Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të krizës së thellë ekonomike të viteve ’30-të, që kishte mbërthyer mbarë botën, e cila u ndie shumë edhe në Shqipërinë e varfër të Monarkisë së Zogut. Cilat ishin pasojat e asaj krizës ekonomike dhe ankesat e shumta të tregtarëve vendas, për Bankën Kombëtare të Shqipërisë, që konsiderohej prej tyre si ”Dull Huta”, fajdexhiu i famshëm që u jepte para me fajde tregtarëve. Si u pasqyrua ajo krizë ekonomike në shtypin e kohës, siç ishte revista e specializuar vetëm për ekonominë që titullohej “Ekonomia Kombëtare”, e cila drejtohej nga publicisti i njohur Anastas Plasari dhe gazeta “Arbnia” që drejtohej nga botuesi dhe gazetari i njohur, Nebil Çika?!
Gjatë gjithë periudhës së Monarkisë së Zogut dhe viteve të pushtimit nazi-fashist të vendit, 1939-‘44, shtypi shqiptar i asaj kohe i kushtonte një kujdes të veçantë edhe problemeve ekonomike. Madje siç dihet asokohe ka pasur edhe një revistë të specializuar vetëm për ekonominë që titullohej “Ekonomia Kombëtare”, e cila drejtohej nga publicisti i njohur Anastas Plasari. Përveç kësaj reviste e cila trajtonte me kompetencë të plotë gjithçka lidhej me ekonominë kombëtare, dhe më gjerë në rajon e botë, pjesa më e madhe e gazetave të asaj kohe i kushtonin një deri në dy faqe, problemeve ekonomike. Një nga ato gazeta të asaj kohe që trajtonte gjerësisht problemet ekonomike, ka qenë dhe “ARBËNIA”, e cila botohej në Tiranë nga gazetari e botuesi i njohur, Nebil Çika. Nga kjo revistë ne kemi shkëputur disa pjesë nga dy artikuj të datave 2,3, dhe 4 janar 1936, ku flitet për pasojat e krizës botërore që përfshinë edhe Shqipërinë e viteve ’30-të, si dhe ankesat e shumta të tregtarëve shqiptarë të asaj kohe, lidhur me Bankën Kombëtare të Shqipërisë, të cilën ata e konsideronin si “Dull Huta”, fajdexhiu i njohur tiranas që jepte para me fajde tregtarëve të kryeqytetit dhe qyteteve të tjera të Shqipërisë së Mesme.
“Nevoja e moratoriumit dhe përgjegjësit e gjendjes”
Në artikullin “Nevoja e moratoriumit”, midis të tjerash thuhet: “Është e vërtetë se kriza ekonomike botërore e cila është atributi karakteristik e sistemit social t’ë epokës s’onë, deri diku e preku gjendjen ekonomike të vendit, vetëm tue paksue eksportin mizerabël të prodhimit kombëtar, por kjo në asnjë mënyrë nuk shkaktoi fukarallëkun e sotshëm të popullit shqiptar. Prandaj ata që pretendojnë se vetëm kriza botore influencoj mbi gjendjen ekonomike dhe përgatiti fushën e mjerimit të popullit t’onë, ata janë mashtruesit e opinionit publik, ata janë faktorët kryesorë të gjendjes së sotshme, ata duan me humb gjurmët e dukshme të shpërdorimit që kanë bërë dikur. Kriza ekonomike botnore është kriza e superprodhimit, kjo domethënë se në botën kapitaliste u prodhuan plaçka ma tepër se ç’kërkonte tregu, prandaj u shkaktua ulja e çmimeve. Pra shtetet agrare si Shqipnija, që importojnë produkte industriale, nuk humbën por përfituen nga kjo gjendje, sepse po për atë sasi plaçkash, që importofshin përpara krizës, sot eksportojnë shumë më pak të holla. Përveç kësaj shtetet që patën njerëz me kokë në krye të punës, nuk u gënjyen nga sasia e plaçkave, ato kufizuan me kohë daljen e të hollave, shtuan fuqitë e prodhimit dhe eksportin, ulën rrogat e nënpunësavet, luftuan kontrabandën dhe me të tilla mënyra evituan që kriza ekonomike t’u transformonte në një mizerje të përgjithshme siç u bë në Atdheun t’onë”.
Ndërsa në artikullin tjetër me titull: “Tregtarë-zejtarë-industrialë” dhe nëntitull: “Gjendja dhe ankime-Krizë, taksa dhe moskujdese shtetërore”, gazeta “Arbnia” na paraqet një reportazh të bërë nga një gazetar i saj nëpër dyqanet e tregtarët tiranas, të cilët ankohen për praktikat e Bankës Kombëtare. Nga ky shkrim, ne po japim disa pjesë duke iu përmbajtur gjuhës zyrtare të asaj kohe.
“Banka, si tregtari çifut”
“Po me Bankën Kombëtare si shkoni zoti Gjinali?-Firma jonë ka qenë e detyruar që të mos përdorojë tregtinë bankare për arsye të lakmisë së Bankës. Huatë ngarkohen me interes dhe komisione të pa-arsyeshme. Pastaj i mungon dhe serioziteti. ”Ke për të skontuar një çek në monedhë të huaj? Nuk ka një çmim dhe duhet të hysh në pazarllëk. Të thotë: sterlina ka 15.22; i thua se Banka Jugosllave e ka 15.05; fillon atëhere pazarllëkun tamam si jahudi. Prix-fix për Bankën Kombëtare, është një gjë e pakuptueshme. Përpiqet të fitojë sa të jetë e mundur sa më tepër. Pra, prej këtij instituti nuk duhet pritur që të ndihmojë tregtinë, pse lakmia dhe ndihma janë dy gjëra që s’pajtohen në në asnjë mënyrë. Pastaj në ç’yshtjen e kredive që akordon, nuk ka asnjë kriter, ose si kriter ka dhe këtu fitimin. Fitim, sa të jetë e mundur më tepër. Ky është parimi i Bankës. Oda e Tregtisë duhet të ishte një institut i domosdoshëm, por siç është sot, nuk na hyn aspak në punë. Mjerisht nuk i kanë dhënë asnjë kompetencë. E kanë një zyrë të Ministrisë së Ekonomisë Kombëtare, në vend që ta kishin një Ent indipendent, një organizatë të tregtarëve. Sot e vetmja kompetencë që ka ajo është mbledhja e taksave dhe lëshimi i certifikatave kredie. Dhe të dyja të mërzitshme për tregtinë. Më mirë të suprimohen dhe të krijohen Odat e Ekonomisë, të cilat janë më të nevojshme për vendin t’onë bujqësor.
“Banka Kombëtare, vetëm për të rrjepur”
Harruam Bankën…se çka vuajtur tregtari me këtë Bankë nuk merret me mënd. Sot që ka edhe një konkurrent, Bankën Jugosllave, diçka i erdhi logjikës por përpara? Komisioni merrte sa i deshte qejfi. Nuk kishte një tarifë të caktuar. Dëgjoni një histori të vogël. Unë jam mësuar që hesapet e mija t’i bëj sa më qartë. Kisha kërkuar një ofertë për një sasi malli para do kohe dhe mora përgjigje për çmimin çif në Durrës. Hetova me çfarë shpenzimesh do të rëndohesh ky çmim dhe mbeta të mësonja edhe shpenzimet e Bankës, që kështu duke ditur të gjithë shpenzimet që do të rëndonin në çmimin e mallit, konstatoja në se më leverdiste. Shkova te Banka dhe i bërë nëpunësit këtë pyetje: A mund të më jepni një listë të komisioneve që merrni ju për dokumentet që vijnë me anën e Bankës? Ay m’u përgjigj me një gjuhë të vrazhdë se nuk mund të më jepej. Pastaj konstatova se ai merrte komisione sa deshte. Herë ½, herë 2%, me një fjalë sipas rastit dhe personit. Këto i solla në dijeni të Odës së Tregtisë në një mbledhje, duke u ankuar edhe për çështjen e kambjos për të cilin Banka kurrë nuk respekton buletinin e saj që boton, por pranon ose shet sipas rastit dhe personit. Nuk e di se ç’bëri Oda e Tregtisë por një ditë që shkova tek Drejtori i Bankës, po sa dëgjoi emrin tim më tha: Nuk je klient i ynë!…Peqe i thashë dhe ika. Kishte të drejtë. Si mund të isha klient i saj kur protestoja kundër tamahqarllëkut të saj? Ke një dokument në bankë. Të lajmëron herën e parë. Nuk shkon për ta tërhequr dokumentin për arsye se malli nuk ka dalë në Durrës. Pas pesë ditësh të dërgon një lajmërim tjetër. Kur vete për të tërhequr dokumentet, të kërkon 0,50 franga ari për lajmërimin e dytë. Dhe me telegram të kishte bërë këtë lajmërim, të cilin fund i fundit nuk kuptojnë për se ta bënte, gjene 0,50 franga ari nuk do të kushtonte. “Sa për kreditë që akordon, nuk merr si bazë ndershmërinë e personit, ose fuqinë e tij, por i akordon si ja do qejfi. “Pastaj merre dhe interes të madh, ndofta ligjor, por për kohën e sotshme është shumë.
“Banka, aleatja e fajdexhinjve”
Dhe zoti Ismail Hajdari, vazhdoi: “Prandaj edhe shumë tregtarë, nuk duan të punojnë me atë Bankë, Dhe shtrëngohen ata që kanë nevojë, t’i marrin hua me hipotekë nga fajdexhinjtë duke paguar edhe 120% fajde akoma. Pse? Sepse Banka nuk do, ose nuk mundet të ndihmojë tregtarin e shkretë, i cili i detyruar të akordojë kredira pa fajdera, e megjithëkëtë nuk ka asnjë institut që ta ndihmojë. Në qoftë se Banka, nuk ndihmonte tregtarin financiarisht, do të zhdukeshin dhe fajdexhinjtë nga tregu ynë, do të shpëtonin bota. Por Banka me sjelljen e saj, duket si aleatja e tyre.
“Moratoriumi”
-Më the, zoti Ismajl, se tregtarët kanë borxhe, si ju duket juve një moratorium? Dhe zoti Hajdari na përgjigjet: Duhet një moratorium. Domosdo do të ketë një efekt të mirë. Sa për mua nuk kam për të fituar gjë, pse shyqyr zotit, nuk kam asnjë borxh, por flasim për shumicën. Moratoriumi është i nevojshëm. Dhe zoti Hajdari i dha fund muhabetit tonë. Këtu le të na premtohet një parantezë. Fjala është për Bankën Kombëtare. Shumë po shumë ankime kemi dëgjuar kundra asaj Banke. Si qëndron puna? Kanë të drejtë tregtarët apo e marrin më qafë kot? Sidoqoftë ne do të hetojmë veçanërisht këtë çështje. E vlen barra qiranë, pse nuk duhet harruar se Banka ka një titull: Banka Kombëtare e Shqipërisë. Po le të vazhdojmë udhëtimin tonë.
“Përsëri taksat e Bashkisë”
Veç kësaj, na deklaroj se paguajnë më shumë taksa në Bashki sa s’i mbajmë dot. Që kur erdhi Abedin Nepravishta në Bashkinë e këtushme, me gjithë që gjendja jonë ishte e keqe, na i shtoj taksat e Bashkisë. Sa më tepër keqësohet gjendja, ai aq më shumë na vente taksa. Tashi shpresojmë se ky kryetari i ri, që është edhe djal i ri, do të na i heqë pak këto taksa, pse vallahi s’munt t’i paguajmë…
“Ku, na del përsëri Banka”
Një nga tregtarët, si shkak të fatkeqësisë së tregtisë s’onë, gjen në radhën e parë edhe Bankën Kombëtare, dhe ja si e justifikon: “Kur nuk kishim Bankën, ishim në rregull, as kambiale dijshim kurrgjë. Lere që i kishim të gjitha në rregull, por edhe kur kapte nevoja njeri për disa të holla, shkonte në ndonjë esnaf dhe merrte me një fjalë goje, të hollat që i duheshin. Që kur erdhi ajo Banka u prish terezia. Ajo filloi të japë kredira me kambiale dhe gjer sa kishte para populli nuk kishim gajle, por që kur filloi kriza, puna u prish. Tregtarët me qenë se gjejnë të holla në Banka, merrnin aty. Mirë po me krizën, vinte afati dhe tregtari për të mos u fëlliqur, detyroheshin të merrnin para me fajde, duke vënë shtëpinë peng, ose të lante Bankën se ajo nuk pranonte që të kalojë asnjë minut. O Paratë ose protesto. Ja kështu ra tregtari në duart e fajdexhinjve dhe sot është frikë të humbasë shtëpinë e tij. Sot Banka i kufizoj kreditë. Domethënë na hapi një bela, na tha se do të ndihmojë, na futi në borxhe dhe tani na la fare. Ke protestuar dhe s’të jep kredi, të thotë. Nuk do të dijë as nga kriza dhe as për hiç gjë. Pastaj se sa na merr për komisione, për shpenzime e të tjera, zoti na ruajt. Ke për të paguar një kambial. Nuk je në pozitë për ta paguar brenda 48 orëve; të dijë se je i ndershëm dhe ke arsye që s’e pagove; nuk pret, por menjëherë të dërgon në protesto. Shkon ta paguash te noteri para se të bëhet protestoja dhe midis të tjerave paguan edhe 2.50 shpenzime bankare. Domethënë i jep një dhuratë për diskreditimin që të bën. E dimë që ligja të thotë që të bëhet protesto posa nuk u pagua një kambial, por Banka duhet të marr vesh edhe nga kriza e sotshme. Në është se një tregtar është batakçi dhe prandaj nuk paguan ta protestojë, por në është se nuk paguan nga shkaku i krizës, Banka si Bankë Kombëtare që është dhe si ndihmës i tregtisë që thotë se është, nuk duhet ta protestojë”. I shkreti kujtonte se Banka ka për qëllim të ndihmojë tregtarët shqiptarë!..Jo mor i uruar, Banka një qëllim ka: Fitimin, sa të jetë e mundur më tepër. Një që i shpjegova se Banka si një anterprizë tregtare, duhesh të fitonte, m’u përgjigj: “Po atëhere pse thotë Banka Kombëtare se është për të mirën e Shqipërisë, çfarë ndryshimi ka me Dull Hutën që jep para me fajde?” Me të vërtetë çfarë ndryshimi ka me Dull Hutën. Ka këtë ndryshim se është instaluar në zyra madhështore dhe e ka titullin: Banka Kombëtare e Shqipërisë. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016