Nga Fatbardh Amursi (Rustemi)
Pjesa e tretë
Balsami shërues i plagëve
Hyrje
Memorie.al/ Triptiku i këtij artikulli, që mund të kishte nëntitujt: “të futesh në burg për poezinë”, “të shohësh përmes një plage” dhe “të fitosh mbi të keqen me poezi”, është shkruar nga shoku për shokun, Fatbardhi për Visarin. Të dy u rritën në të njëjtin qytet, në Lushnjën e vogël, me luftë klasash të madhe atëhere, ku në rrethina fillonin fshatrat e internimeve.
Visari me Bardhin ishin nga një lagje, shkuan në të njëjtën shkollë, madje rrinin në të njëjtën bankë, deri sa mbaruan gjimnazin. Pëlqenin poezinë dhe nisën të shkruanin. Por fatet më pas do të ishin të ndryshme, madje të kundërta. Ndërsa Bardhin e dërguan të studiojë në Universitetin e Tiranës për letërsi dhe bëhet mësues gjimnazi, Visarin iu arrit të shkojë në Shkodër, të studiojë dhe ai për letërsi, sepse seç “kishte në biografi”, kundër regjimit, por qëlloi në vitet e pakta të liberalizmit, siç u quajtën dhe që do të dënoheshin menjëherë…!
Dhe këtu ndahen rrugët e dy shokëve të së njëjtës bankë. Visari do të arrestohej për poezitë e tij e do ta çonin në burg, gjyqi i dha 10 vjet burg, duke i ndaluar dhe të drejtën e botimit e atë elektorale, nëse do të lirohej, kurse Bardhi do të vazhdonte me botimet, nga poezi në komedi, vënia e tyre në skena të ndryshme, etj.
Visari e ka treguar me librat e tij të mëvonshëm kalvarin e tij, nëpërmend dhe shoqërinë e ngushtë me Bardhin në rininë e parë, por është interesant se si e shikon Bardhi tani atë që i ngjau shokut, kohën anti-visar…!
Triptiku zë fill, kur të dy ishin në dy miniera të ndryshme, Bardhin e kanë çuar me leje krijuese në minierën socialiste të Pishkashit, që të njohë klasën punëtore e të shkruajë, kurse Visari është në minierën e burgut të Spaçit, i dënuar si armik, që bën poezi fshehurazi si i burgosur.
Vërtet një ese e veçantë, e shkruar miqësisht, që të bën të zbulosh, sa do pak, kohët, mendësitë, ndryshimet, ndarjet, bashkimet dhe të ndjesh më shumë se të qenit shok, poezia e jetës, duhet të jenë më të forta se regjimet dhe janë akte që përballen me harrimet…!
Autori
“A është e vërtetë se pas një kohe të gjatë në burg, i burgosuri dashurohet me qelinë”? – e pyet Ismail Kadare Pjetër Arbnorin. “Po, Zoti Kadare, i burgosuri dashurohet me qelinë”, – shkruan Edison Ypi në postimin e tij “Të dashurohesh me qelinë”. (Kur ra Muri i Berlinit, një gjermano – lindor, shkoi të vizitonte Murin Kinez) “Ej, të ka marr malli/ për burgun ty,/ nuk i tregoj njeriu?” Kjo retorikë provokuese e Visarit më shumë se sa trazon shpirtërat, trondit perceptimet. Kush nuk do të çuditej: mall për burgun?! Për të hedhur dritë në këtë paradoks, Uolltër Skoti, na afron urtësinë e tij: “Plagët që durohen për hir të ndërgjegjes kanë në vetvete balsamin shërues”.
Një dukuri e rrallë, por jo kushdo e ka fatin ta provojë. Këto plagë që durohen për hir të ndërgjegjes, jo një ndërgjegje dosido, por krijuese, është lartësia morale, ku poeti vendos veten me vullnet të lirë. Peligrinët i duan tempujt në maja malesh. Nga raportet ideale të plagëve me ndërgjegjen përftohet “balsami shërues”, një produkt aq i nevojshëm ky aty ku hakmarrja ka bërë kërdinë. Poeti duke mos i patur ndonjë borxh së shkuarës, i detyrohet vetëm së ardhmes, ndaj shpalos kredon e vet: “Ne nuk kemi shkruar nga urrejtja, por nga dhimbja”. Kjo kontratë me veten i’a kalon çdo betimi. Si mund të pritet “balsami shërues” nga një “Pseudopoet…, që është përpjekur të mbjellë barëra helmuese në kopshtin tonë të pastër letrar”, tani na ofroka “balsamin shërues”?! Vetëm kështu mund të kuptohet se ka ndodhur një përmbysje.
Të dashurohesh me qelinë, nuk është shfaqje e “sindromës së Stockholmit”, ku viktima adhuron persekutorin, duke pritur shpëtimin prej zemërgjerësisë së tij. (Superimi i avokatit mbrojtës në diktaturë, favorizonte “sindromën e Stockholmit”. Kështu që ti: s`kishe xhami ku të faleshe, veçse tek ai, që të kishte jetën në dorë. Persekutorëve i’u dha rasti ta luanin të mirin, ku ti të ishe mirënjohës për të keqen, që të bënin.) Edhe aty ku pasioni lë pak vend për dhimbjen, poeti befason, me vargje si këto: “Ty të ka marrë malli/ për robërinë time të dikurshme,/ s`të kujtohet ngrohtësia e duarëve të mia të vrara,/ por prangat/ Mbase buzëqeshja ime është më e varfër, se plagët e mia/ që ti i lëvizje si dekor plot me yje/ për profilin tënd”.
Mos po shfaqen kthetrat pikërisht atëherë, ku priten përkëdhelitë? Trukohet edhe me prangat, duke i quajtur byzylykë. “Tregonim plagët tona/ sikur t`i rrëfenim njëri-tjetrit gurë të çmuar, diamantë/ dhuruara nga një përbindësh/ Mburreshim me skllavërinë/ duke e kritikuar ashpër/ Dhes`po gjenim kohë të ishim të lirë/ Dikur robër, mos ishim më të lirë?” Nga dekori i plagëve stolisur me thesarët e frikës, mos po nis kështu revanshi i medaljeve prore me prapavijë humbësish? Mos është po ajo inerci, që i ndodh çdo çlirimtari, të cilit nuk i ndahet shpirti nga lufta dhe s`do jetë tjetër, veç asaj: ku jetohet si në rrethim? Në këto përjetime, poeti shtron pyetjen: a janë bërë vrasësit më të mirë? “Seç kanë një frikë të papërcaktuar/ i çojnë gratë të hapin derën.” (Ish Drejtori i Policisë së burgut, që “luante violinë dhe piano”, ankohet se në burg “paska humbur pjesën më të bukur të jetës”. Ankesë gardiani dhe jo shaka!
“Gardian i Kushtetutës”, po i thonë dhe presidentit?! Duke mos patur reflektim, pale ndjesë, në sytë e specialistëve të artit, hetuesit dhe gardianit poeti vazhdon të jetë i padëshirueshëm. “Të dy kishim një status, që s`ia kishim caktuar vetes”, -deklarohet shefi i Policisë së Burgut, duke patur në krah dhe Presidentin e Republikës, kundër poetit…! Në këto kushte, pse viktima duhet të ndjejë mall për qelinë, kur aty duhej te ishin persekutorët e tij? “Balsami shërues”, nuk është për ata, që lëndojnë. Nëse Patrokli merr rrobat e Akilit, ushtaraku i burgut, thua se ka marrë uniformën e Trifon Xhagjikës?! (Një uniformë do më ndjek pas gjithë jetën, shprehet nobelisti Pablo Neruda: i përndjekur nga regjimi i Pinoçetit).
“Nga shkaku i poezive klandestine në burg, rrija pa bërë rebelin, as heroin, poetin jo e jo, në heshtje i besoja një të ardhme.” Protagonizmi i poetit nuk është demonstrim force, nuk është mani për t`u dukur, veçse një ushtrim i vetes përmes fuqisë së fjalës dhe heshtjes përbuzëse. (Kur Odiseja kthehet në Itakë dhe nis të eliminonte rivalet e së shoqes, në një kthinë gjen një rapsod. Po ti kush je, i thotë. Jam poeti, i përgjigjet i mënjanuari. Odiseja ul shpatën. Mbi ty nuk vihet dorë, pasi ti do t`i përshkruash të gjitha këto, që ndodhën. Aleksandri, kur dha urdhër për rrafshimin e Tebës, porositi që të mos prekej shtëpia e poetit, Pindarit).
Në burgun e shefit të policisë, në Spaçin e vitit 1981, në poezinë e arratisur, (ta paska hedhur poeti gardian,) me titull: “Rreshti i këpucëve të burgosura” Visari shkruan: “Ja dhe këpucët e spiunit,/me lidhësen që u varet si shpifja nëpër gojë”, pasuar nga vargu i poezisë “Ëndrra”: “Dhe le ta bëjnë ferr galerinë/ti vuan që të mbetesh engjëll.” Nëse persekutorët nga “shtëpia e të vdekurve” presin të nxjerrin xhenazen, Nënë Tereza, pikërisht atje: i ngriti himn jetës. Ata që e futën poetin në burg dhe ata që i shpëtuan poezitë nga burgu, si betejë e përjetshme e trupit me shpirtin, dëshmon se shoqëria shqiptare nën diktaturë nuk ishte aq e nënshtruar sa dukej, dhe aq e indoktrinuar, sikurse e paraqesin. Ne kemi një problem me heroizmin, e shohim atë vetën në pjesën e dukshme të ajzbergut, më së shumti me heronjë të fabrikuar, duke ngatërruar shpesh statujat prej dylli me ato të derdhura në bronz.
“M`i hodhën prangat mu në mes të qyteti verior, Kukësi i Ri, jo shumë larg urës së madhe, ku ujërat e dy Drinave, i Ziu dhe i Bardhi, megjithatë nuk po flinin…! Pallatet shëmbeshin pas meje, pa zhurmë në shurdhëri”. Krahas qytetit të vjetër i mbuluar nga uji i liqenit të hidrocentralit, tashmë i erdhi radha të fundosnin poetin, (e drejta mund të fundoset por nuk mbytet), i cili më 2 shtator 1979, i kushton poezinë “Kukësi i ri”, afro dy muaj më parë se të arrestohej: “Statuja vumë/ mbi bulevarde/ Në dyqan të çiftelive/ gjen copra ballade./ Dhe lejlekët kur erdhën/ pyllin s’ e gjetën/ Mbi pyllin me antena/ U ulën lejlekët.”
Një vit pasi Visari kishte dalë nga burgu, në vend të statujës, në sheshin e qytetit, varet poeti Havzi Nela. “Kravata s`do kishte kuptim, në qoftë se s`do bëhej litar i varjes”, – shkruan Visari në poezinë kushtuar Migjenit, të cilën hetuesit dhe redaktorët, e akuzuan se po nxinte realitetin. Siç shihet “lidhëset që varen si shpifja nëpër gojë”, u kthyen në litar për poetin kuksian. “Unë jam Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme dhe shoku tjetër është Shefi i Hetuesisë, i cili ka zbuluar armiq shumë të mëdhenj e grupe të tëra armiqsore, kuptove”? (Krahas këtij hetuesi, po bëj dhe unë zbërthimet e mija). “Ta zbërthyem poezinë me specialistë, me kritikë të shquar, me poetë”. (Njëherësh krahës specialistëve më të shquar, po analizojë edhe unë. Natyrisht në një kohë tjetër. Ata zbulojnë armikun, që fillimisht e mbyllën në sirtarin e redaksisë dhe më pas në qelinë e burgut. Ndërsa unë po merrem me poetin, me të cilin kisha ndenjur në një bangë, në një lagje, në një qytet dhe tash në Amerikë).
“Im atë s`e fshihte kënaqësinë dhe mezi ç’priste që poezitë e mia t`i shihte Razi Brahimi, specialist i klasit të pare…! Një ditë ai lexoi poezitë e mia, ja dha im atë. I kisha hedhur në të pastër në atë fletoren e bukur, me kapak blu-mermeri, lidhur me atë spiralen metalike, të ndritur (si trupi i hardhisë që i vjen rrotull një pallati). Për të dëgjuar mendimin e Raziut, i thashë se a mund të vinim së bashku me një shokun tim të klasës, shkruan dhe ai, që të përfitonim së bashku. Po, tha ai. Dhe kështu, Bardh Rustemi kundërshtonte për vërejtjet, kritikun më të mirin në Shqipëri, thoshin, Razi Brahimi”, – shkruan Visari në burgologjinë e tij. (Komenti është i juaj).
“-E pse ke frikë të jesh armik? – më tha sikur unë të kisha refuzuar një dhuratë.
-S`kam dhe aq frikë, – i thashë, – por s`jam”. “Krijimet e mija u bën krime. Kri(ji)me”. Poeti refuzon të qënit armik. Bëjnë punët e djallit duke tundur temjanicën.
“Mua po më trulloste absurdi…! Metaforat?! Policia do të ndjekë metaforat? I njëjti inat si i redaktorëve dhe kritikëve ndaj konfigurës letrare…! Isha bërë më i njohur si armik, jo si poet”. Lë pas yllin e kuq, dhe me “yllin blu të fatit”, shkon në Kosovë, ku luftohet për të mbrojtur një varrezë hebrenjësh me yllin e Davidit. Më parë se të hapej ambasada izraelite në Prishtinë, beteja për të mbrojtur një varrezë hebrenjsh, nuk i shpëton vëmendjes së poetit. Kur regjimi i Milosheviçit kishte nisur spastrimin etnik, genocidin, në Kosovë botohet një libër i Visarit.
“Po librin tim me poezi, që e përgatiti Anton Nikë Berisha/ më të dhëmbshurin se u botua në Prishtinë/ do ma hidhnin në zjarr”?, do shkruajë ai i shqetësuar për fatin e librit, i kërcënuar sërisht nga diktatura. Kur ti lexon vargjet e një ish të burgosuri: “Gjithmonë jam me të mundurit/ me përpjekjet e tyre/ (që afrojnë dritë),/ Jam me ta deri në çastin e fitores, pastaj iki, i braktis/ dhe bashkohem/ me të mundur të tjerë”, beson edhe më shumë tek “balsami shërues” i dhimbjes njerëzore.
Mesazhin e kësaj poezia Visari do e kthejë në slogan të fushatës së tij elektorale, si deputet në kryeqytet: “Dua fitore pa të mundur”. I pari, që u bë me të mundurit, ishte Homeri. Edhe pse grek, mbajti anën e trojanëve. Hektori mbetet më i dashur për lexuesin nga Akili, sikurse mbreti Priam më i urtë nga Agamemnoni. Të mundur ishin dhe ushtarët italian, por shqiptarët i strehuan. Natyrisht, që duhet dalluar i munduri nga i dështuari. Dhe të dështuarit janë specialistët e artit, hetuesit dhe gardianët e qelive, përfshini nëse doni edhe një president.
Në poezinë kushtuar Ramush Haradinajt, Visari shkruan: “Që heronjtë/ të bëhen të fajshëm/ mjafton mëria e të mundurve”. Kjo mëri të mundurish vazhdon edhe sot me të tjerë luftëtarë të UÇK-ës. Kjo mëri solli ‘Vitin e Mbrapshtë’ të `97-ës: “Këtej ishte bërë revolucioni i mbrapshtë/ Qemë mundur të gjithë. S`kishin as miq, as ideale/…Na kishin vjedhur/ parat nëpër piramida dhe mumiet gjithandej/ qenë pasuruar/…Nuk qetësoheshim dot pa armiq/ ndryshe duhej të çmendeshe si kallashnikovët. E grinë qiellin”. Kur zoti ndau tokat, poeti i mbetur pa gjë, shkoi t`i kërkonte pjesën e vetë. Zoti i thotë: “Ku ishe ti, kur unë po ndaja tokat?” “Në qiell”, – i përgjigjet poeti. “Atëherë duku, kur të ndajë qiellin!”
“Invictus”-latinisht i pamposhtur, titullohet poezia e William Ernest Henley, të cilin Visari e përktheu në burg. (Minush Jero u fut në burg pasi shkroi dramën “I pamposhturi”). “Nuk paskësh qenë në burg ai, thashë me vete dhe pata një si keqardhje lehtësuese, më mirë. Por, mund të jesh dhe pa qenë, edhe e kundërta, që duke qenë në burg, mund të jesh i lirë, “invictus”. Falë poezisë, kemi më shumë qëndresë brenda vetes për të qenë sa më të lirë. Jo aq shumë heronj, por më shumë njerëz.” Në një vend ateist, ku heroi i pamposhtur ngadhnjente mbi vdekjen, edhe në artin e realizmit socialist kësisoj, (“Ngadhnjim mbi vdekjen” titullohet një film), Visari fuqinë e shpirtit ia njeh zotit, që është në qiell.
Kur u shkatërruan faltoret, bashkë me Visarin shkojmë në kishën e Golemit, e bastisur. Aty morëm ikona të hedhura dhe fshehurazi, sikur të ishin vjedhës ikonash, në fakt, po i shpëtonim ato, i fshehëm në bahçen time. Nuk di kush na kishte spiunuar në shkollë, mësuesi i historisë na detyron t`i dorëzonim. I kthyem shenjtorët, të cilët mësuesi i kaloi një e nga një në sqepar dhe i hodhi në sobë. Më kujtohet kjo histori sa herë që shoh foto të Visarit me Papët.
Altari i rrënuar i atdheut ofron: “Ne, që e deshëm atdheun aq shumë,/na deshi më pak/dhe mbetëm të varfër./Ne, që u munduam për atdheun/që na mundoi aq shumë,/mbajtëm kryqin e tij mbi kurriz/mbi të përpjetat e fatit.” Ndaj: “Bijtë e mi,/kërkoj ndjesë për këtë atdhe të ashpër/dhe të padrejtë.” Në një emision televiziv ndiqja një mjeshtër çiftelie, i cili këshillonte se druri i përshtatshëm për çifteli, duhet zgjedhur nga ajo anë e pemës, që s`e kanë rrahur erërat. Besoj se këtë kusht e kam plotësuar. /Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016