Nga Uran Kalakula
Memorie.al publikon disa pjesë të kujtimeve të ish-të dënuarit politik Uran Kalakula, i cili në vitin 1960 u arrestua nga Sigurimi i Shtetit, duke u akuzuar si pjesëtar i një grupi prej pesë vetash ku bënin pjesë: Tanush Kaso, Pjetër Arbnori, Riza Kuçi dhe Zeqir Koçi, të cilët kishin si synim formimin e një grupimi politik me prirje social-demokrate. Pas një kohe të gjatë në hetuesi, ai së bashku me pjesëtarët e tjerë të grupit, dolën para gjyqit që u zhvillua në Tiranë, ku Pjetër Arbnori dhe Uran Kalakula u dënuan me vdekje, me pushkatim, kurse të tjerët morën dënime që shkonin nga 15 deri në 25 vjet burg politik. Por më pas Presidiumi i Kuvendit Popullor u’a fali jetën Uranit dhe Pjetër Arbnorit, duke u’a zbritur në 25 vjet burg. Pas faljes së jetës, Urani vuajti 21 vjet në kampet e burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, të cilat i vuajti kryesisht në Burgun e Burrelit. Pas viteve ’90-të, Uran Kalakula shkroi kujtimet e tij për periudhën e vuajtjes së dënimit duke botuar librin “21 vjet në burgjet komuniste”, ku disa pjesë prej tij, Memorie.al po i publikon duke filluar nga ky shkrim.
Kush ishte Uran Kalakula?
Uran Kalakula u lind në vitin 1929 në qytetin e Tiranës, ndërsa origjina e familjes së tij është nga qyteza e Libohovës. Babai i tij, Rasim Kalakula ishte diplomuar në Turqi për Shkencat Politike dhe gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut, ai shërbeu si prefekt dhe kryetar bashkie në disa rrethe të vendit. Gjatë gjithë asaj kohe që shërbeu në ato detyra, Rasim Kalakula konsiderohej si një nga zyrtarët më të ndershëm dhe të pa kompromentuar të Monarkisë dhe kur ai ndërroi jetë në vitin 1938, në qytetin e Tiranës, me porosi të Mbretit Zog atij I’u organizua një ceremoni funerale, me shpenzimet e shtetit dhe në varrimin e tij morën pjesë me qindra vetë. Pas vdekjes së të atit, Urani së bashku me vëllezërit dhe motrat, u rritën në një gjendje të mjerueshme ekonomike, pasi ajo familje e madhe prej vitesh, jetonte vetëm me rrogën e babait të tyre, Rasimit. Pas mbarimit të shkollës së mesme në vitin 1950, Urani punoi disa kohë si mësues nëpër fshatra të largët dhe gjatë asaj kohe vazhdoi me korrespondencë studimet e larta në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Tiranës në degën Gjuhë-Letërsi. Në vitin 1961, teksa Urani shërbente si arsimtar, ai u arrestua nga Sigurimi I Shtetit, duke u akuzuar si pjesëtar i një grupi prej gjashtë vetash, të cilët kishin si synim formimin e një grupimi politik me prirje social-demokrate. Pas një kohe të gjatë në hetuesi, ai së bashku me pjesëtarët e tjerë të grupit, si: Tanush Kaso, Pjetër Toma Arbnori, Riza Kuçi e Zeqir Koçi, dolën para gjyqit që u zhvillua në Tiranë, ku Pjetër Arbnori dhe Uran Kalakula, u dënuan me vdekje, me pushkatim, kurse të tjerët morën dënime që shkonin nga 15 deri në 25 vjet burg politik. Por më pas Presidiumi i Kuvendit Popullor, u’a fali jetën Uranit dhe Pjetër Arbnorit, duke u’a zbritur në 25 vjet burg. Pas faljes së jetës, Urani vuajti 21 vjet në kampet e burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, të cilat i vuajti kryesisht në Burgun e Burrelit. Pas daljes nga burgu në vitin 1982, ai u kthye në qytetin e Shkodrës ku jetonte familja e bashkëshortes së tij, Nedret Pipa (motra e Arshi dhe Myzafer Pipa), dhe u caktua me punë në Ndërmarrjen Komunale, si punëtor në hapje kanalesh. Por në atë punë ai mundi që të punonte jo më shumë se një vit e gjysëm, pasi ai u internua familjarisht në fshatin Kryevidh të Kavajës, ku ai punoi në bujqësi për pesë vjet e gjysëm deri në vitin 1988, kur doli në pension. Pasi vitit 1990, me shembjen e regjimit komunist, ai u angazhua në proceset demokratike dhe ishte një ndër intelektualët e parë, nga shtresa e ish-të dënuarve dhe persekutuarve politik që formuan Shoqatën Kombëtare të ish-të Burgosurve dhe Internuarve, politikë të rrethit të Shkodrës. Po kështu pas viteve ’90-të, Uran Kalakula i’u rikthye pasionit të tij të vjetër, shkrimeve dhe letërsisë, pasi që në bangat e gjimnazit të Shkodrës, ai filloi të shkruante poezitë dhe tregimet e para, të cilat në fshehtësi i vazhdoi edhe gjatë viteve të vuajtjes së dënimit në kampe dhe burgje, duke shkruar tregime, poezi, ese dhe kritikë letrare. Kështu, pas viteve ’90-të, përveç dhjetëra shkrimeve në shtypin e përditshëm Urani botoi edhe katër libra të titulluar: “Vargje në pranga” (vëllim poetik), “Shqiptarizimi dhe prirja e tij europiane”, (ese), “Arshi Pipa, njeriu dhe vepra” (monografi) dhe “21 vjet në burgjet komuniste” (kujtimet).
Kujtimet e ish-të dënuarit politik, Uran Kalakula
Historia e dhimbshme e malazezit Velko Stepanoviç!
Velkoja, ishte një burrë i bëshëm në trup, me fytyrë të hijshme, sy të kaltër por qimezi nga flokët e mjekra. Një kontrast i rrallë ky tek njerëzit, që jo vetëm nuk duket keq, por përkundrazi tregon një veçanti harmonike. Vetë pamja e tij e jashtme ishte tërheqëse në vetvete, pos natyrës së tij të butë, të përmbajtur e serioze, qëndrimit dinjitoz, të tërhequr paksa në vetvete dhe të folurit e tij të ngadaltë e të matur. Për këto arsye, pothuaj të gjithë i afroheshin me kënaqësi Velkos dhe e pëlqenin shoqërimin me të. Dhe ai nuk refuzonte askënd, por ama, dukej se gjithkujt dinte t’i jepte një dozë të caktuar e të matur afrimi. E solli rasti të njihesha edhe unë me të dhe në pak kohë, u bëmë shokë të ngushtë.
Pas orarit të punës së detyruar, në sheshin e vogël para mensës, shëtisnim shpesh poshtë e lart, duke biseduar për gjëra që kishim të dy më për zemër. Ajo që më tërhiqte tek ai si njeri, ishte ndershmëria, serioziteti dhe sjellja e hijshme e një personi të kulturuar si dhe çiltërsia si ujët e burimit. Tek ai, unë nuk vura re asnjëherë të shtirurit, krekosjen qesharake, mendjemadhësinë, apo hijen e ndonjë vesi. Dukej që virtyti kishte zënë rrënjë të qëndrueshme në ndërgjegjen e tij. Por me gjithë këto anë pozitive, ajo që më shtyu edhe më fort të afrohem me të në një miqësi të vërtetë, që kishte për bazë sa besimin, aq edhe respektin e ndërsjellët, ishte dhembshuria për fatkeqësitë e tij të shumta që i kishin ndodhur, e për hir të të cilave ishte në burg prej shumë vitesh.
Megjithëse krejt ndryshe nga unë, kishte përfunduar atje krejtësisht i pafajshëm. E jeta e tij e vërtetë ishte e denjë për një roman me përmbajtje fort të dhimbshme. Si malazez, ai ishte nga zemra e vendit të vet, nga Kolashini, malësi kjo, ku varfëria e ka strofkën e vet në tërë atë krahinë, qysh prej shumë kohësh. Kështu, Velkoja kishte kaluar një fëmijëri mjaft të trishtë: të mbytur në varfëri. Kur filloi lufta kundër zaptuesve nazi-fashistë në Jugosllavi, Velkoja ende adoleshent, dha ndihmesën e tij si partizan e korrier. Pas luftës, kur kishte mbaruar shkollën e mesme në vendin e tij, kishte shkuar për studime universitare në Beograd, në Fakultetin e Filozofisë. Ishte viti 1948, kur ndodhi prishja e Titos me Stalinin. Por Velkoja, i zhgënjyer nga udhëheqësi I Jugosllavisë, Marshalli Josif Broz Tito, pandehu se e drejta qëndronte nga ana e Stalinit dhe la fakultetin, zbriti në vendlindje, ku mori edhe vajzën e zemrës dhe me të kaloi kufirin dhe u fut në Shqipërinë e Hoxhës, me qëllim që prej këndej të shkonte pastaj në Bashkimin Sovjetik. Por qeveria shqiptare e kohës e çoi në internim, në një fshat të Lushnjes, ku gjeti mjaft jugosllavë të tjerë, që kishin ardhur edhe ata po me iluzionet e Velkos.
Protesta e emigrantëve jugosllavë
Në atë kamp, emigrantët i mbanin në kapanone si në kamp-burgje dhe nxirrnin në punë të detyruar në kanale e bujqësi. Kjo gjë i revoltoi ata dhe mes tyre u ngrit edhe Velkoja të protestonte, duke parashtruar kërkesën e tij për të shkuar në Bashkimin Sovjetik për studime dhe veprimtari anti-titiste. Por shefi i emigracionit jugosllav anti-titist, një ish-ushtarak jugosllav, komandant i Aviacionit (emrin nuk ia mbaj mend), i shoqëruar nga një përfaqësues i Komitetit Qendror të PPSH-së, i thanë Velkos se: Shqipëria ishte vendi më i përshtatshëm për divizionin nga Jugosllavia titiste, madje pararoja dhe i premtuan se do ta çonin për studime të larta në një nga fakultetet shqiptare. Në katër vite studimesh universitare, Velkoja banoi në një dhomë të thjeshtë hoteli, bashkë me të shoqen malazeze, ku dhe u lindi një djalë. Dhe gjithë kjo vetëm me 3.000 lekë të vjetra bursë.
Kur mori diplomën, e emëruan në një shkollë të mesme në Elbasan, ku veç nxënësve të ditës, kishte edhe nga ata të natës, bashkë me ca oficerë. Si njeri i sjellshëm dhe i dashur me njerëzit, Velkoja, i cili ndërkohë kishte mësuar për bukuri edhe shqipen, krijoi shoqëri me nxënësit e tij në moshë të rritur. Ndërkohë në vitin 1955-’56 Hrushovi u pajtua me Titon dhe erdhi puna e kthimit të emigrantëve jugosllavë në vendin e tyre (ata që donin) dhe Velkoja vinte herë pas here në Tiranë, për të plotësuar formalitetet e kthimit në Ambasadën Jugosllave. Atëhere dy nga ish-nxënësit e tij i’u lutën të ndërhynte në atë ambasadë nëse mund të kishin garanci nga qeveria jugosllave, që po të arratiseshin, nuk do t’i kthenin mbrapsht. Por planet e këtyre dy oficerëve, i morën vesh edhe gratë e tyre. E meqë ato na paskëshin qenë më të “partishme” se burrat e vet, i denoncuan bashkëshortët në Degën e Brendshme, dhe domosdo bashkë me dy oficerët, përfundoi në hekura edhe vetë Velkoja, i cili tashmë ishte “ngopur” me komunizmin e Stalinit dhe Enverit, madje kishte nisur ta urrente për vdekje.
Velko 25 vite burg
I dënuar me 25 vite burg, kishte vuajtur të zitë e ullirit, ndërkohë që e shoqja me djalin foshnje, ishte riatdhesuar. Kështu s’kishte kush t’i vinte fare te dera e burgut dhe nga e shoqja nuk mori jo një pako, por asnjë lajm. Për më tepër, si i huaj, ai nuk kishte përfituar nga asnjë amnisti, me përjashtim të atyre pak ditëve që kishte përfituar nga puna në kamp. Kur e njoha unë në Rubik, ai kishte bërë një qerre burg dhe i mbeteshin ende boll të tjera. Në Rubik, ai punonte si hekurkthyes dhe merrte diçka më tepër se ne të tjerët. Kështu që mund t’i shtonte paksa garuzhdes së kazanit, që të mund të përballonte punën e rëndë. Megjithatë, nuk e kisha dëgjuar kurrë të ankohej, të qahej për mungesat e mëdha materiale, por përballonte ato me një stoicizëm të admirueshëm, si për veshmbathje.
Duke braktisur me përbuzje, madje do të thoja me indinjatë, komunizmin, qoftë nga padija për demokracitë perëndimore dhe teoritë e tyre social-politike, Velkoja ishte hedhur tërësisht në një plan krejt ideal të këtyre teorive, duke u kapur fort tashmë tek sajantizmi. Sipas kësaj teorie, në krye të shtetit duhej të vinin vetëm shkencëtarët, pa i vajtur fare mendja se këta mund të jenë të ditur dhe shumë të zotë në një fushë të caktuar të dijes (që në sajë të nënndarjeve gjithnjë e më të mëdha, në një farë mënyre i linin pas dore degët e degëzimet e tjera), por nuk mundin të ngërthejnë të përgjithshmen, rezultanten. Ai nuk lodhej kurrë duke më shpjeguar teorinë e tij të re dhe si çdo neofit, gati-gati ishte fanatik ndaj saj. Teoria e tij, nga mungesa e informacionit të duhur, e literaturës përkatëse, në shumë drejtime ishte fryt i imagjinatës dhe përsiatjeve vetjake. /Memorie.al
Vijon në numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016