Dashnor Kaloçi
Pjesa e njëzet e tetë
Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet dosja voluminoze (formulare, hetimore dhe gjyqësore), e Myrteza Bajraktarit me origjinë nga Gostivari, i cili pasi mbaroi shkollën e mesme në qytetin e Tetovës, në vitin 1952, filloi studimet e larta në Universitetin e Shkupit, në degën e Filozofisë, ku krahas mësimeve ai u punësua edhe si gazetar në gazetën “Flaka e Vllaznimit” që botohej në Shkup, nga ku e largojnë shpejt, pasi botoi një artikull ku dilte hapur kundër shpërnguljes së shqiptarëve të Jugosllavisë, për në Turqi dhe si rezultat, u emërua si mësues në shkollën 7-vjeçare “Shaban Zeneli” të Kumanovës. Arrestimi i Myrtezait nga UDB-ja në vitin 1952, pasi ai bënte pjesë në një organizatë të fshehtë të quajtur, ‘Organizata Nacional-Demokrate Shqiptare’ dhe dënimi i tij me shtatë vite burg politik, të cilat i vuajti në burgun e Nishit dhe të Idrizovës. Arratisja nga Jugosllavia dhe ardhja në Shqipëri, ku pasi qëndroi disa kohë në kampin e internimit në Seman të Fierit, i’u dha e drejta e shkollës së lartë, duke u diplomuar në Universitetin e Tiranës në degën Gjuhë-Letërsi, por pasi refuzoi emërimin në qytetin e Beratit, në vitin 1971, arrestohet dhe dënohet me shtatë vite burg politik, me akuzën “agjitacion e propagandë”. Dalja nga burgu e lënia pa punë deri në shembjen e regjimit komunist dhe emërimi i tij si Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Zvicër, deri në vitin 1993, si dhe më pas zgjedhja e tij si Kryetar Nderi i Lidhjes Shqiptare në Botë, për vendet e Beneluksit, ku ai punoi për çështjen e Kosovës, deri sa u nda nga jeta më datën 11 dhjetor 2020. E gjithë dosja e plotë e Myrteza Bajraktarit, me emrat e funksionarëve dhe oficerëve të Sigurimit të Shtetit, pseudonimet e bashkëpunëtorëve, “kolegëve” e “bashkëpatriotëve” që e ndiqnin dhe survejonin, provokatorët në qelitë e hetuesisë, dëshmitarët që i dolën në gjyq, letrat dërguar Enver Hoxhës dhe instancave të larta zyrtare ku kërkonte pafajësinë e tij, etj., etj., publikohet për herë të parë nga Memorie.al
Vijon nga numri i kaluar
Dokumenti sekret me raport-informacionin e përpiluar nga Punëtori Operativ Shefqet Metaj, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Ylli”, lidhur me ndjekjen e survejimin e Myrteza Bajraktarit
Marrë nga P.Op. Shefqet Metaj
Dhënë nga B.p. “Ylli”
Më 25.3.1977
R A P O R T
Burimi njofton se në datën 21.3.1977 rreth orës 17.00, u takua përsëri me Myrteza Bajraktarin dhe zhvilloi një bisedë. Një pjesë e bisedës u zhvillua në shtëpinë e Myrtezait, kurse pjesa tjetër në restorant “Peshku”. Kur hyri në shtëpinë e tij pa një grua të cilën e njihte dhe që quhej Lumturi Dhremi. Këtë më tha ai, e kam kushërirën e gruas dhe kjo, më ka ndihmuar materialisht.
Mbasi dolën, gruaja e Myrtezait dhe Lumturia, e ftuan atë që të shihte fotografitë e familjes së tij në Shkup. Kur po shihnin fotot Myrtezai, i tha se familja jote duket sikur është aristokrate. Nga kjo fjalë Myrtezai, filloi që të lavdëronte jetën në Jugosllavi, duke thënë se atje nuk jetohej si këtu, por i kanë të gjitha të mirat. Jo vetëm kaq, por edhe të burgosur politikë nuk ka shumë.
Më pas në një foto të një oficeri marine me shumë dekorata, Myrtezai tha: “Ky është ai zëvendës admirali revizionist, që e kam vëlla”. Kur dolëm nga shtëpia, ra fjala për burgun, dhe ai tha se: në këto kohëra, është budallallëk që të biesh në burg sepse këta, të fusin brenda vetëm kur të llap shumë goja me njëri tjetrin. Myrtezai tha që: jam dakord me ty. Ai më porositi të mos i flas asnjë njeriu, se nuk i dihet punës.
Myrtezai më tha: “Kam një intuitë shumë të mprehtë dhe juve nga kjo intuitë ju kam njohur. Ti je shok i Qani Çollakut të cilin unë e kam pasur në burg, por nuk kam pasur shumë shoqëri”. Në vazhdim ai tha: “Njerëzit në burg ligështohen dhe nuk mbahen për trima. Ja p.sh., njëri që kishte bërë 15 vjet burg, ishte bërë spiun i sigurimit. Ai kishte përpunuar një shokun e tij në Lushnje dhe më pas në Spaç. Myrtezai tha që: unë e zbulova në saj të intuitës këtë spiun dhe për këtë, përfundova një muaj në birucë.
Kur u ulëm në një restorant peshku, Myrtezai më tha: “Vetëm dy tre ditë pas rrogës, janë kështu lokalet, se pastaj, nuk ka kush lekë për të ngrënë e për të pirë”. Ne porositëm dy gota verë, por ai nuk piu, duke më thënë se kishte shtruar gruan në spital, pasi ishte sëmurë nga verdhëza, dhe ai prandaj mbante dietë. Myrtezait gota e parë i ra në kokë dhe filloi të fliste guximshëm. Ai tha: “Këtu ma kanë futur sa krahu, duke më burgosur, por veç të më vijë dita, pasi dhe unë do ju kundërpërgjigjem. E kam bërë gati kërkesën për ta lënë shtetësinë shqiptare. Dhe një letër tjetër ja nisa Ministrit të Punëve të Brendshme, ku i shpjegoja arsyet se përse doja ta lija shtetësinë, dhe m’u dridh dora kur e postova”!
Ndërsa ai e pyeti: “Po çfarë do të bësh në rast se nuk ta aprovojnë largimin”?! Atëherë Myrtezai më tha: “Unë do të tentoj të arratisem pasi, po u ktheva në mënyrë ilegale, ua shpërblej unë këtyre që ma punuan”. Atëherë unë i thashë: “Myrteza, ti e shef se kemi të njëjtat mendime dhe kur ta kryesh këtë gjë, të lutem më thuaj dhe mua, pasi ku i dihet, unë nuk kam për të qëndruar gjithë jetën punëtor këtu”. Myrtezai i tha: “Jam dakord pasi, kam mundësi dhe mjete financiare, për të të mbajtur ty”.
Ata e lanë të nesërmen për t’u takuar tek shtëpia e Myrtezait, për ta sqaruar këtë çështje, por kur shkoi në shtëpi, nuk e gjeti atë. Myrtezai i tha se: në shtëpi më takon gjithmonë mbrëmjeve pasi, ka mundësi të më përgjojnë.
“Ylli”
Vlerësim raporti: Raporti ka vlerë operative pasi, tregon se Myrtezai ka vendosur që të arratiset. B.p. nuk ka vepruar mirë pasi, ka treguar një farë nxitimi, në mendimin e tij. Për këtë ju tërhoq vëmendja.
Detyrë: Te Myrtezai të shkosh përsëri dhe të trajtosh këto biseda. Pyete, nëse të dhanë përgjigje për lutjen që ke bërë për të ikur. Thuaji se këtë gjë ta mendojmë mirë dhe se unë të kam shok, etj. Ti më ke thënë se ke një vëlla zëvendës admiral në pension. Po ku pyet qeveria jugosllave për vëllain tënd dhe neve ka mundësi të na marrin për agjentë të Sigurimit. Ti pse nuk bisedove për këtë punë me shoferin e plaçkave dhe të koordinoheshe me të. Po e zëmë se do ikim, nga do ikim, kush do na ndihmojë, po na kapën çfarë do bëjmë?!
Masat Operative: Myrteza Bajraktari është në kontroll operativ 2/B nga Punëtori Operativ Selim Skrevani dhe të ngrihet në 2/A. Të organizohet përgjimi i bisedave të tyre me T. O. Të njoftojmë Ministrinë dhe Kom e Partisë që ta fusin në punë sa më parë.
Punëtori Operativ
Shefqet Metaj
Dokumenti sekret me raport-informacionin e përpiluar nga Punëtori Operativ Shefqet Metaj, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Ylli”, lidhur me ndjekjen e survejimin e Myrteza Bajraktarit
Marrë nga P.Op. Shefqet Metaj
Dhënë nga B.p. “Ylli”
Më 4.4.1977
R A P O R T
Burimi njofton se më datën 28.3.1977, u takua përsëri me Myrteza Bajraktarin, por këtë radhë Myrtezaj, tregohej më i rezervuar. Sipas detyrës së caktuar, ai duke folur për plaçkat që i kanë ardhur nga Shkupi si trashëgimi, e pyeti Myrtezain për shoferin që ja kishte sjell. Myrtezaj i tha atij se, shoferin që i solli plaçkat, nuk e njihja, por, “sipas njoftimit, bashkë me një shokun e tij, për të mos u kompromentuar vetëm, vajti në parkun e të huajve në Laprakë dhe atje shoku i tij (Dimçe Haxhihalili), foli me shoferin” dhe aty pasi morën një taksi dhe të dy i treguan rrugën për tek shtëpia e Myrtezajt.
Atje shoferi më tha se: sonte do të fle tek vëllezërit, atje mund të më takosh, por Myrtezaj, deri diku nuk e dëgjoj. Pyetjes së tij se kush ishin vëllezërit e shoferit, Myrtezaj tha: një apo dy vëllezër komunistë dhe atje shkoj me bujë. Aluzionet e tij lidhur me shfrytëzimin e shoferit për qëllimet e veta, Myrtezaj i tha se: fjalët që të thashë atë natë për arratisje, ishin nën influencën e alkoolit dhe të asaj që këta këtu më kanë trajtuar shumë keq, sepse unë kam qenë udhëheqës i rinisë kosovare, por këta më kanë futur në burg kot së koti dhe për këtë unë jam shumë i revoltuar.
Unë – tha Myrtezaj – kam vendosur të pres përgjigje nga Presidenti dhe nga Ministri i Punëve të Brendshme dhe sipas mendimeve të mija, përgjigjja do të jetë pozitive, është një zgjidhje në mënyrën paqësore të çështjes, sepse mendojë familjen, fëmijët dhe kokën time, sepse me këta nuk bëhet shaka, pak ta lëvizësh bishtin, ta presin kokën, aq më shumë kur unë nuk kam ndonjë të njohur përkëtej kufirit.
Veç kësaj, Myrtezaj tha dhe për burgun. Mua më futën në burg për kokëfortësi dhe për autoritetin që gëzoja tek kosovarët, kush më mori në qafë qysh kur u hoq Servet Backa nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe ai që i zuri vendin, Haki Keta, është sjellë shumë poshtërsisht me mua, fill pasi u zura me të, ai më kurdisi burgun.
Në burg erdhi dhe një i madh dhe më tha foli dy fjalë për Kapllan Resulin dhe unë do të liroj, por unë i thashë, jo. Ti kishte thënë – tha ai – sepse ti, më ke thënë vetë që Kapllan Resuli ka qenë gomar dhe gomarit pse i bihet me hu, nuk i bëhet gjë. Myrtezaj tha: Ashtu është, por nuk jam i atillë tipi që të dalë dëshmitar, megjithëse e dija që Kapllan Resuli ishte një hiç.
Myrtezaj tha se kishte folur në telefon me motrën e tij, lidhur me kërkesat e tij për të ikur, dhe ajo i ka thënë që tani na i lërë neve këtë punë ta zgjidhim që këtej, ajo do të fliste nga Shkupi me vëllanë e tij që është në Beograd lidhur me këtë çështje. Përveç kësaj, Myrtezaj i tha se një kushëri i parë i tij që banon në Lushnje dhe ai e thërret dajë, do të shkojë në Turqi për banim dhe që andej do ta ndihmojë Myrtezajn.
“Ylli”
Vlerësim raporti: Raporti ka vlerë se tregon për reagimet e Myrtezait, tregon se shoferi Fuat Fishta që i ka sjellë plaçkat, nuk ka pasur njohje dhe se tendenca për arratisje, e ka shfaqur vetëm kur ka qenë i pirë dhe do të iki vetëm me anë të kërkesës.
Detyra: Me Myrtezain qëndro afër dhe futu në biseda me të, pyete nëse ka marrë ndonjë lajm nga njerëzit e tij dhe apo e ndihmojnë ata për t’u kthyer, se mos nuk të pranojnë dhe ata se ke ikur njëherë prej andej dhe se ke qenë kundër vijës së tyre.
Masat Operative: Raporti t’i kalojë Punëtorit Operativ, Selim Skrevanit, që e ka në ndjekje këtë punë.
Punëtori Operativ
Shefqet Metaj
V.O. Ndiqni mirë reagimet e Myrteza Bajraktarit, sqaroi këto çështje, është e vërtetë që ka kërkuar shtetësi, që ka dërguar letër, etj.
5.4.1977 ZEF LOKA d.v.
Shënim: Është e vërtetë që i ka bërë letër Ministrit ku kërkon të largohet për në Jugosllavi si dhe i ka bërë letër udhëheqësit dhe shoqes Nexhmije.
26.4.1977
Dokumenti sekret me raport-informacionin e përpiluar nga Punëtori Operativ Shefqet Metaj, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Ylli”, lidhur me ndjekjen e survejimin e Myrteza Bajraktarit
SEKRET
Marrë nga P.Op. Shefqet Metaj
Dhënë nga B.p. “Ylli”
Më 23.4.1977
R A P O R T
Burimi njofton se sipas detyrave të ngarkuara gjatë këtyre ditëve, ka takuar në dy tre raste Myrteza Bajraktarin, me të cilin ka zhvilluar kryesisht këto biseda: Myrtezaj i tregoi se përgjigjen e kërkesës nuk e ka marrë akoma, por unë tha ai – kam bindjen se, këta do të më lejojnë të iki, pasi për këtë do paraqitet edhe vëllai im në Jugosllavi dhe nuk kanë arsye dhe aspak interes, që të prishin këtë marrëdhënie me Jugosllavët.
Vëllai më ka dërguar edhe një kartolinë me një pamje të një ure të Stambollit, ura ishte me kuptim që unë të mos mërzitem, ato urat po i lidhin për çështjen e ikjes time sa më parë që këtej. Unë kur të shkoj në Jugosllavi, nuk do të qëndroj aty, por do të shkoj të banoj në Turqi, pasi atje, kam disa nga njerëzit e mi, me pasuri të mëdha dhe me kredi në qeveri. Ata do të më mbajnë dhe prej andej kam ndërmend t’i dërgoj familjes sime këtë, sende për të jetuar.
Duke vazhduar bisedën, Myrtezaj i tha që: unë ty të kam shok besnik, gjë që është e rrallë në kohën që jetojmë, prandaj kur të iki prej këtej, po të lë ty si një përfaqësues të denjë timin, ku unë do të dërgoj ty korrespodencë, si dhe sende të tjera dhe ti do t’i lidhësh këtu, me dy shokët e mi dhe me gruan. Ai i tha: “Unë për ty do të bëj çmos, dhe ku ha djali tim, do të haj dhe djali tënd, por këto janë gjëra me zarar, unë nuk i di se çfarë shokësh janë ata, prandaj mua më mbaj mënjanë”.
Myrtezai i tha se shokët e tij janë besnik, njëri quhet Idriz Lleshi, dhe tjetri quhet Abdurrahman Haxhihalili, por megjithatë ti, do të mbash mënd një adresë: Rruga “Budi 25”, aty banon një miku im besnik, kosovar, që ka qenë në burg, (emrin e të cilit, nuk e tregoi), ti do të shkosh tek ai dhe do të veprosh me të. Ai i premtoi se do t’i zbatonte me besnikëri të gjitha porositë e tij. Unë nuk do ta lë pa ta shpërblyer, tha Myrtezaj. Ai u ofendua nga këto fjalë dhe i tha se: unë e bëj këtë vetëm për hir të shoqërisë.
Në një bisedë tjetër, ra fjala për ambasadën turke, Myrtezai tha se: Zbulimi Turk, kryen një aktivitet të madh në Shqipëri, por shumë të fshehtë. Ai i tha: “Nuk kam dëgjuar që të jetë arrestuar ndonjë grup për llogari të Zbulimit Turk, përkundrazi janë bërë arrestime për jugosllavët, grekët, amerikanët, por jo për turkun”! Myrtezai i tha se: Zbulimi Turk, është shumë i fshehtë, ai ju kundërvu, duke i thënë se: “Turku s’ka interesa për Shqipërinë dhe nuk ma merr mëndja”, Myrtezaji përsëri vazhdoi duke thënë, se: Turku punon edhe për llogari të amerikanëve, prandaj nuk është çudi, por fjala është në rast se ti, apo unë, takohemi me ndonjë përfaqësues të ambasadës turke, dhe na kërkojnë për t’a ndihmuar, pasi ata kanë interesa, që këtu të kenë njerëz të zotë dhe të zgjuar si ne.
Ai i tha: Po për çfarë interesi të punosh me ta? Myrtezai i tha: Të punosh thjesht për hir të rritjes së mirëqenies në sajë të shpërblimeve që japin ata. Ai i tha që: “Këto janë gjëra me zarar dhe jo vetëm të ikën koka, por merr më qafë dhe familjen”. Myrtezai i tha se: “Turqit garantojnë familjen plotësisht, bile ndërhyjnë edhe për t’i marrë atje, por tek mua dhe tek ty, kjo nuk do të ndodhë, se ne jemi të zgjuar dhe nuk na zbulojnë dot”. Ai i tha se: “Këto punë duhen menduar mirë dhe unë nuk mund të japë dot përgjigje tani për tani”. Myrtezaj i tha: “Jo more jo, edhe unë kot po ta them, sikur të ndodhin gjëra të tilla, ç’mund të bëhet”. Ai mblodhi supet dhe i la të kuptojë, që ta bisedojnë këtë punë, më mirë herë tjetër”.
“Ylli”
Vlerësim raporti: Raporti ka vlera operative, tregon për reagimet e Myrteza Bajraktarit, për ikjen e tij nga Shqipëria. Pjesa e raportit për lidhjen me ambasadën turke, është e dyshimtë. Mundet që ai kërkon t’a bëjë këtë, për hir të asaj që ai kërkon të shkojë në Turqi dhe kërkon t’i garantojë ata, duke u dhënë kandidatura, ndofta që Myrtezai të ketë edhe lidhjet me ata direkt. Duhet thënë se një kushëriri i tij, që banon në Lushnje, kosovar, ka bërë kërkesë për të shkuar në Turqi dhe ka shkuar në ambasadën turke dhe ndofta këto porosi mundet t’i ketë edhe nga ai.
Detyra: Qëndro afër Myrtezait dhe bisedo me të. Në rast se ai del vetë tek lidhja me ambasadën turke, i thuaj përsëri, se: këto punë janë me zarar, sidomos tani në fillim, ti e di punën time në aeroport, aty unë shoh shumë të huaj dhe diplomatë dhe ata të ambasadës turke i shoh, kjo punë, më jep një farë mundësie që unë të shihem me ta, por jo të bisedoj, prandaj t’a them që lidhja me ta, fillimisht është e zorshme, s’kam sesi, dhe të them të drejtën, mua s’ma mban.
Ti më ke thënë për kushëririn tënd që ka shkuar në ambasadën turke dhe tani do të iki, çfarë të ka thënë ai për këto punë, a ke biseduar me të? Përsa i përket garancisë për familjet që të venkërka ata, kjo mua nuk më besohet fare, ku të pyesin këta për garancinë e tyre, këtë të fusin brenda dhe nuk pyesin për njerëzit e tyre dhe jo për mua dhe për ty.
Masat Operative: Për B.p. “Ylli” të përgatisim vijë sjellje dhe pasi të konsumojë atë, dhe të na japë ndonjë gjë me interes, për lidhjen me ambasadën turke, apo për ndonjë gjë tjetër, atëherë të organizojmë përgjimin e tyre.
Të verifikojmë Idriz Lleshin dhe se kush është dhe çfarë kemi për të. Të verifikojmë kush banon në adresën “Budi 25”. Myrteza Bajraktarin ta marrim menjëherë në përpunim aktiv.
Punëtori Operativ
Shefqet Metaj
Shënim i kryetarit:
E dhëna është shumë e rëndësishme, të lidh dyshimin se Myrtezai është agjent i ambasadës turke dhe këtë e bën për interesa të jugosllavëve, por në flamur të huaj që të mos bjer në sy, e të thonë të rekrutoj B.p. tonë. Varianti i dytë, më duket më i mundshëm, megjithëse edhe variant i parë ka bazë për vetë faktin, se daja i tij, ka shkuar në ambasadën turke dhe do të riatdhesohet, e nuk përjashtohet mundësia që t’a kenë rekrutuar.
- Të ngrihet menjëherë në 2/A dhe të ndiqet nga ana jote.
- Të bëhet një vijë sjellje për B.p. dhe ta dëgjojmë me T.O. ku të dalë tendenca e spiunazhit dhe arratisjes.
- T’i dërgohet edhe një kopje Degës së I-rë.
- Të merren masa për t’a siguruar, se mos arratiset.
- Myrtezai u thirr nga ana jonë në bazë të porosive të shokut ministër, por ai përsëri qëndron në atë që është dënuar pa faj. Lamë me të një takim që të mendohet të na thotë nëse, ka gjë për të thënë.
Kiço Petro d.v.
Shënim të shokut Zef:
Dakord me mendimet e shokut Kiço. Verifikimi të bëhet shpejt. Përpiloni vijën e sjelljes për B.p., e kombinacionin që të dëgjojmë me T.O., t’ja themi edhe drejtorit. Memorie.al
ZEF LOKA d.v.
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016