Nga Jacek Pawłowicz
Pjesa e dytë
Memorie.al / Një ushtar i palëkundur, një ushtar i mallkuar, një ushtar i “Republikës së humbur të Polonisë”, njeriu i fundit i kalorësisë të Republikës së Polonisë, një vullnetar për Auschwitz dhe një nga gjashtë anëtarët më të guximshëm të Lëvizjes së Rezistencës Evropiane, gjatë Luftës së Dytë Botërore – Witold Pilecki.
Ai është një simbol i një Polonie që u shkatërrua në mënyrë të pakthyeshme, në pothuajse çdo aspekt nga pushtuesit e saj: Bashkimit Sovjetik dhe Gjermanisë naziste. Ai i përkiste brezit, dëshira kryesore e të cilit, ishte që Polonia të rifitonte pavarësinë dhe që punoi më pas, për madhështinë e Polonisë. Ai brez u rrit me traditën e vazhdueshme të kryengritjeve kombëtare dhe u formua nga motoja: “ZOT – NDER – ATDHEU.”
Historia familjare dhe vitet e hershme
Witold Pilecki lindi më 13 maj 1901, në Olonets në Rusinë veriore, por familja polake Pilecki, ishte me origjinë nga rajoni i Nowogrodek1 (sot Bjellorusi). Si një akt represioni për pjesëmarrjen e gjyshit të Witoldit (Jozef Pilecki) në Kryengritjen e Janarit 1863, autoritetet cariste konfiskuan pothuajse të gjithë tokat e familjes. Si pasojë, Pileckis, u shpërndanë në të gjithë Perandorinë Ruse, duke u përpjekur të siguronin jetesën. Babai i Witold, Julian, i diplomuar në Institutin e Pyjeve në Petersburg, pranoi një pozicion pylltari, në Karelia, në veri të Rusisë. Ai u transferua në Olonets, ku u takua dhe u martua me Ludwika Osiecimska.
Aty u lindi Witold, njëri nga pesë fëmijët e Pileckis. Në përpjekje për të shmangur rusifikimin e fëmijëve, në vitin 1910 Pileckis, vendosën të transferoheshin në Vilnius. Fatkeqësisht, për arsye financiare, Julian Pilecki duhej të qëndronte në Olonets dhe të vazhdonte punën e tij, si inspektor i lartë në Administratën Pyjore Shtetërore. Kështu, Ludwika dhe fëmijët shkuan në Vilnius, pa të. Pas mbërritjes së tyre Witold, shkoi në një shkollë tregtare, ku në vitin 1913, ju bashkua një organizate të fshehtë të skautëve.
Një ushtar/student dhe Luftëtar Polako-Sovjetik
Momentet e para pas shkarkimit të makinave, e bindën atë, se kampi ishte “ferr në tokë”. Të burgosurit formuan një kolonë dhe të detyruar, marshuan për në kamp, ku gjatë rrugës për aty, ata goditeshin nga rojet ‘SS’ që u turnin edhe qentë. Gjatë marshimit, për të terrorizuar të burgosurit, e qëlluan me armë njërin prej tyre, me pretendimin e arratisjes.
Më pas rojet e ‘SS’, qëlluan dhjetë të burgosur të tjerë, duke pretenduar se ata ishin bashkërisht përgjegjës, për atë akt rebelimi. Për fat të mirë, në atë natë të tmerrshme, Witold Pilecki, humbi vetëm dy dhëmbë. Në një fragment të raportit, që ai shkroi disa kohë pas arratisjes, midis të tjerash thuhet: “Ata rrëzuan dy dhëmbët e mi të parë, sepse unë kisha pjatën me numrin tim të kampit në dorë dhe jo në dhëmbë, siç dëshironte Bademeister, atë ditë. Unë u godita në nofull, me një shufër të rëndë. Dy dhëmbët ranë. Kishte pak gjak”.
Në tetor të vitit 1940, Pilecki dërgoi mesazhin e parë nga Auschwitz, duke përshkruar kushtet në kamp. Disa javë më vonë, mesazhi i’u transferua Komandantit të Përgjithshëm të ZËZ, gjeneral Stefan Rowecki(Grot), i cili më pas urdhëroi që mesazhi të dërgohej në Londër, përmes kutisë së ‘shkronjave të vdekura’ “Anna” në Stokholm. Mesazhi arriti në destinacionin e tij, në 18 mars 1941.
Gjatë asaj kohe, Witold Pilecki tashmë po organizonte në fshehtësi në kamp, Organizatën e ‘Bashkimit Ushtarak’ (Zwiazek Organizacji Wojskowej, ZOW). Qëllimet kryesore që ai specifikoi, ishin: “Të mbanin lart shpirtin e shokëve të burgosur, duke dërguar dhe përhapur lajme nga jashtë, të organizonin racione ushqimore shtesë dhe veshje për të burgosurit, nëse ishte e mundur, të transferonin informacione jashtë kampit dhe – mbi të gjitha – të përgatisim grupet tona, për të marrë kontrollin mbi kamp, kur të jetë nevoja, kur të ketë urdhër për të hedhur armë ose forca të gjalla (parashutist) këtu”.
Kontaktet e vendosura falë ushtarëve të TAP-it, që ishin arrestuar më herët dhe që kishin qëndruar më gjatë në Auschwitz, veçanërisht mjeku Wladyslaw Dering, shpejt sollën efektet e dëshiruara. Kontakti i parë i ashtuquajturi “pesë” ishte i krijuar tashmë në vjeshtën e vitit 1940 dhe përbëhej pothuajse ekskluzivisht nga ushtarë të TAP-it. Pas disa kohësh, struktura kishte njerëzit e saj në të gjitha Kommandot e Aushvicit I-rë dhe Aushvicit II-të, Birkenau.
Në mesin e vitit 1942, organizata kishte tashmë rreth 600 të burgosur, mbi 100 prej të cilëve u betuan për Pileckin. Informacioni nga kampi u transferua gradualisht në raporte te Komandën e Lartë e Ushtrisë vendase, në Varshavë. Në shenjë vlerësimi për veprimtarinë e Witold Pilecki-t në Auschwitz, Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë vendase, gjeneral Stefan Rowecki, (Grot), më 11 nëntor 1941, e ngriti atë në gradën e Togerit.
Në pranverën e vitit 1943, komanda e Gestapo-s së kampit, filloi arrestimet midis komplotistëve. Për pasojë, togeri Pilecki mundi të arratiset gjatë natës, nga 26 deri më 27 prill 1943, me Jan Redzej (i cili kishte qenë në kamp, me emrin e rremë Jan Retko; (numri i kampit 5430) dhe Edward Ciesielski (numri i kampit 12969). Kështu e përmblodhi ai qëndrimin e tij në Auschwitz, pas arratisjes: “Gjatë daljes kisha disa dhëmbë më pak, se në momentin e mbërritjes sime atje dhe kisha një kockë të gjoksit të thyer, kështu që pagova një çmim shumë të ulët, për një periudhë të tillë të kaluar, në atë Sanatorium”.
Pilecki u arratis kryesisht për të raportuar personalisht, rreth situatës në kamp, në Komandën e Lartë të Ushtrisë Vendase dhe për të marrë pëlqimin e eprorëve të tij, për të përgatitur një operacion ushtarak për lirimin e të burgosurve. Ai mundi të arratisej në Varshavë, vetëm më 22 shtator 1943, pas një periudhe fshehjeje në Bochnia dhe Nowy Wisnicz, ku takoi Tomasz Serafinskin e vërtetë, i cili në atë kohë, ishte përfaqësues lokal dhe komandant i Ushtrisë Vendase, Krakov.
Në kryeqytet, Pilecki u bë një anëtar aktiv i fshehtë, me emrin e rremë të Roman Jezierski. Ai pas shkoi në Ostrow Mazowiecka, u bashkua me gruan e tij dhe nga ai moment, ai e shihte atë mjaft shpesh, por me fëmijët e tij u takua vetëm disa herë. Gjatë njërës prej atyre vizitave, ai u tha atyre moton e tij: “Duajeni atdheun tuaj. Duajeni besimin tuaj të shenjtë dhe traditën e Kombit tuaj. Rrituni për të qenë burra të nderit, gjithmonë besnikë ndaj vlerave tuaja më të larta, të cilave ju duhet t’u kushtoni gjithë jetën tuaj”.
Pas arratisjes së tij, Witold Pilecki u interesua shumë për ngjarjet në Auschwitz, por komanda nuk e miratoi projektin e tij për të sulmuar kampin. Më 19 shkurt 1944, Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Vendase, Gjeneral Tadeusz Komorowski (pseudonimi Bor), promovoi Toger Witold Pilecki, në gradën e Rotmistrz (ekuivalenti i Kapitenit) gjë e cila ndodhi më 11 nëntor 1943, me motivacionin: “Për veprimtarinë e tij heroike në Auschwitz”.
Kryengritja dhe puna e Varshavës për Forcat e Armatosura Polake në Perëndim
Pushtimi i Polonisë tashmë ishte i sigurt, që do të ndryshonte nga Gjermanët tek Sovjetikët, kështu që Komanda e Ushtrisë për Punët e Brendshme, filloi të krijojë një organizatë të re të fshehtë, të koduar “NIE” (Niepodleglosc – Pavarësia). Ajo organizatë e kuadrove ushtarak, duhej të vazhdonte luftën pro-pavarësisë, pas marrjes së territoreve polake, nga Ushtria e Kuqe. Pilecki (emri i ri dhe emri i kodit: Witold Smolinski dhe T-IV përkatësisht) gjithashtu u caktua të marrte pjesë në ato përpjekje organizative, megjithëse ato u ndërprenë me shpërthimin e ‘Kryengritjes së Varshavës’.
Ai luftoi në rrethin e Varshavës ‘Wola’ pranë rrugëve Towarowa, Panska, Miedziana dhe Zelazna dhe Sheshi Starynkiewicza. Zona që ai mbrojti u njoh si “Fortesa e Witold”; ishte një prej fortesave partizane, që u mbrojt më gjatë dhe nuk ra kurrë në duart e gjermanëve.
Pas rënies së Kryengritjes, më 5 tetor 1944 Rtm. Witold Pilecki dhe ushtarët e njësisë “Chrobry II”, përfunduan në kampin në Ozarow, nga ku u transportuan, në kampin e POW në Lamsdorf (Lambinoëice afër Opole) dhe më pas te POW i oficerëve (Oflag) në Murnau. Numri i tij i POW ishte 101892.
Kampi u çlirua më pas nga Ushtria Amerikane më 28 Prill 1945 dhe Rtm. Witold Pilecki, mbeti atje për një kohë, duke u përgatitur për largimin e tij, në Korpusin II Polak, të komanduar nga gjenerali Wladyslaw Anders, i cili ishte vendosur në Itali. Ai u largua nga Murnau, më 9 korrik 1945, bashkë me një grup oficerësh dhe raportoi gatishmërinë për detyrë vetëm pas dy ditësh.
Në atë kohë ai ishte vendosur në San Gregorio, ku bisedoi dy herë me gjeneralin Anders dhe një here me gjeneralin, Tadeusz Pelczynski. Ai u bë oficer i Inteligjencës i Departamentit II-të, të Korpusit II-të Polak dhe po përgatitej për një transferim në Poloni. Detyra e tij ishte të organizonte një rrjet agjenturor, për të mbledhur çdo informacion në lidhje me situatën në vend.
Më 22 tetor 1945, ai u nis për në Poloni, i kamufluar si ‘Roman Jezierski’. Ai udhëtoi përmes Romës, Bolonjës, Bremen, Regensburg dhe Pragës i shoqëruar nga Maria Szelagowska (pseudonimi Rysia) dhe Boleslaw Niewiarowski, duke arritur në Varshavë më 8 dhjetor 1945.
Pilecki, gradualisht vendosi disa kontakte dhe krijoi rrjetin e tij të bashkëpunëtorëve e informatorëve, që i zgjodhi midis ish-ushtarëve të TAP-it dhe anëtarëve të fshehtë të Auschwitzit. Po kështu ai mori informacion konfidencial mbi funksionimin e NKVD dhe Zyrës së Sigurisë (Urzad Bezpieczenstwa, UB), intensifikimin e terrorit, aktivitetin e fshehtë ushtarake pro-pavarësisë, zgjedhjet e manipuluara dhe mbi bashkëpunimin ekonomik, midis Polonisë dhe Rusisë Sovjetike. Raportet i’u dërguan stafit të Korpuseve Polake të II-të në Itali.
Në qershor 1946, Kapiteni Jadwiga Mierzejewska (Danuta) i komunikoi atij urdhrin e Gjeneral Wladyslaw Anders, të emigronte menjëherë në Perëndim, për të shmangur arrestimin. Ishte urdhri i vetëm që Rtm. Witold Pilecki, nuk i’u bind!
Ai nuk donte të largohej nga vendi për dy arsye: E para, nuk kishte askënd të cilit, mund t’i ngarkonte përsipër aktivitetin, që ai kishte filluar dhe e dyta, nuk donte të braktiste familjen e tij. Por laku rreth tij, po shtrëngohej gjithnjë e më shumë.
Arrestimi nga policia sekrete komuniste polake
Funksionarët e UB-së arrestuan Pileckin më 8 maj 1947 (ose ndoshta më 5 maj). Ai menjëherë i’u nënshtrua një marrjeje në pyetje jashtëzakonisht mizore, të mbikëqyrur personalisht nga Kolonel Jozef Rozanski – drejtor i Departamentit të Hetimeve të Ministrisë së Sigurisë Publike (Ministerstwo Bezpieczenstëa Publicznego, MBP). Gjatë një prej pushimeve të seancave hetimore, Pilecki i rraskapitur, i pëshpëriti gruas së tij: “Auschwitz nuk ishte asgjë, në krahasim me këtë”!
Disa nga akuzat e ngritura kundër Pilecit, ishin: “Gjatë periudhës nga korriku 1945 deri më 8 dhjetor 1945 në Itali dhe që atëherë deri në ditën e arrestimit të tij, pra deri më 8 maj 1947, veproi në territorin polak, në dëm të Shtetit Polak, si një agjent rezident i paguar i inteligjencës së huaj, i drejtuar nga stafi i Anderit Korpusit II-të dhe me urdhër të Andersit, ai organizoi një rrjet spiunazhi në territorin polak, duke rekrutuar personat e mëposhtëm, për të shërbyer si informatorë: Tadeusz Szturm de Sztrem, Makary Sieradzki, Witold Rozycki, Stanislawa Sklodwska, Antoni Czajkowski dhe të tjerë.
Ai mbante kontakte personale organizative të vazhdueshme, me të sipërpërmendurit dhe ka drejtuar veprimtarinë e tyre, duke u dhënë udhëzime dhe urdhra, ai i mblodhi në apartamentet komplotistë në Varshavë…, informacione dhe dokumente, që ishin sekret shtetëror dhe ushtarak, të marra nga inteligjenca politike, ushtarake dhe ekonomike…! Nga nëntori 1946 deri në arrestimin e tij më 8 maj 1947 në Varshavë, ai punoi në bashkëpunim me anëtarët e rrjetit spiun…, – Tadeusz Pluzanski, Leszek Kuchcinski dhe Waclaë Alchimowicz – duke përgatitur një vrasje të dhunshme të funksionarëve të Ministrisë së Sigurisë Publike”.
Rtm. Witold Pilecki në dëshminë e tij para gjykatës, e mohoi akuzën e spiunazhit, duke deklaruar: “Unë nuk isha një agjent rezident, por thjesht një oficer polak. Unë isha vetëm duke i’u bindur urdhrave të mia, deri në arrestim. Unë nuk isha i vetëdijshëm se isha fajtor për spiunazh dhe kërkoj nga Ju i nderuar, ta marrë këtë në konsideratë gjatë dhënies së dënimit”.
Dënimi u shpall në mesditën e 15 marsit 1948. Rtm. Witold Pilecki, Maria Szelągowska dhe Tadeusz Pluzanski, u dënuan me vdekje; Makary Sieradzki u dënua me burgim të përjetshëm, ndërsa të tjerët, do të kalonin shumë vite në burg.
Pilecki i bëri kërkesë Presidentit Komunist të Polonisë, Boleslaw Bierut, për falje. “Unë kam punuar për të mirën e Polonisë gjatë gjithë jetës sime dhe nuk më kishte shkuar kurrë ndërmend, që aktiviteti im, ishte spiunazh, sepse nuk veprova për të mirën e një fuqie të huaj; I dërgova informacione, eprorëve të mi polakë”.
Të dënuarit e tjerë me vdekje dhe mbrojtësit e tyre, ndoqën shembullin e Pilecit dhe pas kësaj, Boleslaw Bierut, ndryshoi dënimet me vdekje të Maria Szelagowska dhe Tadeusz Pluzanski, nga me vdekje, në burgim të përjetshëm, por ai nuk e fali Rtm. Witold Pilecki.
Vendimi i dënimit me vdekje, u ekzekutua më 25 maj 1948, në burgun në rrugën “Rakowiecka” nr. 37 në Varshavë. Ekzekutuesi ishte kapter Smietanski. Kështu, shumë vite më vonë, At Jan Stepien – shoku i burgut në Mokotow – përshkroi momentet e fundit të “vullnetarit për Auschwitzin”: “Unë kurrë nuk do ta harroj atë pamje. Dy të dënuar po shoqëroheshin. I pari që erdhi ishte Witold Pilecki. Goja e tij ishte mbyllur me një brez të bardhë. Dy roje e mbanin nga krahët. Këmbët e tij, mezi po i preknin tokën. Nuk e di nëse ai ishte i vetëdijshëm. Ai dukej se ishte krejtësisht i ftohtë”.
Kujtimi i Rotmistrz Witold Pilecki nuk vdiq dhe vlerat e tij nuk u harruan, pavarësisht përpjekjeve të mëdha të komunistëve. Pasi Polonia kishte rifituar pavarësinë në vitin 1989, (duke përmbysur regjimin komunist), shumë fshatra dhe qytete në Poloni, i pagëzuan me emrin e tij, (Witold Pilecki), disa shkolla, rrugë, banesa dhe parqe publike, për nder të këtij njeriu të jashtëzakonshëm.
Pllakat që përkujtojnë “vullnetarin në Auschwitz”, mund të shihen në muret e shumë vende të shenjta, si faltoret dhe kishat në Poloni. Është ngritur një përkujtimore gjithashtu dhe në vendin nga ku Witold Pilecki, u largua vullnetarisht, për tek “ferri në tokë”, (Auschwitz), në 19 shtator 1940.
Më 1 tetor 1990 Rtm. Witold Pilecki dhe të dënuarit e tjerë, u shfajësuan plotësisht – dënimi i turpshëm dhe penal i vitit 1948, u hoq plotësisht. Në korrik 2006, Presidenti polak Lech Kaczynski, dekoroi pas vdekjes Rtm. Witold Pilecki, me ‘Urdhrin e Shqiponjës së Bardhë’, “për meritat dhe përkushtimin e tij ndaj atdheut” dhe më 7 maj 2008, Senati Polak, miratoi një rezolutë, për të rivendosur në kujtesën popullore të Polonisë, emrin e heroit: Rotmistrz Witold Pilecki. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016