Dashnor Kaloçi
Pjesa e parë
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), të cilat i përkasin muajt tetor të vitit 1982. Në mes të tjerash ndodhet një raport-informacion i hartuar nga grupi i instruktorëve për organet e Punëve të Brendshme, pranë aparatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, me temë: “Mbi disa probleme që dolën nga analizat për ngjarjen e 25-26 shtatorit në Lushnje”, e cila bën fjalë mbi ngjarjen e të ashtuquajturës “Banda Xhevdet Mustafa”, si dhe proces-verbali i mbledhjes së Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, i mbajtur më datën 22 tetor të atij viti, e kryesuar nga Sekretari i Parë i Komitetit Qendror, Enver Hoxha. U mor në analizë e gjithë ngjarja e “zbarkimit të grupit diversionist” në bregdetin e Divjakës, si dhe “masat që duheshin marrë, për mbrojtjen e pikave të mundshme të zbarkimit, në bregdetin tonë”. Dokumentet me raport-informacionin e grupit të instruktorëve për organet e Punëve të Brendshme, të aparatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, ku pas analizës së bërë mbi ngjarjen e zbarkimit të “Bandës Xhevdet Mustafa”, u morën masat përkatëse, ndaj disa prej drejtuesve kryesorë të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Lushnjes, duke filluar nga kryetari Kapllan Shehu, zv/kryetari, Mihal Loli, shefi i Policisë, Fane Xhuveli, si dhe Ismail Leskaj, që u morr nën përgjegjësi penale. Proces-verbali i takimit ditor të sekretarëve të Komitetit Qendror të PPSh-së, të mbajtur më datën 22 tetor të atij viti, nën kryesinë e Enver Hoxhës, ku merrnin pjesë edhe Ramiz Alia, Hekuran Isai, Simon Stefani dhe Rita Marko, të cilët pasi diskutuan deri me detaje dhe morën në analizë ngjarjen me zbarkimin e “Bandës Xhevdet Mustafa”, diskutuan dhe shtruan detyrat konkrete, për të bërë të mundur mbrojtjen e kufirit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, nga ndonjë desantim i mundshëm nga jashtë. U vendos që një kontingjent me rreth 600 efektivë nga organet e Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, do të kalonin në varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme, me shërbim për ruajtjen e kufirit tokësor dhe detar, si dhe aprovimi i një shume financiare prej afro 100 milion dollarësh nga fondi rezervë i shtetit, për shpenzimet që duheshin për pajisjen e postave të kufirit, me logjistikën e nevojshme, si radarë, etj.
Dokumenti sekret me raport-informacionin e grupit të instruktorëve për organet e Punëve të Brendshme pranë aparatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, dërguar eprorëve të tyre, lidhur me mbledhjen e bërë në Degën e Punëve të Brendshme të rrethit të Lushnjes, ku u morr në analizë ngjarja e zbarkimit të “Bandës Xhevdet Mustafa”
Fondi: KOMITETI QENDROR I PARTISË PUNËS SHQIPËRISË
(Takimet ditore të sekretarëve të K.Q. të PPSH-së)
–TAKIMI DITOR I SEKRETARËVE TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH MË DATËN 22 TETOR 1982
–PËR MASAT QË DUHEN MARRË PËR MBROJTJEN E PIKAVE TË MUNDSHME TË ZBARKIMIT NË BREGDETIN TONË (PYETJE DHE DISKUTIM NGA SHOKU ENVER HOXHA) (Fq.1)
–PËR MJETET E INFORMACIONIT (DISKUTIM I SHOKUT ENVER HOXHA) (Fq.4)
–PËR DEPONIMET E ARMIKUT FEÇOR SHEHU NË ADRESË TË KADRI HAZBIUT
(INFORMIM NGA SHOKU RAMIZ ALIA, SEKRETAR I K.Q. TË PPSH (Fq. 3) PËR KËTË KA NDËRHYRË DHE KA BËRË PYETJE GJATË BISEDËS, SHOKU ENVER HOXHA) (Fq.3)
22.10.1982
SEKRET
I N F O R M A C I O N
MBI DISA PROBLEME QË DOLËN NGA ANALIZAT PËR NGJARJEN E 25-26 SHTATORIT NË LUSHNJE
Ndoqëm analizat që u bënë në Degën e Punëve të Brendshme të Leshnjes, në Kolegjiumin e Ministrisë së Brendshme, dhe në Byronë e Partisë së rrethit të Lushnjes, mbi veprimet e gabuara për zbulimin dhe likuidimin e bandës së diversantëve. Reagimi me shumë vonesë ndaj njoftimeve për gjetjen e varkës së shpëtimit pa njerëz, rreth 1.5 km. larg vendit të ngjarjes në bregdetin e Divjakës, mungesa e informacionit për Partinë në rreth e për ministrinë, çoroditja e ngathtësia në marrjen e masave për verifikimin e të dhënave, kërkimin dhe gjetjen e 4 punonjësve të Degës që mungonin, dhe hutimi e nxitimi në veprimet për likuidimin e bandës kanë si shkaqe:
Shfaqjet e theksuara të liberalizmit sidomos në drejtim të disiplinës për zbatimin e kërkesave të normuara në urdhrat dhe rregulloret ushtarake, që siç del deri tani në këtë Degë kanë qenë vazhdë. Pothuajse të gjithë kuadrot, kanë shkuar në terren pa marrë me vete armët e gjata. Kështu, veproi dhe grupi operativ i kryesuar nga Shefi i Policisë në 25 shtator, megjithëse afër mesnatës u nisën për verifikimin dhe kërkimin e shokëve.
Zëvendës Shefi i Policisë, pa njoftuar konform rregullave eprorët ose shërbimin operativ të Degës, pas përfundimit të stërvitjes me efektivin e postës rezerviste të të Divjakës, shkoi së bashku me punëtorin e policisë së sektorit, një polic, si dhe me drejtuesin e varkës së shpëtimit (civil) për drekë e për gjueti në dajlanin e peshkimit, duke pasur si armatim gjithsej dy pistoleta, e duke përdorur varkën me motor jashtë destinacionit (kjo gjë ishte bërë praktikë gjatë gjithë sezonit të plazhit për punonjësit e Degës dhe qytetarët e tjerë).
Ish-Shefi i Policisë Fane Xhuveli, kishte dhënë urdhër që policët e shërbimit në plazh, të mos merrnin e mbanin në pikë armët e gjata sepse, “pika ishte një barakë që nuk siguronte ruajtjen e tyre”. Shërbimi operativ i Degës, nuk zbatonte me rreptësi e disiplinë kërkesat e caktuara në rregullore. Kontrollet dhe vërejtjet e bëra herë pas here nga drejtuesit për këto e mangësi të tjera, kanë qenë të paefektshme e me frymë lëshimesh (askush nga shkelësit nuk ishte vënë para përgjegjësisë).
Në raportin e marrëdhënieve të punës sidomos ndërmjet kryetarit dhe shefave të sektorëve e seksioneve, por edhe të kuadrit vartës, ka pasur shfaqje të familjaritetit, të shoqërisë së sëmurë, dhe të besimit të tepruar. Mbi këtë bazë kanë qenë krijuar premisa për thyerjen e unitetit që në rastet e veçanta, ishin reflektuar dhe në mbledhjet e organizatës bazë. Ishte dobësuar ndjenja e përgjegjësisë, kërkesa e llogarisë, dhe disiplina për kryerjen e përpiktë të normave e detyrave.
Mungesa e vigjilencës revolucionare për të kuptuar e vlerësuar situatat dhe për të përcaktuar e zbatuar siç duhet masat konkrete, për zbulimin e veprimtarisë së armikut. Mbi bazën e të dhënave Dega, kishte hartuar një plan masash në pritje të një bande diversantësh, por kërkesa dhe kontrolli për zbatimin e tyre kanë qenë me hope dhe kryesisht për ditët e para. Nuk qe siguruar ngritja e vigjilencës masive të peshkatarëve, banorëve të zonës bregdetare, si dhe punonjësve të ndryshëm që punojnë në këtë zonë. Ishin mjaftuar me kontakte e biseda individuale me kuadro ose njerëz të veçantë.
Bashkëpunimi e bashkërendimi me repartet e ushtrisë më tepër ishte i përgjithshëm, si dhe ka munguar kontrolli i rreptë për të mos lejuar futjen në zonën ushtarake të bregdetit jashtë rregullave, të personave të ndryshëm nga rrethet e Lushnjes, Durrësit, e Fierit, që shkonin lirshëm për gjueti e për qëllime të tjera, si dhe për forcimin e vrojtimit e të shërbimit, të njësiteve kontrolluese. Në mbledhjen e Byrosë së Partisë së rrethit, doli se njerëz të internuar në sektorin e Bedatit, të ndërmarrjes bujqësore, kalonin pa asnjë vështirësi nëpërmjet dajlanit për në plazhin e Divjakës.
Ka pasur raste që ata, kanë ngrënë ushqim dhe në mensën e peshkimit. Një pikë kontrolli (post-bllok) që ishte ngritur nga Dega në Çermë nga tre veta që ishte në fillim turni i saj, kohët e fundit kishte ngelur me një person dhe kontrolli nga kuadrot drejtues për veprimet që duhet të kryheshin aty, ka qenë shumë i pakët e kalimtar. Dhe ndodhi që në çastin vendimtar posto-blloku, nuk mundi ta diktonte e ta neutralizonte diversantin që kaloi aty. Me moskuptimin e vlerësimit të situatës, janë të lidhura gjithë ato mangësi që dolën në drejtim të gatishmërisë së organit e të efektivit në situatën e dhënë, ku mungoi shkathtësia, zgjuarsia, e manovrueshme e nevojshme, si dhe veprimet kualifikuese ushtarako-operative.
Dega, u ngrit në alarm pas orës 8 të datës 26 shtator, në vend që të ngrihej që në çastin e parë të njoftimit se katër punonjësit e saj nuk po gjendeshin. Kryetarit dhe Shefit të Policisë, u ishte ngulitur në kokë se, diku duhej të kishin shkuar për darkë pas stërvitjes, e më në fund arritën në konkluzion se ata, edhe mund të jenë mbytur, por sërish nuk u alarmuan. Kanë ndikuar për këtë gjendje dhe konceptet e huaja të rehatisë personale që, u dukën më qartë në këtë rast, e deri tek vlerësimet e qëndrimet e ngathëta të kryetarit të Degës shokut Kapllan Shehu, të vetëkënaqësisë dhe euforisë se: “jemi mirë, prej kohësh nuk kemi pasur ngjarje, kemi arritje të mëdha nga e kaluara, etj.”.
Këto mendime, janë ushqyer dhe nga syri jo kritik i konkluzioneve të kontrolleve të shumta të ushtruara nga lart, për drejtime e probleme të veçanta të veprimtarisë së Degës. Mendimi se ne, “jemi një Degë që vepron në thellësi, e jo në kufi”, ka ushqyer iluzione pacifiste e të qetësisë relative që kanë gjetur terren dhe në kohën e qëndrimit të mjaft kuadrove më shumë në qytet, sesa në detyrat konkrete. Rrjedhimisht siç u shprehën shumë shokë në mbledhjen e partisë në Degë, atje ka pasur miopi politike dhe ideologjike, lufta kundër të cilave ka qenë e pamjaftueshme, duke mos nxjerrë mësimet e domosdoshme e konkluzione të thella nga punimi dhe zbërthimi i direktivave dhe porosive të Partisë e të shokut Enver, për vlerësimin e situatave dhe forcimin e vigjilencës.
Boshllëqet që ende ekzistojnë për kuptimin e realizimin si duhet të rolit të udhëheqjes së Partisë në Degë.
Në veprimtarinë e organizatave bazë të Partisë në Degë, kanë qenë të ndjeshme shfaqet e burokratizimit, zyrtarizmit, e formalizmit. Ndonëse janë bërë analiza, përgjithësime, e studime, për probleme të ndryshme efektiviteti i tyre, ka qenë i pakët. Doli se më shumë vëmendje, i është kushtuar punës zyrtare me letra, sesa asaj konkrete e të diferencuar me njerëzit dhe për zgjidhjen e problemeve. Komunistët, përfshi edhe ata me funksione drejtuese, kanë ngritur pak probleme lidhur me diskutimet në organizatat bazë. I lidhur ngushtë me vlerësimin e pamjaftueshëm të rolit udhëheqës të Partisë, është edhe fakti se Sekretaria e Parë e Komitetit të Partisë së Rrethit dhe Sekretari i Byrosë, u vunë në dijeni të fundit për këtë ngjarje.
Pikërisht atëherë kur u dha alarmi në Degë pas gjetjes së kufomës së Zëvendës Shefit të Policisë. Ngjarjet si në Degë, kolegjiumin e ministrisë, ashtu edhe në byronë e Partisë së rrethit, u analizuan me shqetësim të madh, me ndjenjë të thellë përgjegjësie, dhe me frymë kritike e autokritike. Byroja e Komitetit të Partisë së rrethit, nxori konkluzione e detyra për forcimin e vigjilencës e të gatishmërisë, duke e vënë theksin në kuptimin me përgjegjësi të porosisë së shokut Enver, në Plenumin e 4-të “Punë e Vigjilencë”. Këto, do të punohen në të gjitha organet dhe organizatat bazë të partisë së rrethit.
Organizatat bazë të Partisë në Degë, veç masave që mori Kolegjiumi i Ministrisë, të cilat u konsideruan të drejta, ndëshkuan si komunistë me vërejtje të rëndë me shënim në kartën e regjistrimit, shokët: Kapllan Shehu, Fane Xhuveli, dhe Ismail Leskaj (ky u mor dhe në përgjegjësi penale, për moskryerje të detyrës) dhe njëkohësisht edhe Gëzim Mukën, me vërejtje me shënim në kartën e regjistrimit. Byroja e Partisë së rrethit, i miratoi këto masa, duke e thelluar përgjegjësinë e shokut Mihal Loli, si Zëvendës Kryetar i Degës dhe, vendosi që t’i propozohet ministrisë, që ta shkarkojë nga ky funksion, dhe ta transferojë në një rreth tjetër, me ulje në përgjegjësi.
Si probleme të veçanta, dolën edhe këto: Repartet ushtarake të dislokuara në Divjakë, nuk e kryen detyrën për këtë situatë, sepse vrojtimi i pikës së nënrepartit në dajlanin e peshkimit, ndonëse vendi i ngjarjes nuk është shumë larg, nuk e diktoi lëvizjen e bandës në një vend të zhveshur, nuk nuk ndoqi itinerarin e varkës së shpëtimit, që u nis prej andej, dhe nuk diktoi ndeshjen e diversantëve me shokët e Degës, megjithëse kjo ndodhi në mes të ditës. Njësitet e kontrollit në datat 25-26 shtator, nuk kishin shkuar deri në destinacionin e caktuar sipas detyrës. Pas ngjarjes disa herë nga këto reparte, janë dhënë situata jo reale, që jo rrallë herë kanë shqetësuar me shqetësime e alarmim të forcave të armatosura dhe popullsisë, çka mund të sjelli dhe ulje të vigjilencës.
U shfaq mendimi që sigurimi i bregdetit, t’i kalojë forcave të Kufirit, siç ka qenë më parë sepse, vazhdimisht pas marrjes nga ushtria janë vënë re dobësi dhe të meta serioze. Dega e Punëve te Brendshme në Lushnje, ka nevojë për ndihmë më të madhe nga ministria, sidomos për plotësimin sa më të shpejtë me kuadro, pas masave. U bë vërejtje se, ndërsa Dega e Durrësit u ndihmua aktivisht me masat në drejtim të pritjes së bandës së diversantëve, ajo e Lushnjes, pothuajse nuk është ndihmuar fare. Tani pas kësaj ngjarjeje, jepen herë pas here informacione nga fshatrat për “lëvizje të dyshimta”, pa i verifikuar vetë organet e pushtetit dhe levat e tjera të Partisë në bazë.
Kjo bën që Dega, të dërgojë për t’i verifikuar ato, njerëzit e saj. Kjo praktikë që u kritikua dhe në Byronë e Partisë së rrethit krijon çoroditje, vështirësi, dhe shmangie, nga detyrat e saj të vetë Degës së Brendshme të Lushnjes. Në organizatën bazë të Sigurimit, u ngrit problemi se tre shokët e udhëheqjes së Partisë, nuk duhet të kishin qëndruar në vendin ku u rrethua diversanti, ku u grumbulluan shumë njerëz dhe kishte qitje të pakontrolluara me armë pasi, mund të ndodheshim para ndonjë të papriture. Por edhe Dega, nuk e kreu detyrën e saj për t’i mënjanuar. Memorie.al
Grupi i instruktorëve
për Organet e Punëve të Brendshme.
2.10.1982
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016