Bujar Hudhri
Para 30 vjetësh, më 14 shtator 1991, në Elbasan u themelua gazeta e pavarur “Fjala e lirë”. Një vit në shërbim të demokracisë, deri ditën kur u shtetëzua nga pushteti i kohës.
Mbresa të kryeredaktorit të saj të parë
Si më zgjodhën kryeredaktor të gazetës së re “Fjala e lirë”
Ishte fillimi i janarit të vitit 1991. Isha i ftuar, si shumë të tjerë, nga Partia Demokratike e rrethit (Elbasan) në një takim për ngritjen e shtypit opozitar. Pas shumë debateve, hezitimeve në zyrën e ngushtë të kryetarit, shkrimtari Astrit Bishqemi hodhi në votë emrin e gazetës së re lokale, Fjala e lirë. Pothuaj nuk pati asnjë kundërshtim. Pastaj filluan diskutimet se kush do ta drejtonte këtë gazetë. Heshtje e plotë. Kaluan disa minuta, kur u dëgjua zëri i Ruzhdi Qatipit, ish-gazetar i Dritës, por që tashmë jepte mësim në gjimnaz: “Vetëm njëri mund ta kryejë këtë mision: Bujar Hudhri.” Të gjithë kthyen kokat nga unë dhe nga vështrimet e tyre ndjeva një miratim të atypëratyshëm. “Është gazetar i ri, di gjuhë të huaja, -vazhdoi Ruzhdiu,- por, më kryesorja, di se ç’është germa prej plumbi në shtypshkronjë”.
S’ishte nevoja të hidhej në votë dhe në kor më uruan si kryeredaktori i gazetës.Pastaj shtrëngime duarsh, përqafime dhe kaq.
Vetëm kur u nisa drejt shtëpisë, ajri i ftohtë i mesnatës më solli në vete. Prej tre vjetësh punoja në gazetën Shkumbini, organi i Komitetit të PP të rrethit. Vërtet kisha debate me ta, për shumëçka, sidomos që nga 2 korriku, por kjo që kisha marrë përsipër më ndante prej tyre përfundimisht. Shprehja “ja, po vjen demokrati” që dëgjoja me zë të ulët kur futesha në zyrën time, po përsëritej shpesh. Të jem i sinqertë, atë natë nuk mbylla sy. Ndihesha në siklet për mëngjesin që më priste në redaksi, sepse unë nuk isha as inxhinier, mjek apo agronom, qoftë edhe punëtor që po futesha në Partinë Demokratike. Ndonëse jo anëtar partie, unë isha në gazetën e partisë shtet.
Pasi mbaruam analizën e dy numrave të javës, si çdo të shtunë, me në krye shefin, shkuam në kafenenë e Shtëpisë së Kulturës. Shefi im, Mefail Pupuleku, kishte njëzet e pesë vjet që e drejtonte atë gazetë. Përveç kësaj, kishte një post të lartë në Bashkimin e Gazetarëve të Shqipërisë, si zëvendëspresident. Para se të ngriheshim, ai u tha të tjerëve se po rri pak me Bujarin. Shkoni në zyrë ju.
Ja ku ishim tani ballë për ballë. Isha i sigurt që lajmi kish marrë dhenë sepse m’u drejtua nëse kisha diçka për të thënë.
– Më kanë ofruar punë në gazetën e Partisë Demokratike, – i thashë. Më erdhi zor t’i thosha për pozicionin.
– Po çfarë do të bësh atje? – ngulmoi.
– Më kanë caktuar kryeredaktor, – i thashë dhe e shikova drejt në sy.
– Si? Qysh? Kryeredaktor? – tha me një zë të pasigurt dhe, ndërsa nuk ma ndante vështrimin, me gishtërinjtë e tij të gjatë e të hollë nxori një cigare nga paketa e tij e preferuar “DS” që ishte mbi tavolinë. Pastaj, si u mbështet në shpinoren e kolltukut, nxori çakmakun dhe e ndezi cigaren. Heshti pak dhe si e mori disi veten, përmes tymit të dendur të cigares, m’u drejtua me një ton ku dallohej qartë zemërimi që s’e fshihte dot:
– T’i kam kuptuar me kohë mendimet. Por të arrije deri këtu?! Më vjen turp që nga radhët tona del një gazetar si ti, pse ta mohoj.
Me kaq po mbyllej një periudhë trevjeçare në gazetën Shkumbini, ku kisha punuar me aq pasion e përkushtim në të gjithë sektorët e saj, sidomos te krijimtaria artistike. Tani po e ndieja edhe më shumë se kisha nisur një rrugë pa kthim, por që një Zot e dinte si e qysh do të përfundonte.
Fundjava qëlloi vetëm shi dhe ftohtë. Mëngjesin e të hënës u nisa për të fundit herë në redaksi. Ndërkohë që po ngjisja shkallët e godinës, dëgjoj pëshpërimat e kolegëve: po vjen demokrati. Dhe u mbyllën në zyrat e tyre. Sapo kisha hyrë në zyrën time dhe po fusja në çantë disa libra, bllokun e shënimeve dhe fjalorët, hapet me vrull dera kur shoh fytyrën e zverdhur të shefit tim.
– Erdha për sendet personale dhe të ndahemi si njerëz, – i thashë.
– I ndarë ke qenë nga ne prej kohësh. S’kemi ç’të bisedojmë më, e kupton edhe vetë.
Kishte të drejtë. S’kishim më asgjë që të përbashkët, ishim të sinqertë, të paktën.
Përmes shiut që nuk pushonte shkova drejt e te selia e Partisë Demokratike. Këta hapa shënonin përfundimisht fillimin e një jete të re që s’kishte më kthim, por që kishte shumë pasiguri, paqartësi dhe që nuk i dihej fundi.
Entuziazmi se mund të nisnim shpejt me gazetën opozitare pothuaj u fashit. Me gjithë kërkesat e vazhdueshme të Partisë Demokratike, regjimi në fuqi s’mund të lejonte gazeta opozitare në rrethe. Kështu që puna ime e re tani ishte në sekretarinë e Partisë Demokratike: regjistrime anëtarësie, zëdhënës shtypi, thirrje, fjalime etj. Ishte një kohë që njoha njerëz të rinj, histori të pabesueshme që nuk imagjinoja se mund të kishin ndodhur në vendin tonë. Po, tani isha në qendër të ciklonit.
Kur në Tiranë u krijua Qeveria e Stabilitetit, kjo marrëveshja u shtri në të gjithë vendin, ndaj doli krejt e natyrshme që gazeta ku unë kisha punuar dikur, të bëhej e të gjitha partive. Unë isha kandidatura e Partisë Demokratike, por, ndërkohë kishte dalë një kandidaturë tjetër. Ishte Ruzhdi Qatipi. Do të përballesha me të në zyrën e kryetarit të ri të Komitetit, ing. Argjir Panariti, një nga njerëzit më të kulturuar që kam njohur në Partinë Demokratike.
Pas dy ditësh në ora 5 pasdite, jemi në zyrën e kryetarit, së bashku me Ruzhdiun, i cili i kishte ngjitur shkallët me nxitim që të mos takohej me mua.
– Më flisni për veten tuaj, – hyri drejt e në temë Argjiri.
– Unë kam punuar dhjetë vjet në gazetën Drita. Ika prej andej se ia përplasa në sy Dritëro Agollit. Unë mund të bëj një gazetë në ditë, dy gazeta, sa të doni.
– Po ti, Bujar? – m’u drejtua kryetari.
– Unë nuk do të them asnjë fjalë për veten, sepse ju më njihni. Ndërsa zoti Ruzhdi, nëse e mbani mend, në muajin janar më propozoi për kryeredaktor.
– Zotërinj, ju folët shumë mirë për njëri-tjetrin dhe e kam të vështirë të zgjedh, – tha kryetari duke u menduar për të gjetur një rrugëdalje.
– Jo, unë nuk fola mirë për Bujarin, – ia ktheu atypëraty Ruzhdiu. Dhe vazhdoi:-Po ti dëshiron të caktosh Bujarin, caktoje mor shpirt, ti e ke në dorë.
Atëbotë, ndërsa mësoja anglisht, më kishte bërë përshtypje një idiomë, me sa mbaj mend, “Hobson choice”, dhe shembulli që merrej për ta zbërthyer në shqip ishte: situata kur dy burra duan një grua apo dy gra duan një burrë.
Iu drejtova Argjirit:
– I nderuar kryetar, ne jemi dy kryeredaktorë, ju keni një gazetë. Ju takon juve të vendosni.
– Dakord, atëherë, – mori frymë i çliruar kryetari. – Nesër do ta jap vendimin.
Të nesërmen, me një vendim të sekretarit të komitetit ekzekutiv, zotit Ardian Turku, u emërova kryeredaktor i gazetës Shkumbini, në vend të ish-shefit tim.
Pas gati tetë muajsh, ja ku jam përsëri përballë ish-shefit tim. Ndërkohë që ai e mbante i vetëm gazetën, kolegu im, Dritan Çerma, ishte bërë kryetar i Partisë Socialiste, të tjerët ishin larguar në detyra të ndryshme. Por aty gjeta ish-shoqen time të klasës, Vjollca Asllanin, e cila ishte daktilografistja dhe korrektorja e gazetës.
Kur ish shefi im më pa tek dera e hapur u ngrit gjithë gëzim nga karrigia dhe më pushtoi me ata krahët e tij të gjatë.
– Hë, Bujar, paske sjellë një shkrim më duket, sepse ne mund të botojmë për çdo parti, ja, iu përshtatëm kohës.
– Jo, kam sjellë këtë shkresën, – i thashë.
E mori, por, ngaqë nuk kishte syzet, shkoi u ul në tavolinë dhe po e lexonte me zë të ulët. E shihja këtë nga buzët e tij. Pastaj m’u kthye:
– Po ç’është kjo? Asgjë nuk po kuptoj. Dale, të pyesim një herë.
S’di pse m’u dhimbs dhe të jem i sinqertë, kurrë nuk do të kisha dashur që të ndodhte kjo përballje. E dija më mirë se cilido: ajo gazetë ishte jeta e tij.
– Unë po iki, – i thashë. – Derisa të zgjidhet ngërçi.
Dhe mbylla me kujdes derën.
Kur shkova te Partia Demokratike, u takova me kryetarin, ing. Fatmir Manushi. Ia tregova gjithë dialogun me ish-shefin tim, kur ma priti:
– Po ç’është kjo xhentilesë? Ç’është ky romantizëm? Shko dhe merr gazetën, kaq kohë që presim.
– Do të presim deri nesër, – thashë.
Dhe vërtet, të nesërmen më merr në telefon ish-shefi. E lamë të takoheshim te kafeneja e dikurshme, te Shtëpia e Kulturës. Për koincidencë, e vetmja tavolinë bosh ishte pikërisht ajo ku ishim ulur për herë të fundit.
– Urdhëro çelësat, Bujar. E kuptoj, tani ka ardhur koha jote. Të ectë mbarë.
U dëgjua tringëllima e çelësave në tavolinë. Sikur të shënonte një periudhe të re në jetën time.
Numri i parë i gazetës “Fjala e lirë”
Më 14 shtator 1991 doli numri i parë i gazetës. Për titullin e gazetës më ndihmoi im vëlla, Feridi, sepse kishte miqësi me piktorin e talentuar Bujar Marikaj, i cili kishte realizuar logon e Partisë Demokratike dhe të gazetës Rilindja Demokratike. Caktova një këshill botues me emrat më të spikatur në atë kohë në Elbasan:
Musa Vyshka, Bardhyl Graceni, Bardhyl Matraxhiu, Beatriçe Balliçi, Sul Dedej, Emine Sadiku, Uran Kostreci, Enver Lame, Fatos Shmili, Agim Qinami.
Për herë të parë pas gati 50 vjetësh u themelua një gazetë e pavarur në qytetin tim dhe atë ma kishin besuar mua.
Me miqtë e mi, Mustafa Xhepa dhe Kujtim Bevapi, e festuam këtë ditë për të cilën kishim ëndërruar dhe kishim diskutuar me dhjetëra herë në orët e gjata kur rrinim në sallën e ftohtë në dimër apo të nxehtë në verë të Bibliotekës së Elbasanit.
Në fillim gazeta doli një herë në javë, pastaj dy herë në javë, megjithëse nuk kisha asnjë gazetar në staf, përveç Vjollcës, e cila, me gjithë ndërrimin e sistemeve, mbeti po aty, falë aftësive dhe kulturës së saj. Në fund të vitit, pra tre-katër muaj kishin kaluar, financimi nga komiteti u ndërpre. Përveç kësaj, godinës ku ishte redaksia i doli pronari. Për herë të parë trashëgimtarët morën nga ne qira. Për këtë arsye shkova i shqetësuar te kryetari, Argjiri. Nuk kam të drejtë të vazhdoj financimin, nuk më lejon ligji, më tha. Po si, unë të bëj propagandën e Partisë Demokratike dhe ju nuk paguani? Kjo gazetë s’është imja. Shkruaj ç’të duash, tha Argjiri. Kjo nuk është gazetë vetëm për Partinë Demokratike, por për të gjithë partitë. Madje, mund të shtosh edhe ca erotizma aty, si shumë serioze po e bën gazetën. (I kisha marrë një intervistë ing. Bim Daklit, një elbasanas i cili kishte ardhur pas gjysmë shekulli qëndrimi në Milano, i cili më porositi, sikur ta dinte se çfarë do të më thoshte Argjiri: “Sëmundja e shtypit në post diktaturë është erotizmi. Ki kujdes, mos bjer në këtë grackë!”)
U ndava i pezmatuar, por, njëkohësisht, edhe i çliruar nga një barrë partiake. Gjithçka do të bëja, ishte thjesht ajo që gjithë jetën kisha ëndërruar. Dhe ja tani, asgjë s’më mungonte. Duke u shitur edhe në Tiranë me tirazh të madh, gazeta ndërkohë po bëhej e njohur dhe pothuaj të gjitha figurat e rëndësishme të tranzicionit shqiptar kanë dhënë aty intervista. Duhet ta pranoj: kjo gazetë bëri maksimumin që të fitonte opozita më 22 mars 1992. Dhe mbështetja vazhdoi edhe ca kohë. Të gjithë miqtë e mi tashmë kishin ardhur në pushtet dhe vetiu u krijua një situatë e ndërlikur për mua si gazetar.
Në muajin maj iu drejtova gjykatës së rrethit që kjo gazetë të legalizohej, pra të merrja të drejtën e ushtrimit të profesionit.
Nga Dega e Tatim-Taksave Elbasan u dha leja e ushtrimit të profesionit, Nr. 1798, datë 19.6.1992:
“Zotit Bujar Hudhri, Për botimin e organit të pavarur të shtypit Fjala e lirë”, firmosur nga Fatos Demeti, kryetari i degës së tatim taksave Elbasan
Ikëm nga godina të cilën e morën ish-pronarët. Nga inventari i brendshëm na kishin mbetur dhjetëra vëllime të veprave të Enverit dhe klasikëve të komunizmit që i dërguam për karton. Gjithashtu, një tavolinë të gjatë që ia dhurova Shoqatës së Jetimëve në Elbasan dhe disa tavolina më të vogla dhe rafte të amortizuara ua dhurova shoqatave të tjera, meqenëse redaksia u vendos në ish-drejtorinë e NTUS, në dy dhoma të vogla ku nuk kishim hapësirën e nevojshme.
Po, tani po fillonim një jetë të re, një gazetë e pavarur, ashtu sikundër u ideua nga të gjithë atë natë ftohtë janari. Por a mund të ishim vërtet të pavarur? Sepse miqtë e mi tani ishin në pushtet kurse unë duhej të isha përballë tyre dhe përkrah publikut.
Pushteti i ri nis presionet mbi gazetën “Fjala e lirë”
U desh një editorial që të na sillte në vete. Kryetari i ri i komitetit, një miku im i mirë, na thërriti ne, disa gazetarëve, një ditë para se të zhvillohej mbledhja e komitetit. Janë dy dosje korrupsioni. Do t’i denoncoj nesër në sy të të gjithëve, na tha.
U bë mbledhja e komitetit dhe nuk u përmend asnjë dosje. U zhgënjeva shumë dhe shkova drejt e në redaksi dhe me një frymë shkruajta editorialin me titull “Kryetari i ri i komitetit përballë korrupsionit: a do të dalë fitues?”.
Sa herë e kam parë këtë gazetë, shumë vjet më vonë, pyesja veten: po si ka mundësi një titull i tillë? Si mund të isha aq idiot? (Më duket e pabesueshme edhe tani që po shkruaj dhe kjo nuk është shenjë e mirë. Sa entuziazëm, shpresë, kishim te rendi i ri demokratik. Por sa shumë trishtim!) E takoj pasdite kryetarin në shoqërinë e parisë së qytetit. Ishte zverdhur kur më pa. E kam shkruar që t’u thuash se shtypi nuk të lë të qetë, i thashë, Po, po, më tha, mbyturazi. Sigurisht që po thoshte të kundërtën.
E njëjta situatë u paraqit pas një muaji. Përsëri një editorial tjetër, tani për kryetarin e rendit publik, Mit’hat Havarin, një tjetër mik imi. Në intervistën e parë që i pat dhënë gazetës sonë, ai rrëfente se sa fisnik ishte sjellur me efektivin e degës së punëve të brendshme, me gjithë kishte vuajtur personalisht, me pa të drejtë, kur ishte arrestuar pas demonstratës në Elbasan. Ia çmova shumë këtë sjellje dhe ia shpreha. Por nuk kaloi veçse një javë kur në zyrën time më vjen një librashitës, Irakli Binjaku, i cili më parë kishte qenë instruktor i komitetit të partisë për kulturën. Kishte hapur një librari të vogël përpara zgjedhjeve, ku shiste të gjitha gazetat. Më tha që kryetari i rendit publik e kishte kërcënuar se do t’i mbyllte librarinë, për të cilën kishte leje nga tatimet.
Nuk ishin as dhjetë radhë te ky editorial. Siç duket, tani isha bërë i bezdisshëm për pushtetin e ri dhe mbi mua dhe gazetën u ushtrua një presion i egër. I prekur në sedër dhe i bindur në pafajësinë time dhe të librarit, bëra edhe një shkrim numrin tjetër, i cili më ndau krejtësisht nga Partia Demokratike dhe ky incident çoi në shtetëzimin e gazetës.
Pse them ende se pushteti i ri e shtetëzoi gazetën “Fjala e lirë”
Nuk gaboj që shprehem kështu, sepse vërtet gazeta ime e pavarur, e licencuar, nisi të botohej nga Partia Demokratike. Në numrin në vazhdim të gazetës time “Fjala e lirë”, u botua shkrimi i kryetarit të PD, mikut tim, Uran Kostreci me titull “Nekrologji për së gjalli për ish kryeredaktorin Bujar Hudhri”. Do ta mirëkuptoja PD, nëse do ta mbyllte gazetën time, por assesi të vijonte numrin rendor ku ma kishin ndaluar. U ankova në të gjitha instancat, deri te Berisha. Në Ministrinë e Drejtësisë zëvendësministri, zoti Kristaq Traja, më pohoi sinqerisht: “Ti je rasti klasik i pafajësisë, por unë nuk të ndihmoj dot!” I thashë nuk do ta ndaloj luftën time. Zoti Traja uli kokën dhe nuk shtoi asnjë fjalë më shumë.
Që “Fjala e lirë” ishte gazeta ime private, këtë e dëshmon leja e ushtrimit të profesionit.
Meqenëse ishte e pamundur të merrja përsëri në pronësi gazetën time “Fjala e Lirë” si edhe në kushtet kur mungonin mjetet e informimit të pavarura por gjithçka ishte shtetërore u detyrova të themeloja një gazetë tjetër, për të sqaruar çfarë kishte ndodhur me mua dhe gazetën time private.
Numri i parë i gazetës me emrin “Ku Vemi” doli më 7 tetor 1992.
Gjithashtu isha i detyruar t’i përgjigjesha edhe “Nekrologjisë” që më kishte shkruar miku im, kryetari i PD, Uran Kostreci. Kur e lexoj sot përgjigjen time pas kaq vjetësh, ndiej një lehtësim të madh para lexuesit si edhe para shpirtit të Uranit, i cili këtë verë ka ndërruar jetë. Më kishte rrëfyer se dashuronte një vajzë në Elbasan, nga sëra e tij, së cilës i ka dedikuar, mbase, sonetet më të bukura të letërsisë shqipe pas Ndre Mjedës. Një nga sonetet ia botova që në numrin e parë të gazetës “Fjala e lirë”, ajo me titull “Hëna”.
Gazeta “Ku vemi?” vijoi disa numra, deri ditën kur në të u shpall lajmi:
THEMELOHET SHTËPIA BOTUESE “ONUFRI”
Më 20.11.1992, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, z. Dhimitër Anagnosti, dha miratimin për themelimin e shtëpisë botuese Onufri, me president z. Bujar Hudhri. Nga ajo ditë iu përkushtova tërësisht dhe vetëm botimit të librave!
Epilog
Shumë nga personazhet që kam përshkruar në këtë gazetë i kam takuar përsëri dhe ia kemi lënë të kaluarës gjithçka ndodhi mes nesh. Aq më tepër, kur të gjitha debatet, mëritë, pakënaqësitë nuk lindën nga interesa vetjake, përkundrazi.
Në nëntor të viti 1999, erdhi në redaksinë tonë zonja Albina Karamitro, një nga figurat më të rëndësishme të PD në atë kohë.
-Më kanë rekomanduar dy shtëpi botuese për librin tim, – më thotë. – Njëra është e qartë se cilit krah politik i përket, kurse për Onufrin më thanë nuk e kuptojmë.
I tregova gjithë historinë që përshkrova më sipër dhe, kur ajo erdhi të nesërmen, më tha:
-Doktori (Berisha) kishte informacion më shumë se sa ti. A dëshiron të takohesh me të?
Të nesërmen, me një çantë plot me botime të reja shkoj takohem me Berishën. Mbi gjysmë ore folëm për Lasgushin, Kadarenë, Pushkinin, Eseninin…
Kur dolëm jashtë Albina, e cila gjithë kohën ishte si mbi gjemba, tashmë krejt e qetë më shprehu mirënjohjen për sjelljen time. Iu përgjigja me mirësjellje:
-Ç’kuptim kishte të flisnim me Doktorin për të kaluarën? Cilido që u angazhua me Lëvizjen Demokratike ka dalë i fituar: u bë i njohur, u bë deputet, u bë diplomat. U bënë të pasur. Realizuan ëndrrat e jetës së tyre. Ndaj askush nuk ka të drejtë dhe arsye të kërkojë llogari se çfarë ka ndodhur në vitin e largët ’91-’92.
U ndanë rrugët me Havarin, por gjithnjë ndiqja me simpati karrierën e tij në ngjitje. Vetëm me forcat e tij, i paepur, i guximshëm dhe krejt origjinal. Më kujtohet se kur Kadare vinte në Tiranë në atë kohë, më lëvdonte Havarin thjesht nga puna që ai bënte. Simpatia për Havarin më shtohet edhe nga një fakt i thjeshtë: jeta e tij e ndershme (ndërkohë që ish kolegë të tij kanë vila e hotele, ai banon në një apartament në një lagje të kryeqytetit.) Dhe fëmijët e tij të zotë, djali dhe vajza, që punojnë në institucione të Bashkimit Europian.
Me Uran Kostrecin u takova pasi ai erdhi nga Amerika. I botova librin e tij të dashur “Epopeja e karkalecave” dhe novelën “Pabesia”, në dy gjuhë. Kishim projektuar një libër me të gjithë sonetet e tij, por pandemia nuk na lejoi. Ndoshta ky vëllim me sonete i Uran Kostrecit do të mbetej kujtimi më i bukur për një botues, për atë kohë të stuhishme që nuk kthehet më./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016