Dashnor Kaloçi
Pjesa e tridhjetë
Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet një dosje voluminoze që i përket Tuk Jakovës, i cili që nga periudha e Monarkisë së Zogut, ishte një nga krerët kryesorë të Grupit Komunist të Shkodrës, i dënuar me burg politik në gjyqin e famshëm të vitit 1938, së bashku me Qemal Stafën e Vasil Shanton, pjesëmarrës në mbledhjen themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare dhe anëtar i Komitetit Qendror Provizor të saj, që nga mbledhja themeluese e 8 nëntorit të vitit 1941, komisar politik i Brigadës së Parë Sulmuese dhe Korparmatës së Parë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, ku nga mbarimi i Luftës, në nëntorin e vitit 1944 e deri në 1955-ën, mbajti disa funksione dhe detyra të larta partiake e shtetërore, si: anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare, ambasador fuqiplotë i Republikës Popullore të Shqipërisë në Beograd, President i Sindikatave të Shqipërisë, ministër i Financave dhe zv/Kryeministër i qeverisë shqiptare, të kryesuar nga Enver Hoxha etj. E gjithë dosja voluminoze (formulare dhe hetimore) që publikohet për herë të parë nga Memorie.al., ku ndodhen me qindra dokumente të panjohura, në ngarkim të ish-gjeneral-leitnant Tuk Jakovës, (“Hero i Popullit”), të cilat i përkasin periudhës së viteve 1951-1959, kur ai pas kontradiktave të shumta, që kishte me Enver Hoxhës që nga mbarimi i Luftës, në vitin 1951 u përjashtua si anëtar i Byrosë Politike dhe në 1955-ën, u përjashtua edhe nga Komiteti Qendror i PPSh-së, duke u shkarkuar edhe nga të gjitha funksionet e partiake e shtetërore, që kishte mbajtur deri në atë kohë, u internua familjarisht në rrethin e Beratit, ku pasi punoi disa kohë si përgjegjës i Repartit të Zdrukthëtarisë në atë qytet, në 1957-ën, u dënua me izolim në Kalanë e Kaninës së rrethit të Vlorës, ku dhe u arrestua në vitin 1958, duke u dënuar me 20 vjet burg, i akuzuar si “tradhtar e armik i popullit”, deri sa vdiq në spitalin e Burgut të Tiranës në vitin 1959, në rrethana misterioze! Çfarë thuhet në dokumentet sekrete (relacione, fotografi, kartela, formularë, raport-informacione, shënime, proces-verbale, raporte-survejimi, plane-masash, deklarata, letra denoncuese, etj.) që i përkasin periudhës 1955-1959, kur ai ishte në ndjekje dhe survejim të vazhdueshëm nga organet e Sigurimit të Shtetit, cilët ishin oficerët e organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që ishin ngarkuar për vëzhgimin e tij dhe emrat e pseudonimet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit, që e mbanin atë nën kontroll të rreptë?!
Dokumenti me proces-verbalin e marrjes në pyetje të dëshmitares Dhora Leka, nga ana e hetuesve të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, Kapiten i I-rë Rexho Hyseni dhe Kapiten, Llambi Gegeni
Proces-verbal
(Dëshmija)
Tiranë, më 18 janar 1958.
Unë hetuesi i Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, Kapiten i I-rë, Rexho Hyseni, duke asistuar dhe Kapiten Llambi Gegeni, morra në pyetje dëshmitaren Dhora Lekën, e bija e Andreas dhe Anastasisë, e dt. 1923, lindur në Korçë dhe banuese në Gjirokastër, me arsim të lartë, me profesion kompozitore, shtresë e varfër qytetare, e divorcuar, e dënuar 25 vjet burg, në vitin 1957, për çështje politike, vuan dënimin në Punëtorinë qendrore të Ministrisë së Brendshme, Tiranë, me shtetësi dhe kombësi shqiptare.
Pyetja filloi në ora 13 e 15
Pyetja mbaroi ora…….
Jam përgjegjëse për dhënie deponimesh të zhdrejta, ose për kufizim deponimesh, në bazë të nenit 225 të Kodit Penal.
Dëshmitarja
Dhora Leka
Pyetje: Na tregoni ju dëshmitare nëse e njihni Bedri Spahiun?
Përgjigje: Po, unë Dhora, Bedri Spahiun e njoh.
Pyetje: Që kur dhe si jeni njohur me Bedri Spahiun?
Përgjigje: Unë Dhora, Bedriun e kam njohur qysh në kohën e Luftës, si udhëheqës, por më mirë e kam njohur personalisht mbas çlirimit, në familjen e Tukut, në plazh dhe në familjen e tyre.
Pyetje: Si kanë qenë marrëdhëniet midis jush?
Përgjigje: Marrëdhëniet midis nesh kanë qenë të mira gjithnjë.
Pyetje: Kur keni shkuar në Elbasan, jeni takuar me Bedri Spahiun ju, dhe nëse po, çfarë është biseduar midis jush?
Përgjigje: Për të parën herë, kur unë kam shkuar në Elbasan, ka qenë viti 1955, në muajin tetor-nëntor. Kam shkuar me fletë-shërbimi nga Ministria e Arsim-Kulturës për të parë përgatitjet e operetës “Trebita”, që përgatiste Shtëpia e Kulturës e Elbasanit.
Nga ky rast, unë përfitova që të takohesha me shoqen e Bedriut, Nedo Spahiun, të cilën e njihja edhe më përpara. Kam pyetur në Shtëpinë e Kulturës, Mit’hat Stringën, se ku punonte dhe ai më tha se, ajo punon në Ndërmarrjen e Grumbullimit, është anëtare partie dhe mund të bisedosh me të.
Unë i thashë se kam për të marrë disa të holla nga ajo, prandaj e kërkoj? Mit’hati më dha shërbyesin e Shtëpisë së Kulturës, i cili më çoi në punën ku punonte Nedoja. Kur takova Nedon, ajo u çudit kur më pa, e mbylli derën me çelës nga brenda dhe unë i thashë se kishim të dhëna në Tiranë, dhe konkretisht nga familja e Piro Kondit, se në Komitetin Qendror do të merresh në shqyrtim çështja e Tuk Jakovës dhe Bedri Spahiut, kështu që Nedoja, t’i thosh Bedriut, që ai të përgatitej për këtë.
Nedoja më pyeti për Tukun dhe Mitën, se si ishin dhe unë e vura në dijeni për gjendjen e tyre ekonomike dhe me kaq unë u largova. Këtë takim me Nedon, e kam bërë me iniciativën time. Nedoja, për këtë u gëzua shumë dhe më tha që do t’ja komunikonte Bedriut.
Herën e dytë që jam takuar me Nedon ka qenë 8 nëntori 1955, në shtëpinë time në Tiranë, ajo erdhi për të marrë disa plaçka tek unë, si 8 metro qilim dhe një kuvertë.
Kur erdha nga jashtë, e kam gjetur në sallon të shtëpisë së bashku me motrën time, Mita Jakovën, se çfarë kishin biseduar ato, ajo nuk më tha, vetëm se Nedoja më tha që; ajo që më the ti mua, për çështjen e Bedriut dhe Tukut, se do të shtrohej në Komitetin Qendror, është e vërtetë, sepse siç tha Nedoja, asaj ja kishte thënë vetë familja e Pirro Kondit. Unë, atyre të dyjave u thashë për bisedimin që kisha bërë me Rexhep Xhikën, funksionar i Legatës Jugosllave, një natë më parë më 7 nëntor 1955, në pritjen e Legatës Sovjetike. Interesimin që pati ai për Tukun……!
Radhën e dytë që unë kam shkuar në Elbasan, ka qenë në dhjetor 1955, data e saktë nuk më kujtohet. Edhe kësaj radhe, po me fletë-shërbimi nga Ministria e Arsim-Kulturës, rreth përgatitjes së Operës “Trembita”. Por, shkaku kryesor kësaj radhe, ishte sepse kisha dërguar direkt nga sekretari i I-rë i Legatës Jugosllave, Cveto Vuçiç, për të takuar Bedri Spahiun, i cili më kishte dhënë këto porosi: “Të pyesja Bedri Spahinë, ku gjendet pretenca e Prokurorit për gjyqin e Koci Xoxes dhe materiali tjetër gjyqësor rreth procesit të Koci Xoxes, çfarë mendonte Bedriu, për zgjidhjen e problemit në lidhje me marrëdhëniet me Jugosllavinë”.
Shkova në Elbasan për këtë qëllim, si mbas porosisë që më bëri Cveto Vuçiçi, takova Nedon, të cilës i thashë të më pres Bedriu në shtëpi, duke më lënë orën 4 mbas dite që të takoheshim. Nedoja, më dha adresën e shtëpisë, duke më orientuar se kishte afër Shtëpisë së Kulturës një shtëpi rozë, dykatëshe dhe se banojshin në katin e dytë. Si mbas këtij orientimi, unë shkova para orës 4 dhe rashë në shtëpinë e tyre. U ngjita sipër, trokita në një derë që ishte kuzhina e tyre dhe brenda gjeta Nedon, Bedrinë, nënën e Nedos, dhe fëmijët.
Bedriu u gëzua shumë kur më pa. Nedoja, shkoi se kish mbledhjen e organizatës bazë, po ashtu u largua edhe plaka me gjithë fëmijët, kështu mbeta unë me Bedrinë vetëm. Ai më tha se isha unë, i pari komunist, që vija të bisedoja me të, që në momentin e marrjes së masës, karshi tija, dhe se deri në atë moment, si mbas thënieve të tija, nuk kishte biseduar me asnjë komunist. Unë i thashë Bedriut, se një funksionar i Legatës Jugosllave, interesohet të dijë mbi proçesin e Koci Xoxes dhe sidomos ku gjendet pretenca dhe materiali i zhvillimit të gjyqit, çmendonte ai për këtë proçes, meqenëse, ai ka qenë prokuror.
Bedriu më tha se pretenca dhe materiali, është botuar në gazetën “Zëri i Popullit”, dhe që si mbas mendimit të tija, Koci Xoxe, është ekzekutuar vetëm për marrëdhëniet me Jugosllavinë dhe për këtë, mbajnë përgjegjësi të katërt sekretarët e Komitetit Qendror, që kemi qenë, duke i cilësuar, Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Tuk Jakova dhe unë, dhe duhet të kemi kurajo, ta themi botërisht se kjo rëndon mbi neve, ai shtoi, se pretenca, është bërë nën diktatin e Enver Hoxhës.
Për sa i përket problemit me Jugosllavinë, ai e shikonte me sy pesimist, duke nxjerrë si pengesë kryesore shokun Enver dhe se ky problem nuk është i shkëputur nga ngjarjet ndërkombëtare dhe se ky problem do të zgjidhet në Demokracitë e tjera Popullore dhe faktori i brendshëm, gjendja në Komitetin Qendror të PPSH-së.
Për këtë, thosh ai, duhet të sqarohen anëtarët e Komitetit Qendror të PPSH-së, që si mbas tij, ishin të rinj dhe nuk e njihnin historinë e Partisë tonë. Bedriu, në këtë moment, ma ka bërë një pyetje mua, se si mbas mendimit tim, kush është pengesa kryesore për këtë situatë të krijuar në Parti? Unë i thashë, se për të gjitha këto, pengesë është Mehmet Shehu dhe këtë e lidhja me çfarë kisha dëgjuar nga motra ime, Mita Jakova, gjë që ishte dhe mendimi i Tukut.
Bedriu më tha se; unë gabohesha rëndë dhe se kryesori për këtë gjendje të krijuar në parti, ishte Enver Hoxha, ai më tha se; ti nuk e don jetën e Partisë tonë, duke cilësuar në këtë rast udhëheqjen e partisë, ajo ka qenë një luftë intrigash, për postin e parë. Unë tha ai, e kam shikuar prej kohësh këtë, prandaj jam detyruar të hesht dhe të mbyllem në veten time.
Bedriu, vazhdoi të më thotë se i mungonte kurajoja ta thoshte, dhe në këtë rast bëri një krahasim me Tukun, duke thënë se: Tuku ka kurajën, ka intuitën e klasës, por nxitohet, nuk gjen momentin kur duhet folur, sikur unë të kisha cilësitë e tija, ose ai të mijat, ne do bënim një të tërë, të vetme…!
Pastaj Bedriu, kaloi në historinë e Partisë, duke më treguar se si Enver Hoxha, gjatë gjithë kohës, është munduar të eliminojë të gjithë ata persona që kanë pas pasur kurajon të flisnin dhe ka dalë shëndoshë nga çdo situatë. Ai më tha, se në Plenumin e Beratit, me të drejtë është kritikuar Enver Hoxha, për gabimet në lidhje me Frontin dhe si i paaftë për të qenë në krye të udhëheqjes. Ai tha; se vetëm nga oportuniteti i Nako Spiros, ai mundi të mbetet në krye të udhëheqjes dhe se kur u kritikua, u bë si pulë e lagur.
Ai shtoi, se Nako Spiro, ka qenë element karrierist, por në këtë situatë, e shfrytëzoi Enveri, duke e marrë të banonte në shtëpinë e tij në Tiranë, për tre katër muaj. Ai thonte, se ka qenë e padrejtë masa që është marrë kundër Sejfulla Malëshovës, po ashtu i cilësonte të padrejta të gjitha masat që ishin marrë në Parti deri në fund, për masat që ishin marrë karshi tij dhe Tukut.
Bedriu, më tha; se në momentin e shkëputjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë, Enver Hoxha, ka mundur të shpëtojë duke u mbështetur në shpatullat e Tuk Jakovës. Ai më tha se Enveri, është demagog i madh, prandaj them unë, që ai është pengesa kryesore, se po të ishte pengesë Mehmet Shehu, Enver Hoxha, do ta kishte sakrifikuar Mehmet Shehun, mjafton që të dilte nga situata.
Bedriu më tha se; do të të tregojë një rast, se si Enver Hoxha e ka vënën nën këmbë Mehmetin, dhe e ka bashkëpunëtor. Ai më solli kohën kur u bë Mehmeti kryeministër dhe se si në këtë kohë, arriti një dualizëm midis pushtetit dhe Partisë. Në këtë kohë, u arrit një popullarizim i madh i Mehmetit, në dëm të Enverit dhe u duk se gati Mehmeti do të merrte supremacinë në udhëheqje, por në atë kohë, ka ardhur nga Bashkimi Sovjetik një letër, të cilën e dërgonte një komunist, që emrin nuk ma tha, që ai i drejtohej Komitetit Qendror, që ai të shikonte çështjen e Mehmet Shehut, se si mbas tij, ai dispononte materiale që Mehmeti, ishte agjent i Berias, kjo letër është lexuar në Komitetin Qendror dhe Mehmeti përnjëherë, kishte kërkuar që të merreshin masa kundrejt këtij komunisti.
Enveri në këtë rast, gjeti momentin oportun, që të kish në dorë Mehmet Shehun, ai tha se komunisti i ka dërguar letrën vetëm Komitetit Qendror dhe nuk marrim asnjë masë karshi teje dhe me kaq u mbyll kjo çështje në favor të Enver Hoxhës.
Bedriu thonte se përbërja e Komitetit Qendror, është nga element të rinj, të ndarë në simpatizantë të Mehmetit dhe të Enverit, prandaj ata nuk e dinë historikun e partisë në të kaluarën. Ai thonte se për zgjedhjen e situatës të sotme, do të duhesh që të bëhej një plenum, ku tonin të mos i’a jepte Enver Hoxha, ose më mirë të mos jetë fare dhe Bedriu atje të bënte një referat, ku t’i thonte të gjitha hapur, duke folur haptazi, të nxiste që Komiteti Qendror të ndahej në dy pjesë, do të shkonte shumica me Bedrinë dhe kështu, do të eliminohej Enveri dhe udhëheqja.
Në rast të kundërt, mbas këtij referati, mua do të më merrnin dhe do të më varnin, prandaj, thosh ai, nuk është e thjeshtë zgjidhja e situatës, duhet që më parë të sqarohen njerëzit. Ai thonte se; Enveri me Mehmetin, manovrojnë mbi miqësinë e Bashkimit Sovjetik dhe kanë bërë atë si ombrellë gjithmonë thonë se; ne kemi ecur sipas shembullit të Bashkimit Sovjetik.
Kurse në të vërtetë, ata janë në shumë raste në kundërshtim me Bashkimin Sovjetik. Këta i bëjnë të gjitha këto që të kenë ndihmën e Rusisë, por në rast se Rusia për një moment do të’ua presë ndihmat Enverit dhe Mehmetit, nuk do ta lëshojshin kurrë frontin, kjo që do të them, do të jetë ekstremi i ekstremeve, që këta do të kalojnë me Perëndimin, vetëm për të mos lëshuar pozitat, por populli nuk do t’i ndjekë në këtë politikë dhe në një rast të tillë, populli do të rrëmbejë pushkët kundra tyre.
Ai më tregoi për përjashtimin e tij dhe të Tukut nga partia, dhe zhvillimin e plenumit, më tregoi kur ishte rrëzuar radhën e parë dhe e justifikonte inaktivitetin në punë, sepse ai i kishte parë të gjitha këto shtrembërime, që bëheshin në Parti, nuk kish guxim t’i thoshte dhe kish vendosur të mbyllesh në veten e tij. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016