Dashnor Kaloçi
Memorie.al/publikon dokumentin e Sigurimit të Shtetit me siglën “Tepër sekret” ku bëhet një përmbledhje lidhur me dosjet e grave të huaja, ruse, rumune etj., që ishin të martuara me shtetas shqiptarë, si: Nadezhda Kabashi, Zoje Gulina, Roza Gulina, Nina Pumo, Eleni Pëllumbi etj, të cilat u arrestuan dhe u dënuan në vitet 1973-‘75 duke u akuzuar si agjente të Zbulimit Sovjetik.
Prishja e marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë komuniste, në vitin 1961, me aleatin e saj të ngushtë, Bashkimin Sovjetik, si dhe me vendet e tjerë të Europës Lindore, siç quheshin asokohe “Demokracitë popullore”, shënoi një dramë të vërtetë edhe për një numër të madh shtetase të huaja, që i përkisnin këtyre vendeve të cilat kishin ardhur në Shqipëri, pas martesave që ato kishin bërë me shqiptarë, që studionin në ato vite në vendet e tyre. Si p.sh. me Bashkimin Sovjetik, Poloninë, Hungarinë, Gjermaninë Lindore, Bullgarinë, Çekosllovakinë, etj. Ashtu siç është e njohur tashmë, pjesa më e madhe e grave të huaja, që ishin në Shqipëri asokohe, ku dhe kishin krijuar familjet e tyre, pas presioneve të shumta dhe deri kërcënimeve nga strukturat e specializuara të shtetit shqiptar (kryesisht, Fronti Demokratik dhe Sigurimi i Shtetit), u detyruan që të ktheheshin në vendet e tyre, prej nga kishin ardhur, duke marrë me vete edhe fëmijët që kishin lindur këtu në Shqipëri.
Si p.sh. bashkëshortja e shkrimtarit të njohur, Dritëro Agolli, e skulptorit të famshëm, Thanas Papa, etj, të cilat u kthyen përgjithmonë, në ish-Bashkimin Sovjetik, për t’u ri takuar me ta, vetëm pas vitit 1991, kur në Shqipëri u shemb regjimi komunist.
Por drama e këtyre dy grave ruse, si dhe ajo e shumë të tjerave bashkë atdhetare të tyre, që u bënë objekt i “Gjuetisë së shtrigave”, nga regjimi komunist shqiptar, do të ishte ku e ku në krahasim me disa të tjera, shoqe të tyre, që nuk pranuan të divorcoheshin, me bashkëshortët shqiptarë dhe qëndruan në Shqipëri. Pjesa më e madhe e tyre, pasi iu nënshtruan një survejimi të rreptë, u akuzuan si agjente të zbulimeve të huaja dhe përfunduan burgjeve politike të regjimit komunist, për vite me radhë, duke kaluar vuajtje të pashembullta si nga qelitë e hetuesive, ashtu dhe në kampet e burgjet, ku ato qëndruan të izoluara deri sa u liruan dhe u riatdhesuan në vendet e tyre. Si p.sh. polaket, Barbara Orgocka dhe Barbara Mullaj, ruset Natasha Pengili, Inja Tarasova Dyrzi, etj.
(Lidhur me dramën e madhe të grave të huaja në Shqipëri e fatin tragjik të tyre, nën regjimin komunist, ishte një nga njollat më të errëta të atij regjimi. Pas viteve ’90-të, shkrimtari i njohur, Ismail Kadare, do të shkruante “Sorkadhet e trembura”, vepër e cila është përshtatur, në një skenar filmi, nga kineasti i njohur me famë botërore, Juri Arabov dhe regjisori Aleksadnër Sukurov, duke e realizuar në një film artistik që tashmë është në proçes”. Rasti tjetër i regjisores së njohur bullgare, Adele Pieeve, e cila ka realizuar një film-dokumentar mbi fatin tragjik të grave ruse në Shqipëri).
Lidhur me këtë fakt, pra fatin tragjik dhe dramën e madhe që pësuan e përjetuan gratë e huaja në Shqipëri nga fillimi i viteve ’50-të e deri në shembjen e atij regjimi, bën fjalë dhe ky dokument arkivor me siglën “Tepër sekret” i cili ka qenë “Për përdorim të brendshëm” nga organet eprore të Sigurimit të Shtetit. Dokumentin në fjalë po e publikojmë në Memorie.al
Zbulimi dhe goditja e disa rezidenteve dhe zbulimeve të huaja
Nga goditjet e bëra, më aktiv dalin zbulimet revizioniste me atë sovjetike në krye, të cilat në këtë periudhë veç kanaleve të tyre të hapta dhe të fshehta, shfrytëzuan edhe agjentët e tyre dërguar për të kryer veprimtari agjenturor-subversive, paçka se kamufloheshin nën petkun e grave të martuara, me shtetas shqiptarë dhe kishin marrë edhe shtetësinë shqiptare.
Goditja e “Dhelprës”
Në vitin 1975 u godit një grup i vënë në shërbim të Zbulimit Sovjetik, i kryesuar nga Roza dhe Zoja Gulina, që ndiqeshin me pseudonimin “Dhelpra”. Ky grup ka vepruar aktivisht prej 19 vjetësh, nga viti 1955-1975.
Roza Koçi është dëbuar nga Shqipëria në vitin 1961, për veprimtarinë armiqësore që zhvillonte. Ajo kishte vënë në shërbim të saj, bashkëshortin, Mandi Koçi dhe Zoja Gulinën. Roza Koçi, ishte rezidente dhe pas dëbimit të saj, detyrën e rezidentes ja la Zoja Gulinës. Rezulton se Zbulimi Sovjetik, kur tërhoqi në bashkëpunim, Zoja Gulinën, Nina Pumën dhe Nadezhda Kabashin, u kishte thënë se ato do të drejtoheshin në Shqipëri nga Roza Koçi.
Zoja Gulina, ka ardhur në Shqipëri që në vitin 1958 me pretekstin se ishte martuar me një shtetas shqiptar, që ishte student në Bashkimin Sovjetik. Në bazë të detyrave që i dha Zbulimi Sovjetik, ajo u fut pedagoge e gjuhës ruse dhe me këtë kamuflazh, zhvillonte veprimtari agjenturore subversive. Lidhjet me Zbulimin Sovjetik fillimisht i mbante nëpërmjet korrespondencës që i dërgonte “nënës” në Moskë.
E përgatitur mirë nga Zbulimi Sovjetik, sa erdhi krijoj një rreth të gjerë shoqëror, kryesisht me gratë ruse si: Nina Pumo, Nadezhda Kabashi, Taise Pisha, Roza dhe Mandi Koçi etj, që ndiqeshin nga organet e Sigurimit, si agjentë të mundshëm të Zbulimit Sovjetik. Nga të dhënat e “Mimozës” dhe të bashkëpunëtorëve të tjerë që u drejtuan si dhe nga vëzhgimi, T. O.-ja, etj (Teknikës Operative, përgjuesve, shënimi ynë), vërtetohej se Zoja, jo vetëm kontaktonte me të sipërmit, por edhe zhvillonte agjitacion e propagandë armiqësore.
Meqenëse në rrethin e saj shoqëror, ishin disa lidhje që ndiqeshin nga organet e Sigurimit Tiranë, Shkodër, problemi u centralizua me pseudonimin “Dhelpra” dhe u ndoq me plan masash operative të përbashkëta. Rezultat dha bashkëpunëtori “Kabashi”, i cili u drejtua te Nadezhda Kabashi dhe arriti të futet në lidhje me Zbulimin Sovjetik. Me bashkëpunëtorin “Frekuenca” u krye kombinacioni, ndërmjet saj dhe Zojas, ku doli se objekti zhvillonte agjitacion e propagandë armiqësore, u mësua karakteri i marrëdhënieve të Eleni Pëllumbit, me Zojën. U organizua puna e mirë e vëzhgimit në drejtim të tyre, ku u përcaktuan lidhjet dhe u bë vlerësimi i tyre. U studiuan materialet e Mandi Koçit dhe si lidhje e rëndësishme e Roza Koçit, pas dënimit të saj, ishte ai. Me arrestimin e Nadezhda Kabashit u organizua më mirë përpunimi në dhomat e izolimit dhe lidhjet jashtë.
Kështu u vërtetua dhe veprimtaria e Zojës, e cila u arrestua më 14.5.1975. Me goditjen e saj u bë plani i përbashkët operative-hetimor, për ta zbërthyer si agjente të Zbulimit Sovjetik. Gjatë hetimit, ajo pohoi se ishte vënë në shërbim të Zbulimit Sovjetik dhe se kryente detyrën e rezidentes, nga viti 1961-1975, duke mbajtur në lidhje, Nina Pumon, Nadezhda Kabashin dhe Mandi Koçin. “Kur vajta në Bashkimin Sovjetik në 1960-ën, për të lindur fëmijën, u udhëzova nga kuadrot e Zbulimi Sovjetik, se si duhet të punoja, të futesha në radhët e inteligjencës e rinisë, të bashkëpunoja me Nadezhda Kabashin, Nina Pumon, nën drejtimin e Rozës”, ka deponuar Zoja Gulina. Për punën që kishte kryer në vitin 1960, kur ishte në Moskë u shpërblye me 3000 rubla. U vërtetua se këto mbanin lidhje me konsullin sovjetik dhe se me prishjen e marrëdhënieve diplomatike, lidhjet me Zbulimin Sovjetik i mbanin nëpërmjet ambasadës çeke, kuadrit të Zbulimit Sovjetik, Zdonea Kovodeleka, sekretar i II-të. Gjithashtu Nina Pumo, ka ardhur në Shqipëri në vitin 1960, me pretekstin se u martua me një shtetas shqiptar. U vu në përpunim aktiv si agjente e Zbulimit Sovjetik më 17.9.1973. Për qenien e saj si agjente e Zbulimit Sovjetik, ka deponuar edhe Zoja Gulina, të cilat i kishte në lidhje. Gjatë hetuesisë ajo pohoi qenien e saj si agjente e Zbulimit Sovjetik nga viti 1961. Se qe vënë në shërbim atje, duke marrë edhe parullën dhe kundërparullën për t’u ndërlidhur me Zojën. Kështu veproi deri sa u arrestua më 15. 10. 1975
Nadjezhda Kabashi është arrestuar për agjitacion e propagandë armiqësor në vitin 1973. Ajo deponoi qenien e saj si agjente e Zbulimit Sovjetik dhe lidhjet e saj me Zojën. Ajo sa erdhi në Shqipëri në vitin 1975, filloi veprimtarinë armiqësore në formën e agjitacionit e propagandës. Në vitin 1973 u dënua me 7 vjet privim lirie. Mandi Koçi, ishte vënë në shërbim të Zbulimit Sovjetik, që në vitin 1961, nëpërmjet bashkëshortes së tij, Rozës, që ishte kuadër e Zbulimit Sovjetik. Nga viti 1961 që u dëbua Roza, ai mbahej në lidhje nga Zoja, deri në vitin 1975, që u arrestua dhe u dënua me 25 vite privim lirie si agjent i Zbulimit Sovjetik.
Eleni Pëllumbi, me kombësi rumune martuar me një shtetas shqiptar, ardhur në Shqipëri që para çlirimit. Në vitin 1970 shkoi në shkollën e Gjuhëve të Huaja, ku u vu në lidhje me Zojën dhe bashkëpunoi me grupin e Zojës, me të cilën qe njohur që në vitin 1964. Më datën, 9.6.1975 u arrestua dhe u dënua si agjente e Zbulimit Sovjetik.
Nga këto dhe goditje të tjera që janë bërë, rezulton se Zbulimi Sovjetik kanalin e grave ruse të martuara, me shqiptarë e ka përdorur aktivisht në veprimtarinë agjenturoro-subversive kundër vendit tonë. Zbulimi dhe goditja e “Dhelprës” vërteton se pavarësisht se u deshifrua e u godit me vonesë, në vitin 1975, veprimtaria agjenturoro-subversive nga Zbulimit Sovjetik edhe me këtë grup ka filluar që në vitin 1959.
Zbulimi dhe goditja me vonesë e “Dhelprës”, u bë se ky kanal i rëndësishëm nuk u vlerësua dhe u ndoq me përparësi qëllimisht nga drejtuesit e Organeve të Sigurimit të Shtetit, si Kadri Hazbiu, Feçor Shehu etj, edhe pse disa pjesëtarë të “Dhelprës” ndiqeshin prej kohësh dhe të dhëna kishte.
Kur “Dhelpra”, intensifikoi veprimtarinë në vitin 1973, sektori përkatës u detyrua që ta centralizonte dhe ta ndiqte si rezidenturë dhe u arrit ta deshifronte në vitin 1975, sepse faktet ishin bindëse, dhe armiqtë u detyruan ta miratonin goditjen, pse ndryshe do të konsideroheshin si përkrahës të spiunëve.
Taktika e përdorur duke zbuluar dhe goditur gradualisht pjesëtarët e “Dhelprës”, dhe vazhdimi i përpunimit në dhomat e izolimit, krahas zhvillimit të hetuesisë, si dhe përpunimi që iu bëhej pjesëtarëve të tjerë të grupit, ende të pa goditur, duke kryer veprime të ndryshme operative, ishte një përvojë që punonjësit e Organeve të Sigurimit të Shtetit, e kishin përdorur edhe në zbulimin e goditjen e rezidenteve dhe grupeve të tjera armiqësore dhe kishte dhënë e dha rezultate.
Në zbulimin dhe goditjen e “Dhelprës”, punonjësit e Sigurimit të Shtetit që vepronin me devotshmëri për çështjen e Partisë dhe të popullit, analizuan edhe njëherë punën e tyre, sidomos në drejtim të Zbulimit Sovjetik dhe në mënyrë të veçantë kanalin e grave ruse të martuara me shtetas shqiptarë dhe forcuan punën në këtë drejtim, gjë që shpuri në zbulimin dhe goditjen e rezidentes tjetër të këtij zbulimi armik./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016