Nga Petrit Palushi
Rrëshen, Verë 1975
***
Në verën e vitit 1975, në hetuesinë e Rrëshenit, po luhej drama tjetër e Havzi Nelës.
(8 vjet më parë, të shtunën e 6 majit të 1967-ës, bash në Ditën e Shëngjergjit e arrestojnë bashkë me bashkëshorten për arratisje jashtë Shqipërisë, mbas kthimit që u bëjnë në kufi forcat policore jugosllave. Do kohë më vonë e dënuan me 15 vjet heqje të lirisë, ndërsa bashkëshorten me 10 vjet.)
Prej atëherë, qyshse e zhvendosën në zgafellë, mu në minimumin e jetës vet, tashti kërkonin me ngulm dhe ngutshëm një shkretim tjetër për Havzi Nelën, ridënimin.
Skena për përgatitjen e ridënimit qe e gatshme, e studiuar imtësisht më parë.
Duhej që regjimi të futej thellë-thellë edhe në zgafellën e kamp-burgut 303 të Spaçit, ta ndiqte sërish, rrekej ta zhbënte edhe atje, si t’ish a mos t’ish qënie njerëzore.
Lojësit (aktorët) që po luanin dramën tjetër Havzi Nelës mbas dënimit të parë ose që po luanin dramën e ridënimit të tij, janë krejt-e-krejt të qetë, anipse të gjunjëzuar në shpirt e mendje.
Si ata që ishin jashtë kamp-burgut 303 të Spaçit (prokurori, operativi, n/oficerat, hetuesi dhe krejt shpura ndihmëse), por edhe ata që ishin brenda atij kamp-burgu (raportuesit, thithësit krejt sy e veshë të fjalëve të Havzi Nelës-bashkëvuajtës me të dhe që më pas kthehen lehtas në dëshmitarë), duhej të punonin me çdo kusht që veprimtaria e tij të zhytej te neni 73/I-rë i Kodit penal.
Si për rastësi, i njëjti hetues (Shaban Dani), që po merrej me çeshtjen e Havzi Nelës, një vit më vonë, do merrej në hetuesinë e Shkodrës edhe me çeshtjen e poetit Frederik Rreshpja.
Atë verë, pra Havzi Nela gjendej në qelinë e hetuesisë së Rrëshenit.
Si 500 metra prej aty, gjendej në kthinën e vet e internuara Musine Kokalari, një kundërshtare e hapur e regjimit komunist. E kishin dëbuar n’atë qytet, më saktë n’atë qytetzë, qyshprej 1961-it. Në zymtinë e gjatë të përditshme e të përnatshme t’asaj qytetze ajo prekte si me gishta një grimëz liri vetëm tek shfletonte libra kur shkonte në bibliotekë. Do t’i thoshte lamtumirë jetës në vitin 1983, pesë vjet më parë se kundërshtari tjetër i hapur i atij regjimi, Havzi Nela, do ndëshkohej me varje me 10 gusht të 1988-s.
Nuk besoj se M. Kokalari ta ketë njohur Havzi Nelën, por ky i fundit kish dëgjuar për M. Kokalarin. Them kështu se do vjet më vonë, në kamp – burgun e Burrelit i thoshte bashkëvuajtësit Uran Kalakula se “Në Rrëshen dergjet nji fisnike, Musine Kokalari. Gjithmonë njerëz të tillë po i dalin të tepërt vendit tonë”.
Natyrisht, që duhet një shpjegim epik për jetën e vrazhdë të Havzi Nelës.
***
Akt-akuza e prokurorit ndaj H. Nelës, i përket datës 16 korrik të 1975-ës.
Në prani të hetuesit Shaban Dani, H. Nela e merr akt – akuzën 12 ditë më vonë, me 28 korrik. Po përgatiteshin procedurat që i akuzuari të shkonte në Gjykatën e rrethit Mirditë, ku formalisht do i jepej dënimi (ridënimi) me 8 vjet të tjera, me vendimin Nr. 49, me 8 gusht të po atij viti.
Prokurori merr pjesë vetëm dy herë gjatë marrjes në pyetje në hetuesi të H. Nelës. Ky i fundit, pyetet prej hetuesit, jep përgjigjet e veta, por prokurori nuk ndërhyn. Prokurori dhe hetuesi, aspak ndërdyshtas në mendimet e veprimet e tyre: I akuzuari s’ishte gjë tjetër për ta veçse një armik që “Ka agjituar e propaganduar për minimin e dobësimin e pushtetit tonë popullor”.
N’anën tjetër, përballësi i tyre nuk i shihte vetëm si rreziktarë, si vegla të diktaturës, por pjesë të një mekanizmi represiv, të cilët me mish e thonj mundoheshin ta mbanin atë në këmbë.
Prokurori dhe hetuesi kishin përballë një kundërshtar politik të hapur të regjimit, që s’ngurronte të thoshte mendimet e veta edhe brenda në hetuesi. Ata të dy dhe krejt shpura që mbante të lidhur regjimin mendonin se qielli mund të ndahej përgjysmë, se mund të kish eklips të përhershëm të diellit e të hanës, por kurrsesi se do përmbysej ai regjim.
Në një farë forme, i akuzuari, i qetë, krejt i vetëdijshëm, i kthjellët dhe i krejtbindshëm n’ato gjëra që po thoshte, me autoritetin e vet moral sikur po u këndonte këngën e pushtetit të tyre funebër.
E njëjta akt – akuzë shabllone e prokurorit që përdorej rëndom ndaj kundërshtarëve politikë të regjimit. Veçse sipas hollësive të veçanta të t’akuzuarve (për arratisje, për agjitacion e propagandë kundër pushtetit, etj, etj.)
Dhe, dashur pa dashur, prokurori shpalon dritësinë e mendimeve të H. Nelës, i cili kish agjituar e propaganduar kundër pushtetit, se standardi i jetesës në vend qe shumë më i ulët se i vendeve të Perëndimit, se Konferenca e Sigurimit europian qe në dobi të popujve, etj, etj.
Kësisoj, H. Nela kërkonte të kthente kryeposhtë programin e pushtetit parajonak të diktaturës, ashtu, me format e veta përmes fjalës së vet të lirë, që e administronte shkëlqyeshëm.
Bash ato ditë, në qelinë e Rrëshenit, në burg-zgafellën ku e kishin ndry, H. Nela i këndonte Konferencës së Helsinkit, mirëkuptimit dhe paqes njerëzore, ndërsa Shqipëria e asokohshme po shkonte hijerëndë, plot këndellje dhe me duartrokitje drejt mbylljes së plotë fatale:
Kështjella feudale tundet e lëkundet
Si nji varkë e thyeme mbi valët përkundet;
Tirani mizor me detin sot po mundet
Thellë, gjithnji ma thellë n’mes dallgëve po futet.
Fryma e Helsinkit u derdh porsi era
Na përkëdheli zemrat, çeli si pranvera.
Këtu, në votrat tona futi gaz e shpresë
Na zgjoi afsh e vrull, ndoshta nuk do vdesë.
***
MIRATOHET
PROKURORI RRETHIT
AKT-AKUZË
KUNDËR TË PANDEHURIT HAVZI SHABAN NELËS
AKUZOHET: Se ka agjituar e propaganduar për minimin e dobësimin e pushtetit tonë popullor, krim ky që parashikohet nga neni 73/I-rë i Kodit penal
Mbi materialin që disponohej, hetuesia e organeve të punëve të mbrendshme, Mirditë, me datën 30/V/1975, filloi çeshtjen penale në ngarkim të pandehurit Havzi Shaban Nelës dhe në të njëjtën kohë kreu arrestimin e tij për krimin e agjitacionit e propagandës që ka zhvilluar në dëm të pushtetit popullor.
Nga hetimet e para ka rezultuar se: I pandehuri Havzi Nela, i dënuar për krim kundër pushtetit popullor me 15 vjet heqje të lirisë, vuante dënimin në Repartin e riedukimit 303, Spaç. Megjithëse i dënuar për një krim shumë të rëndë dhe të nxirrte mësime e të jepte prova rehabilitimi, i pandehuri Havzi Nela si element armik, e thellon më tej veprimtarinë e tij armiqësore në formën e agjitacionit e propagandës për kundër pushtetit popullor duke agjituar e propaganduar te disa të dënuar në repartin e riedukimit në Spaç, siç janë: Petro D., Sotir D., Agustin P., Zenel B., etj.
Në këtë mënyrë, i pandehuri Havzi Nela, në forma e metoda të ndryshme, qysh nga ardhja etij në kampin e Spacit me 1970, e në vazhdim kur është arrestuat ka agjituar e propaganduar ndër të dënuar duke iu kundërvënë pushtetit popullor për të helmuar ndërgjegjen e të tjerëve. Në këtë mënyrë, ka propaganduar duke thënë se standard i jetësës në vendin tonë është shumë më i ulët nga standardi i jetësës së popujve të shteteve të tjera të Perëndimit e të Lindjes, si në Amerikë, Gjermani, Francë e në vende të tjera. Se në vendet e Perëndimit, sipas tij “lulëzon” liria e demokracia, se njerëzit atje janë të lirë të flasin e të shkruajnë e të thonë atë që mendojnë edhe për kundër sistemit, të bëjnë greva politike, ekonomike dhe kërkesa të tjera dhe askush nuk i dënon, ndërsa këtu, në vendin tonë, sipas të pandehurit, nuk paska liri e demokraci për popullin, se për të pasur liri njerëzit duhen të lihen të lirë të flasin e të shkruajnë çfarë të mendojnë edhe për kundër sistemit në fuqi, të shkojnë e të shetisin në shtetet e tjera kur të duan e ku të duan pa ndonjë kufizim. Se dënimet që jepen për arratisje, sipas këtij, janë të padrejta, por ato bëhen vetëm e vetëm për të mbajtur të shtypur popullin, etj.
Duke folur për Konferencën e sigurimit europian, u ka thënë se kjo është në dobi të të gjithë popujve, se do të sigurojë popujt nga luftërat, do të bjerë zhvillim të madh kultural, shkencor, ekonomik, etj., dhe se pamvarësisht se Shqipëria nuk merr pjesë në këtë konferencë, kjo përfundimisht do të detyrohet nga fuqitë e mëdha për t’iu nështruar vendimeve të saja dhe si përfundim diktatura e proletariatit në fuqi do të marrë fund, etj.
I pandehuri Havzi Nela, duke ju biseduar për tradhtinë e Beqir Ballukut etj, të dënuarve Sotir D., etj, ndërmjet të tjerash ju ka thënë se Beqir Balluku me disa të tjerë gjeneralë ka folur në byronë politike disa mendime të kundërta me tjerët, duke thënë se Shqipërija nuk duhet rrijë e veçueme “izolueme”, por duhet të bëjë kthesë e të bëjë marrëdhënie me vendet e tjera të Perëndimit e të Lindjes, etj. Se tani, me tradhtinë e tij, ne të dënuarit dhe gjithë populli do të kemi përfitime, se udhëheqësve të tjerë të partisë e të shtetit ju ka ardhun fundi, se ju ka shkuar litari në grykë, dhe pikërisht për këtë ato kanë bërë pastrime të mëdha në ushtri duke hequr të gjithë ato kuadro që kanë studiuar në B. S, sepse ato janë të papërshtatshëm me politikën e këtyre dhe do t’i zëvendësojnë me kuadro të reja, etj. Në këtë mënyrë, i pandehuri ka mbajtun shpresë për përmbysjen e pushtetit tonë popullor, duke i injoruar fitoret që ka arritur populli nën udhëheqjen e partisë e pushtetit popullor, forcën e vitalitetin e tij në luftë kundër armiqve të mbrendshëm e të jashtëm imperjalisto – revizjonistë. I pandehuri Havzi Nela, edhe në kohën e revoltës që është bërë nga të dënuarit me 1973 në Spaç për kundër pushtetit, është bashkuar me elementë kundër revolucionarë dhe ka marrë pjesë në mbledhjen ndërkrahinore, etj.
Krimi i agjitacionit dhe propagandës në dëm të pushtetit popullor nga i pandehuri Havzi Nela, është pohuar plotësisht si me pohimet e tija të bëra në hetuesi, me shpjegimet e dëshmitarëve, me ballafaqimet e bëra si dhe me dokumentat e tjera shkresore që ndodhen në dosjen hetimore në ngarkim të tij.
…………………………………………………
Dosja 9912/3 – f. 1, 2, 3 (Viti 1975)
***
Dosja hetimore 9912/3-A (Viti 1975), prej 39 faqesh për të pandehurin Havzi Shaban Nela.
Procedurat hetimore fillojnë me 30 maj 1975 dhe përfundojnë me 15 korrik të po atij viti.
Më parë se të niste çeshtja në ngarkim të H. Nelës ishte parapërgatitë terreni.
N’atë lojë makabre, punëtori operativ Fejzi Liçi, në përgjim dhe përndjekje të H. Nelës, aty brenda zgafellës gjen dhe ve në lëvizje bashkëvuajtës me H. Nelën, raportues me dëshirë apo jo, ndoshta të nxitur me premtimin për ulje dënimi, a diçka tjetër që tash njëfarësoj mund ta marrim me mend. Por edhe njerëz të lëkundër, natyrisht. Para se të niste procedimi hetimor asgjë nuk dimë më tepër për lojën që u përdor, rrethanat, etj, etj. Veçse mësojmë në fillimin e çeshtjes penale “Se i quajturi Havzi Shaban Nela, duke qenë i ridënuar në kampin e riedukimit 303, Spaç, ka agjituar e propaganduar ndër të dënuar për minimin e dobësimin e pushtetit tonë popullor, krim ky që parashikohet në bazë të nenit 73/I-rë i K. P.
Me nisjen dhe gjatë procedurave hetimore mësojmë shumë e shumë gjëra, që nga marrja në pyetje e H. Nelës, rrëfimet e dëshmitarëve.
Situata që shpalohet është e rëndë, krejt e padashur, që ia shton më tepër zymtinë qelisë ku luhej skena.
Bashkëvuajtës me H. Nelën duhet të vijnë e të rirrëfejnë çka kish thënë H. Nela, anipse kishin rrëfyer më parë te operativi i kamp – burgut. Regjimi rrekej të baltoste çdokënd, të hidhte të vuajturit nëpër kampe kundër njëri – tjetrit. E natyrisht, mes të vuajturish gjendeshin edhe njerëz të lëkundur, të paqendrueshëm, sa të raportonin edhe shokun e tyre të vuajtjes.
Tashmë skena ku do luhej drama e H. Nelës është e gatshme. Regjisori ka përgatitur lojësit (aktorët) dhe pritet vetëm shfaqja e dramës. Të gjithë lojësit e dramës (përveç H. Nelës për të cilin luhej drama), do jenë të kënaqur me realizimin deri n’imti të pjesëve të saj.
Por gjatë vënies së dramës në skenë, shpesh prishet rrjedha e dramës. H. Nela pranon të merret në pyetje nga hetuesi, shpreh prap mospajtimet dhe kundërshtimet e veta të hapta me regjimin, siç pranon gjithashtu ato ç’u kish thënë raportuesve, që e kishin kallëzuar, por gjithashtu kundërshton shtesat në dëshmitë e tyre, teksa ka pranuar t’i lexohen ato.
Megjithatë, i le raportuesit e tij në shenjtërinë e tyre të rreme dhe nuk pranon ballafaqimin me 4 prej tyre:
“Nuk pranoj në asnjë mënyrë të ballafaqohem me ta dhe në rast se do të më detyrojnë me më ballafaque në hetuesi me këto persona, unë do të bëj skandal dhe nuk u përgjigjem fare thënkave të tyre, se ata janë njerëz pa dinjitet për mua”.
Ndërsa në vitin 1975 afërmendsh se u gjendën 6 vetë jo sojtarë prej bashkëvuajtësve me H. Nelën, ta raportonin se ç’fliste ai, tek shfaqte haptas mendimet kundër regjimit, qindra e qindra bashkëvuajtës të tjerë u munduan ta ruanin atë, t’i përkrahin mendimet e tij, siç ua përkrahte ai mendimet e tyre n’atë kohë të vrazhdë. Kësisoj, në rrëfimet e shumë ish – bashkëvuajtësve, si P. Arbnori, U. Kalakula, V. Zhiti, I. Dida, F. Kupi, B. Çoku, A. Musta, P. Doçi, etj., shpalohet dhe zbërthehet më së miri kodi i komunikimit të H. Nelës.
***
Hetuesi përballë H. Nelës në ditën e parë të marrjes në pyetje.
Them “Hetuesi përballë Havzi Nelës”, sepse është Havzi Nela ai që dikton idetë e veta, sa mund të thuhet se krejt dhoma e hetuesisë mbushet me avullnajën e fjalëve të tij.
S’ka kurrfarë dyluftimi, sepse hetuesi vetëm e pyet H. Nelën dhe s’është në gjendje ta kundërshtojë atë n’asnjë rast.
Një hetues i zbehtë, anemik dhe afërmendsh që mund të ketë pasë marrje të shpeshtë fryme. Një përballje e frikshme, gati – gati e papërfytyrueshme për të, pasi përballësi i qetë i del prap aty ku s’e pret: po mbronte të njëjtat pikëpamje që ua kish shfaqë edhe dëshmitarëve. Tani, n’atë përballje, të ngjan se H. Nelës po i drejtohen pyetje si në një studio televizive prej gazetarit që shkon me pyetje të gatshme dhe me frikën e skajme se po ngatërron radhën e pyetjeve, ndërsa ai, i qetë dhe tepër komod që po i jepej mundësia të përcillte mendimet e veta dhe bash për atë, sikur merr një grimë butësi, drita e syve sikur i çelet më tepër.
- Nela ngre të njëjtat çeshtje që i ngriti në katundin Shishtavec (20 prill 1967), në mbledhjen e arsimtarëve të zonës, kur reagoi ndaj futjes në kooperativën bujqësore, prishjen e kishave dhe xhamive, ndërrimin e veshjes: “… Populli asht i sëmurë, tri gjylpana menjiherë nuk e shërojnë, por e shkatërrojnë. Mungon edhe fjala e lirë dhe shtypi i lirë për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut… ”).
Por tani, qerthulli i ideve të veta është më i plotë them se njerëzit në këto vende kanë liri të plotë, se atje edhe sikur të bëjnë demonstrata e kërkesa me karakter politik, ekonomik nuk i dënon njeri, ndërsa këtu është ndryshe.
***
Proces – verbal
Në qytetin e Rrëshenit, me datën 3 korrik 1975
Unë, Shaban Dani, hetues në degën e P. mbrendshme, Mirditë, mora në pyetje të pandehurin Havzi Nela.
PYETJE: Na tregoni i pandehur Havzi se çfarë pikëpamjesh keni lidhur me sistemin socialist në vendin tonë?
***
Përsa i përket kolektivizimit të bujqësisë unë kam mendimin se është shpejtuar në zonën e malësisë, se atje është përdorur forca për t’i futur njerëzit në kolektivizim kur ata kanë kundërshtuar. Këtë e them se nuk ishte pregatitur ideologjikisht fshatari për ta kuptuar se çfarë është kolektivizimi dhe nuk kishte kushte ekonomike për t’u kolektivizuar, se vendi është i thyer, nuk mund të futet teknika moderne, fshatrat janë shumë të shpërndara e njerëzit humbasin kohë duke udhëtuar.
Përsa i përket rinisë, them ajo duhet të jetë më e lirë në drejtim të veshjes, të gustos së jetesës e mos t’i diktohet si të vishet e të qethet, por jam edhe me atë që të mos rrëshqasë nga tabani kombëtar i saj. Me kujtohet se në një rast pashë në një gazetë se në një uzinë, organizata e rinisë kritikonte një të ri për lënje të flokut të gjatë, më dukesh se nuk duhesh të ndërhyhesh deri atje për këtë çeshtje.
Përsa i përket standardit të jetesës, unë them se standard të mirë jetese kanë popujt e vendeve të Perëndimit si Amerika, Gjermania, Suedia, Franca e të tjera, këtë e them se njerëzit atje janë në gjendje të blejnë sende me vlerë të madhe si televizor, automobila e sende të tjera e bëjnë një jetë me të vërtetë luksoze e shëtisin nëpër vendet e tjera të botës. Po kështu, them se njerëzit në këto vende kanë liri të plotë, se atje edhe sikur të bëjnë demonstrata e kërkesa me karakter politik, ekonomik nuk i dënon njeri, ndërsa këtu është ndryshe. Gjithashtu atje njerëzit janë të lirë të shkojnë nga një vend në tjetrin pa ndonjë kufizim. Këtë e lidh edhe me atë se në Amerikë, një president zgjidhet me afat vetëm për 4 vjet, se atë mundet ta kritikojë cilido e nuk i thonë asnjë fjalë. Bile atë e nxorën edhe para gjyqit. Kësaj i thonë demokraci shumë e lartë për mendimin tim.
Të gjitha këto konkluzione e mendime unë i nxjerr nga studimet që kam bërë në literaturë që del në vendin tonë dhe në shtypin e përditshëm.
PYETJE: Na trego, i pandehuri Havzi Nela, se me cilët persona i ke biseduar këto pikëpamje tuajat në kampin e Spaçit?
PËRGJIGJE: Unë mundet t’i kem shprehur me ndonjë person në kamp këto mendime kur ka rënë rasti sepse nuk jam ruajtur për këtë punë, se për vete nuk i konsideroj agjitacion e propagandë për kundër pushteti, por personat konkretisht se me cilin mundet t’i kem biseduar nuk i mbaj mend. Unë kam qenë një person në kamp që kam gëzuar simpatinë e shumicës dërrmuese e kam pasur muhabet të mirë me ta. Nga këto biseda, siç e kam thënë më para, kam bërë me Petro D. e mbaj mend. Unë, mundet të kem bërë edhe biseda të tjera me të dënuar që tani nuk i mbaj mend, bile më kujtohet se ne diskutojshim shumë për daljen e Kushtetutës së re të Republikës Popullore të Shqipërisë që u tha në Kongresin e 6-të dhe unë isha shumë pesimist për këtë. E kam thënë se nuk ma merr mendja të dali dhe sidomos mbas tradhtisë së Beqir Ballukut, sepse situata e mbrendshme e vendit tonë u ndërlikua e llafe të tjera, por se me cilin i kam bërë këto biseda as nuk e mbaj mend se nuk kam mbajtur ditar për këtë.
PYETJE: Çfarë ke biseduar për ekzistencën e pushtetit tonë popullor?
PËRGJIGJE: Unë nuk e kam biseduar me ndonjë person për ekzistencën a mosekzistencën e pushtetit popullor. Unë këto llafe që mund të kem biseduar për mendimet e mija siç e thashë nuk i konsideroj agjitacion e propagandë.
Unë, agjitacion e propagandë kundër pushtetit e konsideroj kur njeriu të ngrihet e t’u bëjë thirrje të tjerëve për përmbysjen e pushtetit. Unë kam dishruar e mundet të kem shprehur se ligjet e vendit tonë janë shumë të ashpra se të marrin jetën vetëm pse njeriu kalon kufirin dhe kam pasë shpresë se do të ketë ndryshime të ligjeve në favorin e të dënuarve; me rastin e 30 vjetorit të çlirimit kemi pritur se mos do të kishte edhe ndonjë falje…
PYETJE: Çfarë keni biseduar për ngjarjet në Qipro dhe me kë i ke bërë bisedat, i pandehur Havzi Nela?
PËRGJIGJE: Kur ndodhën ngjarjet në Qipro, unë kam biseduar me të tjerë rreth kësaj çeshtje, por se me cilin e kam biseduar konkretisht s’e mbaj mend. Unë kam thënë se në këtë grusht shteti patjetër kanë dorë rusët. Kur filluan bisedimet greko – ruse, i kam shikuar me dyshim e kam pasur frikë se këto mos bënin ndonjë kompromis për të vendosur bazat ushtarake ruse e përbënin një rrezik për Shqipërinë, por unë nuk kam dishruar që Shqipëria të okupohet asnjiherë.
PYETJE: Na trego i pandehur lidhur me pjesëmarrjen tuaj në revoltën e të dënuarve të Spaçit që morën për kundër pushtetit në vitin 1973?
PËRGJIGJE: Unë nuk kam marrë pjesë në revoltën e Spaçit, për kundër pushtetit që bënë të dënuarit në vitin 1973, por mbasi ka filluar revolta dhe njerëzit e qeverisë u bëni thirrje të hiqnin dorë nga kjo, unë kam marrë pjesë në mbledhjen ndërkrahinore që u bë në mencën e ushqimit. Këtu u diskutua që neve, si përfaqësues të krahinave, në të cilën më caktuan edhe mua si përfaqësues të Kukësit që të merreshim vesh me përfaqësuesit e pushtetit për të shuar revoltën, dhe pritëm të vinte mbrenda komisari i repartit ose ndonjë nga ministria, por ato nuk hynë në kamp dhe neve u shpërndamë. Pastaj më vonë kanë dalë për t’u marrë vesh me përfaqësuesit e qeverisë, Paulin Vata, Koço Papa, Gëzim Çela, të cilët edhe janë dënuar.
………………………………………………………
Dosja 9912/3-f.19-20 -21 (Viti 1975)
***
Të dhënat për raportuesit e Havzi Nelës janë të zakonshme.
Vetëm për tre prej tyre shënohet arsyeja e dënimit (Petro D., për agjitacion e propagandë kundër shtetit; Agustin P. dhe Nazmi B., për krime kundër shtetit), ndërsa për tre të tjerët nuk shënohet arsyeja e dënimit. Dëshmitarët rrëfehen në datën 9 korrik, ndërsa me 12 korrik i lexohen H. Nelës deponimet e dëshmitarëve. Me 15 korrik H. Nela merret në pyetje në prani të prokurori dhe thotë: “Me dëshmitarët Zenel B., Nazmi B., Naim U. dhe Agustin P., nuk pranoj në asnjë mënyrë të ballafaqohem me ta dhe në rast se do të më detyrojnë me më ballafaque në hetuesi me këto persona, unë do të bëj skandal dhe nuk u përgjigjem fare thënkave të tyre, se ata janë njerëz pa dinjitet për mua”. I vetmi ballafaqim është po me 15 korrik ndërmjet H. Nelës dhe Sotir D. /Memorie.al