Dr. Faik Luli
Pjesa e parë
Memorie.al/Një fushë e rëndësishme e veprimtarisë së vyer e të gjithanshme të Sheuqet Mukës është edhe ajo e intelektualit islam. Krahas aktivizimit dhe rezultateve të njohura e të çmuara si mësues e drejtor i shkollës së Parrucës në Shkodër, si drejtor i “Strehës Vorfënore” në Tiranë, si një nga nismëtarët e nxitësit kryesorë më të zjarrtë për hapjen e Gjimnazit në Shkodër më 1922, si mësues përparimtar bashkëkohor, si pjesëmarrës në kongrese arsimore, si veprimtar i shoqërive kulturore, si autor tekstesh shkollore, si atdhetar i vendosur kundër pushtuesve të huaj, si nacionalist demokrat i persekutuar nga diktatura, ai është shquar njëkohësisht edhe për punën e tij të madhe në lëmin fetar. Ndihmesa e Sheuqet Mukës për çështjet e fesë islame ka përfshirë një gamë të gjerë problemesh. Veprimtaria e Sheuqet Mukës përmbledh punën e tij si mësues i Medresesë së re, si hartues tekstesh shkollore për mësimin e besimit në shkollat fillore, si përkthyes i “Jasinës”, si publicist me tematikë fetare, si anëtar i Degës kulturale të Komunitetit Mysliman në Tiranë, si veprimtar i Myftinisë Shkodër, si përfaqësues i inteligjencës islame shkodrane në tubime të rëndësishme etj. Me të drejtë lind pyetja: Si arriti Sheuqet Muka të bëhet kaq i përmendur edhe në aspektin fetar, si e fitoi edukimin dhe formimin e nevojshëm për një veprimtari të tillë shumëplanëshe?!
Edukimi fillestar i Sheuqet Mukës
Sheuqet Muka edukimin fillestar e mori në mejtep e më vonë tek intelektuali i shquar islam Haxhi Hafiz Ibrahim Kaduku, tek myderrizët e hoxhallarët në zë, si: Haxhi Hafiz Salih Myftia, Muhamet Bekteshi, etj. Si dhe nga një studim intensiv individual i pandërprerë. Mësimi i gjuhës arabe dhe i shumë gjuhëve të tjera lindore e perëndimore, si poliglot, studimi i vëmendshëm dhe i kujdesshëm i Kur’anit, i haditheve profetike dhe i historisë islame, krijimi i një biblioteke të pasur e të rrallë, bashkëpunimi i vazhdueshëm me personalitetet fetare të të gjithë vendit, njohja e gjendjes dhe e nevojave të objekteve të kultit, të institucioneve fetare, kontaktet me besimtarët islamë në përgjithësi dhe veçanërisht të rinisë e të femrës e kanë angazhuar për t’u marrë paralelisht me detyrat zyrtare dhe me problemet fetare. Kontributi fetar i Sheuqet Mukës ka pasur një grafik në rritje, ka qenë gjithnjë më i dukshëm, më frytdhënës, në përputhje me rritjen e tij intelektuale, me afirmimin e tij në mjedisin e opinionin qytetar shkodran e shqiptar. Përkushtimi i tij për fenë në përgjithësi e për disa probleme të saj në veçanti ranë në sy të organeve drejtuese arsimore fetare, që krijuan idenë e formimit të perspektivës së këtij të riu aktiv e të papërtuar. Prania e tij si përfaqësues i Inspektorisë së Arsimit në provimet vjetore të Medresesë së Epërme në Pazar të Shkodrës në vitin shkollor 1926-1927, konkluzionet e nxjerrja e propozimet e bëra në raportin përkatës ndikuan që të emërohet mësues i jashtëm i Medresesë së re në vitin 1927-28. Nxënësit e kësaj shkolle nuk gjenin fjalë për të lavdëruar mësuesin e tyre të ri. Ata thonin se krahas drejtuesve e profesorëve të përmendur fetarë, kishin pasur edhe mësues të kulturës së përgjithshme po aq kompetentë e të paharruar si Sheuqet Mukën, Hasan Tahsinin etj. Ata tregonin për aftësitë e tyre shkencore, pedagogjike, didaktike e komunikuese, si edhe për interpretimin e drejtë të lëndës në përputhje me parimet e fes islame. Me përgatitjen e përvojën që fitoi, Sheuqet Muka mori nismën dhe ia arriti qëllimit duke bërë një punë të lavdërueshme për hartimin e teksteve mësimore për mësimin e besimit dhe përkthimin e “Jasinës”.
Hartues i teksteve shkollore për nxënësit e fillores
Në vitin 1923 ndodhën ngjarje të rëndësishme për besimtarët islamë shqiptarë: u zhvillua Kongresi i Mysliman, filloi botimi i revistës “Zani i Naltë”, u krijuan strukturat organizative të Komunitetit Mysliman në qendër e në bazë etj. Në këtë kohë lindi nevoja e hartimit të teksteve të mësimeve të besimit për nxënësit e shkollave fillore. Kësaj detyre të vështirë, pa traditë në vendin tonë, por me vlera të mëdha edukative, iu përgjigj i pari Sheuqet Muka. Ai hartoi njërin pas tjetrit tre libra të tillë (Ilmihal), që në vitin 1923, të cilët u miratuan nga Këshilli i Naltë i Xhema-atit Islamijes dhe Ministria e Arsimit. Duke u ndalur vetëm tek libri i parë rezulton se autori e ka përgatitur atë me një aftësi të rrallë, me një kujdes të madh, me saktësi fetare, me kompetencë pedagogjike e metodike. Libri përbëhet nga 27 mësime të veçanta, të cilat përmbajnë paraqitjen e temës me hollësi në bazë çështjesh. Në këtë kuadër, duke përgjithësuar përvojën e grumbulluar, më vonë, në vitin 1927 botoi librin ‘Kujtime të ish-nxënësve të Medresesë së re.
Sheuqet Muka, “Ilmi-halle”, për nxënësit e klasës së parë të periudhës së dytë, Shkodër, 1923, etj. “Dijeni praktike besimtare” për shkollat fillore e mbas shkollore, që është fillimi i botimeve të Këshillit të Naltë të Sheriatit me nr.1. Ky libër është më i përmirësuar, më i vëllimshëm dhe më tërheqës nga pikëpamja teknike. Ai është punuar në një formë të mirë paraqitëse, ka zhvillimin e temës hollësisht, e cila vazhdohet me përmbledhje, me tregim historik, me detyra në formë pyetjesh të karakterit teorik e praktik dhe në fund ka shpjegim fjalori. Më shkencërisht e metodikisht nuk ka se si të punoheshin tema të kësaj natyre në atë kohë dhe që ruajnë aktualitet edhe në ditët tona. Merita e Sheuqet Mukës për botimin e kësaj literature qe e pakrahasueshme. Ai qe i pari që dha shembullin e mirë, që mbushi një boshllëk, që siguroi një seri librash fetare të kësaj natyre, aq të domosdoshëm për plotësimin e nevojave të fëmijëve, të rinisë e të besimtarëve. Vlera e këtyre shtohet edhe për faktin se ata ishin në gjuhë amtare, të kuptueshëm, të qartë e konkretë, me një stil të bukur e me fjalor të zgjedhur.
Kështu, p.sh.: tema “Zeqati” përmban: “Bisedë për zeqat”, “Shkurtimi”, “Detyrë”, “Ngjarje” (tregim): “Një njeri që nuk ndan zeqat” dhe “Fjalë për t’u shpjeguem”. Në krijimtarinë origjinale të autorit bëjnë pjesë edhe disa krijime në poezi, ilahi e kaside, që shprehin ndjesi të holla fetare, përkushtim e vlerësim të ngjarjeve historike nga feja islame, Jasinën, për të cilën Pejgamberi Muhamed (a.s.) ka thënë: “Çdo send ka zemër, e zemra e Kur’anit është Jasini; do të dëshiroja që kjo sure të jetë në zemrën e çdo njeriu nga ymeti im! Sheuqet Muka e përktheu më 1929 me kërkesë të shoqatës “Talebetë e medresesë së Re”. Parathënia e përkthyesit është një analizë e përmbajtjes së sures së “Jasinës” dhe e rëndësisë së saj, është një paraqitje e detyrave të besimtarëve islamë lidhur me të. Në fillim të kësaj parathënieje autori, krahas shprehjes së modestisë për punën e bërë, vlerëson nismën e studentëve: “Mue, me at’ fuqin e vogël t’emen, do të më keni përherë ma të madhin përkrahës, pse programi juej me të vërtetë asht i shejtë e realizimi i tij asht një fatbardhësi e madhe për elementin mysliman të vendit t’im. Me botime librash e përkthimesh në gjuhën e dashtun t’onën, ka me pasë rasë zogu i shqiptarit mysliman m’e mësue urdhrat e ndalimet e fes, ka me qenë vërtetë një gjymtyrë e shëndoshë për bashkë fetarët e bashkatdhetarët e vet e për gjithë shoqnin njerëzore mbarë”. Ky përkthim u botue me pseudonimin “Shkodrani”. Ai pati jehonë, u bë broshurë e dashur e çdo familjeje shkodrane e shqiptare e ndikoi për rritjen e kulturës fetare. Është për të ardhur keq që ky kontribut me vlerë, ndër të parët përkthyes, shoqëruar me shpjegime, nuk është njohur nga studiues të ndryshëm nga Shqipëria dhe trevat shqiptare ose, kur është njohur, nuk janë bërë përpjekje për të ditur emrin e autorit. Lidhur ngushtë me krijimtarinë origjinale e përkthimet janë shkrimet e tij të shumta me karakter fetar. Sheuqet Muka zakonisht ka shkruar me pseudonime, për shkak të pozitës së tij zyrtare laike. Artikujt e shumtë publicistikë të firmosur me pseudonimet “Shkodrani”, “Arsyeja”, “Erzeni”, etj., në revistat “Zani i Naltë” e “Kultura Islame”, janë një tjetër kontribut i vlefshëm i Sheuqet Mukës për zgjidhjen e problemeve shqetësuese të fesë islame jo vetëm për Shkodrën, por edhe për vendin e të gjitha trojet shqiptare. Tematika e këtyre shkrimeve është e larmishme në përmbajtje e në formë, ajo përmbledh përkujtime personalitetesh, rrahje problemesh fetare, arsimore, kulturore, emancipuese, tolerance ndërfetare, edukim atdhetar, diskutime, replika, propozime e kritika. Këto botime origjinale e shkrime patën një efekt të madh pozitiv tek lexuesit.
Jehona e Kongresit Mysliman në publicistikën e Sheuqet Mukës
Ata u vunë në dijeni me realizëm e objektivitet për gjendjen e mjaft problemeve shqetësuese për kohën, u edukuan me ndjenjat fetare e atdhetare, u bënë më të vetëdijshëm për përgjegjësinë e organeve drejtuese dhe për rolin e tyre në zgjidhjen e detyrave të mprehta në qarqe e në kryesinë e Komunitetit Mysliman, qenë pjesëmarrje aktive e autorit të tyre për zgjidhje të shpejta, të drejta, përparimtare e bashkëkohore, qenë ide për përmirësime, për reformime, për kthesa që diktonte zhvillimi fetar e kombëtar. Në artikullin “Një periudhë e re”, në vitin 1929, në jehonë të Kongresit Mysliman e të miratimit të Statutit të Komunitetit Mysliman Shqiptar, shpreh optimizmin e tij për hapat e para pozitive të fesë islame në vendin tonë në disa drejtime. Sheuqet Muka e fillon kështu shkrimin e tij: “Mbas një dekadence të pamëshirshme q’i të bënte me bjerrë gjithë shpresën se kishim me mujtë ndonjëherë m’e përmirësue gjendjen t’onë fetare, ndër këto kohët e fundit fatbardhësisht kanë nisë të duken shenja të mira se na, me ndihmën të Lumit, jo vetëm qi kemi me mujtë m’u mbajtë si myslimanë, por kemi me pam dhe dit të bardha për fenë t’onë…” Si të mos na shtohet shpresa, si të mos na gëzohet zemra sot, kur shohim me sy t’onë se në gjuhën shqipe kanë nisë të shkruhen vepra fejet me vleftë tepër me rëndësi për kah ana e lëndës së zhvillueme që kanë? Si mund të rrimë pa e shfaqë botnisht se pritmi i fes s’onë në Shqipninë e lirë monarkike ka me qenë patjetër i shkëlqyeshëm, kur shohim se në gjirin e shqiptarëve mysliman kemi persona me pozitë të shqueme për kah dija e mendja e për kah penda e gjykimi që zotnojmë. Dy veprat: “Mësime fejet” e “Këshillat e së premtes” që u botuen vjet me inisiativën e Drejtorisë së Përgjithshme të Vakufevet, janë shenja të mira që na japin frymë të re e na bajnë të besojmë se mashina e Këshillit të Naltë të Sheriatit asht lëshue ma së miri në punë për me i plotësue elementit të vet mysliman që përfaqëson ma të parën e ma të madhen mungesë që kishte. A punë e vogël asht Tefsiri i Kur’anit që nisë forma-forma m’u botue? …Athere kemi arsye të thomi se për shqiptarin mysliman ka nisë një periudhë e re e zgjimit, e cila pa dyshim ka me na mëkëmbë e ka me na mbajt me nder, tue na naltsue edhe kah ana e fes”. Shefqet Muka është dalluar edhe në shkrimet me karakter përkujtimor të figurave të shquara fetare. Kështu ndodhi me rastin e vdekjes së Sheh Shaban Domnorit. Artikulli “Rahmet pastë!” është një ligjëratë shumë prekëse, koncize, patetike, elegjiake, lavdëruese e frymëzuese në nderim të personalitetit të madh. Ndër të tjera ai shkruan: “Kush dha sodit shpirtë në krahnorin e fes së shenjtë të Dini Islamit? Ke qan e vajton sod Shkodrani, Shkodra e shkretë? Kush hini sod në varrezat e reja të lagjeve Dudas – Ndocaj? Ke strukë tani në gjinin e vet ky varr i lumtun? Mos një nga hoxhët e mëdha, të zotët e virtytshëm që numëron e dallon me gisht sod Shkodra e ynë? Jo, ka ma…Por edhe sikur ky të qe vetëm shkaku, do t’ishte për ne me na shti në zi pse me ndërrimin e jetës që bani shpirtndrituri Sheh Hafiz Shaban Efendia, prej vargut të hoxhve të Shkodrës vjen e shkëputet një ndër ma të mirët prej tyne, i cili për ne lulëzonte si lulja ma e bukra që pan syt t’onë, si lulja ma erëkandshmja që ndiente shpirti i ynë…” E kësaj natyre është edhe përshëndetja e bërë në ceremoninë e varrimit të Hysejn Efendi Vuthit, personalitet i shquar fetar e arsimor, kryetar i komisionit të arsimit të prefekturës, inspektor i arsimit për mësuesit e besimit, drejtor i shkollës fillore të Rusit, një ndër drejtuesit e parë të arsimit fetar laik. Në fjalën e tij Sheuqet Muka shprehu dhimbjen, pikëllimin e trishtimin për humbjen e madhe, për boshllëkun e krijuar dhe çmoi ndihmesën e dhënë, përshtypjet e kujtimet e lëna. Ai i drejtohej kështu hoxhës së tij: “U përpoqe me mish e me shpirt dhe për përparimin e arsimit kombëtar, pra ne sot humbim një pris e këshilltar të mirë në lamë të arsimit. Jo vetëm se të kam pasë si hoxhë, jo vetëm se të kishim edhe si drejtues shkolle, por sot Shkodra po bjerr një hoxhë të madh të saj, zemra ime, e shokëve dhe e mbarë fëmijëve të shkollave e të popullit po qajnë e po derdhin lot për ju. Kemi arsye të qajmë, humbja e një hoxhe si ju për ne asht një korb i zi. Sot e ndiejmë të vërtetën e fjalës që thotë se vdekja e një alimi (dijetari) asht si vdekja e një alemi (populli)”. Në shkrime të tjera ai ka trajtuar tema të rëndësishme e të mprehta të ditës e të perspektivës. Ata janë interesante, të hartuara me kulturë, të zhvilluara me synime të caktuara, të përshkuara nga dëshira për të zgjidhur problem të vështira e të ndërlikuara. Të tilla janë shkrimet: “E vërteta s’vdes kurrë”, “Reforma dhe shpirti i Myslimanizmit”, “Të gjithë kemi një dert”, “Një përgjigje që s’përgjegj”, “Drejt pushtimit”. Disa shkrime kanë pasur karakter historik islam, si: “Të dalunit e të përhapunit e Islamijetit”, “Detyra e ynë drejt Sahabevet” etj. Këta kanë pasur elemente përkthimi, përshtatjeje e gjurmimi të literaturës botërore. Në vargun e krijimtarisë së Sheuqet Mukës është për t’u shënuar angazhimi i tij si ligjërues në tubime me besimtarët dhe në ndihmë të hoxhallarëve për predikime, në të cilat ka mbajtur tema interesante fetare, që shquheshin për thellësinë e përmbajtjes, qartësinë e trajtimit, bukurinë e natyrshmërinë e paraqitjes së fakteve e të argumenteve, pasurinë e gjuhës e stilin elokuent prej oratori. Ligjërata të tilla kanë qenë: “Shfaqja e Muhamedit (a.s.) në skenën njerëzore”, “Feja islame – fe e natyrshme, “Feja në përparim apo në rënie”, “E ardhmja e Islamizmit është e shkëlqyeshme” etj.
Peticionet për hapjen e gjimnazit të Shkodrës
Në arkivin familjar gjenden të dhëna të tjera interesante në dorëshkrime për krijimtarinë fetare. Ndër ta një abetare arabisht me një metodikë moderne të mësuari, me qëllim që besimtarët e çdo moshe të aftësoheshin për të lexuar Kur’anin dhe studime të shumta, si: “Shkronjat e Kur’anit”, “Rëndësia e Mevludit”, etj, etj. Disa shkrime të Sheuqet Mukës kanë pasur natyrë debati, diskutimi, polemizuese e proteste, që shprehin mendimin e qëndrimin e tij kritik ndaj veprimeve të parregullta e të padrejta, ndaj qëndrimeve konservatore e zgjidhjeve të papërshtatshme, ndaj situatave të shkeljes së Statutit e të moszbatimit të detyrave në përputhje me të, ndaj mosmarrjes së masave të nevojshme për çështje themelore fetare, arsimore e kulturore. Ligjërata me nga 10 faqe të daktilografuara, viti 1934, ruhet në arkivin e familjes Muka. Në këto shkrime që përfshijnë artikuj, peticione, lutje, letra, shkresa, etj., shfaqet personaliteti e karakteri i vendosur e parimor, formimi i tij i rregullt, i drejtë dhe i plotë fetar, atdhetar, intelektual e njerëzor. Shkresa, peticione, protesta e letra të kësaj natyre janë të shumta. Ato herë janë individuale, herë kolektive nën nxitjen dhe drejtimin e tij, të hartuara nga ai. Kështu mund të përmendim peticionet e lutjet për hapjen e Gjimnazit të Shkodrës. Ai nuk kërkonte shkollë të veçantë për të rinjtë myslimanë, por të përzier, të përbashkët, kombëtare, por në të njëjtën kohë nuk donte që fëmijët myslimanë të mbeteshin pa shkollë të mesme. Për këtë ai qe autor e bashkautor letrash e peticionesh, që me mbështetjen popullore bënë presionin e duhur pranë organeve qendrore e siguruan hapjen e kësaj shkolle, që i dha Shkodrës e Shqipërisë qindra e mijëra intelektualë të fushave të ndryshme. Për problemin e arsimimit të fëmijëve myslimanë ai ka zhvilluar një veprimtari të gjerë edhe në drejtime të tjera. Ai ka ngulmuar që në hapjen e shkollave të para laike më 1913 e më tej, si dhe në vitet shkollore 1921-‘22 e 1922-‘23 e në vazhdim të hapeshin shkolla fillore atje ku mungonin, që fëmijët myslimanë të mos mbeteshin analfabetë, që në to të vendoseshin mësues myslimanë, që krahas mësimeve zyrtare ata të mund të zhvillonin edhe mësimet e besimit për mungesë të kuadrit fetar. Për arsimimin e të rinjve myslimanë ai ngriti problem për përmirësimin e punës në Medresenë e Përgjithshme, për gjallërimin e konsolidimin e medreseve të qarqeve e për ngritjen e një Medreseje të re, pas suprimimit të tyre në qytetin e Shkodrës, duke e argumentuar këtë me fakte bindëse e me përvojën e këtij qyteti për arsimin fetar. Në këtë kompleks problemesh ai interesohej edhe për studentët shqiptarë që vazhdonin studimet e larta në degët teologjike në Kajro të Egjiptit dhe në Lahore të Pakistanit. Letërkëmbimi i vërteton se ata i drejtoheshin Sheuqet Mukës për plotësim nevojash, si të bursave etj. Një tjetër aspekt i veprimtarisë së Sheuqet Mukës në dobi të fesë islame, është praktikimi i letrave e protestave drejtuar Mëkëmbësit të Përgjithshëm, kryeministrit, ministrit të arsimit, kryetarit të Komunitetit Mysliman Shqiptar, Këshillit Kontrollues të këtij komuniteti, revistave “Zani i Naltë” dhe “Kultura Islame”, Gjyqit të Naltë të Sheriatit, Myftinisë për shkeljet e Statutit të Komunitetit Mysliman, për kuvendet e rregullta të tij, për zgjedhjet e duhura të organeve drejtuese, për moskryerjen e detyrave si duhet, për moskujdesjen e duhur për medresetë, për mosinteresimin e moszbatimin e duhur të mësimeve të besimit në shkolla, për emërimin e kuadrove të përshtatshme në myftinitë e nënmyftinitë, për mosvënien në jetë të disa detyrave të Kongresit, për administrimin e mirë të pasurisë Vakufnore etj. etj. Në to pasqyrohet iniciativa për të shtruar probleme e dobësi, guximi e dëshira e tij për të kontribuar për mbarëvajtjen e përgjithshme të fesë, zotimi për të ndihmuar për përparimin e saj. Nga këto materiale të shumta po veçojmë ndonjë fragment, që është tregues i kompetencës së Sheuqet Mukës për evidentimin e dobësive e problemeve më parësore dhe për vënien e organeve eprore para përgjegjësisë për t’i zgjidhur në përputhje me detyrat aktuale të perspektivës. Në një peticion shkruar Mëkëmbësit të Përgjithshëm për Komunitetin Mysliman, ai trajton shumë çështje delikate organizative e drejtuese dhe ndalet edhe tek mësimi i besimit dhe Medreseja, ku nënvizon: “…ka mbet pa na u sigurue deri sot pika me rëndësi e mësimit të besimit ndër shkolla, si në filloret, si në të mesmet e prandaj rinia e jonë asht rritë e po rritet pa pasun fatin me marrë një edukatë fetare, me konsekuenca të hidhura e shumë të dëmshme për t’ardhmen. Asht lanë gjithnjë mbas dore problemi jetik i të vetmit institut fetar të Medresesë së Përgjithshme në Tiranë, i cili megjithëse shihet fare mirë se s’po mundet me zëvendësues funksionarët fetarë që dita-ditës po na pakësohen. Këshilli i Përgjithshëm s’asht kushtue deri tash të merret seriozisht me reformimin e tij për m’e ba të aftë që të na plotësojë nevojat t’ona fetare. Në një letër të hapur drejtuar Kryetarit të Komunitetit Mysliman, ndër të tjera, mbasi argumenton prapambetjen, mos organizimin dhe mungesën e një pune sistematike, thekson: “…Myslimanët e Shqipnisë duhet të jenë ma të zhvilluemit e të gjithë myslimanëve të botës, për arsye se janë t’Evropës…Në gjinin e Komunitetit t’Ujë që përfaqësoni, ka një element të ri që s’ka qenë deri dje në këtë mënyrë i gatuem: përveç turmës së madhe të popullit, ke me veti universitarë, maturantë, semimaturantë e një numër të madh Filloristësh, që s’i ka pasë ndo’i herë Shqipnija. S’na mungon kurrgjë, s’na mungon as vullneti për me shkue para e m’u mbajtë si element i gjallë e përparimtar në kërthizë t’ Europës…” Sheuqet Muka nuk u kursye për të dhënë ndihmesën e vet edhe në drejtime të tjera: si aktivist i Myftinisë, si bashkëpunëtor i Këshillit të Naltë të Sheriatit, si Këshilltar i Komunitetit Mysliman, si anëtar i kryesisë së Degës Kulturale të Komunitetit Mysliman me kryetar personalitetin e shquar Mehdi Frashërin etj. Në tërë veprimtarinë e tij në dobi të fesë ai pati gjithmonë parasysh tolerancën fetare, bashkëpunimin ndërfetar, edukimin për bashkëjetesë, për paqe, harmoni e miqësi mes besimtarëve të tre besimeve fetare. Shembujt për këtë janë të shumtë. Po përmendim ndonjë prej tyre.
Mik e bashkëpunëtor me Gjergj Fishtën
Sheuqet Muka qe mik e bashkëpunëtor me Gjergj Fishtën në komisionin e arsimit të prefekturës së Shkodrës dhe aty me intelektualë të tjerë fetarë e laikë dhanë ndihmesën e tyre të vlefshme për mbarëvajtjen e arsimit shtetëror e privat, laik e fetar. Një shprehje e kësaj miqësie dhe e këtij bashkëpunimi qe pjesëmarrja e Sheuqet Mukës në ceremoninë e festimit të 60- vjetorit të lindjes së Gjergj Fishtës. Në programin e pasur shkencor, fetar e artistik, krahas Patër Anton Harapit, Ernest Koliqit e Zef Kurtit, mbajti ligjëratë edhe Sheuqet Muka me temë: “Vepra e Gjergj Fishtës për zgjimin kombëtar”. Një fakt tjetër i kësaj tolerance është shënimi vlerësues e nderue që shkrimtari i njohur Mark Harapi në një punim të vetin i kushton Sheuqet Mukës: “Sheuqet Mukës, burrë si burrat e motit, e shoq i paharrueshëm i burgimit komunist. Këtë ligjëratë teologjike mbi të shenjtën trini, shkrue sipas dishirit e nxitjeve të shpeshta të tija, autori në shenj miqësie e çmimi me kënaqësi të vërtetë ia kushton.” Në shkrimet, ligjëratat e bisedat me tematikë të ndryshme, Sheuqet Muka gjithnjë kishte parasysh gërshetimin e anës fetare me atë atdhetare e anasjelltas. Shembujt janë të shumtë, por ne po citojmë për konkretizim ndonjë prej tyre. Në ligjëratën “I përzemërti flamur”, me rastin e festës së Pavarësisë, ndër të tjera shprehej: “…Hala s’paskan marrë vesh armiqtë e tradhtarët e kombit t’onë se në Shqipni nuk ka turk e kaurr?! S’ka jo turk as kaurr, ka vetëm shqiptarë me besim mysliman, katolik e ortodoks. Eja, eja e fol me mue e me shokë të mi, eja e merr vesh se si mendojmë na e si do të punojmë. Secili prej nesh do të mbajë besimin që ka për vete, secili do nderojë dhe besën e shoqishojt…Asht turp mendoj me fol myslimani shqiptar kundra një të krishteri shqiptar, asht marre prap që një i krishterë shqiptar të flasë për vëllanë e tij, përse tue punue këso dore dëftojmë çiltas se s’kemi ndjenja kombëtare.” Veprimtarinë fetare Sheuqet Muka nuk e ndërpreu edhe kur qe i burgosur, edhe në kampet e punës i dënuar nga diktatura komuniste. Me gjithë vështirësitë, pengesat e pasojat e rrezikshme ai mbeti veprimtar i palodhur i edukimit të burgosurve me mësimet fetare, u mësonte atyre pjesë kuranore, u fliste për ngjarje të historisë islame, i nxiste t’i shtonin përpjekjet për edukimin shpirtëror, u forconte durimin e ngjallte shpresën për jetën, të ardhmen, për lirinë e demokracinë. E bashkëvuajtësit përfitonin nga formimi, përvoja karakteri, besimi e shembulli i tij personal.
Vlerësime për figurën dhe personalitetin e Sheuqet Mukës
Për figurën, personalitetin e karakterin e Sheuqet Mukës janë dhënë vlerësime të shumta gjatë viteve të fundit nga studiues të ndryshëm. Përveç dekorimit me titullin e lartë “Mësues I Popullit” nga ana e presidentit të republikës për kontributin e tij të shquar në lëmin e arsimit shtetëror, janë vënë në dukje meritat e tij edhe në aspektin fetar. Kështu me rastin e inaugurimit të xhamisë “Ebu Bekër” në Shkodër, myftiu Faik Hoxha në përshëndetjen e tij theksoi se intelektualët patriotë hoxhallarë harmonizuan rolin e nderuar të edukatorit e të predikuesit në përputhje me edukatën fetare e atdhetare së bashku me drejtues e mësues laikë, studiues e veprimtarë të njohur si Sheuqet Muka etj. Kur është folur e shkruar për personalitete të shquara fetare është vënë në pah se në institucionet e veprimtaritë fetare që ata kanë drejtuar e zhvilluar, kanë marrë pjesë edhe intelektualë civilë. Në referatin “Nderim për dijetarët, edukatorët e hoxhallarët e shquar të Shkodrës” ndër të tjera është thënë: “Krahas këtyre u shquan edhe mësues e drejtorë, që përveç se qenë mësues të medresesë, si zotërinjtë Sheuqet Muka etj., dhanë edhe një ndihmesë të vyer, duke hartuar me kompetencë, me dije e aftësi profesionale tekste fetare për mësimin e besimit për shkollat shtetërore e fetare për mësimin e besimit për shkollat shtetërore e fetare, si dhe duke u shquar në fushën e studimeve e të botimeve gjuhësore, letrare, kulturore e historike”. Po kështu, duke shkruar për Haxhi Hafiz Ibrahim Kadukun, si intelektual i shquar arsimor e fetar, është pohuar se në Medresenë që ai drejtonte, “Puna e tij hodhi bazat e shëndosha, që kjo shkollë të fitonte fizionominë e vet, të grumbullonte nxënës të zgjedhur, të siguronte kuadër pedagogjik efektiv, të jashtëm me përvojë, si…Sheuqet Mukën etj. Në materialin studimor “Bij të kulturuar e të devotshëm të Shkodrës”, është theksuar edhe kjo konsideratë: “Krahas plejadës së hoxhallarëve të mirënjohur shkodranë është vlerësuar më dashamirësi e seriozitet një grup intelektualësh jo klerikë, si Sheuqet Muka etj., që i lanë nder vetes duke punuar me përkushtim jo vetëm në lëmin e arsimit laik, por edhe në fushën e besimit, në angazhimin e tyre direkt në procesin e mësimdhënies dhe në pasurimin e literaturës fetare me përkthime, përshtatje e hartime tekstesh, si dhe me ndihmesën e tyre në organet e shtypit përkatës.” Besimtarë të moshuar përcjellin se në Shkodër në vitet ’20, kishte “Dy bilbila që mbanin predikime e biseda, që shkruanin libra e botonin në revista, ata ishin Hafiz Ali Korça e Sheuqet Muka”. Vlerësime për rolin atdhetaro-fetar të Sheuqet Mukës, ka dhënë rapsodi Dedë Shyti në veprën e tij “Rapsodi të përgjakura” e “Kronikë rapsodike”. Ky autor shprehet kështu: “Hallall’ kjoft e Shqipnisë buka, Xhemal Naipi e Sheuqet Muka, Patriotë fetarë e atdhetarë, Egër i shtypu diktatura”. “Me Xhemal Naip, Sheuqet Mukë Shkodran, E sa e sa tjer’ nga Jugu e Tiranë, Projekte andrrojshin, për Shqipnin’nanë, Se në çfarë kthetrash e kishin lanë”. Për cilësitë pozitive të Sheuqet Mukës janë shprehur konsiderata e kujtime nga autoritete fetare, si Haxhi Hafiz Sabri Koçi, Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe Haxhi Faik Hoxha, Myfti i Shkodrës. Hirësia e tij Haxhi Hafiz Sabri Koçi, ka shfaqur këto konsiderata: “Intelektualin e nderuar, Z. Sheuqetin, e kam njohur në kohën e “Zogut”. Në atë kohë gëzonte një respekt të madh në rrethet intelektuale e në mbarë popullin e Shkodrës. Ishte një besimtar i vendosur dhe shumë i përkushtuar në çështjen e fesë, një intelektual i aftë e i nderuar, i palodhur e i pakursyer për mësimet fetare e laike, një studiues i apasionuar në përgjithësi dhe i problemeve fetare në veçanti. Gjatë kohës së qëndrimit të tij në burg u dallua për karakterin e tij burrëror e për dashurinë ndaj fesë Islame. Edhe aty nuk i ndërpreu mësimet fetare për të tjerët. Një zotëri nga Peshkopia, i quajtur Rexhep Agolli, më tregonte për z. Sheuqetin, se në burg i kishte mësuar të lexonte Kuranin e mjaft mësime e detyra të tjera fetare. Pas daljes nga burgu më ka takuar të rrija disa herë me të dhe të diskutonim për çështje të rëndësishme fetare. Ndër të tjera kishte synim të angazhohej për të përkthyer Kuranin nga turqishtja në shqip dhe shprehte shqetësim a do të arrinte të plotësonte këtë dëshirë të tij. Asnjëherë nuk pushoi së punuari për të kontribouar për fenë e më gjerë. Haxhi Faik Hoxha ka shfaqur këto kujtime: “Babai im, Sheh Qazim Hoxha, ka pasur miqësi të ngushtë me Sheuqet Mukën. Nga vizitat e bëra në shtëpinë time, nga bisedat e zhvilluara, nga mendimet e dëgjuara e nga përshtypjet e përhapura në opinionin publik kam mësuar se Sheuqet Mukaka qenë një personalitet i njohur jo vetëm për Shkodrën, por në shkallë vendi për ndihmesën e dhënë në veprimtarinë atdhetare, në lëmin e arsimit kombëtar si dhe në fushën fetare, si përkrahës i çdo përmirësimi, si kundërshtar i çdo pengese, neglizhence, indiferentizmi e vonese në zhvillimin e përparimin islam. Cilësitë pozitive ai i shfaqi edhe gjatë qëndrimit në burg. Aty kam takuar të burgosur që kishin kryer dënimin në Burrel së bashku me z. Sheuqetin, i cili u kishte mësuar mënyrën e faljes dhe alfabetin arab për leximin e Kuranit të madhërueshëm. Kështu kishte vepruar me Veli e Tahir Biçakun nga Librazhdi i Elbasanit etj. Sheuqet Muka gjatë gjithë jetës së tij dhe pas vdekjes, është kujtuar dhe kujtohet me nderim e vlerësim të veçantë për ndihmesën e çmueshme që ka dhënë si intelektual i shquar islam shkodran e shqiptar”. Paraqitja e mësipërme e veprimtarisë fetare të Sheuqet Mukës na lejon të nxjerrim disa përfundime të përgjithshme karakterizuese për personalitetin dhe kontributin e tij. Ai nuk e gjeti rrugën e hapur, problemet e shtruara, shqetësimet e zgjidhura, dëshirat e ëndrrat të përmbushura, por e nisi vetë nga e para, eci në shtigje të pashkelura, në një mjedis jo të favorshëm, në kushte të vështira, me mbingarkesë detyrash shtetërore, megjithatë u angazhua, punoi e luftoi dhe arriti sukses, duke patur meritën e nismëtarit e të pionierit për krijimin e një tradite të pasur në fushën e kulturës e arsimit islam. Ai nuk pati arsim, kurse e specializim fetar, nuk kreu detyra funksionale klerikale, nuk shërbeu në institucione e objekte kulti, nuk kishte petk fetar, megjithatë u formua si intelektual islam, si misionar i palodhur i fesë islame. Ai u shqua ndër më të dalluarit për gatishmëri, mobilizim e përkushtim, për veprimtari e krijimtari, duke përdorur kulturë e dituri për t’ju kundërvënë prapambetjes e errësirës, që të triumfonte e reja, e vërteta, drita islame. Për t’i arritur këto, përveç dijes e kulturës duhej edhe autoritet dhe popullaritet dhe ai i fitoi këto cilësi, sepse ishte parimor e entuziast, i dashur dhe popullor, tolerant e miqësor, i ndershëm dhe i drejtë, i thjeshtë dhe i sjellshëm. Kontributi i tij në dobi të fesë Islame në ato kushte e rrethana është i rrallë, i madh, i efektshëm, i gjithanshëm, sepse ai qe burim dije e edukimi, arsimi e kulture Islame. Me këtë veprimtari e krijimtari të pakrahasueshme, Sheuqet Muka e ka vendosur veten në radhën e parë të intelektualëve të shquar islamë laikë, si misionar i vërtetë dhe i devotshëm, si shembull i bukur dhe model frymëzimi, që do të kujtohet gjithmonë nga brezat me nderim e vlerësim, me dashamirësi e mirënjohje të përhershme. /Memorie.al
Vijon në numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016