Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al/publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), që janë shkëputur nga një dosje me siglën “sekret” e cila i përket viteve 1980-1982 dhe bën fjalë për ngjarjen e bujshme, të çarjes së gomave të disa prej automjeteve të trupit të huaj diplomatik, të akredituara në Tiranë, ku pas shqetësimit të madh të Enver Hoxhës dhe telefonatës së tij, ndaj ministrit të Punëve të Brendshme, Feçor Shehu, të cilit në kulmin e zemërimit, “Komandanti” i tha: “Nëse për 24 orë nuk e gjeni se kush dhe përse i ka dëmtuar automjetet e ambasadave të huaja në Tiranë, gjej vrimë dhe futu”! Alarmi i ministrit të Brendshëm Feçor Shehu, i cili thirri në një mbledhje urgjente, të gjithë drejtorët kryesorë të dikasterit që drejtonte dhe pasi iu bëri të qartë shqetësimin e madh të “Komandantit”, se mos ajo ngjarje do krijonte incident diplomatik me disa shtete, organet e Sigurimit të Shtetit dhe struktura të tjera të Ministrisë së Punëve të Brendshme, brenda 24 orësh, arritën të zbulonin autoren e “krimit”, Prendushme Deda, punëtore e Ndërmarrjes Komunale të kryeqytetit, që punonte në pastrimin e rrugëve, e cila u kap në flagrancë përpara Hotel “Dajtit” teksa çante gomat e disa prej automjeteve, të trupit diplomatik në Tiranë. Dëshmia e rrallë e ish-Drejtorit të Laboratorit Qendror Kriminalistik të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Neshat Tozaj, të dhënë pak kohë para se ai të ndahej nga jeta, lidhur me debatet e ashpra e përplasjen e tij, më ministrin Feçor Shehu, pasi ai, si titullar i laboratorit që drejtonte, nuk pranoi të firmoste akt-ekspertimin, për të konsideruar “armë të ftohtë” mjetin prerës, me të cilën punëtorja e pastrimit, kishte çarë gomat e disa prej automjeteve me targa “CD”! Kërcënimi i Feçor Shehut, për vartësin e tij që e shkarkoi menjëherë nga detyra, duke e dërguar si skenarist në Kinostudion “Shqipëria e Re” dhe odiseja e gjatë e Tozajt, për të vënë në vend nderin dhe dinjitetin e tij, duke i dërguar letra ankesash kryeministrit Mehmet Shehu dhe më pas Enver Hoxhës. Kjo u bë shkak e solli dhe ftohjen e përplasjen e parë, midis dy krerëve më të lartë të Shqipërisë komuniste, të asaj kohe! Akuzat e Enverit ndaj Mehmet Shehut, se përse ai, e kishte mbajtur të fshehtë ngjarjen e bujshme, që tronditi Tiranën zyrtare, (nga frika e ndonjë incidenti diplomatik me disa shtete), ku pas vdekjes së tij dhe arrestimit të Kadri Hazbiut e Feçor Shehut, ajo ngjarje ri doli “në skenë” dhe si rezultat, u liruan nga burgu dhe internimi të gjithë pjesëtarët e “grupit armiqësor”, që ishin akuzuar për dëmtimin e automjeteve të ambasadave të huaja e kthimin në vendin e punës së Neshat Tozajt, i cili disa vite më pas, shkroi romanin “Thikat”, që asokohe do të bënte një bujë të madhe!
Dokumenti sekret me relacionin e hartuar nga Rexhep Kolli, funksionar i lartë në aparatin e Komitetit Qendror të PPSH-së për organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, dërguar eprorëve të tij, lidhur me problemin e “Grupit kriminal armiqësor”, që ishin arrestuar e dënuar për dëmtimin e automjeteve të ambasadave të huaja në Tiranë!
Sekret Dt.16.3.1982
R E L A C I O N
MBI VEPRIMTARINË E BAZUESHMËRISË SË MASËS TË INTERNIMIT TË K. D. DHE DEDË LASKUT
Më 6.11.1982, Komisioni Qendror për Internim-Dëbimet, në bazë të propozimit të Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, miratoi dorazi internimin familjarisht të Dedë Laskut me djalin e tij Noc Laskun, si dhe të K. D. me vajzën e saj N. E.
Këto masa u muarrën nisur nga mendimi se në proçesin e çarjes së gomave të makinave të diplomatëve të huaj, kemi bëjmë me “një grup të mprehtë diversionist”. Shqetësimi qe i drejtë. Më 26.10.1980, u kap në flagrancë duke çarë gomat, Prendushe Deda, e cila që në fillim pohoi se për këtë veprim kishin dijeni vëllai i saj, Gavrosh Lasku dhe nusja e tij, Lefkothe Lasku, se thikën ja kishte dhënë Lindita Beka.
Në këto rrethana, hetuesia ndaloi Gavrosh e Lafkothe Laskun, pse kishin marrë dijeni se Prendushe Deda, donte të çante gomat e makinave të diplomatëve të huaj, Marie Laskun, që ishte nëna e Prendushes, Edmon Ruzin, që kishte prodhuar thikën dhe Lindita Bekën, që i’a dha thikën Prendushes. Ky veprim qe i drejtë dhe i bazuar.
Mirëpo, gjatë hetimeve, në vija të përgjithshme deri më 6.11.1980, u bë e qartë se nuk ka grup, pavarësisht nga synimi që i kishin vënë vetes shokët e sektorit operativ dhe të Hetuesisë, për të zbuluar kush fshihej prapa Prendushe Dedës, me kë e ka përgatitur dhe organizuar kjo këtë veprim kriminal.
Për më tepër, qenia e “grupit diversionist”, lëkundej edhe nga fakti se: Prendushe Deda sa u kap, deklaroi: “Unë i çava gomat dhe po të mos më kishin kapur, do të vazhdoja të çaja të tjera. Këtë e bëra nga inati i atij të huajit që më rrëzoi një ditë me motoçikletë”.
Prendushja ishte grua e shthurur dhe e degjeneruar, me turbullime të karakterit, aq sa në qendrën e punës e në lagje, njihej si grua jo vetëm imorale, por edhe si e lehtë në gjykime e veprime.
Në këto kushte, organi i Sigurimit, nuk duhej të nxitohej në propozimin për marrjen e masave të internimit, por t’i analizonte e shqyrtonte më me objektivitet dhe frymë partishmërie çështjet. Rrëmbimi pas ngjarjes, që më të vërtetë ishte serioz, çoi në marrjen e masave të pa bazuara për internimin e dy familjeve:
- Më 3.11.1980, Drejtoria e Punëve të Brendshme për Tiranën, propozon të internohet familjarisht për 5 vjet, K. D. me këtë motivacion: “Duke parë se familjarisht janë bërë problem në qendrën e banimit dhe për faktin se vajza e saj, Lindita Beka, është arrestuar për krime të mprehta”.
Në aktin e propozimit për internim, midis të tjerash thuhej:
– K. D. në vitin 1949 është pushuar nga puna prej NTSHUS-it për………., nga Sanatoriumi është pushuar për…………, ka qenë e martuar me Ibrahim Egron, Reshat Bekën dhe Gjergj Hasanin, të cilët e kanë ndarë për………………!
– Vajza, Lindita Beka, më 26.10.1980, u arrestua si bashkëpunëtore në krimin që kreu Prendushe Deda.
– Bashkë me K., të internohen edhe N. E., vajza e saj që zyrtarisht është e ndarë, por që jetojnë bashkë.
Nga studimi i të gjitha materialeve, konsultat me shokët e lagjes, të qendrave të punës ku ka punuar K. D., shpjegimet që na kanë dhënë shokët e Drejtorisë së Tiranës dhe ata të Degës së Punëve të Brendshme të Lushnjes, rezulton se masa e internimit për K. D. dhe vajzën e saj, N. E., kanë qenë jo vetëm të pa studiuara mirë e me kujdes, por edhe të pabazuara për këto arsye:
– Lindita Beka, vajza e K. D., u ndalua më 26.10.1980 “si bashkëpunëtore” në krimin që kreu Prendushe Deda, por u lirua më 29.10.1980, për mungesë provash. Ajo u arrestua më 30.10.1980, për armëmbajtje pa leje dhe kjo me manipulim të provave nga hetuesia, e cila në kundërshtim me ligjin dhe normat e Partisë, fshehu aktet e ekspertimit të Laboratorit Qendror të Kriminalistikës, të cilët thikat nuk i konsideronin armë të ftohta.
– Vërtetë Lindita ia dha thikën Prendushe Dedës, por nuk dinte asgjë për qëllimin e saj. Pra nuk është e vërtetë se Lindita Beka u arrestua për “krime të mprehta”, siç thuhet nga organi i Sigurimit. Në këto kushte nuk kishte pse të internohej familja e Linditës.
– N. E., vërtetë është vajza e K. dhe Linditën e ka motër nga nëna, por ajo ishte e ndarë zyrtarisht. N. E. ka qenë e martuar me R. S., me të cilin ka lindur një fëmijë.
– Ajo banonte në një bllok tjetër të Lagjes Nr.1. Për arsye grindjeje, Gjykata e rrethit me Vendim Nr.222 dt. 8.2.1977, miraton ndarjen e tyre për fajin e të dyve. Në bazë të vendimit gjyqësor, dhoma i mbeti burrit, kurse për Natashën Gjykata i rekomandonte Komitetit Ekzekutiv të Lagjes, t’i siguronte një banesë tjetër.
– Sa kohë që ende nuk i qe siguruar banesa, N. u detyrua të qëndrojë përkohësisht në një dhomë të apartamentit që kishte e ëma e saj. Pra, në këto rrethana, nuk kishte asnjë bazë ligjore masa e internimit për N. E..
– Vërtetimi biografik i K. D. dhe N. E., janë bërë me tendencë fryrje të anëve negative, për më tepër u janë vënë gjëra të pa qena. Kështu:
– Nuk është e vërtetë se K. D. është pushuar nga puna në Sanatorium për vjedhje. Ajo nga andej është pushuar më 3.1.1970 sipas njoftimit që na dha dega e kuadrit më 23.12.1981, për thyerje disipline, familjaritet me të sëmurët dhe marrje borxhesh.
– Nuk është e vërtetë se ajo është ndarë nga burrat për imoralitet. Në bazë të vendimeve gjyqësore, ajo është ndarë nga Ibrahim Egro më 23.12.1954, për fajin e të dyve:
– Me Reshat Bekën është ndarë më 19.1.1962, për fajin e të dyve, me Gjergj Hasanin është ndarë më 18.11.1970, po për fajin e të dyve dhe konkretisht, për diferencë moshe (K. ishte 10 vjet vjeçe më e madhe nga i shoqi), për temperament nervoz të K. dhe qëndrim kokëfortë të Gjergjit.
– Nuk është e vërtetë se familja e saj është bërë problem në qendrën e banimit. Lidhur me këtë, as policia e as sektori operativ, nuk kanë pasur asnjë të dhënë që të vërtetojnë se kjo familje ka qenë bërë problem.
– Komiteti Ekzekutiv i Lagjes Nr.1 më 18.12.1981, na njoftoi se: “Familja e K. D. përsa e njeh ky Komitet, nuk ka qenë asnjëherë problem shqetësues në drejtim të sjelljeve të saja, deri në kohën që u internua”.
– Organizata bazë e Partisë dhe kryesia e Frontit, thonë se kjo familje s’ka qenë problem, se ishte me qëndrim të mirë politik, se K. aktivizohej në problemet shoqërore, kurse vajza e saj Lindita Beka, ka qenë edhe anëtare e ‘Grupeve të Bashkëpunimit Vullnetar’ nga viti 1978 e deri sa u arrestua.
– Nuk është e vërtetë se vajza e K., N., është ndarë nga i shoqi për fajin e saj. Ajo është ndarë më 8.2.1977, për fajin e të dyve.
Shokët e Drejtorisë së Parë të Sigurimit të Shtetit dhe të Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, ndërsa ne punonim për sqarimin e çështjes, u përpoqëm të grumbullojmë material për të argumentuar se “masa ka qenë e drejtë”.
Për këtë ata:
– Hoqën nga dosja karakteristikën e Kryesisë së Frontit të lëshuar për qëndrimin politik e shoqëror të K. më 22.07.1981 dhe në rrugë të shtrembër, marrin një karakteristikë tjetër më datë 10.12.1981.
– Nënë ndikimin e shokëve të Sigurimit, duke shkuar natën tek kryetari i Frontit të Bllokut, si dhe duke thirrur jashtë rregullave në Drejtori, një anëtar të kryesisë së Frontit të Bllokut, në karakteristikën e dytë, që zëvendësoi të parën, u hoqën vlerësimet e mira, ato pjesë që thonin se: “K. ka mbajtur qëndrim të mirë politik”, “diskutonte vazhdimisht në mbrojtje të vijës së Partisë”, “me fqinjët shkonte mirë”.
– Nga ana tjetër, u vunë këto vlerësime negative: “Në Bllokun tonë njihet si grua me moral të dobët”, “vajza e madhe ka qenë imorale dhe është divorcuar”, “Lindita nuk ka mbajtur qëndrim të mirë moral, duke u takuar edhe me të huajt”?
– Pikërisht, këtë karakteristikë të dytë, e hodhi poshtë si të pa bazuar Organizata bazë e Partisë e Lagjes më 30.12.1981, duke përpiluar një karakteristikë të re.
– Organizata bazë tha gjithashtu se vlerësimet negative për këtë familje, janë bërë nën ndikimin e anëtarit të Kryesisë së Frontit, shokut Haxhi Ziu, i cili nuk ka shkuar mirë me K. D., se organet e Punëve të Brendshme, nuk duhet të ndiqnin këtë rrugë të gabuar për karakteristikën.
Dërguan hetuesin Sokol Koleka në Repartin e Riedukimit të Kosovës (Elbasan), për të marrë proçes-kallzimi nga një e dënuar, që paska qenë në një birucë me Lindita Bekën, ku thuhet se Lindita dhe e ëma e saj janë në pozita armiqësore.
- Më 11.12.1981 bëjnë relacionin: “Mbi internimin e K. D. dhe vajzën e saj N. E.”, ku arrihej në konkluzionin se:
- “K. D. dhe vajza e saj N. E., të mos lirohen nga internimi, por te merren masa për të vërtetuar shpejt të dhënat që bëjnë fjalë se ato kanë zhvilluar veprimtari armiqësore të mprehtë. Në vartësi nga vërtetimi i të dhënave, të gjykohet e të vendoset në të ardhmen.
- Vërtetohet në rrugë operative se Lindita Beka është në pozita armiqësore. Denoncimi i Pavlina Gugut, hedh dritë edhe për bashkëpunimin e saj me Prendushe Dedën, e cila siç dihet, u dënua për veprimtari armiqësore. Në vartësi me vërtetimin e këtij denoncimi, të gjykohet edhe për masat që do të merren ndaj kësaj”.
Lidhur me këtë konkluzion, pyesim: Pse nuk reflektohet mbi motivacionin në bazë të të cilit kjo familje u internua, motivacion të cilin, vetë proçesi hetimor dhe gjyqësor e rrëzuan?!
A mund të internohet një familje pse vajza e saj dënohet me 4 muaj privim lirie për kundra vajtje penale dhe që më vonë mori pafajësinë? Thuhet se më 5.3.1981, kur Lindita Beka kishte dalë nga burgu dhe kur familja e saj kishte 4 muaj që ishte internuar, Organi i Sigurimit, mori një denoncim nga një e dënuar, ku Lindita implikohej në veprime të mprehta armiqësore!
Mirëpo, kjo e dhënë nuk është shumë e besueshme, gjë që e shpreh edhe shoku Zef Loka në shënimin e tij, ku thotë: “Kjo do marrë me shkrim, e jo me shënim operativ, se nuk është e rregullt. Unë nuk i besoj këto, sa kjo (fjala është për denoncuesen), është pa personalitet dhe flet fantazira. Si biseduakan me shenja në mur, një tekst kaq të gjatë?!
Thuhet gjithashtu se Lindita më 18.9.1981, implikohet në proçesin e Perikli Shqevit, se ajo ka dijeni mbi tendencën e tij për arratisje etj. Dhe se më 21.9.1981, Lindita u muarr në ndjekje.
Lind pyetja, mos vallë ka ndonjë normë që thotë se pavarësisht se e arrestuam, e dënuam dhe e internuam pa baza ligjore një person ose një familje, masa është e drejtë, pse ne pas 4 muajve morëm një të dhënë të dyshimtë, pas 11 muajve na doli në një proçes e implikuar dhe mbas një viti do të mobilizohemi për t’ja vërtetuar fajësinë?!
Kuptohet, këto nuk janë veprime të drejta, veç përpjekje për mbulimin e shkeljeve të bëra. Me këtë nuk duam aspak të themi se çështja që dalin të mos verifikohen e të mos sqarohen. Sigurisht ato duhen verifikuar e sqaruar, por jo të ndiqen rrugë e forma pune të gabuara. Jo vetëm kaq, jo për hir të kësaj të mos vëmë në vend shkeljet e ligjit që janë bërë. Gjithçka duhet bërë në bazë e në zbatim të normave.
Në rastin konkret shokët kanë gabuar. Ku ishin këta e çfarë bënë nga 23 marsi 1981, kur u doli e dhëna? Deri në shtator të vitit 1981, organi i Sigurimit nuk bëri asnjë veprim, vetëm në kuadrin e masave për Kongresin e 8-të të Partisë e mori Lindita Bekën në ndjekje. Me gjithë këtë, deri tani s’ka të dhëna direkt nga asnjë burim. Pra veprimtaria armiqësore në rrugë operative, nuk është vërtetuar./Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016