Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore me siglën “Sekret” të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (Fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin vitit 1975, ku ministri i Punëve të Brendshme i asaj kohe, Kadri Hazbiu, me anë të një raport-informacioni dërguar Komitetit Qendror të PPSh-së dhe personalisht sekretarit të Komitetit Qendror Ramiz Alia, u bën me dije lidhur me disa probleme shqetësuese që kishin ndodhur nga ana e personelit të përfaqësive të huaja diplomatike dhe tregtare të akredituara në Republikën Popullore të Shqipërisë, të cilat kishin të bënin me veshjen e tyre, si: pantallonat kauboj, me minifunde, paraqitjen e jashtme, flokët dhe favorite e gjata, si dhe sjelljet e pahijshme e marrëdhëniet intime në lokale, parqe, lulishte e vende publike të disa prej tyre, gjë e cila kishte shqetësuar mbarë opinion publik.
Dokumenti sekret i hartuar nga Ministri i Punëve të Brendshme Kadri Hazbiu, dërguar Komitetit Qendror të PPSh-së dhe personalisht sekretarit të Komitetit Qendror, Ramiz Alia, lidhur me “problemin e përhapjes së modës së huaj borgjezo-revizioniste nga ana e personelit të përfaqësive të huaja diplomatike në Tiranë”!
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË SEKRET
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr. 1
DREJTORIA E PARË Tiranë, më 13.3.1975
Nr.1142
Lënda: Mbi veshjen, sjelljen, dhe paraqitjen e jashtme të personelit të përfaqësive të huaja diplomatike dhe tregtare të vendeve kapitalisto-revizioniste.
SEKRETARIT TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH
SHOKUT RAMIA ALIA
T I R A N Ë
Sipas udhëzimit Nr. 479, datë 4/V/1973, nuk lejohet të hyjnë në Republikën Popullore të Shqipërisë, të huajt, që me veshjen dhe paraqitjen e tyre të jashtme, propagandojnë mënyrën borgjezo-revizioniste të jetesës.
Nga ky rregull, përjashtohen pjesëtarët e trupit diplomatik, familjarët e të afërmit e tyre. Kjo nuk na duket e drejtë, për arsye se, ndërmjet tyre, ka persona që ndikojnë negativisht në edukimin e njeriut tonë të ri, por njëkohësisht, ngjallin pakënaqësi tek të huajt e tjerë, të cilët shpesh herë pyesin: “Përse nuk i zbatoni rregullat njëlloj për të gjithë të huajt”?!
Diplomatët dhe nëpunësit e përfaqësive të vendeve kapitalisto-revizioniste, në përgjithësi janë të dhënë pas modës. Nëpërmjet tyre, ka mjaftë persona që mbajnë favorite dhe flokë të gjata, pantallona kauboj, minifunde, si dhe persona që bëjnë gjeste dhe veprime të pahijshme nëpër rrugë dhe lokale e vende të tjera publike. Kështu p.sh.:
Nga ambasada dhe përfaqësia tregtare çeke kanë rënë më shumë në sy, Jarmilla Mashkova, Milushe Kutova, Zllata Kostelçka, Zdeneka Vidskovska, Danushe Shtetkova dhe Jarmilla Mikloshkova, të cilat mbajnë minifunde, pantallona kauboj, etj.
Jarmilla Mashkova, ka kryer gjithashtu marrëdhënie intime në makinë, nëpër lulishte dhe rrugë të qytetit të Tiranës, në vende të dukshme nga publiku me shoferin e ambasadës gjermane, Jurgen Tanzar, i cili është larguar kohët e fundit nga vendi ynë.
Po kështu, gjeste dhe veprime të tilla të pahijshme ka bërë edhe Frantishka Kavbilova me atasheun e kësaj ambasade, Mirosllav Pokorni, të cilët gjithashtu janë larguar nga vendi ynë.
Nga ambasada dhe përfaqësia tregtare polake, kanë rënë më shumë në sy Lavzek Lampark dhe Paulina Tomska, të cilët janë parë shpesh herë duke u puthur nëpër rrugë si dhe në ambiente publike të Hotel “Dajti”-t, sidomos me nëpunësit e ambasadës turke, Xhemal Asllani dhe Nexhat Kaja.
Nga ambasada dhe përfaqësia tregtare gjermane, kanë rënë më shumë në sy Juta Vaizing, Barbara Platecek, Korala Golke, të cilat mbajnë minifunde dhe pantallona kauboj, ndërsa Johanin Vaizig, mban favorite të ekzagjeruara dhe flokë të gjata.
Nga ambasada dhe përfaqësia tregtare hungareze, bie në sy vetëm Maria Nagy, e cila mban minifund dhe pantallona kauboj.
Nga përfaqësitë e vendeve kapitaliste, më negativet janë: Tereza Mucilli, (italiane) Meleke Ylker (turke), dhe Paula Karrie (franceze), të cilat mbajnë minifunde dhe pantallona kauboj.
Veshje ekstravagante, minifunde dhe pantallona kauboj, mbajnë gjithashtu dhe nëpunësit e ambasadës italiane, Mishele Insonja, Viçenzo Kodispoti e Xhino Muçilli, si dhe ambasadori grek, Dimitris Franxezkaqis dhe nëpunësi i po kësaj ambasade, Joanis, Tsumitas.
Nëpunësi i ambasadës turke, Xhemal Asllani, bën gjeste dhe veprime të pahijshme në lokale dhe vende të tjera publike me disa femra të përfaqësive të vendeve revizioniste, në disa raste ka provokuar edhe femra tonat duke i ndaluar në rrugë ose ndjekur nga pas, u ka dhënë kartëvizitën, dhurata të ndryshme, etj.
Disa herë është grindur me qytetarë shqiptarë, të cilët i ka provokuar vetë. Për këtë, i është kërkuar Ministrisë së Punëve të Jashtme që, të paralajmërojë për veprimet e tij ambasadën turke, por që ende nuk është bërë gjë.
Sikurse shihet, mjaft diplomatë dhe veçanërisht nëpunës të përfaqësive të ambasadave të vendeve kapitalisto-revizioniste të akredituara në Republikën Popullore të Shqipërisë, me veshjen, sjelljen dhe paraqitjen e tyre, ndikojnë tek qytetarët tanë për përhapjen e modës dhe mënyrën borgjeze e revizioniste të jetesës.
Për t’u prerë rrugën këtyre influencave të huaja, sidomos tek të rinjtë, propozojmë që:
- Nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme, t’u thuhet zyrtarisht përfaqësive të huaja diplomatike dhe tregtare që janë të akredituara në Republikën Popullore të Shqipërisë, se: veshjet ekstravagante të disa punonjësve të tyre, favoritet dhe flokët e gjata që mbajnë në përgjithësi ata, si dhe gjestet e veprimet e pahijshme në rrugë, parqe dhe lokale të ndryshme publike, kanë rënë në sy të opinionit tonë shoqëror, prandaj të marrin masat e nevojshme në këtë drejtim, sepse këto janë veprime që bien në kundërshtim me etikën e moralin tonë socialist.
- Të urdhërohen përfaqësitë tona jashtë shtetit, që të mos i japin vizë hyrje të huajve që me veshjen dhe paraqitjen e tyre të jashtme, bien në kundërshtim me normat e moralit tonë socialist.
- Për të lehtësuar zbatimin e urdhrit Nr. 479, datë 4/V/1973, si dhe për të mos lënë keqkuptime dhe përshtypje të këqija tek të huajt, mendoj që të merren këto masa:
- Të gjitha PKKK (Pikat e Kalim Kontrollit Kufitar), dhe veçanërisht ajo e Rinasit e cila ka një dinamikë të madhe hyrje daljesh, të pajisen me rrojtore dhe dhoma të posaçme zhveshjeje. Në aeroportin e Rinasit, tani të huajt zhvishen nëpër WC, kurse lokali i rrojtores, është i papërshtatshëm.
- Komandanti i PKKK dhe ushtarët, të mos marrin kontakt direkt me të huajt dhe t’u kërkojnë atyre të qethen, të rruhen, apo të heqin mini apo maksifundet, sepse ulin prestigjin e tyre si ushtarakë dhe masat marrin karakter policor.
Me këtë punë duhet të merren punonjësit e doganave.
E themi këtë, sepse nuk mjafton që të kontaktohet dhe t’i bëhet vërejtje të huajit, por duhet që t’i shpjegohet me takt edhe korrektësi edhe arsyet përse janë vendosur këto rregulla në vendin tonë, dhe pastaj të ndiqet çështja deri sa të bëhet korrigjimi i plotë në vend. Kufiri nuk do të lejojë shkeljen e këtyre rregullave.
- Për zbatimin e këtyre rregullave duhet të mobilizohen të gjitha institucionet dhe organizatat e ndryshme shoqërore që kanë kontakte me të huajt, prandaj jemi të mendimit që për këtë qëllim, të lëshohet një udhëzim i posaçëm nga Kryeministria, pasi udhëzimi Nr.479, datë 4/5/1973, nuk është i plotë dhe ngarkon me detyrë vetëm Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme.
MINISTRI I PUNËVE TË BRENDSHME
KADRI HAZBIU
Shënim:
- Pikë Kalimi Kontrolli Kufitar
- Për këtë material, jemi konsultuar edhe me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe me Ministrinë e Tregtisë, kjo e fundit ka vetëm një vërejtje, që të mos e ketë nëpunësi i Doganës detyrën që të kërkoj nga huajt që të qethen dhe të vishen në rregull.
Shënimi i Ramiz Alisë për sekretarët e Komitetit Qendror dhe funksionarët e tjerë të lartë të sektorit të Marrëdhënieve me Jashtë pranë aparatit të Komitetit Qendror të PPSh-së
Shokut Hysni, Haki dhe Petro. Pastaj shokut Agim Popa. Ministria e Jashtme është dakord të veprohet kështu dhe ka marrë masat.
14.3.1973 Ramiz Alia
Shënimi i Hysni Kapos mbi dokumentin e Kadri Hazbiut
Të gjitha këto janë çështje që duhen biseduar me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe ajo të vendosë në rrugë shtetërore si të veprohet. Nuk merret Komiteti Qendror me veshjet dhe sjelljet e diplomatëve dhe familjarëve të tyre. Memorie.al
15.3.1973 Hysni Kapo
E pa përfundimisht shoku Ramiz.
Ilo Kodra
Dt. 3.9.1975
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016