Nga Dr. Qemal Lame
Pjesa e katërt
Memorie.al/Shteti i diktaturës së proletariatit në sistemin politik të periudhës së socializmit diktatorial inskenonte dhe propagandonte se kishte “zbuluar” armiq, tradhëtarë, sabotatorë, komplotistë e puçistë për të goditur dhe eliminuar kundërshtarët politikë, si dhe për të krijuar artificialisht situata që fshiheshin me platformën e luftës së klasave për të ashpërsuar dhunën shtetërore dhe të tërhiqnin vëmendjen nga problemet e rënda të krizës politike, ekonomike e shoqërore. Në “Tabllonë Sinoptike”, ku është dokumentuar plenumi i Komitetit Qendror të PPSH-së që dënoi “komplotin e poliagjentit Mehmet Shehu” me bashkëpunëtorë kryesorë Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, etj., vetë Enver Hoxha ka thënë se: të gjitha komplotet i ka zbuluar Partia dhe asnjë nga Sigurimi i Shtetit!
Kjo thënie kuptohet qartë nga të gjithë se ai ishte personi që i kishte zbuluar e dënuar armiqtë e popullit e të Partisë. U eliminuan dhe dënuan kundërshtarët e tij potencial që i rrezikonin pushtetin absolut. U eliminuan edhe ata që ai i vlerësonte më të besuarit të cilët ju kishte besuar zbatimin e urdhërave për eliminimin dhe zhdukjen e personave të deklaruar armiq. Me këtë metodë u fshehën edhe provat, dëshmitarët kryesorë që mund të bëheshin të rrezikshëm për figurën e tij të idealizuar dhe pas vdekjes dhe ndonjë rast të hetimeve me ndryshimin e sistemit politik, megjithëse mendohej si i përjetshëm.
Tragjedia e dhunës së shtetit diktatorial dokumentohet qartësisht edhe në veprimtarinë e fshehtë agjenturore të Sigurimit të Shtetit, të hetuesisë, prokurorisë e gjykatës del qartësisht e bindëse edhe në çështjen e fallsifkuar të grupit që u akuzua dhe u dënua për diversionin dhe sabotatim në Kombinatin e Tekstileve në Berat. Në këtë çështje mësojmë pasojat e rënda të diktaturës për dënimin e njerëzve të pafajshëm me anë të legjendave kriminale të Sigurimit të Shtetit, të miratuara nga udhëheqia e PPSH-së dhe të imponuara për t’u ligjëruar nga hetuesia, prokuroria e gjykata.
-Gjykimi i grupit të akuzuar për “diversion, sabotim, agjitacion e propogandë, vjedhje, armëmbajtje pa leje etj”., në Kombinatin e Tekstileve në Berat.
Mine Guri na priti me shumë përzemërsi, duke na thënë:
-Kam informuar në vazhdimësi udhëheqien për gjykimin para popullit. Shoku Enver ju falënderon për gjykimin e mirë që keni bërë. Filmimi që ju bë gjykimit, do të vlejë si një dokument historik me rëndësi dhe do të ketë efekte edukuese për të materializuar dhe kuptuar rrezikshmërinë e veprimtarisë armiqësore dhe forcën e partisë dhe të drejtësinë në shtetin tonë…!
Gjykimi u filmua, për t’u përdoruar si një dokument historik me qëllim dokumentimi dhe edukimi për të sotmen dhe në të ardhmen.
-Filmi “Gjyqi i diversionit në Kombinatin e Tekstileve”
Filmi “Gjyqi i diversionit në Kombinatin e Tekstileve”, u xhirua direkt gjatë dy ditëve pa ndërprerje të zhvillimit të seancave gjyqësore, më 6 dhe 7 janar 1978.
Regjisori dhe kameramanët punuan në studio rreth dy muaj të tjerë për ta përfunduar si film, me pamjet direkte dhe komentet e nevojshme, sipas orientimet të dhëna direkt nga Komiteti Qëndror i PPSH-së. Përfundimisht, filmimi u çensurua dhe ngeli afro dy orë e gjysëm.
Regjisori …, ashti si ishte biseduar e vendosur më parë, kërkoi që para se të përfundonte punën, të shkonte prokurori dhe gjyqtari, për të bërë përfundimin e punës së montimit. Mua si prokurori i çështjes, nuk më njoftuan në kohë.
Sipas porosisë që kishte dhënë Aranit Çela, Ali Zanko kishte shkuar vetëm dhe kishte bërë shumë shkurtime të filmimit dhe të tekstit në pjesët e mija si prokuror.
Më vonë, regjisori erdhi në zyrën time në Prokurorinë e Përgjithshme dhe më vuri në dijeni të shkurtimeve të bëra. Më tha, se Aliu kishte vendosur me prosi të Aranit Çelës, për të shkurtuar pjesët me rolin e prokurorit dhe të dilte më i qartë roli aktiv i gjykatës, në gjykimet para popullit.
Kur takova Aliun në Gjykatë e Lartë, biseduam për filmin. Aliu më tha:
-Qemal! Më thirri Araniti dhe më dha porosi që të shkurtohet pjesa e prokurorit dhe të mbetet më shumë pjesë filmi për gjykatën. Roli aktiv i gjykatës ka rëndësi për procesin gjyqësor, zbatimin e rregullave proçeduriale dhënien e drejtësisë dhe edukimin e njerëzve. Sipas porosisë së dhënë nga lart, unë shkova në Kinostudio dhe dhashë mendime konkrete që të bëheshin shkurtimet dhe rregullimet e fundit…!
-Araniti do të ishte mirë të kishte biseduar edhe me mua, ju përgjigja Aliut. Ai do të ketë biseduar edhe me Rrapin, por nuk më kanë shprehur mendimet e tyre. Unë kam respekt për Aranitin dhe Rrapin. Nuk është me vend që të nënvleftësohem. Neve të dy kemi përgjegjsinë kryesore për zhvillimin e gjyqit. Prokurori dhe trupi gjykues kanë detyrë të njëjtë për realizmin e gjykimit në bazë të rregullave proçeduriale, drejtësinë dhe ligjshmërinë e vendimeve gjyqësore, edukimin e shtetasve me normat ligjore dhe parandalimin në kohë të veprave penale. Roli aktiv për demaskimin e veprave penale dhe të fajësisë së të pandehurve është detyrë tipike e në radhë të parë, e prokurorit. Gjykata nuk mund të marri më shumë të drejta sa parashikon Kodi i Procedurës Penale.
-Orientimet për rolin më të madh të gjykatës në procesin gjyqësor, duke u theksuar detyra për demaskimin e veprave dhe të pandehurve, dëmton funksionin themelor të gjykatës për realizimin e procesit gjyqësor të drejtë, të barabartë, objektiv dhe të gjithanshëm, si për fajësinë ashtu edhe për pafajësinë e të pandehurve. Gjykata kërkohet të jetë e pavarur në dhënien e drejtësisë. Me rolin aktiv për demaskimin e veprës dhe të fajtorëve të pandehur, siç kërkon vazhdimisht Arianit Çela, ndodh një shkelje e rëndë e rregullave proçeduriale. Gjyqtari dhe ndihmës gjyqtarët që formojnë trupin gjykues, shprehin konkretisht mendimin e tyre për fajësinë e të pandehurve, duke i demaskuar për veprimet dhe mosveprimet e kryera.
-Gjyqtari shpreh mendimin e tij si personi i caktuar për dhënien e drejtësisë, shpreh bindjen e tij të brendshme, analizon provat dhe vendos për fajësinë apo pafajsinë e të pandehurve. Kjo është shkelje e procedurës dhe ndikon në dhënien e dënimit me gjykime të njëanshme. Vendimi i dhënë në këto kushte, vlerësohet i paligjshëm për arsye të paragjykimit të fajësisë së të pandehurit. Neve kemi mendime të njëjta, Ali. E kuptoj edhe pozitat e tua në marrëdhëniet që ke me Arianitin dhe me mua. Kjo çështje është shumë delikate dhe me përgjegjësi për të sotmen dhe të ardhmen. Nuk kemi forcë që të ndikojmë për të ndryshuar praktikat për të cilat mendojmë se dëmtojnë drejtësinë.
-Neve përjetuam ndërhyrjen direkte për zhvillimin e gjykimit, rolin tënd si gjyqtarë dhe të timin si prokuror. Unë mendoj, se qëndrimet që kam mbajtur gjatë zhvillimit të gjykimit, nuk duhej të ndryshonin pa dijeninë dhe miratimin tim. Nuk është e drejtë dhe as efektive, që filmimi është redaktuar pa dijeninë time. Filmi ka edhe rëndësinë e vet historike, por edhe përgjegjsinë tonë që drejtuam këtë gjyq.
Filmi vlen dhe do të mbetet si një dokument me rëndësi për këtë kohë të zhvillimit të luftës së klasave, rolit të shtetit e të drejtësisë. Është e domosdoshme që në çdo kohë të kuptohen drejtë rëndsia, roli dhe drejtësia e gjykimit, akuzat ndaj të pandehurve, dënimet e tyre në bazë të ligjit, roli dhe qëndrimet konkrete të prokurorit, kryesuesit të seancës gjyqësore, dy anëtarëve të tjerë të trupit gjykues, sekretares, qëndrimi i të pandehurve, dëshmitarëve, diskutimet e bëra nga populli etj., etj.
Filmi për gjyqin e grupit të sabotimit dhe diversionit në Kombinatin e Tekstileve në Berat, u depozitua në arkivin e filmit në Kinostudion Shqipëria e Re.
Një kopje ju dha Arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe një kopje u vu në përdorim të Muzeut të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Filmi shfaqej shpesh për vizitorët e muzeut, sidomos në ditët e festave shtetërore me përmbajtje politike dhe vizitat e organizuara nga qendrat e punës dhe punonjës të Tiranës dhe të rretheve të tjera të vendit.
Është me interes të gjenden edhe rregjistrimet audiovizive dhe raportet e Sigurimit të Shtetit për gjykimin dhe reagimet në popull.
Laboratori Kriminalistik dhe Sigurimi i Shtetit kanë bërë rregjistrimin audioviziv të gjithë gjykimit. Rregjistrimi është bërë i plotë nga kineastët e kameramanët, në më shumë se 20 orë.
Filmi është shfaqur edhe pas ndryshimit të sistemit politik dhe vendosjes së demokracisë. Janë bërë transmetime me disa pjesë të filmit në programet e ndryshme televizive, për të dëshmuar për gjykimet politike në kohën e diktaturës komuniste.
Gjykimi i “grupit diversionist dhe sabotator” në Berat është dëshmi e manipulimeve politike dhe përgjegjsisë për krimet në kohën e diktaturës komuniste
Gjakimi para popullit i këtij “grupi armiqësor” dhe dokumentimi i tij në filmin e xhiruar direkt, u propoganduan si sukses i madh në zbulimin dhe goditjen e veprimtarisë armiqësore dhe u propogandua si dëshmi e zbatimit të politikës së Partisë, mësimeve të Enver Hoxhës dhe forcës së shtetit të diktaturës së proletariatit.
Gjykimi i këtij grupi armiqësor, është e domosdoshme të rivlerësohet në dritën e së vërtetës, të mendimit politik dhe juridik në kushtet e shtetit të së drejtës, të evidentimit të pasojave të rënda të shkaktuara në kohën e diktaturës komuniste, si dhe të përgjegjsisë së punonjësve të drejtësisë të asaj kohe.
Analiza e thellë, e gjithanshme dhe objektive, mënjanimi i subjektivizmit, pranimi i gabimeve, qëndrimi autokritik dhe kurajua për të publikuar të vërtetën ndihmojnë për të dhënë mendime me një diapazon shumë dimensional për këtë proces politik që është edhe një nga pasojat e rënda të diktaturës.
Vlerësuar me këtë përgjegjsi politike, juridike dhe qytetare, është e rëndësishme të theksohet, se gjykimi i grupit armiqësor të diversionit dhe sabotimit në Berat është një dëshmi e dokumentuar e politikës së ashpër penale dhe manipulimeve të proceseve agjenturore, hetimore dhe gjyqësore për interesat politike të udhëheqies së asaj kohe për të larguar vëmendjen nga dështimet e politikës, krizën e thellë ekonomike dhe financiare, nivelin e ulët të mirqënies së popullit, duke inskenuar procese të bujshme për të mbuluar gjëndjen reale dhe mbajtur nën tension politik dhe mbyllur gojën e popullit që po gradualisht po distancohej nga udhëheqësi e sistemi politik i diktaturës, demonstron kërcënimin me ndjekjen penale e masat e rënda të dënimeve ndaj cilindo që do të guxonte të thoshte qoftë edhe një fjalë kundër politikës zyrtare e udhëheqësit të idealizuar.
Gjykimi i këtij grupi armiqësor, është një dëshmi e dokumentuar, se si vepronte udhëheqja kryesore e Partisë së Punës në kohën që u prishën marrëdhëniet me Kinën komuniste, u prenë ndihmat ekonomike, financiare dhe ushtarake. Vendi filloi të futet në krizën e thellë ekonomike dhe financiare, e cila dëshmoi për pasojat e rënda të politikës së ndërtimit të socializmit diktatorial sipas ideve dhe praktikës së pushtetit autoritar të Enver Hoxhës. Rënia e mitit të kultit të tij, ndikoi të shpejtohet edhe rënien e shtetit të diktaturës së proletariatit dhe të sistemit socialist.
Përgjegjësia mbetet e rëndë edhe pas kalimit të një kohe të gjatë, të më shumë se 43 vjetëve!
Pa u njohur me dokumentet e dosjes dhe pa patur njohuritë e nevojshme profesionale, nuk mund të krijohet bindje e plotë për rëndësinë e çështjes, objektivitetin dhe drejtësinë e gjykimit të grupit të sabotimit dhe të diversionit në Berat.
Duke e analizuar me përgjegjsi këtë proces, në bazë të të dhënave të asaj kohe dhe të atyre të zbuluara më vonë, arrihet në përfundimin se procesi ka qenë i manipuluar. Hetimi dhe gjykimi kanë patur mangësi, shkelje të rënda të ligjshmërisë dhe vendimet kanë qenë të imponuara nga lart.
Për të vlerësuar me objektivitet rëndësinë politike të këtij gjyqi, është e domosdoshme njohja konkretisht me provat dhe të dhënat e administruara nga hetuesia dhe nga gjykata, formulimi ligjor dhe përmbajtja e akuzave ndaj të pandehurve, rrethanat dhe qëllimi i zhvillimit të gjykimit me dyer të hapura, shpjegimet e të pandehurve, pranimi pa asnjë kundërshtim i akuzave, dënimet me masa shumë të rëndë deri edhe me vdekje i dy prej të pandehurve etj.
Manipulimi i procesit të ndjekjes agjenturore, hetimit dhe të akuzave e të fajësisë së të pandehurve të formuluara në aktakuzën e hetuesisë, kuptohen nga analiza e të dhënave dhe krahasimi me provat, shpjegimet pa rezerva të të pandehurve, sygjestionimin e bërë të pandehurve për të pranuar akuzat dhe dhënë shpjegime sipas legjendave agjenturore etj.
Në këtë proces dëshmohet edhe një herë rrezikshmëria e Sigurimit të Shtetit dhe hetuesisë në vartësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Të dhënat e dosjes operative të pasqyruara me besnikëri edhe në dosjen hetimore tregojnë për pasojat negative të marrëdhënieve të padrejta dhe shkeljeve të normave agjenturore dhe ligjeve, me anë të veprimtarisë së fshehtë të Sigurimit të Shtetit, si dhe rolin e kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme, të shefit të Hetuesisë, si dhe të hetuesit, për ndjekjen, zbulimin, arrestimin dhe dënimin e personave që u konsideruan diversionistë, sabotatorë dhe tradhëtarë.
Masat e rënda të dënimit me vdekje, pa ardhur ndonjë pasojë konkrete efektive në dëmtimin dhe shkatërrimin e pronës shtetërore socialiste, pasi nuk kishte ndodhur efektivisht sabotimi dhe diversioni, nuk përshtateshin me rrezikshmërinë shoqërore të veprave penale dhe autorëve të tyre.
Dënimet me vdekje kanë qenë të paragjykuara dhe sipas porosive direkte të udhëheqies. Prokurori dhe gjyqtari i kanë marrë këto porosi nëpërmjet Prokurorit të Përgjithshëm dhe Kryetarit të Gjykatës së Lartë.
Për vlerësimin e rolit të prokurorit dhe të gjyqtarit që kryesoi trupin gjykues, pa u nënvleftësuar përgjegjësia për detyrat në shërbim të drejtësisë në kushtet e shtetit të diktaturës së proletariatit, është e arsyeshme të mbahet parasysh qëndrimi personal dhe mënyra se si ata kanë vepruar në zbatim të parimeve të Kushtetutës, të Kodit Penal dhe të Kodit të Procedurës Penale, raporteve të mbajtura me organet e punëve të brendshme, komunikimit dhe etikës profesionale dhe qytetare.
Pa u nënvleftësuar përgjegjsia e përgjithshme si punonjës i drejtësisë në kohën e diktaturës, roli dhe përgjegjsia personale në ushtrimin e funksioneve të njerëzve të zbatimit të ligjit, i hetuesit, prokurorit, gjyqtarit dhe gjithë punonjësve të drejtësisë, në kushtet e diktaturës në socializëm përcaktohet nga qëndrimet personale të prokurorit dhe gjyqtarit, botëkuptimi i materializuar me reagimet dhe vendimet konkrete dhe ndërgjegjen juridike në punën për zbatimin dhe mbrojtjen me rreptësi e drejtësi të ligjeve.
Dënimet e rënda të zbatuara në këtë çështje penale, janë bazuar në nenet e Kodit Penal, për diversionin, sabotimin, agjitacionin dhe propagandën, vjedhjen e lëndëve eksplozive etj.
Kodi Penal i RPSSH parashikimte në dymbëdhjet nene dënimin me vdekje. Me një numër të tillë nenesh, ai ishte një nga kodet më të ashpër që ekzistonte në atë kohë në botë. Politika zyrtare e deklaruar edhe në Kongreset e Partisë së Punës të Shqipërisë, siç u theksuar shprehimisht edhe në Kongresin e 8-të, theksonte, se Kushtetuta dhe ligjet tona i shërbejnë shtetit të diktaturës së proletariatit për mbrojtjen e Partisë dhe pushtetit të klasës punëtore. Kodi Penal i RPSSH nuk është kodi i borgjezisë apo i kulakut, por kodi i klasës punëtore.
Kam patur vazhdimisht idenë që dënimi me vdekje të hiqet nga Kodi Penal. Këtë e dëshmova edhe në Reformën e Kushtetutës, në vitin 1990. Në komisionin e lartë shtetëror të reformës ku mbajta qëndrim aktiv, u pranua më në fund ulja e numrit të neneve me dënime me vdekje dhe heqja e nenit 55, agjitacionit e të propagandës kundër shtetit./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016