Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të ish-ushtarakut të lartë të Sigurimit të Shtetit, nënkolonel Pandeli Përmetit, me origjinë nga fshati Bual i Përmetit dhe lindur në qytetin e Korçës, i cili rrëfen karrierën e tij në organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, që nga mbarimi i Luftës kur ai vinte nga radhët partizane, duke qenë efektiv i Brigadës së IV-të Sulmuese dhe ishte plagosur dy herë, emërimi në detyrën e Kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme të Mallakastër, ku në vitin 1948-të i bëri një vizitë Mehmet Shehut që ishte mbyllur në shtëpinë e tij në fshatin Çorush, ku priste të arrestohej nga Koci Xoxe, caktimin për një vit në Drejtorisë e Punëve të Brendshme të Qarkut të Shkodrës, ku u morr gjatë me verifikimin e dosjeve të Klerit Katolik, pas një urdhri që Enver Hoxha i kishte dhënë Kadri Hazbiut, për goditjen e tyre, misterin e vdekjes së gjeneral-major, Hilmi Seitit, që e kishte mik të ngushtë, ngjarjen e bombës së ambasadës sovjetike në Tiranë, ku ai se hetues i asaj çështje, mundi që të lironte vetëm një nga të arrestuarit, inskenimi i ngjarjes në fshatin Gjorëm të Vlorës, për një atentat ndaj Hysni Kapos, që dërgoi në pushkatim një oficer të Sigurimit të Shtetit, e deri te letra e gjatë prej 36 faqesh, që ai i dërgoi Enver Hoxhës në vitin 1967-të, ku denonconte shumë nga prapaskenat e Sigurimit të Shtetit, pas së cilës u thirr nga Manush Myftiu që të hiqte dorë nga ajo gjë dhe përgjigja negative e tij që i shkaktoi çmobilizimin nga radhët e Ministrisë së Brendshme, dërgimin si punëtor me tre turne e roje nate në Uzinën “Enver”, si dhe arrestimin e dënimin e me burg politik, të djalit të tij që ishte aviator.
Pandeliu: Si hyra në Sigurim
Si u fut Pandeli Përmeti në organet e Ministrisë së Brendshme dhe përse Mehmet Shehu e thirri pikërisht atë, që të punonte aty? Lidhur me këtë, ai kujtonte: “Duke parë të kaluarën time si atentator me njësitet guerile në qytetin e Korçës dhe më pas si partizan i Brigadës së IV-të, ku dhe isha plagosur dy herë, në prillin e vitit 1944, më thirrën dhe më caktuan që të punoja në organet e Ministrisë së Brendshme, duke më emëruar në fillim se Shef Seksioni në Sigurimin e Shtetit për “Krahinën e Tretë” e cila në atë kohë përfshinte të gjithë Veriun e Shqipërisë. Aty nga viti 1948, kur unë shërbeja si Kryetar i Degës së Brendshme të rrethit të Mallakastrës, shkova për ta takuar Mehmet Shehun, në shtëpinë e tij në fshatin Çorush, i cili në atë kohë pasi ishte goditur nga Koci Xoxe, ishte mbyllur aty dhe priste që të vinin për ta arrestuar? Unë ndonëse e dija gjendjen në të cilën ndodhej asokohe Mehmeti, vajta për ta takuar sepse kisha respekt për atë që nga koha e Luftës dhe gruaja ime, kishte qenë partizane në Brigadën e Parë. Kur vajta në shtëpinë e tij në Çorush, Mehmet Shehu u habit nga prania ime aty, sepse aty nuk kishte shkuar për ta takuar, asnjë nga kuadrot kryesorë të rrethit të Mallakastrës. Atë ditë në shtëpinë e Mehmetit ishin mbledhur disa nga njerëzit e afërm të tij dhe njeri prej tyre, gjatë bisedës e pyeti se si do të vepronte ai po të vinin njerëzit e Sigurimit për ta arrestuar. Mehmeti iu përgjigj atij duke i thënë: ‘Unë e kam një “Belçik” këtu në shtëpi dhe do të luftoj me ta, deri në pikën e fundit pa rënë i gjallë në duart e tyre’. Në fundin e 1948-ës kur Mehmet Shehu erdhi në postin e Ministrit të Brendshëm, ai urdhëroi që të shihej korrespondenca sekrete në mes meje si kryetar i Degës së Brendshme të Mallakastrës dhe ish-ministrit Koci Xoxe, sepse ai dyshonte se mos unë në shtëpinë e tij kisha shkuar i ngarkuar nga Koci. Pasi Mehmeti u sigurua se nuk kishte as njëlloj korrespondence ndërmjet meje dhe ish-ministrit të Brendshëm dhe se unë e kisha bërë me iniciativën time, në dhjetorin e vitit 1948-të, ai më thirri në Tiranë dhe më emëroi si zv/Shef Seksioni në Degën e Dytë të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit”, kujtonte Pandeliu atë periudhë, kur në shenjë mirënjohje, Mehmet Shehut e mori atë në punë në Tiranë.
Inskenimi për goditjen e Klerit Katolik
Një nga prapaskenat dhe makinacionet që përdori asokohe Sigurimi i Shtetit, ishte ai që u bë ndaj Klerit Katolik të Shqipërisë së Veriut dhe kryesisht atij të Shkodrës. Lidhur me këtë, Pandeliu kujtonte: “Aty nga viti 1952-’53, sipas porosisë që i kishte dhënë Enver Hoxha, ministrit të Brendshëm Mehmet Shehu, ai më caktoi të punoja disa kohë në arkivat e Ministrisë së Brendshme, për nxjerrë disa dokument tepër sekrete, që kishin të bënin me disa nga kuadrot kryesorë të Partisë dhe Shtetit, të cilat i duheshin Enverit. Aty kam pasur rastin të shikoj dhe dokumente të tjera, si ato që kishin të bënin me goditjen ndaj Klerit Katolik. Në ato dokumente pashë se aty nga viti 1950-‘51, sipas urdhrit të Enver Hoxhës, Mehmet Shehu kishte thirrur në një takim special, Monsinjor Bernardin Shllakun (Argjipeshkvi Katolik i Shqipërisë) dhe i kishte dhënë ultimatum, që brenda 24 orëve, ai të shkonte në Shkodër dhe të mblidhte Këshillin e Lartë të Klerit Katolik, e të vendosnin shpalljen e Kishës Katolike të pavarur nga Vatikani, ashtu siç ishte e pavarur Kisha Ortodokse Shqiptare. Në fund të fjalës së tij, Mehmeti i kishte thënë Shllakut se: në rast se nuk do ta bënte atë gjë, Qeveria Shqiptare do të merrte masat më të rrepta deri në eliminimin e Klerit Katolik. Monsinjor Shllaku menjëherë i ishte përgjigjur Mehmetit, duke i thënë: ‘Unë jam 71 vjeç dhe deri tash, nuk jam koritur ndonjëherë, pra çka keni menue me bë, banje një tash’. Me këto fjalë ata ishin ndarë, kurse më vonë Klerit Katolik i’u dha një variant tjetër, ku i’u thuhej që të merrnin kontakte direkt me Vatikanin e Papën dhe nëpërmjet kanaleve diplomatike të Qeverisë shqiptare, t’ju bëhej e ditur atyre se Kisha Katolike në Shqipëri, do të kishte lidhje nga Vatikani, vetëm nga ana spiritualë, kurse nga ana administrative do të varej nga Qeveria Shqiptare, ashtu siç vareshin edhe besimet e tjera fetare në Shqipëri. Por edhe pse u krijuan kontaktet me Papën, edhe pse u shtyp një statut nga shteti, asgjë nuk ndryshoj dhe Kisha Katolike Shqiptare, ngeli e varur nga Vatikani”.
Enveri: Kadri, godisni Klerin
Si rrodhën më pas ngjarjet me Klerin Katolik dhe si u veprua ndaj tij nga ana e Qeverisë Shqiptare? Lidhur me këtë, Pandeliu kujton: “Në fillimin e vitit 1955-së, Enver Hoxha thirri ministrin e Brendshëm, Kadri Hazbiun dhe i dha urdhër atij që të merrte masat e nevojshme, për t’i dhënë një goditje të fortë Klerit Katolik, duke arrestuar të gjithë klerikët të cilët konsideroheshin si më të rrezikshmit, për Partinë dhe Pushtetin Popullor. Këtë urdhër të Enver Hoxhës, ministri i Brendshëm Kadri Hazbiu, i’a njoftoi gjeneral-major Hilmi Seitit, i cili në atë kohë ishte në funksionin e Drejtorit të Drejtorisë së Brendshme të Qarkut të Shkodrës, që në atë kohë kishte nën vartësi rrethet e Shkodrës, Malësisë Madhe, Lezhës, Dukagjinit, Pukës dhe Mirditës, ku shtrihej pjesa më e madhe e Klerit Katolik që ishte në Shqipëri. Pasi Hilmi Seiti u njoh me urdhrin e Kadri Hazbiut, i cili ia kishte bërë të ditur se ajo ishte “me porosi nga lart”, Hilmiu i kërkoi ministrit që t’i dërgonte për ndihmë në Drejtorinë e Punëve të Brendshme të Qarkut të Shkodrës, një oficer nga Drejtoria e Sigurimit të Shtetit e Ministrisë së Brendshme dhe konkretisht ai i kishte propozuar që atje të shkoja unë (Pandeli Përmeti). Ministri Hazbiu ia plotësoi atë kërkesë Hilmi Seitit, të cilin ai e kishte shok dhe e donte shumë. Kështu pas kësaj, në tremujorin e parë të vitit 1955, me urdhrin special të ministrit, mua më dërguan me shërbim për një kohë gjashtë mujore, pranë Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Qarkut të Shkodrës. Atje Hilmi Seiti më priti si vëlla dhe pasi më krijoi të gjitha kushtet, që të punoja sa më mirë, më tregoi për urdhrin që Enver Hoxha i kishte dhënë ministrit Kadri Hazbiu dhe atij vetë, si dhe arsyen se përse ai më kishte kërkuar mua me emër dhe jo njeri tjetër. Hilmiu më vuri në dispozicion të gjitha dosjet hetimore të klerikëve, që ishin dënuar nga gjykatat (me vdekje dhe dënime të tjera), për t’i studiuar dhe për të nxjerrë implikimet e klerikëve, që ishin të lirë dhe mbi bazën e atyre implikimeve, do të bëheshin propozimet nga Drejtoria e Brendshme e Shkodrës, që ata të arrestoheshin. Unë nisa studimin e dosjeve dhe nxirrja implikimet e tyre, duke i nxjerrë në ekstrakt të shtypura me makinë dhe i vendosja si fashikull më vete për çdo klerik që ishte i lirë. Në proces-verbalet e klerikëve të dënuar, figuronin të implikuar shumë nga klerikët që ishin të lirë, duke përfshirë dhe Monsinjor Ernesto Çobën, (pas vdekjes së Bernardin Shhllakut ishte emëruar Argjipeshkvi i gjithë Klerit Katolik të Shqipërisë) dhe Padër Marin Sirdanin, që ishte një nga historianët më të mirë të Shqipërisë. Në studimin që i’u bëra atyre dosjeve, vura re se kishte kontradikta të mëdha midis tyre, ku ngatërroheshin keqas ngjarje dhe klerikë të ndryshëm dhe në thëniet e tyre kishte pasaktësira të mëdha. Nga ato që pashë aty krijova bindjen e plotë se gjatë hetuesisë, klerikët e arrestuar ishin torturuar keq dhe si rezultat i atij trajtimi, që u ishte bërë, ata kishin deponuar gjëra të paqena dhe jo të vërteta. Për të gjitha ato që pashë aty, unë menjëherë vura në dijeni, gjeneral Hilmi Seitin, duke i thënë dhe mendimet e mija. Unë i thashë atij se për klerikët që ishin të lirë, jo vetëm që nuk kishte fakte dhe prova ligjore, për të propozuar për t’i arrestuar, por kisha mbetur i befasuar, se si ishin dënuar nga gjykatat ata klerikë me ato materiale, që ishin në ato dosje. Hilmiu m’i aprovoi të gjitha mendimet e mija dhe më tha: ‘Këtë çështje ta kam ngarkuar ty, sepse kam besim të plotë se do e kryesh ashtu siç duhet, për arsye se kemi të bëjmë me një urdhër të Enver Hoxhës, të cilin duhet ta justifikojmë me fakte të forta”.
Koloneli sovjetik në Shkodër
Po ç’ndodhi më pas me dosjet e Klerit Katolik në Shkodër dhe si u veprua për goditjen e klerikëve që ishin të lirë? Lidhur me këtë, Pandeliu dëshmonte: “Pasi më mbaroi afati i shërbimit gjashtë mujor në Shkodër dhe nga studimi i dosjeve nuk e pashë të arsyeshme, që të rrija më atje, kërkova që të kthehesha në Tiranë, pranë Degës ku isha efektiv dhe ku kisha kryetar, kolonel Halim Xhelon. Por në kundërshtim me kërkesën time dhe me urdhrin e ministrit, m’u zgjat shërbimi edhe për gjashtë muaj të tjerë, që të punoja në Shkodër. Sipas këtij urdhri unë vazhdova të qëndroja aty, për ai qëndrim i mëtejshëm m’u duk i kotë, për arsye se nga dosjet që pashë nuk isha i bindur se kishte implikime të klerikëve për të bërë propozime për t’i arrestuar. Gjatë asaj kohe, Hilmi Seiti thirri në zyrën e tij, Monsinjor Ernesto Çobën dhe Padër Marin Sirdanin, dhe i këshilloj ata që të kishin kujdes në të ardhmen. Ata e falenderuan Hilmiun dhe u larguan, duke e kuptuar nëntekstin e këshillës së Hilmiut, e cila donte të thoshte se “nga lart kishte ardhur urdhri për t’i goditur, prandaj ata duhet të merrnin masa që të ruheshin”. Kjo gjë ndodhi në atë kohë, që Enver Hoxha ishte në pritje të propozimeve për arrestimet e klerikëve të tjerë. Mbas disa kohësh, duke e parë se Hilmi Seiti nuk po dërgonte në Ministri propozimet për arrestime, krejt pa pritur, Kadri Hazbiu dërgoi në Shkodër një ekip kontrolli, i cili kryesohej nga kolonel Halim Xhelo dhe bashkë me të, ishte dhe një kolonel sovjetik, i quajtur Dimitriev, që shërbente si këshilltar pranë Drejtorisë së Brendshme për Sigurimin e Shtetit. Ata me të mbërritur në Drejtorinë e Brendshme në Shkodër, morën takim me Hilmi Seitin, ku më thirrën dhe mua. Gjatë atij takimi, Halim Xheloja filloi t’i kërkonte llogari Hilmiut, që pse kishte neglizhuar dhe nuk i kishte bërë propozimet për arrestimet e klerikëve, sipas urdhrit që kishte marrë nga ministri?! Hilmiu në fillim i foli i qetë duke i’a argumentuar se: nuk kishte prova ligjore për arrestimin e tyre, por pa i thënë gjë për mua. Por pas kësaj, Halim Xhelo nisi t’i fliste me arrogancë dhe t’i kërkonte llogari në një mënyrë të atillë, e cila bëri që situata të acarohej shumë dhe Hilmiu i përgjigj me të njëjtin ton duke i thënë: ‘Këtu në Shkodër jam vetë ministër i Brendshëm dhe nuk varem nga ty’. Duke e parë situatën e krijuar, ndërhyra dhe unë duke i’a argumentuar se: në ato dosje nuk kishte implikime të klerikëve dhe nuk kishte pse të bëheshin propozime për arrestime të tjera. Pas kësaj, këshilltari sovjetik Dimitriev, bëri sikur u bind dhe me kaq u ndërpre polemika dhe mbledhja u mbyll e ata u kthyen në Tiranë”.
Hakmarrja ndaj Pandeliut e gjeneral-major Hilmi Seitit
Po ç’ndodhi më pas me Pandeliun dhe Drejtorin e Drejtorisë së Punëve të Brendshme, të qarkut të Shkodrës, gjeneral-major Hilmi Seitin, pasi ata refuzuan urdhrin për goditjen ndaj Klerit Katolik dhe nuk bënë propozime për të arrestuar klerikë të tjerë? Lidhur me këtë, Pandeliu dëshmonte: “Kur u ktheva në Tiranë dhe fillova punë, më thirri shefi im, Halim Xhelo dhe më tha: ‘Pse të dërguam ty në Shkodër, që të mbroje Hilmi Seitin’?! Unë i’u përgjigja duke i thënë se nuk kisha mbrojtur Hilmiun, por vetëm të vërtetën. Pas disa ditësh më thirri Drejtori i Kuadrit i Ministrisë së Brendshme, gjeneral-major Halil Pulo dhe më komunikoi transferimin për në Gjirokastër, duke më thënë se “aty kishte nevojë partia, sepse duhej forcuar baza”. Jashtë dëshirës, unë u detyrova dhe shkova në Gjirokastër, por kur shkova atje, një koleg i imi, në kofidencë më tregoi se në karakteristikën, që më kishte bërë Halim Xheloja, thuhej se unë isha “person i dyshimtë dhe armik i Partisë”! Pas pak kohësh kur isha me shërbim në Vlorë, sipas urdhrit të Enver Hoxhës, karakteristikat e kuadrove u lexuan në sy të tyre dhe duke shfrytëzuar këtë, unë i kërkova Sulejman Manokut dhe Harrilla Konomit që t’ma lexonin karakteristikën time. Në fillim ata hezituan, por pas insistimit tim, ata më lexuan dhe aty ishin shkruar ato që më kishte thënë shoku im. Unë u tmerrova nga ato që ishin shkruar dhe menjëherë i bëra një letër Kadri Hazbiut, i cili më thirri në Tiranë, ku kishte mbledhur gjithë Kolegjiumin e Ministrisë dhe ku mungonte vetëm Halim Xheloja. Në prezencë të tyre, Kadriu më tha: ‘Pandeli, ke të drejtë që je shqetësuar nga ajo karakteristikë që të ka bërë Halimi, por ne do ta grisim atë dhe ti shko e puno pa merak në punën tënde’. Pas kësaj, unë u nisa për në Vlorë dhe pas disa kohësh, mësova se Hilmi Seitin e kishin thërritur në Ministrinë e Brendshme në një mbledhje ku kishin marrë pjesë tre personat kryesorë që vinin pas Enver Hoxhës. Pas dy ditësh Halimin e thirrën në mbledhjen e Byrosë së Komitetit të Partisë në Shkodër, ku atë e akuzuan rëndë se: “kishte zbutur luftën e klasave dhe se ishte pajtuar me armiqtë e Partisë dhe Pushtetit Popullor”. Atë ditë, më 26 prill të vitit 1960-të, para se të jepej lajmi se “kishte vdekur papritur gjeneral-major Hilmi Seiti, nga një hemorragji cerebrale”, bashkëshortja e tij, e cila në atë kohë ishte në Tiranë, u nis për në Shkodër dhe e gjeti Hilmiun akoma me shpirt, të shtruar në spital, por pa gojë. Hilmiu me shenja i tha së shoqes se një oficer me spaleta, i kishte marrë revolen dhe e kishte detyruar të pinte një aspirinë”, përfundonte rrëfimin e tij Pandeli Përmeti, duke shtuar se nga ajo gjë, nxirret konkluzioni se Hilmi Seiti u helmua me urdhër të Enver Hoxhës.
Plani për rrëzimin e Enver Hoxhës
Një nga problemet më kryesore që Pandeli Përmeti denoncoi tek Enver Hoxha në vitin 1967, me anë të letrës së gjatë prej 36 faqesh, është ai bombës në Ambasadën Sovjetike në Tiranë. Lidhur me situatën në të cilën ndodhej Shqipëria në atë kohë dhe arsyet pse e detyruan Enver Hoxhën të pajtohej me inskenimin e incidentit në Ambasadën Sovjetike, Pandeliu dëshmonte: “Aty nga viti 1948-‘49, duke shfrytëzuar situatën e turbullt në të cilën ndodhej Shqipëria, gjë e cila kishte ardhur si rezultat i pakënaqësive të shumta që ishin akumuluar në popull nga reformat tepër shtrënguese dhe politika e tejskajshme e luftës së klasave që po ndiqte Enver Hoxha e qeveria e tij, duke shfrytëzuar gjithashtu edhe prishjen e marrëdhënieve me Jugosllavinë, shërbimet sekrete të anglo-amerikanëve në bashkëpunim edhe me disa vende të tjera perëndimore, filluan hartimin e një plani që synonte rrëzimin e Enver Hoxhës, me anë të një kryengritje të armatosur nga brenda vendit. Për realizimin e këtij plani, ata krijuan dhe mbështetën Komitetin “Shqipëria e Lirë” që udhëhiqej nga eksponentë të njohur antikomunistë që ishin larguar nga Shqipëria në vitin 1944. Rreth këtij komiteti, u bashkuan kryesisht eksponentët e mërgatës politike antikomuniste shqiptare që ishin jashtë vendit dhe ata filluan të hynin në lidhje me njerëzit e tyre që kishin në Shqipëri. Pas kësaj në Shqipëri u hodhën disa grupe diversantësh nga toka, ajri dhe deti, të cilët kishin si misionin përgatitjen e terrenit për fillimin e kryengritjes”./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016