Nga Kevin Haxhiu
Bajram Ragip Haxhiu i njohur nga lushnjarët si “Xha Bami”, lindi më 3 maj 1877 në qytetin e Lushnjes. Familja Haxhiu është njohur si një familje qytetare, fisnike dhe me tradita patriotike e në të gjithë rrethin e Lushnjes. Bajrami ishte patriot, nacionalist, demokrat, anti-komunist dhe veprimtaria e tij ka spikatur që në vitin 1920, si nismëtar i thirrjes dhe organizimit të Kongresit të Lushnjës.
Bajram bej Haxhiu, shkrim e lexim në gjuhën shqipe i ka mësuar autodidakt, ndërsa shkollën e mesme e bëri në gjuhën turke dhe të lartën ai e vazhdoi për Financë në Universitetin e Stambollit. Gjatë periudhës që ishte në Stamboll, Bajrami do të njihej me patriotë të shquar të Rilindjes Kombëtarë dhe ai u ndikua nga idetë patriotike të Rilindasve, gjë e cila bëri që ai gjithë jetën dhe veprimtarinë e tij, t’ja kushtonte çështjes kombëtare shqiptare.
Në fillim të shekullit XX-të, Bajram Haxhiu ishte një nga udhëheqësit kryesor të Lëvizjeve antiosmane në rrethin e Lushnjes dhe ai ishte një pjesëmarrës tepër aktivë në demonstratën e majit 1906 në qytetin e Lushnjës. Për pjesëmarrjen në këtë lëvizje, ai do të arrestohej dhe dënohej nga qeveria Osmane. Pasi doli nga burgu, Bajrami nuk do të ndalej, por përsëri vazhdoi të merrte pjesë në lëvizjen antiosmane dhe në 17 janarin e vitit 1909, ai do të ishte një në një prej organizatorëve të demostratës antiosmane.
Gjithashtu ai bashkëpunoi edhe me çetat kryengritëse të Myzeqesë për organizimin e kryengritjes së përgjithshme të Shqipërisë në lëvizjet që do të çonin në Pavarësinë e Shqipërisë. Kështu, pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912, ai përkrahu pa asnjë rezervë qeverinë e Ismail Qemalit, duke luftuar kundërshtarët e saj pro-serbë dhe kuislingët e Esat Pashë Toptani-t.
Po kështu Bajram Haxhiu nuk u pajtua me pushtimin e Shqipërisë nga ushtritë ndërluftuese të Luftës së Parë Botërore dhe ai e vazhdoi veprimtarinë e tij patriotike kundër vendimeve antishqiptare të Konferencës së Parisit për copëtimin e Shqipërisë, në favor të vëndeve fqinje. Kështu në këtë kohë Bajram Haxhiu ishte Anëtarë në Komisionin Nismëtar të Thirrjes dhe Organizimit të Kongresit të Lushnjës dhe ai ishte caktuar nga Komisioni Nismëtar me detyrën për shpërndarjen e postës në Durrës, Kavajë, Peqin dhe Elbasan.
Në këtë detyrë, Bajrami kontribuoj shumë në letërkëmbimin midis Aqif Pashë Elbasanit dhe personaliteteve të tjera patriot të asaj kohe. Kështu ai u vu në shërbim të qeverisë që nxorri kongresi dhe e përkrahu atë gjatë gjithë kohës që ajo i qëndroi besnike vendimeve të Kongresit të Lushnjës.
Kongresi Kombëtar i Lushnjes në kujtimet e nismëtarit, dhe patriotit Bajram Haxhiu
“Në kohën kur bëheshin përgatitjet për Kongresin e Lushnjes, unë kam qënë anëtar i komisionit inisiator për mbledhjen e këtij Kongresi, por kanë kaluar 50 vjet dhe pak gjëra më kujtohen. Këtu në Lushnje, kishte një lëvizje të gjërë patriotike. Para se të mblidhej Kongresi, ne hoqëm një flamur Italian dhe e grisëm. Aty ishte një tufë e madhe njerëzish dhe italianët nuk guxuan të na preknin me gjithë që bërtisnin, por kot! Më kujtohet se njeriu që kujdesej më shumë për thirrjen e Kongresit, ishte Eshref Frasheri.
Unë e njihja edhe më parë se kishte qënë këtu si inxhinier. Mbaj mend se mbasi vendosëm të mblidhej Kongresi, na duhej të caktonim edhe shtëpinë ku do të bëhej mbledhja. Për këtë i’u drejtuam Kaso Fugës, por ai kishte hall se mos binte në bela dhe nuk donte. Atëherë ne vendosëm ta thërresim Kongresin, pa dhe në kasolle do ta bëjmë. Aqif Pasha, kishte kërkuar që Kongresi të bëhej në Elbasan, por pengesë qe bërë Shefqet bej Vërlaci; ky ishte me kohë me italianët. Unë isha ngarkuar me detyrën e shpërndarjes së postës në Elbasan, Peqin, Kavajë dhe Durrës, ndërsa Taulla Sinani kishte Tiranën dhe anën e Dibrës e të Shkodrës.
Nuk më kujtohet kush ishte tjetër që shkoi në krahinat nga jugu. Veç mbaj mend që ne u ndamë në një mënyrë të tillë që të shkonim aty ku kishim të njohur e të kryenim kështu më mirë punën tonë. Në Elbasan, mbaja lidhje me Salim Junikun, në Peqin me Adem Gjinishin, në Kavajë me Idriz Dizdarën dhe në Durrës me Rexhep Shalën. Kudo këtë rrugë e bëja me kuaj duke e hequr veten sikur shkoja mik dhe jo suvari.
Rrugës kishte plotë rreziqe, por ne ishim të rinjë në atë kohë dhe i kapërcenim. Pastaj nuk donim t’ia dinim shumë se bënim një punë atdhetare. Ditën kur filloi punimet Kongresi, ishte e mërkurë dhe bënte pak ftohtë. Në kohën kur zhvillonte punimet Kongresi, kishin ardhur njerëz nga vënde të ndryshme të Shqipërisë. Por në Kongres kishte shumë lushnjarë. Unë nuk i kujtoj dot të gjithë, por mbaj mend se kishin ardhur disa përfaqësues nga fshatrat.
Gjatë kohës që zhvillonte punimet Kongresi, ndihej se Lushnja ishte në festë. Kudo shifje flamurë kombëtarë, bile flamurë te vegjël u vareshin në gjoks njerëzve nga fëmijet e shkollës. Flamurë të vegjël kishte edhe në sallë, aty ku ishim unjur në bangat e nxënësve. Edhe salla e mbledhjes ishte e zbukuruar mirë. E para ishte fytyra e Skëndërbeut dhe pastaj e Ismail Qemalit.
Në mur qe një flamure kombëtarë. Në Kongres kishte rregull. Nuk të pranonin po të mos kishje një shkresë me vete. Ne kishim marrë masa për sigurimin e Kongresit. Kishin ardhur njerëz të armatosur. Disa prej tyre i kishin sjellë vet delegatët, për t’i ruajtur gjatë rrugës, por pati edhe nga ata që i thirrëm ne. Më shumë forca kishin ardhur nga Darsia e Dumreja. Në të njëjtën kohë kishte shumë edhe nga zona e fushës, por unë nuk jam marrë me forcat.
Si përgjegjës për këtë punë ishte caktuar Llazar Bozua. Mbaj mend që ishte këtu Jonuz Dervishi, Selim e Rami Rredhi nga Karavastaja, Musa Zagaria nga fshati Koçaj i Fier-Sheganit, e të tjerë. Nga Skrapari kishte ardhur Riza Cerova dhe një djalë tjetër, që ishte sakat! Të dy ishin djem trima. Tërë kodrat rrotull Lushnjes ishin të mbushura me roje. Disa prej rojëve vinin edhe në qytet.
Italianët i shihnin po nuk i ndalonin. Më kujtohet kur u muar vesh se Myfit Libohova pat ardhur me ushtri kundër Kongresit! Njerëzit nuk i mbanim dot, se ishin gati të lëshoheshin e ta kapnin të gjallë. U nisën disa por nuk e arritën se në vend t’i afrohej Lushnjes, ja mbathi për nga Vlora. Qeveria që u zgjodh nga Kongresi, ndenji nja 4-5 ditë këtu, pastaj e përcuallëm me këngë ashtu siç dhe i pritëm delegatët.
Vanë mjaftë forca nga Lushnja, por më të rëndësishmet ishin forcat e organizuara në Peqin nga Adem Gjinishi”.
(Botuar në librin “Kujtime dhe këngë popullore për luftën çlirimtare të viteve 1918-1920”, Universiteti Shtetërorë i Tiranës, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, Instituti i Folklorit, Tiranë 1970).
Bajram Haxhiu përkrahu Luftën e Vlorës më 1920-ën
Më 1920-ën, Bajram Haxhiu përkrahu luftën për çlirimin e Vlorës nga ushtritë pushtuese italiane, ndërsa në prill të vitit 1922, ai ishte Anëtarë në Komisionin e Zgjedhjeve të Para Vendore në Shqipëri për Bashkinë Lushnje. Në vitet ’30 dhe deri në fillim të viteve ’40, Bajram Haxhiu punoi si tagrambledhës në Zyrën e Financave në Lushnje. Ai ishte një besimtarë myslimanë i devotshëm dhe në vitet ’30, ka qënë një nga kontribuesit financiar për ndërtimin e Xhamisë së re të Lushnjes.
Pushtimin e Shqipërisë nga fashistët italian në prill të 1939-ës, nacionalisti Bajram Haxhiu e priti me urrejtje dhe po kështu në vitin 1945, regjimin diktatorial komunist që u vendos në Shqipëri ai nuk e deshi dhe në heshtje e me forma të ndryshme e kundërshtoi gjatë gjithë jetës së tij. Bajram ishte një nga pronarët e mëdhenjë të qytetit të Lushnjes por nu shpronësua krejtësisht nga Reforma Agrare ashtu siç ndodhi me të gjitha familjet e pasura e çifligare të Shqipërisë.
Më 25 maj 1951, Bajram Haxhi shpallet “Kulak”
Kështu më 25 maj të vitit 1951 Bajram Haxhiu ishte i dyti në Lushnje që u cilësua “Kulak”. Ndërsa, më 9 maj të vitit 1967, me vendim të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Qytetit të Lushnjes, Bajram Haxhiu përsëri u shpronësua pa asnjë pagesë. Dhe pjesa e vetme që i kishte mbetur, ishte bahçeja deri në afërsi të gazhdares ekzistuese. Bajram Haxhiu u nda nga jeta më 11 gusht të vitit 1972 në Lushnjë në moshën 95 vjeçare, duke u lënë në harresë nga regjimi diktatorial komunist dhe mos i’u vlerësuar veprimtaria e tij patriotike. Në 75 vjetorin e Kongresit të Lushnjes, Bajram Haxhiu (pas vdekjes) u dekorua nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, SH.T.Z. Sali Berisha me Dekretin Nr.1008 Datë 18.01.1995, me Urdhërin “Për Veprimtari Patriotike” të Klasit të Parë.
Për nder të patriotit rruga ne lagjen “Kongresi i Lushnjes”, pranë shtëpisë muze Kongresi i Lushnjes dhe që vazhdon drejt qendrës së qytetit të Lushnjes, me vendim të Këshillit Bashkiak Lushnje, i është vendosur emri “Bajram Haxhiu”. Në qytetin e Lushnjes në vitin 2010, është vendosur edhe busti i patriotit Bajram Haxhiu.
Në vitin e 100 vjetorit të Tiranës kryeqytet, familja e patriotit Bajram Haxhiu, u nderuar në 4 shkurt 2020, nga Kryetari i Bashkisë Tiranë Z. Erion Veliaj, me Çertifikatë Mirënjohjeje me motivacionin “Për aktivitetin e çmuar dhe kontributin e vyer në shpalljen e Tiranës Kryeqytet i Shqipërisë. Bajram Haxhiu është babai i legjendes se futbollit shqiptare Abdurrahman Roza Haxhiu dhe atdhetarit te shquar per ceshtjen kombetare shqipate në Diasporen Shqiptare te Egjiptit Qerim Haxhiu. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016