• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Thursday, October 22, 2026
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Nga pema gjenealogjike me të parin e fisit Hoxha, Kol Gjonin, deri te dy djemtë, Iliri me Sokolin…”/ Zbulohen 3 biografitë e Enver Hoxhës në fondin e tij personal, të shkruara deri në 1969-ën, që s’u publikuan kurrë…!

“Nga pema gjenealogjike me të parin e fisit Hoxha, Kol Gjonin, deri te dy djemtë, Iliri me Sokolin…”/ Zbulohen 3 biografitë e Enver Hoxhës në fondin e tij personal, të shkruara deri në 1969-ën, që s’u publikuan kurrë…!
“Nga pema gjenealogjike me të parin e fisit Hoxha, Kol Gjonin, deri te dy djemtë, Iliri me Sokolin…”/ Zbulohen 3 biografitë e Enver Hoxhës në fondin e tij personal, të shkruara deri në 1969-ën, që s’u publikuan kurrë…!
“Nga pema gjenealogjike me të parin e fisit Hoxha, Kol Gjonin, deri te dy djemtë, Iliri me Sokolin…”/ Zbulohen 3 biografitë e Enver Hoxhës në fondin e tij personal, të shkruara deri në 1969-ën, që s’u publikuan kurrë…!
“Nga pema gjenealogjike me të parin e fisit Hoxha, Kol Gjonin, deri te dy djemtë, Iliri me Sokolin…”/ Zbulohen 3 biografitë e Enver Hoxhës në fondin e tij personal, të shkruara deri në 1969-ën, që s’u publikuan kurrë…!
“Nga pema gjenealogjike me të parin e fisit Hoxha, Kol Gjonin, deri te dy djemtë, Iliri me Sokolin…”/ Zbulohen 3 biografitë e Enver Hoxhës në fondin e tij personal, të shkruara deri në 1969-ën, që s’u publikuan kurrë…!
“Nga pema gjenealogjike me të parin e fisit Hoxha, Kol Gjonin, deri te dy djemtë, Iliri me Sokolin…”/ Zbulohen 3 biografitë e Enver Hoxhës në fondin e tij personal, të shkruara deri në 1969-ën, që s’u publikuan kurrë…!
“Nga pema gjenealogjike me të parin e fisit Hoxha, Kol Gjonin, deri te dy djemtë, Iliri me Sokolin…”/ Zbulohen 3 biografitë e Enver Hoxhës në fondin e tij personal, të shkruara deri në 1969-ën, që s’u publikuan kurrë…!
“Nga pema gjenealogjike me të parin e fisit Hoxha, Kol Gjonin, deri te dy djemtë, Iliri me Sokolin…”/ Zbulohen 3 biografitë e Enver Hoxhës në fondin e tij personal, të shkruara deri në 1969-ën, që s’u publikuan kurrë…!
Nga studentët që mësonin në Perëndim, te KONARE-ja që financoi 20 të rinj në universitetet e Bashkimit Sovjetik/ Historia e panjohur se si hynë idetë komuniste në Shqipëri
“Nga pema gjenealogjike me të parin e fisit Hoxha, Kol Gjonin, deri te dy djemtë, Iliri me Sokolin…”/ Zbulohen 3 biografitë e Enver Hoxhës në fondin e tij personal, të shkruara deri në 1969-ën, që s’u publikuan kurrë…!
“Kur Mullha Halili i tha Enverit:  ‘po pse Javer Beun do vrasësh ti’?!, ai i’u përgjigj: e vret populli, jo unë …”/ Dëshmia e nipit të ish ministrit, që u dënua në Gjyqin Special
“Nga pema gjenealogjike me të parin e fisit Hoxha, Kol Gjonin, deri te dy djemtë, Iliri me Sokolin…”/ Zbulohen 3 biografitë e Enver Hoxhës në fondin e tij personal, të shkruara deri në 1969-ën, që s’u publikuan kurrë…!

Nga DASHNOR KALOÇI

Pjesa e parë

Memorie.al / Edhe pse ishte udhëheqësi kryesor i Shqipërisë komuniste për 40 vite me radhë, duke e qeverisur me dorë të hekurt vendin e tij nga 1945-sa, deri kur vdiq në 11 prillin e ’85-ës, por edhe pas vdekjes së tij e, deri në shembjen e regjimit komunist në fillimin e vitit 1991, nuk u botua kurrë një biografi zyrtare e plotë për Enver Hoxhën, ndonëse vetë ai la të shkruar një seri veprash me rreth 80 vëllime. Madje as pas viteve ’90-të e deri më sot, nuk është botuar ende një biografi për ish-diktatorin komunist Enver Hoxha, e cila të jetë e bazuar mbi dokumente arkivore që të hedhin dritë mbi origjinën e hershme të familjes, me pemën gjenealogjike të saj, si dhe një jetëshkrim të tij, nga dita që lindi e, deri kur vdiq…! Kjo me sa duket, edhe për faktin se gjatë gjithë jetës së tij, ka pasur shumë dritë hije, madje shumë njolla të errta, të cilat bënë që ai vetë të mos jepte kurrë miratimin për botimin e një biografie të tij në një libër të veçantë, edhe pse ato biografi kanë ekzistuar në të vërtetë. Madje tre të tilla dhe me autorë të ndryshëm, të cilat gjenden edhe sot në fondin personal të Enver Hoxhës, në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë.

Biografia e parë zyrtare e Enver Hoxhës, u bë publike në vitin 1946, në kuadrin e “popullarizimit” të figurës së tij, si “udhëheqësi kryesor dhe sekretar i parë i Partisë Komuniste të Shqipërisë, komandant i përgjithshëm i Ushtrisë Nacional-çlirimtare me gradën gjeneral-kolonel, kryetar i kryesisë së Frontit Demokratik të Shqipërisë, kryeministër i qeverisë shqiptare, ministër i Mbrojtjes Popullore dhe ministër i Punëve të Jashtme”. Siç shihet dhe në faksimilet përkatëse bashkangjitur këtij shkrimi, kjo biografi e cila është një libërth i vogël me 58 faqe, botuar në Shtypshkronjën “Rinia” (ish-shtypshkronja “Gutenberg”) në fletën e parë (pas kopertinës ngjyrë vishnje të errët dhe fotos së Enver Hoxhës me uniformën ushtarake të gjeneralit e medaljet në gjokës), ka të shkruar me gërma kapitale: “ENVER HOXHA, NJË BIOGRAFI E SHKURTËR”. Ajo biografi e parë zyrtare e Enver Hoxhës, u përgatit për botim nga punonjësit sektorit të Agjit-Propit (Agjitacion e Propagandës) pranë aparatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, por në të vërtetë hartuesi dhe autori i saj, ishte kapiteni i parë, Ndreçi Plasari, emri i të cilit nuk figuron në librin në fjalë, por gjendet i shkruar me shkrimin e tij në fletën e parë të materialit të daktilografuar që u dërgua për shtyp.

Gjithashtu mund të lexoni

“Anëtarët e grupit që u rekrutuan nga kampe refugjatësh në Itali dhe në Greqi, u dërguan në Shqipëri me avionin C-47 që erdhi në tetor 1948 nga Gjermania e Zvicra…”/ Dokumentet sekrete të CIA-s

“Kur i thashë majorit britanik Neel, në shtëpinë e Nik Sokolit, idenë time se; pas largimit të trupave gjermane, në Shqipëri, të krijojmë një qeveri nacionaliste, ai…”/ Kujtimet e ish-oficerit gjerman

Libri, apo më saktë broshura “ENVER HOXHA, NJË BIOGRAFI E SHKURTËR”, fillon me një përshkrim të qytetit të Gjirokastrës ku lindi Enveri më 16 tetor 1908 dhe vazhdon me disa paragrafe mbi historinë e familjes Hoxha, (gjë e cila zë vetëm dy faqet e para), ndërsa e gjithë pjesa tjetër i kushtohet rolit të tij (Enverit) gjatë periudhës së “Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare” me disa nga ngjarjet kryesore të saj, (themelimi i PKSH-së, Konferenca e Pezës, Mbledhja e Labinotit dhe krijimi i Shtabit të Përgjitshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare më 10 korrik 1943, Marrëveshja e Mukjes, Kongresi i Përmetit etj.), duke përfunduar me 11 janar 1946, me ngjarjen e shpalljes së Republikës. As sot nuk dihet me saktësi, se përse ajo broshurë me biografinë e parë zyrtare të Enver Hoxhës (ku mungon pothuajse fare një jetëshkrim i tij për periudhën e Monarkisë së Zogut), e cila e gloriofikon figurën dhe rolin e tij, (apo familjes Hoxha), që nga periudha e fëmijërisë, e deri në atë kohë që u botua, u hoq menjëherë nga qarkullimi, (thuhet pas dy-tre muajsh) dhe nuk u përdor kurrë më as për referenca, në libra, albume, apo dhe vepra të tjera kushtuar figurës së tij.

Sepse që nga ajo kohë e më pas, Enver Hoxha filloi eliminimin e bashkëpunëtorëve të ngushtë të tij, (anëtarë të Byrosë Politike, ministra, deputetë, etj.), duke i burgosur, internuar apo ekzekutuar dhe libri në fjalë më biografinë e tij, nuk mund të qarkullonte më me emrat e “armiqve të popullit”. Biografia e dytë për Enver Hoxhën, u shkrua në vitin 1950 (15.VI.1950) dhe ajo ka për autor Misto Treskën, njeri i afërt dhe shumë i besuar i Enver Hoxhës, që nga periudha e Liceut francez të Korçës dhe Grupit Komunist të atij qyteti ku ai ishte anëtar, i cili gjatë periudhës së Luftës ishte komisar politik i Batalionit partizan “Reshit Çollaku” dhe pas vitit 1944, u gradua major, duke u caktuar si prokuror dhe anëtar i trupit gjykues në Gjyqin Special të vitit 1945, i cili dënoi me vdekje ish-kryeministrin Maliq Bushati dhe anëtarët e Regjencës, Lef Nosi e Patër Anton Harapi..

Ashtu si dhe biografia e shkruar nga Ndreçi Plasari në vitin 1946, edhe ajo e Misto Treskës, e cila ka 238 faqe me shkrim dore dhe të njëjtin titull (“Enver Hoxha, një biografi e shkurtër”), e glorifikon jashtë mase figurën dhe rolin e Enver Hoxhës, në të gjitha periudhat kohore që trajtohen aty. Ndoshta kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore që ajo biografi e shkruar prej Misto Treskës për Enver Hoxhën, jo vetëm që nuk u botua kurrë, por as nuk u daktilografua me makinë shkrimi, si biografia e vitit 1946 e Ndreç Plasarit, apo dhe tjetra që u shkrua më pas. Po kështu, nuk dihet me saktësi nëse ky “shërbim” që i bëri Misto Treska udhëheqësit kryesor të Shqipërisë, Enver Hoxhës (me të cilin kishte njohje edhe nga periudha e studimeve në Francë), ndikoi në karrierën e tij të mëvonëshe, ku ai shërbeu si jurist, përkthyes, autor librash, diplomat, ambasador i Shqipërisë në Francë, Belgjikë etj., si dhe kryetar i Komitetit për Mardhënie Miqësore dhe Kulturore me Botën e Jashtëme, ku dhe doli në pension në vitin 1981.

Po kështu e njejta gjë edhe për profesor Ndreçi Plasarin, historian dhe studiues i cili gjatë regjimit komunist mbajti poste të rëndësishme akademike e politike, duke qenë për një kohë të gjatë edhe nëndrejtor i Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste në Tiranë, i drejtuar nga Nexhmije Hoxha. Në ato detyra, profesor Plasari shërbeu deri në vitin 1982, kur u godit nga Partia, i akuzuar si “njeri i Mehmet Shehut, që ishte dërguar prej tij deri në arkivat britanike për të fryrë kultin e tij (Mehmetit) dhe kishte fshehur dokumentet që vërtetonin se Mehmet Shehu kishte qenë agjent i Inteligjent Servisit”!  Biografia e tretë për Enver Hoxhën, u shkrua në vitin 1969 dhe ajo ka për autor Aqif Selfon, shok i ngushtë i fëmijrisë dhe rinisë me Enverin dhe fqinj i tij në qytetin e Gjirokastrës e, më pas në Liceun francez të Korçës, ku studiuan së bashku dhe Selfo shërbeu për disa kohë edhe si kujdestar konvikti pranë atij liceu. Në faqen e parë të asaj biografie, shkruhet; “Kujtime nga jeta e familjes Hoxha, origjina e saj dhe një jetëshktim i shokut Enver Hoxha, për periudhën 1908-1930 dhe 1931-1939, 6.1.1969, nga Aqif Selfo”.

Ajo biografi, apo më saktë një jetëshkrim, siç e ka titulluar vetë autori i saj, (ka 124 faqe me shkrim dore, ndërsa të daktilografuara 82 faqe), ashtu si dhe ato të Ndreçi Plasarit dhe Misto Treskës, nga fillimi në fund, e glorifikon figurën dhe rolin e Enver Hoxhës, madje me shtrebërime dhe fallsifikime të ngjarjeve dhe fakteve historike. (Si p.sh., në fq. 46 të kujtimeve të tij, Aqif Selfo midis të tjerash shkruan se: “Enveri u nis për në Belgjikë, u vendos në Bruksel dhe filloi detyrën e sekretarit të Konsullatës. Ai qëndroi këtu pjesërisht në vitin 1934, tërë vitin 1935 dhe pjesërishit në vitin 1936. Krahas detyrës së sekretarit të Konsullatës shqiptare në Bruksel, Enveri vazhdoi edhe studimet në fakultetin juridik dhe dha provimet e vitit të dytë”. Ndërsa në një dokument tjetër arkivor që ndodhet po në fondin e personal të Enver Hoxhës, diplomati shqiptar Nos Qosja që shërbente në ambasadën tonë në Paris, midis të tjerash shkruan: “Gjatë vizitës time në Belgjikë me shokun Harrilla Kola, ne shkuam në Universitetin e Brukselit (Fakulteti i Drejtësisë) dhe pyetëm e konstatuam: Shoku Enver është regjistruar në Fakultetin e Drejtësisë për vitin akademik 1934-1935. Në arkivin e atij fakulteti, ekziston kartela me këto të dhëna;

HOXHA Enver

Viti akademik 1934-1935

Datëlindja; 3 tetor 1908 (Gjirokastër)

Numëri i regjistrit; 2821

Adresa e tij; “Legation d’Albania 155 Rue de la Loi, Bruksel”.

Kartela është e bardhë, nuk figuron që të ketë dhënë ndonjë provim”.

Paris, 22 shkurt 1969             Nos Qosja

Nga sa thuhet edhe tek dokumenti arkivor në fjalë, (i cili koncidon me periudhën kur është shkruar dhe biografia e Enverit nga Aqif Selfo), rezulton se Enver Hoxha nuk ka dhënë asnjë provim në Fakultetin e Drejtësisë së Brukselit, gjë e cila hedh poshtë atë që shkruan Aqif Selfo, se “Enveri dha provimet e vitit të dytë”! Ndoshta kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore, që ato “Kujtime” nuk u botuan kurrë si libër, pasi në periudhën që u shkruan, jetonin ende shumë nga shokët dhe bashkëmoshatarët e Enverit dhe Selfos, (në burgjet politike apo të lire), si nga periudha e fëmijrisë së tyre në qytetin e Gjirokastrës, ajo e Liceut të Korçës, apo dhe studimeve në Francë. Por edhe pse ato “Kujtime” nuk e panë kurrë dritën e botimit, me shumë gjasa i shërbyen autorit të tyre Aqif Selfo, si një mburojë për një jetë të qetë (ai punoi si mësues në Tiranë në gjimnazin “Qemal Stafa”, deri sa doli në pension), ndryshe nga dy kushërinjtë e tij, Riza dhe Syrja Selfo, të cilët Enveri i arrestoi dhe i pushkatoi, edhe pse ata e gjithë familja Selfo, e kishin ndihmuar me të holla, gjatë periudhës së Luftës, 1939-1944.

Mbi bazën e këtyre tre biografive, në vitin 1978, u botua një libër apo më saktë një tip broshurë me titull: “Enver Hoxha, udhëheqës i dashur i popullit shqiptar”- (Material për biseda, me rastin e 70 vjetorit të lindjes), ku në faqen e parë pas kopertinës, shkruhet: “Përgatitur nga sektori i edukimit marksist-leninist, pranë K.Q. të PPSH. – Në ndihmë të agjitatorëve dhe të propagandistëve”. Libri në fjalë është botuar nga Shtëpia Botuese “8-Nëntori” në Shtypshkronjën “Mihal Duri” në Tiranë. Fakti që këto tre biografitë e Enver Hoxhës ndodhen në fondin e tij personal, madje dhe me ndërhyrje e korrigjime nga persona të tjerë, në mos janë bërë me porosinë e tij, me shumë gjasa janë shkruar me miratimin e Enverit. Gjithsesi këto mbeten në kuadrin e hipotezave ku ka vend për të investiguar më gjatë, por në këtë shkrim po publikojmë fillimisht biografinë e Enver Hoxhës, e cila është shkruar nga Aqif Selfo, e cila publikohet për herë të parë dhe me faksimilet përkatëse në disa numra, nga Memorie.al.

DOKUMENTI ARKIVOR I NXJERRË NGA FONDI PERSONAL I ENVER HOXHËS QË NDODHET NË ARKIVIN QENDROR TË SHTETIT, ME KUJTIMET E SHKRUARA NGA AQIF SELFO, MBI ORIGJINËN E FAMILJES HOXHA DHE NJË JETËSHKRIM TË ENVER HOXHËS

Kujtime nga jeta e familjes Hoxha, origjina e saj, dhe jetëshkrimi i shokut Enver Hoxha për periudhën 1908–1930 dhe 1931 – 1939

 Nga Aqif Selfo

6.1.1969

Kol-Gjoni, Ali, Hëzër, Muhamet, Beqir, Isa, Hysen, Beqir, Nexhip, Hysen, Halil, Beqir, Enver, Ilir, Sokol.

Pema gjenealogjike e familjes Hoxha, duke ndjekur vetëm meshkujt është sikurse shihet në skemën këtu ngjitur. Në këtë skemë gjenealogjike ajo që bie në sy me një herë është përsëritja e disa emrave të familjes Hoxha, si emri Beqir që është përsëritur tre herë dhe emrat Hysen dhe Halil, që janë përsëritur nga dy herë. Familja Hoxha në Gjirokastër njihet jo vetëm një nga familjet më të vjetra të qytetit, por edhe një nga familjet më të ndershmet dhe më të sjellshmet. Kjo familje për vitet e saj të mira nderohej shumë, megjithëse gjendja e saj ekonomike nuk ishte në radhën e shumë familjeve të tjera të qytetit, ajo nderohej gjithashtu edhe kur gjendja e saj ekonomike ishte keqësuar së tepërti. Nga pjesëtarët e largët të familjes Hoxha nuk dihen shumë gjëra, kurse për pjesëtarët më të afërt ka disa të dhëna. Nexhip Hoxha, gjyshi i Enverit, ishte kadi dhe ka shërbyer në vende të ndryshëm të perandorisë turke, kurse vëllai i tij Beqiri, merrej më shumë me rregullimin e ekonomisë familjare në Gjirokastër. Nexhipi ka patur dy djem: Hysen dhe Halil Hoxhën, kurse Beqiri nuk kishte fëmijë. Të dy vëllezërit, Hyseni dhe Halili, kanë jetuar bashkë, të pa ndarë, deri në vitin 1916, kur iu dogj shtëpia. Në këtë periudhë ata formonin një familje të vetme me ekonomi të përbashkët.

Në këtë familje fëmijët e të dy vëllezërve rriteshin bashkërisht dhe duke respektuar moshën, si fëmijët e Hysenit, ashtu dhe ata të Halilit, baba thërrisnin Hysenin, si vëllai më i madh që ishte dhe Halilin xhaxha, si vëllai më i vogël. Në këtë periudhë familja Hoxha ishte një nga të paktat familje gjirokastrite që ka lojtur një rol me rëndësi në zgjimin kombëtar, në përpjekjet për të përhapur arsimin në Gjirokastër e në fshatra, në qëndrimin anti-turk, në përkrahjen e shpalljes së pavarësisë, në qëndrimin anti-grek dhe më vonë në përkrahjen e lëvizjes demokratike. Po në këtë periudhë shtëpia e familjes Hoxha ishte një nga çerdhet me rëndësi të aktiviteteve të ndryshme politike dhe arsimore. Në këto aktivitete shquhet Hysen Hoxha. Hysen Hoxha vdiq rreth vitit 1935, në moshën 73 vjeç. Kishte kryer shkollën medresenë e lartë që ishte një tip i gjimnazit. Hysen Hoxha ishte shumë i dhënë, sikundër që tregojnë njerëzit e afërt të tij, pas studimeve historike, ai lexonte libra e traktate të tëra që trajtonin çështje historike. Që në moshën e re, Hysen Hoxha u lidh me të gjithë ata që kishin në zemër çështjen e shkundjes së robërisë turke dhe bashkëpunonte aktivisht me ta.

Herët mësoi të lexonte dhe të shkruante edhe gjuhën shqipe, sigurisht këtë duhet ta ketë mësuar nga Koto Hoxhi nga Qesarati (fshat pranë Gjirokastrës), i cili ishte propagandist i shquar i përhapjes së ideve kombëtare dhe i gjuhës shqipe. Koto Hoxhi, në vjetët e fundit të jetës së tij – në fund të shekullit XIX, militonte në krahinën e Gjirokastrës. Gjuhën shqipe Hysen Hoxha e futi edhe në shtëpinë e tij, duke u mësuar pjesëtarëve të familjes leximin dhe shkrimin e saj. Pjesa më e madhe e vajzave të tij të rritura, si dhe mbesa e madhe dhe nipi i madh i tij, patën si mësues të parë Hysen Hoxhën. Kurse këta nga ana e tyre u kanë mësuar gjuhën shqipe fëmijëve më të vegjël dhe në radhë të parë motrave dhe mbesave të tyre, të cilat jo vetëm që nuk kishte shkolla për të mësuar, por edhe sikur të kishte nuk mund të shkonin në atë periudhë. Aktiviteti i Hysen Hoxhës mund të ndahet në tri periudha: para revolucionit turk të vitit 1908; prej triumfit të revolucionit të 1908 dhe shpalljes së pavarësisë kombëtare më 1912, deri në pushtimin e Gjirokastrës prej Greqisë në mars 1913 dhe prej periudhës nën pushtimin grek. Në fillim të shekullit XX, lëvizja kombëtare u gjallërua shumë në gjithë Shqipërinë, po ashtu edhe në Gjirokastër. Në vitet 1905-1908 ajo mori hov të madh.

Filluan të organizoheshin dhe të formoheshin çetat e armatosura dhe nga viti në vit ato rriteshin dhe e zgjeronin veprimtarinë e tyre, jo vetëm në krahinën e Gjirokastrës, por edhe në krahina të tjera dhe sidomos në krahinën e Korçës dhe në gjithë Shqipërinë jugperëndimore dhe në atë juglindore. Çeta kryengritëse që udhëhiqej nga Çerçiz Topulli, me Mihal Gramenon, Hajredin Tremishtin dhe shumë trima të tjerë, që në formimin e saj aty nga viti 1907, kishte tronditur autoritetet turke që e ndiqnin këmba këmbës, por kryengritësit që luftonin për liri, mbroheshin, ndihmoheshin dhe strehoheshin nga vetë populli i krahinave ku shkonin. Po kështu çeta e Çerçizit kalonte shteg më shteg pa u dëmtuar. E mbrojtur në këtë mënyrë ajo vepron në krahina të ndryshme si në Korçë, Leskovik, Përmet, Gjirokastër e, në vende të tjera. Në këtë periudhë shtëpia e Hoxhatë u bë një nga çerdhet me rëndësi të madhe për lëvizjen kombëtare. Aty mblidheshin për të biseduar dhe për të marrë vendimet përkatëse shumë nga udhëheqësit dhe patriotë të tjerë të lëvizjes kombëtare si Çerçiz Topulli, Duro Gurri, Idriz Gurri etj.

Kjo theksohet edhe në letrën që i shkruan sh. Enver gjimnazit “Asim Zeneli” në Gjirokastrë, datë 22 shtator 1962, me rastin e dërgimit të sahatit të murit si dhuratë gjimnazit. Në këtë letër nëna e sh. Enver, Gjulo Hoxha, duke treguar historinë e sahatit, ndërmjet të tjerave, thotë: “Ki sahat ka parë mullanë (Hysen Hoxhën) të bisedonte fshehurazi me Çerçizë, me Duro Gurrë dhe Idriz Gurrë”. Nga kjo shtëpi dërgoheshin prej Hysen Hoxhës letrat dhe çdo gjë që kishte të bënte me mbarëvajtjen e lëvizjes në vende të ndryshme dhe sidomos në drejtim të kryengritësve. Një nga korrierët ishte edhe kushëriri i Hysen Hoxhës, Nexhmo (Nexhmudin) Hoxha. Ky, duke qenë i ri dhe i shkathët, shkonte ku ta lypte nevoja. Letrat që dërgoheshin siguroheshin mirë për t’i shpëtuar çdo gjëje të pa pritur. Prandaj ato qepeshin me kujdes në xhaqetën e korrierit, ndërmjet stofës dhe astarit, zakonisht në pjesën e prapme, në kurriz.

Kështu korrieri pasi kryente misionin e tij kthehej në Gjirokastër. Rreth kësaj çështje një nga të afërmit e Hysen Hoxhës tregon se, pas shumë vjetësh, duke udhëtuar nga Gjirokastra për në Vlorë, Hysen Hoxha i tregonte, gjatë rrugës dhe në thellësi të saj, vendet ku qenë pikat kryesore të takimit dhe të mbështetjes së tyre në kohën e përpjekjeve për liri kundër forcave turke. Aktiviteti i çetës së Çerçizit u rrit shumë në muajt e parë të vitit 1908. Po në këtë kohë një rol me rëndësi ka luajtur komiteti i patriotëve të Gjirokastrës. Megjithëse unë nuk kam mundur të gjej se kush merrte pjesë në këtë komitet, unë mendoj se një nga anëtarët e tij duhet të ketë qenë edhe Hysen Hoxha, si pjesëtar aktiv i çështjes kombëtare që ishte dhe për ofiqin e lartë që kish në qytet: ai ishte kryetar i bashkisë.

Pra komiteti i patriotëve të Gjirokastrës vuri në dijeni çetën e Çerçizit, e cila sa që ishte kthyer në krahinën e Gjirokastrës, për aktet armiqësore të autoriteteve turq dhe në radhë të parë të bimbashit (gradë në ushtrinë turke, major) turk dhe të komandantit të xhandarmërisë në Gjirokastër: Bimbashi kishte bërë shumë arrestime në radhët e patriotëve gjirokastritë dhe kishte terrorizuar vazhdimisht popullsinë e qytetit, si dhe të fshatrave të Gjirokastrës dhe Përmetit. Çeta e kryesuar nga Çerçizi e vuri në zbatim, menjëherë, këtë njoftim të komitetit: dy pjesëtarë të çetës hynë në qytet dhe shkuan drejt e në lagjen ku banonte bimbashi, në lagjen Hozmurat vrasin bimbashin, bashkohen me shokët e tjerë që i prisnin jashtë qytetit dhe largohen pa pësuar asnjë dëm. Vrasja e bimbashit bëri që autoritetet turke të Gjirokastrës t’i shumëfishojnë ndjekjet kundër kryengritësve.

Kështu pas tri javësh të vrasjes së bimbashit, më 18 mars 1908, një pjesë e çetës me Çerçizin në krye, me Mihal Gramenon, me Hajredin Tremishtin dhe të tjerë, ndodhet në Mashkullorë (fshat afër Gjirokastrës) dhe rrethohet tradhtisht nga forca të mëdha turke. Çeta në këtë luftë të pabarabartë, luftoi për disa orë rresht me heroizëm të pashoq dhe mundi të çajë rrethimin duke patur vetëm një humbje: rënia heroikisht e Hajredin Tremishtit, i cili me gjithë se ishte i pa mundur, mori pjesë në luftime. Kurse nga ana armike mbetën të vrarë 20 vetë. Fitorja e korrur, në Mashkullorë, e çetës së vogël të Çerçizit, mbi fuqitë e mëdha të turqve, pati jehonë të madhe në gjithë vendin dhe veçanërisht në krahinën e Gjirokastrës dhe në atë të Korçës. Pas kësaj fitoreje radhët e çetave kryengritëse shtoheshin me luftëtarë të rinj. Krahas kësaj edhe ndjekjet e ushtrisë turke vazhduan më me tërbim. Çeta e Çerçizit në këtë periudhë u godit dy herë: herën e parë në qershor 1908 në afërsi të Gjirokastrës dhe herën e dytë në korrik 1908, në krahinën e Korçës. Po në këtë muaj lëvizja e xhonturqve kishte arritur kulmin.

Sulltan Hamiti i frikësuar, nga gjendja e krijuar, shpalli në Stamboll, më 24 korrik 1908, kushtetutën, Hyrietin dhe lirinë. Shpallja e kushtetutës ishte një ngjarje me rëndësi të madhe për gjithë shtetasit e perandorisë turke duke përfshirë edhe popujt jo turq dhe veçanërisht shqiptarët. Ky akt u prit me gëzim edhe në Shqipëri. Shqiptarët me shpalljen e kushtetutës mendonin se kjo ishte fitorja e parë që u jepte mundësi veprimeve më të gjëra për të drejta politike, shoqërore dhe arsimore. Ata shpresonin se këto të drejta të fituara më në fund do të shpinin në arritjen e qëllimit kryesor që ishte liria e plotë dhe pavarësia e Shqipërisë. Edhe në Gjirokastër, si kudo në Shqipëri, shpallja e kushtetutës u prit me gëzim dhe brohori. Ditët e para ishin gjithnjë në festë. Gjirokastra i priti me madhështi luftëtarët e lirisë me Çerçiz Topullin në krye, të cilët lanë malet dhe u kthyen pranë familjeve të tyre për të vazhduar luftën me metoda të tjera. Patriotët gjirokastritë, menjëherë, iu vunë punës me zell të madh për krijimin e klubit të Gjirokastrës si qendër politike dhe arsimore. Pas pregatitjeve të mëdha, u bë mbledhja e përgjithshme. / Memorie.al

                                                           Vijon numrin e ardhshëm

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Anëtarët e grupit që u rekrutuan nga kampe refugjatësh në Itali dhe në Greqi, u dërguan në Shqipëri me avionin C-47 që erdhi në tetor 1948 nga Gjermania e Zvicra...”/ Dokumentet sekrete të CIA-s

Artikuj të ngjashëm

“Kur Dom Zef Oroshi, nuk e la turmën e dasmorëve, të hynte në Kishën ‘Zoja e Kshillit t’Mir’ në New York, me flamur me yllin e verdhë bolshevik rus, mbi shkabën dy-krenare, ata…”/ Historia e panjohur e priftit antikomunist
Dossier

“Anëtarët e grupit që u rekrutuan nga kampe refugjatësh në Itali dhe në Greqi, u dërguan në Shqipëri me avionin C-47 që erdhi në tetor 1948 nga Gjermania e Zvicra…”/ Dokumentet sekrete të CIA-s

October 21, 2026
“Përdorimi i Mehmet Shehut për të shuar çdo rezistencë në Shkodër dhe në Veri të vendit, sheshoi marrëdhënien e ftohtë mes tij dhe Enver Hoxhës, pasi…”/ Raportet e panjohura të ushtarakëve britanikë në ’44-ën
Dossier

“Kur i thashë majorit britanik Neel, në shtëpinë e Nik Sokolit, idenë time se; pas largimit të trupave gjermane, në Shqipëri, të krijojmë një qeveri nacionaliste, ai…”/ Kujtimet e ish-oficerit gjerman

October 21, 2026
“Një nga ‘privilegjet’ që Zamputi i ri gëzonte, ishte të trokiste pothuaj çdo ditë në mëngjes te dera e dhomës së Dom Ndreut dhe…”/ Dëshmia e rrallë e studiuesit të njohur
Dossier

“Një nga ‘privilegjet’ që Zamputi i ri gëzonte, ishte të trokiste pothuaj çdo ditë në mëngjes te dera e dhomës së Dom Ndreut dhe…”/ Dëshmia e rrallë e studiuesit të njohur

October 20, 2026
“Kozma Moja, rezident i Sigurimit të Shtetit në misionin e OKB-së, i kamufluar si diplomat, interesohej për vendndodhjen e Fehime Pipa e vëllait të saj, Arshiut…”/ Zbulohen dokumentet sekrete të CIA-s
Dossier

“Kozma Moja, rezident i Sigurimit të Shtetit në misionin e OKB-së, i kamufluar si diplomat, interesohej për vendndodhjen e Fehime Pipa e vëllait të saj, Arshiut…”/ Zbulohen dokumentet sekrete të CIA-s

October 22, 2026
“Kur ne mbetëm vetëm në dhomë, i thashë se; me urdhër të komandës superiore në Beograd, kam ardhur këtu në Nikaj, me qëllim…”/ Kujtimet e ish-oficerit gjerman, për takimin me Nik Sokolin, mars 1944
Dossier

“Kur ne mbetëm vetëm në dhomë, i thashë se; me urdhër të komandës superiore në Beograd, kam ardhur këtu në Nikaj, me qëllim…”/ Kujtimet e ish-oficerit gjerman, për takimin me Nik Sokolin, mars 1944

October 22, 2026
“Komandant Tasi, kapter Zeneli, rreshter Hitoja, tetar Aliu, polic Skënderi, ishin në garë të vazhdueshme me njëri tjetrin, kush shpik torturën më…” / Kujtimet e ish-të burgosurit, për “Kënetën e vdekjes”!
Dossier

“Kur i hoqën karrigen dhe trupi i tij u përkund në ajër me litar në grykë, xhahilët e Sigurimit u tmerruan nga një dukuri e jashtëzakonshme, pasi…”/ Historia e rrallë e ekzekutimit të inxhinierit të Kënetës së Maliqit

October 19, 2026

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme