Nga DASHNOR KALOÇI
Pjesa e tretë
Memorie.al / Kur nuk kishte kaluar as një javë nga data 2 korrik e vitit 1990, ku me mijëra shtetas shqiptarë kapërcyen kangjellat e muret e ambasadave të huaja në Tiranë dhe u futën brenda ambienteve të tyre me qëllim për t’u larguar nga Shqipëria, udhëheqja e lartë e PPSH-së me në krye sekretarin e parë Ramiz Alia, mbajti plenumin e 11-të të Komitetit Qendror, i cili zhvilloi punimet në datat 6 dhe 7 korrik. Pas këtij plenumi, Komiteti Qendror i PPSh-së, u dërgoi një Letër të hapur të gjithë komiteteve të partisë së rretheve dhe organizatave bazë të të gjitha institucioneve dhe dikastereve të ndryshme, ku si pikë kryesore ishte situata e vështirë në të cilën ndodhej vendi pas ngjarjes së ambasadave, si dhe ajo në kufijtë shtetërore me Greqinë dhe Jugosllavinë, ku kishin filluar arratisjet e shtesave të ndryshëm, gjë e cila e konsiderohej si mjaft alarmante.
Kjo Letër e hapur, pasi analizua dhe u punua në të gjitha organizatat bazë dhe komitetet e partisë së rretheve, të cilat sipas orientimeve të ardhura nga grupi i instruktorëve pranë Komitetit Qendror, informonte çdo javë udhëheqjen e lartë të PPSh-së, me gjithçka ndodhte në rrethet e tyre, duke filluar nga gjendje ekonomike dhe realizimet e planeve, e deri të situata politike, ku kryesisht vendin kryesor e zinin ato të problemeve fetare, fletushkat e parullat e hedhura kundër qeverisë dhe regjimit komunist, e deri te arratisjet nga vendi.
Në raport -informacionet e hartuara nga komitetet e partisë së rretheve, që i dërgoheshin Komitetit Qendror, (vazhduan deri kur u mbajt Plenumi i 12 në nëntor), në krye të faqes së parë kanë shënimet: Shokut Ramiz, shokut Foto, shokut Xhelil Gjoni, shokut Abdyl Backa, etj., të cilët në pjesën më të madhe të tyre kanë vënë dhe shënimet përkatëse. Lidhur me këtë etj, na njohin dokumentet në fjalë që janë nxjerrë nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë, (Fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), të cilat publikohen për herë të parë (me faksimilet përkatëse) në disa numra, nga Memorie.al
DOKUMENTI ARKIVOR ME RAPORT- INFORMACIONIN E SEKRETARIT TË PARË TË KOMITETIT TË PARTISË SË RRETHIT SARANDË, SYRJA DOSTI, DËRGUAR KOMITETIT QENDROR TË PPSH DHE PERSONALISHT RAMIZ ALISË, FOTO ÇAMIT DHE ABDYL BACKËS
NJOFTIM Nr. 10
MBI DISA PROBLEME QË KANË DALË NGA DISKUTIMI I LETRËS SË KOMITETIT QENDROR TË PARTISË
Deri tani Letra e Komitetit Qendror të Partisë është diskutuar në të gjitha organizatat e Partisë. Aktualisht vazhdohet me mbledhjet e hapura. Diku ka filluar edhe diskutimi në kolektiva punonjësish. Kudo ajo, vlerësohet si një dokument me rëndësi e afat të gjatë për fatet e Partisë e të Atdheut, për rritjen e guximit e frymës militante të komunistëve. E veçanta qëndron se, në këtë diskutim kanë marrë pjesë mbi 70 për qind e komunistëve, janë bërë kritika më direkte. Është tronditur më mirë ndërgjegjja e tyre, përgjegjësia është kërkuar përgjithësisht tek vetja, është shoqëruar me aksione, zgjidhje problemesh, etj. Për disa komunistë që nuk ecin me kohën, apo u janë arratisur fëmijët e tyre, po mbahet qëndrim, deri në largim nga Partia.
Ndër problemet që mendojmë se tërheqin vëmendjen për informim janë:
- Kohët e fundit, radio stacionet greke e kanë intensifikuar propagandën antishqiptare. Radio-Janina çdo të premte jep një orë emision me autoritetet e Silogëve- Vorio-epiriote dhe të arratisurit. Në to propagandojnë “ndihmën e madhe” që u japin të arratisurve, dhrami, punë dhe strehim, në disa raste këto të shoqëruara edhe me pamje filmi. Thuhet veçanërisht nga Sebastianos, se do të vazhdojnë luftën për mbrojtjen e të drejtave të minoritetit grek, se është vepruar gabim për heqjen e ligjit të luftës, ndërsa Micotaqisi i përshëndet, uron e premton mbështetjen mbi luftën që bëhet për respektimin e të drejtave të minoritetit në Shqipëri. Duke i parë të gjitha këto edhe si thirrje, veç kundër-propagandës të organizuar nga Partia në rreth, ngrihet si problem pothuaj kudo nevoja e një përgjigje zyrtare në shtypin qendror.
- Tendenca për kalim kufiri vazhdon të jetë në rritje edhe për këto shkaqe:
Me gjithë punën e bërë e cila ende nuk i përgjigjet kërkesave që shtron Letra e Komitetit Qendror të Partisë, pretekst për kalim kufiri bëhet niveli ekonomik, i krahasuar ky me atë grek. Mjaft persona, diku hapur e diku në mënyrë të fshehtë, shprehin se; “me 10 lekë paradhënie nuk rrohet”, “me 3 muaj punë në Greqi, siguron të ardhura më shumë se gjatë një viti tek ne”. I ballafaqojmë këto “argumente” me të ardhurat e të arratisurve kohët e fundit, me plaçkat që vijnë në fshatrat e tyre, bisedat telefonike dhe premtimet që u japin njerëzit e tyre atje, mungesat në tregun tonë etj.
Shkak po bëhen edhe vonesat për dhënie vize nga ambasada greke në Tiranë, ku për rrjedhojë personat e pajisur me pasaporta kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme, si dhe për hapjen e lajmit për mos përdorimin e armës në kufi. Në këtë vështrim po rishikohet tërë puna e Partisë për ruajtjen e kufirit në thellësi e kufi. Është për të vënë në dukje se mbi këto probleme autoriteti i disa komunistëve e familjeve ndaj njerëzve të tyre, siç doli edhe në këto mbledhje është dobësuar, nuk dëgjohen edhe nga fëmijët e tyre, duke u thënë se “ju na keni lënë mbrapa”, “nuk mund të rrojmë si keni rrojtur ju, prandaj ikim”!
Tërheq vëmendjen fakti se nga disa pjesëtarë të familjeve, të afërt e bashkëfshatar ushtrohet presion në organet e rrethit për të mos dënuar ata që kapen në kufi. Shqetësimi i tyre shprehet, në se kalon kufirin apo vritet, jo sepse ndërmori një veprim të tillë, shqetësim ky që qetëson secilin pas lajmit të Radio -Athinës. Vëmë në dukje se disa organizata Partie të qytetit Delvinë, Sarandë, Vergo e Bregdet, qëndrimet e kujdesshme ndaj tyre i ngrenë si lëshime, privilegje etj., të cilat po i sqarojmë me kujdes.
- Vazhdon të ngrihet me shqetësim shpejtimi i përmirësimit të rregulloreve deri dhe kodin e punës, për ata që largohen me pasaportë jashtë shtetit dhe u ruhet vendi i punës, që rendin për javë të tëra në kërkim të vizave etj. Mbi këto probleme kemi organizuar punën për sqarime më të plota e zgjidhje, kemi përgjithësuar në proces anët pozitive e negative të diskutimit, ndërsa konkluzionet përfundimtare do t’i diskutojmë në plenumin e komitetit të Partisë gjatë 10 ditëve të para të muajit shtator.
SEKRETARI I PARË I KOMITETIT TË PARTISË TË RRETHIT
Syrja Dosti
Sarandë, më 30.8.1990
Marrë me Teleks
Alush Çekrezi
DOKUMENTI ARKIVOR ME RAPORT- INFORMACIONIN E SEKRETARIT TË PARË TË KOMITETIT TË PARTISË SË RRETHIT SARANDË, SYRJA DOSTI, DËRGUAR KOMITETIT QENDROR TË PPSH
INFORMACION NR.16
MBI PUNËN E BËRË DHE PROBLEMET QË DALIN NË ZBATIM TË DETYRAVE QË SHTROI PLENUMI I 12-të I KOMITETIT QENDROR TË PPSH
Komunistët dhe punonjësit e rrethit të Sarandës e kanë vlerësuar fjalën e shokut Ramiz Alia në Plenumin e 12-të të Komitetit Qendror, si një dokument historik për fatet e Shqipërisë. Opinioni i shëndoshë shpreh bindje të plotë me fjalë e veprime për ecjen në këtë rrugë. Por nuk mungojnë edhe të lëkundurit e konservatorët, të cilët me zë të ulët dhe nën zë, e konsiderojnë atë si largim nga vija e Partisë, ose si rrjedhim i presionit të jashtëm. Nisur nga kjo, kemi marrë një sërë masash për sqarimin dhe bindjen e njerëzve. Diskutimet e bëra deri tani në plenum dhe në 1/3 e organizatave të Partisë, tregojnë se puna e Partisë për kuptimin drejtë të demokracisë nuk ka munguar, por kemi shumë për të bërë, pa përjashtuar edhe rastet kur është vepruar jo drejtë.
Po bëjmë kujdes për ta bërë punën bindëse me durim e me maturi; që t’i shërbejë forcimit të unitetit. Disa nga pyetjet që janë bërë janë: Kush do t’i ndërtojë kishat? A do të ndihmojnë të huajt për investime? Ku do të gjendet kuadri fetar etj. Ose parullat: “Partia i prishi, ajo t’i ndreqi”, “duhet të diktonte Samaras, pa të rivendoseshin kishat” etj. Sqarime konkrete me njerëzit po bëjmë edhe për të përballuar propagandën që bëhet kundër vendit tonë nga shteti fqinj. Kohët e fundit televizioni grek ka filluar të transmetojë disa emisione për Shqipërinë, që në thelb shprehin gjendje dramatike për vendin tonë. Thonë se: “Qeveria shqiptare ndryshe flet e ndryshe vepron. Në Shqipëri s’ka ndryshuar asgjë. Ajo që ka ndryshuar është se njerëzit flasin shumë, shprehin pakënaqësi” etj.
Emisionet janë shoqëruar me pamje të zymta, duke i lidhur këto me qëndrimin e shokut Enver, i cili, siç thonë ata, “E futi Shqipërinë në armiqësi me gjithë botën e jashtme: me Jugosllavinë, sovjetikët, Kinën, amerikanët e vendet e tjera të Evropës”. Thuhet se: “Koncepti pavarësi, i ka kushtuar shumë shtrenjtë vendit. Minoriteti grek është i barabartë me shqiptarët vetëm në fukarallëk e në mizerje. Kishat janë kthyer në depo plehrash etj. Vetëm shpirti i kombit grek është i gjallë e mbijeton. Për këtë, meritë ka televizioni grek, i cili ka kapërcyer çdo mur të ngritur”. Ditët e fundit, kryeministri Konstadnin Micotaqis, duke folur për marrëdhëniet e Greqisë me vendet e Lindjes, deklaroi se: “Shqipëria kohët e fundit po futet në ekonominë e tregut, prandaj qeveria greke vendosi që kapitali privat grek të bëjë investime në Shqipëri, e veçanërisht në jug”, deklaratë kjo që nga mjaftë njerëz u kuptua si investim që do të bëhej për ngritjen e kishave. Për këtë u bënë sqarimet përkatëse.
Ditët e fundit u importua një linjë vaji me teknologji të kohës e me rendiment e rrezë të lartë vaji që do të çojë në uljen e kostos. Kjo linjë do shlyhet me vaj, duke rritur çmimin e shitjes me 500 dollarë për ton. Këto ditë po punohet për futjen në qilimat e sixhadet me material porositësi, gjë që do të zejë me punë 300 punëtorë dhe do të rrisë rendimentin. Në bujqësi, krahas eksperimentimit me sukses të kultivimit të bostanit me teknologji bashkëkohore, ku u mor 800 kv/ha e u rritë 4 herë të ardhurat për çdo hektarë, po futemi me këtë teknologji edhe në 150 ha misër e 30-40 ha patate, për të marrë respektivisht 150 dhe 500 kv/ha prodhime. Me punën e bërë deri tani, në shkallë rrethi eksportojmë mallra me një vlerë prej 1 milionë dollarë dhe kemi futur teknologji 700 mijë dollarë, për ç’ka vumë në dukje më sipër. Për vitin 1991 po punohet që të kalohet në operacione afariste nga vetë ndërmarrjet, duke përdorur përvojën e dhomës së tregtisë./
SEKRETARI I PARË I KP TË RRETHIT SARANDË
Syrja Dosti
Tiranë, më 17.11.1990
Marrë me teleks, me disa shkurtime
Alush Çekrezi
DOKUMENTI ARKIVOR ME RAPORT- INFORMACIONIN E SEKRETARIT TË PARË TË KOMITETIT TË PARTISË SË RRETHIT SARANDË, SYRJA DOSTI, DËRGUAR XHELIL GJONIT NË KOMITETIN QENDROR TË PPSH
PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË Sekret
KOMITETI PARTISË RRETHIT Ekz.Nr. 2
S A R A N D Ë Sarandë, më 15.9.1990
Nr. 440 Prot.
KOMITETIT QENDROR TË PPSH
SHOKUT XHELIL GJONI
TIRANË
N J O F T I M
MBI DISA KONKLUZIONE QË DALIN NGA PUNIMI I LETRËS TË KQ TË PARTISË NË ORGANIZATAT BAZË TË PARTISË E MASAT PUNONJËSE
Në datën 12 shtator 1990, Plenumi i zgjeruar i Komitetit të Partisë së rrethit diskutoi “Mbi disa konkluzione që dalin nga punimi i Letrës së KQ të Partisë në organizatat-bazë e masat punonjëse”. Në raport e diskutime u theksua se kudo ajo u vlerësua si një dokumentar i gjatë dhe i rëndësishëm për ndërgjegjësimin dhe përgjegjësimin e mëtejshëm të komunistëve, kuadrove e punonjësve. Qëndrime më të vendosura u shprehën kur u diskutua nota e Ministrisë të Punëve të Jashtme, për thirrjet shoviniste të qarqeve reaksionare e zyrtarëve të lartë grek ndaj vendit tonë, të cilat kanë për qëllim copëtimin e Shqipërisë, heqjen e saj nga harta gjeografike. Diskutimi u shoqërua me mobilizim më të madh, për realizimin e planit e kapërcimin e vështirësive të krijuara nga thatësira.
Si 8-mujor prodhimi i përgjithshëm industrial u tejkalua me 12 milionë lekë ose 15 milionë lekë më tepër, se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, u tejkaluan detyrat në qarkullimin e mallrave, shërbimet në popull etj. Në sektorin e bujqësisë tejkalimi i prodhimit të grurit me 15.000 kv, u shoqërua me realizimin e planeve në qumësht, perime, mish e vezë. Megjithkëto diskutimi i Letrës së Komitetit Qendror të Partisë dhe vetë jeta e përditshme evidenton të meta e mangësi ndaj të cilave siç u theksua në Plenum, kërkohet angazhim më i madh, duke filluar nga forumet e Partisë, organizatat-bazë, organet e pushtetit, të ekonomisë dhe organizatat e masave në rreth e në bazë. Disa nga çështjet më kryesore që u theksuan gjatë këtij diskutimi janë:
- Rritja e militantizmit komunist, veprimi i shpejtë, lufta ndaj indiferentizmit dhe pasivitetit ende përbën nga çështjet më të mëdha për veprimtarinë e organizatave të Partisë.
Për periudhën janar – gusht, kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme 80 veta dhe janë kapur nga forcat e kufirit 64 veta. 95 për qind e tyre janë të moshës 16-30 vjeç, ndërsa 80 për qind janë nga familje me përbërje të mirë politike. Një pjesë e mirë kanë qenë me punë në ndërmarrjet shtetërore e banim në fshat, ndërsa në përbërjen e tyre, ka patur edhe të zgjedhur në organizatat e masave, këshillin popullor dhe një anëtar partie. Shkak, siç doli edhe nga diskutimet e fundit janë bërë puna sulmuese e reaksionit, tërheqja, qëndrimet pasive dhe indiferente të komunistëve e njerëzve tanë. Jo të gjithë komunistët karakterizohen nga qëndrime aktive, disave nuk u dëgjohet fjala, ngaqë nuk udhëheqin me shembullin personal, u ikin fëmijët e tyre, të tjerë nuk kanë forcë argumenti për të bindur mbi të vërtetën e socializmit, të tjerë qëndrojnë pasivë e indiferentë, pa përjashtuar ata që direkt ose indirekt shprehen “mirë bëjnë që ikin”.
Për këtë dëshmon edhe mungesa e forcës udhëheqëse e realizuese të organizatave bazë të Partisë Krane, Malçan, Grazhdan, dhe Cërkovicë, ku rastet e kalimit të kufirit janë përsëritur, ndërsa komunistët shprehin habi se: “si na ndodhi”, “sa bëmë mbledhje”, “nuk e njihnim për të tillë”, etj. Rreth këtyre problemeve, në këtë diskutim, u vunë thekse për kuptime të thella politike, veprime energjike e të mençura, vigjilencë të lartë në kufi e thellësi. Organizatat-bazë të Partisë, duke gjykuar individualisht për çdo rast, pa rënë në sektarizëm e oportunizëm ndëshkuan me masa 35 komunistë, (3 prej tyre anëtar e kandidat Plenumi), nga të cilët 10 me përjashtim nga Partia.
- Në punën sqaruese me njerëzit kërkohet angazhim më i madh, i komunistëve, kuadrove e inteligjencies.
Përpjekjet në këtë fushë nuk kanë munguar. Aplikimi i disa formave për angazhimin e inteligjencies, përpunimi i argumentit në përgjigje të propagandës përtej kufirit, kontaktet më të shpeshta të kuadrove me njerëzit etj., kanë patur efekte pozitive. Por e vërteta është se në punën politike-edukative ka formalizëm, cektësi e shabllone. Problemet që diktojnë situatat, qoftë në fushën politike, shoqërore, ekonomike apo organizative nuk shoqërohen kudo, shpejt dhe thellë me propagandën dhe argumentet tona. Parullat, thashethemet apo informacioni i armikut, është më i shpejtë, ndërsa kundërpërgjigjja jonë më e vonuar. Është kjo arsyeja prandaj dhe njerëz të çoroditur nga tanët, pengojnë procesin e demokratizimit. Mbi këto çështje në organizata Partie e Plenum u diskutua gjerësisht për forma të reja pune dhe u caktuan detyra konkrete.
U theksua domosdoshmëria për një informim e sqarim më të saktë, të shpejtë e cilësor, sepse edhe njerëzit për ta bërë këtë, nuk mungojnë. Vetëm mësues dhe specialistë të lartë në shkallë rrethi janë mbi 900 veta. Prandaj u shtrua si nevojë që organizatat e Partisë mësuesin ta shikojnë e t’i kërkojnë llogari, jo vetëm si organizator i procesit mësimor, por në radhë të parë, si edukator i brezit të ri. Ndërsa specialistëve të tjerë, agronomë, ekonomistë, veterinerë, inxhinierë etj. t’u “krasisin” qëndrimet që shfaqin, mendjemadhësinë intelektuale, që hiqen sikur dinë, që diskutojnë veças me njeri-tjetrin, ndërsa në mbledhje të kolektivit ku punojnë nuk angazhohen plotësisht me debate e ballafaqime mbi të vërtetën.
Për këtë qëllim, po përgatitet një material përgjithësues në shkallë rrethi e dërgohet për përdorim sekretarëve të byrosë e shokëve të Plenumit. Në kooperativat bujqësore Gravë, Finiq, Livadhja, e Aliko, 70 deri 90 për qind e kooperativistëve, kanë libreza kursimi. Në shkallë rrethi këtë vit përfunduan ndërtimi i 250 shtëpive të reja, ndërsa në Finiq 40 të tilla, argumente këto që hedhin poshtë pretendimet e kritizerëve të sëmurë që propagandojnë vetëm të zeza, se; “nuk kemi të ardhura”, “nuk rrohet me 10 lekë paradhënie”, etj. Në këtë vështrim po vëmë më në lëvizje edhe ata komunistë e kuadro që kanë qenë vizitorë në Greqi për 3-4 muaj, pa thënë për 5 mijë qytetarë të tjerë që kanë shkuar, ose janë pajisur me pasaportë. Këto, u theksua në Plenum, organizatat e Partisë duhet ta konsiderojnë si rezerve, të pashfrytëzuar në punën propagandistike.
Në Plenum u theksua nevoja për një punë më të sulmuese kundër fesë. Pa mohuar punën e bërë, kohët e fundit vërehet një gjallërim i tyre. Përmasat vërtet janë të vogla, por fakti që në manastirin e Soronesë, në kishën e Kostarit e të Vrionit, kanë shkuar jo vetëm të moshuar, por edhe të rinj, dëshmon për një punë të pamjaftueshme. Ajo që shqetëson është se pikërisht në këto situata kur feja ka marrë gjallëri, forca e komunistëve është zbehur. Nisur nga kjo u caktuan detyra për organizatat e Partisë, veçanërisht për ato të masave, të cilat jo vetëm nuk duhet të zbehin punën e tyre, por të organizojnë konkretisht, luftën kundër fesë. Edhe gazeta “Fitorja”, luftën kundër besëtytnive ta drejtojë më mirë se deri sot, përmes argumenteve shkencore.
- Për ngritjen më lart të vigjilencës në kufi e thellësi, kërkohen veprime më konkrete, kontroll të vazhdueshëm e zbatim kudo të rregullave.
Nxitjeve të armikut për arratisje, për parulla e thashetheme, për ankesa të pabazuara, të cilat nuk lindin sot për të parën herë etj., u theksua në Plenum, ka nevojë t’u përgjigjemi me vigjilencë më të lartë. Në këtë vështrim po rishikohen edhe një herë masat për forcimin e rojeve operative, sigurimin e armatimit, avancimin e përfundimit të depove, sipas detyrave që ka shtruar Shtabi i Mbrojtjes së Rrethit, riorganizimin e njësiteve të vigjilencës etj. U bënë kritika veçanërisht për disa kuadro në ndërmarrjet e qytetit, të cilët nuk para e pëlqejnë kontrollin në këtë fushë, shprehen me rrumbullakosje të gjërave, ose thonë “s’na lënë rehat”, “na u qepën” etj. Në këtë kuadër u theksua si domosdoshmëri, nevoja e një pune më sulmuese e organeve të drejtësisë për forcimin e kontrollit, bashkëpunimin me njeri-tjetrin, zbërthimin dhe zbatimin më mirë të ligjeve, si dhe informacionin e tyre me Komitetin e Partisë, duke e bërë atë më të shpejtë, të saktë e më përgjithësues, për fshatra, zona e në shkallë rrethi.
- Forcimi i marrëdhënieve kuadër-masë të vlerësohet si çështje e madhe kohore, e të vihet më mirë nën kontrollin e organizatave të Partisë.
Në këtë fushë janë bërë mjaft vërejtje, duke filluar nga baza në rreth e deri në dikaster. Esenca e tyre është për mos-mbajtje të fjalës së dhënë, për zvarritje burokratike, mos-ndarje të gjërave, ndjekje e ekzekutim të vendimeve. Në mënyrë të përmbledhur, ato synojnë për prapambetje në banesat me ndihmesë vullnetare, për çështje të transportit, mungesave në furnizim, mosplotësimit të nevojave me ujë të pijshëm në qytetin e Sarandës e disa fshatra, të vijave kufizuese, kontakteve të kufizuara me njerëzit etj., probleme këto që shkarkohen nga njeri tek tjetri, duke arsyetuar moszgjidhjen e tyre me “vështirësi objektive”. Në mënyrë të grupuar, këto vërejtje u janë dërguar seksioneve, duke caktuar afat për zgjidhjen e tyre. Në Plenum, u kritikua metoda e disa kuadrove që kanë kaluar në tërheqje, që nuk ndeshen ose ndjekin “parimin” hiq e mos këput…me arsyetimin se mos flitet keq për ta nga masat, ashtu si dhe një farë “shkrirje” me to në kurriz të disiplinës, të cilat çojnë në liberalizëm. / Memorie.al
SEKRETARI I PARË I KOMITETIT TË PARTISË RRETHIT
Syrija Dosti





















