• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Wednesday, September 23, 2026
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Personazh

“Zemra nuk plaket nga mosha, por nga mungesa e lëvizjes dhe…”/ Refleksione mbi estetikën e ligjërimit të Prof. Dr. Spiro Qirko

“Zemra nuk plaket nga mosha, por nga mungesa e lëvizjes dhe…”/ Refleksione mbi estetikën e ligjërimit të Prof. Dr. Spiro Qirko
“Zemra nuk plaket nga mosha, por nga mungesa e lëvizjes dhe…”/ Refleksione mbi estetikën e ligjërimit të Prof. Dr. Spiro Qirko
“Zemra nuk plaket nga mosha, por nga mungesa e lëvizjes dhe…”/ Refleksione mbi estetikën e ligjërimit të Prof. Dr. Spiro Qirko
“Zemra nuk plaket nga mosha, por nga mungesa e lëvizjes dhe…”/ Refleksione mbi estetikën e ligjërimit të Prof. Dr. Spiro Qirko
“Zemra nuk plaket nga mosha, por nga mungesa e lëvizjes dhe…”/ Refleksione mbi estetikën e ligjërimit të Prof. Dr. Spiro Qirko

Nga Hajdar Paçarada-Dumoshi

Memorie.al / Ka fjali që e tejkalojnë kuptimin e tyre të drejtpërdrejtë dhe shndërrohen në metafora të një filozofie të tërë jetësore. Pohimi i Prof. Dr. Spiro Qirkos se; “zemra nuk plaket nga mosha, por nga mungesa e lëvizjes”, është një prej tyre. Në planin e parë, ai është një përfundim i mbështetur në dijen kardiologjike; në thellësinë e vet, ndërkaq, është një reflektim mbi marrëdhënien ndërmjet njeriut, trupit, kohës dhe mënyrës së jetesës. Në intervistën e dhënë në emisionin “Trupi dhe shëndeti”, të Radio Televizionit Shqiptar, Prof. Qirko nuk e paraqet zemrën vetëm si organ biologjik. Ajo shfaqet si qendra e një ekuilibri të brishtë: ndërmjet punës dhe pushimit, teknologjisë dhe natyrës, jetëgjatësisë dhe cilësisë së jetës. Pikërisht në këtë zgjerim të kuptimit qëndron edhe vlera estetike e ligjërimit të tij. Shkenca nuk mbetet e mbyllur në terminologjinë e specializuar, por zbret në përvojën e përditshme dhe bëhet e kuptueshme për njeriun e zakonshëm.

Që në fillim të bisedës, mungesa e lëvizjes personifikohet si një “armik” i heshtur, i cili hyn në shtëpinë dhe në jetën tonë pa trokitur. Ai ulet pranë tavolinës së punës, na shoqëron në divan, qëndron pranë nesh kur shohim ekranin e televizorit ose telefonin dhe udhëton bashkë me ne në automobil. Kjo figurë është një nga momentet më të goditura të intervistës. Pasiviteti nuk përshkruhet më si mungesë e thjeshtë veprimi, por si një prani tinëzare që pushton gradualisht jetën.

Këtu fjala mjekësore fiton një dimension pothuajse letrar. Armiku nuk vjen me zhurmë dhe nuk shkakton menjëherë dhimbje; ai vepron ngadalë, duke e bindur njeriun se rehatia është mirëqenie. Në të vërtetë, ajo mund të jetë fillimi i një rrënimi të padukshëm. Kjo metaforë e bën të prekshme një ide shkencore: rreziku më i madh nuk është gjithmonë ai që na kërcënon hapur, por ai me të cilin mësohemi të bashkëjetojmë.

Gjithashtu mund të lexoni

DISA MENDIME TË FILOZOFIT, PROF. ISUF LUZAJ

“Tashti që po të shkruaj kam vuajtë shumë, tre ditë pa bukë e ujë, 20 ditë në çimento, pa shtrojë e mbulojë dhe…”/ Zbulohet letra e ish-deputetit të Shkodrës, Riza Dani, para pushkatimit

Në qendër të mendimit të Prof. Qirkos qëndron një kontradiktë e qytetërimit bashkëkohor. Teknologjia është krijuar për t’ia kursyer njeriut energjinë, ndërsa organizmi njerëzor është formuar për ta shpenzuar atë. Makineritë, automobili, ashensori, kompjuteri dhe ekranet na kanë çliruar nga shumë mundime fizike, por njëkohësisht e kanë larguar trupin nga funksioni i tij natyror. Njeriu, duke fituar rehati, rrezikon të humbasë lëvizjen.

Kjo nuk është një kritikë romantike kundër teknologjisë. Prof. Qirko nuk e mohon përparimin shkencor; përkundrazi, ai e vlerëson zhvillimin e diagnostikës, medikamenteve, stenteve dhe ndërhyrjeve moderne. Por ai vendos një kriter thelbësor: qytetërimi nuk duhet të matet vetëm me nivelin e teknologjisë, por edhe me aftësinë e saj për ta përmirësuar shëndetin dhe jetën e njeriut. Teknologjia ka kuptim kur i shërben jetës, jo kur e bën njeriun rob të palëvizshmërisë së vet.

Nga urtësia e lashtë te mjekësia bashkëkohore

Në ligjërimin e Prof. Spiro Qirkos, lëvizja nuk paraqitet si një zbulim i vonshëm i mjekësisë moderne. Profesori e vendos atë brenda një vazhdimësie historike të mendimit njerëzor. Duke iu drejtuar auditorit të televizionit publik, ai rikujton se Hipokrati, i konsideruar si babai i mjekësisë, e shihte ecjen si medikamentin më të mirë për jetën e njeriut.

Nëpërmjet gojës së profesorit, ky mendim i lashtë nuk mbetet një sentencë e largët, e mbyllur në historinë e mjekësisë. Ai rikthehet si këshillë e gjallë për njeriun bashkëkohor, i cili, pavarësisht zhvillimit teknologjik, vazhdon të ketë të njëjtin trup biologjik dhe të njëjtën nevojë themelore për lëvizje.

Në të njëjtën vijë, Prof. Qirko sjell para auditorit edhe mendimin e Aristotelit, sipas të cilit mungesa e lëvizjes përbën një nga format më të rënda të rrënimit të organizmit. Përmendja e filozofit grek e zgjeron bisedën përtej kufijve të kardiologjisë. Trupi nuk shihet vetëm si një sistem organesh që duhet mjekuar, por si pjesë e qenies njerëzore, zhvillimi i së cilës varet nga veprimi, ritmi dhe lëvizja.

Kështu, ajo që në lashtësi ishte intuitë filozofike, vëzhgim dhe përvojë mjekësore, në kohën moderne shpjegohet nëpërmjet fiziologjisë, kardiologjisë dhe biologjisë molekulare. Shkenca bashkëkohore nuk e mohon urtësinë e vjetër, por ia zbulon mekanizmat biologjikë dhe ia vërteton rëndësinë.

Për ta lidhur këtë trashëgimi të mendimit me mjekësinë e kohës sonë, Prof. Qirko përmend edhe pohimin e një mjeku të njohur të Mayo Clinic: sikur lëvizja të mund të prodhohej si medikament dhe të shitej në farmaci, ajo do të ishte ndër ilaçet më të kërkuara në botë.

Rëndësia e këtij pohimi nuk qëndron vetëm në bukurinë e formulimit. Ai zbulon një nga paradokset më të mëdha të qytetërimit modern: njeriu kërkon në farmaci atë që natyra ia ka dhënë si mundësi të vetën. Kërkon një ilaç të prodhuar, ndërsa shpesh shpërfill aftësinë e trupit për t’u mbrojtur nëpërmjet lëvizjes së rregullt.

Prof. Qirko nuk i sjell këto mendime për ta zbukuruar artificialisht ligjërimin. Në gojën e tij, Hipokrati, Aristoteli dhe mjeku bashkëkohor bëhen pjesë e një argumenti të vetëm. Megjithëse u përkasin kohëve të ndryshme, ata bashkohen në pohimin se lëvizja është një nga kushtet themelore të jetës së shëndetshme.

Kështu krijohet një urë ndërmjet filozofisë së lashtë, përvojës klinike dhe shkencës bashkëkohore. Mendimi njerëzor ndryshon gjuhën dhe mjetet e tij, por në thelb arrin te e njëjta e vërtetë: trupi që është krijuar për të lëvizur nuk mund të ruhet duke qëndruar vazhdimisht i palëvizshëm.

Zemra si motor dhe mrekulli biologjike

Një nga figurat më të fuqishme të intervistës është përfytyrimi i zemrës si “motori” më punëtor i organizmit. Me një peshë prej vetëm disa qindra gramësh, ajo pompon mijëra litra gjak brenda njëzet e katër orëve. Krahasimi me makinerinë nuk e zvogëlon misterin e saj biologjik; përkundrazi, e thekson atë. Asnjë makinë e krijuar nga njeriu nuk e ka vazhdimësinë, përshtatshmërinë dhe besnikërinë e kësaj pompe të gjallë.

Por Prof. Qirko shton një mendim edhe më domethënës: zemra “nuk ka gojë”. Ajo nuk flet dhe, në shumë raste, i shfaq shenjat e dëmtimit vetëm kur sëmundja ka përparuar. Pikërisht për këtë arsye, kujdesi për të nuk duhet të fillojë me dhimbjen. Parandalimi duhet t’i paraprijë simptomës.

Në këtë pikë, intervista kalon nga shpjegimi anatomik në etikën e përgjegjësisë. Njeriu nuk duhet të presë që trupi të protestojë për t’u kujdesur për të. Heshtja e zemrës nuk është dëshmi se gjithçka është mirë; ajo është një arsye më shumë për vetëdije.

Përmes kësaj figure, profesori arrin ta shpjegojë një të vërtetë të ndërlikuar klinike me një gjuhë të thjeshtë dhe të fuqishme. Zemra hesht, por heshtja e saj nuk duhet ngatërruar me paprekshmërinë. Ajo punon vazhdimisht, madje edhe atëherë kur njeriu nuk mendon për të. Prandaj përgjegjësia ndaj saj duhet të jetë e vazhdueshme.

Lëvizja si kulturë e jetesës

Lëvizja, në ligjërimin e Prof. Qirkos, nuk paraqitet si ndëshkim dhe as si detyrim estetik për ta ndryshuar pamjen e jashtme. Ajo paraqitet si nevojë biologjike dhe si kulturë e jetesës. Ecja, vrapimi i matur, biçikleta, noti, vallëzimi dhe format e tjera të aktivitetit aerobik janë mënyra për ta rikthyer organizmin në marrëdhënie me natyrën e vet.

Këtu qëndron një nga meritat më të mëdha të intervistës: aktiviteti fizik çlirohet nga ideja e palestrës si hapësira e vetme e ushtrimit. Lëvizja nuk është privilegj i sportistëve dhe as luks i atyre që kanë kohë të lirë. Ajo mund të fillojë me ecjen, me përdorimin e shkallëve, me ndërprerjen e qëndrimit të gjatë para kompjuterit dhe me ngritjen nga karrigia për disa minuta.

Në këtë mënyrë, kujdesi për shëndetin rikthehet nga institucioni mjekësor në përditshmërinë e njeriut. Lëvizja nuk fillon vetëm në spital, në qendrën rehabilituese ose në palestër. Ajo fillon në shtëpi, në rrugë, në vendin e punës dhe në vendimet e vogla që përsëriten çdo ditë.

Veçanërisht domethënëse është vërejtja e profesorit se jo çdo lëvizje e kryer gjatë punës e ka të njëjtën vlerë çlodhëse dhe shëndetësore. Lëvizjet e shoqëruara me stres, tension dhe detyrime nuk janë plotësisht të barasvlershme me ecjen e lirë, gjatë së cilës trupi dhe mendja çlirohen njëkohësisht. Këtu aktiviteti fizik fiton edhe një dimension psikologjik: ecja nuk është vetëm zhvendosje e trupit, por shkëputje nga presioni i përditshëm.

Pohimi se njeriu duhet jo vetëm të jetojë, por edhe “të dijë të jetojë”, e zgjeron më tej këtë mendim. Shëndeti nuk është një gjendje që ruhet vetvetiu. Ai është edhe dije për mënyrën e organizimit të punës, pushimit, ushqimit dhe lëvizjes.

Masa kujdesi dhe përgjegjësia mjekësore

Megjithatë, Prof. Qirko nuk e romantizon aktivitetin fizik dhe nuk e paraqet atë si recetë universale të pakushtëzuar. Ai këmbëngul se, përpara fillimit të një aktiviteti të rregullt, sidomos te personat me sëmundje të njohura ose të dyshuara të zemrës, nevojitet ekzaminim mjekësor.

Ka sëmundje të heshtura, anomali të lindura, hipertension, dëmtime koronare dhe çrregullime të ritmit që mund të mos japin shenja të qarta. Për këtë arsye, lëvizja duhet të shoqërohet me njohjen e gjendjes së organizmit dhe me këshillën e mjekut.

Kjo maturi e dallon ligjërimin profesional nga retorika e thjeshtë motivuese. Lëvizja është ilaç, por, si çdo ilaç, duhet t’i përshtatet njeriut. Për disa, ajo mund të jetë ecje e lirë dhe e gjatë; për të tjerë, aktivitet i moderuar dhe i mbikëqyrur. Edhe të sëmurët me probleme të zemrës nuk duhet domosdoshmërish të mbyllen brenda katër mureve, por aktiviteti i tyre duhet të përcaktohet sipas gjendjes klinike.

Në këtë mënyrë, intervista ruan një ekuilibër ndërmjet thirrjes për veprim dhe përgjegjësisë mjekësore. Profesori nuk e ngre aktivitetin fizik mbi diagnostikën dhe mjekimin, por e vendos përkrah tyre. Ai nuk e paraqet lëvizjen si zëvendësim arbitrar të barnave, por si një faktor të fuqishëm mbrojtës dhe rehabilitues, kur ajo zbatohet në mënyrë të përshtatshme.

Estetika e një ligjërimi njerëzor

Në planin estetik, gjuha e prof. Qirkos karakterizohet nga ndërthurja e termit shkencor me figurën konkrete. Ai flet për oksigjenimin, enët e gjakut, inflamacionin, kolesterolin, trigliceridet, insulinën dhe funksionin e muskulit të zemrës, por i kthehet vazhdimisht figurës së pompës, motorit, rrugës dhe lëvizjes. Kjo e bën ligjërimin e tij të komunikueshëm dhe njerëzor.

Nganjëherë shpjegimi zgjerohet dhe përsëritet, sidomos kur renditen ndikimet fiziologjike të aktivitetit fizik. Megjithatë, këto përsëritje nuk burojnë nga varfëria e mendimit, por nga synimi pedagogjik për ta ngulitur mesazhin te publiku. Profesori nuk flet vetëm për kolegët e profesionit. Ai i drejtohet pacientit, të moshuarit, punonjësit të zyrës, prindit dhe çdo njeriu që, për shkak të ritmit bashkëkohor, e ka lënë trupin në harresë.

Edhe vetë hapësira e televizionit publik merr një domethënie të veçantë. Fjala e mjekut nuk mbetet brenda klinikës, por shkon te njerëzit në qytete, fshatra, zona të largëta dhe jashtë vendit. Dija profesionale shndërrohet kështu në shërbim publik. Ajo nuk pret që njeriu të bëhet pacient për ta takuar mjekun, por përpiqet ta arrijë përpara sëmundjes.

Dhurata që mund t’i bëjmë zemrës

Pohimi më i bukur i intervistës vjen drejt fundit: çdo mëngjes duhet t’i bëjmë zemrës një dhuratë dhe ajo dhuratë është lëvizja. Këtu ligjërimi mjekësor shndërrohet në një poezi të thjeshtë të përditshmërisë.

Dhurata nuk është një objekt që blihet, por një veprim që përsëritet. Ajo nuk kërkon pasuri, por vullnet; nuk kërkon spektakël, por vazhdimësi. Zemra, e cila gjatë gjithë jetës punon pa pushim për njeriun, paraqitet si diçka ndaj së cilës kemi edhe një detyrim moral. Të lëvizësh do të thotë t’i përgjigjesh punës së saj me kujdes.

Në fund të intervistës, Prof. Qirko e bashkon përvojën e të lashtëve me përfundimet e shkencës së sotme. Mjekësia ka krijuar aparatura diagnostikuese, medikamente, stente dhe ndërhyrje gjithnjë e më të sofistikuara, por ende nuk ka zbuluar një medikament që mund ta zëvendësojë lëvizjen.

Në këtë përfundim qëndron edhe kuptimi më i thellë i intervistës. Përparimi shkencor mund ta ndihmojë zemrën, mund ta diagnostikojë, ta mjekojë dhe, në raste të caktuara, ta shpëtojë. Por ai nuk mund ta çlirojë njeriun nga përgjegjësia për mënyrën se si jeton.

Prof. Qirko e përmbyll mendimin e tij me dallimin ndërmjet viteve të jetuara dhe “viteve të pa jetuara”. Qëllimi nuk është vetëm t’i shtohen vite jetës, por t’u jepet jetë viteve. Kjo ide e ngre intervistën mbi kufijtë e këshillës mjekësore dhe e vendos në rrafshin filozofik.

Jetëgjatësia pa lëvizje, pavarësi dhe pjesëmarrje në botë mund të kthehet vetëm në një numër biologjik. Ndërsa jeta cilësore nënkupton aftësinë për të ecur, për të vepruar, për të komunikuar dhe për ta ruajtur dinjitetin funksional. Kështu, lëvizja bëhet jo vetëm kusht i shëndetit, por edhe kusht i pranisë së njeriut në jetë.

Përmbyllje

Intervista e Prof. Dr. Spiro Qirkos është një ligjërim ku shkenca, përvoja klinike dhe humanizmi takohen natyrshëm. Forca e saj nuk qëndron vetëm në informacionin për zemrën, por në përpjekjen për ta kthyer dijen mjekësore në vetëdije njerëzore. Ajo nuk e frikëson publikun me sëmundjen; e fton të ndryshojë marrëdhënien me trupin e vet.

“Zemra nuk plaket nga mosha, por nga mungesa e lëvizjes” nuk duhet kuptuar si mohim absolut i plakjes biologjike. Vlera e kësaj fjalie është njëkohësisht shkencore, metaforike dhe ndërgjegjësuese: mosha kalendarike nuk është i vetmi përcaktues i gjendjes sonë. Mënyra se si jetojmë, lëvizim dhe kujdesemi për organizmin mund ta ngadalësojë ose ta përshpejtojë plakjen funksionale.

Nëpërmjet fjalës së Prof. Qirkos, mendimi i Hipokratit dhe Aristotelit takohet me përvojën e mjekësisë bashkëkohore. Shekujt ndryshojnë, shkenca zhvillohet dhe teknologjia përparon, por një e vërtetë mbetet: jeta shprehet përmes lëvizjes.

Në fund, zemra e kësaj interviste nuk është vetëm organi që pompon gjakun. Ajo është simboli i ritmit të jetës. Kur njeriu pushon së lëvizuri, nuk ngadalësohet vetëm trupi; ngushtohet edhe hapësira e përvojës së tij. Ndërsa çdo hap i ndërgjegjshëm është një pohim se jeta nuk duhet vetëm të zgjasë, por duhet të jetohet. Prandaj mesazhi i Prof. Dr. Spiro Qirkos mund të përmblidhet në një thirrje të qetë, por thelbësore: t’i japim zemrës lëvizje, që ajo t’u japë jetë viteve tona./ Memorie.al

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

DISA MENDIME TË FILOZOFIT, PROF. ISUF LUZAJ

Artikuj të ngjashëm

DISA MENDIME TË FILOZOFIT, PROF. ISUF LUZAJ
Personazh

DISA MENDIME TË FILOZOFIT, PROF. ISUF LUZAJ

September 23, 2026
“Gjergj Kokoshi, kishte besim tek misionet anglo-amerikane në Shqipëri dhe influenca e tyre mbi qeverinë e Enver Hoxhës, për t’i bërë presion, për shtyrjen e zgjedhjeve…”/ Libri i studiueses dhe historianes së njohur
Personazh

“Tashti që po të shkruaj kam vuajtë shumë, tre ditë pa bukë e ujë, 20 ditë në çimento, pa shtrojë e mbulojë dhe…”/ Zbulohet letra e ish-deputetit të Shkodrës, Riza Dani, para pushkatimit

September 21, 2026
“Në pranverën e 1929-ës, Gabriel Meksi na mbledh ne nxënësit ortodoksë të Gjimnazit, që të organizojmë një kor të vogël për të psalur shqip…”/ Kujtimet e Jakov Milaj, për “shkjetë” e Shkodrës
Personazh

“Në pranverën e 1929-ës, Gabriel Meksi na mbledh ne nxënësit ortodoksë të Gjimnazit, që të organizojmë një kor të vogël për të psalur shqip…”/ Kujtimet e Jakov Milaj, për “shkjetë” e Shkodrës

September 19, 2026
ARRESTIMI I FRANC NOPÇËS NË PUKË DHE TALLJA E TIJ ME KAJMEKAMIN
Personazh

ARRESTIMI I FRANC NOPÇËS NË PUKË DHE TALLJA E TIJ ME KAJMEKAMIN

September 18, 2026
“Pjerin Kçira, ish-hetues i pushkatuem për shpërndarje traktesh kundra pushtetit, tha në gjyq: ‘armët në Kishë i ka fut Sigurimi…”/ Dëshmia e Padër Leon Kabashit
Personazh

Në mars 1945, Enver Hoxha thërriti Delegatin Apostolik Nigris, duke i kërkuar qe të shkojë në Romë dhe t’i paraqesë Papës Pio XII, dëshirën e…”/ Historia e panjohur e ish-ambasadorit të Vatikanit

September 11, 2026
“Kur Skënder Sallaku, si sekretar partie i Estradës dhe Luan Zhegu, si zëvendës i tij, e pyetën regjizorin Leka Bungon, se ç’mendim kishte për Enver Hoxhën, ai iu tha…”/ Historia e bujshme në ‘89-ën
Personazh

“Një shkrimtar i shkoi Xhelil Gjonit në zyrën e tij në Komitetin Qendror dhe i kërkoi që të jepte dorëheqjen, pasi…”/ Dëshmia e rrallë e shkrimtarit të njohur Zija Çela

September 11, 2026

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme