Dashnor Kaloçi
Pjesa e tridhjetë e gjashtë
Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet dosja voluminoze (formulare, hetimore dhe gjyqësore), e Myrteza Bajraktarit me origjinë nga Gostivari, i cili pasi mbaroi shkollën e mesme në qytetin e Tetovës, në vitin 1952, filloi studimet e larta në Universitetin e Shkupit, në degën e Filozofisë, ku krahas mësimeve ai u punësua edhe si gazetar në gazetën “Flaka e Vllaznimit” që botohej në Shkup, nga ku e largojnë shpejt, pasi botoi një artikull ku dilte hapur kundër shpërnguljes së shqiptarëve të Jugosllavisë për në Turqi dhe, si rezultat u emërua mësues në shkollën 7-vjeçare “Shaban Zeneli” të Kumanovës. Arrestimi i Myrtezait nga UDB-ja në vitin 1952, pasi ai bënte pjesë në një organizatë të fshehtë të quajtur, ‘Organizata Nacional-Demokrate Shqiptare’ dhe dënimi i tij me shtatë vite burg politik, të cilat i vuajti në burgun e Nishit dhe të Idrizovës. Arratisja nga Jugosllavia dhe ardhja në Shqipëri, ku pasi qëndroi disa kohë në kampin e internimit në Seman të Fierit, i’u dha e drejta e shkollës së lartë, duke u diplomuar në Universitetin e Tiranës në degën Gjuhë-Letërsi, por pasi refuzoi emërimin në qytetin e Beratit, në vitin 1971, arrestohet dhe dënohet me shtatë vite burg politik, me akuzën “agjitacion e propagandë”. Dalja nga burgu e lënia pa punë deri në shembjen e regjimit komunist dhe emërimi i tij si Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Zvicër, deri në vitin 1993, si dhe më pas zgjedhja e tij si Kryetar Nderi i Lidhjes Shqiptare në Botë, për vendet e Beneluksit, ku ai punoi për çështjen e Kosovës, deri sa u nda nga jeta më datën 11 dhjetor 2020. E gjithë dosja e plotë e Myrteza Bajraktarit, me emrat e funksionarëve dhe oficerëve të Sigurimit të Shtetit, pseudonimet e bashkëpunëtorëve, “kolegëve” e “bashkëpatriotëve” që e ndiqnin dhe survejonin, provokatorët në qelitë e hetuesisë, dëshmitarët që i dolën në gjyq, letrat dërguar Enver Hoxhës dhe instancave të larta zyrtare ku kërkonte pafajësinë e tij, etj., etj., publikohet për herë të parë nga Memorie.al
Dokumenti sekret me relacionin e përgatitur nga Punëtori Operativ i Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, Shefqet Matrangasi dhe i miratuar nga kryetari i Degës së Kundërzbulimit, Nasho Gjinopulli, lidhur me ndjekjen e survejimin që i është bërë Myrteza Bajraktarit, gjatë kohës që ai ka qenë i izoluar në kampin e Semanit në rrethin e Fierit
Sekret
Ekzemplar i vetëm
Tiranë 22.10.1983
R E L A C I O N
Për objektin në përpunim aktiv 2/A, Myrteza Bajraktarin.
Më datën 18.10.1983, unë Punëtori Operativ i Drejtimit, Shefqet Matrangasi, efektiv i Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, isha me shërbim në Degën e Punëve të Brendshme në Fier, dhe më vonë në Degën e Punëve të Brendshme në Lushnje, në kuadrin e koordinimit për disa lidhje të objektit 2/A, Myrteza Bajraktari, gjatë kohës që ky objekt ka banuar në këto rrethe.
Përpunimi i objektit Myrteza Bajraktari, ndiqet me dosje agjenturore me pseudonimin “Gorrilla” dhe i centralizuar në ministri.
Gjatë kohës që objekti Myrteza Bajraktari ka banuar në sektorin e Semanit të rrethit të Fierit, kanë marrë pjesë në përpunimin e tij dhe kanë dhënë të dhëna me interes operativ, B.p. “Korabi”, “Paketa”, “Adriatiku”, dhe “Besniku”, që janë mbajtur në lidhje nga ish-Punëtori Operativ, Metush Qamili. Nga verifikimet e bëra rezultoi se: ish-B.p. “Paketa”, M.S. ka dalë dëshmitar në vitin 1981 dhe është i gatshëm që të dali prapë dëshmitar.
(Duke marrë më parë miratimin e shokut ministër, për të dhënat që ai ka dhënë më parë për këtë objekt). Nga bashkëpunëtorët e tjerë që kanë dhënë për objektin tonë, janë përjashtuar nga rrjeti agjenturor dhe ju la si detyrë shokëve të Degës së Punëve të Brendshme të Fierit, të verifikojnë e të shikojnë qëndrimin aktual të tyre dhe gatishmërinë për të ndihmuar organet tona.
Gjithashtu gjatë kohës që objekti ka banuar në zonën e Semanit, dalin lidhjet shoqërore të tij me: Xhevair Çerkezin, Ismet Rexhepin, Muharrem Bërdynën, Halit Llazanën, dhe Rexhep Llazanën. Nga verifikimet e bëra rezultoi se: të gjithë këta persona jo vetëm që nuk banonin në rrethin e Fierit, por dhe nuk diheshin se ku banonin aktualisht. Nga këta Rexhep Llazana ishte në burg, dhe aktualisht vuan dënimin në kampin e Ballshit, për aktivitet armiqësor.
Ndërsa Bërdyna, dilte me emrin Idriz dhe ishte me banim dhe me punë si arsimtar në Roskovec. Ai, është me origjinë nga Peja. Ndërsa nga verifikimet e bëra nga Dega e Punëve të Brendshme të Lushnjes, rezulton se, Menduh Nurçe dhe Nuri Gostivari, kanë vdekur. Ismet Fejzullai dhe ish B.p. “Vardari”, H.N. ndiqeshin në përpunim aktiv 2/A, si agjentë të mundshëm të Zbulimit Jugosllav.
Kurse Hafiz Kadriu e Qerim Jakupi, janë në kontroll operativ 2/B, si agjentë të Zbulimit Jugosllav. Vera Resuli (e shoqja e Kapllan Resulit), me banim në Plug dhe Lumturi Suku, me banim në lagjen “Loni Dhamo”, do të studiohen nga shokët e kësaj Dege, me qëllim që të pyeten ose jo nga ana jonë, se çfarë dinë ato mbi aktivitetin armiqësor të Myrteza Bajraktarit. Ndërsa një lidhje tjetër e ngushtë e objektit, ishte tërhequr në shërbim sekret nga organet e Sigurimit të Shtetit me pseudonimin “Dajti”.
Ky bashkëpunëtor në muajin nëntor, do të dërgohet në qytetin e Tiranës për, të kontaktuar me objektin tonë dhe në varësi të të dhënave që do japi, do të studiohet mundësia e përgjimit të bisedave të tyre me T.O. në bazë të një plani kombinacioni që do të hartohet më parë.
Ndërsa bashkëpunëtorët “Molla” dhe “Molla e vogël”, janë përjashtuar nga rrjeti agjenturor i organeve tona, dhe ju la si detyrë shokëve të Degës së Lushnjes, të studionin dhe të sqaronin sesa të gatshëm janë këta bashkëpunëtorë për, të ndihmuar organet tona. Shtojmë se B.p. “Patrioti”, ishte transferuar me banim në Durrës.
Për të gjitha lidhjet shoqërore, agjenturën aktuale dhe atë të përjashtuar, që dilnin nga lidhjet e objektit tonë 2/A Myrteza Bajraktari së bashku me Degën e Punëve të Brendshme të Lushnjes, hartuam një plan masash agjenturore-operative.
PUNËTORI OPERATIV I DREJTIMIT
SHEFQET MATARANGASI
KRYETARI I DEGËS SË KUNDËRZBULIMIT
NASHO GJINOPULLI
Sh. Besim
Më duhet të sigurojmë objektin për agjenturë. Duhet të riaktivizojmë agjentin e Fierit dhe të Lushnjes, sepse agjentura jonë në këtë situatë shqetësuese për ta, mund të digjen, kam parasysh se është i zgjuar dhe përpunimi i djegur. Brenda këtij dhjetëditëshi, të shkojmë vetë në Fier dhe në Lushnje.
Arifi. 6.10.1983
Dokumenti sekret me ekzemplarin e raportit të survejimit ndaj Myrteza Bajraktarit, i hartuar nga shefi i Bazës së Survejimit në qytetin e Tiranës, Andrea Karaponço
Sekret
Tiranë 1983
Ekzemplar
RAPORT SURVEJIMI në datë 22.10.1983
Mbi survejimin e objektit me pseudonimin “Furnitori”.
Në ora 6.00 filloi survejimi në pritje të daljes së objektit nga shtëpia e tij tek ambulanca e lagjes nr. 1 në rrugën “Marsel Kashen”.
Në ora 7.50, objekti, u pa tek byrektorja në Rrugën “Mihal Grameno” duke ardhur nga drejtimi i shtëpisë së tij e kalon B.SH. e re, “Labinoti”, Shkollën “Partizani”, e në ora 8.00, futen në restorantin “Partizani”. Brenda nuk u kontrollua por, u pa nga jashtë që hëngri bukë dhe kaloi Shkollën “Partizani”, Rrugën e “Barrikadave” dhe në ora 8.20, tek reklamat e Kinemasë “17 Nëntori”, takohet me një burrë me pseudonimin “Rrobaqepësi”.
Ata bisedojnë dhe më pas ndahen. Objekti më pas hipën në makinën me targa TR 05-10, e cila ishte në pritje, e ndërkohë kalojnë në kryqëzimin e “Barrikadave” me Rr. “Asim Vokshi”, i shkëputet survejimit për arsye automjeti. Në orën 10.30, objekti shkon në punë.
Në ora 8.45, rifilloi survejimi tek puna e tij. Hypën në “Zuk”-un dhe kalon rrugën “M. Keta” e “B. Curri” dhe në ora 12.25, tek Spitali nr. 1, shkëputet suvejimit për arsye automjeti. Në ora 12.45, rifillon survejimi tek shtëpia.
Në orën 16.10, objekti me një çantë dore, u pa që po vinte nga drejtimi i Rrugës “Rilindja” dhe pas 5 min., futet në shtëpinë e tij. Deri në ora 21.00, që vazhdoi survejimi, objekti nuk doli ndërkohë survejimi u ndërpre.
Shefi i Bazës
Andrea Karapanço
Dokumenti i Sigurimit të Shtetit, me letrën e Aishe Sh….. nga qyteti i Durrësit, (mikeshë familjes së Myrteza Bajraktarit dhe Agim Gjakovës), dërguar Rexhp Xhaj Lajçi në Stamboll, i cili kishte qenë si vizitor në Shqipëri dhe dyshohej se ishte agjent i Zbulimit Turk
I dashur Rexhep
Si gjithmonë në radhë të parë, duam që të gëzosh shëndet së bashku me familjen, bashkëshorten dhe fëmijët, edhe ne këndej, jemi të gjithë mirë, gjë që besoj e ke marrë vesh tani edhe nga letra e dytë bashkë me fotografinë nga Havaja e z. Selim.
Deri tani kam marrë letrën e falenderimit dërguar momës, dhe dje mora dhe letrën e datës 2.9.1983, të cilën e hapa dhe e rilexova disa herë.
Për sa i përket Selimit, nuk po të flas gjatë, ai do të tregojë gjithçka verbalisht, kurse për z. Sterjo Spasen, po të them se me të mbërritur në Tiranë, më mori në telefon dhe mbas dy ditësh i vajta në shtëpi. Ndenja rreth dy orë tek ai, më foli shumë gjatë për ty, për pritjen e kujdesin që kishte treguar për të dhe se i kishe lënë përshtypje shumë të mira.
Ndaj meje, tregoi një respekt të veçantë edhe për faktin se vajza e tij, më njihte, që është kolege e Adelinës. Më porositi 100 herë, që të falënderoj për gjithçka që ke bërë për të.
Ato që më dërgove si me Selimin dhe me z. Sterjon, i mora, nuk më mbetet gjë tjetër veçse të falënderoj së tepërmi dhe të porosis që të kujdesesh në shpenzime, boll je shpenzuar deri tani, për këtë jemi fjalosur së bashku gjatë. Unë dua vetëm të jesh me shëndet mirë, për mua mjafton kur dëgjoj fjalë të mira prej teje, të cilat vlejnë më shumë se: “thëniet e Monte Kristos”.
Të falënderoj edhe në emrin e shoqeve, Marjanthit Emines, e Maries, për kartolinën e falënderimit që i dërgove. Kurse Xhirja…tha, besoj se do të falënderojnë veçanërisht. Xhirja u gëzua si fëmijë, kur i dhashë kolonjën dhe një sapun nga ato që më dërgove.
Meqenëse më pyesje po të njoftoj se “kësmet”, të dielën do të dërgoj plaçkat në shtëpinë e re, e kam lyer me bojra, si vaji dhe uji (dhomën e gjumit, bojë-qielli, korridorin e aneksin, portokalli, kuzhinën ngjyrë limoni i papjekur, ndërsa dyer e penxheret e bufe, në aneks, të bardha), i kam bërë edhe abazhurët, ato që e kanë parë, e kanë pëlqyer, se si do ta sistemoj, e ke të qartë, se ta tregova kur vajtëm dhe e pamë. Atë do të mbaj pastër, jo vetëm se më këshillove ti, por megjithëse nuk ke besim tek unë, (se ndryshe nuk do të ma kishte thënë), unë gjithmonë kam qenë e pastër, në kuptimin e gjerë të fjalës, jo në kuptimin e ngushtë.
Kasetat i incizova nëpërmjet Komitetit të Marrëdhënieve me Botën e Jashtme, meqenëse nuk kishte mundësi t’i sillte Selimi, t’ nisa zyrtarisht dhe së shpejti do t’i marrësh me anën e Konsullatës, (tek Ibrahimi). Më shkruaj nëse ke nevojë për të incizuar muzikë tjetër, të të nisi edhe të tjera.
U gëzova shumë që udhëtimin e kishe kaluar për mrekulli dhe se punët të shkojnë më mbarë se më parë. Nuk kam dyshim se ti gjithmonë ke qenë me fat dhe nuk ka sesi të jesh ndryshe.
Po ashtu nuk mund të rri pa të thënë se më gëzon së tepërmi fakti, megjithëse ke menduar se do ta kishte shumë më të vështirë ndarjen, por siç e thua dhe vetë, nuk është kështu, ditët kalojnë, ndjekin njëra tjetrën. Ja pra, kështu është dhe mos kujto se duhesh të ma thoshe, unë e kam patur mirë, se ty, qysh në javët e para, “t’u mbaruan fjalët” dhe se aq më tepër, që u “ngrive” shpejt.
Dhe ajo që i vuri vulën, ishte mesdita e 11 gushtit, që kujtoj se unë idhnohem për këtë, e as të qortoj, unë nuk u idhnova kurrë, duke ditur dëshirën time, u takova 3-4 herë me R., gjë që unë nuk do ta kisha bërë kurrë, sikur ky të më pëlqente t’i flisja dikujt. Kjo gjë i kishte bërë përshtypje edhe Osman Rustemit, i cili nuk kishte munguar t’ja thoshte kushërirës time, kur kishte qenë vizitë tek ai me të shoqin dhe aty kishte dhe R.-ja e cila, përsa kishte ndenjur aty, kishte llafosur për ty.
Osmani paska qenë atë ditë në plazh kur paska qenë edhe R.-ja. Këto t’i thashë se me ty doja të bisedoja gjithçka, atë që kam në zëmër, se kështu qetësohem. Tani neve jemi miq dhe nuk ka pse të kërkojmë për veprimet e tuaja. Çdo njeri vepron dhe bën ashtu siç i thotë zëmra. Unë kam bërë atë që kam ndjerë dhe nuk jam pishman, prandaj nuk duhet të më falënderosh ti mua, por unë ty. Unë nuk pata aftësi të jap atë që më dhe ti mua.
Edhe për një gjë do të lutem, kurrë mos më shkruaj sa për të kaluar radhën, më shkruaj atëherë, kur ta ndjesh e të kesh kohë. Unë edhe sikur të mos marrë letra, do të jem gjithmonë ajo e para dhe do të dua të jesh mirë dhe i lumtur.
Për Aulonën u gëzova së tepërmi që është rregulluar, më erdhi keq që u largua se atë e kam edhe unë shoqe, megjithëse nuk e njoh nga afër, por mendoj se ajo është femër me botë shpirtërore, dhe ajo është gënjyer nga ai. Po t’i tregosh asaj, për këto që të kam shkruajtur, do të më japi të drejtë se ajo më kupton më mirë se kushdo. Kur ta takosh, jepi shumë të fala nga unë. Përsa i përket letrave të bixhozit, mos u vë në mundim, unë karshi shefave të zyrës, nuk kam asnjë detyrim, por duke menduar se atje nuk kushtojnë, prandaj të thashë.
I dashur Rexhep
E di e di, se tash nuk të intereson vetëm shëndeti im, që në përgjithësi, s’jam keq, i jam borxhli të gjithë shoqërisë, që nuk më ndahen, sidomos, Aliqi dhe disa shoqe të tjera që ti nuk i njeh. Ato kurrë nuk më bien në sy, por që e kuptojnë gjendjen time, punë kam pasur shumë, jam detyruar që të punoj deri në orët e vona, besoj se ta ka thënë për këtë edhe Havaja e Shkëlqimit, por edhe i familjes sime.
Moma nja dy ditë, i rrodhi gjak nga hundët, e vizitova në spital dhe tani është mirë dhe ndjek mjekimet, Agimi e Aulona e Bardhja, janë mirë, kurse Sonila, pati nja tre ditë temperaturë. Marjanthi ka marrë lejen e zakonshme, ka vajtur në Gjirokastër, kurse me Eminin, për arsye pune, takohemi vetëm në korridor, megjithëse edhe unë këto ditë të fundit kam ardhur në zyrë (kam qenë me punë në dikasterin tim qendror).
Këto ditë do të vij në Ankara, ekipi i gjimnasteve, në qoftë se do të kalojnë nëpër Stamboll, i kam thënë Shyqëries të takohet me ty (është ajo shoqja jonë, që e njeh Agim Gjakova dhe e kemi pasur në plazh).
Nuk di nëse ke marrë letër, ose lajm nga Jakupi dhe Ismaili, të mos harrosh t’i japësh të fala nga unë, Jakupit kurrë nuk do t’ja harroj, respektin që ka treguar ndaj meje. Më është bërë si vëlla, nga të gjithë miqtë e mij shoqëria, e sidomos Bardha e Agimit, ka të fala. Përsa i përket rrobave të banjës të Bardhës, mos u ngut, ato mund t’i sjellësh dhe pranverën e ardhshme, qoftë dhe me doganë, pasi tani për tani nuk i duhen.
Përqafime, ty familjes dhe të gjithë atyre që më njohin, i uroj shëndet./Memorie.al
E juaja, Ishja
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016