Nga Kevin Haxhiu
Memorie.al publikon historinë e panjohur të Abdurrahman Haxhiut, pinjoll i një prej familjeve më të njohur të qytetit të Lushnjes, i cili e nisi futbollin që në vitet e para të pasluftës me ekipin e të rinjve “Traktori” dhe më tej u aktivizua me skuadrën “Besa” e Kavajës, për të ardhur te ekipet e njohura të kryeqytetit, “Dinamo” dhe “Partizani”, ku do të luante për disa kampionate me radhë përkrah emrave të mëdhenj të futbollit shqiptar, si Loro Boriçi, Refik Resmja, Kolec Kraja etj., duke spikatur edhe si golashënues. Karriera brilante e Haxhiut në disa ndeshje ndërkombëtare me ekipet e kryeqytetit dhe më pas me ekipin kombëtar të Shqipërisë, ku ai shkëlqeu në disa ndeshje, deri sa në vitin 1958 gjatë një “beteje” me ekipin bullgar “Plevenit”, në qytetin me të njëjtin emër, do të dëmtohej rëndë me një plagë të madhe në kokë, e cila do të bëhej shkas për t’i marr jetën djaloshit simpatik lushnjar në moshën 35 vjeçare. Varrimi madhështor i legjendës së futbollit lushnjar ku morën pjesë me qindra veta edhe nga disa rrethe të tjera, si Kavaja, Durrësi, Tirana etj., dhe nderimi që iu bë nga bashkëqytetarët e tij, duke e pagëzuar stadiumin e Lushnjes me emrin “Roza Haxhiu”.
Abdurrahman Roza Haxhiu ose Roza Haxhiu, siç njihet nga të gjithë, lindi në qytetin e Lushnjës në lagjen “Kongresi i Lushnjës” më 30 shtator të vitit 1930 dhe ai ishte djali i Bajram Haxhiut, një nga anëtaret e komisionit nismëtar të thirrjes së Kongresit të Lushnjës në 1920-ën. Që në fëmijëri Roza ëndërronte të bëhej futbollist dhe ajo gjë që nisi që fëmijë në fushën e blertë të vendlindjes dhe që do të përfundonte po aty në fushën e blertë europiane, nga një goditje vdekjeprurëse në kokë.
Roza Haxhiu ishte një futbollist i shquar shqiptar i viteve 1950-‘60, talent i rrallë si dhe golashënues i klasit të parë me ekipin kombëtarë të Shqipërinë, si dhe me disa ekipe ku ai u aktivizua me sukses duke filluar me Lushnjen, “Dinamo”-on, e Tiranës, “Besa” e Kavajës dhe “Partizani”-in e kryeqytetit. Abdurrahman Roza Haxhiu, jetoi shumë pak, rreth tri dekada e gjysmë, e thuajse gjysmën e viteve të jetës së tij i’a kushtoi futbollit, sportit të zemrës. Madje, në rast se do të thonim se sporti ka “dëshmorët e tij”, Roza është nga ata luftëtarë, që me të vërtetë ra në fushën e blertë të stadiumit, i aksidentuar për vdekje nga një goditje vdekjeprurëse në kokë, e cila i ndërpreu në mes jetën që aq bukur dinte ta jetonte.
Kjo ndodhi, kur ai mbante veshur fanellën e kuqe të ekipit “Partizani”, duke nderuar jo vetëm ngjyrat e tij, por edhe të sportit mbarëkombëtar. Kësisoj, ai është një nga “dëshmorët” më të spikatur të futbollit partizanas dhe shqiptar. “Futbollist i gjithanshëm që luante në shumë pozicione, kondicioni fizik i shkëlqyer, përdorues perfekt i topit me të dy këmbët, inteligjencë e shprehur në të gjithë komponentët tekniko-taktik, korrektesë e lartë në lojë, fryma e kolektivitetit, fjalë pak e punë shumë”, do të cilësohej Roza nga ata që e njohën e që luajtën me të.
Fillimet e futbollit me të rinjtë e Lushnjes në vitet 1945-‘47
Në vitin 1945-‘47 Roza Haxhiu u aktivizua me ekipin e të rinjve të “Traktori”-it të Lushnjes ku u dallua si titullar. Talenti i jashtëzakonshëm i tij do të binte në sy dhe të Dilaver Toptanit, ”poliglotit” sportiv tiranas, i cili ishte inspektorë i fizkulturës, mësues, trajner dhe futbollist në qytetin e Lushnje në vitet 1947-1949. Duke parë aftësitë e mëdha të Roza Haxhiu-t, Dilaver Toptani ndërhyri dhe e dërgoi Rozën për kurs specializimi si trajner në Tiranë, kurs që drejtohej nga kuadro sovjetik (rusë). Gjatë kampionatit të vitit 1948-‘49 emri i Rozës i kalon kufijtë e Lushnjes, pasi në vitin 1950 ai veshi fanellën me ekipin “Besa” të Kavajës, ku u dallua si një lojtar mesfushor me vizion të gjerë duke shkëlqyer në mjaft takime që zhvilloi me atë ekip ku u aktivizua në të gjitha ndeshjet.
Shkëlqen në takimet ndërkombëtare me “Partizan”-in
Vetëm një vit më vonë, pasi “ka rënë në sy”, tek specialistët e futbollit, ai kalon tek ekipi “Partizani”, duke u aktivizuar përkrah emrave të shquar të futbollit shqiptar, si Loro Boriçi, Refik Resmja, Kolec Kraja etj. Dhe pa kaluar dy vjet, Boriçi (tashmë trajner), së bashku me Jançen i besojnë fanellën e ekipit të përfaqësueses shqiptare që do të merrte pjesë në Festivalet Botërore të Rinisë. Rrugët tashmë janë hapur: në vitin 1955, kur “Dinamo” e kryeqytetit do të ndeshej me “Dozhën” e Budapestit, Roza thirret si përforcim në radhët e bluve kryeqytetas nën drejtimin e të madhit Zihni Gjinali. Lidhur me lojën e futbollistit Haxhiu, hungarezi i madh i atyre viteve, Suza, do të shprehej pas ndeshjeve: ”Ai (Roza Haxhiu) është një futbollist i kalibrit evropian”. Në atë takim ku Roza kishte detyrën e një mbrojtësi të lirë, ekipi hungarez hodhi në fushë lojtarët më të mirë të asaj kohe, por edhe pse ishte në fushën e vet dhe para tifozëve të tyre të zjarrtë, nuk mundën të marrin më shumë se një barazim.
Me Kombëtaren e Shqipërisë
Edhe pse lojtarët hungarez ishin të një kalibri evropian në atë periudhë kohe, “Dinamo” me lojën e saj ka mundur të tërheqë vëmendjen e specialistëve të huaj. Nga lojërat e mira që zhvilloi edhe në vijim të këtij takimi, Roza Haxhiu u aktivizua dhe luajti edhe për skuadrën kombëtare të Shqipërisë. Nuk mund të ishte rastësi aktivizimi i Roza Haxhiu-t me përfaqësuesen shqiptare në atë kohë kur ekipi kuq e zi zhvilloi disa veprimtari ndërkombëtare dhe nevojiteshin lojtarë me cilësi të spikatura. Teknika dhe cilësia e pakrahasueshme e Rozës, nuk kishte sesi të shpëtonte nga vëmendja e specialistëve dhe trajnerëve të Federatës Shqiptare të Futbollit.
Kështu në atë kohë nuk mund të harrohen lehtë lojërat e mira që zhvilloi ekipi kombëtar dhe fitoret ndaj Çekosllovakisë 3-0, si dhe fitorja me Poloninë. Në ato ndeshje Roza Haxhiu dha maksimumin, duke u kthyer në një simbol të futbollit shqiptarë. Në dy vitet e mëpastajme, ai është i kudondodhuri i ekipit “Partizani”, duke u vlerësuar si papërtueshëm, i shkathët, teknik, me një diapazon të gjerë për lojën, e mbi të gjitha, me një shpirt tepër të madh. Bashkëkohësit kujtojnë padyshim Roza Haxhiu-n që shënoi golin e tretë dhe të fundit të ndeshjes derbi “Partizani” – “Dinamo” në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, e cila përfundoi me fitoren e merituar të Partizanit 3:1 dhe që i dha “Partizani”-t titullin kampion i vitit 1957 në kampionatin e 20-të kombëtar. Për të plotësuar figurën komplekse të Roza Haxhiut, si futbollist, nuk mund ta lësh pa përmendur takimet e paharruara të “Partizani”-t në Leipzig të Gjermanisë Lindore, në shtator të vitit 1958, ku krahas gjithë ekipit, kontribut të veçantë për fitimin e medaljeve të argjendta dha edhe Roza Haxhiu. Në vitin 1958, ”Partizani” merr pjesë në një turne miqësor në Bullgari, ku në një nga takimet e forta me “ekipin e “Plevenit”, të qytetit me të njëjtin emër, i cili përfundoi 2:1 në favor të ekipit tonë, Roza dëmtohet rëndë.
Triumfon me ekipin “Traktori” duke dalë në kategorinë e parë
Megjithëse i dëmtuar, me shpirt të lartë sakrifice, ai luajti për më shumë se 1 vit edhe me ekipin e “Dinamos” së Tiranës, për t’u rikthyer më pas kthehet në qytetin e tij. Kur kthehet në qytetin e tij, duke mos u shkëputur nga futbolli, merr drejtimin e skuadrës lushnjare, por duke luajtur edhe vetë, gjë e cila lejohej nga rregullorja e asaj kohe. Pas dy finalesh me “Erzeni”-in e Shijakut, të fituara 3-2 dhe 6-2, Roza Haxhiu bën që “Traktori” i atëhershëm, të futej për herë të parë në elitën e skuadrave të vendit, duke realizuar kështu një ëndërr të vjetër të sportdashësve myzeqarë. Kështu “ekuipazhi” sportiv i konsoliduar nga Abdurrahman Haxhiu, triumfon në kampionatin e kategorisë së dytë, duke u shpallur kampionë në vitin 1960.
Futja në kategorinë e parë i hapi “shtegun” futbollit lushnjarë për t’u përfaqësuar me dinjitet më 1960-ën në kampionatin kombëtarë edhe me ekipet “Shpresa” (lojtar nën moshën 21 vjeç), bashkë me ekipet e “Partizani”-t, “Dinamo”-s, “Vllaznisë”, “Flamurtari”-it, “Skënderbeu”-t, “Labinoti”-t, “Besës” dhe “Tomorri”-t, etj., duke zënë edhe vend nderi. Në maj-korrik të vitit 1963, Roza tashmë si specialist futbolli, caktohet për përzgjedhjen dhe përgatitjen e një grup moshe 13-14 vjeçarësh, për Spartakiadën Kombëtare që zhvillohej çdo vit në kampin e pionierëve “Qemal Stafa” në plazhin e Durrësit.
Dëmtimi në ndeshje që i morri jetën
Në periudhën shkurt-mars 1964, ai punoi si mësues i Edukimit Fizik në shkollën e mesme të qytetit të Lushnjes “18 Tetori”. Por fatkeqësisht, goditja e Poldovit e vitit 1958, kur ”Partizani” mori pjesë në një turne miqësor në Bullgari, ku Roza u dëmtua rëndë, nuk e kishte “harruar”. Madje ajo u shndërrua në sëmundjen e përbindshme që do t’i kërcënonte jetën Roza Haxhiut. Pas shumë përpjekjesh burokratike, arrin të sigurojë “leje-kalimi” për tu operuar në Itali. Por ishte tepër vonë…?! Kështu 19 maj i vitit 1964, “e rrëmbeu” Rozën nga gjiri i familjes, shokëve, miqve, të afërmve, bashkëlojtarëve. Abdurrahman (Roza) Haxhiu iku si rrallëkush, pasi ai pati fatin të ndahet nga jeta, duke merituar respektin, vlerësimin dhe përjetësinë. Mijëra sportdashës lushnjarë e nga rrethet e tjera, banda nga Kavaja që luante muzikë funebre i printe kortezhit mortor. Ashtu me duart e lëshuar, Xha Bami (i ati) hedh vështrimin rreth e qark duke parë mizëri njerëzish. I përkulur tek koka e arkivolit, me lot në sy i tha: ”Ahh mor bir, nuk e dija se kishe pasur kaq miq e shokë”.
Nderimet dhe vlerësimet e shumta pas vdekjes
Por Roza Haxhiu u nda vetëm fizikisht nga jeta, pasi ai ka mbetur i pavdekshëm në kujtesën e mijra e mijra sportdashësve që e ndoqën atë në fushat e blerta. Kështu ai u nderua pas vdekjes në vitin 1971, me titullin e lartë “Mjeshtër i Merituar i Sportit”. Nderimet për emrin dhe figurën e tij do të vijonin edhe pas viteve ’90-të, pasi në 1999-ën nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Edi Rama ai u nderua me titullin “Nderi i Sportit Shqiptar”, në vitin 1994 nga Bashkia Lushnje, u nderua me titullin “Qytetar Nderi”, në vitin 2016 nga Federata Shqiptare e Futbollit u nderua me titullin “Pllakatë”. Për ta kujtuar gjithnjë këtë legjendë të futbollit shqiptar, në shenjë respekti për kontributin që ka dhënë ky futbollist dhe trajner në futbollin lushnjar dhe atë shqiptar, stadiumi i qytetit të lindjes në Lushnje, është pagëzuar me emrin e nderuar “Abdurrahman Roza Haxhiu”.
Pse ai njihej me emrin Roza?
Abdurrahmani, bukuroshi që do të thirrej “che bella rosa”, (“çfarë trëndafili i bukur”) nga doktori Italian e infermieret e spitalit tek e vizitonin aty nga viti 1947, do t’i mbetej ajo nofkë përgjithmonë. Emri “Roza” do të përforcohej më tej edhe nga doktori Ihsan Çabej pas vitit 1950, për t’u përhapur më pas jashtë ambienteve të spitalit dhe mbetur përgjithmonë i skalitur në mendjen e qindra mijërave sportdashësve e më gjerë. “Roza-Trëndafil” e quajtën, sepse ashtu ishte dhe shkëlqeu ai në jetë dhe në fushën e blertë.
Abdurrahman (Roza) Haxhiu, nuk ishte vetëm një futbollist I madh, por ai mbahet mënd edhe si një bashkëshort model i Liljanës, balerinës së Asamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore të Shqipërisë dhe gjithashtu si prindi i përkushtuar marrëzisht pas tre fëmijëve: Rozeta, Arben dhe Adnand. Për sportin në përgjithësi dhe futbollin në veçanti, kontributi i fisit Haxhiu është një “buqet lulesh” në mesin e të cilës bie në sy një “Trëndafil” ai me emrin: Roza Abdurrahman Haxhiu./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016