Nga Elmas Guga
Memorie.al/ Mbështetur në filozofinë komuniste, Josif Broz Tito dhe udhëheqja e lartë e Partisë Komuniste jugosllave, në kohën e luftës punuan dhe luftuan fort për shtypjen e frymës së nacionalizmit në popujt e ish mbretërisë jugosllave. Sipas burimeve të tyre më shumë punë patën me nacionalizmin kroat e slloven dhe më pak me ata maqedonas. E gjithë kjo bëhej që, pas lufte, të mundësohej bashkimi i këtyre popujve në një lidhje të vetme, sikundër u veprua me formimin e Republikës Federative Jugosllave. Kjo filozofi e të vepruarit së bashku me shumëçka ndodhi te ne në Shqipëri gjatë kohës së luftës dhe më pas deri në 1948 kur u prish miqësia me Jugosllavinë, tregon se Tito ka pasur të njëjtat synime dhe plane edhe për Shqipërinë. Të menaxhonte formimin dhe udhëheqjen e lartë të PKSH-së e cila do të duhej të udhëhiqte e vetme rezistencën antifashiste në Shqipëri deri në çlirimin e vendit. Krahas kësaj Tito do të kërkonte prej saj shtypjen e frymës së nacionalizmit, thënë ndryshe, shtypjen e anti jugosllavizmit të shqiptarëve.
E gjithë kjo do të duhej të bëhej që pas çlirimit të mundësohej bashkimi i Shqipërisë me Jugosllavinë! Po kush ishte ky anti jugosllavizëm shqiptar?! – 100 % e lidershipit shqiptar ishin të tillë. Të gjithë kërkonin një Shqipëri të lirë e të pavarur dhe demokratike pas çlirimit. Këtë e kërkonin të gjithë komunistët shqiptarë të viteve ’30-të. Këtë e kërkonin jo vetëm nacionalistët antifashistë por edhe ata të Ballit dhe Legalitetit. Të kërkoje shtypjen e frymës së nacionalizmit të shqiptarëve do të thoshte të shtypje frymën shtetformuese të tyre. Qoftë edhe ta mendosh një marrëzi të tillë është tepër e frikshme! Turqit për pesë shekuj nuk mundën ta shuanin dot shpirtin shtetformues të shqiptarëve. Ndërsa Tito me të vetët bëri jo pak në këtë drejtim për pak më shumë se pesë vjet! Nuk di të them nëse Tito përdori “forma edukimi” apo metoda të ashpra për shtypjen e të vetëve në Jugosllavi!
Por e kuptoj mirë atë që ka ndodhur me shqiptarët. Mbështetësit e Titos në Tiranë kanë përdorur metoda shumë të ashpra. Eleminimet politike dhe metodat e diskriminimit e përjashtimit. Marrëveshja e fshehtë e nënshkruar në Beograd nga Tito dhe Enveri në 1946-ën për mbrojtjen e udhëheqjes shqiptare ka qenë një hap larg bashkimit dhe humbjes së sovranitetit të Shqipërisë. Terrori i pashembullt i pushtetit në popull dhe “tredhja” e Asamblesë Kushtetuese me eleminimin e opozitës parlamentare në periudhën 1945-1948, kanë qenë masa shtypëse që do t’i paraprinin aktit të aneksimit të Shqipërisë nën Jugosllavinë. Marshimi i Enver Hoxhës drejt Beogradit, njëlloj si Shefqet Vërlaci drejt Italisë në qershor 1939, nuk u bë realitet falë ndërhyrjes së Stalinit, të cilit duhet t’ja njohim këtë të mirë edhe pse ishte diktator.
Kësaj situate të rrezikshme për filo jugosllavët e politikës shqiptare, Enver Hoxha i shpëtoi duke rrokur flamurin e anti jugosllavizmit të betuar, duke bërë kurban të gjithë shokët e tij, me të cilët, si shefi i tyre, kishte punuar duke përgatitur planin e zi të aneksimit. Atëherë propaganda në popull bënte të ditur se kishin qenë me fat që Stalini kishte zbuluar tradhtinë e Titos ndaj komunizmit botëror i cili donte të aneksonte edhe Shqipërinë! Ndërkaq thuhej se Enver Hoxha me zgjuarsinë e tij kishte kuptuar se në udhëheqjen e lartë të Partisë kishte armiq si Koçi Xoxe, Pandi Kristo, Kristo Themelko etj., që kishin bashkëpunuar me Titon për të keqen e madhe!!
Në sinkron me këtë propagandë në atë kohë, në anët tona u ngrit dhe këndohej kënga: “Një letër dërgoi Stalini/ drejtpërdrejtë në Shqipëri/ Në dorë ta marrë Enveri/ dhe askush tjetër njeri”….dhe vijonte… ”Koçi Xoxe e kuptoi/ ja bëri Pandit me sy”. Ku ta dinte populli i gjorë se Koçi, Pandi, Kristo Themelko etj., kishin vepruar nën urdhrat e Enverit për gjithçka që bënë me terrorin në popull sidomos në 1945-1948. Për të justifikuar kthesën Enveri dhe ndjekësit e tij bëri një propagandë intensive në popull, ku shprehej gëzimi se kishin shpëtuar nga një grup armiqësor i rrezikshëm dhe njëherësh shprehej ndjesa për gjëmat që kishin ndodhur në popull për shkak të grupit të Koçi Xoxes! U kërkua ndjesë publike kolektive për qindra njerëz të vrarë pa gjyq dhe me gjyqe farsë.
Thuhej nën zë në ato kohë se midis të vrarëve në popull kishte edhe komunistë që kishin qenë më aktivë me diskutimet në organizatat e partisë në disa rrethe të vendit. U kërkua ndjesë edhe për disa qindra të vdekur burgjeve nga torturat duke u dhënë edhe pafajësinë nga gjykatat. U rehabilituan edhe shumë të tjerë të përjashtuar nga Partia Komuniste sepse vinin nga familje të mesme e të pasura sikundër edhe të ndëshkuarit me përjashtime nga puna. Midis të shkarkuarve nga funksionet zyrtrare nga koha e Koçit (kupto me dorën e Enver Hoxhës) po përmendim vetëm dy shkarkime të nomeklaturës së lartë në ushtri: Gjeneral Spiro Moisiu dhe Mehmet Shehu. Në shkurt 1948, Spiron e shkarkojnë nga detyra si shef i Shtatmadhorisë dhe e nxjerrin në pension në moshën 46 vjeç. Mehmet Shehu që mori këtë detyrë, e mbajti vetëm për fare pak muaj dhe e shkarkoi duke e lënë pa punë. Ndoshta Enver Hoxha në kushtet e përgatitjeve për bashkimin final me Jugosllavinë i druhej ndonjë grushti shteti nga ushtarakët! Ndërsa karta e bashkimit u mbeti në dorë u bë dhe rehabilitimi i tyre duke u shprehur “dashurinë dhe respektin” që paskëshin pasur për ta.
Po le të kthehemi në fillimet, kur u hodhën “themelet e miqësisë” me Titon dhe Partinë Komuniste jugosllave: Formimi i PKSH-së. Josip Broz Tito e kishte për zemër të menaxhonte situatën politike dhe LANÇ-in jo vetëm si një patronazh të marrë nga Kominterni, por sidomos për ekspansionin që kishte për vendin tonë. Për këtë qëllim në 1941 nisi drejt Shqipërisë dy emisarët e vet, Miladin Popoviçin (Aliun) dhe Dushan Mugoshën (Saliu). Me gjasë ata u futën në Shqipëri si komunistë që do të ndihmonin sivëllezërit e tyre, komunistët shqiptarë. Duket se më këtë status “Aliu” dhe “Saliu” u arrestuan dhe burgosën nga autoritetet fashiste italiane në fshatin Brezhdan. Më pas Mustafa Gjinishi me disa komunistë mundësuan arratisjen e tyre. (Si për ironi të fatit, Miladini dhe Dushani, si dy armiq të mëdhenj të komunistëve shqiptarë dhe të LANÇ në Shqipëri, sikundër bënë edhe për dhjetëra të tjerë, vulosën edhe për pushkatimin e Mustafa Gjinishit!)
Natyrshëm pas daljes nga burgu, dy emisarët e Titos u bënë pjesë e lëvizjes komuniste në Shqipëri. U njohën me krerë dhe komunistë, me botëkuptimin dhe idealet e tyre për Shqipëri të lirë. U njohën dhe me Enver Hoxhën tek i cili u kuptuan prirjet e tij për pushtet në këmbim të përmbushjes së detyrave që shtronte Beogradi për Shqipërinë. Kështu emisarët u bënë factor kryesor për përgatitjen e mbledhjes themeluese të PKSH-së. Me Enverin si “Asin” e politikës së tyre, Miladini dhe Mugosha dominuan udhëheqjen e lartë të PKSH-së ku mundën të bënin gjithçka që Tito do të donte të bëhej në udhëheqjen e lartë të PKSH-së dhe LANÇ në Shqipëri.
Dy shtyllat kryesore të programit politik të PKSH-së, ashtu siç shkruheshin, ishin mjaft inkurajuese për popullin dhe komunistët shqiptarë. Së pari thuhej se PKSH-ja do të udhëhiqte mobilizimin dhe luftën e popullit shqiptar kundër pushtuesve të huaj deri në çlirimin e vendit. Së dyti pas çlirimit populli me përfaqësuesit e vet do të drejtohej nga një qeveri demokratike. Për fatin e keq të komunistëve dhe popullit shqiptar për qeverisjen demokratike, gjatë luftës nuk u punua qoftë edhe një ditë, madje nga Enver Hoxha nuk u mendua asnjë minutë për kauzë të tillë. Ai e kishte bërë kontratën me emisarët e Titos që në themelimin e PKSH-së, të luftonte për shtypjen e frymës nacionaliste të shqiptarëve, thënë ndryshe të luftonte kundër popullit të vet.
PKSH-ja de jure kishte një komitet qendror provizor por defacto ishte treshja Enver, Miladin, Dushan. Këta të tre sundonin vendimmarrjen jo vetëm në krye të PKSH-së por dhe LANÇ., sidomos sa i takonte frontit të luftës për shtypjen e frymës kombëtare të shqiptarëve. E thënë ndryshe lufta për shtypjen e anti jugosllavizmit të shqiptarëve ka qenë fronti kryesor i luftës për pushtet për Enver Hoxhën dhe Titon. Suksesi i kësaj marrëzie të madhe lufte nuk ka qenë fort e lehtë për Enver Hoxhën, por u lehtësua aq shumë dhe u bë si “bukë me djathë” falë bashkëpunimit me dy orakujt e Titos. Ata vendosnin dhe vulosnin për çdo gjë duke u bërë si trinjakë me Enverin. Sa i takon frontit të LANÇ-it, Enver Hoxha e kishte mendjen të mbledhur. Siguria për këtë buronte nga shpirti liridashës i popullit dhe djemve të tij partizanë. Nga atdhetarizmi i pashoq i komandantëve dhe komisarëve të çetave, batalioneve, brigadave e divizioneve dhe deri te Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së komanduar nga Spiro Moisiu. I vetmi merak për komisarin politik për këtë front, ka qenë si të vendoste në radhë të gjithë ata që do t’i fuste në rreth të kuq për t’i dënuar, diskriminuar e përjashtuar nga pushteti në të nesërmen.
Le të kthehemi tani te fronti më i vështirë: lufta kundër anti jugosllavizmit të shqiptarëve. Kjo luftë kundër të gjithëve u bë e mundur përmes futjes së frymës së terrorit në radhët e komunistëve po edhe të Lëvizjes Antifashiste. Ndërsa flasim për klimën e terrorit nuk mund të mos ndalim pak te Dushan Mugosha, jo vetëm si një nga vendimmarrësit e treshes për vrasjet por dhe si interpret i tyre në fushën e betejës. Dushani, siç pohojnë dëshmitarët okularë të kohës ishte “serbiani me sy të skuqur që nuk ngopej me gjak shqiptari”. Për këtë të vërtetë do të ndalim vetëm në pak raste, midis dhjetëra të tilla, që dëshmohen nga protagonistë të asaj lufte heroike të shqiptarëve.
Në ditën e inagurimit të Brigadës I-rë Sulmuese, Dushani pati deklaruar se po të kishte edhe një pushkë të shkrehur kundër kësaj brigade, në ndonjë fshat, do t’a shpaguajnë me shfarosjen e të gjithë njerëzve në atë fshat, pleq e fëmijë! Në një rast tjetër ndërsa kjo brigadë ishte në marshim, dy partizanë të saj marrin leje për pak kohë aq sa të pushonte brigada afër fshatit të tyre. Për fat të keq ata u kthyen kur brigada ishte rreshtuar. Me këmbënguljen e Dushanit të dy partizanët u pushkatuan! Edhe gjyqet partizane ku djemtë pushkatoheshin vetëm se kishin marrë një fre rrush në vresht, apo që nuk dinin kush u kishte futur në çantë një palë çorape leshi, kanë qenë produkt i mendjes së sëmurë të antishqiptarit Mugosha. Dëshmohet se dhe marrëzia e vrasjeve të 67 ballistëve në Lushnje në tetor 1943, ka qenë vepër e tij për të rritur tensionet mes frontit antifashist dhe nacionalistëve të Ballit.
Dushan Mugosha ka qenë një njeri i urryer deri në neveri jo vetëm nga udhëheqja partizane në qarkun e Beratit por dhe nga partizanët e thjeshtë.
Në gjykimin tonë fronti i luftës kundër anti jugosllavizmit të shqiptarëve, mbështetur në shumëçka ka ndodhur tek ne jo vetëm në kohën e LANÇ-it, mund të përmblidhet në tre drejtime kryesore:
- Përmes politikës së kulaçit e kërbaçit ndaj të gjithë atyre, komunistë e nacionalistë, që udhëhiqnin dhe luftonin në fushat e betejës. Sipas kësaj politike për të mirën e atdheut dhe partisë, në emër të miqësisë dhe partisë motër të Jugosllavisë dhe mikut të madh Tito, ftoheshin në aksione eleminimesh politike dhe aktivistë të tjerë të lëvizjes. Të gjithë ata që merrnin përsipër aksione të tilla, në dukje me “sheqer” patriotik, sapo i kryenin ato fillimisht me qejf, ndjeheshin si ushtarë dhe viktima të urdhëruesit. Ndonjëri mund të eleminohej për të mbuluar mëkatin që kishin bërë por shumica do të duheshin për të tjera aksione. Aq sa do të kishte nevojë komandanti dhe nuk guxonin dot të kundërshtonin se u kujtohej mëkati i parë. Kështu u formua ushtria e mëkatarëve politikë falë politikës së kulaçit. Po me ata që nuk e hanin dot “kulaçin” ç’bëhej? Edhe për ta ishte gjetur kura përmes politikës së intrigave politike. Kjo e fundit ëmbëlsohej me të ashtuquajturin “gabim politik”.
Mestan Ujaniku e Gjin Marku, ishin midis shumë kapedanëve të LANÇ-it që nuk i pranonin vrasjet e pajustifikuara mes shqiptarëve ndaj për ta u përdor intriga politike për atë që konsiderohet “Marrëveshja e Beratit”. Si rregull me hir a pahir intriga zyrtarizohej. Pas kësaj të akuzuarit për “gabim politik” do të ishin viktima të shefit i cili mund të ndërtonte sa të donte intriga të tjera deri sa të “lante hesapet me viktimën”. – “Boll të ka falur Partia, keni bërë disa herë gabime dhe ti kemi falur, tash le të merret drejtësia me ty…”. Kështu eleminoheshin komandantët e luftës kryesisht pas çlirimit të vendit.
Për udhëheqësit e lartë të PKSH-së dhe anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë të cilëve nuk mund tu jepeshin detyra “kulaçi” u rezervohej kërbaçi. Atyre Enver Hoxha përmes intrigave politike u siguroi “eleminimin fizik, diskriminimin në burgje e internime deri te dhënia e detyrave të ulëta. Të gjithë ata mendonin ndryshe nga shoku Enver për Shqipërinë e pas çlirimit ndaj dhe patën këtë fund tragjik. Në këtë mënyrë të gjithë udhëheqësve të LANÇ-it nga nivelet më të ulëta deri te më të lartat, Enver Hoxha u ngriti gracka politike për të siguruar eleminimin dhe diskriminimin.
- Përmes politikës së mbajtjes larg nga pushteti e njerëzve të shkolluar me merita e kontribute në luftë. Goditja e këtyre njerëzve sapo është trajtuar më sipër me politikën e kërbaçit e cila u përdor jo vetëm në luftë por vijoi edhe pas çlirimit. Po e trajtojmë posaçërisht këtë luftë sepse pushteti që prodhoi Kongresi i Përmetit dëshmoi armiqësinë më njerëz të tillë. Kongresi i Përmetit zgjodhi këshillin e përgjithshëm të Frontit Antifashist që kishte atributet e pushtetit legjislativ (parlament) për kohën e luftës i cili zgjodhi Komitetin e Përgjithshëm me kompetencat e qeverisë së luftës.
Kongresi ndau gradat dhe hierarkinë e tyre në ushtri. Cilësia e atyre që u zgjodhën dhe morën grada të larta ka qenë zhgënjim I madh. Nuk di kush diskutoi për këtë problem por di shumë mirë që Mestan Ujaniku ka pasur kritika të ashpra se jo pak të zgjedhur në këshill ishin me kontribute zero dhe fare të panjohur në popull. Mestani kritikoi ashpër kriterin për dhënien e gradave. Lista e propozuar nga komanda partizane e qarkut të Beratit me kontribute të shquara në luftë u hodh tërësisht poshtë. Në vend të tyre u graduan njerëz pa shkollë dhe për nga meritat në rangun e 3-të apo 4-ët. Po pse i kishte kaq shumë për zemër Enveri njerëzit pa shkollë dhe pa merita në luftë? Sigurisht që nuk i vinte keq për ta por i duheshin për të sunduar. Të arsimuarit dhe njerëzit me merita nuk mund të viheshin në rresht sikundër do donte!
Enver Hoxha mori më shumë pushtet në Kongresin e Përmetit, mori gradën gjeneral-kolonel dhe detyrën e komandantit të përgjithshëm, duke spostuar Spiro Moisiun në një detyrë më të ulët. Alibitë që bëhen sot për dritëhijet në karrierën e gjeneral Spiro Moisiut dhe miqtë e tij të vërtetë, janë fshehje pas gishtit nga e vërteta. Goditja e Spiro Moisiut ka qenë pjesë e strategjisë së luftës së Enver Hoxhës për shtypjen e frymës nacionaliste të shqiptarëve.
- Përmes mbajtjes larg nga Fronti Antifashist e shtresave të mesme dhe të pasura të popullit, përfshirë intelektualë me zë dhe grupe opozitare. Pleniumi i Beratit që u mbajt në 23-27 nëntor 1944 pati kritika të ashpra ndaj Enver Hoxhës i cili i kishte bërë dëm të madh luftës përmes politikave personale në këtë drejtim.
Platforma kombëtare e Konferencës së Pezës ishte një kapital i madh politik bashkues të shqiptarëve në luftë kundër pushtuesit. Por më shumë se ballistët vendimet e saj i sabotoi Enveri nga brenda Frontit Antifashist. Sapo Fronti u njoh nga aleatët si forca e vetme që luftonte fashizmin Enver Hoxha filloi luftën për mbajtjen larg këtyre shtresave. Mbledhja e Ballshit që synonte bashkëpunimin me nacionalistët në dhjetor 1942, siç dëshmohet kohët e fundit, pak ditë më pas u kritikua nga Dushani dhe Kristo Themelko që ishin të deleguar nga Fronti. Mesazhi i tyre ishte i qartë. Të tilla episode ka plot gjatë luftës qoftë edhe vetëm nga qarku i Beratit. Që nga urdhrat për pushkatimin e njerëzve të këtyre shtresave e deri tek sjelljet arrogante ndaj tyre ndërsa u kërkonin ushqime, veshmbathje dhe të holla për të ndihmuar luftën. Siç do e shohim më tej, urdhrat e tij në qarkun e Beratit gjetën kundërshtim të plotë. Dy kanë qenë mesazhet që i jepte Enver Hoxha në mbajtjen larg Frontit të këtyre shtresave, së pari pushtetin nuk do ta ndante me askënd dhe së dyti këto shtresa do të ishin armiqtë kryesorë të pushtetit të tij pas çlirimit! A nuk flet kjo për strategjinë e luftës së Enver Hoxhës për shtypjen e frymës kombëtare?!
- Përmes politikës “hiq e mos këput” me aleatët anglo-amerikanë gjatë luftës deri në 1948. Aleatët tanë me misionet ushtarake në Shqipëri bënë përpjekje maksimale në ndihmë të popullit shqiptar që pas lufte të kishte qeveri demokratike. Për këtë ata luftuan fort për bashkimin e faktorit politik shqiptar në luftën kundër pushtuesit. Në këto përpjekje të aleatëve Enver Hoxha ishte tepër i pasinqertë. Fatin e Shqipërisë dhe të vetin ai e lidhte me Titon. Ai nuk mund të bashkëpunonte me asnjë factor politik në vend përderisa ishte përcaktuar në luftë për shtypjen e frymës nacionale të shqiptarëve. Shkurt Enver Hoxha luftonte për një regjim diktatorial sikundër ndodhi. Politika hiq e mos këput ndaj aleatëve gjatë luftës dëshmonte interesa afatshkurtra politike dhe ushtarake të tij. Shpërfillja e tij ndaj aleatëve përcillej deri në bazë tek partizanët e thjeshtë. Mendësia se fati ynë lidhej me mikun e madh Tito sundonte kudo. Ka qenë kjo mendësi që partizanët në operacionin e dimrit bënin sehir ndaj misionit anglez teksa rraskapitej maleve ndërsa binin në duart e ballistëve. Përpjekjet e historianëve tanë për ta trajtuar regjimin e kaluar si aksident komunist apo si një “letër bixhozi” në tavolinën e tre të mëdhenjve apo ca më keq si gabime diplomatike të aleatëve anglo-amerikanë, janë për të qarë e për të qeshur. E keqja jonë u paracaktua dhe u gatua nga Tito me duart e Enver Hoxhës.
Historianët tanë duhet të na dëshmojnë historinë për të vërtetën e marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave në periudhën 1941-1948. Në gjykimin tim, kjo është periudha më e zezë në gjithë historinë e shtetit shqiptar./Memorie.al
Vijon në numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016