Pjesa e njëzeteshtatë
Memorie.al / Shërbimi sekret amerikan i ka dhënë një goditje të fortë Mehmet Shehut, gjatë regjimit komunist. Në një dokument të de klasifikuar, shprehen kritika sa i takon mjerimit të popullit. Aty thuhet se ai u premton qytetarëve misër me racione edhe pse dikur shprehej se ky ushqim ishte vetëm për derra. Nga ana tjetër thuhet se krerët e politikës, vetë bënin jetë luksoze dhe popullin e linin në mjerim. Po kështu kritika ka pasur dhe për Enver Hoxhën, ku thuhet e ai ka pranuar të bashkëpunojë me Bashkimin Sovjetik, në ndihmë të ushqimeve dhe kjo solli rrënimin e vendit. Në një tjetër dokument tregohet frika e amerikanëve nga pushtimi që do t’u vinte shqiptarëve prej fqinjëve. Aty thuhet se në rast shembje të regjimit komunist në Shqipëri, Jugosllavia dhe Greqia mund të ndërhynin ushtarakisht dhe për këtë arsye më 1951-in, u pezullua fillimisht plani për të nxitur rebelim.
Mjerimi ekonomik mbretëron në Shqipëri
Gjashtëdhjetë për qind e tokave të punueshme në Shqipëri, do të mbillen me misër, në kuadër të planit të dytë pesë-vjeçar, sipas urdhrave të Mehmet Shehut.
Ky është progresi sipas stilit komunist! Sipas po atij, Mehmeti që ka thënë më parë se misri është ushqim për derra, sot ai ua prezanton njerëzve dhe u thotë se kjo është çka do të hani.
Populli duhet të durojë vështirësi të pakapërcyeshme dhe të sakrifikojë gjithçka, për të realizuar planin pesë-vjeçar dhe në këmbim i premtojnë bukë misri, edhe ajo me racione!
E drejta e bollëkut, me ushqim të mirë dhe dyqane veshjesh, i rezervohet vetëm elitës së udhëheqjes … ndërsa punëtorët duhet të durojnë vuajtjet për ato që komunistët premtojnë se do të vijnë “ditë më të mira”.
Mjerimi, vuajtjet e sakrificat janë baza e ekzistencës së punëtorëve, sepse i tillë është vullneti i shtypësve, i atyre që refuzuan ndihmën ushqimore të popullit amerikan, në një kohë kur e njëjta ofertë u pranua nga populli hungarez, çekosllovak apo Gjermania Lindore.
Lidhja me Kremlinin
Nënshtrimi i klikës Hoxha-Shehu ndaj Kremlinit, po e çon vendin drejt rrënimit. Reforma ekonomike dhe politike e Shqipërisë është shitur në këmbim të ushqimit të falur nga Rusia dhe traktorëve e makinerive të prishura. Njerëzve u jepet nënshtrim, punë dhe falimentim, kurse Rusia merr ajkën e produkteve shqiptare.
Ndërsa në kombet e botës së lirë, sistemi ekonomik bazohet në lirinë e iniciativës private, duke siguruar bollëkun që njeriu meriton. Kombet e lira kanë përfituar nga ndihma fisnike e Shteteve të Bashkuara, pa e shitur lirinë e tyre.
Progresi kolosal ekonomik i vendeve të lira si Gjermania Perëndimore, apo Japonia, me ndihmën pa interes të Shteteve të Bashkuara, është një provë e gjallë e të drejtës së njeriut që punon për një jetë gjithnjë e më të mirë.
Popull shqiptar!
Mbroni të drejtën tuaj për standarde më të mira jetese! Mbroni të drejtën për fjalën tuaj në planin ekonomik. Ushqim dhe veshje të përshtatshme për ju dhe fëmijët tuaj janë një detyrim! Flisni kundër shtypësve rusë, që po vjedhin ushqimin tuaj!
Ndarja e Shqipërisë
Është theksuar se ndarja e Shqipërisë është e paevitueshme, nëse asnjë forcë nuk i kundërvihet përpjekjeve jugosllave dhe greke, në rast ndërhyrjeje në Shqipëri.
Pasojat e një ndarjeje do të ishin katastrofike, jo vetëm për problemet politike që ngrihen, por edhe sepse do të ngrinte akuza se SHBA-ja rri e vështron, teksa një vend i vogël gëlltitet nga fqinjët e tij imperialistë.
Reagimi psikologjik do të ishte shumë i padëshirueshëm, si brenda dhe jashtë Shqipërisë, duke dëmtuar imazhin dhe prestigjin e SHBA-ës.
Problemi shqiptar do të zgjidhej në mënyrë të kënaqshme për nga pikëpamja amerikane, nëse do të mund të bëhej përmbysja e regjimit, para një sulmi të mundshëm nga sovjetikët, dhe nëse vendosej qeveria demokratike përpara se Jugosllavia të kishte kohën dhe pretekstin për të vepruar.
Ky është koncepti origjinal i planit të degës së OPC, i cili u rishikua për arsye të rreziqeve të veprimit sovjetik ndaj Jugosllavisë, apo të pushtimit “protektiv” të Shqipërisë.
Nëse asnjë përpjekje nuk bëhet për praninë e një force të sponsorizuar nga SHBA-ja në Shqipëri, ka rrezik për ndarjen e Shqipërisë mes Greqisë dhe Jugosllavisë, ku më pas SHBA-ja do të përballej me një fakt të kryer që kundërshton politikën amerikane, duke sjellë një situatë që është shumë e vështirë të korrektohet.
Rreziku nga Greqia
Meqenëse pushtimi jugosllav i Shqipërisë nuk i shërben kësaj të fundit, në rast pushtimi prej Bashkimit Sovjetik, por do të sillte vetëm një pretekst për ndërhyrjen greke në Epirin e Veriut, është e rëndësishme futja në Shqipëri e elementeve të armatosur, të aftë të përmbysin regjimin e Hoxhës dhe të aftë të ruajnë emrin e grupeve shqiptare të emigracionit të sponsorizuar nga SHBA-ja.
Tito duhet të inkurajohet të mos ndërhyjë në Shqipëri dhe forca e rekrutuar nga CIA/OPC të maskohet pas Komitetit Kombëtar të “Shqipërisë së Lirë”.
Ajo do të jetë shtylla kryesore të rebelimit kundër Hoxhës. Nëse nuk mund të marrim siguri nga Tito, SHBA-ja duhet të paktën të insistojë në pjesëmarrjen në forcën rebeluese kundër regjimit, në mënyrë që të kemi zërin tonë në krijimin e elementëve politike për qeverinë e re post-komuniste.
Duke marrë në konsideratë rrezikun e agresionit kundër Jugosllavisë, është thelbësore që OPC-ja të jetë i gatshëm të veprojë në Shqipëri, sapo të jepet mundësia. Ky veprim do të jetë i kërkuar në Shqipëri pa marrë parasysh sjelljen e jugosllavëve, italianëve apo grekëve e britanikëve.
Prandaj është e rëndësishme të përgatitet terreni për intensifikimin e aktiviteteve në Shqipëri, me anë të trajnimit të forcës goditëse pushtuese, kur të jetë koha për operacione të shkallës së gjerë kundër regjimit të Hoxhës.
Zgjedhja e kohës së këtij operacioni do të jetë edhe faktori përcaktues i suksesit dhe kjo mund të zgjidhet vetëm gjatë zhvillimit të situatës. Vendimi për përdorimin e saj duhet të bazohet mbi politika të ardhshme, por përgatitja duhet të bëhet menjëherë.
Rekomandime
Për arritjen e objektivave të paragrafit të mësipërm, rekomandohen veprimet e mëposhtme:
Ritmi i operacioneve të OPC-së kundër Shqipërisë, të shpejtohet për krijimin e kushteve për ndërhyrje të forcës së armatosur, me qëllimet e mëposhtme:
1) Lehtësimi i dhënies së ndihmës për Jugosllavinë në rast sulmi ndaj saj, me anë të ndërhyrjes së forcës së armatosur në Shqipëri, e cila do të lëkundë stabilitetin e regjimit Hoxha.
2) Pengim i aktiviteteve sovjetike kundër Jugosllavisë apo Greqisë, me pikënisje nga Shqipëria.
3) Aktivizim i lëvizjes nacionaliste shqiptare për të theksuar pavarësinë shqiptare dhe formimin e qeverisë demokratike, dhe për të kundërvepruar ndaj influencat e rretheve greke dhe jugosllave, që kërkojnë ndarjen e vendit mes tyre.
Gjetja e justifikimit politik për mbështetjen e pavarësisë nga SHBA-ja dhe mundësisht dhënia e mbështetjes së përkohshme për Titon.
Forca goditëse për Shqipërinë të krijohet e trajnohet pa vonese, dhe të mbahet e gatshme për përdorim siç u tha më sipër./ Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm













