Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon disa shkrime të panjohura të shtypit të periudhës së Monarkisë së Zogut të fundit të viteve ’30-të, të cilat i kushtonin një rëndësi të veçantë promovimit të resurseve turistike që ofronte Shqipëria, ku Enti Kombëtar i Turizmit zhvillonte një propagandë të madhe nëpërmjet shtypit për disa nga vendet më të frekuentuara, nga turistët vendas dhe të huaj, siç ishin qytetet e Pogradecit apo Korçës, me fshatrat e saj piktoreske, si: Mborja, Drenova, Morava, Bozdoveci, Boboshtica, Dardha, Voskopoja, Vithkuqi, etj., ku midis të tjerash thuhej: “Në të 17-in kilometrin nga Korça. Pa u mbushur edhe një kilometër, duhet të ç’lodhemi në Dardhë. Rruga kalon tani përmes pyllesh. Një pamje piktoreske jashtëzakonisht e bukur, zhvillohet para syve kur automobili kthen edhe një bërryl rruge dhe le të duket një pjesë e Dardhës. Koria e Shën Pjetrit, guri i vjeshtës për karshi, kodrat suare në Perëndim dhe kodrinat pranë rrugës së Devollit në Lindje dhe në mes Dardha. Natyra është treguar shumë dorëlëshuar, i ka falur Dardhës klimë të mirë dhe e ka stolisur me ngjyrat më të bukura. Dardharët nuk kanë prishur asgjë nga kjo bukuri, përkundrazi janë kujdesur me kohë ta ruajnë”
“Qyteti i Korçës të ofron jo vetëm një klimë ideale, jo vetëm ajër të dëlirët, jo vetëm ujë të lehtë, të shëndetshëm dhe të ftohtë, por edhe gjithë lehtësirat e jetës. Me 12 deri 15 fr. ar në muaj, gjen njeriu në Korçë, një dhomë të mirë, të mobiluar bukur, me një ose dy shtretër. Ushqimi nuk është i shtrenjtë. Mishi i Korçës shumë i shijshëm, vezë, pula dhe qumësht boll, gjalpi i parfumuar, fruta dhe zarzavate më mirë se kudo gjetkë. Edhe dëfrimet nuk mungojnë. Hyrja në kinema ku luhen po ata filma, që sillen edhe në Tiranë, kushton 2 lekë në lozhë dhe 1 lek në parter”. Kështu shkruante në mes të tjerash për qytetin e Korçës, e përditshmja “Drita”, një nga gazetat e shumta të periudhës së Monarkisë së Zogut, në fillimin e verës së vitit 1938, kur përgatitej të fillonte sezoni turistik i verës dhe ai qytet, popullohej nga vizitorë dhe pushues të shumtë, vendas dhe të huaj. Po cilat ishin resurset e tjera që u ofronte qyteti i Korçës dhe fshatrat e tij turistëve dhe vizitorëve të shumtë, gjatë viteve të Monarkisë së Zogut dhe me çfarë problemesh përballej ai qytet asokohe? Cili ishte roli dhe puna që bënin asokohe bashkitë, komunat si dhe Enti Kombëtar i Turizmit, për nxitjen dhe zhvillimin sa më të madh të turizmit, në atë qytet me një klime të shkëlqyer? Lidhur me këto dhe të tjera probleme të kësaj natyre, na njohin disa shkrime dhe reportazhe, të cilat Memorie.al i ka shkëputur nga shtypi i Monarkisë së Zogut të vitit 1938.
Gazeta “DRITA”: Korça, vend ideal verimi
Jemi në prag të pranverës. Mas një dimri të gjatë dhe të egër, duhet të përgatitemi për të filluar aktivitetin në të gjitha degët, me që në dimër nuk kemi mundësi të punojmë. Një nga këto degë është dhe ajo e turizmit. Natyrisht se në dimër nuk kemi ç’bëjmë në lëmën e zhvillimit turistik, përpos përgatitjeve dhe planeve që duhet të zhvillojmë verën e ardhme. Duke mbyllur bilancin e aktivitetit turistik gjatë verës së kaluar, të mundohemi të ndreqim të metat q’ë u shënuan, duke përpjekur njëkohësisht të përmirësojmë mjetet për pritjen e turistëve si në hotele, restorante te komunikacione etj. Nuk kemi dijeni se ç’bëhet nëpër qytete të tjera të Mbretërisë, as që dimë se ç’ka bërë “Enti Kombëtar i Turizmit” në këtë fushë, por dimë që neve këtu në Korçë mjerisht s’kemi bërë gjësendi dhe as që ndjehet ndonjë interes i madh nga kompetentët për zhvillimin e turizmit. Me këdo të bisedosh, është i një mëndje se turizmit i duhet dhënë rëndësia më e madhe, por me gjithë këto, askush nuk merre iniciativën për të krijuar një shoqëri, për zhvillimin e turizmit. Zhvillimi i turizmit sot ka marr një hov të madh në të gjitha shtetet e përparuara. Janë krijuar ente dhe shoqërira të ndihmuara me fonde të konsiderueshme prej shteteve përkatëse. Dobitë e mëdha ekonomike, shoqërore dhe kulturave, që sjell turizmi janë të pa bisedueshme. Ndër ne turizmi ka filluar të zhvillohet ndër vitet e fundit, me përpjekjet e Entit Kombëtar të Turizmit, dhe përfundimet kanë qenë të mira, por jo të shkëlqyera. Arsyet janë të shumta. Një nga arsyet kryesore padyshim është desinteresimi i popullit dhe e dyta, mungesa e mjeteve konfortabile për pritjen e turistëve të huaj. Me që bëjmë fjalë për Korçën, po japim një shembull: Sikur të behet e mundur të vizitojë qytetin t’onë njëherësh një grup prej 100 turistësh, Korça nuk ka hotele konfortabile ku të flenë. Gjithashtu sikur të duan këta turistë të vizitojnë rrethet e Korçës, që të themi se nuk do të gjejnë fare mjete komunikacioni, por pa dyshim se këto mjete do të jenë shumë të shtrenjta dhe të pa përshtatshme.
Ç’duhet bërë për Turizmin?
Thamë më sipër se Enti Kombëtar i Turizmit, po zhvillon një aktivitet të gjallë dhe të vazhdueshëm propagande turistike. Por ky aktivitet, sado i gjallë qoftë, nuk mundet kurrsesi të japë përfundimet e dëshiruara, pa ndihmën e popullit përgjithësisht, dhe të bashkive dhe të komunave veçanërisht. Populli duhet të kuptojnë se ç’do cantim që len turisti në vendin e tij, hyn drejt ose tërthorazi në xhepin e tij. Kjo është një nga arsyet që ç’do njeri të ndihmojë me çdo mjet zhvillimin e turizmit. Është e pamundur që Shteti ose Entet e Turizmit t’i bëjnë të gjitha. Po sjellim një shembull të vogël për desinteresimin e popullit ndaj turizmit. Vitin e kaluar kish ardhur një grup turistësh në Korçë. I takuam gjatë bulevardit dhe na kërkuan disa shpjegime në një gjuhë të huaj që ne nuk i dinim. Që të mund t’u shërbejmë, shkuam në kafenenë më të afërme dhe atje ju lumtë një zotnie që fliste atë gjuhë, t’u japë shpjegimet e dëshiruara turistëve. Po zotnia që po bënte muhabet, na u përgjigj: Kush çan kokën tani me ata!…Bashkia duhet të ndihmojë me sa t’ë mundet për zhvillimin e turizmit në Korçë. Pikësëpari duhet të ketë nën kontrollin e saj të rreptë pastërtinë e hoteleve dhe restoranteve. Njëkohësisht kjo duhet të zhvillojë edhe një propagandë me anë të broshurave të ilustruara. Të shtypë broshura në gjuhën amtare dhe të huaja duke treguar për viset e ndryshme historike, panoramike dhe klimaterike të Korçës, që mund t’a interesojnë turistin. Dhe Korça nuk është e vobektë në këto pasuri. Voskopoja dhe Vithkuqi janë dy katunde me mbeturina historike. Gjithashtu Dardha dhe Pogradeci janë vende klimaterike dhe panoramike që kënaqin syrin dhe shpirtin e çdo turisti sado pretencioz qoftë. Por njëkohësisht edhe komunat e katundeve t’ona historike dhe klimaterike, duhet të tregojnë një aktivitet të palodhshëm në përmirësimin dhe zbukurimin e katundeve në fjalë, dhe duke bërë propagandë sa më të gjallë për tërheqjen e turistëve. E dimë që vitin e kaluar ish formuar prej bashkisë një komision i posaçëm q’u muar me nxjerrjen e fotografive të qytetit dhe të viseve piktoreske të qarkut. U fol atëhere se do të përgatitej një broshurë për propagandë turistike, por deri më sot për fat nuk kemi parë gjësendi në shesh. Është koha t’i përvishemi punës.
Korça, vend ideal verimi
Të mbytur nga vapa e kryeqytetit- në mungese villash ne ranishten e Durrësit- me shumë shokë u muarmë vesh të ikim për disa ditë në Korçë. Zoti i bekoftë “automobilxhinjtë” që grihen midis tyre dhe na transportojnë me 10-15 leka, nga Tirana gjer këtu. Për t’u shkatërruar, do të shkatërrohen ata sigurisht, por dobare le të mbledhin disa bekime nga ne përfituesit. Edhe po te vuajnë në këtë botë, kanë të drejtën të shpresojnë se n’atë dynjanë tjetër do të jenë të lumtur. Erdhëm në Korçën e freskët, pa pluhur, pa mushkonja, me ujë të kulluar të ftohtë, me njerëz simpatikë, inteligjentë, dashamirës dhe punëtorë. Jemi tetëqind e kusur metra mbi nivelin e detit, vend ideal për verim. Për Korçarët që jetojnë dimër e verë këtu, duhet ndoshta një vend tjetër më i naltë për të ndërruar ajrin në stinën e verës. Por për Tiranasin, Durrsakun, Shkodranin, dhe shokët e tyre, që jetojnë disa metra përmbi det, vetëm qyteti i Korçës, është vendi ideal verimi, pse ka shtatëqind e kusur metra ndryshim naltësije. Dhe të afron qyteti i Korçës, jo vetëm një klimë ideale, vetëm ajër të dlirtë, jo vetëm ujë të lehtë, të shëndetshëm dhe të ftohtë, por edhe të gjithë lehtësirat e jetës. Më 12 gjer 15 fr. ar në muaj, gjen njeriu në Korçë një dhomë të mirë, bukur të mobiluar, me një ose dy shtretna. Ushqimi nuk është i shtrenjtë. Mishi i Korçës shumë i shijshëm, vezë, pula dhe qumësht boll, gjalpi i parfumuar, fruta dhe zarzavate më mirë se kudo gjetkë. Edhe dëfrimet nuk mungojnë. Hyrja në Cinema ku luhen po ato filma që sillen edhe në Tiranë, kushton 2 lekë në lozhë dhe 1 lek në parter. Jashtë Korçës ka kopshte-kafene të bukura, me muzikë dhe vend të posaçme për të kërcyer, lokale familjare ku kafja kushton vetëm gjysëm leku. Ka pastaj restaurante të mira e të pastërta, me çmime shumë të arsyeshme (me kushtin të flasësh shqip, pse ndryshe të marrin për të huaj dhe atëhere nuk garantojmë për çmimet), ka mish të pjekur që shitet me kandar, me okë, fare lirë, ushqim kryesor për familjet që verojnë këtu.
-Ky mishi i pjekur është një bekim Perëndie dhe një shpëtim për ne- më thosh një mik kavajas që ka ardhur të verojë në Korçë vetë i tretë.
–Pse? E pyeta plot kureshtje.
–Sepse me mish të pjekur, të cilin e gjen gjithmonë taze dhe të lirë në çmim, me një sallatë të mirë dhe me pak djathë e fruta, hamë bukë në shtëpi, d.m.th. në odën që kemi zënë me qera, pa qenë të detyruar të gatuajmë. Nga ndonjëherë xheku dërgojmë ndonjë tavë në furrë. Në këtë mënyrë me shumë ekonomi, shkojmë në Korçë dy muaj fare mirë. –Dhe kini parë ahir nga klimati i këtushmë?
-Për së tepërti. Në dy muaj, im bir shton këtu 5-6 qillo. Që kur kemi filluar të vijmë në Korçë e kemi dëbuar doktorin nga shtëpia! Korça ka dhe një tjetër avantazh Ka okë në vend të kilogramit. Okën turke të moçme.
Nata në Korçë
Në mbrëmjet e ngrohta të verës, Bulevardi Zog i I. i Korçës është vendi më i pëlqyer për shëtitjet. Qindra vetë, gra e burra, shëtisin krah për krah dhe grupe-grupe nëpër Bulevard. Është një pamje e bukur oksidentale që nuk mund ta paraqes sot për sot asnjë qytet tjetër i Shqipërisë. Një kafehanë-kopsht në fund të Bulevardit dhe një tjetër, më e madhe e më e bukur nga udha e Mborjes, e saze dhe vend të posaçme për të kërcyer, i japin vizitorit një vend të freskët e të pëlqyer shplodhje në netët e ngrohta. Natën në Korçë nuk ka lagështinë, prandaj nata verore është e ëmbël në këtë qytet malor. Gjumi është i lehtë dhe në mëngjes njeriu çohet i freskët dhe i përtëritur, plot qejfe e shëndet.
Mungon një zyrë turistike!
Për ata që kanë nevojë ta ndërrojnë ajrin dhe që xhepi nuk ua lejon të shpenzojnë shumë, qyteti i Korçës dhe katundet piktoreske të qarkut, janë shpëtimi. Si nëpër katundet Dardhë, Voskopojë, Vithkuq, Hoçisht, Boboshticë, ashtu dhe brenda në qytet, gjenden mjaft dhoma ose shtëpi që lëshohen me qera për stinën e verës, por veruesi s’ka se qysh vjen në kontakt me to. Mungon në Korçë një zyrë e posaçme turistike e cila të kujdeset e të regjistrojë me kohë këto banesa bashkë me çmimin përkatës që të mundë t’u shërbejë informata të sigurta të interesuarve. Një e tillë zyrë duhet krijuar sa më shpejt. Edhe Enti Kombëtar i Turizmit edhe Bashkia e Korçës e kanë për detyrë ta përkrahin zhvillimin turistik të qytetit dhe të qarkut, prandaj mundin të shpenzojnë aq sa duhet për t’u mbuluar qiraja e një zyre të vogël dhe rroga minimale e një nënpunësi që do të merret me këtë punë. Kurrgjë tjetër të mos bëj kjo zyrë veçse regjistrimin e banesave dhe pensioneve edhe shpërndarjen e informatave, prap e vlen barra qiranë. Në realitet kjo zyrë do të ketë mision më të gjerë dhe do të sjellë shërbime shumë të mëdha. Ta dashurojmë e t’a ndihmojmë Korçën, pse nga ç’do pikëpamje e meriton.
Si u prit të nxehtët e parë në Korçë. Panairi i Shesteve-Ekskursionet nëpër fshatrat
Panairi tradicional i shesteve u ndihmua sivjet prej një kohe të bukur por të nxetë. Pothuaj të gjithë korçarët, i madh i e vogël, ngrihen dhe shkojnë në Mborje për t’u ndodhur në këtë panair të pasur në dëfrime të thjeshta po të këndshme. Korçarët, të Dielën e shkuar, me rastin e këtij kremtimi, bënë përshëndetjen e parë nëpër fusha më të nxehtët e verës. Rruga që shpije për në Mborje, njohu në këtë ditë lëvizjen më të madhe. Automobilat, dhe këmbësorët, burra, gra, fëmijë, të gjithë me pajisje ekskursioni, formojnë një varg që mbush në gjatësi dhe gjerësi rrugën e Mborjes. Korça plakë dhe njëkohësisht nuse, e priti me krahë hapur ngrohtësinë e verës. Dëfreu dhe u gëzua. Panairi i shesteve ka qenë një rast i mirë për ta ndjerë kalimin nga një Pranverë dimërore, siç ka qenë sivjet, në një Verë të plotë. Por Korça nuk është e padurueshme në Verë. Me klimë të shëndetshme, ky qytet, ka disa kopshte të bukura për rreth tij që vlejnë për ta zbavitur popullin dhe për t’i dhënë erë të pastër. Këtu i kalon orët e pushimit korçari këtu shkon edhe vizitori orët e shplodhjes./Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016