Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të repartit special të avionëve dhe helikopterëve ushtarak personal të Enver Hoxhës dhe udhëheqjes së lartë të PPSH-së gjatë periudhës së regjimit komunist, nëpërmjet dëshmive të rralla të ish-komandantit të Aviacionit Luftarak, kolonelit Edip Ohri, i cili kujtonte ngjarjen e vitit 1971, kur dy krerët më të lartë të shtetit shqiptar, Enver Hoxha dhe kryeministri Mehmet Shehu, shfaqën dëshirën dhe kryen një shëtitje me helikopter mbi hapësirën ajrore të Tiranës. Përse ai udhëtim i dy krerëve kryesorë të shtetit shqiptar alarmoi udhëheqjen e lartë të Republikës Popullore të Kinës, të cilët thirrën menjëherë në Shtabin e Përgjithshëm, Edip Ohrin, që asokohe ndodhej për një vizitë zyrtare në Pekin dhe çfarë i thanë atij…?!
Zoti Ohri, kur është krijuar për herë të parë Aviacioni Luftarak në Shqipëri dhe cilët ishin tipet e avionëve të parë që erdhën në vendin tonë asokohe?
Shqipëria ka pasur avionë edhe në kohën e Monarkisë së Zogut dhe gjatë Luftës, por arma e vërtetë e Aviacionit Luftarak Shqiptar, u krijua më 24 prill të vitit 1951, me disa avionë të tipit “Jak-9” të Luftës së Dytë Botërore, të cilët na i dhuroi qeveria e Bashkimit Sovjetik. Nisur nga fakti se në ato vite kishte shumë shkelje të hapësirës ajrore shqiptare nga avionë të huaj, krijimi i armës së Aviacionit Luftarak shikohej si një gjë emergjente. Në atë kohë, nga ana e mbrojtjes, toka dhe deti ishin të siguruara, dhe vetëm dimensioni i tretë, qielli, ishte i zbuluar. Në këtë kuadër nga Bashkimi Sovjetik fillimisht erdhën një skuadrilje avionësh (12 copë), dhe më pas në vitin 1955,(me organizimin e trupave të Mbrojtjes Kundërajrore) erdhën edhe disa avionë reaktiv të kohës, “Mig-15”.
Po helikopterët e parë kur erdhën në Shqipëri?
Në vitin 1957, Aviacionit Luftarak Shqiptar, i’u shtua edhe një armatim i ri, helikopterët “Mi-1” (2 copë) dhe “Mi-4” (6 copë), të cilët u inkuadruan në një detashment ajror të dislokuar në fushën e aviacionit në Laprakë. Efektivi i tyre me komandant, major Peço Polena, ishte përgatitur që më parë në Bashkimin Sovjetik dhe ata erdhën bashkë me helikopterët përkatës. Ardhja e atyre helikopterëve e forcoi më tej aviacionin shqiptar, sepse përveç avionëve gjuajtës, helikopteri gjente përdorim të gjerë në terrenin malor tepër të thyer që kishte vendi ynë. Për kohën, këto helikopterë ishin mjaft të mirë dhe ato tipe kishte në përdorim edhe Traktati i Varshavës. Vlen për t’u theksuar se të gjitha armatimet, e në veçanti aviacionin, (pjesë ndërrimi dhe asistencë teknike) ne i merrnim falas nga Bashkimi Sovjetik, në kuadrin e Traktatit të Varshavës ku aderonim asokohe. Madje sovjetikët insistonin vetë që ushtria shqiptare të furnizohej me helikopterë, duke thënë: “Helikopterët janë të domosdoshëm në kushtet e terrenit të thyer që ka Shqipëria”.
Po vendet fqinje, si: Greqia, Italia dhe Jugosllavia, çfarë helikopterësh dispononin në atë kohë?
Ato kishin helikopterë amerikanë që i merrnin drejtpërdrejt nga SHBA-ja, ndërsa Jugosllavia i merrte nëpërmjet Greqisë, e cila furnizohej rregullisht me armatime nga amerikanët.
Sa helikopterë dispononte vendi ynë në ato vite dhe sa prej tyre ishin në dispozicion të udhëheqjes së lartë të PPSH-së?
Nga viti 1957 deri në 1967-ën që Shqipëria doli edhe de jure nga Traktati i Varshavës, vendi ynë kishte në shfrytëzim vetëm ato 8 helikopterë që kishte marrë nga Bashkimi Sovjetik. Deri në ’67-ën, asnjë nga udhëheqja e lartë nuk hipi apo udhëtoi me ato helikopterë, me përjashtim të disa ushtarakëve të lartë, në raste të veçanta. Enver Hoxha kishte avionin e tij personal “Ill-14” që i’a dhuroi qeveria sovjetike dhe deri sa qe gjallë, ai atë përdori. Me atë avion nuk kishte të drejtë të udhëtonte asnjë njeri tjetër. Ndërsa helikopterët e parë që morëm nga Bashkimi Sovjetik, merrnin 12 persona, por nuk ishin komodë. Përveç ushtrisë që i kishte në përdorim, gjatë atyre viteve ata ishin të destinuar edhe për emergjenca civile nga më të ndryshmet, si: raste tërmetesh, përmbytjesh, të sëmurësh, gra që lindnin, shpërndarje ushqimesh, ndihmash, etj. Deri edhe për elektrifikimin e vendit janë përdorur, por nga që ishin pak, në radhë të parë ne i ruanim ato për vete.
Nisur nga përdorimi i gjerë i tyre, nuk ishin pak, 8 helikopterë, për një vend tejet i militarizuar siç ishte Shqipëria?
Në ’57-ën kur erdhi Marshalli Zhukov në Shqipëri, u bë një stërvitje e madhe me qendër në Voskopojë, ku transporti i pjesëve të artilerisë së rëndë kryhej me mushka. Tepër i habitur ai tha: “Të mos i shoh më mushkat që mbajnë armatime. Bëni kërkesë që ato të hiqen dhe t’ju sjellim helikopterë për transportin e pajisjeve të artilerisë”. Por Zhukovi u shkarkua me të mbërritur në Moskë dhe me prishjen e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, ajo gjë mbeti e parealizuar. Ardhja e helikopterëve të tjerë u bë e mundur vetëm më 6 dhjetor 1967, nga Kina. Pas prishjes me rusët dhe lidhjes së marrëdhënieve të ngushta me Kinën, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Kineze pranoi menjëherë kërkesën tonë për t’u pajisur me helikopterë, duke e quajtur atë të bazuar dhe të domosdoshme. Bashkë me 12 avionë “An-2”, kinezët na dhanë menjëherë 36 helikopterë, me të cilët ne krijuam regjimentin e Farkës me komandant, Lulo Musain. I gjithë efektivi i atij reparti, pilotë dhe inxhiniero-teknik, u përgatitën në Shqipëri. Ashtu si dhe Traktati i Varshavës, edhe Kina i jepte prioritet përdorimit të helikopterëve në Shqipëri. Madje në 1971 kur isha në Kinë me Ministrin e Mbrojtjes, Beqir Ballukun, kinezët na premtuan helikopterë “MI-6”, (më të mirët për kohën) me turbo-helikë, por pas ftohjes së marrëdhënieve në mes dy vendeve ajo gjë nuk u realizua. Pas vitit 1967, përdorimi i helikopterëve për emergjenca civile u shtua së tepërmi.
Kush kishte të drejtën e urdhrit për t’i ngritur helikopterët në fluturim?
Vetëm Ministria e Mbrojtjes urdhëronte përdorimin e tyre. Ajo urdhëronte Komandën e Mbrojtjes Kundërajrore dhe ajo urdhëronte Komandën e Aviacionit, në rastin konkret, mua personalisht. Asnjë avion apo helikopter nuk ngrihej dot pa kaluar në këto procedurë hierarkike e cila dokumentohej me saktësinë më të madhe. Në bazë të misionit që do të kryenin dhe veçorive që duheshin përmbushur, ditën apo natën, Komanda e Përgjithshme e Aviacionit, caktonte dhe ekuipazhin përkatës që do të fluturonte. Vazhdimisht një çift helikopterësh qëndronte në gatishmëri të plotë së bashku me efektivin.
Po për udhëheqjen e lartë a kishte helikopterë të veçantë?
Dy nga ata 36 helikopterë që na dhanë kinezët në ’67-ën, ishin për transport pasagjerësh, të pajisur me kolltuqe për gjashtë persona. Ata ishin të destinuar për udhëheqjen e lartë të PPSH-së, por Enveri me Mehmetin nuk hipën kurrë në ato dy helikopterë, të cilët u shfrytëzuan gjerësisht nga anëtarët e tjerë të Byrosë Politike dhe ata të Ministrisë së Mbrojtjes. Bashkë me ata helikopterë, kinezët na dhuruan edhe tre avionë “Ill-14”. Një ishte për Enverin, një për përdorim të përgjithshëm, dhe një për shërbim aero fotografimi etj. Këta tre avionë bashkë me atë që Enverit ia kishin dhuruar sovjetikët në 1957-ën, ishin të instaluar në një detashment të veçantë në Laprakë të Tiranë, i cili quhej: Detashmenti i Avionëve Qeveritarë dhe komandant i tij, ishte Babaçe Faiku.
Gjatë kohës që ju keni qenë në krye të Aviacionit Shqiptar, por dhe më pas, deri në vitet ’90-të, a ka pasur incidente me helikopterët?
Nga viti 1957 kur erdhën helikopterët e parë e deri në vitin 1989, kur ndodhi aksidenti tragjik me dy helikopterët që u rrëzuan në Qafë të Llogarasë, ku kishin shkuar për të marrë studentët e aksidentuar me autobusin e tyre, ka pasur vetëm katër incidente me helikopterë, por pa asnjë viktimë. Dy incidentet e para me helikopterët “Mi-2” ndodhën gjatë stërvitjeve të ndryshme në vitin 1957 në Shijak dhe në Tiranë. Gjatë rrëzimit ata u dëmtuan shumë dhe si rezultat u nxorën jashtë përdorimit. Një vit më vonë, në 1958-ën, u rrëzua një helikopter tjetër “Mi-4” gjatë një stërvitje në Voskopojë. Ai u rrëzua gjatë ngritjes duke u përplasur në tokë, por pa asnjë pasojë për ekuipazhin e tij.
Po helikopteri i katërt?
Helikopteri i katërt u rrëzua diku aty nga fillimi i viteve ’70-të, në Fush-Lirëz të Skraparit (afër Helmësit) ku bëhej përvjetori i festës së Kongresit të parë të Rinisë Komuniste. Në atë festë ishte parashikuar të shkonte Ramiz Alia apo shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Petrit Dume. Ne e kishim si praktikë pune, që kur donte të udhëtonte ndonjë nga udhëheqja, ne bënim një provë. Kështu dhe ai helikopter u rrëzua gjatë provave për t’u ulur aty dhe si përfundim u nxor jashtë përdorimit.
A mbante përgjegjësi njeri për këto incidente?
Sigurisht që mbanim, unë në radhë të parë si Komandant i Përgjithshëm i Aviacionit. Për të katër këto incidente, ka pasur masa të ndryshme dënimi, por jo të rënda.
Përveç këtyre katër incidenteve, a ka pasur të tjerë deri në vitin 1990?
Nuk ka pasur asnjë tjetër, përveç atyre dy helikopterëve në Qafë të Llogarasë në 1989-ën, që tashmë janë të njohura për publikun që nga ajo ditë kur ndodhi tragjedia.
Dëshmia e ish-komandantit të Aviacionit: “Në vitin 1971, Enveri dhe Mehmeti bënë shëtitjen e parë me helikopterë”
Ish-komandanti i përgjithshëm i Aviacionit Luftarak Shqiptar, koloneli në pension, Edip Ohri, kujtonte edhe për udhëtimin e parë me helikopter të dy krerëve më të lartë të shtetit komunist shqiptar, Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut. Lidhur me këtë, ai dëshmonte: “Në ’71-in, Enveri shfaqi dëshirën, që së bashku me Mehmet Shehun, të bënte një udhëtim me helikopter në rajonin e Tiranës. Unë në atë kohë ndodhesha në Kinë dhe atë udhëtim e organizoi e përgatiti zëvendësi im, së bashku me gjithë komandën e përgjithshme të Aviacionit, të cilët zgjodhën pilotët më të mirë. Pas shumë përgatitjeve dhe ndër masa tepër të larta sigurie, ai udhëtim i Enverit e Mehmetit u krye, por veç e veç në dy helikopterë. Në përfundim të udhëtimit që nuk zgjatën më shumë se 30 minuta për secilin, Enveri dhe Mehmeti u kënaqën dhe vlerësuan e përgëzuan punën e pilotëve tanë. Por po atë ditë, mua më thërritën në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Kineze, ku më tërhoqën vërejtje të rëndë se pse kisha lejuar që Enveri dhe Mehmeti të udhëtonin me avionë të serisë. Aty më thanë: “Kemi marrë vesh se Enveri dhe Mehmeti kanë fluturuar me avionë të serisë. Përse e keni bërë këtë gjë? Kjo është e patolerueshme. Na thoni t’ju dërgojmë helikopterë të veçantë”. Menjëherë pas atij takimi unë dërgova radiogram për atë që më kishin thënë kinezët dhe në vitet që pasuan ajo gjë nuk u përsërit më. Nisur nga ajo këshillë dashamirëse e kinezëve, Enveri dhe Mehmeti nuk lëvizën më me ato dy helikopterë, kurse të tjerë anëtarë të Byrosë Politike etj., i shfrytëzuan gjerësisht më pas”. Kështu e kujtonte ish-kreu i Aviacionit Luftarak Shqiptar, udhëtimin e parë me helikopter të Enverit e Mehmetit, duke shtuar se ai fluturim i dy udhëheqësve të lartë, i kushtoi jo pak atij personalisht, vite më vonë kur u arrestua dhe u dënua si “armik i popullit”. Ohri kujton se Sulo Gradeci në librin e tij “30-vjet pranë komandantit”, për të më rënduar, ka shkruar se: “Fluturimi me helikopter i Enverit dhe Mehmetit, u bë me qëllim të caktuar nga Edip Ohri”.
Dëshmia e kolonelit: “Detashmenti special i avionit personal të Enverit ruhej nga Garda e Republikës dhe as unë nuk kisha të drejtë të afrohesha aty”!
Ish-komandanti i Përgjithshëm i Aviacionit Luftarak Shqiptar, kolonel Edip Ohri, kujtonte se gjatë regjimit komunist të para viteve ’90-të, ka ekzistuar edhe një detashment i veçantë për avionët e udhëheqjes dhe atë personal të Enver Hoxhës. Lidhur me këtë gjë, ai tregonte: “Avioni i parë personal që ka pasur Enveri ka qenë një “Ill-14” që i dhuruan sovjetikët në vitin 1957. Në vitin 1971 një tip të tillë, por më të sofistikuar, i dhuruan dhe kinezët. Ata dy avionë dhe dy të tjerë që ishin të destinuar për udhëheqjen e lartë ishin të dislokuara në një detashment të veçantë në Laprakë të Tiranës, i cili njihej si: Detashmenti i Avionëve të Udhëheqjes. Komandant i atij detashmenti special ku ishin përqendruar specialistët dhe pilotët më të mirë, ishte Babaçe Faiku. Këta katër avionë ishin me një instruksion të posaçëm të miratuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Brendshme, që kishte rregulla tepër strikte me të cilat nuk mund t’i shkonte mëndja të luante askush. Çdo kërkesë që bëhej për fluturimin e Enver Hoxhës dhe anëtarëve të tjerë të Byrosë Politike, kalonte nëpërmjet Drejtorisë së Dytë të Ministrisë së Brendshme, e cila ishte e destinuar për ruajtjen dhe sigurimin e jetës së udhëheqjes së lartë të PPSH-së. Kur bëhej fjalë se ata avionë do të lëviznin, brenda vendit, kërkesa duhej bërë jo më pak se 48 orë përpara, përndryshe, në mënyrë kategorike ajo nuk pranohej nga ana jonë. Ndërsa kur bëhej fjalë për udhëtime jashtë vendit, lajmërimi bëhej disa ditë parapara, sa të zgjasnin procedurat e vizave etj. Ky repart ku ndodheshin katër avionët qeveritarë, ruhej me një shërbim tepër special nga Garda e Republikës, dhe asnjeri tjetër përveç komandantit Babaçe Faiku, nuk mund të afrohej aty. As unë si Komandant i Përgjithshëm i Aviacionit Luftarak nuk kisha të drejtë të afrohesha, pa lejen dhe praninë e komandantit të atij grupi, Babaçe Faikut, i cili njëkohësisht ishte dhe pilot i parë i Enver Hoxhës. (pilot i dytë ka qenë Hamit Ulqinaku, djali i “Heroit të Popullit”, Mujo Ulqinakut). Që nga viti 1957 e deri sa qe gjallë Enver Hoxha, ky detashment avionësh ka fluturuar pothuaj në të gjitha vendet e Lindjes komuniste (Demokracitë Popullore) dhe deri në Itali, duke mos pasur as avarinë më të vogël. Riparimi i tyre kapital fillimisht bëhej në ish-Bashkimin Sovjetik dhe pas prishjes së marrëdhënieve më Moskën zyrtare, e deri në fundin e viteve ’80-të, ai bëhej në Rumani. Nuk kishte vend tjetër më të sigurt se Rumania për riparimin e atyre avionëve, të cilët rumunët e bënin me garanci tejet të lartë, pasi porosia ishte për Enver Hoxhën”./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016