Dashnor Kaloçi
Pjesa e tetëmbëdhjetë
Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet një dosje voluminoze që i përket Tuk Jakovës, i cili që nga periudha e Monarkisë së Zogut, ishte një nga krerët kryesorë të Grupit Komunist të Shkodrës, i dënuar me burg politik në gjyqin e famshëm të vitit 1938, së bashku me Qemal Stafën e Vasil Shanton, pjesëmarrës në mbledhjen themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare dhe anëtar i Komitetit Qendror Provizor të saj, që nga mbledhja themeluese e 8 nëntorit të vitit 1941, komisar politik i Brigadës së Parë Sulmuese dhe Korparmatës së Parë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, ku nga mbarimi i Luftës, në nëntorin e vitit 1944 e deri në 1955-ën, mbajti disa funksione dhe detyra të larta partiake e shtetërore, si: anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare, ambasador fuqiplotë i Republikës Popullore të Shqipërisë në Beograd, President i Sindikatave të Shqipërisë, ministër i Financave dhe zv/Kryeministër i qeverisë shqiptare, të kryesuar nga Enver Hoxha etj. E gjithë dosja voluminoze (formulare dhe hetimore) që publikohet për herë të parë nga Memorie.al., ku ndodhen me qindra dokumente të panjohura, në ngarkim të ish-gjeneral-leitnant Tuk Jakovës, (“Hero i Popullit”), të cilat i përkasin periudhës së viteve 1951-1959, kur ai pas kontradiktave të shumta, që kishte me Enver Hoxhës që nga mbarimi i Luftës, në vitin 1951 u përjashtua si anëtar i Byrosë Politike dhe në 1955-ën, u përjashtua edhe nga Komiteti Qendror i PPSh-së, duke u shkarkuar edhe nga të gjitha funksionet e partiake e shtetërore, që kishte mbajtur deri në atë kohë, u internua familjarisht në rrethin e Beratit, ku pasi punoi disa kohë si përgjegjës i Repartit të Zdrukthëtarisë në atë qytet, në 1957-ën, u dënua me izolim në Kalanë e Kaninës së rrethit të Vlorës, ku dhe u arrestua në vitin 1958, duke u dënuar me 20 vjet burg, i akuzuar si “tradhtar e armik i popullit”, deri sa vdiq në spitalin e Burgut të Tiranës në vitin 1959, në rrethana misterioze! Çfarë thuhet në dokumentet sekrete (relacione, fotografi, kartela, formularë, raport-informacione, shënime, proces-verbale, raporte-survejimi, plane-masash, letra denoncuese, etj.) që i përkasin periudhës 1955-1959, kur ai ishte në ndjekje dhe survejim të vazhdueshëm nga organet e Sigurimit të Shtetit, cilët ishin oficerët e organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që ishin ngarkuar për vëzhgimin e tij dhe emrat e pseudonimet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit, që e mbanin atë nën kontroll të rreptë?!
Dokumenti sekret me relacionin e oficerit të lartë të Sigurimit të Shtetit, Kapiten i I-rë, Fadil Kapisyzi, dërguar eprorëve të tij në Ministrinë e Punëve të Brendshme, lidhur me procesin hetimor të zhvilluar ndaj diversantëve Iljaz Toptani dhe Gjetan e Selim Daci, ku ata përmendin edhe emrin e Tuk Jakovës
Sekret Tiranë, më 25.5.1951
R E L A C I O N
Midis grupit të diversantëve që përgatitet për të dalë në gjyq, është dhe Gjetan Daci, i ardhur nga Gjermania me Selim Dacin dhe Iljaz Toptanin.
Nga studimi i procesit të mbajtur në Peshkopi, u konstatuan disa të meta, për këtë arsye ngarkohet shoku Stavri Xhara, për t’i sqaruar këto. Në bazë të urdhrit, shoku Stavri fillon nga puna duke e trajtuar shumë mirë. Më datën e djeshme i janë marrë gjeneralitetet dhe për t’u vazhduar është lënë për datën e sotme. I pandehuri, mbrëmë në orët e vona ka kërkuar kapiten Stavrin, pa treguar arsyen.
Kur sot merret në pyetje, thotë se arsyeja e kërkesës, ka qenë për shkak se; në procesin e mbajtur në Peshkopi, nuk i kam thënë të gjitha, por tani marr angazhim që të mos i fsheh asgjë Partisë. Pastaj filloi me këto fjalë: “Kur grupi jonë do të kalonte nga Greqia për në Shqipëri, kanë ardhë të deleguar nga “Komiteti Shqipëria e Lirë”, Zef Pali, Seit Kryeziu, Gaqo Goga dhe organizatori amerikan, që qëndron pranë Komitetit “Shqipëria e Lirë”. Pasi të gjithëve së bashku na dhanë udhëzimet, më kanë tërhequr veçmas. Këtu përveç të deleguarve që u thanë, ka qenë edhe instruktori i kursit amerikan, “Emili”.
Xhetani, ndër të tjera thotë se i kanë ngarkuar si detyrë, që; kur të arrinte në Shqipëri, do të merrte urdhër nga Qendra, që të nisesh për në Tiranë, i cili si shoqërues, do të kishte një civil, që do t’ja jepte Dalip Kurti nga Mati. Tok me civilin dhe Xhetanin, do të vinte edhe Iljaz Toptani, i cili do të qëndronte në Krujë. As Iljazi dhe asnjë nga shokët e grupit, nuk duhet të dinim ardhjen e Xhetanit në Tiranë.
Organizatori amerikan i thotë Gaqo Gogos, që Xhetani në Tiranë duhet të takohet me: Myslym Pezën, Dali Ndreun, Esat Ndreun, Haxhi Lleshin, Tuk Jakovën, Qazim Kondin dhe Xhevdet Petrelën. Posa të takohet me njërin prej këtyre, duhet t’i paraqes letrën nga Komiteti “Shqipëria e Lirë”, dhe letrën e njoftimit (letra e K.Sh.L., është një letër e zakonshme, që ata i japin diversantëve).
I përmenduri thotë se; qëllimi i takimit me këtë ishte që të merrte informata, si p.sh., Myslym Peza duke qenë në Kuvendin Popullor, do të jepte informata mbi gjendjen e Kuvendit. Gjithashtu duhet të kujdesej për gjetjen e një shtëpie banimi këtu në Tiranë, pastaj do të shkonte me marr një nga radiot që kishte grupi dhe do ta instalonte këtu, me anën e së cilës do të mbante lidhje direkt me qendrën.
Gjetani thotë edhe këtë: “Për të më bindur mua, mbasi më dukesh e pabesuar një gjë e tillë, organizatori amerikan, i flet në gjuhën anglisht Gaqo Gogos, duke i thënë se; këto janë të vërteta të marra nga jugosllavët, nëpërmjet një majori shqiptar të ikur. Patsaj Gogua këto fjalë m’i përktheu në shqip”.
Për t’i mbajt në kujtesë personat që do takohej, i kanë dhënë një listë emërore, i cili e ka mbajtur tre ditë dhe pastaj ia dorëzoi instruktorit amerikan, “Emilit”. Gjithashtu Gjetanit ju ngarkua dhe një detyrë tjetër, që në rast se ndonjëri do të ishte në rrezik komprometimi, menjëherë duhet ta vinte në lidhje nëpërmjet Dalip Kurtit, që kështu me anën e Maqedonisë, të kalonte për në Greqi.
Si porosi të fundit, ka pasur; kur të transmetonte informatat, nuk duhet të jepte emrin e informuesit, por vetëm germat e fundit të mbiemrit, p.sh., Xhdevdet Petrela, = “L.A.” – etj. Me këtë, qendra kuptonte se kush i jepte informatat. Për këtë gjë, kapiten Stavri, në çast vë në korrent udhëheqjen e Degës.
Menjëherë, thotë Kapiten Fadil Kapisyzi, vajta në burg, u informova nga Kapiten Stavri, mbi çka i përmenduri kishte deponuar dhe pastaj morra në pyetje shokun e tij, Selim Daci. Këtë e bëra për t’u informuar mbi gjendjen e Gjetanit, se çfarë personi ishte ky.
Selimi u pyet për delegacionin e ardhur nga Komiteti “Shqipëria e Lirë”, mbi detyrat që ju kanë dhënë dhe më në fund mbi përbërjen e elementëve të grupit, për secilin në veçanti. Gjetani, Selimin e paraqit në këtë mënyrë: Nuk ka shkuar mirë me mësime, nuk është i zgjuar, por njëri me karakter të fortë dhe i vendosur për Legalitetin. Për këtë cilësi, gëzonte simpatinë në eksponentët e Legalitetit. Gjithashtu edhe nga hetuesia, dalin me një përshtypje të tillë, si njeri i besës dhe i zakonit.
Nga të gjitha këto, ne dalim në këto përfundime:
- Duke marrë për bazë, kapacitetin dhe zgjuarsinë e këtij personi, në mbështetje të deponimeve të Selim Dacit dhe përshtypjeve tona në hetuesi, është e pabesueshme që ky të mund të kryej një mision të tillë. (Të mbaj lidhje me shtatë veta).
- Duke pasur parasysh karakterin e fortë të këtij njeriu, nuk besojmë që ky vetë, të ketë trilluar një legjendë të tillë. Prandaj neve supozojmë që; Qendra t’ja ketë thënë me të vërtetë një gjë të tillë, me qëllim disinformacioni.
Jemi rezervuar që ta pyesim më gjatë, pasi një veprim i tillë, është në kundërshtim me platformën.
Zv / Kryetari i Degës së VII-të
Kapiten i I-rë, Fadil Kapisyzi
Raport-informacion i Punëtorit të Sigurimit të Shtetit, Andon Bellovoda, me të dhënat e bashkëpunëtorit me pseudonimin “Paça e këmbëve”, lidhur me informacionet që ai kishte mbledhur për Tuk Jakovën
Marrë nga P.Op. Andon Bellovoda
Dhënë nga B.p. “Paça e këmbëve”
Tiranë, më 8. XII. 1952
I N F O R M A T Ë
Kur ra nga pozita Tuk Jakova, ra edhe Zija Dibra. Në këtë kohë Tuku i thotë Zija Dibrës: “Mos kij gajle dhe hiç mos u mërzit, mos e kij për dertë fare. Do ta gjejë vendin edhe ky Koçi Xoxe tjetër (Mehmet Shehu)”. – Këto ja tregonte mikja e gruas time, që ja thoshte e motra e vetë, Bizere Zija Dibra. (Mikja është Mejreme Gjurgjoviçi).
Kur bisedonte Mejremja me Ali Prezën, Mehmet Gjurgja ua priste duke thane; pasha zotin ky dimër është fundi për këtë qeveri. Pranverën e kaluar Mehmet Gjurgja shkoi në Korçë dhe Pogradec, për punën e Shoqërisë “Shqipëri – B.R.S.S.” si revizor që është dhe kur u kthye, Mehmeti na tregonte që se si nga Pogradeci ishin arratisur një grup për në Jugosllavi.
Ata thoshte Mehmeti, ikën duke lundruar me barkë, për këtë më kallëzuan shokët, duke më treguar edhe vendin se nga kishin ikur, njëkohësisht këta i kanë përshëndetur gjatë kohës që ikën.
Datë 8.XII.1952 “Paça e Këmbëve”
Raport-informacion i oficerit të Sigurimit të Shtetit, Toger Llazar Minaj, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Malariku”, lidhur me biseda të ndryshme që ai kishte dëgjuar të fliteshin për Tuk Jakovën
Toger Llazar Minaj
B.p. “Malariku”
Dt. 22/V/1954
R A P O R T
Më datën 10/V/1954 ai u takua me Kolë Mirash Noshin nga katundi Palaj Shoshë, i cili i tha se; Tuk Jakovës i ka shkuar një letër e lëshuar nga tre shtetas për me u bë agjent i UDB-së dhe Tuku këtë letër sa e ka marrë është detyruar ta nënshkruaj dhe ta pranojë të bëhet agjenti i UDB-së.
Ai person që i ka çuar letrën Tukut, më ka lutur edhe mua për të qenë agjenti i UDB-së, për rrethin e Dukagjinit, por unë kur mësova se po ja çonte letrën Tukut, u frikësova dhe nuk e pranova një gjë të tillë. Unë atë njeriun e pyeta se; si nuk ke frikë me ja çue këtë propozim Tukut, por ai më tha se; i kam çuar dhe herë të tjera dhe po të më presin edhe mua, shkon dhe ai vetë më parë.
“MALARIKU”
Raport-informacioni i oficerit të Sigurimit të Shtetit, Toger Kosta Goce, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Panorama e Llogarasë”, lidhur me problemet dhe pakënaqësitë që ka shprehur në punën e tij, vëllai i Tukut, Frano Jakova
Marrë P.O. Toger Kosta Goce
Dhënë B.p.”Panorama e Llogarasë”Dt. 3.VI.1955
R A P O R T
Në lidhje me Drejtorinë e Arteve dhe Kulturës, Frano Jakovës, nuk i pëlqen shumë kjo detyrë, fakti që nuk e drejton mirë dhe veçanërisht përpjekjet e tija të pakta për të njohur sektorin e kulturës e vërteton këtë. Qysh prej riorganizimit të Pushtetit dhe futjes së Komitetit të Arteve në Ministrinë e Arsimit, drejtimi i çështjeve të artit dhe kulturës ka qenë i dobët.
Frano Jakova si drejtor nuk u thellohet problemeve por punon në mënyrë të sipërfaqshme. Shumë pak kontrollon punën e shokëve që ka nën varësi. Studimi jo i thellë i problemeve, ka bërë që këto të dalin edhe të pa pjekura dhe që kanë dëmtuar nga ana financiare, p.sh., Monumenti i Skënderbeut, filmi “Toka Jonë”, reporterët e teatrove profesionistë etj.
Nga sa e shoh, ka qef të kalojë me punë në sektorin e diplomacisë dhe këtë jo pse i pëlqen si punë, por për të përfituar të dali jashtë shtetit. Është aventurier në jetën e tij, i pëlqen të shkojë me gra të tjera, të bëjë një jetë rehati dhe pozitë pa përgjegjësi. Bije në pozita oportuniste, qoftë ndaj elementëve pa garanci politike, për t’i futur në punë, qoftë ndaj problemesh shtetërore që kanë të bëjnë me artin e kulturën.
Përkrah elementët shkodranë. Po qe çështje për kontroll pune, është gati që çdo javë të vejë në Shkodër, ose ka pasur raste që si: Zef Gruda, Pjetër Gjergji, Ndrek Gjergji etj., kërkesat e të cilëve i mban ose hesht para dobësive, që Franoja nuk ka cilësi drejtimi për këtë sektor. Ka qef të ruajë pozitën e tij, por punën ta bëjnë të tjerët.
“Panorama e Llogarasë”
Detyra
- Të mbajë kontakte me Frano Jakovën, të shikojë më mirë në lidhje me drejtimin e punës, ku konsistojnë dobësitë e tija etj./ Memorie. al
P.Op. Toger (Kosta Goce)
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016