Nga Esat Myftari
Pjesa e shtatë
Memorie.al /publikon historinë e panjohur të Esat Myftarit me origjinë nga Peja, i cili që në bankat e shkollës së mesme kur ishte anëtar i një grupi djemsh të rinj që kundërshtonin politikën e Beogradit zyrtar ndaj politikës diskriminuese që ushtrohej ndaj popullsisë shqiptare që jetonte në trojet e veta, filloi punë si gazetar te “Rilindja” e Prishtinës nga ku u propozua për korrespodent i Agjensisë TANJUG, por e refuzoi atë dhe në vitin 1963 u detyrua të arratisej dhe të vinte në Shqipëri, me synimin për të kërkuar ndihmë dhe përkrahje nga shteti amë, për organizatën klandestine të “Djemve të Pejës”. Peripecitë e shumta në shtetin amë dhe ndjekjet e vazhdueshme të Sigurimit të Shtetit që gjatë kohës së studimeve në Tiranë dhe periudhës kur shërbente si arsimtar në qytezën e Shëngjinit e fshatrat e Bregut të Matës, ku dhe u arrestua në vitin 1975, pasi kishte kërkuar zyrtarisht riatdhesimin në vendlindjen e tij Kosovë, duke e dënuar me dhjetë vite burg me akuzën për “agjitacion e propagandë”, të cilat i vuajti në kampin e Spaçit. E gjithë historia e dhimbshme e gazetarit, publicistit, studiuesit, përkthyesit, deputetit dhe diplomatit, Esat Myftari, është e përshkruar me një mjeshtëri nga ana letrare në librin e tij, “Vdekja jote, jeta ime” një roman autobiografik që sapo ka dalë nga shtypi nga Shtëpia Botuese “Lena Graphic Desing” e Prishtinës, dhe me lejen e autorit, do publikohet pjesë pjesë nga Memorie.al
Historia e panjohur e gazetarit, publicistit e shkrimtarit Esat Myftari
Esat Myftari lindi më 16 qershor të vitit 1940, në qytetin Pejës në Kosovë, prej nga është dhe origjina e hershme e familjes së tij. Mësimet e para të shkollës fillore, 7-vjeçaren dhe gjimnazin, i kreu në vendlindjen e tij, duke i përfunduar ato në vitin 1959. Po në vitin 1959, Esati, djaloshi i ri, 19 vjeçar, filloi studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Beogradit. I dashuruar pas historisë dhe letërsisë, fillon të shkruaj që në moshë të re kur ishte në bankat e shkollës 7-vjeçare dhe në periudhën e fakultetit, bëhet anëtar i Klubit Letrar “Përpjekja” me seli në Qytetin e Studentit të “Beogradit të Ri”, ku afirmohet shpejt dhe here mbas here, shkruan poezi e vështrime kritike letrare, por për shkak të përmbajtjes së tyre, nuk i dërgon për botim.
Në vitin 1961, mbasi kaloi me sukses konkursin përkatës, Esati filloi punë si gazetar në të përditshmen e krahinës së Kosovës, “Rilindja”, ku caktohet të mbulonte kronikën e qytetit të Prishtinës dhe Sindikatat e Kosovës. Po atë vit, i ofrohet një bursë kualifikimi, pranë Agjencisë Jugosllave “TANJUG”, me perspektivën për t’u bërë korrespondent jashtë Jugosllavisë së asaj kohe. Por gëzimi i tij për atë bursë kualifikimi që ishte destinuar për ta dërguar atë në botën e jashtëm, u shua shpejt, pasi specializimi që i ofrohej kishte si kusht anëtarësimin e tij në Lidhjen Komuniste të Serbisë, gjë të cilën Esati 20 vjeçar, e refuzoi në mënyrë kategorike.
Ndërkohë në vitin 1963, merr pjesë në një grup djemsh të rinj që nuk pajtoheshin dhe ishin kundër politikës që ndiqte Beogradi zyrtar ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe kudo ku ata ndodheshin në trojet e tyre nën Jugosllavi, dhe në emër të “Grupit klandestin të Pejës”, si përfaqësues i tyre, kalon kufirin ilegalisht dhe vjen në Shqipëri. Qëllimi Esatit si përfaqësues i “Grupit ilegal të djemve të Pejës”, ishte për të vendosur kontakte me shtetin shqiptar dhe për të kërkuar mbështetje e ndihma të ndryshme, për mirëfunksionimin e atij grupi djemsh të rinj, që synonte t’i bënte rezistencë politikës diskriminuese të Beogradit zyrtar ndaj popullsisë shqiptare në Jugosllavi.
Në vitin 1974, një pjesë e anëtarëve të këtij grupi arrestohen nga autoritetet zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme jugosllave, duke u akuzuar si pjesëmarrës në manifestimet e vitit 1964, kohë kur u shpalosën flamujt kombëtar shqiptar nëpër qytetet kryesore të Kosovës dhe kur u ndërmorën masa të rrepta policore e gjyqësore ndaj tyre. Motoja kryesore e kësaj lëvizjeje masive që ishte dhe e para e këtij lloji në Kosovën e mbas luftës, ishte bashkimi i trojeve shqiptare me shtetin e tyre “amë”, Shqipërinë.
Ndërkohë Esati që ndodhej në Shqipëri, ashtu si edhe disa nga bashkatdhetarët e tij emigrantë kosovarë në Shqipëri, fitoi një të drejtë studimi dhe në vitin 1965, fillon studimet në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë, në degën “Bio-Kimi”. Mbas vitit të tretë të studimeve, i zhgënjyer nga politika zyrtare e regjimit komunist të Enver Hoxhës si dhe trajtimin që u bëhej emigrantëve kosovarë në Shqipëri, të cilët me ardhjen e tyre në në atdheun amë, dukej se “nga shiu kishin rëndë në breshër”, i ndërpret studimet dhe kërkon riatdhesimin!
Natyrisht kjo gjë nuk i’u aprovua nga Tirana zyrtare dhe në vitin 1969, Esati fillon punën si arsimtar në shkollën 8-vjeçare të qytezës së Shëngjinit, në rrethin e Lezhës, ku punon deri në vitin 1974, nga ku e transferojnë në fshatin Tale të Bregut të Matës, ku ai gjithashtu punoi me përkushtim. Ashtu si gjatë gjithë periudhës që ishte me punë dhe banim në rrethin e Lezhës, Esati survejohej rregullisht me të gjitha mënyrat nga organet e Sigurimit të Shtetit, edhe në atë shkollë ku thuhej se atë e kishin dërguar me qëllim, pasi i frikësoheshin një arratisje të mundshme të tij për në Jugosllavi nga Shëngjini, ai arrestohet dhe dënohet me 10 vite heqje lirie, i akuzuar për “agjitacion e propagandë ndaj pushtetit popullor”!
Pasi kryen dënimin e plotë duke vuajtur atë në kampin e Spaçit etj., (duke mos përfituar asnjë ditë ulje dënimi), Esati lirohet prej burgut politik në vitin 1985 e kthehet në rrethin e Lezhës ku kishte punuar dhe jetuar para dënimit dhe në vitin 1986, fillon punë si punëtor në Fabrikën e Letrës në Lezhë. Po atë vit krijon familje dhe më pas i lindin dy djemtë.
Pjesë nga libri “Vdekja jote, jeta ime”, i autorit, Esat Myftari
Hetuesi “kompetent” nga Tirana, për deshifrimin e fletoreve me shënime!
Për një kohë mbi dymujore, dy fletoret me shënime nga skedarët e Bibliotekës Kombëtare, hetuesi i’a kishte tund para hundës si kërcënim për demaskimin e tij përfundimtar. Në të vërtetë, ai kishte aspak të drejtë: ato përmbanin tituj librash në gjuhë të huaja që Ridvani kishte shënue sa kohë që ishte në Tiranë. I kishte marrë me vete prej andej kur u largue për huazime të kohëpaskohshme me anë poste. Por ato, në fantazinë e hetues Grigor Selenicës ngjanin me shenja apokrife, zbërthimin e të cilave do ta bënte shumë shpejt me ndihmën e një eksperti të Qendrës. Prandaj këtë seancë hetuesie, ai e kishte organizue ndryshe prej herëve të tjera.
Jo natën e me rrapëllima të panevojshme dyersh e shkundje çelësash. As me britma kote për të shpërnda frikë e autoritet të rrejshëm ndër të ngujuem mbrapa dyersh të rënda. Aty nga ora dhjetë e paradites të një dite plot diell të qeshun fund maji, e morën qetë-qetë dhe e çuan te hetuesi. Kur hyni, sytë i mbeten te një figurë disi e pame turbull, nga ato personat me peshë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, i cili, me sa dukej, kishte ardhë me detyrë të posaçme për të.
Por hetuesi, që po rrinte tanë madhështi mbrapa skrivanisë së vet, nuk e la të merrej gjatë me hamendësime.
– Është shoku Ilia Samara, nga Tirana, i cili do të na tregojë se çfarë fshehin ato dy fletoret tuaja, mbushur me shkarravina.
Mbas këtyne fjalëve, hetuesi kryqëzoi duart mbi gjoks për të mbajtë vesh me indiferentizëm të shtimë dialogun që do të zhvillohej midis tyre. Kurse Ridvani e kuptoi se do të kishte rastin me u zbavitë me të. I ardhuni kishte vu çantën e vet të vogël të zezë në qoshe të tavolinës e kishte ndé përpara një dosje të hollë jeshile me një tabak letre sipër, sigurisht për shënimet që do të mbante. Ai nuk e quajti të nevojshme me ba ndonjë nga ato hyrjet profesionale, sepse, nga sa kishte lexue prej tij e për të, dilte se ai, Ridvani, i përbuzte formalitetet e pakuptimta e mburavece…
Hetuesi kishte mbet një outsider. Ai nuk i kuptonte fjalët e termat, aq ma pak frazat e shkëputura në gjermanisht e, tek-tuk, në anglisht, frëngjisht, italisht e rusisht, që Ridvani i kishte gjuhë pune. Hetuesi Grigor Selenica ishte një person tipik i kohës: pa njohje të gjuhëve të huaja, pa kureshtje për filozofinë – gjithë kultura e tij përmblidhej në disa citate të shkëputura e të futuna në tekstet universitare, ku emrat e mëdhenj si Hegel, Kant, Niçe etj., i përkeshnin si idealistë, me përkufizime të ngrime teoricienësh rusë.
Kurse Ilia Samara e njihte për emër Ridvanin dhe para se të vinte këtu, i kishte lexue materialet e tija (E çuditshme: 5 dekada ma vonë, kur e tërhoqi dosjen e vet, pa të pasqyrueme në fletën-formulare mbi 12 oficerë që, kohë mbas kohe, për qëllimet e tyne operative, u ishin kthye shkrimeve të tij të rinisë e, në margjina, kishin mbetë shënimet e glosat e tyne personale, atëherë sigurisht me plot domethanje, por që tash ngjanin si këmbë pulash të cofta).
Kështu, ndaj hetuesit, ai kishte epërsi të natyrshme: vinte prej Centralit si epror i tij dhe kishte qenë në Evropë, sado që në pjesën lindore të saj, si dhe e fliste gjermanishten fliessend. Në këtë pikë ai bante përjashtim prej shum të tjerëve të dikasterit. Kuadrotë ma cilësorë qenë shkollue në Beograd e Moskë dhe këshilltarët e shumtë rusë në Tiranë për 12 vjetë rresht, i kishin futë e zbërthye për qejf metodat e NKVD-s. Veç kësaj, gjermanishtja e tij kishte shum autoritet në opinionin e brendshëm të ministrisë. Ndoshta pse vetë populli shqiptar kishte pasë pak ose aspak momente armiqsije me gjermanët. Madje, edhe në ndërgjegjen e analfabetit shqiptar, ishte e ngulitun bindja se krijimi i shtetit shqiptar i detyrohej kësaj race.
– Po ti, ku e mësove gjermanishten? – iu drejtua Ilia.
– Në Tiranë.
– Te kush?
– Te profesor Vangjeli, në Shkencat e Natyrës. Na thanë se ishte ide dhe nismë e Çabejt – saktësoi Ridvani jo pa qëllim.
– E qartë, dhe ti rende të hyje menjëherë në klub. Veç kësaj, ne e dimë se në dhomë, mbi krevat, mbaje Tomas Manin dhe jo atë të udhëheqësit tonë – tha deshifruesi.
Hetuesi: Ti i pandehur, ke shpërfillur letërsinë tonë, po përgatiteshe për të dalë disident!
– Ishte shkrimtari im i parapëlqyem qysh se e pata lexue novelen “Tonio Kröger”. Pra ishte thjesht simpati letrare.
– Jo vetëm. Megjithatë, pasioni yt për gjuhë të hueja na lë të kuptojmë edhe gjëra të tjera, veçanërisht kur ato u mësuan në kurriz të lëndëve të degës që e zgjodhe vetë e nuk t’u imponua, për të cilën ti kishe marrë të drejtën e studimit dhe bursën. Ne dimë edhe një gjë tjetër: se ti krijove një imazh qëllimisht të rremë tek të tjerët, por kjo mund t’i mashtronte shokët e tu të kursit që ishin 6 vjet më të rinj se ti, por jo neve.
– Kjo dëshirë e imja ka qenë ma e hershme, pra s’ka pasë kurrfarë qëllimi të dytë, në kuptimin që po mendokeni ju.
– Shiko, i pandehur Ridavan, ne i pamë dhe analizuam kartelat e tua të bibliotekës. Na del se ti edhe letërsinë tonë e ke shpërfillur plotësisht. Po përgatiteshe, kështu, që pas riatdhesimit, të merrje qëndrim disidenti? Qëndrimin e njeriut të zhgënjyer nga dy shtetet?
– Disidencë do të thotë politikë, kurse un kisha vendue me heq dorë përjetë prej saj.
– Edhe gjezdisjet e tua në Përmet me Ziso Vangjelin, të kota ishin?
– Ziso Vangjelin nuk e kërkova un, por e gjeta. Atje më sistemuat për jetesë, unë nuk e dija as që eksitonte ai njeri!
– Mirë, tani po të plotësohet dëshira që të vazhdosh shoqërinë me të: shko e shfryni lirshëm e sa të doni në Spaç. Po me bukinist Demin, si u njohe?
– Ai ishte thjesht librashitës me liçencë.
– Cilat ishin kërkesat që i bëje atij?
– Vetëkuptohet, librat që mungonin në librari.
– Ka edhe më
– Un nuk e di.
– Ç’ishte ai interesim i yt për françeskanët?
– Unë jam rrit me letërsinë e Veriut.
– Lëri këto klasifikime përçarëse, ti i doje pse ishin kundër sistemit tonë. Kjo duket hapur.
– Ç’të keqe kanë “Visaret e Kombit”?
– Apo si dy Don Kishotër donit të ringjallnit çështjen çame? Ne e njohim prej kohësh atë çapaçul me sy gjithë skleba që llomotiste poshtë e lartë për masakrat greke.
Cinizmit të Ilias gjeti rastin t’i bante shoqni një hingirizje me za të mbytun e hetues Grigor Selenicës, rast i vetëm ky që ai u ba i gjallë gjatë kësaj seance. Ridvani vloi përbrenda dhe kundërshtoi në trajtë pyetëse.
– Pse kufomë?!
– Sepse Çamëria është tokë e zbrazur!
– E drejta e kthimit, me sa di unë, nuk vjetërohet Mandej kemi mija çamë të gjallë, të vetëdijshëm dhe energjikë.
– Mos na mbaj leksion për çamët, ne i njohim më mirë se ti ata. Po ajo kërkesa jote që të organizohej letërsia e emigracionit kosovar në Shqipëri?
– S’po ju kuptoj.
-Ç’ishin ato vizita tueja të shpeshta në Lidhjen e Shkrimtarëve ndërkohë që nuk ishe anëtar?
-Kureshtje e kënaqësi. Atje kisha edhe bashkëvendas të njohun, me gjendje shpirtnore të njejtë ose të ngjashme si e imja. Çfarë të keqe kishte këtu?
Ai hallakati nëpër çantë dhe nxori prej andej një letër fletoreje e lexoi: “Më 3 maj 1968, në kafe Tirana, ke thënë se në shembullin e shkrimtarëve gjermanë, ne kosovarët e këtushëm duhet të krijojmë letërsinë tonë të emigracionit. Në këtë mënyrë, do të kemi dorë të lirë të shprehemi sipas pikëpamjes sonë për pushtuesit serbë. Do të vijë dita, ma vonë, kur ajo do të integrohet në letërsinë kombëtare me meritat e veta historike. Është e vërtetë kjo?
– Nuk më kujtohet të jem shprehur pikërisht kështu, por po më pëlqeka! Po të jetë se vërtetë e kam thanë, e pranoj.
– Pse të merret modeli gjerman, kur edhe ne kemi pasur letërsi mërgimi?
– Po sepse nji letërsi e tillë kosovare do të kishte mundësi ta stigmatizonte shtypjen kombëtare në Kosovë dhe nuk e implikonte shtetin shqiptar. Mendoj se kjo gja do të ishte një lehtësim edhe për shkrimtarët e Kosovës, që gëzojnë liri stilistike, por janë të penguem me trajtue tema kombëtare. Tekembramja, vllaznit Mann, Brecht-i, Zëeig-u e sa të tjerë, kishin qenë jashtëzakonisht të suksesshëm. Pse të mos mësonim prej tyne?
– Çka tregon se në të gjitha vijat kryesore ti ke qenë i orientuar kundër nesh.
– Nuk kam qenë kundër jush, por kam ndjek logjikën time.
– Ali Hoxha, Hoxhë Alia! Mirë, unë kaq kisha. Konstatoj se fletoret tueja mbajnë shënime të lejueshme, por, sido që të jetë, ato pasqyrojnë formimin tënd. Dhe ky formim të ka shpënë këtu ku je sot. Ka qenë zgjedhja e jote, prandaj nuk ke kujt t’i ankohësh!
Ridvani heshti dhe nuk u bani asnji koment fjalëve të tij. Edhe hetues Grigor Selenica humbi atë vrullin e parë e iu përshtat gjendjes së krijueme.
Oficer Ilia Samara u largue buzagaz ndonëse me shikim të menduem, të cilin Ridvani e pati të vështirë ta devinonte. Por i pëlqeu qe erdh e shkoi me ton njerëzor, gja unikale në këto net hetuesie shqiptare.
Nostalgji
Një ditë të nxehtë fund qershori u thanë se biruca e tyne do të lyhej me gëlqere. Ky njoftim e ngazëlleu veçan Ridvanin, jo vetëm pse muret qenë vrugë e merimangat po shtrinin koloninë e tyne gjithandej, por edhe pse trupi e, sidomos, trikoja dhe të brendshmet e tij, lëshonin amë të keqe si të plehut në kalbje e sipër. Kishte mbi katër muej që nuk ishte la. I kthyem në një oshnar të pavullnetshëm, ai ishte, në të vërtetë, pjesë e natyrshme e gjendjes së tij. Me qenë se jashtë nuk kishte njeri të vetin, ai s’kishte mundësi të ndrrohej. Edhe ushqimin shtesë, një herë në dy javë, sikurse e lejonte rregullorja, s’kishte kush t’ia binte.
Nga ana tjetër, ai nuk pranonte gja prej Simonit, ndonëse i kishte ofrue disa herë të ndante diçka me te, një a dy vezë ose disa kokra ullijë, për të cilat goja i lëshonte lang. Por, ky abstenim i tij, kishte edhe anën e vet të mirë e paksa komike. Të burgosunit e tjerë, politikë e ordinerë bashkë, këtë ditë takimi e konsideronin ditë feste të njëmend: jo vetëm se do t’i shihnin ftyrat e dashuna të familjes, por edhe sepse do përmirësonin dietën e tyne të ngratë. Këtyre ditëve, kishte lëvizje e rrapllima të shpeshta dyersh, birucat që ngjanin me arkivole të mbyllun, papritmas ktheheshin në lamë korrjesh, madje me kuaj paksa të hazdisun. Aty kah mbasdita e vonë, kur kishte mbarue zakonisht procesi i tretjes, dy banjot në fundet e korridorit, mezi i banin ballë shkumjes së barkut. Shquheshin sidomos të pandehunit ordinerë, të cilët përgjithësisht ishin ma të zashëm, ma serbes e disi mospërfillës ndaj vendimit gjyqësor që i priste.
Tekembramja, çdo veprim e kishin ba me parallogari dhe pak a shumë i dinin përmendsh kufijt e dënimit që caktonte ligji. Kurse këta politikët, qysh prej ditës së parë, ndodheshin nën trysninë e përkufizimit flu të fajit, sepse çdo fjalë e shprehun diku, dikur, në mjaft rasa plotësisht e harrueme, mund të ringjallej si vampir e të bante me gisht akuzues drejt tyne e të ndryshonte “bindjen e brendshme” të hetuesit. Kurse Ridvani rrinte krejt i qetë, dhe aparati i tij tretës ndiqte të njëjtin ritëm, pse nuk kishte mbingarkesë shujte e as ndryshim menuje.
Aty nga ora dhjetë, roja u tha të mblidhnin çaklat e të dilnin bashkë me to në pajtos. Dielli tashma i kishte lëshue rrezet e veta mbi atë oborr të vogël e të lakmuem, muret rrethues qysh heret qenë ngroh e po lëshonin nxehtësi, kurse qielli i qëruem me tirkizin e tij të thellë premtonte një ditë të nxehtë e pa luhatje moti. Ata zunë vend aty ku binte hija e murit dhe i palosën plafat e tyne si shtrojë. Mbasi u thanë se do ta kalonin aty gjithë ditën deri sa të thahej gëlqerja, ata gjetën një copë tjegulle e vizatuen mbi çimento me të kuqën e saj një cic-mic të madh, gërmuen e gjetën guralecë të përlyem me dhé e filluen lojën e tyne. Por shpejt hoqën dorë, pse loja s’po u gnacmonte aspak fantazinë.
– Lojë koti – tha Simoni dhe u shkoi me dorë përsipër gurëve tue prishë renditjen e tyne. Ridvani nuk bani ndonji vërejtje qortuese, përkundrazi, u shtri mbi batanije dhe mbylli sytë. Një kotje e lehtë e ndihmoi të harronte për pak edhe Simonin dhe zyrën sipër pajtosit ku e dinte se punonte kryetari i degës e ndoshta mund t’i vëzhgonte prej mbapa perdeve lëvizjet e tyne. Dhe mund të kishte të drejt, sepse Ridvanit ia kishin tërheq vëmendjen se nuk lejohej që gjatë ajrosjes të bënte ushtrime gjimnastikore si yllin, pompat apo vertikalen. Në fakt, të vetmen herë që e kishte thye këtë rregull, ai kishte dashtë vetëm me provue për pak çaste se sa forcë i kishte mbetë dhe jo të sfidonte ndokënd në zyrat sipër. Rujna Zot, do të ishte një marrëzi e madhe me hap bejleg me ta, qoftë edhe me nënkuptime. Në përcaktimin e sjelljes së të pandehunit, kishte një mori rregullash, mosrespektimi i të cilave pas sillte të drejtën e ndëshkimit.
Ridvani hoqi trikon dhe këmishën e i ndeu mbi plafa me shpresën se bashkë me mykun do zhdukej edhe një sasi e asaj ame të keqe. Si mbeti në kanatierë me duer të holluem e muskuj të flashkët, ia ktheu shpinën diellit. E, mbas pak, iu desh të zinte sërish hijen që mos t’i digjej lëkura. Por, kur hoqi çorapët, atë e zu tmerri: mbi shputat e deri te nyjet e këmbëve qe nde shtresa e përzieme e pluhnit e lagështisë që ngjante me një suva të egër e të përthame, të cilën mezi e hoqi. Në fund i doli në dritë lëkura e hollë, e bardhë, me rrjet të dukshëm kapilarësh ende të shëndetshëm, që, megjithatë, e qetësuen.
Për drekë prunë supë nga kazani i ushtarëve, me grimca mish pule që pluskonin në langun e yndyrtë dhe bukë të freskët e të butë. Me lugën e tij të trashë prej alumini, Ridvani veçoi mishin në një skaj të pjatës që ta hante në fund e ta përsillte një copë herë nëpër qiellzë në mënyrë që t’i mbetej sa ma gjatë në gojë shija e mishit tashma të harruem. Për ma tepër, në këtë shijim të papritun po merrte pjesë mbarë organizmi i tij: supa që rrëshqiste ëmbël nëpër gurmazin e thamë dhe zorrët që i gurgullonin si një mixer e që do t’a shpërndanin ushqimin e mbramë nëpër pjesët defiçitare të trupit, për ta ndje veten ma të gjallë edhe në mendje. “S’na mbetet tjetër veçse me lyp kafe”, i tha me mahi Simonit. Por ai nuk iu përgjigj. Si asnjiherë tjetër qe zhytë në heshtje, pa tregue asnji shkak. Edhe për gjellën nuk dha ndonjë vlerësim. Por ishte e drejta e tij, prandaj Ridvani nuk e çoi ma tej.
Mbasi i fshinë pjatat me tul buke, papritmas, Simoni thirri si në kllapi:
– Ridvan, këtu sot jemi krejt të lirë, mendoj se s’ka çimka të vëna.
– Edhe?
– Dëshiroj të diskutoj me ty një temë që prej kohësh më shqetëson.
– Po?
– A beson ne Zot?
Befasia e Ridvanit qe e plotë. Kishte mbi dhjetë vjet, qysh me shembjen e shtëpive të kultit, që kjo temë përgjithësisht qe përzanë prej kuvendimeve të hapuna të njerëzve e qe palue në privatësinë e thellë të secilit. Ndërsa martesat e përzieme edhe në mjedise ish fanatike, ose të cilësueme si të tilla – aq ma parë flirtet e shumta të çifteve me prejardhje besimesh të ndryshme – pothuej se po vërtetonin drejtësinë e vendimit atipik politik që kishte marrë qeveria komuniste. Për ma tepër, dukej sikur qe pritë me kënaqësi heqja e një barre të tepërt, lanë trashëgim.
– Që të jem i sinqertë, as vetë nuk e di – ia ktheu Ridvani.
– Po të pyes sepse familjen e kam të ndarë më dysh dhe unë vetë ende nuk kam marrë anë. Nëna ime beson dhe, natyrisht, kur s’ka njerëz të huaj në shtëpi ndjek festat e ritualet ortodokse me gjithë kundërshtimet e babait.
Ridvani u matë t’i thoshte “e drejtë e saj”, por u përmbajtë.
– Sidoqoftë, kjo asht një gjendje specifike e jona! – tha Ridvani.
-Pikërisht! – pohoi Simoni për ta inkurajue arsyetimin e Ridvanit – Më kanë thënë se ka interpretime nga më të ndryshmet jashtë vendit. Jam kureshtar të dijë se si na shohin të tjerët.
-S’asht çudi! – pohoi Ridvani. Dhe, që të mos ngjallte dyshime për veten, ndoqi mënyrën e vet: citoi interpretime të hueja. – Para se të arrestohesha ndigjova dy komente interesante, një te Radio France dhe një tjetër te BBC, por që në fakt ato i referoheshin të njëjtit burim serb të Londrës. Ky disident i Bogosllovisë së Prizrenit kishte thanë se ky hap i liderit shqiptar ishte me qitje fort të largët, që e kishte mbush me gëzim.
– Me gëzim?!
– Po. Simbas tij, lideri shqiptar në thelb nuk asht ateist, por një person thellësisht kundër Islamit. Me vendosjen e këtyne pengesave, thoshte ai, lideri shqiptar synon t’i dobësojë deri në skaj ndjenjat fetare të njerëzve të rëndomtë dhe, kështu, ta përgatis popullin e vet për kalim shpirtnor në Europën e krishtenë. Prandaj përsërit deri në bezdi tezën se “ne, shqiptarët, jemi evropianë” në mënyrë që, kur të vijë momenti i hapjes së vendit, shumica dërmuese e shqiptarëve të jenë gadi për evangjelizimin e tyne e t’a pranojnë atë pa tronditje, pse do t’u duket si një ritual i zakonshëm riatashimi. Në përfundimet e tija plot ekzalt ai thoshte: “objektivi ende virtual i evangjelizimit ka për qëllim përftimin e nji shtrese ish myslimane që ndoshta do të pranonte edhe rikonkuistën, vetëm e vetëm që të pranohen si evropianë. Dhe si burim kryesor rekrutimi, ai llogariste bektashijtë e ateistët.
– S’e besoj, – tha me gjys zani Simoni, por në ftyrë i vezulloi shendi. – Po tjetër, ç’thoshte ai? Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016