Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon dokumente të panjohura të Arkivit Qendror të Shtetit për periudhën e Luftës, ku disa prej komandantëve të famshëm partizanë dhe eksponentë të shquar nacionalistë e komunistë si: Xhelal Staravecka, Mestan Ujaniku, Qani Laro, Sadik Mbolani e Agron Çorati, me anë të trakteve të ndryshme në vitet 1943-1944 kanë denoncuar krimet çnjerëzore të partizanëve të “Ushtrisë Nacional-Çlirimtare” të udhëhequr nga Partisë Komuniste me në krye Enver Hoxhën…
Trakti i Xhelal Staraveckës
Xhelal Staravecka, njëri prej komunistëve të parë që filloi aksionet kundra italianëve, ikën prej Partisë, sepse kjo ndodhet në duart e të huajve. Po ribotojmë traktin që kryetari i një çete veterane partizane me shumë rëndësi, i mirënjohurën Xhelal Staravecka, ka shpërnda këto ditë në Jugë. Këtij trakti nuk duam t’i bajmë asnjë koment; themi vetëm se Shqipnija uron që prej tij të marrin shembull të gjithë komunistat me mënd në krye e me gjak shqiptari në deje. Qe trakti: Shokë të inkuadruar në Partinë Komuniste të Dushanoviçit dhe Miladinoviçit, të dy Serëbër me sytë e tyre të zgurdulluar të kuq me gjak shqiptarësh të pafajshëm, filluan të ngopin stomakun e tyre të pangopur sa na hodhën në këtë kataklizmi që nuk ka parë historia Shqiptare.
Shokë! Partisë Komuniste neve të rinjtë i dhamë jetën dhe rritëm, forcuam si një diktatori të arsyeshme, mirëpo ajo parti sapo ndjeu veten pak të fortë filloi diktaturën më të shëmtuar që të rëngjethet mishtë. Kujtoni shokë, të 65 (gjashtëdhjetepesë) katundarët të pafajshëm përpara nesh të marrë nga Hamit Matjani dhe nga Isa Manastirliu që nuk zbrazën pushkë kundra partizanëve por u dorëzuan, këta të shkretë u pushkatuan pa pikën e mëshirës prej Neron Dushan Serbjanit, Jovenës së Dytë të Napolit, Mehmet Shehut (Isa Toska i dytë) dhe gorrillës Tahir Kadareja. Shokë! Kujtoni viktimat e masakruara nga këta të katër barbarë që therën me thikë e i hodhën të gjallë në zjarr banorët e Mallakastrës të asaj Mallakastre që u bë gërmadhë nga reaksioni fashist… Ah! sa mjerim, gërmadhat e Mallakastrës sot po vaditen me gjak të pafajshmish të atij vendi nga duart katile të Dushanit. Shokë, e dini pse u prish bashkimi i Kongresit të Mukajt, ja sepse: N’atë kongres ishte shënuar fjala Shqipni etnike, domosdo për Kosovën. Mirëpo, Dushani dhe Meladini banorë të Metohisë, fushë Kosovës, nuk durojnë që Kosova t’i hiqej Jugosllavisë. Për këto o shokë u prish bashkimi i Mukajt, jam ndodhur vetë me shumë shokë të Qendrorit, në krye të cilëvet ishte Drazha Miladini, kur me një postë të jashtëzakonshme arriti prokllamata e Bashkimit të Mukajt. E hapëm prokllamatën dhe e kënduam në fytyrën e lexuesit, shndriti rrezja e gëzimit për sihariq të bashkimit, të gjithë u gëzuam. Më vonë e mora atë prokllamata dhe duke e shpjeguar gjysëm shqip gjysëm Serbisht, pse unë nuk e di serbishten, por edhe ai nuk e di Shqipen, por sido i varfër nga serbishtja ia shpjegova dhe ai kuptoi, në fytyrën e tij menjëherë hipi një cergë e zezë dhe filloi të thotë: “Nuk pranohet ky bashkim, neve tani që po forcohemi do të fillojmë nga spata dhe jo të bëjmë lidhje me qentë, pastaj Skiperi etnike-jobentimajku-neve qemë tërë gaz për bashkimin por menjëherë fytyrat t’ona muarën ngjyrën serioze duke thënë: “Po këta pyzevëngër nacionalistë do të shohin tashti sa të organizohemi dhe pak ditë se shpatën do t’u vëmë, e sa e sa të tjera duke thënë dashkan Shqipëri etnike…Ju e kuptoni se fytyrat tona ndërronin sipas asaj të Drazhes. Në Berat vramë e premë pa hak për t’u marrë paratë njerëzve, Beratin e bëmë shtetrrethim që nuk e bëri as fashizmi; filluam e kontrolluam brekët e grave nëpër shtëpia, duke i rrethuar shtëpitë e Beratit me mitraloza; dualëm e bëmë çarmatimin e Nahijes, në katundin Perisenka zumë gratë nga sisët e nga shalët, e ku e di unë sa të tjera. Përpara këtyre poshtërsive që do të shihni në dokumenta, mora vendimin e largimit nga kjo PARTI E FËLLIQUR. Sot ndodhemi shumë shokë dhe do të organizohemi në një parti koshjente dhe jo rebele dhe nuk do të jenë larg ditët e shkallmimit prej themelit të partisë gjakatare me Serbjanët gjakpirsa e kriminelë në krye.
JU O SHOKË SHPEJTONI TË LIDHEMI DORË MË DORË, RRETH E RROTULL SI KURDOHERË.
Rroftë bashkimi i popullit shqiptar!
Poshtë terrori dhe vëllavrasja!
Nga Shqipëria e Lirë 20. XI. 1943
Xhelal Staravecka d.v
Trakti i Mestan Ujanikut
Mbas Xhelal Staraveckës, Mestan Ujaniku, Plaku i maleve të Jugës, ma i pari dhe ma i madhi prej Komandantëve të çetave komuniste të Shqipnis, ikën prej Partisë Komuniste, sepse kjo kërkon të rrënojë themelet e Kombit Shqiptar. Me gëzim ma të madh, po lajmojmë sot popullin shqiptar se krye komandanti i çetave partizane të Berat-Skraparit, i famshmi Mestan Ujaniku, ka dalë prej Partisë Nacional-Shkatërrimtare, bashkë me çetën e vet të përbame prej afër 600 vetash, dhe ka hyrë në marrëveshje me një prej antarëve t’onë me randësi, për t’u rradhitë në Ushtrin’ e “Ballit Kombëtar”. Po botojmë letrën e tij integralisht pa ndryshue asnjë fjalë: I dashur popull vëlla shqiptar. Përpara tmerrit, komploteve, pusive dhe çfarëdo të keqeje, ne me mish e me shpirt u munduam të zhduknim duke mos kursyer as pikën e fundit të gjakut, për t’i dhënë popullit atë që me të kotë i paskemi premtuar: “Lirinë”. Mirëpo sado që kishim bërë të pamundurën, duke heshtur e duke bërë sehir me mundime më të mëdhaja që punët ishallah të rregulloheshin, por kjo nuk u vërtetua se çdo ditë që kalonte tmerri bëhej dhe më i egër dhe më i pa-duruar. Me fjalë të tjera sot ndodhemi përpara një kohe më të shëmtuar, ku vëllavrasja është bërë gjëja më e zakonshme. Mjerë populli shqiptar dhe sidomos Toskëria e shkretë ç’do të heqë në rast se ne do të flemë. Andaj kemi vendosur të bëjmë një bashkim të popullit të Skraparit dhe të popullit të Dëshnicës, dhe ishallah të gjithë popullit shqiptar, pa ideologji dhe gjëra të komunizmit terrorist që po vret popullin e shkretë pa faj. Erdhi koha e shpëtimit, shpejtoni të bëjmë bashkimin kombëtar se ndodhemi në rrezik nga komunizmi i Serbjanit Dushanoviç që nuk ngopet me gjakderdhje të popullit Shqiptar, fatkeqë që ka rënë në duart e të huajve. Unë bashkë me Xhelalë (Xhelal Staravecka) u larguam nga terrori i komunizmit të Dushanoviçit. Lajmëro në të gjitha anët, lajmëroni Baba Xhaferr Përmetin e të tjerë që diti për të hedhur themel të shëndoshë kombit që i është hapur varri nga Sërbjanët. Jemi të larguar me gjithë fuqitë t’ona dhe këto do t’i shumojmë sa të shkatërrojmë që nga themelet vdekje-prurësit e popullit Shqiptar.
Presim sa më shpejt. 14. XI. 943
Ndodhemi në… Mestan Ujaniku d.v.
Trakti i Sadik Mbolanit
Edhe Sadik Mbolani, një nga krerët ushtarakë të Partisë Komuniste, komandant i zonës së Shpiragut, hero i kaq luftërave kundër okupatorit fashist, u shkëput nga partia anarshiste terroriste dhe u bashkua me organizatën t’onë nacionaliste “Balli Kombëtar”. Sadik Mbolani u paraqit më 12 Dhjetor 1943 në Komandën e “Ballit” të Zonës së Berat-Mallakastrës dhe u betua se do të luftoj krah për krah nacionalistëve kundër kuqalashëve anarshistë terroristë, të cillët hodhën vendin në greminë dhe në vëlla-vrasje. Një zëmër Shqipërie që rreh me dashuri për Shqipërinë, por që ka qenë e mashtruar nga Nacionalçlirimtarja, nuk mund të durojë më lodrat e anarshistëve terroristë, shkatërrimtarë e gjakësorë, të bëra për llogarinë dhe shtytjen e të huajve. Një nga këto zëmra shqiptare të gabuara ka qenë edhe Sadik Mbolani, luftëtar i shquar dhe nacionalist i mirë , i cili me të marrë vesh mashtrimin e kuqalashëve, u nda prej tyre siç u ndanë edhe do të ndahen edhe shumë të tjerë. Shqiptarë Atdhe-dashës! Organizata “Balli Kombëtar” është gati të shtijë dorën vëllazërore të gjithë atyre që të gabuar ose të mashtruar, bashkëpunuan me varrë-gërmonjësit e vendit t’onë. Pra, bashkohuni sa më parë me vëllezërit t’uej rreth flamurit të shenjtë për shpëtimin e Shqipërisë dhe mirëqenies së popullit. Kufijtë e Shqipërisë dhe demokracia popullore sigurohet vetëm me djersën, mundimet dhe gjakun e të gjithë Shqiptarëvet t’vërtetë! Rroftë Shqipërija Ethnike e Demokratike! Rroftë Bashkimi i Popullit Shqiptar! Rrofshin të gjithë vëllezërit që kthehen në stanin nga i cili dualën! Rrofshin Shqiptarët e vërtetë! Rroftë e qoftë Shqipëria! 22 dhjetor 1943
Trakti i Qani Laros
Qani Laro, ish-kryetar i Këshillit Nacionalçlirimtar të qytetit të Beratit kthehet në gjinin t’onë.
(Këtu poshtë po botojmë tekstualisht fjalimin që mbajti më 16 Dhjetor përpara Popullit të Beratit, z. Qani Laro, ish kryetar i këshillit Nacionalçlirimtar të qytetit të Beratit. Popull’ i Beratit. E mbani mënd se aty përpara, kur qyteti ishte në duart e anarkistëve terroristë, unë nënshkrova një proklamatë si kryetar i Këshillit Nacionalçlirimtar të Beratit, proklamatë e cila ka qenë nga kreu deri në fund një fyemje një varg akuzash të padrejta kundër organizatës Nacionaliste “Balli Kombëtar” dhe kundër patriotësh të shquar e të kulluar, që përpiqen për të mirën e Atdheut e të popullit. Këtë proklamatë e nënshkrova vetëm nga frika e gjak-pirësve Gjin Markut me shokë, të cilët më shtrënguan me tmerr, duke më thënë “ose koburen në kokë, ose firmën në proklamatë”, nga të dyja këto propozime unë pranova atë të dytë, mbasi e pashë siç e ka parë sigurisht edhe i gjithë populli i Beratit se kisha të bëja jo me njerëz, por me egërsira që e kapërcejnë njëqind herë tradhtarin Isa Toska. U kuptua më në fund se pseudo komunistët s’janë gjë tjetër veçse anarshistë terroristë të shitur në të huej tek Dushani e Meladini, që janë bërë xhelatë të popullit të mjerë Shqiptar. Këtë njerëz s’bëjnë gjë tjetër veçse t’i hapin varrin Shqipërisë, duke mashtruar me poshtërsitë e tyre edhe mjaft nacionalistë, viktima të Nacional-Gënjeshtares.
Popull i Beratit.
E mbani mënd fare mirë se ishin vetë pseudo komunistët anarkistë që çelën këtu në Berat luftën kundër “Ballit Kombëtar”, duke vrarë me pusia të ndyra dhe të poshtra ushtarët e tij, që udhëtonin me automobil brenda në qytet. Mallkimi i Kombit dhe i historisë rëndon mbi këta tradhtar, pseudo komunistë, pseudo-çlirimtarë, varrë gërmonjës t’Atdheut dhe vegla të të huajve. Unë jam i lumtur që u shkëputa nga shokët e Isa Toskës, Gjin Markut etj, shkaktar të vëlla-vrasjes e të anarkisë. Me mua janë shkëputur edhe të tjerë, midis të cilëve përmend këtu Sadik Mbolanin dhe Sefe Iljazin, dy nacionalistë dhe luftëtarë të njohur. E bashkë me ta do të shkëputen edhe shumë të tjerë, sepse kush e kupton tradhtinë, bën tradhti më të madhe po ta pasoj akoma.
Poshtë klika tradhtare vëlla-vrasëse! Poshtë të shiturit Gjin Marku me shokë!
Rroftë Shqipëria e Lirë etnike dhe demokratike popullore.
Rroftë Flamuri Kombëtar
Qani Laro d.v.
Rrofshin të gjithë vëllezërit që kthehen nga stani nga i cili dualnë, rrofshin të gjithë shqiptarët e vërtetë! Rroftë e qoftë Shqipëria.
22 Dhjetor 1943
Trakti i Agron Çoratit
Rini Shqiptare!
Ti e njeh fort mirë Agron Çoratin, shokun trim që ka qenë i pari ndër të parë, një nga udhëheqësit e çdo lëvizjeje kundër pushtuesit. Ndigjo tashti thirrjen e tij të zjarrtë që të bën për të shpëtuar Atdheun. Rini Shqiptare! Ndigjo Agron Çoratin: Shokë! Kam vepruar si aktivist në Partinë Komuniste qysh nga themelimi i saj, duke besuar se bënim në realitet luftën për çlirimin e Atdheut, dhe për mëkëmbjen e një Shqipëri me të vërtet Etnike. E në fakt kjo është aspirata e rinisë dhe e popullit Shqiptar. Sot ndërsa shumica e popullit po mundohet të rindërtojë Shqipërinë mbi gërmadhat e regjimit të kaluar, pakica e drejtuar nga Partia Komuniste i ka dalë për zot çështjes antishqiptare, terrorit, anarkisë, vëlla-vrasjes. Edhe unë, si mijëra të rinj shqiptarë të vendit t’onë, i dhashë fund veprimtarisë antishqiptare për të ndjekur rrugën e re të rimëkëmbjes, të krijimit të një Shqipërie zonjë mbi zonjat. Sot gjendja ka dalë e kjartë në sy të kujtdo kush e don vërtet Shqipërinë nuk ka veçse të zgjedhë rrugën e arsyes dhe të Shqiptarizmit kundër anarkisë terroriste me markë të huaj. Ftoj të gjithë shokët të rreshtohemi me patriotët e vjetër në Organizatën dobiprurëse Balli Kombëtar. Organizata e Ballit Kombëtar nuk është ashtu siç na paraqitej prej drejtuesve të Partisë Komuniste; shikoje së afërmi, vëreje qëllimet e metodat e saj dhe do të bindesh për të vërtetën. Megjithëse në kondita të vështira, kjo organizatë është e para që filloi me ndërgjegje e këmbëngulje t’i shërbejë Atdheut. Balli Kombëtar kudo e sido, është dhe mbetet shërbyesja besnike e interesave t’Atdheut; faktet na tregojnë se po shkon drejt zbatimit konkret të parimeve të Dekallogut Historik.
Agron Çorati d.v. Fruer, 1944
Hakmarrja e PKSH-së ndaj Ujanikut, Çoratit, Mbolanit e Laros
Autorët e trakteve pas ’45-ës u ekzekutuan apo u burgosën
Denoncimi i hapur publik me anë të trakteve dhe thirrjeve të ndryshme që bënë në adresë të Partisë Komuniste Shqiptare, disa prej komandantëve të famshëm të çetave partizane dhe eksponentë të shquar komunistë, si Xhelal Staravecka, Mestan Ujaniku, Sadik Mbolani, Qani Laro, Agron Çorati etj., (për politikën kriminale që po ndiqte ajo) do t’u kushtonte rëndë atyre. Edhe pse Ujaniku apo Çorati vazhduan të qëndronin në radhët e Frontit e Partisë Komuniste (si rezultat i presioneve dhe kërcënimeve). edhe pasi e denoncuan atë, e deri në fund të luftës, krerët e lartë të PKSH-së nuk ua harruan atyre traktet denoncuese dhe akuzat që ata kishin bërë në adresë të tyre. Vetëm pak kohë pas mbarimit të luftës, (në vitin 1946). nënkolonel Mestan Ujaniku, komandanti i të parës çetë partizane të Shqipërisë, (që kishte luftuar së bashku me tre djemtë e tij) u arrestua duke u akuzuar si pjesëmarrës me “Grupin e Deputetëve”, që donin të formonin një opozitë brenda radhëve të Frontit. Ujaniku vdiq gjatë torturave në hetuesi pa dalë në gjyq, ndërsa djemtë e tij (ish-partizanë) përfunduan burgjeve e internimeve deri në shembjen e regjimit komunist. Po të njëjtin fat pati edhe ish-komunisti i famshëm, Agron Çorati, i cili vuajti vite të tëra në burgje dhe i internuar në kampin e Zvërnecit, ku Enver Hoxha kishte izoluar disa prej kundërshtarëve më potencialë të tij. Fati tragjik i Ujanikut dhe Çoratit ndoqi edhe eksponentët e tjerë të çetave partizane, si Sadik Mbolani, Qani Laro etj., të cilët kishin denoncuar krimet e Partisë Komuniste gjatë periudhës së luftës. Dënimit për krimet që kishin bërë partizanët gjatë luftës, nuk u shpëtoi as Xhelal Staravecka, i cili në fundin e vitit 1944 u largua nga Shqipëria. Kur ishte azilant politik në Itali, Staravecka u dënua me 12 vjet burg nga Gjykata Ndërkombëtare për Krimet e Luftës, i akuzuar për vrasjen e 130 robërve italianë, kur ky kishte qenë komandant i lartë i partizanëve pranë shtabit të Enver Hoxhës.
Braktisja masive e radhëve partizane dhe aderimi me “Ballin”
Qindra partizanë dezertuan nga krimet e Dushanit dhe Miladinit
Xhelal Staravecka, Mestan Ujaniku, Agron Çorati, Sadik Mbolani dhe Qani Laro nuk ishin të vetmit komandantë të famshëm të çetave partizane dhe eksponentë të shquar komunistë që denoncuan publikisht me anë të trakteve krimet e Partisë Komuniste, që, sipas tyre, ishte shndërruar në një vegël kriminale e dy emisarëve jugosllavë, Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviç. Sipas dokumenteve të organizatës nacionaliste “Balli Kombëtar”, të cilat gjenden në Arkivin Qendror të Shtetit, si dhe prej shumë dëshmive të pjesëmarrësve aktivë të Lëvizjes Antifashiste në vitet 1941-‘44, gjatë asaj periudhe kohe, nga radhët partizane dhe nga Partia Komuniste pati braktisje e dezertime masive të qindra e qindra partizanëve. Pjesa më e madhe e të larguarve u bashkuan më pas me çetat nacionaliste të Ballit Kombëtar. (Në një botim special të Komitetit Qendror të Ballit Kombëtar të vitit 1944, janë përmbledhur të gjitha këto trakte, ku denoncohen krimet çnjerëzore të komunistëve). Kjo gjë shihet edhe në disa prej trakteve dhe komunikatave të nxjerra nga Qarkori i “Ballit Kombëtar” të Beratit në vitin 1943, ku midis të tjerash shkruhet:
KTHEHEN NË GJIRIN E ATDHEUT
Ndërmjet muajve Dhjetor-Kallnor janë dorëzuar pranë komandave të ndryshme të “Ballit Kombëtar” të Qarkut të Beratit disa qindra partizanë, të dezertuar nga radhët e brigadave e batalioneve të organizuar nga Meladini e Dushani. Që të gjithë të dorëzuarit kanë shfaqur pendimin e tyre të plotë, mbasi u kuptua në fund haptazi se ata nuk i shërbenin më idealit kombëtar, po shërbenin për interesat e të huajve në dëm të Shqipërisë. “Neve-dekllaruan përgjithësisht të dorëzuarit-i muarmë armët për lirinë e Shqipërisë dhe luftuam vetëm si nacionalistë. Mirëpo, kur pamë se lufta jonë u tradhëtua dhe u kthye në luftë vëlla-vrasëse nga krerët t’anë, vegla të Serbjanëve Dushan e Meladin, u shkëputëm nga ta fshehurazi dhe sot vihemi krejtësisht në dispozicion të Atdheut e të atdhetarizmës shqiptare. Dhe qindra shokë të tjerë e kanë kuptuar të vërtetën dhe duan të ikin, por gjer sot s’kanë mundur të dezertojnë nga frika e komisarëve politikë që i ruajnë këmba këmbës. Të ikurit, pasi dorëzuan armët, u lanë të lirë të shkojnë në banesat e veta dhe të shikojnë punët e tyre. Jemi të bindur se shpejt a vonë do të dorëzohen të gjithë ata që bëjnë pjesë në radhët e bandave terroriste, me përjashtim të disa krerëve që janë damkosur nga populli me vulën e kriminalitetit e të tradhtisë.
NJË NDËRHYRJE PARTIZANËSH
Para disa ditësh një çetë partizane u avit në zonën e Shpiragut, me qëllim të shtrëngonte popullin me forcë që të merrte pjesë në partinë nacional-gënjeshtare! Mirëpo populli në fjalë, që qëndron i patundur në idealin nacionalist dhe ka në dorë armët në shumë luftëra heroike kundër okupatorit italian, u vuri pushkën terroristëve anarkistë. Ndërkohë, u vë në ndjekje të çetës në fjalë, fatosi plak i maleve, Sadik Mbolani, komandant i batalionit nacionalist “Shpiragu”, bashkë me nënkomandantët trima, Sofo Iljazi dhe Ali Muharremi. Batalioni i mësipërm zuri rob edhe tre partizanë, të cilët i shoqëroi për në komandën e qarkut të ‘Ballit’. Kjo, pasi i çarmatosi, i la të lirë”./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016