Nga Luan Rama
– Muntaz Dhrami, mes lartësisë së emrit dhe harresës së pushtetit! –
Memoroe.al / Ka një përkim që, përtej rastësisë së bukur, mbart edhe një kuptim të veçantë në historinë kulturore të Gjirokastrës: Ismail Kadare dhe Muntaz Dhrami u lindën në të njëjtin vit, në të njëjtën lagje të qytetit emërmadh e me histori dhe mësuan në të njëjtën klasë të së njëjtës shkollë. Bashkë u rritën dhe mbetën miq të mirë, secili në universin e vet krijues. Të dy u bënë krijuesit më të mëdhenj që Gjirokastra i dha Shqipërisë dhe ndër përfaqësuesit më të shquar të kulturës shqiptare. Kadareja i dha përvojës shqiptare përmasën e një universi letrar, duke e bërë atë pjesë të pandashme të letërsisë botërore; Muntaz Dhrami i dha kujtesës historike trajtën e një universi skulpturor.
Kjo përqasje nuk ka të bëjë me hierarkinë mes tyre, por me peshën e ndikimit dhe lartësinë përfaqësuese të krijimtarisë së tyre. Në vlerësimin tim, Muntaz Dhrami është një Kadare në fushën e vet të artit. Por përmasa e Muntaz Dhramit shkon përtej universit të tij krijues. Ajo shtrihet në një marrëdhënie të veçantë me kohën dhe shoqërinë, ku artisti dëshmon lartësinë e personalitetit të vet edhe si intelektual i rendit të parë, edhe si qytetar që e ndien dhe e merr përsipër përgjegjësinë e tij pikërisht atëherë kur shoqëria ka më shumë nevojë për guximin dhe zërin e intelektualëve.
Kjo ndërthurje nuk përbën një shtesë në identitetin e tij, por shpreh vetë natyrën e tij krijuese dhe njerëzore: bindjen se përgjegjësia e artistit nuk përfundon aty ku përfundon vepra, por vijon edhe në hapësirën publike, në raportin me të vërtetën dhe me fatin e shoqërisë ku ai jeton. Në marrëdhënien e veçantë me kohën, historinë dhe njeriun duhet kërkuar një nga vlerat më të qenësishme të krijimtarisë së Muntaz Dhramit. Ajo që e dallon si artist, nuk është vetëm aftësia për t’i dhënë materies një formë të qëndrueshme, por sidomos zotërimi i gjuhës plastike, përmes së cilës figura fiton karakter, shprehje dhe jetë të brendshme.
Në krijimtarinë e tij, njeriu nuk mbetet një përfytyrim i jashtëm apo ilustrim i një ideje të paracaktuar, por merr individualitet, përmasë njerëzore dhe ngarkesë emocionale.
Edhe kur trajton tema historike e monumentale, Muntaz Dhrami nuk e humbet këtë marrëdhënie thelbësore me njeriun. Ai nuk synon thjesht të riprodhojë realitetin, por ta përzgjedhë, ta përpunojë dhe ta rikrijojë atë sipas vizionit të tij artistik. Pikërisht në këtë aftësi për të depërtuar përtej dukjes dhe për ta shndërruar përvojën njerëzore e historike në një gjuhë plastike me jetë të mëvetësishme qëndron një nga meritat më të rëndësishme të tij si krijues. Kam privilegjin ta njoh Muntaz Dhramin edhe përtej veprës dhe emrit të tij. Takimet me të janë për mua gjithmonë momente të veçanta kënaqësie.
Ajo që më ka bërë gjithmonë përshtypjen më të thellë nuk është vetëm madhështia e emrit dhe e krijimtarisë së tij, por sidomos thjeshtësia e jashtëzakonshme me të cilën ai e përfaqëson këtë madhështi, mirësia që përcjell dhe natyrshmëria me të cilën komunikon. Muntaz Dhrami nuk është vetëm artisti që e shpreh botën përmes gjuhës së skulpturës. Ai është edhe intelektuali që e përjeton kohën e vet si përgjegjësi dhe qytetari që nuk e ndan fatin e tij nga ai i shoqërisë. Në momente të caktuara historike, kjo përgjegjësi merr një kuptim të veçantë: kërkon jo vetëm aftësinë për të gjykuar, por edhe guximin për ta shprehur gjykimin publikisht.
Pikërisht në këtë pikë, përmasa e personalitetit të Muntaz Dhramit i tejkalon kufijtë e krijimtarisë artistike dhe merr një domethënie dhe vlerë më të madhe që lidhet me dinjitetin e intelektualit dhe rolin e tij në jetën e një kombi. Angazhimi i Muntaz Dhramit në jetën publike, përgjatë gjithë veprimtarisë së tij, por sidomos në prag të ndryshimeve të mëdha të viteve 1989–1990, përbën një dëshmi domethënëse të integritetit të tij intelektual. Në një kohë kur shoqëria shqiptare po dilte nga një periudhë e gjatë mbylljeje dhe kur kërkesa për ndryshim po fitonte gjithnjë e më shumë forcë, ai u shfaq si një zë pararendës, duke artikuluar publikisht, si pakkush, nevojën për hapje, transformim dhe ndryshime politike.
Pesha e këtyre ideve nuk përcaktohet vetëm nga përmbajtja e tyre, por edhe nga koha historike në të cilën u artikuluan. Sepse ka momente në historinë e një shoqërie kur fjala e intelektualit merr një peshë që kapërcen vetë autorin e saj: ajo bëhet shenjë e një pragu të ri moral dhe historik. Nuk është thjesht guximi i qëndrimeve publike ai që e dallon Muntaz Dhramin, por edhe mënyra pa bujë, pa vetëmburrje dhe pa kërkuar mirënjohje me të cilën ai e ka ushtruar përgjegjësinë qytetare. Këtu qëndron një nga shenjat më të çmuara të integritetit të tij intelektual dhe njerëzor.
Figurat e mëdha të kulturës nuk e përcaktojnë rëndësinë e tyre vetëm përmes veprës që krijojnë, por edhe përmes mënyrës se si ndikojnë në formimin e vetëdijes së një shoqërie. Ato bëhen pjesë e kujtesës së saj jo thjesht për atë që kanë krijuar, por edhe për atë që përfaqësojnë. Në këtë kuptim, Muntaz Dhrami mishëron një personalitet ku krijimtaria artistike, integriteti intelektual dhe përgjegjësia qytetare nuk qëndrojnë të ndara, por përbëjnë shprehje të ndryshme të së njëjtës madhështi njerëzore. Kodi i nderimit shënjon shpirtin e vetëdijes së një populli dhe të një kombi. Ai është një nga treguesit më domethënës të qytetërimit të tyre dhe shprehet në mënyrën se si e perceptojnë e vlerësojnë historinë, si i çmojnë vlerat dhe si i mbajnë në kujtesë njerëzit që kanë lënë gjurmë në rrugëtimin e tyre historik.
Nderimi nuk është thjesht një akt mirësjelljeje. Ai është shprehje e mirënjohjes historike, e ndërgjegjes kolektive dhe e aftësisë së një shoqërie për të njohur e vlerësuar atë që përbën pasurinë e saj të qëndrueshme. Marrëdhënia e një shoqërie me figurat e saj të mëdha, është, në njëfarë mënyre, edhe marrëdhënie me vetveten. Mënyra se si ajo i njeh, i vlerëson dhe i mban të pranishëm në kujtesën e saj dëshmon për shkallën e kulturës qytetare dhe për aftësinë për të dalluar vlerën përtej rrethanave të çastit. Nderimi i tyre nuk është një akt ceremonial dhe as një detyrim protokollar; është një formë e ndërgjegjësimit për atë që një individ i ka dhënë kohës së vet dhe për atë që mbetet përtej saj.
90-vjetori i lindjes së Muntaz Dhramit ishte një rast i veçantë për të nderuar emrin, jetën dhe veprën e një prej personaliteteve më të mëdha të artit shqiptar. Ky përvjetor nuk përbënte vetëm një ngjarje të bukur në jetën e artistit tonë të madh, por edhe një ngjarje me domethënie për të gjithë ne: një rast për të shprehur mirënjohjen dhe nderimin e një populli. Ishte gjithashtu një mundësi që pushteti të dëshmonte kulturën e vet të nderimit. Mirëpo pushteti, më saktë njerëzit në krye të pushtetit, e harruan Muntaz Dhramin në 90-vjetorin e tij të lindjes, duke na dëshmuar jo vetëm varfërinë shpirtërore, por edhe mangësitë e thella të karakterit të tyre.
Nuk dua të ndalem te Presidenti i Republikës, qëndrimet dhe shfaqjet e mëparshme publike të të cilit, për sa i përket kulturës së nderimit, kanë dëshmuar një nivel mjeran e të dhimbshëm. Por është e pafalshme që Kryeministri dhe ministri i Kulturës, të dy me formim artistik në fushën e arteve pamore, nuk shprehën asnjë urim, qoftë edhe formal, për qytetarin, intelektualin dhe artistin e madh. Duke nderuar Muntaz Dhramin, ata nuk do t’i shtonin asgjë emrit dhe veprës së tij; do t’i bënin nder vetes.
Lartësia e një personaliteti nuk ka nevojë për miratimin e pushtetit. Kultura e pushtetit matet pikërisht me aftësinë për ta njohur dhe nderuar atë. Një komb e dëshmon madhështinë e vet jo vetëm përmes njerëzve të mëdhenj që nxjerr, por edhe përmes kulturës që krijon për t’i njohur, nderuar dhe mbajtur gjallë në kujtesën e tij. Në këtë kujtesë, Muntaz Dhrami e ka fituar vendin e tij. / Memorie.al












