Dashnor Kaloçi
Memorie.al/publikon disa dokumenta të panjohura arkivore që i përkasin qershorit të vitit 1943, ku ndodhet një korrespodencë ndërmjet Prefekturës së Gjirokastrës, Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë dhe Shoqërisë së Autobuzëve të Transportit Publik (S.A.T.A.), ku bëhet e ditur ngjarja e ndodhur më datën 11 qershor të atij viti, ku në fshatin Picar të rrethit të Gjirokastrës, një çetë komuniste e përbërë prej rreth 50 vetash, të armatosur dhe me kapele me yll të kuq, ndaluan autobusin e linjës Tiranë-Vlorë-Gjirokastër, dhe pasi kontrolluan të gjithë pasagjerët, rrëmbyen me forcë Ali Këlcyrën, të cilin e morën në krah dhe u larguan duke kaluar lumin e Kardhiqit. Të gjitha detajet e asaj ngjarje të bujshme, ku forcat komuniste partizane, u detyruan që të lironin kreun e Ballit Kombëtar për Jugun e Shqipërisë, pas ultimatumit që i dha Ministria e Punëve të Brendshme, kreut të Prefekturës së Gjirokastrës, Beso Gega, duke i shkruar që ai të interesohej personalisht, që Ali Këlcyra të lirohej i gjallë, pasi përndryshe, ai qark i asaj Prefekture, do të kishte konsekuenca shumë të këqija. Si dhe fjalimet e Prefektit Beso Gega dhe Hasan Xhiku para popullit të qytetit të Gjirokastrës, të cilët e konsideruan Ali Këlcyrën si “lulja e nacionalizmit shqiptar”, dhe bënë thirrje që të shkulej nga rrënjët ideologjia komuniste, që ishte një teori e turpshme, e importuar nga jashtë.
Pas viteve ’90-të një nga polemikat e debatet e hapura në shtypin e shkruar dhe mediat vizive apo libra të ndryshëm nga gazetarët, publicistët, studiuesit, historianët, veteranët e Luftës, etj. është edhe ai që ka të bëjë me konfliktin e armatosur (apo luftën civile) që nisi në periudhën e pushtimit të vendit në mes forcave komuniste partizane të udhëhequra prej Enver Hoxhës dhe atyre nacionaliste të Ballit Kombëtar e Legalitetit të kryesuara prej Mit’hat Frashërit dhe Abaz Kupit.
Përveç debatit se kush e nisi fillimisht luftën civile apo konfliktin e armatosur, pra kush sulmoi dhe goditi i pari duke kryer: vrasje, tortura, rrëmbime, atentate, plaçkitje, djegie shtëpish e pronash, etj., ka ekzistuar dhe vazhdon të jetë i hapur ende edhe debati se: në ç’periudhë kohore nisi konflikti i armatosur ndërmjet tyre, ku herë pas here nga të “dy krahët”, merret si “kufi” i ndarjes ndërmjet komunistëve dhe nacionalistëve, Konferenca e Mukjes me prishjen e njëanshme të marrëveshjes së famshme (nga ana e Enver Hoxhës) që ishte arritur të nënshkruhej në mes dy palëve.
Këtë gjë e konfirmojnë dhe e paraqesin shumë qartë edhe këto dokumenta arkivore që Memorie. al po publikon në këtë shkrim, të cilat bëjnë fjalë mbi rrëmbimin e Ali Këlcyrës, nga një çetë partizane e armatosur e qarkorit komunist të Gjirokastrës, (që kryesohej nga Bedri Spahiu), e cila më datën 11 qershor të vitit 1943, e rrëmbeu atë nga autobuzi i linjës Tiranë – Vlorë – Gjirokastër, duke i prerë rrugën në fshatin Picar (15 km. larg Tepelenës), dhe u larguan duke kaluar lumin e Kardhiqit me Ali Këlcyrën që e mbanin në krah, për t’u fshehur fshatrave të asaj zone ku strehoheshin formacionet partizane.
Dhe u desh ndërhyrja e autoriteteve shtetërore nga Tirana, drejtuar Prefekturës së Gjirokastrës, e cila u dha ultimatum forcave partizane, që të frikësuara nga një operacion ndaj tyre, u detyruan dhe e lanë të lirë Ali bej Këlcyrën, i cili po shkonte me mision në Gjirokastër, për të organizuar forcat nacionaliste të Ballit Kombëtar.
Për më shumë, rreth kësaj ngjarje, na njohin dokumentet në fjalë që Memorie.al i bën publike për herë të parë.
Njoftimi i Prefektit të Gjirokastrës drejtuar Ministrisë së Brendshme mbi rrëmbimin e mbajtjen peng të Ali Këlcyrës nga çetat komuniste
Prefektura e Gjinokastrës
Nr. 174/8 RES. Gjinokastër më 12./6/1943
Ora 7 e 50
Tepër Urgjent, vonesa shkakton
përgjegjësi të randë.
Ministrisë së P. të Brendshme
Zyrës Politike
Tiranë
Kryeministrisë
Për njoftim Tiranë
Vijon teli Nr.174/7 Res datë e djeshme.
Komisioni u kthye në orën 5.30 nga kufiri grek mbas Libohovës dhe mbasi kishte ardh në kontakt me kryetarët e çetave komuniste të cilët e informuen se z. Ali Këlcyra asht gjall.
Këtë lajm Prefektura e ka marrë dhe nga fuqitë civile që erdhën në kontakt zjarri me çetën që grabiti dhe në kohën kur kalonin lumin e Kardhiqit ish parë së largu se Këlcyrën e kalonin duke e marrë në krahë (.)
Çeta grabitëse ndodhet e rrethuar nga të gjitha anët (.)
Komisioni u dërgua rrishtas në Cepo, ku ndodhet Aliu (.)
Sado që luftimi u pushua, rrethimi nga larg vazhdon (.)
Lutemi urdhënoni Komandën Ushtarake që të kemi kontakte lirisht e me telefon në çdo kohë. Tash marr letrën e Ali Këlcyrës nga Plesati dhe ndodhet gjallë në shtëpinë e Iljaz Mehmetit, i njohun personalisht nga unë (.)
Kaligrafija dhe firma është autentike dhe kërkon pushimin e luftës (.)
Rrethimi ngushtohet (.)
Katundarët të tmerruar nga rrethimi dhe nga zjarri i luftës do të provokojnë patjetër lirimin e Aliut gjallë (.)
Tash nisem për në vendin e ngjarjes personalisht, përfundimi do t’u njoftohet.
Prefekti
Rasim Babameto
Urdhri i Ministrisë së Brendshme drejtuar Prefekturës së Gjirokastrës, që të ndërhyjë për lirimin me çdo kusht të Ali Këlcyrës
MBRETNIJA SHQIPTARE
MINISTRIJA E P. TË BRENDSHMESH
Z Y R A P O L I T I K E Tiranë më 12.VI.1943
Tepër Urgjent
Vonesa shkakton përgjegjësi
shumë të randë
Telegram
Prefekturës Gjinokastër
Përgjigje telegramit Nr.174/11 Res datë 11 të k. m.
Titullari i asaj Prefekture të interesohet personalisht që Ali Këlcyra të dorëzohet patjetër i gjallë, përndryshe qarku i asaj Prefekture do të ketë konsekuenca shumë të këqija (.)
Përgjegjësinë e presim ngushtësisht (.)
M I N I S T R I
(firma)
P.T.
KRYESISË SË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
T I R A N Ë
Për dijeni
M I N I S T R I
(firma)
Njoftimi i Ministrisë së Brendshme për Këshillin e Ministrave mbi fjalimet e Prefektit të Gjirokastrës për rrëmbimin e Ali Këlcyrës
MBRETNIJA SHQIPTARE
MINISTRIA E P. TË M BRENDSHME
Z Y R A P O L I T I K E Tiranë, më 12.VI.1943
U R GJ E N T P.T KRYESISË SË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
KOMANDËS SË IX. ARMATE
T I R A N Ë
SHKURTIMI:
ZZ. Beso Gega e Hasan Xhiku që kanë mbajt një fjalim në Gjinokastër.
Për dijeni, këtu poshtë kam nderin me:
Ju përshkue telegramin qi ka arrijtë nga Prefektura e Gjinokastrës, me datë 12 të k. m., në lidhje sa ban fjalë lajmërimi i kësaj Ministrie me Nr… Res datë 12 të vazhduesit:
“Sot u zhvillue një deklaratë e furishme në këtë qytet. Fjalët që u mbajtën nga ZZ. Beso Gega e Hasan Xhiku, janë këto (.)
Populli i Gjinoklastrës, popull patriot, dje u grabit Ali Këlcyra, lule e nacionalizmit shqiptar nga një çetë komuniste.
Pra duhet të ç’kulet rrënja e kësaj organizate që me sistemet e saj teoristike e të turpshme të importuar nga jashtë, tronditin gjendjen e kombit. Kjo asht dëshirë e jona dhe kjo asht shprehja e gjithë Kombit Shqiptar”.
M I N I S T R I
(firma)
Ankesa e Shoqërisë S.A.T.A drejtuar autoriteteve të larta shtetërore për çetën komuniste që i rrëmbeu nga autobuzi i saj, Ali Këlcyrën
SOCIETA ALBANESE TRANSPORTI AUTOMOBILICISTICI
Tiranë, 15 qershor 1943
P.T.
MËKËMBËSISË SË PËRGJITHSHME
KRYESISË SË KËSHILLIT MINISTRUER
KOMANDËS EPRORE F.F. A.A. TË SHQYPNIS
MINISTRISË SË INDUSTRISË & TREGTISË
MINISTRISË SË P. TË MBRENDËSHME
MINISTRISË SË KULTURËS POPULLORE
DREJTORISË SË PËRGJITHËSHME TË POSTAVE
T I R A N Ë
AGREDIMI I AUTOKORRJERËS TIRANË – VLONË – GJINOKASTËR
Kemi nderin t’u parashtrojmë Autoriteteve në drejtim sa vijon:
Më datën 11 të k. m. autobuzi jon FIAT 626/RNL tabella 1253 Tiranë, n’ 81 i matrikullës, i dirizhuem nga shoferi CANTALUPO Arturo e nga fatorino MURAT Musta, ndërsa po kalonte mbi rrugën Gjinokastër – Vlonë – Tiranë, në shërbim të rregullt mbi linjën publike për bartje udhëtarësh e postet, i nisun nga Gjinokastra rregullisht në orën 7, me 27 udhëtarë ngarkuet, si mbërriti afër katundit Fusha e Pizharit 15 km. larg Tepelenës, njaty kah ora 7 e 30 u ndalonte nga dy veta të armatosun. Shoferi jonë u detyrua me ju bind dhe ndalonte makinën: atëhere shef nga të dy anët e rrugës shumë veta të tjera, gjithsej nja 50 vetë të gjithë me një yllë të kuq në berret dhe me një shqyponjë të zezë mbi një stofë të kuqe mbi gjoks, t’ë armatosun me pushkë, me bomba dhe mitroloza. Banditët detyruan të gjithë udhëtarët me zbritë nga autobuzi dhe banë kontrollin e të gjithë dokumentave dhe muerrën me vedi një udhëtarë, një farë ALI KËLCYRA. Mbasandej njeni që dukej i pari i tyre, mbajti një fjalim në gjuhën shqype dhe urdhënoj një djal me i këndue boletinin komunist dhe u ndau disa kopje udhëtarëvet. Mbas një ndalimi prej gadi 30 minutave, autobuzi u la i lirë me vijue udhëtimin e vet për Vlonë: Ngjarja u denoncue në Komandën e Gjindarmërisë të Tepelenës.
I lutemi edhe njëherë nxehtësisht Autoriteteve në drejtim qi të kenë mirësinë me marrë masat e nevojshëme për me mujt kështu me evitue përsëritjen e vijueshme dhe të mërzitshme të këtyne incidenteve që turbullojnë së tepërmit sigurinë e ushtrimit të rregullit të shërbimit të komunikacionit që janë besue Shoqnis t’ona S.A.T.A
Me nderime
Njoftimi i Ministrisë së Brendshme në vitin 1942 drejtuar disa Prefekturave, mbi lirimin nga internimi në Itali dhe kthimin në Tiranë të Ali Këlcyrës
Mbretnija Shqiptare Tiranë, më 1942
Ministria e P. të Mbrendëshme
Zyra Politike dhe e Personelit
Nr. 44/220. RESERVAT
SHKURTIMI: Persona të liruar
nga internimi.
PREFEKTURAVET: TIRANE, SHKODER, KORÇE, BERAT, GJIROKASTER
Zyra e punëve Speciale, Reservate pranë Komandës Eprore K…të Shqipërisë, në bazë të dispozitave të Mëkëmbësisë së Mbretërore të Përgjithshme, i ka shkruar Ministrisë së P. të Brendshme, (Sigurimi), Romë, për të lënë të lirë të kthehen në Tiranë, Mahmut Golemi, e Beqir Zagoriçani, t’ë internuar në Viçense, Faik Quku i internuar në Pistoia, dhe Ali Këlcyra, i internuar në Çortona./Memorie.al
Kaq për dijeni.
M I N I S T R I
(firma)
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016