Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të muzikantit të njohur, Gëzim Laro, që nga periudha e fëmijërisë ku ai frekuentonte rrethet e muzikës në Shtëpinë e Pionierit në qytetin e Vlorës, ku përveç drejtuesit të muzikës, Thoma Çaçi, atë e ndihmuan edhe dy mjeshtrat e njohur, Kostandin Thana dhe Reshat Osmani, ardhja në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë ku morri mësimet e para nga maestro, Mateo Guralumi dhe Ymer Skënderi, si dhe zyshës me origjinë çeke, Ludmilla Skënderi, e cila për 9 vite me radhë ishte profesoresha e tij në instrumentin e violinçelit. Dëshmitë e muzikantit të njohur, Artist i Merituar”, për karrierën e tij artistike, nga orkestra e Teatrit të Operas dhe Baletit, ajo simfonik e Radio-Televizionit Shqiptar, etj., në përbërje të së cilave ai dha me dhjetra koncerte brenda dhe jashtë vendit, duke kulmuar ato të vitit 1986-të në Vienë të Austrisë, ku së bashku me kolegun e tij, profesor, Ibrahim Madhi, dha një sërë koncertesh, për të cilat shkroi me superlative edhe shtypi austriak. Si vazhdoi dhe u trashëgua muzika në familjen Laro, ku përveç Kujtimit, njërit prej kompozitorëve me të njohur të muzikës së filmave shqiptarë, atë e vazhduan edhe dy fëmijët e Gëzimit, djali Iliri, i diplomuar në Konservatorin “Cesare Pollini”, të Padovas në Itali, në vitet 1993-‘97, dhe vajza, Dorina, e diplomuar shkëlqyeshëm në Akademinë e Arteve në Tiranë, për violinçel.
“Pasi fitova konkursin fillova mësimet në Liceun Artistik “Jordan Misja” të Tiranës ku më caktuan për violinçel dhe isha nxënës i profesoreshës të talentuar nga Çekosllovakia, Ludmilla Ymeri, e cila kishte ardhur në Shqipëri në vitin 1956 pasi kishte mbaruar shkëlqyeshëm Akademinë e Arteve të Bukura të Pragës. Me profesoresh Ludmillën, unë punova për gati 9 vite që nga periudha e liceut e deri në ditën që u diplomova në Konservatorin e Tiranës si violinçelist. Ludmilla ishte një njeri dhe pedagoge me një përgatitje profesionale të lartë. Ajo kishte kulturë të madhe dhe ishte shumë e kompletuar artistikisht dhe punonte me një këmbëngulje dhe durim të jashtëzakonshëm. Të gjithë formimin tim si instrumentist dhe gjithçka që kam arritur në fushën e muzikës gjatë karrierës sime të gjatë afro 45 vjeçare padyshim që ja dedikoj edhe pedagoges sime Ludmillës”. Kështu i kujtonte fillimet e rrugës së tij në fushën e muzikës, “Artisti i Merituar”, profesor, Gëzim Laro, koncert-maestër e një nga mjeshtrat e mëdhenj të muzikës simfonike shqiptare në instrumentin e violinçelit, I cili për herë të parë na rrëfente të gjithë historinë e karrierës së gjatë si muzikant, që nga fillimet e saj në Shtëpinë e Pionierit në Vlorë, koncertet në Austri së bashku me kolegun e tij, profesor Ibrahim Madhin, e deri tek puna si pedagog dhe shef i Katedrës së Instrumentëve në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, ku janë diplomuar në periudha kohe të ndryshme edhe bashkëshortja e tij, Dija, djali Iliri, vajza Dorina, si dhe i vëllai Kujtim Laro, një nga kompozitorët më të njohur, sidomos për kolonat zanore të filmave shqiptarë.
Në Shtëpinë e Pionierit në Vlorë
I lindur në qytetin e Vlorës në maj të 1947-të, pasi familja e tij kishte banuar në lagjen “Manalat” të qytetit të gurtë të Gjirokastrës, prej nga është dhe origjina e fisit Laro, Gëzimi në moshë të vogël filloi mësimet në qytetin e Vlorës. Ndonëse babai i tij kishte punuar si shofer e nuk kishte pasur ndonjë lidhje me muzikën, ai u kujdes që djali i tij, Gëzimi të futej në rrethet e muzikën në Shtëpinë e Pionierit të qytetit bregdetar. Lidhur me këtë, Gëzimi kujtonte: “Është e vërtetë se asnjë nga trungu i familjes sime nuk ka pasur lidhje dhe nuk është marrë me muzikë, por ai devijim që ndodhi më vonë me ne, e ka një lidhje jo shumë të largët, pasi babai im ka kënduar në rininë e tij. Në Vlorë, nxitja e parë për t’u marrë me muzikë më erdhi nga Thoma Çaçi, që ishte drejtor i Shtëpisë së Pionierit që atij qyteti. Përveç Thomait, deri aty nga viti 1952, u kujdesën shumë për mua dhe më afruan në rrethet e muzikës, Reshat Osmani dhe Themistokli Mone, dy mjeshtrat e njohur të këngës popullore qytetare vlonjate”, kujtonte Gëzimi për kontaktet e tij të para me muzikën dhe dy mësuesit e tij vlonjat, që ndonëse kishin kaluar rreth 70 vite nga ajo kohë, ai i kujtonte me respekt të madh.
Nxënës i pedagoges çeke
Pasi mbaroi shkollën fillore në Vlorë ku Gëzimi ishte aktivizuar rregullisht me rrethet e muzikës në Shtëpinë e Pionierit, më pas ai vjen në Tiranë dhe pas një konkursi fiton të drejtën për të vazhduar Liceun Artistik “Jordan Misja”. Lidhur me këtë ai kujtonte: “Që kur fillova mësimet në klasën e pestë në Liceun Artistik të Tiranës, më caktuan në instrumentin e violinçelit dhe pedagogu im i parë ishte Mateo Guralumi. Pas dy vitesh më kaluan me Ymer Skënderin, një nga pedagogët e mjeshtrat e mëdhenj të violinës (babai i violinists Klodiana Skënderi). Pasi punova për disa kohë me profesor Ymerin, mua më kaluan si nxënës pranë pedagoges së talentuar çekosllovake, Ludmilla Ymeri, e cila kishte ardhur në Shqipëri në vitin 1956, pasi kishte mbaruar Akademinë e Arteve të Bukura të Pragës. Ajo u martua me studentin shqiptar, Ymer Skënderi dhe erdhi në Shqipëri në 1956-ën, ku punoi si pedagoge e violinçelit në Lice dhe Konservatorin e Muzikës, deri në vitin 1968. Nën kujdesin e profesoreshë Ludmillës, unë studjova për 9 vite që nga periudha e Liceut e deri në ditën që u diplomova në Konservatorin e Tiranës, si violinçelist. Ludmilla ishte një njeri dhe pedagoge me një përgatitje profesionale të lartë. Ajo kishte kulturë të madhe dhe ishte shumë e kompletuar artistikisht dhe punonte me një këmbëngulje dhe durim të jashtëzakonshëm. Unë përfitova shumë nga profesoreshë Ludmilla, sepse ajo i kishte kërkesat e larta, ishte shumë e saktë dhe tepër ekzigjente. Ajo na jepte mësim mua dhe Muharrem Denizit dhe gjatë gjithë kohës që ne luanim në violinçel, ajo na shoqëronte duke kënduar. Po kështu Ludmilla ndihmoi shumë dhe bashkëshorten time, Die Kraja (Laro) gjatë kohës që ajo shoqëronte studentët violinçelistë në Lice dhe Konservator. Në vitin 1968-të, Ludmilla mundi të riatdhesohej duke u kthyer në vendlindjen e saj në Pragë. Të gjithë formimin tim si instrumentist dhe gjithçka që kam arritur në fushën e muzikës, padyshim i’a dedikoj edhe pedagoges time, Ludmillës”, shprehej maestro Gëzimi, duke kujtuar të gjithë pedagogët e tij të parë, dhe në veçanti, Ludmillën, e cila për 9 vite i mësoi violinçelin deri në perfeksion. Gjatë periudhës së Liceut duke qenë një nxënës i talentuar dhe instrumentist i violinçelit, Gëzimi dha disa koncerte në shkollë dhe në disa skena të tjera të Tiranës (si solist dhe në formacionin e trios me muzikë dhome) së bashku me Ibrahim Madhin dhe Robert Radojën.
Student dhe pedagog në Konservator
Pas mbarimit të Liceut Artistik “Jordan Misja” në vitin 1961, Gëzimi u emërua si violinçelist i orkestrës simfonike, pranë Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë, ku dhe dha koncertin e tij të pare, me pjesën “Fantazi për violinçel dhe orkestër”, të Ymer Skënderit, me dirigjent Mustafa Krantjen. Pas një viti, në 1962-in, me hapjen e Konservatorit të Lartë të Arteve në Tiranë, ai fitoi konkursin dhe filloi studimet së bashku me Ibrahim Madhin, Robert Radojën, Limoz Dizdarin, Feim Ibrahimin, Margarita Kristidhin, Mira Gjonin, Ferdinand Dedën, Eno Koçon, etj. Këta ishin studentët e parë të muzikës që u ulën në bangat e të parës shkollë të lartë që u hap në Tiranë. Pasi mbaroi studimet e larta dhe u diplomua për violinçel, Gëzimi u emërua përsëri në TKOB, ku punoi për 23 vite, duke qenë violinçelist i parë i asaj orkestre që nga viti 1966-të. Në vitin 1974, Gëzimi u emërua koncert-maestër që në atë orkestër jepej për herë të parë. Pas 23 viteve si violinçelist në TKOB-it, Gëzimi u emërua në Institutin e Lartë të Arteve, si shef i katedrës për të gjitha instrumentat (harqe, piano, frymoret, dhe muzikën e dhomës).
Në vitin 1986 koncerte në Austri
Në vitin 1986-të, për herë të parë shteti shqiptar vendosi që të dërgonte dy instrumentistë për të dhënë koncerte në Austri. Kjo gjë që për atë kohë konsiderohej si eveniment i rrallë, i takoi Gëzim Laros dhe kolegut të tij Ibrahim Madhi. Ky event u bë pas një ftesë që iu ishte bërë nga landi i Steiermark në bashkëpunim me Shoqatën e Miqësisë Shqipëri-Austri dhe pas kësaj Laro dhe kolegu i tij Madhi, dhanë disa koncerte në qytetet Bruck, Graz, etj. Ata ekzekutuan vepra të artistëve shqiptarë si Pjetër Gaci, Ymer Skënderi, Limoz Dizadri, si dhe të kompozitorëve të shquar nga bota, si: Beethoven, Brahms, Paganini, Sensan. Në të gjitha koncertet të dy instrumentistët e njohur shqiptarë u shoqëruan nga profesori i Akademisë së Grazit Ëalter Neumann. Ata morrën duartrokitjet e zjarra të publikut vëndas, duke u detyruar që të luanin edhe pjesë jashtë programit të tyre. Këtyre koncerteve iu bë një jehonë e madhe në shtypin vëndas. Gazeta Kleine Zeitung midis të tjerash shkruante: “Njiheshim pak me zhvillimin e lartë që ka arritur arti dhe kultura në Shqipëri, gjë që u duk dhe në hapat e para në sektorin tradicional të muzikës ku mbizotërojnë instrumentet e harqeve. Me këtë nivel u njohëm dhe gjatë koncerteve të dhënë nga instrumentistët e talentuar Gëzim Laro dhe Ibrahim Madhi. Në sallën e Konservatorit ata prezantuan para publikut një koncert me muzikë dhome me kryeveprat e Beethovenit, Mozarti etj., gjë që tregonte se në Tiranë muzika më e mirë botërore, luhet dhe interpretohet në nivel të lartë”. Kurse gazeta “Neue Zeit” shkruante “Dy muzikantë të shquar nga Shqipëria, Ibrahim Madhi dhe Gëzim Laro, pas disa koncertesh të suksesshme në Austri dhanë një mbrëmje muzikore që me të drejtë justifikuan mbushjen e sallës me personalitete të shquara”.
Krijimtaria muzikore
Pas afro 40 vite të jetës së tija artistike si instrumentist, Gëzim Laro ka interpretuar me dhjetra koncerte në qytete të ndryshme të vendit, si dhe në shumë vende të botës, me orkestrën e TKOB-it si dhe me atë të Radio Televizionit Shqiptar. Në ato koncerte, veçohen ai i Saint-Saëns me orkestrën simfonike të RTSH-së në vitin 1973, me dirigjent Ferdinand Dedën dhe në vitin 1979, me orkestrën e TKOB-it, koncertin e Dvorzhakut që konsiderohet si një ndër koncertet më të mëdha të literaturës së violinçelit. Po kështu Gëzimi ka luajtur dhe në Tiranë, Korçë dhe Durrës, “Fantazinë” e Aleksandër Peçit. Pas këtyre aktiviteteve ku ka marrë pjesë si solist, ai ka dhënë shumë koncerte me trion instrumentale: Ibrahim Madhin (violinë) dhe Anita Tartarin (piano). Gjatë periudhës së krijimtarisë së tij artistike, Gëzimi ka pasur fatin që të luajë përkrah artistëve të famshëm si Kristaq Antoniu, Marie Kraja, Gjyzepina Kosturi, Mentor Xhemali, Avni Mula, Nina Mula, Gaqo Çako, Ramiz Kovaçi, Lluk Kaçaj, etj., duke laujtur 42 shfaqje operistike premierë. Po kështu ai ka shoqëruar me instrumentin e tij në veprat koreografike, balerinët e njohur, Zoica Haxho, Agron Aliaj, Miltiadh Papa, Ganimet Vëndresha, M. Erebara, A. Janku etj. Duke qënë violinçelisti i parë i TKOB-it, atij iu akordua titulli i lartë “Artist i Merituar”, pasi më parë në vitin 1979-të, i ishte dhënë dhe medalja “Naim Frashëri”. Pas këtij tituli, në 1996-ën, së bashku me dy muzikantët e shquar Tish Daija dhe Rifat Teqja, Gëzim Laros iu dha edhe titulli Profesor që më parë e gëzonin vetëm Çesk Zadeja, Kozam Lara, Gjon Simoni e Anita Tartari. Për Gëzimin, shprehen me respekt të madh edhe kolegët e tij. Kështu kompozitori i madh Limoz Dizdari, thekson: “Tipari dallues i Gëzimit është kantilena e interpretimit të ngrohtë dhe eksrpesive vibrato funksionale. Tingulli i tij i ngrohtë është depërtues dhe ka organizim llogjik të frazës muzikore dhe lojës me intonacion shumë të pastër”.
Pesë muzikantë nga familja Laro
Gëzimi nuk është i vetmi muzikant nga familja Laro. Profesionin e tij e ka dhe i vëllai Kujtimi, që është disa vjet më i vogël se ai. “Artisti i Merituar” Kujtim Laro, është një nga kompozitorët më të shquar që njihet në muzikën simfonike vokale-instrumentale dhe që njihet gjerësisht për kompozimin e kolonave zanore të disa nga filmave më të spikatur shqiptarë, si “Udha e Shkronjave”, “Liri a Vdekje”, “Lulëkuqet mbi mure”, “Në Fillim të Verës”, etj. Gjithashtu një tjetër muzikante në familjen Laro, është dhe bashkëshortja e tij, Dija Kraja (Laro) koncert-maestro e njohur, e cila ka mbaruar Konservatorin e Tiranës për piano dhe ka punuar si pedagoge nga viti 1961 deri kur doli në pension në vitin 2000. Gëzimi dhe Dija ua kanë trashëguar profesionin e tyre, dy fëmijëve, Ilirit dhe Dorinës. Iliri, është diplomuar në Konservatorin “Cesare Pollini”, të Padovas në Itali, në vitet 1993-‘97, për muzikë dhe dirigjim koral. Ndërsa vajza Dorina, është diplomuar shkëlqyeshëm në Akademinë e Arteve në Tiranë, për violinçel. Ajo vazhdoi të japë mësim po në këtë Akademi, duke e çuar më tej traditën familjare, ku kanë lënë gjurmë të pashlyera, dy prindërit e saj, si dhe xhaxhai, Kujtimi./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016