Nga Idriz Lamaj
Pjesa e tetëmbëdhjetë
Jeta dhe veprimtaria e Xhafer Devës në mërgim
– Kosova në kohën e Shqipnisë etnike –
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Memorie.al/ Xhafer Deva ndihmonte shtypin e Lidhjes me artikuj, memorandume, protesta dhe lloje shkrimesh të tjera shqip, anglisht, gjermanisht e frëngjisht, duke përdorë të gjitha aftësitë e veta për njohjen e zgjimin e interesit të ‘Lidhjes’ pranë qarqeve diplomatike amerikane dhe evropiane. Këtu vlen të theksohet se me fillimin e lëvizjes së re politike të Xhafer Devës, shtypi i Beogradit dhe ai i Tiranës (me 1963) fillon fushatën kundër tij dhe ‘Lidhjes’. Fejtone artikujsh botojnë gazetat “Veçernje Novosti” dhe “Zëri i Popullit’, duke përdorur të gjithë arsenalin e propagandës, me akuzat e njohura si nazist, fashist, kriminel, dhe duke e quajtur ‘Lidhjen’ si organizatë shoviniste që synonte prishjen e stabilitetit në Ballkan dhe realizimin e Shqipërisë së Madhe, etj. Si çdo organizatë tjetër që kalon nëpër vështirësi për shkak të fërkimit të mendimeve, edhe ‘Lidhja’ i pati problemet e veta para dhe mbas dy Kongreseve, kur Deva ishte kryetar. Problemet në fjalë zënë një vend të veçantë në korrespondencën e Devës, si me bashkëpunëtorët ashtu edhe me miqtë e ngushtë, si Dr. Krasniqi.
Para se të mblidhej Kongresi i parë, persona që luanin rol në Degën e Kanadas, ku nxirrej edhe Buletini i ‘Lidhjes’, në fillim, dolën me kërkesën për Kosovën shtet të pavarur, ku përveç tjerash, kërkohej edhe ndërrimi i Flamurit Kombëtar. Veprime të tilla të papërgjegjësi, Devës dhe Krasniqit u sjellin mërzi. Ata bënin çmos që në radhët e ‘Lidhjes’ të ruhej serioziteti i duhur kombëtar. Personi që luante rol të rëndësishëm në shuarjen e konflikteve, ishte Mehmet Agë Rashkoci, për të cilin kishin respekt te gjithë, sidomos Ismet Berisha. Për shfaqje mosmarrëveshjesh, Deva i shkruan Krasniqit: “Ty dhe Mehmet Agës, u kam thanë me kohë se nuk kemi brum dhe njerëz serioz me riorganizue ‘Lidhjen’ e cila në radhë të parë duhet të jetë serioze dhe përfaqsuese e denjë e idealeve për realizimin e Shqipnisë etnike, asgjë më shumë as ma pak. Prandaj ty dhe Mehmet Agës u mbetet që t’i rregulloni punët deri në Kongresin e parë, mandej do t’i shoshitim të gjitha problemet që bien ndesh me sa më lartë…”! (25/10/1964).
Duke kaluar këto vështirësi, më në fund arriti edhe Kongresi i parë i ‘Lidhjes’ (26 – 27 Nëntor 1966), ku Deva i shoshiti të gjitha mosmarrëveshjet, largoi nga radhët e ‘Lidhjes’ personat që i cilësonte, “të papjekur politikisht” dhe që “nuk dinë se çka duan”! Kongresi i parë zhvillohet në një mënyrë të thjeshtë, por ashtu siç e meritonte Xhafer Deva dhe ‘Lidhja e Prizrenit’. Pjesëmarrja e përfaqësive politike të partive nacionaliste në mërgim, dhe personalitete të shquara si: Antoni Athanas, Kryetar i Federatës “Vatra”, i cili në një fjalim të prekshëm zotohej se “Vatra” do të ndjekte me besnikëri idealet e ‘Lidhjes së Prizrenit’ për realizimin e Shqipërisë etnike. Selim Damani, Halim Begeja, Prof. Jusuf Luzaj, Vasil Germenji, Rexhep Krasniqi, Dom Zef Oroshi, Sali Myftia (ish Myfti i Shkodrës dhe i prefekturës së Kosovës) etj., dhe letrat e veçanta e telegramet përshëndetës nga Mbreti Leka, Hasan Dosti, Ernest Koliqi, Kapidan Nue Gjomarkaj, Ismail Verlaci, Baba Rexhepi, Muharrem Bajraktari, Ago Agaj, Ymer Bardhi, etj., ishin një demonstrim i fuqishëm në mbështetje të Xhafer Devës.
Në një dosje ndodhen disa letra falënderimi, dërguar personaliteteve që ishin të pranishëm në Kongres. Xhafer Deva i shkruan Kryetarit te “Vatrës”, z. Antoni Athanas: “Pjesëmarrja e Juaj në Kongresin e parë të ‘Lidhjes së Prizrenit’ ishte një nderim i veçantë për mua dhe një garanci e vazhdimit të idealeve të “Vatrës” ndaj realizimit të Shqiperisë etnike. Fjalimi i Juaj prekës dhe zotimi se, “do të mbështesni me vendosmëri të drejtat e popullsisë shqiptare të Kosovës, për bashkim me shtetin e lirë shqiptar”, jam i bindur se do të dëgjohet në Washington me respekt dhe seriozitet…”. Disa ditë mbas Kongresit, Xhafer Deva kthehet ne Kaliforni dhe “Lidhia e Prizrenit në Mërgim”, fillon veprimtarinë e vet zyrtare, mbështetur në këtë Statut të miratuar në një sesion të veçantë të Kongresit:
STATUTI I ORGANIZATËS “LIDHJA E PRIZRENIT”
- Themelimi. Në mbështetje të vendimeve që mori Kongresi, mbledhur në New York më 26-27 Nëntor 1966, ku, popullsia shqiptare, sot nën sundimin e shtetit kolonial të Jugosllavisë, u përfaqësue nga intelektualë, profesionistë, luftëtarë të lirisë dhe njerëz të thjeshtë të dalur nga gjiri i saj e që ndodhën në botën e lirë demokratike, themelohet organizata “Lidhja e Prizrenit në Mërgim.”
- Qëllimi. Duke u mbështetur në idealin historik të ‘Lidhjes së Prizrenit’ të përmbledhjes së Kombit Shqiptar në një shtet të vetëm, të lirë dhe të pavarur, në një Shqipëri etnike. Duke u mbështetur në vullnetin e përgjithshëm të lirë të popullatës shqiptare, në shtetin e quajtur Jugosllavi, të shfaqur në Kongresin e ‘Lidhjes se Prizrenit’ në Shtator – Tetor 1943, të bashkimit me shtetin shqiptar të 1913-ës, Organizata “Lidhja e Prizrenit në Mërgim”, në radhë të parë përpiqet për realizimin e Shqipërisë Etnike; dhe, duke u mbështetur në parimet e shpallura në Deklaratën Botërore të të Drejtave të Njeriut dhe në Kartën e Kombeve të Bashkuara (UNO), lufton për mbrojtjen e të drejtave njerëzore, kombëtare dhe politike dhe për të drejtën e vetëvendosjes së popullatës shqiptare në të ashtuquajturën Federatë e Republikave të Jugosllavisë.
- Shtesë A).”Lidhja e Prizrenit në Mërgim”, ka karakter thjesht kosovar dhe nuk përzihet në çështje politike partiake të Shqipërisë së 1913-ës. Do të jetë kurdoherë e gatshme të ndihmojë fuqimisht në çlirimin e Shqipërisë nga tirania komuniste. Kërkon mirëkuptim dhe përkrahje nga të gjitha grupet politike, shoqërore, fetare, kulturore, nacionaliste shqiptare dhe të prejardhjes shqiptare në botën e lirë, për përpjekjet e saja të bashkimit të tokës dhe popullatës shqiptare në Jugosllavi me Shtetin Shqiptar të 1913-ës.
B). “Lidhja e Prizrenit në Mërgim”, do të përpiqet të lidhë marrëdhënie me organizatën Bashkimi Federalist i Bashkësive Etnike Evropiane (FUEN) dhe me organizata të këtij lloji për të siguruar të drejtën e anëtarësisë së vet si përfaqësuese e vetme legale në botën e lirë e popullatës shqiptare në Jugosllavi.
- Organet e Lidhjes A). Kongresi. Përbëhet prej natarëve të Këshillit Epror, Komitetit Qendror dhe prej delegatëve të degëve të ndryshme (1 anëtar delegat për 10 anëtarë); mblidhet një herë në pesë vjet në New York, ose në ndonjë qendër tjetër të botës së lirë sipas marrëveshjeve paraprake; bisedon dhe aprovon programin politik, statutin dhe rregulloren ose ndryshimet përkatëse të tyre; zgjedh kryetarin dhe anëtarët e Këshillit Epror dhe të Komitetit Qendror; shqyrton gjendjen financiare të paraqitur nga Komiteti Qendror; zgjedh për kohën e veprimit të tij një kryetar dhe dy nënkryetarë ashtu edhe një sekretar.
B). Këshilli Epror. Përbëhet prej anëtarëve të Komitetit Qendror dhe prej një ose dy përfaqësueseve të Komiteteve të 159 Degëve të ndryshme; ka një kryetar me cilësi e Kryetarit te “Lidhjes së Prizrenit në Mërgim” dhe një ose dy nënkryetar që zgjidhen nga Kongresi si dhe një sekretar të zgjedhur nga anëtarët e vet; Këshilli Epror me anën e Kryetarit mbikëqyr veprimet e Komitetit Qendror dhe të Komiteteve të Degëve, në lidhje me zbatimin e programit politik, të statutit, të rregullores dhe të përfaqësimeve në Kongres; mblidhet sipas rrethanave dhe nevojave të paraqitura; mund të veprojë edhe në mbështetje të letërkëmbimeve të Kryetarit dhe anëtarëve të vet.
C). Komiteti Qendror me qendër në New York përbëhet prej 7 anëtarëve, 1 sekretari të përgjithshëm dhe mundësisht 1 nënsekretar të përgjithshëm, të gjithë të zgjedhur nga Kongresi, në mbështetje të propozimit të bërë nga Kryetari i Këshillit Epror që është edhe Kryetar i Lidhjes; Komiteti Qendror, i cili në marrëveshje të plotë me Kryetarin e Këshillit Epror drejton dhe përfaqëson “Lidhjen e Prizrenit në Mërgim” në fushën politike, shoqërore, strategjike kombëtare, ndërkombëtare, kulturore, financiare, të propagandës, të shtypit dhe disiplinore; emëron në gjirin e vet arkëtarin, përgjegjësit për shtyp, propagandë dhe marrëdhënie me organizata të jashtme kombëtare dhe ndërkombëtare.
Ç). Komitetet e Degëve përbëhen prej 5 anëtarëve, 1 kryetar, 1 nënkryetar, 1 sekretar, 1 arkëtar, 1 përgjegjës për shtyp e propagandë, të gjithë të zgjedhur nga anëtarët e degëve një herë në vit, dhe të aprovuar nga Komiteti Qendror; Komitetet në fjalë zbatojnë me besnikëri programin politik të përcaktuar nga Kongresi, mbajnë lidhje te vazhdueshme me Komitetin Qendror, përpiqen për të shtuar nëmurin e anëtarëve me persona të përshtatshëm moralisht dhe kombëtarisht; për të propaganduar çështjen e Lidhjes me anë mbledhjesh, konferencash dhe manifestimesh me karakter kombëtar dhe shoqëror, me takime me organizata politike, shoqërore, kulturore dhe personalitete shqiptare dhe të huaj me qëllim për të fituar miq dhe përkrahje për veprën e “Lidhjes së Prizrenit në Mërgim”.
- Financat. Të ardhurat e Lidhjes rrjedhin kryesisht nga kontributet mujore të të gjithë anëtarëve, nga fushata e shfaqje të ndryshme, të dhëna në raste të bëra me vendim të Komitetit Qendror, nga ndihma të ndryshme të dhuruara prej patriotëve, miqve, organizatave nacionaliste shqiptare në mërgim, emrat e të cilëve do të shpallen në organin e Lidhjes, etj.
- Shtypi A). Lidhja do të ketë një zyrë shtypi dhe së pakut një organ të saj që do te botohet nën mbikëqyrjen e Komitetit Qendror në një kohë të caktuar, përveç pamfleteve, studimeve dhe librezave të posaçme që mund të botohen si mbas nevojave të paraqitura. Qëllimi i shtypit është që me anë artikujsh, studimesh, rrëfimesh popullore dhe letërsi të natyrës së ndryshme për të bërë të njohur dhe për të zgjuar interesim për qëllimet e Lidhjes, ashtu edhe për të shquar historinë dhe të drejtat njerëzore, kombëtare dhe politike të popullatës shqiptare në Jugosllavi, në botën perëndimore.
B). “Lidhja e Prizrenit në Mërgim” si mbas nevojës së paraqitur do të hapë një zyrë informative në Evropë, mundësisht në München të Gjermanisë Perëndimore, për të mbledhur informata mbi gjendjen e viseve shqiptare në Jugosllavi, ashtu edhe materiale studimore me karakter historik, politik, ekonomik, kultural, etj., dhe mundësisht do të botojë një të përkohshme dymujore ku trajtohen subjekte të natyrës së shënuar më sipër, në pajtim me programin dhe me leje të Këshillit Epror e të Komitetit Qendror te Lidhjes.
- Identifikimi “Lidhja e Prizrenit në Mërgim” ka vulën e saj, ku shënohen fjalët, “Lidhja e Prizrenit në Mërgim”, emri i zyrës dhe i vendit përkatës, po ashtu mund të ketë shenjën e posaçme për anëtarët dhe miqtë e saj me fjalët, “Lidhja e Prizrenit në Mërgim”, 1878 – 1966.
- Shënim i posaçëm çka nuk është paraparë në këtë Statut dhe që nuk është në kundërshtim me nenet e tija, as me qëllimet dhe idealin e “Lidhjes së Prizrenit”, mund të rregullohet me vendime të Komitetit Qendror dhe me pëlqimin e Kryetarit.
Teksti i Statutit u përgatit nga dr. Rexhep Krasniqi dhe shërbeu si program i Lidhjes deri në vdekjen e Xhafer Devës. Ky Statut është botuar në librezën e posaçme: “Kongresi i Lidhjes së Prizrenit në Mërgim”, fq. 30-31- Waldon Press Inc, New York, 1969.
Kongresi i Dytë i ‘Lidhjes së Prizrenit’ në Mërgim. Përgatitjet për zhvillimin e Kongresit të Dytë të ‘Lidhjes së Prizrenit’ në Mërgim, Xhafer Deva dhe udhëheqësit tjerë të kësaj organizate i kishin filluar që nga fillimi i vitit 1971. Në kohën kur dukej se çdo gjë po shkonte përfill, papritmas botohet në gazetën “Dielli” një shpallje, dalë nga Sekretaria e Përgjithshme e kësaj organizate, e cila do të shkaktonte krizën më të thellë politike të ‘Lidhjes’ gjatë drejtimit të saj nga Xhafer Deva. Shpallja në gazetën “Dielli’ Sekretaria e Përgjithshme e ‘Lidhjes’ njofton me anë të një artikulli datën e mbajtjes së Kongresit të Dytë.
Ky artikull ndahet në tri pika, ku në dy pikat e para bëhet fjalë për vendimin e Lidhjes për zhvillimin e Kongresit dhe caktimin e datës. Ndërkaq në pikën 3, shkruhet tekstualisht: “Të ftojë organizatat dhe partitë e ndryshme politike të mërgatës në USA, që në shenjë të vënies në dukje faktive të programeve të tyre, për realizimin e përditshëm të thuajse dy milion shqiptarëve, arbitrarisht të ngelur nën Jugosllavi, për arritjen – së pakut – themelimit të një Republike Socialiste Kosovare në RFSJ, në kufijtë e së cilës Republikë, të përmblidhen të gjitha tokat dhe popullsitë shqiptare sot dy herë arbitrarisht të pushtuara dhe në kundërshtim flagrant me Rezolucionin e Konferencës së Parë të Këshillit Nacional Çlirimtar për Kosovë dhe Rrafsh të Dukagjinit me 31 Dhjetor 1943 dhe 1 e 2 Janar 1944”. (‘Dielli’ 3, nëntor 1971). Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016