Nga Skifter Këlliçi
(Përsiatje rreth procesit gjyqësor kundër Themistokli Gërmenjit dhe pushkatimit të tij më 9 nëntor 1917)
Memorie.al/ Nëntori i këtij viti përkon me 105-vjetorin e dënimit me vdekje të atdhetarit të madh, Themistokli Gërmenji, që ishte “Veprimtar i lëvizjes kombëtare dhe demokratike para dhe pas Pavarësisë së Shqipërisë…”! Bashkëpunoi me qeverinë e Ismail Qemalit në Vlorë, më 1913 -1914 dhe kreu detyra të rëndësishme në administratën shtetërore”, (Fjalori Enciklopedik Shqiptar, vëllimi 1, faqe 764, 2008).
Ndonëse ka kaluar një periudhë më shumë se një shekullore, kanë mbetur ende të panjohura shkaqet sipas të cilave, bazuar nga të dhënat e SURETE-së, (Syrte-Sigurimi i Ushtrisë Franceze), Gjykata Ushtarake e Shtabit të Armatës së Lindjes me qendër në Selanik, gjatë Luftës së Parë Botërore,(1914-918), mori vendimin e pushkatimit të Germenjit, si agjent austro-hungareze. Dhe kjo ndodhte kur disa ditë më parë, gjenerali Sarraj, komandanti i përgjithshëm i kësaj armate, në një ceremoni të posaçme e kishte dekoruar Themistoklin për “Merita të veçanta trimërie, në luftë kundër forcave austro-hungareze”.
Po cilat ishin këto akuza që sollën marrjen e një vendimi kaq të papritur, kaq të rrufeshëm, dhe kaq mizor, nga i cili Gërmenji, nga besnik i vyer i Francës, u shndërrua nga ushtarakët e lartë francezë, në armik të urryer të saj, deri në atë pikë sa t’i merrej jeta?
Të gjitha këto hamendësime duhet të dalin në pah dhe do të vërtetohen, kur të hapet dosja e procesit gjyqësor ushtarak kundër tij. Mirëpo, siç thekson dhe studiuesi i njohur, Aurel Plasari, në një artikullin “E vërteta e ekzekutimit të Themistokli Gërmenjit nga francezët”, botuar në gazetën “Tema”, më 16 shkurt të vitit 2016, dosja “misterioze” e procesit gjyqësor ruhet aq xhelozisht nga shteti francez”. Më tutje ai vë në dukje dhe citimin e mëposhtëm të Prof. Muhin Çamit nga libri i tij “Shqiptarët dhe francezët në Korçë, (1916-20):
”Edhe tani…mund të themi se nuk kemi dokumentacionin e plotë…! Na mungojnë p.sh. aktet e gjyqit të Themistokliut, kërkimi i të cilave ka qenë në qendër të vëmendjes së studiuesve shqiptarë, por ende pa rezultatet e dëshiruara. Mungesa e tyre përbën një boshllëk të ndjeshëm”. (faqe 72).
Sidoqoftë, në këtë dosier, duke u bazuar në vepra të botuara dhe hulumtime të miat, do të përpiqem të argumentoj mënyrat djallëzore që Sigurimi i Ushtrisë Franceze, SURETE, (Syrte), përdori ndaj atdhetarit tonë të shquar, Themistokli Germenji, për ta mposhtur, për ta gjunjëzuar dhe pastaj për ta asgjësuar.
Në dhjetor të vitit 1973, atëherë gazetar në TVSH, së bashku me një grup xhirimi u ndodha në Korçë, për të realizuar një reportazh televiziv. Ndër pamjet simbolike të këtij qyteti, zgjodhëm edhe përmendoren e Themistokli Gërmenjit, (vepër e skulptorit të njohur, Odhise Paskali), ngritur në vitin 1932, me ndihmesën e vetë qytetarëve atdhetarë korçarë.
Një burrë gjigant, me pallto zbërthyer, duar të kryqëzuara nga prapa, fytyrë me tipare të theksuara, ku bien në pah mustaqe të dendura, sy të përqendruar diku në horizont, me një vështrim ngulmues, ja se ç’përfaqësonte ajo përmendore vigane e këtij atdhetari të madh, copëza e pandarë e historisë së Shqipërisë.
Kundroja shtatoren e Themistokliut dhe më dukej se vështrimi i tij depërtonte tutje horizontit, sikur t’u thoshte jo vetëm shqiptarëve, por historisë: “Mos harroni kurrë! Unë as u shita, as u bleva”!
I ngacmuar këto mendime, vendosa së bashku me shokët e grupit të xhirimit të vizitonim shtëpinë e Themistokliut, ku jetonte e shoqja, Evdhoksia.
Duke rikujtuar pushkatimin
Një shtëpi tipike korçare, një shkallë e gjerë, pas saj një mesore dhe përballë një dhomë e madhe, me tavan të lartë, me mindere të mbuluar me shilte, jastëkë, një tryezë në qoshe, në mure foto të Themistokliut, midis të cilave edhe foto të tij me Evdoksinë dhe vajzën e tyre të vetme, Elçen.
Evdoksia na pret me përzemërsi, aq më tepër që është mësuar të kuvendojë me gazetarë, shkrimtarë, studiues. Është pasqyrë e gjallë e të shoqit. Ndërsa ajo rrëfen, mua më ndërmenden Çerçiz Topulli, Isa Boletini, Bajram Curri, Avni Rustemi…! Sa të përafërta këto figura njëra me tjetrën, sa të ngjashme!…Të gjithë të vrarë pabesisht: Çerçizi dhe Isai, nga shovinistët malazezë, Bajrami dhe Avniu, nga të shtënat pas shpine të njerëzve të Zogut.
Këtë fat pati edhe Themistokliu, por këtë radhë i pushkatuar nga….miq.
-U tmerrova kur më dhanë mandatën që Themistoliun e kishin vrarë frëngjtë, – zuri të na thoshte Evdhoksia.
Duke thënë këto fjalë, fytyra e saj u zymtua.
-Tërë mllef e pezm, – vazhdoi ajo, – kërkova të di se për çfarë shkaku ata e kishin dyfeqisur burrin tim, ndaj kërkova të takohesha me shefin e Sigurimit të Ushtrisë frënge në Korçë. Ai më priti e më tha, gjoja me keqardhje se; Themistokliu ishte pushkatuar sipas provash të sigurta. “M’i tregoni këto prova”, sa nuk ulërita në kulmin e dhembjes. Më premtoi, por këto prova nuk m’u rrëfyen kurrë.
Ajo heshti një grimë e shtoi:
-Themistokliu shtrëngoi frengjtë që ta linin Korçën të më vetme, që të kishte guvernë të sajën, vetëm me shqiptarë. E kur panë se punët po shkonim më mbroth se ç’e mendonin, që ta hiqnin qafe përgjithmonë, sajuan mënyra se gjoja ai merrte e jepte me austro-hungarezët, që ishin kundërshtarët e tyre në Luftën e Parë Botërore.
I nxitur nga ky rrëfim i së shoqes së Themistokliut, që atëherë më lindi mendimi të shkruaj ndonjë tregim a novelë. Por kjo do të ndodhte më pas, kur do të lexoja studimin e historianit Muhin Çami, “Rreth dënimit të Themistokli Gërmenjit dhe ekzekutimit të tij” dhe sidomos librin “Themistokli Gërmenji”, të studiuesit, Pirro Tako, dy miq të mi të hershëm. Atëherë nuk do të shkruaja as tregim as novelë, por romanin me titull “Vrasës me duar të bardha”, (1991).
Cili ishte Themistokli Gërmenji?
Lindur në Korçë më 1871, detyrohet që i ri të mërgojë në Rumani, ku lidhet me shoqëritë atdhetare “Drita” dhe “Dituria”. Më pas veprimtarinë tij atdhetare e vazhdon në Korçë, Monastir dhe më vonë krijon një çetë luftëtarësh që vepronte në rrethinat e Korçës kundër pushtuesve turq.
Pasi Korça pushtohet nga forcat e armatosura greke, vihet në shërbim të qeverisë së Ismail Qemalit në Vlorë. Më 1914 shkon në Rumani e më pas në Bullgari, ku boton revistën “Biblioteka, zëri i Shqipërisë”, në të cilën shtron probleme të rëndësishme që i dilnin Shqipërisë pas Shpalljes së Pavarësisë, veçanërisht kur një pjesë e shtresës së feudalëve të pasur po luante rol negativ në çështjen kombëtare.
Veprimtaria e tij atdhetare arriti pikën kulmore ë vitet 1916-‘17, kur u kthye në Shqipëri. Aty nisi menjëherë organizimin e luftës së armatosur për çlirimin e krahinës së Korçës dhe të gjithë Shqipërisë së Jugut nga pushtuesit grekë. Vimë kështu në çastet që shënojnë periudhën e fundit dhe më të ndritur të veprimtarisë së tij atdhetare, që u mbyll në mënyre aq tragjike, periudhë që përbën edhe qëllimin e këtij dosieri.
Një pushtues zëvendësohet me një tjetër, por…!
Gjatë Luftës së Parë Botërore Shqipëria u bë shesh luftimi midis forcave ushtarake ndërluftuese të Antantës, (Francë, Rusi, Itali, Angli dhe më pas SHBA … ), dhe të Fuqive Qendrore, (Gjermani, Austro-Hungari, Bullgari…). Vlora, Gjirokastra, me rrethinat e tyre, ishin pushtuar nga Italia, Shqipëria e Veriut, deri në kufijtë e Elbasanit dhe Pogradecit, nga ushtritë e Fuqive Qendrore, kurse krahina e Korçës nga ushtritë franceze.
Së bashku me to në pranverë të vitit 1916 ishin bashkuar edhe forcat e ushtrisë greke të Venizelosit, i cili i’u kundërvu mbretit Kostandin dhe partizanëve të tij, të cilët kërkonin që Greqia të mbetej asnjanëse në këtë luftë.
Si pasojë, Venizelosi u vendos në maj të atij viti në Selanik, ku ndodhej edhe komanda e përgjithshme e Armatës së Lindjes, komanduar nga gjenerali Sarraj. Pranë tij qëndronte edhe Esat Pashë Toptani me një tabor kaçakësh, gjoja si aleat, me dëshirën që pas përfundimit të Luftës, natyrisht, siç po parashikohej, me fitoren e Antantës, të kthehej me ndihmën e francezëve në krye të shtetit shqiptar.
Ndërkohë, Venizelosi krijoi qeverinë e “Mbrojtjes Kombëtare”, e cila kishte si synim të vinte në jetë synimet ambicioze të qarqeve shoviniste greke për realizimin e ëndrrës së madhe të “Vorio Epirit”. Këto synime kishte edhe mbreti Kostandin, të cilit Gjermania, nga ana e saj, i kishte premtuar Shqipërinë e Jugut.
Themistokli Gërmenji së bashku me Sali Butkën, një tjetër atdhetar i madh, arritën në përfundimin se; nga Fuqitë Qendrore, nuk i priste asgjë e mire. Dhe kjo, qoftë edhe vetëm për faktin se gjermano-austriakët, ”në vend që të pranonin kërkesën e tij për ngritjen e një administrate shqiptare në Kolonjë, lejuan atje vendosjen e bandave greke të Papagjeorgjiut, Dakasit dhe të Karvunit”. (Pirro Tako, “Themistokli Germenji”, faqe 223).
Mirëpo, kur forcat e Armatës së Lindjes u dukën në Fushën e Korçës, Themistokliu e ndjeu veten të lehtësuar. Shanset e fitores në Luftën e Përbotshme, nga sa shihej, se po anonin nga Antanta.
Meqë ushtritë gjermano-bullgare nuk kishin forca të mjaftueshme të luftonin kundër forcave franceze të Armatës së Lindjes, u detyruan të tërhiqeshin nga krahina e Korçës, pa hyrë në luftime. Ndërkohë, Themistokliu vendosi të rrethonte Korçën, i mbështetur edhe nga çetat e Sali Butkës.
E ndodhur në këto kushte, komanda e ushtrisë franceze kuptoi se shqiptarët donin të ishin të lirë dhe të pavarur, se ata nuk pranonin asnjë qeveri greke, qoftë venizeliste a mbretërore, të cilat synonin të mbanin nën sundimin e tyre Korçë me krahinat e saj, se ata ishin gjithashtu kundër ndërhyrjes italiane. Së fundi, donin, gjithashtu, një regjim demokratik dhe refuzonin t’i bindeshin Esat Pashës. Me këto kushte ishin gati të merreshin vesh me francezët, në qoftë së këta mbronin rregullin dhe u siguronin shqiptarëve pavarësinë.
Sidoqoftë, francezët, duke gjykuar se kishin epërsi ndaj forcave shqiptare, vendosën të futeshin në luftë me çetat e tyre që i cilësonin banda. Mirëpo, duke u ndeshur me to, forcat franko-venizeliste të komanduara nga koloneli Burnazel, u thyen keqas nga çetat e Themistokliut, të mbështetura edhe nga ato të Sali Butkës.
Në këto rrethana, duke parë se ushtria franceze do ta kishte pisk me këto formacione kaq të shkathëta dhe të rrezikshme të kryetrimave shqiptarë të sipërpërmendur, gjenerali Sarraj, kryekomandanti i Armatës së Lindjes, e pa të arsyeshme që të mbështeste dëshirën e shqiptarëve për vetëqeverisje. Kështu mund t’u arrihej synimeve ushtarake: Të mbulohej me shpenzime sa më të pakta mbrojtja e Korçës me rrethinat e saj, nga ku tashmë nuk kishte rrezik, duke e përqendruar luftën vetëm kundër ushtrive gjermano-austro-bullgare.
Si pasojë, pas disfatës së Burnazelit, Sarraji vendosi të dërgonte si komandant të qarkut të Korçës kolonelin Dakoen. Po me urdhër të tij u shkarkua prefekti venizelist Argillopullos. Kështu u hap rruga për të arritur një marrëveshje me drejtuesit shqiptarë sipas parimit: “Përpiquni t’i bëni për vete shqiptarët. Këtë e kërkojnë interesat tona deri në mbarim të luftës”. (P.Tako “Themistokli Gërmenji”, faqe 234).
Dakoeni arriti në Korçë më 21 nëntor 1916. Pas katër ditësh Themistokliu bashkë me familjen, i shoqëruar nga 120 luftëtarët të çetës së tij, hyri në Korçë, ku u prit me brohoritje nga populli që mbushte rrugët dhe që andej u paraqit në prefekture, ku u takua me Dakoenin. (Sipas revistës “Rilindja”, Korçë, 1935-36, nr. 3-4).
Në librin e tij me kujtime “Gjashtë muaj të historisë së Shqipërisë” (Six mois d’histoire de l’Albanie”, Paris 1930 , faqe 14), të cituar nga Muin Çami, në studimin e tij të mësipërm, Dakoeni e përshkruan kështu Themistokliun: “Me fytyrë të çiltër e të sinqertë, i gjatë në trup, me qëndrim burrëror, sjellje të përsosura, i veshur me kostum gjahtari, Themistokliu më bëri përshtypjen më të mirë. Në thelb më tha: “Nuk kam arsye të kem armiqësi me francezët dhe s’kam qenë kundër jush. I quaj shovinistët grekë armiqtë tanë më të këqij. Jam me ata që garantojnë lirinë e mëmëdheut tim”.
Të nesërmen, më 24 nëntor, Themistokliu iu drejtua me një thirrje popullit të Korçës, i cili, edhe pse vinte nga zona bullgare e pushtimit, kishte besim tek ai që as nuk shitej as nuk blihej, as nuk gënjehej, prandaj edhe adhurimi ndaj tij ishte i pakufizuar dhe i sinqertë”. (“Gazeta e Korçës”, 20 korrik 1929).
Në fund Themistokliu u bënte thirrje kryetarëve të çetave që të mos përdornin armët kundër ushtrisë franceze, duke lënë të kuptohej se ndryshe nga Fuqitë Qendrore , Franca nuk ndiqte qëllime pushtuese ndaj vendit tonë dhe se me mbarimin e luftës ushtritë e saj do të largoheshin. Me fjalë të tjera, theksonte se “…pushteti ishte i përbashkët dhe përkonte me interesat e të dyja palëve. (P. Tako “Themistokli Gërmenji”, faqe 239).
Por për fat të keq, siç do të shohim më pas, nuk do të ndodhte kështu…! Memorie.al
Vijon në numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016