Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të familjes së madhe Sefa nga qyteti i Lushnjes, e cila që nga periudha e pushtimit osman në vitet e para të shekullit të kaluar, ajo e Monarkisë së Zogut, e deri në fundin e nëntorit të vitit 1944, ishte një nga familjet më të pasura, jo vetëm në zonën e Myzeqesë, por edhe në gjithë Shqipërinë e mesme dhe më gjerë, për arsye të aktivitetit të saj tregtar që e drejtonte i pari i saj, Nebi Sefa, që gjithashtu ishte dhe një patriot i madh, pasi në nëntorin e 1912-ës, së bashku me mikun e tij të ngushtë, Qemal Karaosmani dhe Ibrahim efendi Borshin, shoqëruan Ismail bej Qemalin nga Kavaja deri në Vlorë, duke firmosur edhe aktin e pavarësisë. Dëshmitë e nipit të tij, Nebi Sefës së ri, për gjyshin e tij, një nga organizatorët kryesorë të Kongresit të Lushnjës, tregtar dhe bamirës i njohur që solli drithë për myzeqarët në periudhën e zisë së bukës, i cili në periudhën e Monarkisë së Zogut, ishte një nga biznesmenët më të fuqishëm, duke fituar edhe Medalje Ari në Panairin e Fiera de Levante në Bari të Italisë. Largimi nga Shqipëria i të birit të Nebiut, Ismailit, në nëntorin e ‘44-ës, për t’i shpëtuar hakmarrjes së komunistëve për shkak se kishte pranuar të zgjidhej deputet në parlamentin shqiptar të periudhës së pushtimit të vendit dhe rrënimi i familjes së tyre pas ardhjes së komunistëve në pushtet, ku dy nga nipat e firmëtarit të Pavarësisë, u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan, kurse bashkëshortja e Ismailit, me katër fëmijët e vegjël, përfunduan burgjeve dhe internimeve, edhe pse, Ismaili, një nga biznesmenët dhe tregtarët e fuqishëm që jetoi e punoi në Itali deri në vitin 1984, (kur ndërroi jetë), riparonte falas anijet e flotës tregtare shqiptare, në kantierin e tij në qytetin Çivitanova të Italisë.
“Ndonëse familja e babait tim, Ismail Sefës, kishte dhënë një kontribut të madh në dobi të çështjes shqiptare dhe dy gjyshërit e mi, Nebi Sefa dhe Qemal Karaosmani, kishin marrë përsipër e shoqëruar Ismail Qemalin nga Kavaja për në qytetin e Vlorës, ku dhe kishin firmosur përkrah tij në aktin e Shpalljes së Pavarsisë, menjëherë pas ardhjes së komunistëve në pushtet, ne u goditëm dhe u masakruam në mënyrën më barbare prej tyre. Që në fillimin e vitit 1945, komunistët na i konfiskuan të gjitha pasuritë dhe pronat e luajtshme dhe të paluajtshme, e na hoqën nga Tirana, duke na internuar sa në Durrës, Kavajë dhe Elbasan.
Një vit më vonë, në 1946-ën, komunistët arrestuan xhaxhanë tim 24-vjeçar, Qamil Sefën, që ishte diplomuar për Agronomi në Itali dhe e dënuan me burgim të përjetshëm. Disa vite më vonë, në 1949 dhe 1951-in, regjimi komunist arrestoi dhe pushkatoi dy nipërit e babait tim nga qyteti i Lushnjes, Lim dhe Hamdi Sefën. Pasi ne mbetëm në një gjendje të mjeruar ekonomike, duke vuajtur për bukën e gojës dhe nga që nuk shihnim asnjë mundësi tjetër mbijetese, në vitin 1954, nëna ime, Sherija (Karaosmani) më mori mua dhe tre motrat, e u nisëm drejt Maqellarës për t’u arratisur nga Shqipëria. Por ne u kapëm në afërsi të kufirit dhe nëna ime vuajti dy vite nëpër burgjet e regjimit komunist”.
Njeriu që flet dhe tregon për herë të parë për Memorie.al është Nebi Sefa, i biri i patriotit të njohur, Ismail Sefa nga qyteti i Lushnjes, i cili rrëfen të gjithë historinë e dhimbshme të familjes së tij gjatë viteve të regjimit komunist të Enver Hoxhës. Cila është origjina dhe e kaluara e familjes Sefa nga Lushnja dhe me çfarë aktiviteti u mor ajo që nga mesi i shekullit të XVIII-të e deri në vitin 1944? Cilët ishin burrat më të shquar që nxorri ajo familje dhe çfarë kontributi dhanë ata gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare, në Shpalljen e Pavarsisë në Vlorë, e në organizimin e Kongresit të Lushnjes? Cila ishte veprimtaria e tyre gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut, e gjatë viteve të Luftës Antifashiste dhe përse me ardhjen e komunistëve në pushtet, familja Sefa u persekutua në mënyrën më barbare, ku shumë prej tyre u ekzekutuan, burgosën apo u internuan deri në fillimin e viteve ’90-të?
Kush ishte Ismail Sefa?
Ismail Sefa u lind në 23 dhjetor të vitit 1902 në qytetin e Lushnjes dhe ai ishte djali i madh i Nebi Sefës, një nga patriotët e njohur të Myzeqesë. Duke qenë se familja e tij ishte një nga më të pasurat e gjithë asaj krahine, Ismaili nuk pati mundësinë që të shkollohej, sepse që në moshën 12-vjeçare, ai hyri në punë duke ndihmuar babanë e tij, Nebiun, në administrimin e pasurive dhe pronave të familjes. Lidhur me këtë, i biri i Ismailit, Nebi Sefa, tregon: “Që në moshën 17-vjeçare, babai im, Ismaili, u mor me punët e biznesit dhe të ekonomisë së familjes. Në atë kohë ai merrej me prodhimin e qymyrit të drurit, të cilin e shpërndante si lëndë djegëse në të gjithë qytetin e Lushnjes. Në atë biznes ai pati një sukses të madh, sidomos pas blerjes së një kamioni që ishte mjet transporti, (punonte me vajguri), gjë e cila në atë kohë ishte tepër e panjohur dhe e veçantë, pasi deri atëhere mjetet e transportit ishin vetëm kafshët dhe karrocat. Ai lloj biznesi i solli të ardhura tepër të kënaqshme dhe në vitet 1919-‘20-të, ai e zgjeroi aktivitetin e tij duke u marrë me import-eksporte me Italinë. Një nga detarët e vjetër shkodranë me origjinë nga Ulqini, i quajtur Reshit Ulqinaku, pak kohë para vdekjes së tij në azilin e Pleqve në Kavajë, ka dëshmuar: Në vitet 1919-‘20, për dy vite kam qenë pajtue nga një djalë tregtar nga Lushnja, i quajtur Ismail Sefa, i cili kishte si ortak, Ahmet Resulin dhe një Toptanas nga Tirana, me ba transportet e tyne të përjavshme nga Semani në Brindisi e anasjelltas, ku çojshin lëkura, vezë, e prodhime vendi, e blijshin kafe, fajanca, kristale, sheqer etj”.
Një nga më të njohurit e kësaj familje të pasur dhe aristokrate, ka qenë Ismail Sefa dhe i biri Nebiu, i cili u lind në vitin 1861. Përveç aktivitetit tregtar me të cilën merrej familja Sefa, Ismaili dhe i biri i tij, Nebiu, bashkëpunuan ngushtë me shumë patriot të njohur, si: Ymer Pashë Vrioni, Babë Dudë Karbunara, Qemal Karaosmani etj. Në vitin 1907, Nebi Sefa ngriti të parën shkollë shqipe në qytetin e Elbasanit, dhe në vitin 1912, ai priti e përcolli Ismail Qemalin nga Kavaja për në Vlorë, kur ai shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Për përcjelljen e plakut të Vlorës, Nebi Sefa mori udhëzime nga miku i tij Qemal Karaosmani (Elbasani) dhe pati ndihmën e pa kursyer të Komandantit të Xhandarmërisë së Lushnjes, Ibrahim efendi Lekës. Pas kësaj nga sakrificat e përbashkëta që ata bënë, të tre ata patriot lidhën një krushqi të pandarë në mes tyre: Nebi Sefa, martoi vajzën e tij me të birin e Ibrahim Lekës, (të sapo diplomuar në Stamboll) dhe në vitin 1932, mori nuse për djalin e tij, Ismailin, të bijën e Qemal Karaosmanit (Elbasani) Sheriarin. Po kështu në vitin 1920, Nebi Sefa ishte një ndër anëtarët e komisionit organizator të Kongresit të Lushnjes Krahas aktiviteteve tregtare, babai im Ismaili, nuk i shkëputi për asnjë çast marrdhëniet e bashkëpunimit me miqtë e tij të ngushtë, patriotët si: Hasan Prishtina, Qazim Begolli, Hoxhë Kadria etj., të cilët ai i respektonte si miq të babait të tij, Nebiut, duke u bërë dhe antar i Komitetit për Çlirimin e Kosovës. Po kështu gjatë asaj periudhe, ai zuri miqësi dhe me shumë patriot të tjerë, si: Spiro Kolea, Zenel Gjoleka, Ismail Haki Tatzati, Bahri Omari, Sheh Ibrahim Karbunara, Hysen dhe Iljaz Vrioni etj. Përveç këtyre personave të njohur të politikës, Ismaili kishte miqësi dhe me intelektualë të njohur të asaj kohe, si mjekun e njohur, Prof. Dr. Shaqir Kolonja, Xhavit Beli, Maim Vreto etj”.
Ismaili, tregtar dhe biznesmen i fuqishëm
Deri në vitin 1920-të, Ismail Sefa me të atin e tij Nebiun, u morën me aktivitet tregtar dhe qendra e veprimtarisë së tyre ishte qyteti i Lushnjes. Lidhur me këtë dhe veprimtarinë afariste të asaj familje gjatë viteve ’20-të dhe gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut, i biri i tij, Nebi Sefa, tregon: ”Aty nga fillimi i vitit 1920, pas mbajtjes së Kongresit të Lushnjes dhe shpalljes së Tiranës kryeqytet, babai im, Ismaili, u largua nga vendlindja e tij dhe erdhi e u vendos në qytetin e Tiranës. Ndërsa ai erdhi në Tiranë, gjyshi, Nebiu, qëndroi në qytetin e Lushnjes, ku ishte baza e aktivitetit të tyre tregtar dhe pjesa më e madhe e pronave të familjes sonë. Pas ardhjes në qytetin e Tiranës, Ismaili, filloi një veprimtari të gjerë tregtare, pasi në atë kohë ai fitoi tenderin e madh dhe nënshkroi kontratën për furnizimin e ushtrisë shqiptare me veshje, ushqime dhe gjithçka tjetër që i duhej për nevojat e saj. Pas atij aktiviteti tregtar të përmasave të mëdha, Ismaili, fitoi gjithashtu edhe liçencën për sipërmarrjen e peshkut shqiptar, duke pasur në varsi të tij ndërtimet dhe shfrytëzimin e dajlanëve të Butrintit, Karavastasë, e deri në Lumin Buna e Liqenin e Shkodrës. Me atë aktivitet, që ai e kishte me Shoqërinë “Pescalba”, fitoi katër vite ‘Medaljen e Arit’ për peshkun shqiptar, në Panairin e Fire di Levante në qytetin e Barit në Itali. Si rezultat i atij aktiviteti, babai zuri një miqësi të ngushtë dhe me disa personalitete italiane të asaj fushe, si industrialistët e peshkut Natale, Mastronardi, komentadorët Tizzi e Spartera, si dhe Omero Fioretti, Anxhelo e Vitorrio Canaletti etj. Pas kësaj, në fillimin e vitit 1930, babai themeloi shoqërinë minerare me emrin “Vullkan”, me të cilën fitoi liçencën për kërkimin e mineraleve në nëntokën shqiptare. Gjatë atyre viteve, duke parë se qeveritë e asaj kohe filluan investimet për planet rregulluese të shumë qyteteve shqiptare, ai e shtriu aktivitetin e tij edhe në fushën e ndërtimeve. Duke dashur që të jepte kontributin e tij në projektet e zhvillimeve urbane, ai ndërtoi një godinë të madhe tre katëshe në Rrugën e Durrësit, përballë ish-ambasadës jugosllave. Në atë kohë, ajo godinë u vlersua si një ndërtim komod e modern, ashtu si ato të vendeve më të përparuara të Europës. Pas asaj ndërtese, (që është edhe sot aty pronë e jona), babai ngriti edhe dy ndërtesa të tjera, po aq komode, një në qytetin e Lushnjes (Vila Sefa, ish Gjykata e Rrethit) dhe tjetrën në lagjen “Kala”, në qytetin e Elbasanit. Më pas, babai ndërmorri investime të mëdha në degën e përpunimit të drurit, duke ngritur një stabiliment të madh në fshatin Kular të Divjakës, ku për transportimin e lëndës drusore të prodhimit, ngriti edhe një linjë dekovili të gjatë 24 km. nga Kulari në Gradishtë. Krahas kësaj veprimtarie në fushën ndërtimore, Ismaili u aktivizua edhe në hapat e parë që u hodhën asokohe për projektet e furnizimit me energji elektrike të qendrave të mëdha të vendit, duke u rradhitur si një ndër aksionerët kryesor të shoqërisë së prodhimit e shpërndarjes së energjisë elektrike me emrin “SITA”, të themeluar prej Aleksandër Hobdarit. Gjatë kësaj kohe, ai ishte dhe një ndër aksionerët kryesor të shoqërisë së importit të produkteve të ndryshme “SASTEB”, e cila zotëronte pjesën më të madhe të tregut shqiptar”, tregon Nebi Sefa, për veprimtarinë e babait të tij, Ismailit, i cili që nga fillimi i viteve ’20, e gjatë gjithë periudhës së Monarkisë së Zogut, ishte një nga emrat më të njohur të biznesit shqiptar, që herë pas here financoi e ndihmoi me shuma të konsiderueshme edhe Kryqin e Kuq Shqiptar e Strehën Vorfnore në Tiranë.
Deputet dhe arratisja në 1944-ën
Ndonëse gjatë gjithë periudhës së Monarkisë së Zogut, Ismail Sefa, kishte shikuar vetëm aktivitetin e tij në fushën e biznesit dhe nuk ishte përzier asnjëherë në punët e politikës, në vjeshtën e vitit 1943, ai pranoi që të merrte pjesë si deputet i Parlamentit Shqiptar. Këtë gjë ai e pranoi pas kërkesës që i’u bë nga përfaqësuesit e Regjencës së Lartë, të cilët i kujtuan atij se në vitin 1912, babai i tij, Nebiu, kishte qenë përfaqësuesi i Lushnjes dhe Beratit në Kuvendin e Vlorës, ku u shpall Pavarsia e Shqipërisë. Lidhur me këtë periudhë kohe, i biri tij, Nebiu, tregon: “Babai im, Ismaili, kishte bindje politike të djathta dhe gjatë asaj kohe edhe miqtë e shokët më të afërt të tij, ishin nacionalistët dhe eksponentët kryesorë të organizatës së Ballit Kombëtar. Gjatë asaj periudhe që babai ishte deputet, ai pati dëshirën e mirë që si përfaqësues i Lushnjes, të bënte edhe diçka konkrete për popullin e atij qyteti. Që në muajin gusht të vitit 1943, ku ai akoma nuk kishte hyrë në Parlament, i bëri një kërkesë Inspektorisë së Arsimit në Ministrinë përkatëse, (A.Q.Sh. shkresa nr.1677/7 dt.04.08.1943), ku i kërkonte që të ndërtonte një shkollë në qytetin e Lushnjes, të cilën do ta financonte me të ardhurat e tij. Por kjo nuk u bë e mundur nga rrjedha e ngjarjeve që ndodhën më pas. Duke parë precipitimin e zhvillimit të ngjarjeve, kur komunistët e kishin të sigurtë ardhjen në pushtet, në nëntor të vitit 1944, babai vendosi dhe iku nga Shqipëria, duke na lënë këtu ne katër fëmijët, së bashku me nënën, Sheriarin. Ai u arratis së bashku me Mentor Qokun, Hysni Jeniçerin, Nermin Vlora Falaskin etj., dhe u vendosën në Itali, ku kishte një numër të madh miqsh e shokësh”, tregon Nebi Sefa, për ikjen nga Shqipëria të babait të tij, Ismailit, i cili për afro një vit kishte marrë pjesë si deputet në parlamentin Shqiptar të asaj kohe.
Persekutimi i familjes Sefa
Menjëherë pas arratisjes së Ismail Sefës nga Shqipëria, regjimi komunist që erdhi në pushtet, filloi hakmarrjen ndaj familjes së tij. Lidhur me këtë, Nebiu tregon: “Që në fillimin e vitit 1945, komunistët n’a sekuestruan të gjithë pasurinë e tundshme dhe të patundshme që dispononte familja jonë. Pas kësaj, një vit më vonë, në 1946-ën, komunistët arrestuan xhaxhanë tonë 24-vjeçar, Qamil Sefën (vëllai i Ismailit), i cili ishte diplomuar për Floriculture në Bolonja të Italisë. Qamili u dënua me burgim të përjetshëm dhe më pas me 101 vite, e nga amnistitë e ndryshme ai mundi të lirohej vetëm në vitin 1962, dënim të cilin e vuajti në burgun e tmershëm të Burrelit. Pas lirimit, ai u martua dhe menjëherë pasi krijoi familje, atë e internuan përsëri për në Levan të Fierit. Në vitin 1948, ne na hoqën nga Tirana dhe na internuan në qytetin e Elbasanit. Persekutimi i familjes Sefa nga ana e regjimit komunist të Enver Hoxhës, vazhdoi përsëri në vitin 1949 dhe 1951, kur në qytetin e Lushnjes u arrestuan dy të afërm të babait, Lim dhe Hamdi Sefa, të cilët më pas u ekzekutuan, për të vetmin fakt, që ishin të afërm të Ismail Sefës. Duke parë gjendjen tonë ekonomike tepër të vështire dhe duke mos pasur asnjë rrugëdalje tjetër, aty nga viti 1954, nëna jonë Sheriari, na mori ne katër fëmijët, (mua dhe tre motrat, ku më e madhja ishte 17-vjeç dhe unë më i vogli, 10 vjeç) dhe u nisëm e shkuam në fshatin Maqellarë të Peshkopisë, me qëllimin për t’u arratisur nga Shqipëria. Por ne nuk mundëm të arratiseshim, sepse u kapëm në afërsi të kufirit, nga tradhëtia që na bëri një fshatar i asaj zone, i cili kishte marrë përsipër që të na kalonte tek kloni. Pasi na kapën, ne na mbajtën një ditë në Degën e Brendshme të Peshkopisë dhe të nesërmen na nisën për në Tiranë, ku mbajtën në hetuesi vetëm nënën dhe motrën e madhe. Pas një muaji, e liruan edhe motrën, kurse nënën e nxorrën në gjyq, ku prokurori kërkoi që ajo të dënohej me dhjetë vite burg. Por atë e dënuan vetëm me dy vite, pasi gjykata mori parasysh edhe rrethanat e mjerueshme ekonomike në të cilat ndodheshim ne. Pasi nëna mbaroi të gjthë dënimin, në vitin 1956, nga qyteti i Elbasanit ku ishim të internuar, ne si familje na lejuan që të shkonim në qytetin e Durrësit dhe më pas edhe nga aty na hoqën, ne u vendosëm në Kavajë. Gjatë atyre viteve të qëndrimit në Itali, babai Ismaili, ishte një nga biznesmenët e fuqishëm të ndërtimit e riparimit të anijeve tregtare dhe peshkarexhave. Gjatë dyzet viteve që ai qëndroi në Itali, nuk e ndërpreu për asnjë çast punën e tij, duke qenë një biznesmen i suksesshëm në ndërtimini e anijeve të mëdha dhe jahteve turistike, si pronar i Shoqërisë së Ndërtimit “Cantiere Navale-Ismail Sefa S.A.S.” në qytetin Civitanova Mache, afër Ankonës. Gjatë asaj kohe ai ndërtoi 130 peshkarexha që edhe sot peshkojnë në të gjitha detrat e oqeanet e botës ku janë shitur. Edhe pse babai kishte një pasuri mjaft të madhe, shteti shqiptar nuk e lejonte që ta ndihmonte financiarisht familjen e tij, madje gjatë atyre viteve, ne na e kishin ndalur edhe korespondencën me letra. Por në varësi të konjukturave politike që kalonte vendi, kishte dhe ndonjë rast kur e lejonin që të na shkruante letra, apo të na sillte ndonjë pako të vogël. Kjo gjë ndodhi aty nga viti 1960-‘62, kur babai ndihmoi shtetin shqiptar, duke u riparuar falas në kantierin e tij, një numër të madh peshkarexhash apo anijesh transporti mallrash. Vetëm pas asaj, ne katër fëmijëve të tij, shteti komunist na dha të drejtën të mbaronim shkollat e larta. Por pak vite më vonë, pasi ne kishim dalë në punë, na hoqën përsëri nga Arsimi dhe na lanë të punonim si puntorë, me përjashtim të motrës së madhe që doli në pension si arsimtare. Babai, Ismaili, ndërroi jetë në 15 gusht të vitit 1984, në moshën 82 vjeçare, pak kohë kur ishte duke përfunduar hotelin turistik rezidencial turistik, rezidencial 8 katësh, që edhe sot në faqet e gazetave italiane, njihet si hotel “Albergo ex Sefa”. Në atë kohë që vdiq Ismaili, edhe pse ai ishte një i arratisur politik, në familjen tonë në Kavajë, për afro 40 ditëve nuk i’u ndanë vizitat e ngushëllimet të miqëve dhe dashamirësve të shumtë, mes të cilëve kishte dhe plot komunistë me tesër partie në xhep. Atë ngrohtësi ne nuk e gjetëm vetëm në ato ditë, por populli i vuajtur kavajas ne na mbajti pranë, duke na përkrahur moralisht gjatë gjithë asaj periudhe (1956-1993) që ne jetuam në atë qytet”, përfundon rrëfimin e tij Nebi Sefa, mbi historinë e dhimbshme të familjes që vuajti për më shumë se 45 vite nën rregjimin komunist të Enver Hoxhës, për të vetmin fakt se kishin qenë të pasur dhe babai i tij, Ismaili, që ishte arratisur nga Shqipëria, ishte shpallur armik. Me interesimin e familjes, eshtrat e tij u sollën në Shqipëri më 16 nëntor të vitit 1996 dhe prehen në varrezat publike të Tiranës, kurse busti i të atit, Nebiut, është vendosur nga autoritetet shtetërore të pushtetit lokal në oborrin e një shkolle në qytetin e Lushnjes.
Historia e familjes Sefa dhe Nebiut, nga shoqërimi i Ismail Qemalit dhe firmosja e Pavarësisë, te organizimi i Kongresit të Lushnjes
Origjina e hershme e familjes Sefa është nga qyteti i Lushnjes, ku kanë banuar prej disa brezash të parët e saj. Një ndër burrat më të përmendur të atij fisi të njohur të qytetit të Lushnjes, ka qenë Ismail Sefa, i cili lindi në fillim viti 1840. Që nga ajo periudhë e gjithë familja Sefa, ashtu si dhe të parët e tyre, merrej me bujqësi e blegtori, si dhe me ndonjë veprimtari të vogël tregtare. Pronat e tyre në atë kohë shtriheshin në kodrat me ullishte sipër qytetit të Lushnjes, si dhe disa toka të tjera bujqësore, në fshatrat Plug e Vil-Bashtovë të Kavajës. Pas fuqizimit të saj nga ana ekonomike, në mesin e shekullit të XVIII, familja Sefa filloi të ushtronte një aktivitet të gjerë tregtie dhe njeriu që e drejtonte atë ishte Ismail Sefa. Aty nga viti 1870, kur në të gjithë krahinën e Myzeqesë pati pllakosur një zi e madhe e bukës dhe njerëzit vdisnin nga uria, Ismail Sefa, i cili kishte krijuar lidhje të shumta tregtie me shtetet fqinje, me anë të disa karvanëve, solli një sasi të madhe drithi nga Kostanca e Rumanisë. Sjelljen e atij drithi nga Rumania, Ismail Sefa nuk e bëri për qëllime biznesi, por për bamirësi, pasi ai e shiti grurin me një çmim tre-katër herë më të ulët se tregtarët e tjerë të asaj kohe, që kishin si qëllim të parë vetëm fitimet e tyre. Që nga ajo kohë e në vitet që rrodhën më pas, pothuaj e gjithë popullsia e asaj krahine të varfër të Myzeqesë, nuk e hiqnin nga goja atë njeri, sa që i ngritën edhe disa këngë për xhestin fisnik që e tregoi. Vijimësia e asaj familje të njohur të Lushnjes si aristokrate dhe e pasur, vazhdoi me të birin e tij, Nebi Sefa, i cili mësimet e para i mori në qytetin e Lushnjes dhe më pas në qendrën e Prefekturës në qytetin e Beratit. Ai kishte mësuar që të lexonte dhe të shkruante gjuhën shqipe që nga fillimi i vitit 1893, kur i ati i tij, Ismaili, i sillte libra shqip nga kolonia e shqiptarëve të Rumanisë. Po kështu gjatë asaj kohe, përveç librave në gjuhën shqipe, Ismail Sefa sillte dhe libra të tjerë në gjuhë të huaja, si: persisht, turqisht e frengjisht, të cilat i merrte në Selanik dhe Kostancë. Aty nga viti 1880-të, duke parë se shumë qytete dhe krahina të ndryshme të Shqipërisë së Mesme, kishin vështirësi të mëdha komunikimi dhe transporti me njëra tjetrën për shkak të mungesës së urave, Ismail Sefa bashkë me të birin e tij, Nebiu, themeluan një Shoqëri e cila do të merrej me transportin e njerëzve dhe mallrave të ndryshme, me anë të lundrave dhe trapeve, që i vunë në disa pika të lumenjëve Seman dhe Shkumbin. Nga ai aktivitet ata patën fitime të mëdha të cilat rriteshin dita ditës, duke e fuqizuar ndjeshëm gjendjen ekonomike të asaj familje. Ismail Sefa me djalin e tij Nebiun, përveç aktivitetit të tyre tregtar dhe ekonomik që kryenin, kanë qenë të njohur edhe për ndihmën e madhe financiare që u jepnin patriotëve shqiptar të asaj kohe, që punonin për Rilindjen Kombëtare. Ndër miqtë më të ngushtë me të cilët bashkëpunonin Ismaili dhe Nebiu, ishin ata patriot të njohur që e kishin shtrirë aktivitetin e tyre në qytetet e Lushnjes, Beratit, Kavajës, Elbasanit, Fierit etj., si: Aqif Pashë Elbasani, Aziz Pashë Vrioni, Babë Dudë Karbunara, Llazar e Kovi Bozo, Qemal Karaosmani, Besim Nuri, Sulo Resuli, Ikonom Dhima, Uan dhe Zoi Ndreko, Tun Gjergji etj. Nebi Sefa gjithashtu është tepër i njohur si organizatori kryesor i demonstratave të mëdha në qytetin e Lushnjes në vitin 1906, ku i gjithë populli u ngrit në protestat kundër taksave të larta dhe detyrimeve të mëdha që kishte caktuar administrate osmane për atë krahinë. Ajo ngjarje bëhet e ditur edhe nga disa gazeta dhe revista të asaj kohe që dilnin në Vjenë, Sofie etj., të cilat midis të tjerash shkruanin: “Në qytetin e Lushnjes, si rrallë në ndonjë vend tjetër ka një bashkim solid dhe të paparë të elementit të krishterë dhe atij muhamedanë”. Ato demonstrata antiosmane u bënë shkak që Nebi Sefën, bashkë me vëllain e tij, Abazin, e shumë lushnjarë të tjerë, t’i internonin në qytetin e Janinës. Pas kthimit nga internimi, Nebi Sefa i’u kushtua akoma dhe më shumë veprimtarive të tij në dobi të çështjes shqiptare dhe aty nga viti 1907-të, ai i kërkoi babait të tij, Ismailit, që të interesohej dhe të bënte diçka që edhe në qytetin e Lushnjes të kishte shkolla ku të mësohej gjuha shqipe. Atë kërkesë të të birit, Ismaili Sefa e mori si një qortim dhe menjëherë ai bisedoi me shumë patriot të tjerë lushnjarë dhe pas asaj u lidh me mësuesin e shkollës greke, Zaq Bardhenin nga Berati, me të cilin bisedoi se çfarë mund të bënin për hapjen e një shkolle shqipe. Pasi Ismail Sefa i mori përsipër të gjitha shpenzimet e nevojshme që duheshin për atë punë, Zaq Bardheni i garantoi atij se ishte i gatshëm që për mësimin e gjuhës shqipe, të mësonte pa asnjë shpërblim rreth 20 nxënës. Pas kësaj, Nebi Sefa vuri në dispozicion një nga mjediset e hotelit të tij dhe një pagesë mujore të mësuesit që do t’u mësonte nxënësve mësimin e gjuhës shqipe. Hapja e asaj shkolle të vogël shqipe në atë kohë, pati një jehonë të madhe në qarqet e patriotëve shqiptarë, që e përshëndetën atë akt atdhetarie. Por gjithashtu ajo solli dhe një acarim të madh të marrëdhënieve midis qarqeve antishqiptare, ku në mes tyre ishte dhe nënprefekti i qytetit të Lushnjes, i cili e konsideroi atë një herezi të madhe. Menjëherë pasi ai mësoi lajmin e hapjes së shkollës, nisi një telegram Portës së Lartë në Stamboll, ku shkruante: “Na shpëtoni nga një zullumqar që na pengon të mësojmë gjuhën e besimin tonë dhe që u mëson të rinjve gjuhën e mallkuar shqipe”. Kjo bëri që pas disa muajsh, shkolla shqipe të mbyllej dhe nisiatori i hapjes së saj, Nebi Sefa, të internohej përsëri në qytetin e Janinës. Edhe pas lirimit nga internimi i tij i dytë, Nebiu jo vetëm që nuk hoqi dorë nga veprimtaria e tij patriotike, por e intesifikoi më tepër atë, sidomos pas shpalljes së Hyrjetit. Në vitin 1905, kur u mbajt Kongresi i Manastirit, ai u gëzua pa masë që po bëhej realitet ëndrra për mësimin e gjuhës shqipe dhe në një letër që i shkruante mikut të tij të ngushtë, Feim Bej Zavalanit, në mes të tjerash ai shprehej: “Me urdhër të zotit u përmbush dëshira e shqiptarëve për të shkruajtur gjuhën e Kristoforidhit dhe të Naimit me alfabetin e zëmrës”. Po kështu në vitin 1911-’12, Nebi Sefa u aktivizua gjerësisht në lëvizjen që do të çonte në Pavarësinë e shqipërisë dhe bashkë me Qemal Mullain, Sheh Ibrahim Karbunarën dhe disa patriot të tjerë, ai organizoi një takim në përkrahje të Memorandumit të Gërçes, duke nënshkruar disa peticione proteste në të cilat kërkohej autonomia e Shqipërisë. Veprimtaria më e madhe patriotike e Nebi Sefës në dobi të çështjes shqiptare, është ajo e fundit të vjeshtës të vitit 1912-të, kur ai si përfaqësues i dërgatës së Lushnjes, shoqëroi Ismail Qemalin në udhëtimin e tij nga Myzeqeja për në Vlorë. Porosinë për pritjen e Ismail bej Qemalit, që në hyrje të qytetit të Kavajës dhe shoqërimin e tij deri në Vlorë, Nebi Sefa e kishte marrë nga miku i tij i ngushtë, Qemal Karaosmani, të cilit gjithashtu, atë i’a kishte ngarkuar Omer Pashë Vrioni. Gjatë atij udhëtimi të vështirë nëpër Myzeqe me Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin e patriot të tjerë, Nebi Sefa e bëri me ndihmën e komandantit turk të Xhandarmërisë së Lushnjes, Ibrahim efendi Borshit (Leka), i cili si shqiptar i vërtetë dhe mik i Nebi Sefës, jo vetëm që nuk zbatoi urrdhërin e komandës së tij eprore, për arrestimin e Ismail Qemalit e delegatëve të tjerë, por i ndihmoi ata që të kalonin nëpër fushat e Myzeqesë, duke devijuar rrugën dhe qëndrimin një natë në fshatin Çermë, në shtëpinë e Dervish Bej Biçakut dhe Bexhet Hydit. Pas kësaj, Ismail Qemali, i shoqëruar nga Nebi Sefa, Qemal Karaosmani dhe patriot të tjerë, mbërritën në qytetin e Vlorës, ku më 28 nëntor u ngrit flamuri kombëtar dhe u shpall Pavarësia e Shqipërisë. Në aktin e shpalljes së pavarësisë, ndër 34 firmëtarët e saj, ishte dhe Nebi Sefa me Qemal Karaosmanin. Në shenjë miqësie për mbajtjen e fjalës së dhënë, Nebi Sefa, Qemal Karaosmani dhe Ibrahim efendi Borshi (Leka), lidhën një krushqi të pandarë në mes tyre. Nebi Sefa i dha vajzën e tij, për nuse, djalit të Qemal Karaosmanit dhe morri nuse për djalin e tij, (Ismail Sefën), vajzën e Ibrahim efendi Borshit (Leka). Nebi Sefa është i njohur edhe për organizimin që bëri në mbrojtje të qytetit të Lushnjes, nga sulmi i forcave të Esat Pashë Toptanit në vitin 1913-të, të cilët kërkonin rrëzimin e qeverisë së Vlorës. Edhe gjatë Luftës së Parë Botërore, Nebiu, bashkëpunoi ngushtë me krahun më përparimtar të patriotëve shqiptarë të asaj kohe, duke u bërë një nga njerëzit me popullaritetin më të madh në të gjithë krahinën e Myzeqesë. Në vitin 1920, kur u mbajt Kongresi i Lushnjes, Nebiu ishte një ndër njerëzit që formuan Komisjonin Organizator për thirrjen e atij kongresi dhe bashkë me patriotin, Besim Nuri, ai gjithashtu u morr me strehimin e delegatëve dhe mbarëvajtjen e punimeve të atij kongresi. Pas vitit 1920, për shkak të moshës së thyer, Nebi Sefa u tërhoq në jetën e tij private, duke u kujdesur vetëm për pasurinë dhe ekonominë e familjes, e pas atyre viteve aktivitetin patriotic që ai kishte nisur, e vazhdoi i biri, Ismail Sefa. Përveç Ismailit, Nebiu kishte dhe dy fëmijë të tjerë, djalin, Qamilin dhe vajzën, Sabirenë. Nga viti 1920, e gjatë gjithë periudhës së Monarkisë së Zogut, deri në 1944-ën, Ismaili u morr me aktivitetin ekonomik të familjes që i la i ati, duke u vendosur me banim në qytetin e Tiranës. Ndërsa i ati, Nebiu, qëndroi në qytetin e Lushnjes deri sa ndërroi jetë në vitin 1942. Ndonëse gjatë gjithë periudhës së Monarkisë së Zogut, familja Sefa nuk ishte përzier asnjëherë në punët e politikës, në vjeshtën e vitit 1943, Ismail Sefa u zgjodh deputet i Lushnjes në parlamentin shqiptar. Në nëntorin e vitit 1944, ai u largua përgjithmonë nga Shqipëria, duke u vendosur në Itali, ku ushtroi aktivitetin e tij si biznesmen i fuqishëm në ndërtimin e riparimin e anijeve të mëdha të transportit. Ismaili ndërroi jetë në gushtin e vitit 1984, me brengën e madhe dhe mallin e pashuar e bashkëshorten e katër fëmijët e tij që nuk i pa për 40 vite rradhë./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016