Nga Bashkim Trenova
Pjesa e njëzet e tre
Memorie.al publikon kujtimet e gazetarit, publicistit, përkthyesit, studiuesit, shkrimtarit, dramaturgut dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova, i cili pasi u diplomua në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në vitin 1966 u emërua gazetar në Radio-Tirana në Drejtorinë e Jashtme të saj, ku punoi deri në vitin 1975, kur ai u emërua si gazetar dhe shef i redaksisë së jashtme në gazetën ‘Zëri i popullit’, organ i Komitetit Qendror të PPSH-së. Në vitet 1984-1990, ai shërbeu si kryetar i Degës së Botimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit dhe pas zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri, në marsin e vitit 1991, u emërua në gazetën ‘Rilindja Demokratike’, fillimisht si zv/kryeredaktor dhe më pas kryeredaktor i saj, deri në vitin 1994, kur u emërua në Ministrinë e Punëve të Jashtme. me detyrën e Drejtorit të Shtypit dhe zëdhënës i asaj ministrie. Në vitin 1997, Trenova u emërua me detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut. Kujtimet e panjohura të z. Trenova, duke filluar nga periudha e Luftës, fëmijëria e tij, vitet e fakultetit, karriera profesionale si gazetar dhe studiues në Radio Tirana, gazetën ‘Zëri i popullit’ dhe Arkivin Qendror të Shtetit, ku ai shërbeu deri në shembjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës, periudhë kohe, kur ai në rrethana të ndryshme u njoh me disa nga ‘familjet reaksionare’ dhe pinjollët e tyre, të cilët me një mjeshtëri të rrallë, i ka përshkruar në një libër me kujtime të publikuar në vitin 2012, me titull ‘Armiqtë e popullit’ dhe tani i sjell për lexuesit e Memorie.al
“Armiqtë e popullit”
Kolegu gazetar, Thimi Çollaku, për riedukim në gjirin e klasës punëtore te OAN-it!
Pasi mbaruam me kontrollin punëtor, në Ofiçinë takova një kolegun tim të vjetër, Thimi Çollakun. Ishte veshur me rroba pune si të gjithë punëtorët e tjerë. Duart i kishte të lyera me vaj makinash. U çudita me praninë e tij në repartin e motoristëve. E pyeta: “Po ti këtu”? Me një të qeshur si prej fajtori pa faj, Thimi u përgjigj: “Kam ardhur për riedukim në gjirin e klasës punëtore.” U befasova!
Në Ofiçinën e Automjeteve të Ndërtimit Thimin e kishin sjellë me një “pasaportë” mjaft negative. Këtë e mësova nga një bisedë, që bëra me sekretarin e Partisë së Ofiçinës, Sazan Qalliun, i cili ishte njëkohësisht edhe përgjegjës i repartit të motoristëve. Lloj-lloj historirash të paqena e të pakëndshme i ishin përcjellë Sazanit për Thimin nga ata që e dërguan atë në Ofiçinë. I fola Sazanit se si e njihja unë Thimin.
Për mua Thimi Çollaku ishte njeri i ndershëm, një idealist i pandreqshëm. Me të kishim punuar së bashku në Radio Tirana, në drejtori të ndryshme, por të dy si gazetarë për situatat ndërkombëtare. Thimi kishte filluar punën në Radio dy apo tre vjet para meje. Ai kishte bërë emër si gazetar i pëlqyer, si një komentator i mirë politik. Mua dhe shokët e mi të porsaardhur në Radio, na tërhoqi mënyra e tij e trajtimit të ngjarjeve politike, por edhe natyra, karakteri i tij, gjithnjë modest dhe i hapur.
Thimi kishte mbaruar studimet me rezultate të shkëlqyera për diplomaci në Bashkimin Sovjetik. Atje, për fatin e tij të mirë dhe të keq, u dashurua me Valian, gruan e tij të ardhshme ruse. Them “për fatin e tij të mirë” sepse Valia ishte një ruse e mrekullueshme, një shoqe e rrallë jete. Shtoj “për fatin e tij të keq”, sepse së bashku do të ndajnë shumë privacione në jetë.
Pas mbarimit të studimeve Thimin e emëruan si punonjës në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Në atë kohë ishim ende në vitet e “miqësisë së madhe” shqiptaro-sovjetike. Me prishjen e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik, Thimi i martuar me një grua ruse, u pa si i papërshtatshëm në Ministrinë e Jashtme. Atë e larguan prej andej për të filluar punë në Komitetin e Marrëdhënieve Kulturore me Botën e Jashtme, që ishte një filial i Ministrisë së Jashtme. Më pas edhe prej këtej e larguan, gjithnjë si i papërshtatshëm, për ta sjellë në Radio Tirana. “Rrëshqitja” e Thimit nuk do të ndalej as këtu. Kam përshtypjen se ai nuk ndjehej mirë në Radio.
Konfliktet e Thimit me Thanas Nanon dhe ‘flet-rrufeja’ anonime!
Ai nuk kishte marrëdhënie të mira me drejtorin e përgjithshëm, Thanas Nano. Një herë këtij i’u vendos një Fletë-rrufe në të cilën kritikohej për stilin e metodën e tij në punë. Fletë-rrufetë e kohës ishin edhe ato një imitim i atyre, që gjatë Revolucionit të Madh Kulturor Proletar Kinez u quajtën “dacibao”. Fletë-rrufetë apo dacibaot, ishin si një shkrim i botuar në një gazetë muri, ku secili shprehte mendimin e tij për punën, marrëdhëniet në punë dhe kuadrot drejtuese apo kolegët, miqtë, shokët. Mendimi duhet të ishte kritik. Kështu orientonte Partia, që bëhej edhe garante se autorët e fletë-rrufeve do të kishin mbrojtjen e saj nga ndonjë hakmarrje e mundshme. Nuk e di se përse, pas botimit të kësaj fletë-rrufeje pa autor, dyshimet filluan të bien mbi Thimi Çollakun. Përmbajtja e kësaj fletë-rrufeje nuk u analizua asnjëherë, askund. Ndërkohë, në mos gaboj, më duket se Thimin edhe e thërritën drejtues të Radios për ta bërë të pranojë autorësinë e saj. Thimi, sigurisht, nuk pranoi.
Ka patur vetëm një periudhë të shkurtër kur Thimi është ndjerë mirë në Radio. Kjo ka ndodhur pas ardhjes së Nefo Myftiut si drejtoreshë e Radios së Brendshme dhe e Todi Lubonjës si drejtor i përgjithshëm i Radio-Televizionit Shqiptar. Në atë kohë ai u caktua edhe me detyrën e shefit të redaksisë. Nuk zgjati shumë dhe e gjithë kjo, pas rikthimit të Thanas Nanos si drejtor i përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar, u kthye kundër tij.
Duke qenë punonjës i Radio Tiranës, krahas punës së tij të përditshme në Redaksinë e Informacionit, Thimi u mor edhe me botimin e disa librave si “100 pyetje për Shqipërinë”, botim ky që, mesa kujtoj, shërbente si një guidë turistike e njëkohësisht propagandistike për të huajt, për ta paraqitur sa më të bukur e më tërheqëse Shqipërinë në botën e jashtme. Ai do të jetë autor edhe i botimeve “E vërteta mbi demokracinë e dollarit”, “Mbretërit e pakurorëzuar të Amerikës”, “Shoqëria e sëmurë”, etj.
Persekutimi i Thimi Çollakut pas botimit të disa librave të tij, por shkaku ishte gruaja ruse!
Këto botime, sikurse mund të kuptohet edhe nga titujt e tyre, kanë një teh antikapitalist dhe antiimperialist. Në to kritikohet rëndë dhe, po të flasim me gjuhën e kohës, demaskohej pamëshirë kapitali amerikan dhe demokracia borgjeze. Ky vështrim ishte në përputhje të plotë me politikën dhe ideologjinë zyrtare në Shqipëri. Megjithëkëtë, pikërisht këto botime do të shërbenin për të përligjur formalisht edhe persekutimin e denigrimin e Thimit për vite të tëra.
Këto botime u bënë objekt kritike në Radio Tirana. Ka qenë Liri Çeli, sekretare e Partisë së Radio Tiranës dhe përgjegjëse e Redaksisë së Muzikës ajo, që bëri pretencën e këtyre botimeve. Nuk e di të jetë përdorur ndonjë argument konkret për t’i hedhur poshtë si të gabuara dhe të dëmshëm politikisht apo ideologjikisht librat e Thimi Çollakut. U përhap mendimi se nëpërmjet tyre, Thimi mbështeste tezat e “bashkë ekzistencës paqësore”, që njiheshin si teza të përhapura nga revizionistët sovjetike, d.m.th. nga Partia Komuniste Sovjetike dhe kryetari i saj Nikita Hrushovi, pra nga ata që njiheshin si armiq të marksizëm-leninizmit dhe të Shqipërisë. Nuk e di të jetë cituar edhe ndonjë frazë prej tyre për të provuar këtë gjë. Ndoshta librat as nuk ishin lexuar fare, por Thimi duhej dënuar për të tjera arsye, që as kishin të bënin me librat e tij. Kështu atë, për dënim, e sollën në Ofiçinën e Automjeteve të Ndërtimit.
Asnjëherë nuk kam arritur të kuptoj se si mund të dërgohej, kushdo qoftë,në një uzinë, në një fabrikë apo fermë për të bërë jetën e një punëtori apo fshatari të thjeshtë dhe kjo gjë të bëhej si pasojë e një mase, e një dënimi. A nuk do të thoshte kjo se punëtorët dhe fshatarët shqiptarë ishin fatalisht të dënuar thjesht sepse ishin të tillë? A nuk do të thotë kjo se pothuajse e gjithë shoqëria shqiptare ishte e dënuar, se vetë ajo që Partia e paraqiste si bazën e saj sociale, si themelin e saj, klasa punëtore dhe fshatarësia kooperativiste, ishin të dënuar?
A nuk shtron kjo pyetjen: Kush ishin të padënuar në komunizëm? Përse komunizmi duhej identifikuar kështu me dënimin në përgjithësi dhe me dënimin e pamerituar në veçanti? Duke mos dashur ta pranoj këtë të vërtetë të jetuar, vite më vonë kam menduar se komunizmi në Shqipëri dhe në vende të tjera ku ai erdhi në pushtet, nuk ka qenë komunizmi shkencor i Marksist dhe Engelsit. Sipas meje ai ishte një feudo komunizëm, një komunizëm primitiv, të cilin nuk mund ta drejtonte kush tjetër përveçse udhëheqës primitivë klanesh fisnore apo rajonale, njerëz me një mentalitet primitiv dhe agresiv. Këta mbronin botën e tyre, një botë që kishte perënduar dhe ishte kthyer si aksident historik. a përse arsyeja dhe logjika nuk gjenin vend, madje ishin në kontradiktë edhe me atë që mund të shihet si logjikë apo arsye klasore, komuniste.
Gruaja e Thimit, rusja Valia, nga gazetare e Radios, te Ferma “Gjergj Dimitrov”!
Thimi u dënua sepse kishte gruan ruse, sepse nuk pranoi ta ndante atë, të linte fëmijët pa nënë, t’i thoshte “mjaft më” asaj që për të kishte braktisur gjithçka. Ai nuk pranoi të divorcohej me Valian, e cila edhe ajo nga ana e saj nuk kishte pranuar të prishte familjen, të braktiste fëmijët, Viktorin dhe Mimozën, nuk kishte pranuar të rikthehej atje nga kishte ardhur, në Rusi. Njerëzit nuk janë gurë shahu, por komunizmi kështu i donte ata, në të kundërt do të ndesheshe, në mënyrë të pashmangshme, me pasojat. Në komunizëm duhej të zgjidhje midis dashurisë për njerëzit më të dashur dhe besnikërisë së verbër ndaj një sistemi hakmarrës deri në çmenduri. Thimi “zgjodhi” Ofiçinën e Automjeteve të Ndërtimit.
Ndërsa për Thimin u gjetën disa “gabime” për ta dënuar, për gruan e tij, Valian, nuk ishte fare nevoja për të gjetur ndonjë gabim, qoftë edhe të sajuar. Atë e dërguan punëtore ferme në Ndërmarrjen Bujqësore Shtetërore “Gjergj Dimitrov”. Ajo mund të dërgohej, si mjaft të tjerë, të punonte si punëtore në ndonjë fabrikë apo uzinë të kryeqytetit, së paku të kishte një çati mbi kokë, të mbrohej nga era e nga shiu. Nuk u vendos kështu. Valia nuk e meritonte të ishte as punëtore e thjeshtë. Për të jetuar asaj i dhanë shatin dhe baltën e kodrave të Tiranës, ku ishte edhe ferma “Gjergj Dimitrov”.
Edhe Valian e kisha njohur në Radio Tirana. Fillimisht ajo vinte fliste si spikere e emisionit të rusishtes. Kishte një zë kumbues të jashtëzakonshëm. Në Radio Tirana thuhej se as Radio Moska nuk e kishte një folëse të tillë! Më pas, me zgjerimin e orëve të transmetimit në rusisht, Valia fillon punë në Drejtorinë e Jashtme të Radio Tiranës si folëse dhe si përkthyese. Ndryshe nga Ina Tarasova, që kishte një pamje “aristokratike”, ndryshe nga Tamara “barbi”, Valia ishte tipike ruse, ashtu siç ne i kemi klishetë për gratë ruse. Ajo ishte e hapur, disi e zhurmshme, me një të qeshur gurgulluese dhe me një zemërim, që nuk e fshihte.
Në punë ishte gjithnjë korrekte. Nga mikrofoni i vogël i studios dukej sikur ajo deklamonte në një skenë, që përcillte zërin e saj në hapësirat e pafund të atdheut të saj. Valia nuk kishte mbaruar shkollë aktrimi, megjithëkëtë, në mikrofon ajo ishte një aktore e vërtetë. Ndoshta të tillë e bënte shpirti i saj rus nostalgjik dhe romantik! Me siguri ajo u ndëshkua për këtë shpirt, për vetë qenien e saj ruse edhe pse nuk ishte ajo, që kishte zgjedhur të lindë apo jo e tillë.
Në fermë Valia punoi rreth 15 vjet, po aq sa punoi edhe Thimi si motorist, tornitor apo fonderist. Ajo u bë punëtore e dalluar. Me kujtohet kur e kam takuar në një rast, më tregoi se si gratë e brigadës së punës, kishin dashur ta zgjedhin si delegate për në Kongresin e Gruas Shqiptare. Atyre u kishin thënë të zgjedhin më të mirët dhe ato kishin zgjedhur Valian si më e mira. Ajo kishte këmbëngulur që të mos e zgjidhnin, por edhe ato kishin këmbëngulur për ta zgjedhur. Si përfundim në Kongres nuk shkoi Valia, por dikush tjetër. Ishte normale. Në Kongres nuk mund të shkonte një e dënuar edhe pse zyrtarisht për Valian nuk ishte shqiptuar as njëlloj dënimi. Ajo duhet të vuante një dënim të padeklaruar, jo të ndershëm, si vetë zotërit e tij.
Fakti që Valia nuk u lejua të shkojë si delegate në Kongresin e Bashkimit të Grave të Shqipërisë, që ishte zyrtarisht një nga levat e Partisë së Punës, ashtu si edhe Bashkimet Profesionale të Shqipërisë apo Bashkimi i Rinisë së Punës së Shqipërisë, “normalisht”, duhej të çonte në izolimin e saj nga shoqet e brigadës. Ato duhet të shihnin më qartë tani se Valia ishte e padëshiruar nga regjimi, nga Partia, se Valia ishte delja e zezë e tufës. Në të vërtetë nuk ndodhi kështu. Më kanë treguar se kur Valia dhe Thimi martuan vajzën e tyre, Mimozën, tre shokë që kishin punuar me Thimin në Redaksinë e Informacionit në Radio Tirana, i vajtën për urim. Shtëpia e Valias dhe Thimit ishte mbushur plot me gra të “Gjergj Dimitrovit”, shoqe punëtore të brigadës së Valias, të cilat silleshin si në shtëpinë e tyre dhe gëzoheshin sikur po martonin fëmijën e tyre. Valia u jepte njerëzve dashuri dhe njerëzit e rrethuan atë me dashuri. Ajo doli në pension midis tyre.
Largimi i Thimit nga Tirana për në Berat ku punoi 15 vjet në fonderi!
Unë nuk punova gjatë në Ofiçinë me Thimin. Pak nga pak po plotësohej periudha trevjeçare e stazhit tim si kandidat i Partisë së Punës. Pasi u largova nga Ofiçina Thimi u bë tornitor, zuri vendin tim pranë tornos së vjetër kirkize, por jo për shumë kohë. Di kund nuk ishin të kënaqur që familja Çollaku, pavarësisht vështirësive të pafund, të ishte ende e bashkuar. Nuk kishte përse kjo familje të “privilegjohej”, nuk kishte përse ajo të mos ndiqte fatin e tërë atyre familjeve, që ishin krijuar mbi bazën e martesave të grave të huaja me burra shqiptarë. Shpirtrat e “drejtësisë” nuk mund të qetësoheshin me padrejtësitë që i kishin bërë deri tani Thimit dhe Valias. Kështu ishin kohët, “drejtësia” kërkohej në thellimin e padrejtësisë!
Thimin e dërguan në Berat. Ai iku atje pa thënë asnjë fjalë, si gjithnjë, i qetë, i urtë, pak filozof e shumë idealist. Berati njihet si qytet ku, në një lagje të tij, depërtoheshin armiqtë e betuar të Partisë së Punës. Thimi nuk ishte komunist, por as armik i Partisë së Punës, aq më tepër i betuar. Megjithëkëtë, siç duket, aty donin ta “kryqëzonin” edhe atë si antikrisht! E vunë të punojë në fonderinë e Kombinatit të Tekstileve me emrin “Mao Ce Dun”…!
Pesëmbëdhjetë vjet i detyruar të largohet nga profesioni, pastaj edhe nga Tirana, heqja e të drejtës së botimit, largimi nga familja, nga shokët, pesëmbëdhjete vjet në ankth se çdo ditë mund të jetë dita e fundit e lirisë, pesëmbëdhjetë vjet në tehun pasigurisë, janë shumë, shumë për një jetë njeriu. Ato as kthehen dhe as zëvendësohen. Edhe kur marrin fund ato shoqërojnë si hije tragjike vitet e mëpasshme, tërë jetën deri në fundin e saj.
Në gushtin e vitit 1975, pasi kaluan tri vjet nga fillimi i stazhit në Ofiçinën e Automjeteve të Ndërtimit, pasi i lashë Thimit tornon e vjetër sovjetike, u paraqita në Komitetin e Partisë të Rajonit për t’u pranuar si anëtar i Partisë së Punës. Në një sallë relativisht të madhe, pas disa tavolinave qëndronin Sekretari i Parë i këtij Komiteti Partie, Gani Keçi dhe sekretarë të tjerë e anëtarë të këtij komiteti. Midis tyre unë njihja Myzejen Qinamin, një tiranase modeste dhe korrekte, siç janë përgjithësisht tiranasit vendas. Unë shoqërohesha nga zëvendëssekretari i organizatës së Partisë së Ofiçinës, Ismail Hysa, punëtor në repartin e kovaçërisë. Me të ishim lidhur disi sepse edhe ai ishte angazhuar në grupin e teatrit amator të Ofiçinës. Bashkë kishim qenë edhe në grupin e kontrollit punëtor në Institutin e Lartë të Arteve.
Sikurse duhet të ishte rregulli formal i rastit, Ismaili u pyet nëse organizata e Partisë së Ofiçinës ishte e kënaqur me punën time në këtë Ofiçinë dhe, në përgjithësi, cili ishte mendimi i kësaj organizate për mua. Ismili u shpreh me superlativa. Pas disa pyetje-përgjigjeve u propozua të hidhej në votë kandidatura ime. Unë u pranova anëtar i Partisë së Punës. Gani Keçi më uroi dhe në të njëjtën kohë shtoi: “Ti do të rikthehesh të punosh në Drejtorinë e Jashtme të Radio Tiranës, por shih, ki kujdes se ne që të pranuam si anëtar të Partisë së Punës, ne edhe të përjashtojmë”. Ganiu nuk ishte nga ata njerëz që kërkonin probleme edhe kur nuk kishte të tilla. Ai, madje, donte t’i mbyllte ato edhe kur ishin të pranishëm.
Fjalët e tij, ndoshta më përcillnin këtë mesazh: – “Shko bëj punën dhe leri të tjerat se as ti dhe as unë nuk do ta ndreqim këtë botë”! Unë, sidoqoftë, nuk e ndjeva gëzimin, që duhet të më jepte pranimi si anëtar i Partisë së Punës. Unë, besoj, isha i pari, ndoshta edhe i fundit komunist në botë që në momentin kur pranohej si anëtar i Partisë edhe paralajmërohej për t’u përjashtuar prej saj! Fjalët e Gani Keçit, të Sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë të Rajonit, më dëshpëruan thellë. Nuk më dukej komunist pozicionimi i tij. Nuk më shkonte ndër mend se me të vërtetë ky pozicionim nuk ishte komunist, por mund të ishte prindëror, kërkonte të më mbronte nga idealizmi i verbër komunist si edhe nga batakçillëku komunist.
Me Ismailin u kthyem më pas në Ofiçinë, takuam me Sazan Qalliun, sekretarin e organizatës së Partisë dhe i treguam se si u zhvillua procedura e pranimit tim si anëtar i Partisë së Punës. Ai më uroi, por e kuptoi edhe dëshpërimin tim, prandaj edhe më ftoi të pinim një gotë birrë së bashku andej nga Kinostudio, nja pesëqind metro larg Ofiçinës.“Hajt, mos u mërzit’, më tha Sazani, ‘Partia nuk është Gani Keçi”! Sazani, ose kishte edhe ai një dozë idealizmi, ose si praktik në jetë, donte thjesht të më qetësonte. Të tjerat, njëlloj si edhe për Gani Keçin, edhe për atë nuk kishin rëndësi. Qëndrimin e të dyve sot e shoh si dashamirës.
Pas pranimit në Parti, peripecitë për të rifilluar punë në Radio-Tirana!
Pasi u ndava me shokët dhe miqtë e mi në Ofiçinën e Automjeteve të Ndërtimit, shkova për të rifilluar punën në Drejtorinë e Jashtme të Radio Tiranës, ashtu si vendosi Komiteti i Partisë i Rajonit. Takova së pari drejtorin, Kiço Pandelin. Në vend të mirëseardhjes, ai më tha se do ta shihnin mundësinë e punësimit tim në Radio. I thashë se kështu kishte vendosur Komiteti i Partisë i Rajonit. Doja t’i lija për të kuptuar se nuk kishte se ç’të shihte, se ishte Partia që kishte vendosur. Siç duket edhe ai, në mënyrën e tij, e dinte se Partia nuk ishte jo më vetëm Gani Keçi, por as Komiteti i Partisë, nuk ishte ky Komitet, që bënte politikën e kuadrit në Radio, por Thanas Nano, ai dhe të tjerë rreth tyre. “Nuk kemi vend në organikë, më tha ai. Do ta bisedojmë me shokun Thanas kur të kthehet se tani nuk është këtu. Ti shko dhe prit në ndonjë nga redaksitë e Drejtorisë”.
Kështu edhe bëra e njëkohësisht shkova në Komitetin e Partisë për t’u thënë se si më pritën mua si komunist në Radion e Jashtme. Aty takova Met Trasjen, anëtar i Komitetit. “Ti do të punosh në Radio’, më tha Met Trasja, ‘ky është vendimi i Komitetit”. Unë vazhdova të shkoj rregullisht çdo ditë në Radio Tirana. Çdo ditë më duhej të merrja tek polici dezhurn një fletë-hyrje, ashtu siç vepronte çdo vizitor apo bashkëpunëtor i jashtëm i Radios./Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016