Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon një document të panjohur arkivor të nxjerrë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë që përket datës 25 dhjetor të vitit 1990, ku ndodhet një raport-informacion i ambasadës shqiptare të akredituar në Paris, i cili i dërgohet Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, me diskutimin e diplomatit Vladimir Xhelili që kryente detyrën e atasheut të shtypit pranë asaj përfaqësie diplomatike, i mbajtur në analizën vjetore të punës së ambasadës, ku janë pasqyruar disa nga ngjarjet kryesore të atij viti, ku më kryesorja është ajo e 2 korrikut të atij viti, e njohur ndryshe se “ngjarja e ambasadave”, si dhe ajo e 24 tetorit, kur shkrimtari i njohur me famë botërore, Ismail Kadare, kërkoi azil politik në Francë. Diskutimi i plotë i diplomatit Xhelili, i cili pasi ka bërë një rezyme të punës që mbulonte aty si atashe shtypi, në diskutimin e tij ngjarjen e ambasadave e shikonte si një “fenomen që u nxit më shumë pas fjalës së presidentit francez, Miterrand, të mbajtur në Radio-Londra më datën 6 korrik të atij viti”, ndërsa ngjarjen e shkrimtarit të njohur, Ismail Kadare, nuk e shikonte si rastësi, por që “u krijua për të eklipsuar mbledhjen e Ministrave të Jashtëm të vendeve të Ballkanit të mbajtur në Tiranë, pikërisht më 25 tetor të vitit 1990”!
Në fundin e vitit 1990, ashtu siç ndodhte rëndom me të gjitha institucionet dhe dikasteret e ndryshme të shtetit shqiptar, edhe ato të shërbimit diplomatik të akredituara në vende të ndryshme të botës, bënin analizat e punës së tyre njëvjeçare. Në këtë kontekst edhe ambasada shqiptare në Paris, i’u nënshtrua një analize të thellë të gjithë punës së saj për vitin 1990, vit i cili për të kishte shënuar dy ngjarje të mëdha; atë të 2 korrikut (e njohur ndryshe si ngjarja e ambasadave, për shkak se edhe në ambasadën franceze në Tiranë u futën një numër i madh shtetasish), si dhe atë të 25 tetorit të atij viti, ku shkrimtari i njohur Ismail Kadare, nëpërmjet valëve të Radios “Zëri i Amerikës”, njoftoi se kishte kërkuar azil politik në Francë.
Ngjarje të cilat zunë edhe vendin kryesor jo vetëm në analizën e ambasadës shqiptare në Paris, por edhe në opinion publik në Shqipëri, e në mbarë shtypin e shkruar dhe mediat vizive në mbarë Evropën e më gjerë. Kjo gjë bëhet e ditur edhe në këtë dokument arkivor (mban datën 25.12.1990) që po publikojmë në këtë kapitull të librit, në të cilin publikohet diskutimi i atasheut të shtypit pranë asaj ambasade, Vladimir Xhelili, ku ai ka përshkruar aty jo vetëm punën e tij si atashe shtypi dhe një pasqyrë mbi ato çka shkruante shtypi francez dhe ai evropian për çfarë po ndodhte në Shqipëri në atë periudhë kohe, por nga këndvështrimi i tij, ka bërë dhe një analizë si për “ngjarjen e ambasadave”, ashtu edhe për “problemin Kadare”.
Ndërsa ngjarja e ambasadave nuk ishte parashikuar të ndodhte, apo më saktë “i mbeti në dorë” regjimit komunist të udhëhequr nga dyshja Ramiz Alia – Nexhmije Hoxha, “problemi Kadare” nuk ishte i panjohur, gjë të cilën e kemi parë edhe në kapitujt paraardhës të këtij libri, ku që nga fillimi i viteve ’80-të (pas gjyqit të të ashtuquajturit “Grupi armiqësor i Mehmet Shehut), Tirana zyrtare i kishte vendosur një “embargo” shkrimtarit të njohur.
Dhe kjo “embargo” kishte filluar me prishjen e njëanshme të kontratës për xhirimin e filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, ku zëvendësministri i Jashtëm, Sokrat Plaka, njoftonte disa ambasada: “Mos t’u jepet vizë për Shqipëri, grupit të kineastëve francezë me në krye Mishel Pikolin”, vazhdonte me një sërë refuzimesh për ftesat që i vinin Kadaresë nga jashtë (Fayard, PEN CLUB, Tv Franc 1 etj.), ku vetë ministri i Jashtëm Reiz Malile, apo zëvendësit etj., shkruanin: “Të mos shkojë, nuk është moment i duhur”, “Kadare t’i falënderojë për ftesën dhe t’iu thotë se është i angazhuar në një tjetër aktivitet” etj.
Për të ardhur në vitin 1985, ku qeveria franceze disa herë zyrtarisht i propozoi qeverisë shqiptare, nëse ajo do ishte dakord që Franca ta dekoronte shkrimtarin Ismail Kadare me medaljen më të lartë të saj, “Legjioni i nderit”, dhe më pas ta propozonte për çmimin Nobel. Ndërsa Tirana zyrtare, jo vetëm që nuk e pranoi këtë gjë, por “e kërcënoi” qeverinë franceze, duke i thënë: “Në qoftë se qeveria franceze do ta bëjë këtë gjë në mënyrë të njëanshme, atëherë…”. Dhe këtë qëndrim Tirana zyrtare mbajti përsëri edhe në 1989-ën dhe 1990-ën, kur qeveria franceze e përsëriti disa herë kërkesën për dekorimin e Kadaresë, ku krerë më të lartë të Ministrisë së Punëve të Jashtme e diplomacisë shqiptare, si Reiz Malile, Sokrat Plaka, Kujtim Hysenaj etj, në shkresat përkatëse shënonin: “Prapa kërkesës për dekorimin e Kadaresë fshihen qëllime të tjera… të lihet në heshtje”, “Mos i ktheni përgjigje” etj.
Dhe të gjitha këtyre u vuri “kapak” deklarata e Ramiz Alisë në mbledhjen e Byrosë Politike të datës 24 korrik 1990 (për ngjarjen e ambasadave), ku në kulmin e tërbimit të tij, në mes të tjerash ai u shpreh: “Kadareja, ose të mbajë qëndrim për ngjarjet e ambasadave, ose të dalë hapur në anën e armikut”, duke vazhduar më tej: “Si nuk doli një intelektual të thoshte një fjalë për ftesën që i bëri Kadaresë presidenti francez, Miterrand?!” Dhe të gjitha këto, nuk kishin si të mos jepnin një rezonancë të fortë dhe të mos ndikonin edhe në mbledhjen e stafit të ambasadës shqiptare në Paris në fundin e vitit 1990, aq më shumë kur Kadare tashmë ndodhej në Francë, si azilant politik, gjë e cila duket qartë dhe nga ky dokument arkivor që Memorie.al e publikon të plotë në dy numra të rubrikës historike dossier, duke filluar nga ky shkrim.
Diskutimi i atasheut të shtypit Xhelili, në mbledhjen e ambasadës në shqiptare në Paris
D i s k u t i m
Viti 1990 ka qenë mjaft i ngarkuar me vendime historike për popullin, partinë dhe vendin tonë. Materialet që kanë pasqyruar këto kanë qenë të shumta. Kam pasur për detyrë dhe jam përpjekur gjatë kësaj periudhe që fjalimet e shokut Ramiz Alia, vendimet e plenumeve të fundit të Partisë, të sesioneve të Kuvendit Popullor për demokratizimin e mëtejshëm të gjithë jetës së vendit, të shumëfishohen dhe të shpërndahen në kohë në organet e shtypit dhe mjetet e informacionit, në Ministrinë e Punëve të Jashtme si dhe personalitetet e diplomatët në Francë dhe në vendet e zonës që mbulojmë si Ambasadë.
Përgjithësisht, kjo ka bërë që të njihet më mirë procesi i thellë i demokratizimit, në të cilin është angazhuar vendi ynë. Puna vazhdon.
Kam ndjekur dhe informuar rregullisht MPJ lidhur me shkrimet e shtypit francez, të cilat, për vetë zhvillimet që ka pasur, kanë qenë jashtëzakonisht të shumta dhe kanë kërkuar një angazhim dhe kohë tepër të madhe për përkthimin e tyre. Po ashtu janë sistemuar dhe janë dërguar rregullisht kypyrat e shtypit anglez, belg dhe spanjoll etj. Puna në këtë drejtim është shtuar jashtëzakonisht, prandaj në të ardhmen mendoj të informohet në mënyrë përmbledhëse dhe selektive, duke dhënë karakteristikat kryesore.
Kam ndjekur nëpërmjet takimeve të ndryshme, që detyrat e kohës kërkojnë të shtohen, shtypit etj, politikën e qëndrimet e Francës ndaj vendit tonë, Ballkanit, ndaj zhvillimeve në Kosovë e Jugosllavi, si dhe ndaj vendeve të tjera evropiano-lindore. Për këto sipas rastit është informuar MPJ. Po ashtu kam ndjekur detyrat e ndryshme të karakterit protokollar të ambasadës për pritjet, ceremonitë e ndryshme që janë paraqitur etj, si për Francën dhe për vendet e zonës që mbulojmë.
Dy fjalë për qëndrimin e shtypit dhe politikës së jashtme
Shtypi francez për çështjet, përgjithësisht vihet re se pasqyron dhe mban qëndrimin e pozicionin zyrtar. Ndaj vendit tonë masmedia franceze, e veçanërisht shtypi i shkruar, prej fillimit të vitit 1990, ka ndërmarrë si asnjëherë një fushatë të madhe kundër vendit tonë, me tendencë për të errësuar e denigruar vitet e ndërtimit socialist gjatë pushtetit popullor, duke i paraqitur ato si vite të diktaturës së egër, të shtypjes, persekutimit e survejimit policor, dhe të mungesës së plotë të demokracisë e varfërimit shpirtëror e material të vendit.
Një nga pikat kulmore të kësaj fushate u arrit me ngjarjen e ambasadave në Tiranë në korrik, kur vetë presidenti Miterrand u bë nxitje në këtë drejtim, duke deklaruar publikisht në një konferencë shtypi në Londër më 6 korrik se “uronte që shqiptarët të fitonin lirinë për të cilën aspironin në mënyrë të dukshme si asnjë popull tjetër (…)”.
Ndërsa ministri i tij i Jashtëm, R. Dymas, në një deklaratë më 27 korrik në AFP, afirmonte se “Franca tregonte një kujdes të vazhdueshëm për situatën shumë të pasigurt në Shqipëri” dhe më tej shtonte se “kur portat hapen përgjysmë për të lënë të lirë të kalojë, ajo përfundon gjithnjë e hapur plotësisht (….)” dhe se “dëshira dhe urimi francez ishte që autoritetet shqiptare ta kuptonin këtë dhe ta shoqëronin lëvizjen”.
Në këtë periudhë, numri i artikujve, reportazheve e shkrimeve me tendencë denigruese ndaj realitetit 45-vjeçar të Shqipërisë Socialiste ka qenë shumë i madh. Herë-herë, intensiteti i këtyre shkrimeve ka pasur edhe rënie. Kjo në varësi, ndoshta edhe të ngjarjeve të situatës ndërkombëtare që kanë ndodhur. Gjatë kësaj periudhe shtypi francez ka evidentuar deri diku hapat që janë ndërmarrë në procesin demokratizues në vendin tonë, por shpesh i ka parë këto të pakta dhe të bëra tepër vonë nga presioni i rrugës.
Shënojmë se ky shtyp përgjithësisht shkroi pak për mbledhjen e dytë të MPJ të vendeve të Ballkanit, që u mbajt në Tiranë më 24 tetor. U mjaftua vetëm me ndonjë njoftim të shkurtër informues. Vetëm gazeta “Liberation” botoi një shkrim relativisht të gjatë për këtë konferencë. Pati gazeta qendrore që nuk shkruan, ashtu si radioja e televizioni që nuk dhanë njoftim.
Momenti i dezertimit të Ismail Kadaresë, gjë që nuk ishte zgjedhje e rastit, duke u bërë publike më 25 tetor 1990, mund të themi se eklipsoi konferencën ballkanike me vërshimin e shkrimeve dhe komenteve të shumta në të gjithë masmedian franceze.
Aktualisht vihet re se masmedia franceze në lajmet dhe informacionet e saj për vendin tonë, po u referohet gjithnjë e më shumë burimeve shqiptare dhe shumë rrallë atyre jugosllave.
Ndonjë mendim për punën në të ardhmen
Megjithatë, interesi kërkon që, duke mos ulur kurrë vigjilencën, të punojmë për zhvillimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, duke riaktivizuar në frymën e vendimeve të fundit të Partisë dhe Shtetit, marrëveshjet e protokollet e përfunduara. Duhet të shtohen takimet tona në MPJ e institucionet e tjera franceze e të zonës nga të gjithë shokët e sektorët.
Me rihapjen e funksionimin e plotë të ambasadës frënge në Tiranë, të shpejtohet ardhja e ambasadorit tonë në Paris.
Në një kohë që do të shikohet e përshtatshme, të realizohen vizitat e ndryshme politike të mbetura pezull, duke filluar p.sh. nga vizita e parlamentarëve tanë në Francë etj.
Të shikohet realizimi i lëvizjes reciproke apo dhe akreditimi i gazetarëve të ndryshëm të agjencive (ATSH-AFP) ose organeve qendrore në kryeqytetet respektive të dy vendeve. Të shikohet mundësia e përfundimit të ndonjë marrëveshjeje në këtë drejtim.
Ndihet e nevojshme botimi i një numri të posaçëm të revistës “Shqipëria e Re”, apo broshurave përmbledhëse me gjithë vendimet e rëndësishme e shpjegimet e nevojshme për procesin aktual demokratizues në Shqipëri. Kërkesat në këtë drejtim janë të shumta.
Nga vetë ne në Ambasadë duhet të shtohet dhënia e shpjegimeve në takime, tryeza të rrumbullakëta e konferencave, në intervista të ndryshme, krahas shpërndarjes së materialeve të disponueshme. Ndihet e nevojshme gjithashtu dhënia e intervistave në organet e shtypit qendror francez nga autoritetet e larta të fushave të ndryshme të jetës së vendit tonë. Efekti i tyre është i madh. /Memorie.al
Paris, 25.12.1990
Vladimir Xhelili
Vijon në numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016