Nga Esat Myftari
Pjesa e gjashtë
Memorie.al/publikon historinë e panjohur të Esat Myftarit me origjinë nga Peja, i cili që në bankat e shkollës së mesme kur ishte anëtar i një grupi djemsh të rinj që kundërshtonin politikën e Beogradit zyrtar ndaj politikës diskriminuese që ushtrohej ndaj popullsisë shqiptare që jetonte në trojet e veta, filloi punë si gazetar te “Rilindja” e Prishtinës nga ku u propozua për korrespodent i Agjensisë TANJUG, por e refuzoi atë dhe në vitin 1963 u detyrua të arratisej dhe të vinte në Shqipëri, me synimin për të kërkuar ndihmë dhe përkrahje nga shteti amë, për organizatën klandestine të “Djemve të Pejës”. Peripecitë e shumta në shtetin amë dhe ndjekjet e vazhdueshme të Sigurimit të Shtetit që gjatë kohës së studimeve në Tiranë dhe periudhës kur shërbente si arsimtar në qytezën e Shëngjinit e fshatrat e Bregut të Matës, ku dhe u arrestua në vitin 1975, pasi kishte kërkuar zyrtarisht riatdhesimin në vendlindjen e tij Kosovë, duke e dënuar me dhjetë vite burg me akuzën për “agjitacion e propagandë”, të cilat i vuajti në kampin e Spaçit. E gjithë historia e dhimbshme e gazetarit, publicistit, studiuesit, përkthyesit, deputetit dhe diplomatit, Esat Myftari, është e përshkruar me një mjeshtëri nga ana letrare në librin e tij, “Vdekja jote, jeta ime” një roman autobiografik që sapo ka dalë nga shtypi nga Shtëpia Botuese “Lena Graphic Desing” e Prishtinës, dhe me lejen e autorit, do publikohet pjesë pjesë nga Memorie.al
Historia e panjohur e gazetarit, publicistit e shkrimtarit Esat Myftari
Esat Myftari lindi më 16 qershor të vitit 1940, në qytetin Pejës në Kosovë, prej nga është dhe origjina e hershme e familjes së tij. Mësimet e para të shkollës fillore, 7-vjeçaren dhe gjimnazin, i kreu në vendlindjen e tij, duke i përfunduar ato në vitin 1959. Po në vitin 1959, Esati, djaloshi i ri, 19 vjeçar, filloi studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Beogradit. I dashuruar pas historisë dhe letërsisë, fillon të shkruaj që në moshë të re kur ishte në bankat e shkollës 7-vjeçare dhe në periudhën e fakultetit, bëhet anëtar i Klubit Letrar “Përpjekja” me seli në Qytetin e Studentit të “Beogradit të Ri”, ku afirmohet shpejt dhe here mbas here, shkruan poezi e vështrime kritike letrare, por për shkak të përmbajtjes së tyre, nuk i dërgon për botim.
Në vitin 1961, mbasi kaloi me sukses konkursin përkatës, Esati filloi punë si gazetar në të përditshmen e krahinës së Kosovës, “Rilindja”, ku caktohet të mbulonte kronikën e qytetit të Prishtinës dhe Sindikatat e Kosovës. Po atë vit, i ofrohet një bursë kualifikimi, pranë Agjencisë Jugosllave “TANJUG”, me perspektivën për t’u bërë korrespondent jashtë Jugosllavisë së asaj kohe. Por gëzimi i tij për atë bursë kualifikimi që ishte destinuar për ta dërguar atë në botën e jashtëm, u shua shpejt, pasi specializimi që i ofrohej kishte si kusht anëtarësimin e tij në Lidhjen Komuniste të Serbisë, gjë të cilën Esati 20 vjeçar, e refuzoi në mënyrë kategorike.
Ndërkohë në vitin 1963, merr pjesë në një grup djemsh të rinj që nuk pajtoheshin dhe ishin kundër politikës që ndiqte Beogradi zyrtar ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe kudo ku ata ndodheshin në trojet e tyre nën Jugosllavi, dhe në emër të “Grupit klandestin të Pejës”, si përfaqësues i tyre, kalon kufirin ilegalisht dhe vjen në Shqipëri. Qëllimi Esatit si përfaqësues i “Grupit ilegal të djemve të Pejës”, ishte për të vendosur kontakte me shtetin shqiptar dhe për të kërkuar mbështetje e ndihma të ndryshme, për mirëfunksionimin e atij grupi djemsh të rinj, që synonte t’i bënte rezistencë politikës diskriminuese të Beogradit zyrtar ndaj popullsisë shqiptare në Jugosllavi.
Në vitin 1974, një pjesë e anëtarëve të këtij grupi arrestohen nga autoritetet zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme jugosllave, duke u akuzuar si pjesëmarrës në manifestimet e vitit 1964, kohë kur u shpalosën flamujt kombëtar shqiptar nëpër qytetet kryesore të Kosovës dhe kur u ndërmorën masa të rrepta policore e gjyqësore ndaj tyre. Motoja kryesore e kësaj lëvizjeje masive që ishte dhe e para e këtij lloji në Kosovën e mbas luftës, ishte bashkimi i trojeve shqiptare me shtetin e tyre “amë”, Shqipërinë.
Ndërkohë Esati që ndodhej në Shqipëri, ashtu si edhe disa nga bashkatdhetarët e tij emigrantë kosovarë në Shqipëri, fitoi një të drejtë studimi dhe në vitin 1965, fillon studimet në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë, në degën “Bio-Kimi”. Mbas vitit të tretë të studimeve, i zhgënjyer nga politika zyrtare e regjimit komunist të Enver Hoxhës si dhe trajtimin që u bëhej emigrantëve kosovarë në Shqipëri, të cilët me ardhjen e tyre në në atdheun amë, dukej se “nga shiu kishin rëndë në breshër”, i ndërpret studimet dhe kërkon riatdhesimin!
Natyrisht kjo gjë nuk i’u aprovua nga Tirana zyrtare dhe në vitin 1969, Esati fillon punën si arsimtar në shkollën 8-vjeçare të qytezës së Shëngjinit, në rrethin e Lezhës, ku punon deri në vitin 1974, nga ku e transferojnë në fshatin Tale të Bregut të Matës, ku ai gjithashtu punoi me përkushtim. Ashtu si gjatë gjithë periudhës që ishte me punë dhe banim në rrethin e Lezhës, Esati survejohej rregullisht me të gjitha mënyrat nga organet e Sigurimit të Shtetit, edhe në atë shkollë ku thuhej se atë e kishin dërguar me qëllim, pasi i frikësoheshin një arratisje të mundshme të tij për në Jugosllavi nga Shëngjini, ai arrestohet dhe dënohet me 10 vite heqje lirie, i akuzuar për “agjitacion e propagandë ndaj pushtetit popullor”!
Pasi kryen dënimin e plotë duke vuajtur atë në kampin e Spaçit etj., (duke mos përfituar asnjë ditë ulje dënimi), Esati lirohet prej burgut politik në vitin 1985 e kthehet në rrethin e Lezhës ku kishte punuar dhe jetuar para dënimit dhe në vitin 1986, fillon punë si punëtor në Fabrikën e Letrës në Lezhë. Po atë vit krijon familje dhe më pas i lindin dy djemtë.
Pjesë nga libri “Vdekja jote, jeta ime”, i autorit, Esat Myftari
Loja e hetuesit me fotografitë e mia
Hetuesi kishte shpërnda mbi tavolinë një tufë fotografish të përzgjedhura me kujdes, për të cilat do të kërkonte shpjegime prej Ridvanit. Fotografia e parë që i’a dha në dorë, ishte ajo që e kishte kapë në një moment të bukur sportiv: ishte një imitim loje, sepse aty ai shihej tu shkelmue topin në një rrip toke, buzë kanalit, ranzë zatrave. Po, ai ishte djalë me talent për futboll, madje në maturë trajneri i ekipit të qytetit e kishte grishë me u paraqitë për stërvitje, qoftë edhe sa për vëzhgim. Por Ridvani e kishte refuzue për shkak të gjendjes ekonomike. Edhe i ati, m’u për këtë shkak, i kishte dalë krah. E dyta në radhë, vinte fotografia e tij si student i vitit të dytë në Beograd. Ridvani vërtet nuk ishte as i bukur as fotozhenik, por aty kishte dalë fort i freskët e tërheqës: me flokë korb të zezë e me një optimizëm që i’a shndriste fytyrën. Ishin ditët kur ai tashmë kishte fillue ta pranonte Beogradin si qytet milionësh, kur lëshohej në diskutime të lira me shokët e kursit, me të cilët kishte shkue të shikonte “Duart e pastra” të Sartrit e qe kacagjelue me rolin e bashkëkombësit të tij; kur përmes një shtëpie botuese të Drezdenit kishte fillue ta begatonte bibliotekën e vet me albumet që kushtonin vetëm 200 dinarë, e magjepsej me klasikët: Goja, Renuar, Toulouse Lotreque, Rembrandt etj., ishte pra fotografia që i kishte pëlqye shumë dhe të atit. Madje, mbas largimit të Ridvanit për në Shqipni, i ati e kishte varë atë në murin përballë krevatit të tij dhe pak sekonda para se të jepte shpirt, i kishte pasë ngulë sytë pikërisht te ajo, kishte nxjerrë lot të avashtë e të ftohtë për faqe dhe mandej kishte mënjanue kryet mbi nënkrese në shenj lamtumire të fundit. Edhe bluza që mbante në shtatin e tij modest, ishte e një shoku klase i cili, mbasi e kishte pa fotografinë dhe i kishte pëlqye shumë, i kishte thanë: mbaje, se po të shkoka për fytyrë e po të rrika në masë!
E treta, si zgjedhje profesionale e hetuesit, vinte fotografia kolektive familjare, e shkrepun në një çast pikëllimi të përbashkët, kur po baheshin gati me u shpërngulë për në Izmir të Turqisë. Hetues Grigor Selenica i’a dorëzoi atë pa i thanë asnjë fjalë, por ama po e ndiqte me bisht të synit reagimin e tij. Fillimisht, pa një farë vezullimi të ndrojtur në sytë e tij gjys të shuem, por kjo nuk zgjati ma shumë se një hop. Fill mbas kësaj, fytyra e Ridvanit qe ngurtësue me fekse egërsie. Por ishte një përpjekje e kotë e tij për të mbulue valën e brendshme të mallit. Në kornizën e atij kartoni drejtkëndësh vërté, qe mbledh e gjithë familja e tij, prindët e të pesë vëllaznit – i madhi mungonte se kishte qëllue ushtar në Zagreb – në një mengjes të largët të para njëzet e kusur vjetësh, kur jeta e tyre pulsonte fuqishëm: baba me kapelë franceze në krye që mbahej mbi një qafë të mbushun me muskuj, nana me shami të lidhun mirë – me atë bojë kafen qe pajtohej bukur me ngjyrën e syve të saj, e që i’a mbulonte flokët dhe vllaznit me ftyrat e lirikën e moshës së njomë.
Ndër ta ishte edhe ai vetë, me këmishë blu e pantallona bojëkaf, të posa bleme për Bajram. Ishte njësoj sikur t’i sillje me shkop magjik një copë bote të zbehun e të konservueme diku në kujtesë, por që tash, në këto rrethana kaq të çuditshme, po shfaqeshin për t’i thanë se kjo botë asht pafundësisht ma e gjanë se ky rrethim mizor muresh dhe se për njerëzit kur ndahen gjithmonë ka shpresa që të shihen përsëri, sido që në forma jolandore si kjo e tija, mbasi shpirti asht i gjallë e në lëvizje të përjetshme e s’ka bajonetë që e mbërthen një herë e përgjithmonë në një vend.
Hetuesi qe largue te tavolina e vet. Seç po kërkonte nëpër sirtarë por që Ridvanit i pëlqeu ta interpretonte si dëshirë të tij për ta lanë atë të patrazuem në shijimin e një momenti familjar e të një rinie të perëndueme e të ofendueme. Ridvani tashma i’u lëshue valëve të emocioneve dhe nuk bani përpjekje për t’i frenue ato a për të mbivendue pamje të tjera imagjinare. Por, kur këmisha i’u ngjit për shpine e zemra po i rrihte me trokitje të frikshme, Ridvani u bind se kishte ra në kurthin e hetuesit. Vetëm atëherë brofi sikur po kalonte nëpër trupa të spërdredhun gjarpinjsh dhe e flaku në tokë dhuratën danaje.
Natë e vonë pranverore, kur qyteti flinte gjumë dhe matan dritareve, në rrugë, vezullonin dritat nëpër shtyllat elektrike pa tfillue asgja. Një natë krejt shurdhe për ngacmime të jashtme.
– Si të duash, unë për ty e kisha. Ishte një dobësi e imja kjo, e pranoj. Ka të drejtë udhëheqsi ynë që porosit të mos biem në sentimentalizma ndaj armiqëve tanë. Por për këtë fototgrafi – hetuesi nxori prej xhepit fotografinë për të cilën e kishte planifikue këtë seancë hetuesie, – je i detyruar të më përgjigjesh, ndryshe do ta konsideroj si fakt rëndues për ty e do ta protokolloj si të tillë”.
Pyetjet e hetuesit për të afërmit e mi nga Kosova që kisha dalë në foto
Fotografitë e tjera i mori dhe i ktheu në tavolinë.
Ishte fotoja e shkrepun në një mbramje familjare shtrue për nder të kushërinës së tij të ardhun prej Peje me kolektivin e shkollës dhe një pjese të shokëve të tij. Midis tyne ishte edhe poet Bujari, i afirmuem para pak vitesh me një poemë politike, ku stigmatizonte shtypjen serbe, por që tash së voni po i’a terratisnin emnin e mirë të atij momenti me nënprodukte të reja rruge.
– Kush e shtroi darken -, ishte pyetja e parë e drejtpërdrejtë e konkrete që lidhej me to.
– Qe, kjo e ky këtu – tregoi me gisht Ridvani.
– Këtu ne nuk merremi me përemra, por me emra.
– Ju e dini se kush janë këta.
– Po të tjerët?
– Kjo këtu?
Ridvani tregoi një grue elegante e me linja të bukura ftyre, së cilës ia kishte hedhë dorën mbi supe.
– Asht vajza e axhës, Luljeta.
U mendue një copë herë, por e kaloi pa koment. Me sa dukej, dikush kishte dhanë urdhën të mos hetohej për të.
– Po kjo, me këtë shall të mëndafsht e vështrim shpërfillës?
– Shoqe klase. Ka mbarue për filozofi në Sarajevë dhe sot punon si asistente në katedrën e filozofisë së pastër në Prishtinë.
– Ç’do të thotë kjo, filozofi e pastër?!
– Në kuptimin që atje mësohen të gjithë filozofët e të gjitha rrymat, pa përjashtim.
– Pse, te ne po u bëka filozofi e pistë?! – thirri hetuesi.
– Ku ta di unë pse-në, atje kështu i thonë.
– Mirë, vazhdo!
– Kaq di.
(Një ditë, para asaj mbramjeje, ata të dy kishin ba shëtitje nëpër bulevardin e Kombit pa i trazue njeri dhe fakti që hetuesi s’po ia përmendte këtë faj, i la të kuptonte se u kishin shpëtue syve të kalecve të tij. Ajo gjatë gjithë kohës ia kishte shti krahun, madje edhe në sheshin para monumentit të Skenderbeut, sado që flitej se këtu turistat kosovarë vëzhgoheshin hap mbas hapi kur shkëputeshin prej grupit. Për ma tepër, ajo qe rrekë ta mbështillte me ngrohtësi demonstrative njerëzore e t’i jepte zemër qëndrese: leni këta, i kishte thanë, mjafton që ne e dimë se kush je ti! Ti ishe shembull i mirë atdhetari e guximtari. Ridvanit i qenë mbushë sytë, sepse ai ligjërim zaultë si një pëshpëritje gjethesh në vjeshtën e parë, po e mbushte me dinjitetin e dikurshëm, kur kishte vlerë e çmohej si duhet, kurse tash qe i shtërnguem me dhanë llogari edhe për një shtërngim dore a shikim dyshues! Kam frikë se po na ndjekin, i tha asaj në fillim, por të lutëm ti mos u ç’kap, për inat. Ata do të bajnë me mue çfarë kanë ndërmend me ba, sido që të sillemi në këtë shesh. Kurse ty s’kanë çfarë t’bajnë. E shumta të përzanë dhe besoj se mbas kësaj që po sheh e po ndigjon s’do të kesh ma shum mall për të ardhë përsëri. Ama kur të kthehesh, ngacmoje edhe një herë punën e riatdhesimit tim. Ajo ia shtërngoi me forcë pëllambën e dorës dhe i shfreu me dhimbje: jam interesue Ridvan vëllai, por edhe atje njisoj kanë rezerva për ty. Asht perhap teoria e lojës së organeve shqiptare me ty. Rreth emnit tand janë thurrë disa legjenda të vogla të cilat as ata vetë nuk i besojnë, por e kanë vetëm për hakmarrje. Veç kësaj, ata e dinë se ti je konfliktue me këta të këtushmit, prandaj hakmarrjen e bajnë me duert e këtyne këtu. Le të hahen shqiptarët mes vedi, si qentë! thonë ata. Jam e mirinformueme për këtë.)
– Po kjo që rri ngjeshur pas poetit tënd?
-Asht grueja e tij, pra, punon si redaktore në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”.
– Edhe kjo e grupit tuj?
– Sigurisht, besoj ta keni has në materialet tueja, sepse edhe ajo ka ardhë këtu dy vjet para meje, si e arratisun, dhe besoj të jetë shpreh vetë. Asht bija e hoxhës më të arsimuem që ka pasë ndonjiherë qyteti ynë, me studime në Al Ahzar, atdhetar me emën dhe i vramë në pusi prej komunistave serbë.
– Ka qenë reaksionar?
– Ka qenë shqiptar.
– Se ne e njohim mirë këtë kategori klerikësh që ditën mbahen të shenjtë, kurse natën thurrin komplote!
– Zotni hetues, po flasim për Kosovën e pushtueme prej sllavo-ortodokësve, jo për Shqipninë.
– Çdo të thotë kjo: sllavo-ortodoksë që e përsërisni ju kosovarët deri në bezdi? – e pyeti hetues Grigori me buzë të shpërvjeluna e turri të qituna përpara.
– Janë përcaktime historianësh, sepse shtetet sllave katolike si Kroacia e Sllovenia, kanë qenë me ne!
– Kur qenka kështu, pse jeni kundër Titos?
– Sepse ai asht mbi-nacional!
– Atëherë, ju, si pinjoj nacionalistësh, ç’deshët që erdhët në këtë Shqipëri të kuqe, pro-sllave e antikosovare?
– Sepse na u tha se jugosllavët ju kishin mashtrue.
– Leri broçkullat… ne e dimë se ç’është thënë atë natë, e kishim kolonën tonë aty. Por gjithsesi, këta këtu janë më të poshtër se ti, ne e dimë se të gjithë duan të riatdhesohen, por nuk ua mbanë të kërkojnë zyrtarisht. Të paktën në këtë pike, ti u tregove më i sinqertë. Por ji i sigurt se as njerëzit e tu nuk të duan më! Tani ti je vetëm një burim infeksioni për të gjithë, por, plus kësaj, ke për të shlyer edhe disa borgje ndaj nesh. Po ai, dinaku juaj poet e akrobat, mendon se me një poemë do t’na hidhte pluhur syve?!
– Ai punon në ATSH dhe vlerësimi pozitiv për të asht zyrtar!
– Po ky këtu, që vinte si hajdut në Shëngjin për t’u solidarizuar me ty? Që fliste gjithandej se ti do të shkoje me mision në Kosovë, ndërkohë që e dinte se ç’armik ishe? Që e tërhiqje në brendësi të detit, në brezin e dytë të rërës dhe aty qëndronit gjatë duke biseduar.
– Ky asht inxhinier Namiku, po kështu shoku im i ngushtë – tha Ridvani dhe u mrrol në ftyrë.
(Ishte e kotë t’i flisje për shpirtin ma gazmor të atij grupi që e ruejti drejtëpeshimin mendor edhe kur i ati ia hoqi vetës publikisht në kafene, edhe kur e la t’amën e ve me duer në gji, edhe kur i vdiq fëmija e parë në Tepelenën e largët e shurdhe, edhe kur e kuptoi marrëzinë e kotësinë e ardhjes këtu. Atë e kishin lutë ta kthenin, por kishte refuzue me nji gjest kërcnues: do të hidhem prej makinës po me morët me forcë! u kishte thanë policëve, kur si student, për nji incident të parapërgatitun, e kishin ri-internue në Çermë. Ishte djalë me pudor, Namiku, nuk donte me parakalue nën hingrizjen e zyrtarëve serbë të Pejës. Po kujt t’i flisje për këto gjana, o Zot?)
– I pandehur, po të them për herë të fundit: ç’u folë gjatë darkës?
– Po ju thash, ishin kujtime të kohës gjimnaziste e studentore!
– Deponimet më thonë tjetër gjë.
– Punë e tyne.
– Sidoqoftë, dije se ju kemi në grusht dhe shumë shpejtë të gjithë ju do të takoheni në të njëjtin gjiriz, more vesh?!
Ridvani e pa në sy mendueshëm e me të njëjtën habi, kush e di për të satën herë. E thoshte proverbi: Shqipëri… vërtetë nuk të njoha!
Pyetjet e hetuesit për dy akademikët me origjinë nga Kosova
– Dhe, e fundit për sonte: Kush janë këta dy burra? – pyeti hetuesi për nji tjetër fotografi kolektive akademikësh, dalë para shkallëve të Institutit të Gjuhësisë.
– Dy profesorët e mij, Ahmet Kelmendi dhe Menduh Begolli.
– Je takuar me ta?
– Po.
– Ku?
– Në Tiranë, para vitrinave të Librit Ndërkombëtar.
– Kush e ndërmjetësoi takimin tuaj?
– Askush, ishte gja e rastit.
– Nuk të thirren ata?
– Jo, punë që verifikohet. Unë kisha ardhë për çështje ri-atdhesimi dhe datën e patën caktu të tjerët, jo un.
– Çfarë u the atyre për Kongresin e Gjuhës?
– Asgja të veçantë.
– E dua shprehjen origjinale.
– S’ka problem, nuk e kam thanë tinzisht, por hapun: “Ju, profesorët e mi, keni ardhë me i shitë xhavahiret e Kosovës për qymyr”. Këtë po ju përsërisë edhe juve, sepse e kam bindje se gjuha letrare nuk duron anësi krahinore, asht thesar i përbashkët i mbarë kombit.
– “Gegëria nuk mund të poshtrohet kështu, po as gjuha shqipe të varfërohet në këtë farë feje”, e ke thënë?
– Nuk e mbaj mend. Ndoshta. Nuk qenka fort gabim.
– Ti, princi i pabrekë e injorant i Gegërisë! – thirri hetuesi dhe ia dha një gazi plotë kënaqësi e mburrje.
Ra zilja. Hetuesi shtriu dorën me përtesë dhe kapi receptorin.
– Në rregull – i tha personit matanë telit.
Kërcënimet e nënkryetarit të Degës së Lezhës se do më dënonte 20 vjet
Mbas pesë minutash, në zyrë u dha një burrë i gjatë, ftyrëkuq e me kime flokësh te drejtë si tela.
– Hë, si gjithnjë, kokëfort, apo jo? – iu drejtue hetuesit.
– Po, si gjithnjë, e zeza e vetes!
– Dëgjo këtu, – u kthye kah Ridvani i posa-ardhuni, – unë jam Ligor Vllahu. Këto ditë jam emruar këtu nënkryetar. Vitet e fundit kam shërbyer si kryetar Dege në Tropojë dhe e njoh shum mirë mentalitetin e malsorëve. Ju, malsorët, keni një tipar të jashtëzakonshëm, që unë e çmoj shumë: besen. Kur e jepni fjalën i mbaheni asaj me korrektesë. Prandaj po të them se, po u tregove i arsyeshëm e bashkëpunues me ne, jemi gati të ta lehtësojmë masën e dënimit. Dhe kije parasysh se, në të kundërtën, ne mund ta ndrrojmë nenin e akuzës, por atëherë do të dënohesh me 20 ose 25 vjet heqje lirije ose edhe më keq…dhe ia shtriu dorën.
Ridvani e mblodhi veten dhe ia nguli sytë me tanë përbuzjen që ndjeu në atë çast ndaj këtij psikologu primitiv dhe iu përgjegj, tue e lanë dorën e tij pezull n’ajr.
– Së pari, zotni nënkryetar, un nuk jam malsor. Kam lind e jam rritë në qytetin Pejë, që daton qysh prej kohës romake me emnin Syparantum. Me një fjalë, nuk jam bastard i ndonji fisi endacak, si ndonji tjetër, por me rrajë të vjetra qytetari anas. E sa për nenet, unë nuk marr vesh nga ai profesion.
– Ashtu?
– Po.
Ligor Vllahu, i shpërqëndruem nga kjo përgjigje e papritun dhe padurueshëm krenare, me atë aluzionin brenda për origjinën e tij, i përflakun në fytyrë, e lëshoi me hapa të mëdhej zyrën. Hetuesi, i cili po rrinte si hu gardhi afër tij, thirri: Mark! Dhe Marku, që priste mbrapa dere në pritje të kësaj thirrjeje – kushtrim, hapi derën e hyni me pranga në dorë.
Grigor Selenica, si i bashkofenduem me nënkryetarin e ri, urdhnoi:
– Lidhe këtë qen kosovar!
Marku, për të dhanë provën e gjallë para syve të eprorit, jo vetëm që i çoi deri në zero filetat e prangave, por, i trembun mos kishte mbetë ndonji hapsinë e lirë, thirri në ndihmë edhe cepin e xhaketës së tij të thatë ushtarake, për ta çue ma tej shtërngimin. Por, ajo që doli para syve të tyne plot habi, ishin dy duer të zbeta që po fryheshin para syve të tyne e që po nxiheshin me një shpejtësi alarmuese.
– Shpejt! – thirri prapë hetues Grigor Selenica.
Kryeroja Mark e kapi për krahu dhe e çoi te çesmja, në fund të korridorit. Dhe aty, përgjatë dy orëve të mbasmesnatës, duert e Ridvanit e ndjen vrushkullin qetësues të ujit të ftohtë e shërues. Kështu, Ridvani ynë, shijoi vetëm një pjesë të vockël të seancës me torturë, me të cilën rëndom e tmerronin të burgosunin në nisje të hetuesisë. Por përmbrenda, megjithatë, ndjeu një farë krenarije sepse përvijimi i fundit fatal nuk e trembi aq dhe u bind se guximi qenka ndoshta shtylla kryesore e nderit në jetë.
Kur e kthyen në birucë, gjumi tashma i kishte tretë e s’po i kthehej. Pikëllimi filloi ta gryente pa mëshirë: në çdo seancë hetuesije ai po shihte pamje të ndryshme të realitetit shqiptar që nuk i kishte shkue kurr nëpër mend. Kur ishte jashtë, Ridvani, edhe pse i kishin thanë se numri i hetuesve minoritarë grekë e arumunë, ishte në shpërpjesëtim me numrin e tyne të sakt si pakica, nuk e kishte besue. Por tash, mjerisht, po i dilte e vërtetë. Megjithatë mendimet ndaheshin në përcaktimin e shkakut të këtij shfytyrimi. Disa thoshin se Enveri ket gja e bante në mënyrë që të pengonte zbutjen e hetuesisë, ku kërkohej aspak mëshirë; të tjerët ngulnin kambë se ai përpiqej ta shpërndante një pjesë të zemrimit shqiptar mbi elementë alogjenë; kurse të tretët – dhe këta ishin shumica – ngulnin kambë se dy spjegimet e para ishin thjesht sendergjime të paditunish, se gjithçka ishte rastësi, se ai ishte nji përbindësh që s’kishte as komb, as fé, as moral, prandaj nuk kishte nevojë me hy në stërhollime të tilla. Simbas këtyne të fundit, ai s’ishte veçse një diktator që njihte vetëm interesin e vet. Se kishte ba shumë krime qysh gjatë luftës dhe se tash ishte peng i atyne krimeve. Ndërkaq, ajo që po e çponte si majë thike, ishte fakti se ai u kishte dhanë në dorë këtyne elementëve dosjet mirëbesuese të kosovarëve, ku i kishin rrëfye dikur, në një klimë mirëbesimi të rrejshëm, përpjekjet e tyne vetmohuese për çlirimin nga zgjedha serbe! Dhe, këtë natë, hetues Grigor Selenica sapo ishte përpjekë të luente ket lojë të pistë!
Horribile dictu!
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016