Nga Bashkim Trenova
Pjesa e njëzet e katër
Memorie.al publikon kujtimet e gazetarit, publicistit, përkthyesit, studiuesit, shkrimtarit, dramaturgut dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova, i cili pasi u diplomua në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në vitin 1966 u emërua gazetar në Radio-Tirana në Drejtorinë e Jashtme të saj, ku punoi deri në vitin 1975, kur ai u emërua si gazetar dhe shef i redaksisë së jashtme në gazetën ‘Zëri i popullit’, organ i Komitetit Qendror të PPSH-së. Në vitet 1984-1990, ai shërbeu si kryetar i Degës së Botimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit dhe pas zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri, në marsin e vitit 1991, u emërua në gazetën ‘Rilindja Demokratike’, fillimisht si zv/kryeredaktor dhe më pas kryeredaktor i saj, deri në vitin 1994, kur u emërua në Ministrinë e Punëve të Jashtme. me detyrën e Drejtorit të Shtypit dhe zëdhënës i asaj ministrie. Në vitin 1997, Trenova u emërua me detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut. Kujtimet e panjohura të z. Trenova, duke filluar nga periudha e Luftës, fëmijëria e tij, vitet e fakultetit, karriera profesionale si gazetar dhe studiues në Radio Tirana, gazetën ‘Zëri i popullit’ dhe Arkivin Qendror të Shtetit, ku ai shërbeu deri në shembjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës, periudhë kohe, kur ai në rrethana të ndryshme u njoh me disa nga ‘familjet reaksionare’ dhe pinjollët e tyre, të cilët me një mjeshtëri të rrallë, i ka përshkruar në një libër me kujtime të publikuar në vitin 2012, me titull ‘Armiqtë e popullit’ dhe tani i sjell për lexuesit e Memorie.al
“Armiqtë e popullit”
Largimi im nga Radio-Tirana me urdhrin e Kiço Pandelit dhe miratimin e Thanas Nanos !
Kur isha në Uznovë të Beratit për të kryer kursin tremujor stërvitor si oficer rezervist, më 24 shkurt 1970, mora një letër nga Lulzim Hana, shoku dhe kolegu im në Redaksinë e Lindjes të Radios së Jashtme. Këtë letër ai e përfundonte duke shkruajtur: “Mund të të them së fundi, se fryma jote revolucionare dhe konsekuenca në parimet e tua, nuk është zhdukur dhe i ndjek si hije kundërshtarët e tu. Të uroj shëndet e shërbim të mbarë – Luli”. Pas kaq vitesh, drejtuesit e Radios, siç duket, nuk mund të duronin më as hijen time në këtë institucion. Largimi im trevjeçar nga Radio për të kryer stazhin e kandidatit të Partisë, ishte një rast i mirë për ta për të larë llogaritë me mua duke më përplasur derën në fytyrë.
Duke parë se mua nuk po më angazhonin në punë në Radion e Jashtme, Klimi Misja, drejtor i Radios së Brendshme, më propozoi që të kaloja në Redaksinë e Informacionit, që ishte në varësi të Drejtorisë së tij. Klimi nuk kishte asnjë detyrim ndaj meje, as si gazetar, as si komunist. Unë nuk kisha punuar asnjë ditë në Radion e Brendshme. Ishin të tjerë ata, që i kishin këto detyrime e që kërkonin t’u shmangeshin, duke hedhur në rrugë të papunë, një komunist!
Angazhimi im në Redaksinë e Informacionit, megjithatë nuk ishte i sigurt. Thanas Nano ende nuk ishte kthyer dhe me kthimin e tij edhe vazhdimi si redaktor për ngjarjet ndërkombëtare në këtë Redaksi, mund të vihej në pikëpyetje. Kiço Pandeli nuk ishte nga ata që merrte vendime pa biseduar fillimisht me Thanas Nanon. Tek vendimi i Kiços, shihej vendimi i Thanasit.
Sot më vjen të qesh kur kujtoj se si në fillimet e punës si gazetar në Radio Tirana, kur binte shi, Thanasi merrte në veturën e tij të markës sovjetike “Pobjeda”, dy a tre punonjës të Radios, që banonin pranë shtëpisë së tij. Në derën e hyrjes së Radios ai, para se të dilte jashtë, hidhte një shikim dhe ftonte me kokë personat, që zgjidhte që të bënin rrugën me të. Më kishte zgjedhur edhe mua disa herë, si “pasagjer” i tillë i privilegjuar. Unë nuk pata fatin të jem “i privilegjuar” i përhershëm në kohë shiu. Shumë shpejt, megjithëse shtëpitë tona ishin gjithnjë pranë e pranë, unë do të isha i padukshëm për drejtorin e përgjithshëm, fqinjin tim. Ai nuk do të tundte më kokën për të më thënë “eja se po bie shi”. Kjo do të thoshte: “Me atë kokë që ke, e meriton të lagesh në shi, madje të biesh në breshër”. Kjo do të thoshte se unë, së paku, isha një nga ata që atij nuk i pëlqenin.
“ZERI I POPULLIT”
Ndërsa vazhdoja punën në Redaksinë e Informacionit, më thërret një ditë Fatmir Kumbaro, një shoku im, i cili punonte në Redaksinë e Jashtme tek “Zëri i popullit”, organ i Komitetit Qendror të Partisë së Punës. “Zëri i popullit” ishte gazeta më e rëndësishme e kohës në Shqipëri, zëdhënësja e diktaturës. Fatmiri më thotë se, kishte folur me kryeredaktorin, Xhelil Gjonin dhe se ky dëshironte të më takonte për të biseduar rreth mundësisë së punësimit tim në Redaksinë e Jashtme të gazetës. U takova menjëherë me Xhelil Gjonin. Ai më bëri propozimin për të filluar punën “që nesër” në “Zëri i popullit”. E pranova me mjaft dëshirë dhe me mirënjohje postin e ri që më ofrohej. Pasi u largova nga Xhelil Gjoni, takova me sekretarin e Kolegjiumit të “Zërit të popullit”, Shaban Hidrin. Ishte takimi im i parë me të, por folëm sikur të njiheshim prej vitesh.
Në atë kohë çdo gazetar e kishte ëndërr të punonte në “Zëri i popullit”. Kjo gazetë, ishte e vetmja me autoritet të plotë, e vetmja që fliste në emër të Partisë, e vetmja që merrej si pikë referimi dhe orientimi nga të gjithë mjetet e shtypit e të propagandës. “Zëri i popullit”, ishte e vetmja gazetë e kohës, që lexohej çdo mëngjes nga diktatori, e vetmja që bënte të dridhej si ‘Davidin’ ashtu edhe ata që ishin fare pranë ‘Goliatit’. Artikujt e botuar në këtë organ shtypi mund të bënin hero, gjeneral, ose të hidhnin në humnerë, për t’u harruar si i paqenë kurrë në këtë jetë. Unë kisha bashkëpunuar vazhdimisht më parë me “Zërin e popullit”, kisha botuar herë pas here artikuj politikë në faqen e saj të katërt, ku trajtoheshin problemet ndërkombëtare.
Pas bisedës me Xhelil Gjonin, u ktheva në Radio-Tirana. Takova sërish, për të fundit herë, drejtorin e Radios së Jashtme. I thashë se kisha shkuar të ndahesha me të, meqë do të filloja punë në “Zëri i popullit”. “Nuk është e vërtetë”, më tha ai. Unë i zgjata dorën, si për t’i thënë se: nuk kemi ç’të bisedojmë më së bashku. Ai më tha: “Nuk ta jap dorën. Ti kërkon të më bësh presion, meqë unë nuk të kam emëruar në punë”! Nuk e di nëse vërtet nuk më besonte apo thjesht nuk donte të më jepte as dorën. Në fund i thashë: “Si të doni, edhe po s’ma dhatë dorën, unë nesër filloj punë tek “Zëri i popullit”. Kështu u largova prej tij dhe nga Radio Tirana, me të cilën me lidhnin vitet e para të daljes sime në jetë si i pavarur, të krijimit të personalitetit tim si gazetar, të idealit tim utopik e naiv si komunist, vitet e rinisë, që nis e largohet edhe ajo, të miqve dhe shokëve të paharruar, me të cilët edhe tani, pas rreth 35 vjetësh, nuk jam ndarë.
Në Redaksinë e Jashtme të “Zëri i popullit”, si shef i saj dhe njëkohësisht si zëvendës kryeredaktor i gazetës ishte Ajet Simixhiu. Ajeti ishte një punonjës i vjetër i shtypit. Ai kishte qenë drejtor i Agjencisë Telegrafike Shqiptare. Në “Zëri i popullit”, kishte ardhur pasi kish shërbyer si ambasador i Shqipërisë në Egjipt. Me të punova rreth një vit. Ai u largua nga gazeta dhe kaloi në grupin e punës pranë Enver Hoxhës. Më duket se u morr me letrat, që i arrinin diktatorit. Ruaj përshtypjet më të mira për të. Për herë të fundit e kam takuar në rrugë, pasi kisha kaluar në “Rilindja Demokratike”. Normalisht, kuadro që më njihnin dhe, që kishin punuar në poste si ai i Ajetit, në Komitetin Qendror të Partisë, apo në grupe pune pranë diktatorit, nuk e kishin pritur mirë angazhimin tim në radhët e opozitës demokratike, ishin shprehur edhe me fjalë si: “tradhtar” e të tjera të ngjashme. Ajeti, porsa më pa, më buzëqeshi dhe më përqafoi, duke më shtrënguar fort në shpatulla. Nuk më tha asnjë fjalë për “Rilindjen Demokratike”, por dashamirësia e tij, linte qartë të kuptoje se ai ose ishte dakord me zgjedhjen time, ose, së paku, e vlerësonte atë si një e drejtë e imja, si diçka që nuk kishte pse të vendoste barriera midis kolegësh, shokësh e miqsh. Ajet Simixhiu kishte ardhur si shef i Sektorit të Jashtëm në “Zëri i popullit” pasi ishte dëbuar prej andej Jusuf Alibali.
Dëbimi i Jusuf Alibalit nga “Zëri i popullit”!
Jusufi kishte qenë pjesëtar dhe kuadër i lartë i formacioneve partizane, deri në çlirimin e plotë të vendit nga pushtuesit. Në vitet e më pasme, ai do të bëhet zëvendësministër i Drejtësisë dhe anëtar i Gjykatës së Lartë. I pasionuar pas publicistikës, ai punon edhe si shef i Sektorit të Jashtëm tek “Zëri i popullit”. Jusuf Alibali është edhe themeluesi dhe kryeredaktori i parë i revistës “Shqipëria Sot”. Ai është edhe bashkautor i “Historisë së Shqipërisë”, për çka mori edhe “Çmimin e Republikës”. Jusufi ka marrë edhe titujt docent dhe profesor. Krijimtaria e tij përfshin rreth 500 tituj në rrafshin e drejtësisë, historisë dhe letërsisë.
As ai dhe as dikush nga familja e tij apo e të shoqes, Adivijes, nuk kishte bërë diçka kundër regjimit, megjithëkëtë, në vitin 1975, ata u internuan për rreth 13 vjet në fshatrat e Gjirokastrës e të Beratit. Miqtë dhe kolegët u detyruan t’i “harrojnë”. Vetëm në errësirën e natës, ndonjë fshatar i afrohej banesës së tyre, për t’i dhuruar diçka sa për të mbajtur frymën gjallë. Unë e njihja Adivijen dhe motrat e saj, Yllkën e Sakinen, i kisha patur pothuajse komshije. Të tria ishin vajza të bukura, balerina në Teatrit të Operës dhe Baletit. Adivijen e mbaj mend edhe si aktore në një prej roleve kryesore të filmit të parë shqiptar, më saktë sovjeto-shqiptar, “Skënderbeu”. Ajo u detyrua të mblidhte kamomil, të cilin e shiste për të jetuar.
Jusufi dhe familja e tij u internuan thjesht sepse një motër apo mbesë e gruas së tij, ishte martuar me një nga djemtë e Beqir Ballukut, ish-anëtar i Byrosë Politike dhe ministër i Mbrojtjes Popullore. Beqir Balluku u ekzekutua nga diktatura në nëntorin e vitit 1975, pasi u akuzua “për tradhti të lartë”. Jusufi u dënua vetëm se nga familja e gruas, bënë krushqi me një anëtar të Byrosë Politike, një ministër, për të cilin nuk kishin si ta dinin që pas disa vitesh, do të pushkatohej si tradhtar!
Dëbimi i Paskal Milos nga “Zëri i popullit”, pas dënimit të vëllait, si armik!
Arritja ime në “Zëri i popullit”, është disi e ngjashme me atë të Ajet Simixhiut. Në Sektorin e Jashtëm të kësaj gazete unë shkova në vendin e Paskal Milos. Atë e larguan prej këtej, madje edhe nga Tirana dhe e dërguan, mesa më kujtohet, si punonjës në Muzeun e Fierit, një qytet i vogël në Shqipërinë e Jugut. Paskali ishte në atë kohë një djalë i ri, 26 vjeçar. Në shikimin tim, ai ishte një gazetar mjaft i mirë i Sektorit të Jashtëm. Artikujt e tij tërhiqnin vëmendjen e lexuesit. Atëhere përse e larguan Paskal Milon nga “Zëri i popullit”?
Diktatura dënoi në vitin 1975 të vëllain e Paskalit si sabotator dhe armik. Në mos gaboj, ai punonte më parë në Institutin e Naftës në Fier. Sidoqoftë, ai punonte në një sektor që kishte të bënte me projektimin e puseve të naftës apo me nxjerrjen e saj. Kjo ishte edhe fatkeqësia e tij dhe e mjaft kolegëve të tij. Në vitin 1975, nga Instituti i Naftës në Fier u arrestuan, u pushkatuan, u dënuan dhe u përjashtuan, rreth 30 gjeologë. Këta ishin gjeologët më me përvojë dhe më të kualifikuar, që drejtonin të gjithë punën shkencore në Institut. Midis tyre ishte edhe vëllai i Paskal Milos. Duke patur një vëlla të dënuar nga Partia, Paskali nuk ishte më i përshtatshëm për të punuar si gazetar në organin e Komitetit Qendror të Partisë, në gazetën “Zëri i popullit”. Kështu, në moshën 26 vjeçare ai, krejtësisht i pafajshëm, dënohej për një faj të pakryer edhe nga i vëllai.
Unë e kisha njohur shumë pak Paskalin. E kisha takuar në disa raste në Sektorin e Jashtëm. Nuk kisha bashkëpunuar me të. Pasi filloi punën në Muzeun e Fierit, ai vinte herë pas here në Tiranë. Në fillim kthehej edhe nga Sektori i Jashtëm i “Zërit të popullit” dhe propozonte për botim ndonjë artikull. Ne ishim porositur nga kryeredaktori, që të mos pranonim artikuj të Paskalit. Atij i ishte hequr e drejta e botimit në “Zëri i popullit”. Kjo gjë, sigurisht, atij nuk i duhej thënë nga ana jonë. Ne duhet të gjenim “arsye” të tjera për të mos pranuar bashkëpunimin e tij si, p.sh.: “nuk kemi interes për këtë problem”, e të tjera të ngjashme.
Si bëra recensën librit të Paskal Milos, për të cilin ishim porositur të mos i’a botonim shkrimet?
Pavarësisht refuzimit tonë të vazhdueshëm, Paskali nuk dekurajohej. Ai kishte objektivat e tij. Një ditë më vjen në zyrë dhe më vendos mbi tryezë një tufë fletësh të daktilografuara. “Kam shkruajtur një libër”, më tha. Ai më kërkoi që unë të isha recensent i këtij libri, të cilin e kishte dorëzuar për botim në Ndërmarrjen Shtetërore të Botimeve “8 Nëntori”. Mund të gjeja ndonjë “arsye” për të refuzuar, por nuk e bëra këtë gjë. E dija se Paskali kërkonte të kishte recensent një gazetar të “Zërit të popullit”, sepse kjo mund t’i shërbente edhe si njëlloj “pasaporte” miratimi për te “8 Nëntori”. Unë pranova t’i bëj recensën librit të tij. Në recensë vlerësova punën e madhe, tepër të kujdesshëm të autorit si edhe ndihmesën që jepte ai me këtë rast. Në fund të fundit, mendoja atëhere, unë vlerësoj librin, të drejtën e botimit e ka Ndërmarrja Botuese! Ky gjykim nuk ishte plotësisht i drejtë. Recensenti nuk mund të ishte i papërgjegjshëm dhe as që mund t’i shmangej përgjegjësisë për angazhimin dhe mendimet e tij. Shtëpia Botuese “8 Nëntori”, do të vendoste, sigurisht, duke marrë në konsideratë edhe mendimin e recensës, që në këtë rast ishte pro botimit. Kështu në vitin 1977, u botua libri i Paskal Milos “Militarizmi, pjellë e kapitalizmit”.
Paskali, në mos gaboj, i kaloi dhjetë vite të jetës së tij në Muzeun e Fierit. Vetëm pas vdekjes së diktatorit, kur u duk sikur regjimi po premtonte njëlloj “liberalizimi”, ai u kthye në Tiranë. Ai u bë përgjegjës i Katedrës së Historisë Botërore, dekan i Fakultetit të Historisë e të Filologjisë etj. Ai kreu studimet pasuniversitare në Suedi dhe mori gradën shkencore “Doktor” në histori, si edhe titullin “Profesor”.
Në hapësira të veçanta të kësaj periudhe, jam takuar disa herë me Paskal Milon në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë ku ai vinte për të hulumtuar dokumente për studimet e tij. Këto takime u bënë më të shpeshta kur unë mora përsipër të mbroja punimin “Marrëdhëniet ekonomike shqiptaro-jugosllave 1945-1948”, për t’u bërë më pas Kandidat i Shkencave Historike. Paskali u bë udhëheqësi im shkencor dhe më ndihmoi së tepërmi gjatë kohës, që mu desh për ta përfunduar këtë punim.
Me fillimin e Lëvizjes Demokratike, Paskali u rreshtua në Partinë Social-Demokrate, opozitare e regjimit. Ai u bë një nga themeluesit dhe zv/kryetar i kësaj Partie. Më pas ai u bë kryetar i Partisë Demokracia Sociale. Nga ajo kohë ai ka kryer detyra të ndryshme shtetërore si, p.sh., ministër i Punëve të Jashtme (1997-2001) dhe ministër për Integrimin Evropian (2001-2002). Ai është zgjedhur deputet në disa legjislatura të Kuvendit të Shqipërisë që nga viti 1992. Tërë këtë rrugë të vështirë e të suksesshme të tij e kam ndjekur me mjaft dashamirësi, sidomos ndihmesën e tij në fushën shkencore dhe atë të botimeve. Kam patur rezerva vetëm në një rast.
Paskal Milo ka botuar në shtyp letrën që Mehmet Shehu i ka lënë Enver Hoxhës para se të vetëvritej, siç thuhet në versionin zyrtar të kohës. Për këtë botim ka patur opinione të ndryshme, krejtësisht të kundërta. Vetë Paskali thotë se e bëri këtë gjë për t’i dhënë fund abuzimeve në shtyp, mbi fatin tragjik të Mehmet Shehut, apo që “të zbuloj të vërtetën, e cila është një dhe vetëm një”. E keqja, së paku për mua, qëndron në faktin se, Paskali as tregon se ku e gjeti këtë letër, as jep të dhënat arkivore, si numri i faqes apo i kutisë së dokumentit, emërtimi i dosjes, në cilin arkiv është depozituar ky dokument. Ai, si historian e di mirë që pa këto të dhëna, vërtetësia e një dokumenti reduktohet në zero.
Për Paskalin jam gëzuar veçanërisht në një rast në Bruksel kur në një klub të shqiptarëve nga Kosova, ai u duartrokit fuqishëm, ndërsa bënte në televizionin shqiptar një deklaratë në mbrojtje të të drejtave të Kosovës dhe popullit të saj. Po kështu më ka gëzuar edhe një deklaratë e ambasadorit Wolfgang Petritsch, përfaqësues i Bashkimit Evropian në Grupin e Kontaktit të Konferencës së Rambujesë, që nisi punimet më 6 shkurt të vitit 1999, e që do të vendoste mbi fatin e Kosovës. Në atë kohë Paskali ishte ministër i Jashtëm i Shqipërisë. “Në periudhën më vendimtare në Rambuje, kur duhet të merreshin vendime të forta, thotë Wolgang Petritsch, mbështetja e Paskal Milos ishte e një rëndësie thelbësore…Ne sot e dimë, që me ndihmën e Paskal Milos, u vendosën në Paris themelet e pavarësisë së Kosovës”.
Si më larguan nga funksioni i ambasadorit me firmën e Pasak Milos?!
Në vitin 1997, sikurse kam përmendur, Paskal Milo u bë ministër i Jashtëm i Shqipërisë. Unë isha atëhere ambasador i Shqipërisë në Bruksel dhe në Luksemburg. Për rrethanat e jashtëzakonshme, që u krijuan në Shqipëri atë vit, me ndryshimin e qeverive, u ndërrua edhe pothuajse i gjithë trupi diplomatik shqiptar, me përjashtim të dy ambasadorëve. Një ditë, nga fundi i gushtit të këtij viti, në ambasadë mua më arrin një fax që thoshte se më “mbaron afati” i qëndrimit si ambasador në Belgjikë, gjë që nuk ishte aspak e vërtetë. Faxi nënshkruhej nga Paskal Milo. Nënshkrimin, sidoqoftë, unë e gjej si një akt formal. Si ambasador unë nuk isha emëruar nga ministri i Jashtëm, pra ai as mund të më largonte nga kjo detyrë, nuk ishte e drejtë apo kompetencë e tij. Vendimi për largimin tim nga posti i ambasadorit në Bruksel, duhej të vinte nga presidenti i Republikës. Ai duhet të nënshkruante largimin tim, siç kish bërë edhe për emërimin tim.
Vendimi, në të vërtetë, ishte marrë jo në Ministrinë e Jashtme, por gjetkë. Ai, duke qenë një vendim për të gjithë trupin diplomatik, të cilit nuk mund në asnjë mënyrë t’i përputhej data e lënies së detyrës në të njëjtën kohë, ishte një akt i pastër politik. Partia politike e ardhur në pushtet lante hesapet me trupin diplomatik shqiptar, që e shihte thjesht si trup diplomatik i partisë rivale, që humbi pushtetin. Kështu funksiononte dhe funksionon ende politika dhe diplomacia shqiptare.U në e njihja këtë logjikë dhe nuk kisha përse të zemërohesha me Paskalin, për faktin se më lanë jo vetëm të papunë, por edhe pa atdhe. Një atdhe tjetër do të më adoptonte mua, bashkëshorten time Desin dhe fëmijët e mi, Borën dhe Arbërin, do t’i arsimonte këta dhe do t’i bënte zot të jetës së tyre.
Mua mu dha mundësia pas disa vitesh të kthehem në Tiranë dhe të kërkoj në Ministrinë e Punëve të Jashtme Librezën e Punës. Aty ishte shkruajtur se, unë “largohesha nga puna”, pra jo se më mbaronte afati, por se dëbohesha si i padëshiruar. Firma, poshtë këtyre fjalëve, ishte e ministrit, Paskal Milos. Sërish nuk u zemërova me Paskalin. Me të jemi takuar më pas në Bruksel dhe kemi pirë kafe së bashku, si të njohur të vjetër. Një shije e hidhur më ka mbetur, sidoqoftë, nga ajo kohë. Si ishte e mundur që të dëboheshin njerëzit nga vendi i punës pa asnjë përgjegjësi në demokraci, njëlloj si në komunizëm?! Si ishte e mundur që një i dëbuar, në një far mase i përndjekur i komunizmit, të firmosë për të tjerë ashtu siç ishte firmosur dikur për të, të mos i thuhet e vërteta ashtu sikurse nuk thuhej ajo edhe në komunizëm?!
Kur nisa punë në “Zëri i popullit”, mësova se para Paskal Milos, ishte dëbuar nga kjo gazetë Agim Shehu, që shkruante në rubrikën e kulturës. Agimi ishte poet i njohur. Ai kishte ardhur në “Zëri i popullit” pasi kishte botuar një poemë për Selam Musain. Ky hero popullor kishte hedhur në det trupat italiane të pushtimit, që vazhdonin të qëndronin në një brez të jugut të Shqipërisë edhe pas pavarësisë së vendit. Diktatorit i kishte pëlqyer poezia. Fjalët e tij i hapën rrugën e “Zërit të popullit” Agim Shehut. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016