Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al publikon disa dokumenta arkivore të nxjerra nga Arkivi Qëndror i Shtetit, (fondi i ish-komitetit Qëndror të PPSH-së), ku ndodhen ditarët sekretë të ish-kreut të Partisë së Punës së Shqipërisë, Enver Hoxha, të cilët i përkasin periudhës janar – shkurt të vitit 1961, kur konfliktet në mes udhëheqjes së lartë të PPSH-së dhe Moskës zyrtare, ishin acaruar së tepërmi, sidomos në prag të mbajtjes së Kongresit të IV-të të PPSH-së. Çfarë shkruan ish-udhëheqësi kryesor i Shqipërisë komuniste në ditarët e tij lidhur me vijën e re politike që po ndiqte kreu i Kremlinit, Nikita Hrushov, procesin e destalinizimit të Bashkimit Sovjetik, marrdhëniet me Shqipërinë, si dhe raportet e Tiranës zyrtare me disa nga vëndet e tjera të Evropës Lindore dhe ato të partive marksiste-leniniste të vëndeve Perëndimore, si Dolores Ibarruri, etj. Bashkë me ditarët sekret, Memorie.al publikon dhe disa foto të rralla të Enver Hoxhës dhe udhëheqjes së lartë të PPSH-së, ku ata kanë dalë gjatë vizitave të tyre në Bashkimin Sovjetik dhe disa vënde të tjera komuniste të Evropës Lindore, si Bullgari, Hungari, Çekosllovaki, Gjermaninë Lindore, etj.
“Që prej pesë ditësh vazhdon punimet Plenumi Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Plenum i thënçin, pse ai ka marrë pamjen e një mitingu të madh kuadrosh. Atje po mbahen raporte nga të gjithë sekretarët e partisë të republikave sovjetike, nga të cilat del qartë se ka gabime shumë të rënda. në bujqësi. Por këtë herë Nikita s’ia hedh dot fajin Stalinit, sepse “vijën e re” në bujqësi jo vetëm e ka formuluar, por edhe e ka udhëhequr vetë që nga dita kur mori fuqinë. Megjithatë, edhe në këtë plenum Nikita ka: gjetur e po ndjek një rrugë tjetër: fajin e vijës së tij të gabuar i’a hedh partisë dhe sekretarëve të republikave. Skandaloze! Kjo nuk është metodë pune marksiste! Hrushovi ndërhyn nga 15-20 herë në çdo diskutim dhe i bën paçavure sekretarët, kuadrot, partinë. Hrushovi është një shkatërrimtar i tmerrshëm i kuadrove e i partisë. Ai vetëm kërcënon e diskrediton. Dhe plenumi – “qesh”, se s’mund të qajë, duartroket, dëgjon, ndërsa Hrushovi kritikon, gjëmon, mallkon, “udhëzon” e “drejton”. Kjo që bën Hrushovi është një metodë pune e turpshme, antimarksiste, ajo e shkatërron partinë. Kur njerëzit gabojnë, duhen kritikuar, por rruga që ndjek Hrushovi është e paparë ndonjëherë. Ai e ka vënë plenumin nën këmbë, kurse veten e ka vënë në pozita të privilegjuara. Askush s’mund ta kritikojë atë, as vijën e ndjekur prej tij dhe as metodën e tij të punës e të drejtimit në atë -panair- të madh që ka mbledhur në sallën e Sovjetit Suprem”. Kështu shkruan në mes të tjerash ish-udhëheqësi komunist i Shqipërisë Enver Hoxha, në shënimet të mbajtura në ditarin e tij që mban datën 6 janar të vitit 1961, në të cilat duket qartë konflikti i acaruar në mes udhëheqjes së lartë të PPSH-së dhe asaj të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, të kryesuar prej Nikita Hrushovit, konflikte të cilat e kishin zanafillën për vijën e re politike që po ndiqte kreu i Kremlinit në atë kohë dhe kryesisht procesi i destalinizimit të Bashkimit Sovjetik, që kishte nisur që me Kongresin e XX-të të Partisë Komuniste Bolshevike, ku Hrushovi dhe mbështetësit e tij filluan të dënonin ‘kultin e individit’ të Josif Visarianoviç Stalinit. Lidhur me këto marrdhënie të acaruara në mes udhëheqjes së lartë të PPSH-së dhe Moskës zyrtare, si dhe raportet që kishte asokohe Shqipëria komuniste me disa vënde të tjera të Europës Lindore, si Hungaria, Polonia, Bullgaria, Gjermania Lindore etj., dhe disa prej krerëve kryesorë të partive komuniste marksiste – leniniste të vëndeve Perëndimore, si Dolores Ibarruri e Spanjës, etj., na njohin këto dokumente arkivore të publikuara nga Memorie.al, ku ndodhen ditarët sekret të Enver Hoxhës. Bashkë me ditarët sekret, Memorie.al publikon dhe disa foto të rralla të Enver Hoxhës dhe udhëheqjes së lartë të PPSH-së, ku ata kanë dalë gjatë vizitave të tyre në Bashkimin Sovjetik dhe disa vënde të tjera komuniste të Evropës Lindore, si: Bullgari, Hungari, Çekosllovaki, Gjermaninë Lindore, etj.
Pjesë nga ditarët sekret të Enver Hoxhës, për periudhën: Janar- Shkurt 1961
E MARTE
31 JANAR 1961
SHPIFJET E LUIXHI LONGOS
Informohem se Luixhi Longoja, duke folur përpara direzione-s dhe Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Italiane, jo vetëm ka shtrembëruar përmbajtjen e ‘Deklaratës së Moskës’ të vitit 1960, por ka shpifur kundër Partisë sonë të Punës, se gjoja qëndrimet tona në Mbledhjen e Moskës paskan shkelur internacionalizmin proletar dhe janë udhëhequr nga pikëpamje personale. Shpifje të titlla bëhen në një kohë kur udhëheqësit e Partisë Komuniste Italiane, s’kanë shtruar asgjë në partinë e tyre nga çështjet që ngrihen në ‘Deklaratën e Moskës’ të nëntorit 1960. Të tilla qëndrime paparim të uëdhëheqësve të kësaj partie tregojnë se ata janë për një vijë të hapët oportuniste dhe revizioniste, bile pro me revizionistët jugosllavë. Informohemi, gjithashtu, se shokët e vjetër dhe të mirë të Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste Italiane, kanë mbrojtur Deklaratën dhe qëndrimin parimor të Partisë sonë të Punës në Mbledhjen e Moskës.
E MARTE
31 JANAR 1961
ÇFARE FSHIHET PRAPA KESAJ INFORMATE?
Kryeredaktori i gazetës sovjetike “Izvestia”, Axhubei, i cili është dhëndër i Hrushovit, i tha një shokut tonë në Varshavë se “kishte marrë vesh në Pragë” që në Kongresin e IV-t të Partisë sonë mund të vijë Novotni ose sekretari i dytë i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Çekosllovake”. Kjo informatë e çuditshme nuk bëhet pa qëllim nga ana e sovjetikëve dhe e udhëheqësve të partive komuniste e punëtore të vendeve të tjera të demokracisë popullore të Evropës. Do të shohim se si do të zhvillohet më vonë kjo çështje.
E HENE
6 SHKURT 1961
KINEZET DRUHEN
Shoku Spiro Koleka, i cili u kthye nga Pekini, na raportoi për bisedimet që zhvilloi atje. Kinezët na akorduan një kredi për pesëvjeçarin 1961-1965, por katër të pestat e saj janë fare të paspecifikuara. Kjo s’është gjë e mirë. Megjithatë thonë se këto shuma do t’i specifikojnë më vonë. Me sa kuptojmë ne, kinezët druhen se mos kreditë e tyre i zemërojnë sovjetikët, bile mendojnë se Hrushovi nuk do të na i presë kreditë që na kanë akorduar sovjetikët. Sidoqoftë, gjithçka do të sqarohet më vonë, por ne kemi bindjen se sovjetikët asgjë s’do të na japin. Edhe nëse na japin, ne nuk do t’i refuzojmë këto kredi, por sovjetikët qysh tani e shoqërojnë dhënien e kredive me kushte që janë të papranueshme nga ne. Të gjitha këto çështje duhet t’i zgjidhim si me delegacionin sovjetik ashtu edhe me atë kinez, të cilët do të vijnë për të marrë pjesë në Kongresin e IV-t të Partisë sonë. Siç del nga shënimet e mbajtura prej Spiro Kolekës, të cilat ai m’i dorëzoi sot, pikëpamjet e Çu En Lait mbi zhvillimin e ekonomisë sonë, të shprehura në bisedimet me të, janë të padrejta, aspak të bazuara, pesimiste dhe jo në frymë ndihme. Ato janë, bile, mjaft të dyshimta. Le të mos shpejtohemi, të shohim se ku do t’i dalë tymi këtij qëndrimi të Çu En Lait. Sot, Komiteti Qendror i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, na bëri të ditur se delegacioni që ai do të dërgojë për të marrë pjesë në Kongresin tonë, përbëhet nga Pospjelovi, Andropovi dhe nga ambasadori sovjetik në Tiranë, Shikin.
E MARTE
7 SHKURT 1961
SIPAS DIREKTIVES SE “YLLIT TE KARVANIT”
Pas njoftimit të bërë prej sovjetikëve, kanë lajmëruar për pjesëmarrjen e delegacioneve të tyre në Kongresin tonë edhe çekët, bullgarët, polakët, rumunët dhe gjermano-lindorët. Siç vendos. “ylli i karvanit” ashtu bëjnë dhe satelitët. Ne do t’i presim se i kemi ftuar. Le të dëgjojnë fjalën tonë të fortë, të vërtetë, marksiste-leniniste. Po u pëlqeu mirë, po nuk u pëlqeu, asnjë punë nuk na prishet. Po na ofenduan në përshëndetjet e tyre, do të marrin përgjigjen e merituar.
E ENJTE
9 SHKURT 1961
BISEDE ME DELEGACIONIN E PK TE KINËS
U takuam në Komitetin Qendror me delegacionin e Partisë Komuniste të Kinës të kryesuar nga Li Hsien Nieni, që ka ardhur- te ne për të marrë pjesë në punimet e Kongresit të IV-t të -Partisë sonë. Ai na solli përshëndetjet e Maos, urimet dhe falënderimet e tij. Gjatë bisedës, ai mburri qëndrimin e Partisë së Punës të Shqipërisë dhe na njohu me situatën e përgjithshme të Kinës. Pastaj delegacioni kinez na vuri në dijeni mbi bisedën që kishte pasur në Moskë me Kozlovin, Suslovin dhe Andropovin, kur ishte duke ka1uar për në Shqipëri. Sovjetikët u kishin thënë kinezëve: “Ne shpresojmë se Kongresi i IV-t i Partisë së Punës të Shqipërisë, do të jetë Kongresi i miqësisë”, por kishin shtuar: “Në rast shqiptarët na atakojnë, ne do t’u përgjigjemi”. Siç doli nga biseda me kinezët, sovjetikët e quajnë jokorrekte letrën që ne u kemi dërguar në fillim të janarit në përgjigje të kërkesës së tyre për të dërguar në Moskë një delegacion të nivelit më të lartë, kurse për specialistët e naftës, që ata vetë i hoqën, shpifin sikur i kemi dëbuar ne. Hodhëm poshtë kërcënimet dhe shpifjet e sovjetikëve dhe i sqaruam shokët kinezë për të gjitha këto çështje.
E PREMTE
10 SHKURT 1961
BISEDE ME DELEGACIONIN E PARTISE SË PUNËS TE KORESË
Në takimin që patëm në Komitetin Qendror me delegacionin e Partisë së Punës të Koresë që ka ardhur për të marrë pjesë në Kongres, kryetari i këtij delegacioni tha fjalë shumë të mira për Partinë tonë. Ai na tha, gjithashtu, se po ai Ivanov, që ishte ambasador Bashkimit Sovjetik te ju, kur ishte ambasador te ne, në Kore, në vitin 1956, organizoi kundërrevolucionin e armatosur së bashku me një grup revizionist, për të rrëzuar udhëheqjen tonë. Çfarë banditësh janë këta shokë të Hrushovit! Si agjentët e CIA-s, që organizojnë nëpër botë grushte shteti.
E MARTE
14 SHKURT 1961
KONGRES LUFTARAK, NIVEL I LARTE IDEOLOGJIK E POLITIK I PARTISE
Situata e shkëlqyer e unitetit të çeliktë që po paraqitet edhe një herë në Kongresin tonë të IV-t, ka entuziazmuar miqtë dhe ka tërbuar ata që s’na duan dhe që e treguan haptazi fytyrën e tyre me provokacionet që u përpoqën të kryenin në këtë Kongres, në radhë të parë delegati çek, Barak, delegati sovjetik, ai polak dhe ai rumun. Për sa i takon delegatit bullgar, ai rri heshtur, ashtu si edhe hungarezi. Nga delegacionet e huaja folën delegacioni sovjetik dhe ai kinez. Sovjetiku u përpoq të na provokonte vetë e të organizonte edhe të tjerët kundër nesh, por përpjekjet e tij dështuan. Kongresi reagoi në mënyrë aq të mrekullueshme dhe aq të lartë, saqë provokatorët mbetën të turpëruar, kurse miqtë të habitur e të gëzuar. Në seancën e pasdites, u njoftua vrasja e Patris Lumumbës. Kongresi mbajti një minut zi. DeIegatët dënuan me indinjatë të thellë krimin e kryer nga bandat e Çorrbës. Me propozimin e një delegati nga rrethi i Korçës, Minierës së Alarupit, i’u vu emri “Patris Lumumba”.
E MERKURE
15 SHKURT 1961
KONGRES1 PO DEMASKON PROVOKATORET REVIZIONISTE TË DISA DELEGACIONEVE TË HUAJA
Vazhdojnë – diskutimet rreth raportit të Komitetit Qendror. Ato janë shumë të mira. Kurse delegacionet revizioniste, si çeku, sovjetiku, greku, rumuni, polaku, gjermano-lindori edhe bullgari, vazhdojnë provokimet. Por ata, po demaskohen akoma më keq para delegatëve të Kongresit. Në seancën e pasdites vazhduan përsëri diskutimet. Delegati bullgar, i cili e mori fjalën në këtë seancë, kishte një fjalim të poshtër, provokues, me insinuata të maskuara. Por Kongresi reagoi edhe ndaj tij në mënyrë të mrekullueshme dhe të zgjuar, kështu që të gjitha insinuatat u kthyen kundër tij. Kur ai, në fund të fjalës që mbajti, I dorëzoi Kongresit bustin e Dimitrovit, e falënderova dhe me këtë rast ngrita lart figurën dhe veprën e madhe të Dimitrovit të lavdishëm e të paharruar, mikut të madh të Partisë e të popullit tonët. Kështu, delegati bullgar e hëngri një grusht nga unë. Kongresi i ktheu këto çaste në një manifestim me brohoritje frenetike për miqësinë midis popullit të Shqipërisë dhe atij të Bullgarisë dhe për çështjen për të cilën luftoi e punoi Dimitrovi. Behar Shtylla u takua me ambasadorët e vendeve të demokracisë popullore, të cilët i vuri shkurtimisht në dijeni për komplotin jugosllavo-grek të kurdisur kundër vendit tonë, në bashkëpunim me disa tradhtarë shqiptarë brenda vendit dhe të arratisur në Jugosllavi dhe në koordinim me Flotën e VI-të Amerikane në Mesdhe.
E ENJTE
16 SHKURT 1961
PROVOKACION I ULET I DELEGATIT GREK
Edhe sot diskutimet e delegatëve tanë në Kongresi vazhduan. Delegati grek provokoi në mënyrë të poshtër Kongresin. Në lidhje me çështjen e mbrojtjes së kufijve jugorë nga rreziku i monarko-fashistëve grekë dhe Flotës së VI-të Amerikane, ai na doli përkrahës i Venizellosit dhe kundër qëndrimit të Partisë sonë ndaj këtij armiku të popullit shqiptar. I’u dha grekut një grusht i merituar në sy të të gjithë delegatëve të huaj, duke e quajtur provokator. Pas kësaj, ai u largua nga godina ku mbahet Kongresi. Le të shporret! Revizionistët e tjerë e mbrojtën me druajtje, kurse të gjithë delegatët e huaj marksistë-leninistë aprovuan qëndrimin tonë.
E PREMTE
17 SHKURT 1961
VAZHDON PERSHENDETJA E DELEGACIONEVE TE HUAJA
Vazhdon përshëndetja e delegacioneve të huaja. Kryetari i delegacionit korean foli shumë mirë, kurse ai i delegacionit vietnamez, akoma më mirë. Kjo ishte përshëndetja më e mirë, më trime deri tash, midis përshëndetjeve të delegacioneve pjesëmarrëse në Kongres. Delegatët gjermanë e rumunë, të cilët, gjithashtu, morën fjalën, folën shumë keq, ashtu siç kanë dhe vijën e partive të tyre.
E SHTUNE
18 SHKURT 1961
KONGRESI QENDRON GJITHNJE NE LARTESINE E DUHUR
Në seancën e sotme vazhdojnë diskutimet rreth raportit mbi direktivat e planit të tretë pesëvjeçar. Vazhdon përshëndetja e të huajve. E mrekullueshme ishte përshëndetja e indonezianit. Pati ovacione në sallë. Të tilla janë edhe përshëndetjet e bëra nga delegati i Partisë së Malezisë, Tajlandës, Japonisë e Birmanisë, që, gjithashtu, shkaktuan ovacione të mëdha. Në këto ditë të punimeve të Kongresit të Partisë sonë u dukën qartë poshtërsitë e grupazhit oportunist të krerëve të disa delegacioneve të huaja, me Pospjelovin në krye. Por të gjithë pjesëtarët e këtij grupazhi u izoluan, ata mbetën vetëm e janë hutuar. Fryma revolucionare e Kongresit i ka vënë ata në pozita shumë të vështira. Ajo ata i demaskon, por shpesh edhe i detyron të duartrokasin dhe të shastisen. Taktikat e ndjekura prej tyre janë të poshtra e po u dështojnë.
E HENE
28 SHKURT 1961
TAKIM ME DELEGACIONIN SOVJETIK
Sot para dite patëm një takim me delegacionin sovjetik që mori pjesë në punimet e Kongresit të IV-t të Partisë së Punës. Duke na paraqitur disa të dhëna false të disa specialistëve sovjetikë dhe të mbështetur nga një jallan shahit çek, ata na akuzuan se ne gjoja s’e dashkemi Bashkimin Sovjetik. I pyeta nëse e dëgjuan raportin që mbajta në Kongres dhe ç’thashë atje për Bashkimin Sovjetik. Menjëherë nxorën në shesh atë që kërkonin: Nuk u vjen mirë që ne e ndajmë Hrushovin nga Bashkimi Sovjetik. Ja, pra, ç’na kërkojnë të dërguarit e Hrushovit! Ne u dhamë atyre përgjigjen e merituar jo vetëm për këtë çështje, por edhe për shumë çështje tjera. Ata janë intrigantë. Në këtë takim kishin tendenca zbutjeje. Të shohim.
E MARTE
21 SHKURT 1961
REVIZIONISTET U LARGUAN
Gati të gjitha delegacionet e vendeve të demokracisë popullore u larguan nga vendi ynë. U larguan delegacionet e partive komuniste e punëtore të Bashkimit Sovjetik, Çekosllovakisë, Bullgarisë, Gjermanisë, Rumanisë, Hungarisë, Polonisë, Kubës si dhe ato të Italisë si dhe të Francës. Kështu, pra, u larguan të gjithë revizionistët.
E MERKURE
22 SHKURT 1961
KNER-I – ORGANIZATE FORMALE
I dhashë udhëzime delegacionit që do të përfaqësojë vendin tonë në mbledhjen e Këshillit të Ndihmës Ekonomike Reciproke. Ajo do të mbahet në Berlin. Sigurisht, në këtë mbledhje, çështjet shtrohen sa për formë, se ato, në fakt, zgjidhen jashtë saj. Por ne duhet ta ngremë atje çështjen se sovjetikët dhe çekët nuk duan të rregullojmë kontratat e parashikuara për planin tonë të tretë pesëvjeçar./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016