Dashnor Kaloçi
Pjesa e pestë
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qëndror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), të cilat mbajnë siglën “Tepër sekret” dhe që i përkasin vitit vitit 1982, ku ndodhen disa raport informacione të anëtarit të Byrosë Politike, Spiro Koleka, sekretari i Komitetit Qëndror të PPSH-së, Vangjel Çerrava, sekretari i parë i Komitetit të Partisë së rrethit të Korçës, Enver Halili etj., dërguar Komitetit Qëndror të PPSH-së, lidhur me mbledhjet e komiteteve të Partisë së Pogradecit dhe Korçës, Degëve të Punëve të Brendëshme të këtyre rretheve etj., ku ata kishin marrë pjesë si të deleguar të Komitetit Qëndror. Çfarë u diskutua në ato mbledhje ku u analizua letra e Enver Hoxhës lidhur me “Tablonë sinoptike”, për “armiqtë e tradhëtarët, Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, etj., si dhe raport-informacione nga instruktorë të Komitetit Qëndror të PPSH-së, lidhur me letrat denoncuese që kishin ardhur në sektorin që ata mbulonin, për “krerët kryesorë të grupit armiqësor” me në krye Kadri Hazbiun!
Vetëm pak javë pas ngjarjes së 18 dhjetorit të largët vitit 1981, kur kryeministri Mehmet Shehu u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit nga plumb-a pistolete në rrethana tepër misterioze për të cilat dhe sot pas 40 vjetësh vazhdohet të diskutohet ende, me porosi të Komitetit Qëndror të PPSH-së, në të gjitha organizatat bazë të Partisë në mbarë vëndin, u mbajtën dhe u zhvilluan mbledhje të shumta, ku diskutohej: “nën frymën e fjalës së shokut Enver Hoxha, për armikun Mehmet Shehu”, të cilat do t’i shërbenin më pas Enverit për të shkruar: “Tablonë Sinoptike për poliagjentin Mehmet Shehu”?! Në të gjitha këto mbledhje, veç të tjerash, ashtu siç bëhet e ditur edhe nga një mori dokumentash me siglën “Tepër sekret”, që gjenden në Arkivin Qëndror të Shtetit, Arkivin e Ministrisë së Brendëshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes, pjesmarrës e diskutantë të shumtë që kanë marrë fjalën aty, kanë hedhur lloj-lloj akuzash, me të vërteta dhe të pavërteta, denoncime, spiunime, shpifje, trillime, thashetheme, intriga, sajesa e gjithfarë u kanë ardhur për shtat, të gjitha këto në drejtim dhe kundër ish-kryeministrit të vdekur, Mehmet Shehu, familjes së tij dhe atyre që u konsideruan bashkëpunëtorë të tyre, duke përmendur me dhjetra emra, si; ushtarakë, qeveritarë, funksionarë të lartë partiakë, etj., etj. Po kështu, këto mbledhje u intesifikuan së tepërmi, sidomos pas tetorit të vitit 1982, kur u arrestua dhe Ministri i Mbrojtjes Kadri Hazbiu, (i cili për gati tre dekada me rradhë kishte mbajtur postin delikat të Ministrit të Brendshëm), Ministri i Punëve të Brendëshme, Feçor Shehu, Ministri i Shëndetësisë, Llambi Ziçishti, zv/ Ministri i Punëve të Brendëshme për Sigurimin e Shtetit, Mihallaq Ziçishti, etj., ku dhe ndaj tyre u përsërit e njëjta tablo, si me ish-kryeministrin Mehmet Shehu. Dhe pas zhvillimit të këtyre mbledhjeve, komitetet e partisë të rretheve përkatëse, kanë hartuar një sërë raportesh me përmbledhje nga “problemet më kryesore”, të cilat më pas i’a kanë dërguar Komitetit Qëndror të PPSH-së. Për të gjitha këto mbledhje, Memorie.al disponon një numër të madh dokumentesh të nxjerra nga një dosje voluminoze me siglën “Tepër sekret”, ku ish-anëtarë të Byrosë Politike, sekretarë të Komitetit Qëndror të asaj kohe, si Spiro Koleka, Enver Halili, Vangjel Çerrava etj., etj., informojnë Komitetin Qëndror për mbledhjet ku kanë marrë pjesë, duke dhënë me detaje dhe hollësira gjithçka është thënë dhe diskutuar aty. Po kështu përveç këtyre raporteve, në dosjen në fjalë, gjenden edhe një sërë raportesh të hartuara nga funksionarë të rangjeve më të ulta që nga Komiteti Qëndror e më poshtë, apo dhe raporte kolegjiale të Degëve të Punëve të Brendëshme në rrethe, shtabeve, komandave dhe komiteteve të partisë së korpusve ushtarake, që ishin edhe njësitë më të mëdha që kishte ushtria shqiptare asokohe. Nga kjo dosje voluminoze që Memorie.al e disponon të plotë, në tre numrat e kaluar kemi publikuar raport-informacionin e ish-anëtarit të Byrosë Politike të Komitetit Qëndror të PPSH-së, Spiro Koleka, dërguar Komitetit Qëndror, lidhur me aktivin e partisë të rrethit të Pogradecit, ku ai ka marrë pjesë si i deleguar, më 25 shtator të vitit 1982. Për të vazhduar në vijim, (në tre shkrime rradhazi) me raport-informacionin “Tepër sekret” të sekretarit të parë të Komitetit të Partisë të Korçës, Enver Halili, dërguar Komitetit Qëndror të PPSH-së (personalisht Enver Hoxhës), lidhur me punën dhe veprimtarinë e Sigurimit të Shtetit në rrethin e Korçës, si dhe “implikimin” e Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut, Feçorr Shehut etj., me punonjës të Sigurimit e persona të tjerë në atë rreth dhe më gjerë, për të cilin bën fjalë dhe shkrimi që po publikojmë në numrin e sotëm.
Raport-informacioni i sekretarit të parë të Komitetit Partisë së rrethit të Korçës, Enver Halili, për Enver Hoxhën dhe Komitetin Qëndror të PPSH-së
PARTIA E PUNES E SHQIPERISE Tepër sekret
KOMITETI I PARTISE RRETHIT
K o r ç ë Korçë, më 28.10.1982
I N F O R M A C I O N
Për
DISA PROBLEME QE DUALLEN NGA DISKUTIMI I KONKULZIONEVE TE
BYROSE POLITIKE DHE TE PLENIUMIT TE 5-të TË KQ TE PARTISE
NE ORGANIZATAT BAZE TE PARTISE TE DEGES SE PUNEVE TE
BRENDESHME DHE TE PROKURORI-GJYKATES
Këto kanë çuar deri aty sa ndonjë kuadër i Sigurimit të bëjë skandal, të nxjerre pistoletën në vënde publike. Të futen edhe në fushën e sportit një “buj-omani”, që linte të kuptohej se po vjen Dega, ajo të bën këtë dhe atë, gjë që kishte krijuar disa herë një ndrojtje dhe frikë në popull.
Shafqjet e kapadaillëkut e të mungesës së thjeshtësisë si punëtorë Partie, vihen re tek disa kuadro të Sigurimit që nga drejtues e deri tek punëtorët operativ. Ndonjë prej tyre për të mbuluar të metat e punës e për të bërë atë të pakontrollueshme nga Partia dhe organet e pushtetit, ka spekulluar në punën e mbyllur, e cila në disa raste është fetishizuar.
Kulti është reflektuar gjithashtu edhe kur ndonjëri mundohet ta trajtojë Hetuesinë si lloj të punës agjenturore-operative, apo në rastet kur kuadrot e Sigurimit shprehen që: “Për çdo gjë që kërkohet në zonë duhet pyetur punëtori operativ, pasi ai është zot i vëndit”. Ky koncept është mbështetur dhe inkurajuar edhe nga Ministria.
Bujomania në kryerjen e detyrave, përdorimi në disa raste dhe nga disa punonjës me dhe pa vënd i veturave të ndërmarrjeve e institucioneve për punë zyrtare e personale, ka çuar në mendimin se këta kanë punë shumë të rëndësishme. Në ndonjë rast kulti i punonjësit të Degës është ushqyer edhe nga element të të lëkundshëm të cilët në rrugë të ndryshme i kanë afruar ata dhe duke i mburrur nëpërmjet dhënies së dhuratave, etj.
Ka pasur raste që nga ana e punonjësve të Degës së Punëve të Brendëshme janë bërë kontrolle për ruajtjen e sekretit në rreth e në bazë, në organet e pushtetit dhe të ekonomisë. Kjo ka kultivuar mendimin tek ndonjë se Dega e Brendëshme është gjithçka, bile dhe mbi organet e pushtetit.
Veprime të arrogancës e prepotencës janë bërë edhe nga kuadro të policisë, duke shkelur ligjet dhe rregullat siç është rasti i sjelljes brutale me punonjës e kuadro në stadium, ose rasti i dy kuadrove që marrin me forcë rojen e Ndërmarrjes së Përpunim Drurit dhe e çojnë në polici, duke lënë për një kohë dhe objektin pa roje.
Kulti ka çuar ndonjë, siç është rasti i punëtorit operativ, që i kërkon sekretarit të organizatës-bazë të një institucioni ku i punonte gruaja, të studjojë protokollin e mbledhjes së organizatës, se kush dhe përse e kishin kritikuar gruan e tij, gjë e cila u kritikua rreptë nga Komiteti i Partisë i rrethit.
Në ndonjë rast sjellje arrogante janë reflektuar edhe në disa oficerë të kufirit në marrëdhëniet me popullin dhe ushtarët, duke arritur deri aty si në postën e Vidohovës e Kallamasit, që të godasin dhe ushtarët, gjë për të cilën u muarrën masa të rrepta. Kritika për shfaqje të arrogancës janë bërë edhe për kuadro kryesorë të Degës.
Në organizatën e Policisë u bënë mjaft kritika për shefin e Policisë së rrethit, Hajredin Shyti, i cili sillet me arrogancë, nuk përfill sa dhe si duhet mendimet dhe propozimet e komunistëve, nuk i çon deri në fund propozimet për punonjës të veçantë të Policisë që kanë njollosur figurën morale, etj.
Kulti i punonjësve të Sigurimit është kultivuar që në shkollën e Ministrisë së Punëve të Brendëshme, ku siç doli nga diskutimet, pedagogët i trajtojnë leksionet mbi baza jo reale, duke i fryrë arritjet e armës së Sigurimit dhe figurën e punonjësit të saj.
Në këtë shkollë ka pasur një farë nënvleftësimi për lëndën bazë të formimit ideologjik Marksizëm-Leninizmin, dhe mbivlerësimin e lëndëve të specialitetit, defekt ky që bie në sy në formimin e me mangësi të studentëve, në rradhë të parë si punëtorë Partie, si kuadro dhe qytetarë të kulturuar, gjë që është reflektuar në punë dhe në jetë tek disa prej tyre.
Kur në shkollë kanë mbetur studentë në lëndën e Marksizëm-Leninizmit, Kadri Hazbiu ka urdhëruar që të kalojnë klasën meqë janë të mirë në lëndët profesionale. Disa nga kuadrot e reja me veprimet dhe sjelljet e tyre të pahijshme kanë ulur figurën e tyre morale, duke krijuar privilegje për vete nëpërmjet shfrytëzimit të postit, ose veprime të tjera të cilat kanë çuar deri në lirimin nga kjo armë. Kështu në 10 vjetët e fundit janë nxjerrë në lirim 30 oficerë, ose mesatarisht 3 veta në çdo vit.
Kulti dhe këto qëndrime janë ushqyer nga vetë ish-drejtuesit e Ministrisë së Punëve të Brendëshme. Armiqtë, Kadri Hazbiu, Feçor Shehu etj., me qëllim thoshin se: “Kryetar i Degës është shefi i Sigurimit në rreth”, duke i lënë të kuptojë se vetëm kjo armë ka rëndësi dhe është gjithçka, ndërsa të tjerat nënvleftësoheshin. Pikërisht këtë qëllim kishte dhe armiku Feçor Shehu, kur thoshte se: “Ç’u bë Ministria e Punëve të Brendëshme, Bashkimet Profesionale”.
Veprimtaria armiqësore e këtij grupi ka synuar që në metodën e punës në marrëdhëniet me njerzit të mbisundonte arrogance e prepotenca e shfrenuar, mbytja dhe ndrydhja e kritikës për t’i bërë njerzit të frikshëm ndaj pushtetit të tyre.
- Edhe në politikën e trajtimit, emërimit dhe lëvizjen e kuadrove janë bërë gabime.
Në të gjitha organizatat-bazë të Partisë kemi komunistë që kritikuan veprimet e qëndrimet armiqësore të Kadri Hazbiut e Feçor Shehut ndaj politikës së Partisë me kuadrin. U shpreh mendimi që të shihet me kujdes efektivi i Ministrisë së Punëve të Brendëshme ku ka pasur familjaritet të sëmurë, mungesë kritike dhe humbje të frymës revolucionare, pasi janë grumbulluar edhe disa njerëz me vese të këqia si karrieristë, servilë, dembelë, imoralë, thashethemexhinj, pijanecë, arrogantë e prepotentë.
Të shihet gjithashtu se ka shumë kuadro nga Vlora dhe Tepelena, ndonjë edhe me lidhje farefisnore e krushqi me të grupit armiqësor. Disa nga njerzit që janë marrë atje qoftë edhe në vënde të rëndësishme megjithëse të paaftë, janë marrë mbi baza njohje dhe simpati personale duke i nxjerrë me shërbime edhe jashtë shtetit.
Duke pasur parasysh ndikimin e kësaj veprimtarie, u kritikuan qëndrimet konformiste të shokëve që janë marrë me problematikën e kuadrit si p.sh. zv/ministri përkatës, drejtorët e Kuadrit, Petro Zisi dhe Ilo Manushi, për faktin se kanë lejuar qëndrime të tilla për një politikë krahinore.
U kritikua veprimi i Drejtorit të Drejtorisë Ekonomike, Hajro Malile, që ka ndikuar në marrjen e mjaft kuadrove nga rrethi i tij, Gjirokastra. Vërejtje u bënë njëkohësisht edhe për qarkullimin që duhet t’u bëhet kuadrove në Ministri dhe jo siç është vepruar duke i qarkulluar brenda për brenda Tiranës, pa shkuar në rrethe.
Një politikë e tillë është bërë edhe për Degën e Punëve të Brendëshme Korçë, ku janë dërguar mjaft oficerë nga Vlora, 4 prej të cilëve janë nga i njëjti fshat i Vlorës dhe dy të tjerë po nga Vlora janë baxhanakë. Kjo ka bërë që të vihet re njëfarë familjariteti që e dëmton punën.
Kritika u bënë edhe për mënyrën e ndarjes së degëve në Shkollën e Lartë të Ministrisë së Punëve të Brendëshme nga komisioni përkatës, ku fëmijët e disa kuadrove me përgjegjësi janë lejuar të shkojnë në degën e Sigurimit, pa marrë parasysh cilësitë e dobëta të tyre morale, gjë e cila ka pasur ndikimet e veta në kohën kur ata kanë dalë në jetë, ndërsa në atë të Kufirit, e të Policisë, janë caktuar përgjithësisht.
- Eshtë mënjanuar deri diku Sigurimi i Udhëheqjes së Partisë, duke u mbështetur më shumë në komanda dhe armët e saj.
Këta armiq, edhe për Sigurimin e udhëheqjes së Partisë kanë pasur synime të këqija, Kjo është shprehur edhe kur kanë ardhur e kanë punuar në Degë, shumë pak ata takoheshin me sekretarin e Komitetit, ose aspak me sekretarët e organizatave bazë, pra linin të kuptohej që është komanda ajo që zgjidh problem, etj.
Kjo bën që të spostohej roli udhëheqës i Partisë, e cila shumë pak ka reflektuar dhe në veprimtarinë konkrete të komunistëve. Kjo pasqyrohet në atë që komunisti apo kuadri përgatitet më seriozisht për të raportuar para shefit ose në komandë, por nuk ka atë preokupacion dhe nuk ndejnë atë përgjegjësi kur raporton në organizatën bazë të partisë.
Mjaft komunistë në organizatën bazë të Partisë nxuarrën përgjegjësitë e tyre që mjaft çështje i shihnin që ishin në kundërshtim me vijën e Partisë, por këto problem nuk i kanë ngritur në Parti, qoftë në organizatat bazë apo në organe më të larta të Partisë. Eshtë fakt, u tha–që nuk kemi bërë asnjë relacion me iniciativë për të informuar Partinë për shkeljen e ligjeve e të metave në punën e seksioneve dhe kuadrove të Degës së Punëve të Brendëshme.
Por edhe seksionet e veçanta të Degës, pak kanë qenë të predispozuara për të ngritur probleme para Partisë, për të ndihmuar dhe kërkuar sigurimin e udhëheqjes së saj, kjo edhe për faktin se disa nga këto problem janë futur në kornizat e një pune të mbyllur.
Këto të meta kanë ardhur edhe se jo dhe sa duhet komunistët kanë punuar për të ngritur nivelin e tyre ideo-politik, pak u është kërkuar në këtë drejtim nga organizatat bazë e Komiteti i Partisë, një gjë e tillë ka bërë që të mos jenë në gjëndje sa duhet për të kapur e vlersuar drejt situatat si dhe veprimet e këtyre agjentëve.
DISA NGA PROBLEMET E VEÇANTA NE DEGEN E PUNEVE TE BRENDESHME
Në rregulloret ushtarake të Kufirit, nuk ka thënie të shokut Enver Hoxha, por thënie të Mehmet Shehut dhe Kadri Hazbiut, bile të nënvizuara.
– Feçor Shehu ka dhënë urdhër për tërheqje të forcave që ndiqnin bandën e Zenel Kelollit.
– Janë bërë shkelje në kufi me gjueti nga Mihallaq Ziçishti dhe ish-komandanti i Kufirit, Faslli Shahinasi dhe kanë gjuajtur me armë zjarri.
– Kuadrot e Ministrisë kur venë për kontroll me tepër i kushtojnë rëndësi dokumentacionit, se sa veprimtarisë konkrete me njerëzit.
– Kërkesat për detyrat që ndjek Policia kanë qenë më të forta nga Ministria se sa kërkesat për Sigurimin për zbulimin e spiunëve.
– Organikat e Policisë shkurtoheshin, mbrojtja e pronës nga Sigurimi i’u kalua Policisë, organikat mbetën të pandryshuara.
– Të shikohen disa akte normative të Policisë se ka prej tyre që kanë ndikuar për veprime jo të rregullta, ka edhe akte që vijonë në kundërshtim me njëra tjetrën. Ministria ka ndryshuar shumë akte normative për të vënë në korniza punën e bazës.
– Mihallaq Ziçishti ndërhyri për Thanas Andonin nga Ziçishti që të mos futej në burg dhe në gjyq, Kiço Treska e nxorri të pafajshëm.
– Në Drejtorinë e Dytë të Sigurimit të Udhëheqjes, është i quajturi Bashkim Musai, i cili ishte me grupin e shoqërimit të Mehmet Shehut dhe i kishte shkuar jo njëherë në shtëpi me peshqeshe.
– Ka shoqëruar Mehmet Shehun në Francë. Si njeri i besuar i tij ka sjellë në Tiranë njerzit e tij motër e vëlla, etj. Për Fiqërete Shehun ishte njeriu më i besuar, i cili e shoqëronte kudo. U transferua në Drejtorinë e Dytë të Sigurimit të Udhëheqjes, para vetëvrasjes së Mehmet Shehut.
– Mustafa Bakiasi, ish-sekretari i Byrosë në Drejtorinë e Dytë, u mjaftuan me shkarkimin si sekretar dhe u emërua kryetar dege po në drejtori, bile ju shtua dhe rroga. Eshtë njeri pa respekt në masë, i njohur si servil i Llambi Peçinit, Bato Karafilit dhe Feçor Shehut.
– Kritikohet Inspektoriati Rrugor që jep shumë dënime për shoferët, aq sa komisioni quhet “gjyq”.
– U bënë vërejtje për disa oficerë që sigurojnë udhëheqjen që janë të pasjellshëm dhe priren pas rraqeve dhe të ngrënave./Memorie.al
SEKRETARI I PARE I KOMITETIT PARTISE SE RRETHIT
ENVER HALILI
Vijon nesër
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016