Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon dy letra të panjohura të Sejfulla Malëshovës, ish-ministrit të parë të Kulturës në qeverinë komuniste të Enver Hoxhës, në vitet 1945-1946, i cili në 1928-ën, kur ndodhej me studime në Bashkimin Sovjetik, me një bursë të dhënë nga KONARE-ja, u shkruante shokëve të tij të grupit komunist. Çfarë thuhet në ato dy letra dhe kush ishin anëtarët e tjerë të atij grupi komunist, të cilët Faik Konica i quante “agjentë të bolshevizmës”, që një ditë do të ktheheshin në atdhe dhe do t’i vinin zjarrin Shqipërisë!
Çfarë ishte KONARE?
Pas rikthimit të Ahmet Zogut në pushtet, në fundin e dhjetorit të vitit 1924, pothuajse pjesa më e madhe e kundërshtarëve të tij politikë, që ishin implikuar në grushtin e shtetit të qershorit të atij viti, apo siç është njohur ndryshe nga propaganda dhe historiografia e regjimit komunist të para viteve ‘90-të si “Revolucioni demokratiko-borgjez i Qershorit 1924”, i cili rrëzoi me forcën e armëve qeverinë e ligjshme të Shefqet Vërlacit, u detyruan të largoheshin nga Shqipëria.
Pjesa më e madhe e tyre u vendos kryesisht në Bari të Italisë, ku përfituan dhe statusin e azilantit politik, si dhe në Francë e Austri. Grupi kryesor i kundërshtarëve më të betuar të Zogut, u vendos në Vjenë dhe që nga kryeqyteti austriak ata vendosën që ta vazhdonin luftën për përmbysjen e qeverisë së Ahmet Zogut, e cila kishte dalë nga zgjedhjet e lira të janarit të vitit 1925.
Në këtë kontekst, ata u përpoqën të gjenin aleatët e mundshëm, ku do të mbështeteshin për vazhdimin e luftës së tyre kundër Ahmet Zogut. Kështu, një pjesë e mërgatës politike antizogiste e Vjenës, që kishte si udhëheqës kryesor të saj Fan Nolin, vendosi që të mbështeteshin te Bashkimi Sovjetik, i cili në atë kohë luante dhe rolin kryesor të lëvizjes komuniste në të gjithë botën.
Pas kësaj, ky grup i dërgoi një letër qeverisë sovjetike, ku me anën e saj ata i kërkonin përkrahje morale dhe politike në luftën kundër regjimit të Zogut, të cilin ata e quanin qeveri reaksionare. Pas kësaj, ky grup vendosi lidhjet me Federatën Komuniste Ballkanike dhe nëpërmjet saj me Internacionalen Komuniste (Kominterni). Pas kësaj, duke u mbështetur në ndihmën e Federatës Ballkanike, ky grupim politik që kryesohej nga Fan Noli, më 25 nëntor të vitit 1925, organizoi në Vjenë një konferencë, ku u përfaqësuan edhe rryma të ndryshme të mërgatës politike shqiptare që ishte vendosur në shtetet e ndryshme të Evropës.
Në këtë mbledhje u formua Komiteti Nacional Revolucionar (KONARE), i cili kryesohej nga Fan Noli. Në këtë komitet, përveç kryetarit të tij, Fan Nolit, morën pjesë dhe Halim Xhelo Tërbaçi, Omer Nishani, Riza Cerova, Kostandin Boshnjaku, Lano Borshi, Dr. Nush Bushati, Aziz Çami, Bedri Pejani, Ibrahim Jakova etj. Ku grupim politik, pas kësaj mbledhjeje e intensifikoi akoma edhe më tepër luftën kundër Ahmet Zogut, sidomos me anë të gazetës së tij, “Liria Kombëtare”, të drejtuar nga Lano Borshi dhe Halim Xhelo, të cilën ata e nxirrnin në Gjenevë.
Në atë kohë, në sajë të lidhjeve që KONARE krijoi me Bashkimin Sovjetik, u bë e mundur që 14 shqiptarë të shkonin me studime në Moskë dhe Leningrad. Këta studentë ishin: Ali Kelmendi, Asllan Pejani, Qamil Çela, Fetah Ekmekçiu, Demir Godelli, Xhevdet Meqemeja, Ymer Domi, Naum Prifti, Rexhep Filati, Reshat Këlliçi, Reshit Daçi, Sejfulla Malëshova, Selim Shpuza dhe Haki Stërmilli.
Më pas, aty nga prilli i vitit 1927, ky grupim politik i quajtur KONARE, e ndërroi emrin e tij dhe filloi të quhej Komiteti i Çlirimit Nacional. Aty nga fillimi i viteve ’30-të, një pjesë e krerëve kryesorë të Komitetit të Çlirimit Nacional, si Ali Kelmendi, Omer Nishani, Riza Cerova, Halim Xhelo etj., u kthyen në Shqipëri, por pa mundur që të organizoheshin dot dhe në atë periudhë nuk patën ndonjë veprimtari të spikatur komuniste.
Gjatë viteve të regjimit komunist, veprimtaria e KONARE-s u manipulua e u falsifikua dhe në librin “Historia e Shqipërisë”, nuk u pasqyrua e vërteta e saj. Kështu u hoqën fare dhe nuk u pasqyruan aktiviteti i krerëve kryesorë të saj, si Lano Borshi, Ibrahim Jakova, Aziz Çami etj., të cilët gjatë viteve që pasuan nuk e ndoqën më lëvizjen komuniste, që kishin nisur në rininë e tyre. Përveç kësaj, në librin “Historia e Shqipërisë” (botimi i vitit 1984) u falsifikua pothuaj krejtësisht dhe deklarata e KONARE-s, e cila u nënshkrua në mbledhjen e 24 prillit të vitit 1927.
Konica kundër KONARE-së
Veprimtaria dhe aktiviteti i grupimit politik të inkuadruar në Komitetin Nacional-Revolucionar, që udhëhiqej nga Fan Noli, përveç reaksionit që ngjalli në qeverinë e Ahmet Zogut, pati dhe kritika të shumta nga personalitete të diasporës. Një nga këta ishte dhe Faik Konica, i cili asokohe kryesonte shoqërinë atdhetare “Vatra”, që përbëhej nga emigrantë shqiptarë të vendosur në SHBA-ve.
Në gazetën “Dielli” (Boston, e shtunë 15 maj 1926), që nxirrte Shoqëria “Vatra”, lidhur me veprimtarinë e grupimit politik të Fan Nolit dhe lidhjet e tyre me Bashkimin Sovjetik, Faik Konica midis të tjerash shkruante: “Nga letra dhe lajme me gojë të mara në kohërat e fundit, përmbledhim këto mi propagandën bolshevike në mes të shqiptarëve. Gjer në funt të Shën-Endreut 1924, propaganda bolshevike në Shqipëri ish në duar të një shqiptari të rritur në Rusi, njeri i hollë, i zoti dhe siç duket i bindur në mirësinë e teorive bolshevike.
Fan Noli në këtë propagandë si në çdo gjë tjetër, ish vetëm një fytyrë e sërës së dytë. E para provë besnikërie që ky grup i vogël i dha Sovietit, qe fjala qesharake e Fan Nolit në Lidhjen e Kombeve, fjalë e pëlqyer në Rusinë Bolshevike, por shumë e dëmshme për Shqipërinë. Me të kthyer të legalitetit në Shqipëri dhe me t’ë ikur të Fan Nolit jashtë, qendra e propagandës bolshevike u transferua natyrisht jashtë.
Të ikurit, sa kohë patën para nga ato që kishin prurë prej Shqipërie, nuk u munduan të gjejnë burime të tjera. Po paratë u mbaruan shpejt: dhe menjëherë nisën bisedime me Sovjetin për ndihma, bisedime që muarnë funt të pëlqyer. Përveç shumave të veçanta “për propagandë” që u dhanë, e u japin ca udhëheqësve të lëvizjes, Bolshevikët u kanë lidhur rroga dhe disa të ikurve, të porositur nga udhëheqësit: cave u japin nga 400 franga ar (80$) në muaj, ca të tjerëve nga 500 franga ar, (100$).
Pastaj duke marrë në sy zhvillimet revolucionare që turbullonjësit kanë shpresë të bëjnë më tutje në Shqipëri, guverna bolshevike u kërkojë armiqve të Shtetit t’onë nj’a dhjetë djem shqiptarë, që të venë në shkollën e veçantë të Moskës, ku formohen axhentat e Bolshevizmës. Këta studentë të çuditshëm, u dërguan dhe janë tani në Moskë, ku nxënë me sistem zanatin e revolucionares që të venë nesër t’i vënë zjarrin vendit të tyre ose të bien në duart e policisë dhe të humbasin jetën e tyre për dhjamë qeni”.
Letra e parë e Sejfulla Malëshovës
Leningrad 28.01 1928
I dashur shok
Bashkë me këtë po nisim dhe përkthimet, ose më mirë parathëniet vetëm, pse siç e di, ata duan të dinë se ç’kemi shkruar. Ti shko me domosdo te Kollorovi, fol me të nga ana e grupit dhe pyete ç’bën me statutin dhe instruksionet që po përgatisin. Pyete pastaj për Fundon, i thuaj pastaj se pas letrave që kemi marrë ay se ka kuptuar mirë fare çështjen dhe se ne duhet të jemi me të në kontakt, ndryshe s’kemi se si të jemi në kurs të punëve të Shqipërisë. I thuaj ç’qe arsyeja që nuk ja dërguan letrën që i shkruam Fundos dhe përpiqeni të març vesh kur do të mbarohet apokrosimativisht punë e statutit. Në qoftë se kjo do të vejë gjatë, atëhere u thuaj të të thonë ç’mendojnë për grupin dhe pas letrës që kemi kuptuar mirë qëllimet e K J (Komunistëve Jugosllavë) dhe gabimet tona.
Besoj se Kollorovi do të ketë ardhur tashti aty dhe ti me çdo mënyrë përpiqu t’a gjesh. Dhe me punën e përkthimeve pyeti si kanë ndër ment dhe kur t’i botojnë. I thuaj Hoxhës të na bëjë në formë dekllarat e një shkresë, në të cilën të tregojë arsyet e abstenimit të tij, kur u votua revolucioni dhe dënimi i Shpuzës edhe bashkë me këtë version e tij të bisedimeve …të nxehta që kini pasur ti me atë dhe Rexhepi me atë.
Këtë e kërkojmë pse dy shokë të grupit Godeli dhe Filati qahen për të dhe njeri prej tyre, Godeli, thotë se Hoxha e motivon abstenimin e tij kështu: Malëshova me Zavalanin kurdisin një intrigë kundër të pafajshmit, të papërlyerit Shpuzë dhe shokët e tjerë i hoqën pas hundës dhe se vetëm Hoxha, i patundur posi shkëmbi, nuk ra në këtë intrigë!
Ne duam të dimë ç’ thotë Hoxha për këtë akuzë që po i bëhet. Pun’ e Ramos ç’u bë? Ju a u futët në parti? Kur të na shkruash duhet që të kesh letrën tonë parasysh dhe pikë për pikë të na përgjigjesh. Dhe te Borisi shko dendur, e gjete librën mbi çështjen e atyre në Shqipëri? Për punë të gazetave i shkruani Qerimit që të interesohet të na i dërgojnë.
Shokëve të fala
Me mall Sejfulla Malëshova
Letra e dytë e Sejfulla Malëshovës
Leningrad, 25. IX. 1928
Të dashur shokë, ne këtu i jemi vënë punës dhe besojmë që në një muaj e sipër si Abeceja ashtu dhe manifesti Komunist me gjithë shënime do të jenë gati. Veç kësaj Zavalani bëri në maqinë disa kopje të Statutit, të cilën e përktheu dhe rusisht për Kominternin. Juve po ju dërgojmë një kopje. Zavalani përktheu instruksionet rusisht për KJ. Një kopje shqip të instruksioneve po jua dërgojmë. Ju si vini me përkthimet? Duhet që jo vetëm të vazhdoni, po edhe t’a mirni me seriozitetin e duhur. Fundos nuk po i dëgjohet kakrima i duket se ka rënë butë atje në jugë. Kur të vijë mos harroni t’i thoni se duhet të vijë këtu me domosdo.
Kajnon se arrimë dot në stacion atë mbrëmje që u nis. Rexhepi ç’bëri. E kapërcen rrezikun e doktorit apo jo? Ju atje duhet të jeni qendra e degës së Republikave të Bashkuara të Sovjetëve të grupit tonë. Kjo degë pas mendjes s’onë duhet të qeveriset prej një sekretari. Si sekretar ne propozojmë Demir Godelin. Mbi punën e sekretarit, d.m.th. se cilin mendoni ju se duhet të jetë, na shkruani dhe kështu të vendoset një herë e mirë dhe të nisë nga puna dega.
Edhe ne të Komis, të Përgj. jemi anëtarë të degës dhe si të tillë pagesat e përmuajshme etj do t’i dërgojmë aty. Dega të ardhurat e saj do t’i përdorë si për nevojat e degës dhe kusurin do t’ia nisë në qendër të përgjithshme. Me Naumin duhet të hyni drejt për drejt në lidhje. Ju aty të Moskës duhet të mblidheni shpesh në mbledhje zyrtare, të bisedoni në punërat e Grupit. Duhet që të përpiqemi që secili të marrë pjesë aktive në çështjen e përgjithshme dhe të ndjejë se nuk është një njeri i izoluar, por një njeri i organizuar, anëtar i një organizate luftarake. Ne vendosëm si cilido prej jush muaj për muaj dhe rregullisht t’u dërgojnë nga 5 rubla.
Pra ju duhet ta dini se këto asnjë prej jush nuk ka pse ua dërgon pse ju tek, po pse është i detyruar nga organizata. Dhe ju kini të drejtë të pretendoni që të ju dërgohen me rregull. Shuaip Hajnua do t’i marrë prej Reshat Këlliçit, Salih Hoxha prej Selim Shpuzës, Rexhep Filati prej Tajar Zavalanit, Demir Godeli prej Sejfulla Malëshovës. Shuaipit po i dërgojmë proces-verbalin mi zgjedhjen e Komisionit. Le të na japë mendimin e tij. Presim përgjigje”.
Për Komisionin e Përgjithshëm
S. Malëshova
Nga ministër në magazinier duhani, historia e Sejfulla Malëshovës, një prej komunistëve më liberalë, që ra viktimë e idealit të tij!
Sejfulla Malëshova u lind në vitin 1903 në fshatin Malëshovë të Përmetit, prej nga është dhe origjina e familjes së tij. Pas mbarimit të shkollës fillore në vendlindje, Sejfullai shkoi në Itali, ku ndoqi studimet në kolegjin e arbëreshëve të Kalabrisë në Shën-Mitër Koronë. Pas mbarimit të atij kolegji, ai u kthye në Shqipëri dhe u angazhua në organizatën revolucionare “Bashkimi”, të cilën e kishte themeluar Avni Rustemi.
Si shumë të rinj të tjerë të kësaj organizate, edhe Sejfullai mori pjesë në grushtin e shtetit që nga historiografia e para viteve ’90-të njihet si “Revolucioni i Qershorit” i vitit 1924 dhe pas triumfit të tij, ai përreth gjashtë muaj punoi si sekretar i Kryeministrit Fan Noli.
Pas rikthimit të Zogut në pushtet, në dhjetorin e vitit 1924, Sejfullai u largua jashtë Shqipërisë. Në fillim ai u vendos në Itali dhe më pas në Vjenë të Austrisë. Në vitin 1926, me ndihmën e KONARE-s, të drejtuar nga Fan Noli, ai përfitoi një bursë shtetërore nga qeveria e Bashkimit Sovjetik dhe për pesë vjet vazhdoi studimet në Fakultetin e Filozofisë në Moskë.
Pas mbarimit të studimeve në vitin 1931, ai u zgjodh në krye të shoqatës së shqiptarëve, që studionin në Bashkimin Sovjetik. Nga viti 1931 e deri në vitin 1941, Sejfullai punoi në Moskë pranë KOMINTERNIT, si dhe pedagog në fakultetin ku studioi vetë. Gjatë asaj periudhe, falë gjuhëve të huaja që zotëronte, ai u dërgua nga Kominterni me detyra të ndryshme në disa shtete të botës.
Pas një emigrimi të gjatë, Sejfullai erdhi në Shqipëri në marsin e vitit 1943, pasi kishte qëndruar përreth dy vjet në Francë. Pasi qëndroi për disa kohë në Tiranë si ilegal, Sejfullai mori pjesë në Konferencën e Parë të Partisë Komuniste të Shqipërisë të zhvilluar në Labinot, ku dhe u zgjodh kandidat i Komitetit Qendror. Kur filloi operacioni gjerman i dimrit, ai doli në mal dhe qëndroi pranë Enver Hoxhës e Shtabit të Përgjithshëm deri në mbarimin e Luftës.
Në tetorin e vitit 1944, në mbledhjen e Beratit, ai u zgjodh në qeverinë e parë provizore të kryesuar nga Enver Hoxha, duke marrë postin e ministrit të Kulturës dhe Shtypit. Këtë post ai e mbajti deri në shkurtin e vitit 1946, kur në Plenumin V-të u përjashtua nga Byroja Politike dhe Komiteti Qendror. Kjo gjë erdhi si pasojë e luftës për pushtet që zhvillohej në atë kohë brenda udhëheqjes së lartë komuniste, ku Enver Hoxha veç të tjerash thuhet se e shihte Malëshovën edhe si rival kryesor për kreun e PKSH-së.
Pas kësaj, për dhjetë vite me radhë ai punoi si ekonomist në Bankën Kombëtare në Tiranë dhe në vitin 1956, atë e internuan fillimisht në qytezën e Ballshit, ku u la të banonte në një barake të vjetër. Gjatë kësaj kohe (në vitin 1949) Malëshova u përjashtua edhe nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, duke u cilësuar si “element antiparti”.
Pas pak kohësh nga vajtja në Ballsh, atë e lejuan të banonte në qytetin e Fierit, duke punuar si magazinier lëkurësh e më pas duhani në një Ndërmarrje Bujqësore. Sejfullai jetoi krejt i vetëm, deri sa vdiq në mjerim të thellë në vitin 1970 dhe në varrimin e tij mori pjesë vetëm e motra, e ardhur nga fshati, si dhe dy nipat e tij./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016