj ai! Tani dëgjo: Ne, Dega e Brendshme e Patosit, të propozon të punosh me ne. A je gati’? Unë ju përgjigja: që në vogëli kam ëndërruar të bëhem detektiv, ju faleminderit, i thashë kryetarit dhe u ngrita për të ikur. ‘Prit’ – tha kryetari,- ku shkon’? Në ndërmarrje të bëj dorëzimet, pastaj të shkoj në Komitetin e Partisë, t’i njoftoj ata dhe pastaj, të vij këtu të filloj punën me ju.
Kryetari ngriu në vend dhe ju drejtua personit tjetër që ndodhesh në zyrë: ‘Ore Kozma, a ja ke shpjeguar inxhinierit ato që të thasë unë? ‘Jo shoku kryetar, se nuk pata kohë i tha ai, pastaj, m’u kthye mua: ‘Dëgjo more djalë se, qenke pak i nxituar ti. Ti do të punosh në ndërmarrjen ku të ka caktuar ministria, por njëkohësisht, do punosh dhe me ne’. Dy punë në të njëjtën kohë, ju përgjigja unë?! Po ju shoku kryetar, sa pune bëni? Ai u përgjigj pa u menduar: ‘Një’. Po unë, si ka mundësi të bëj dy punë, në të njëjtën kohë, nuk mund t’i bëj.
‘Po mirë, përse do shkoje në Komitetin e Partisë’ më pyeti ai? Sepse, ju përgjigja unë; shoku Enver ka thënë: asgjë mos i fshihni Partisë; dhe unë për çdo problem serioz, që lidhet me mua, njoftoi menjëherë Komitetin e Partisë. Unë zbatoj me përpikëri fjalët dhe porositë e shokut Enver. Ato për mua, janë të shenjta!
Ai ju drejtua Kozmajt: ‘Ku e gjete këtë mostër ti?! Kozmai ju përgjigj: Ju shoku kryetar më thatë të gjeja inxhinier të rinj për punën tonë. Unë ndërhyra: Shoku kryetar, nëse nuk ka vend pune për detektiv, unë si fillim le te punoj si oficer policie, më vonë për detektiv. Dhe u ngrita prapë të ikja. Ai më ndaloi, duke thënë: Ku shkon ti, qenke i nxituar?! Dakord të punoj si oficer policie dhe të shkoj në ndërmarrje të bej dorëzimet dhe të bëj edhe njoftimin në Komitetin e Partisë dhe se fundi te vij këtu, të filloj punën. Ai u nxeh dhe tha: ‘Ore Kozma, qenka fare ky, ti sikur e ke gjetur me porosi, ky qenka fare torollak’. Unë ndërhyra: të lutem shoku kryetar, mos na ofendo!
‘Dëgjo more djalë: Meqenëse shoku Kozma, nuk ta ka shpjeguar mirë detyrën, unë po ta përsëris më qartë: ti do punosh në Ndërmarrjen e Kërkimit të Naftës si inxhinier, por njëkohësisht, do punosh dhe për ne’. Ju thash dhe po e përsërit prap, dy punë njëherësh nuk i bëj dot. Ju shoku kryetar, zgjidhni dhe më caktoni se ku të punoj, por një detyre. ‘Pse’ – u shpreh kryetari – shokët e t’u që i bëjnë të dy detyrat? Gënjejnë, ju përgjigja unë; thonë se i bëjnë, por në fakt, nuk bëjnë asnjërën, ja fusin kot. Unë i shërbej atdheut me ndershmëri, siç na mëson shoku Enver dhe nuk i fsheh asgjë Partisë, unë jam njeri i ndershme, çdo problem, që më kërkohet ta zgjidhë, përpiqem me të gjitha mundësitë e mija ta zgjidhë, po nuk e zgjidha, i drejtohem Partisë, nëpërmjet Komitetit Partisë, për ndihmë!
Këto janë mësimet e shokut Enver! Besoj se dhe ju veproni kështu, apo jo shoku kryetar dhe ju nuk i mbani të fshehta Partisë; apo jo shoku kryetar? Ai u përgjigj menjëherë: pa tjetër dhe unë i pari zbatoj porositë e shokut Enver! ‘Por Partia dhe shoku Enver, na ka porositur, që Sigurimin e Shtetit, si arma më e mprehtë e Diktaturës së Proletariatit, ta kemi të fortë, që të godasim armiqtë e Partisë dhe të popullit, apo jo’? Po, ju përgjigja unë. ‘Atëherë’ – vazhdoi kryetari,- që ta kemi Sigurimin e fortë, duhet të na ndihmoni dhe ju, dakord’? Po ju përgjigja unë, jam gati qysh tani të filloj punë këtu në Dege, por dy punë në të njëjtën kohë nuk mund të kryhen. Unë nuk mund ta gënjej Partinë dhe shokun Enver. Shoku Enver në veprat e tij, që ju i keni lexuar patjetër, ka shkruar: secili të bëj punën e tij me ndershmëri dhe pastër dhe unë, veprat e shokut Enver, kam yllin ndriçues.
Tani mbasi të mbarojmë bashkë, unë do të shkoj menjëherë në Komitetin e Partisë dhe do t’ju shpjegoj bisedën tonë. Ata e dinë vetë, si do të më udhëzojnë, por çdo udhëzim brenda mësimeve të shokut Enver, ndryshe unë nuk e zbatoj. Kryetari u nxeh dhe ju drejtua përsëri Kozmajt: Ku ma gjete këtë idiot dhe budalla, që nuk po na ndihmon në punën tonë. Unë ndërhyra: nëse ju shoku kryetar, quani budalla dhe idiot, një besimtar të veprave të shokut Enver, atëherë t’i zgjidhim punët në Komitetin e Partisë dhe u ngrita, kur ai më ndaloi: Ku shkon? Në Komitetin e Partisë, ju përgjigja unë.
‘Ulu, ulu’ – më tha me zë të zbutur, se në Komitetin e Partisë, do shkoj unë dhe të bisedoj me ta, sepse ashtu siç the dhe ti: ne e kemi porosi nga shoku Enver, që çdo problem, ta diskutojmë dhe zgjidhim me Partinë. Ti qenke një kokë shkëmb, – tha kryetari. Jam kokë shkëmb – ju përgjigja unë, se zbatoj porositë e shokut Enver. Ai është udhëheqësi ynë i madhe dhe i gjithë populli, zbaton porositë e të madhit Enver Hoxha. ‘Tani, ik zhduku dhe puno mirë në ndërmarrje’. Unë vazhdova: Me premton që do shkoni ju në Komitetin e Partisë për bisedën tonë, apo të shkoj unë? Ai u nxeh dhe vazhdoi: ‘Të thashë se do shkoj unë, se e kemi detyrë
“O kujtime kujtimet e mija! Sa pisk e kam me ju; O kujtime” Shprehja e një shkrimtari, filozofi dhe profesori….por nuk me kujtohet!
Ishte koha e fillimit të ashtuquajturës demokraci. Unë isha nisur tek kafeneja e një shokut tim të klasës në Tiranë, kur dëgjoj një zë: Profesor, profesor? Kthej kokën dhe vura re se para meje, qëndronte një ish – nxënësi im, Mihali. I thashë: Ku je more Mihal? U bë kohë e gjatë pa u takuar; si je? ‘Mirë – u përgjigj ai dhe vazhdoi – po ju profesor si jeni? Tani mirë, por kam qenë me shumë siklet?! ‘E di e di’ – u përgjigj Mihali. Nga e di ti? Kush ta ka thënë? ‘Dëgjo profesor – vazhdoi ai: Në atë periudhë kohe, mua sapo më kishin caktuar në detyrën e Shefit të Sigurimit të Shtetit, për gjithë sektorin e Naftës. Dhe më pyetën shokët e Ministrisë, se si e njihni një inxhinier gjeolog, Filip Mitro? Po, ju përgjigja, më ka dhenë mësim në Teknikumin e Naftës. Është njeri i ndershëm, studiues, punëtor, nuk i ka qejf klubet, pijet, e nuk ka vese që e dëmtojnë njeriun. Përse më pyesni, e pyeta? Sepse Dega e Punëve të Brendshme e Patosit, i ka propozuar për bashkëpunim; kurse ai nuk ka pranuar dhe, është sjellë keq me kryetarin e Degës të Patosit dhe ata, kanë propozuar të merren masa për të. Ti, çmendim ke? Të dënosh njerëz të ndershëm si ai, do bënim shumë gabim. Shoku Enver, na porositi, të jemi të kujdesshëm me njerëzit dhe mos të dëmtojmë njerëzit tanë, se lemë përshtypje të keqe në popull! Njerëzit me të cilët ai ka punuar dhe punon, kanë përshtypje shume të mira për te. Mirë, thanë shokët e Ministrisë, analizoje mirë ketë rast dhe na kthe përgjigje?
Unë e kam shumë të qartë sjelljen dhe karakterin e tij dhe po e përsëris, nuk duhen prekur njerëz të tillë. Mire – u përgjigjen ata – na dërgo përgjigjen me shkrim. Unë ja dërgova përgjigjen dhe çështja tuaj profesor u mbyll, me gjithë kundërshtimet e kryetarit të Degës së Brendshme të Patosit, sepse e vendosa unë. Ketë e bëra, jo për ju, por sepse ashtu ishte e vërteta. Po tani si shkon me pune O Mihal? Kemi rënë nga fuqia ne tani. S’është e vërtetë – ju përgjigja – edhe tani gjithë pushtetin e kanë ish- sigurimsat dhe komunistët kudo, në çdo post, por unë tani nxitohem se kam takim me ish-shokët e klasës, tek kafeneja e një shokut tonë. Takohemi njëherë tjetër, dhe u ndamë”.
Kur shoku im përfundoi historinë e tij, unë i thashë se: ngjarja është shumë interesante, në se është e vërtete! Ai u përgjigj: ‘Aq e vërtetë është, sa që unë ndjej frikë dhe tani kur ka mbaruar çdo gjë. Vetëm se emri real është ai i Kozmait, sekretarit që punonte në Degën e Brendshme, emrat e tjerë, unë i kam ndërruar dhe janë fiktivë’. Po pse – i thashë unë, kanë kaluar mbi 50 vite dhe një pjesë e mirë e njerëzve nuk jetojnë, përse ndruhesh?! ‘Nuk është frika, por do thonë njerëzit: shkruan për të shitur mend. Kështu i dashur mik, nëse miku tuaj gazetar, e publikon, ta botoi me emra fiktiv, për ndryshe…! Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016